Lajme
Adis Tairi: Sistemi shëndetësor në Zvicër kërkon urgjentisht staf të ri
Adis Tairi, përmes platformës HealthCampus, angazhohet në trajnim praktik dhe përgatitjen e kuadrove të reja për nevojat e kujdesit shëndetësor në Zvicër
Sistemi shëndetësor në Zvicër po përballet me mungesë të theksuar të personelit, veçanërisht në infermieri dhe në kujdesin afatgjatë. Rritja e kërkesës për shërbime shëndetësore, e lidhur edhe me plakjen e popullsisë, po e bën gjithnjë e më të vështirë për institucionet të gjejnë staf të mjaftueshëm, ndërsa ky sektor njëkohësisht po hap mundësi të reja për të rinjtë që kërkojnë një karrierë të qëndrueshme.
Me mbi 22 vjet përvojë në sistemin shëndetësor zviceran, Adis Tairi ka ndërtuar një rrugëtim profesional nga praktika klinike deri te arsimi profesional. Sot, përmes platformës HealthCampus, ai angazhohet në trajnim praktik dhe përgatitjen e kuadrove të reja për nevojat reale të kujdesit shëndetësor në Zvicër. Në një intervistë për albinfo.ch, ai flet për sfidat aktuale dhe perspektivat e këtij sektori.
albinfo.ch: Sa serioze është aktualisht mungesa e personelit shëndetësor në Zvicër dhe cilët sektorë janë më të prekur?
Adis Tairi: Mungesa e personelit shëndetësor në Zvicër është një nga sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor sot. Kërkesa për profesionistë të kujdesit është shumë e lartë, veçanërisht në infermieri. Sektorët më të prekur janë spitalet, institucionet e kujdesit afatgjatë dhe Spitex. Në shumë institucione tashmë është e vështirë të plotësohen vendet e lira të punës, gjë që rrit presionin mbi stafin ekzistues.
albinfo.ch: Cilat janë arsyet kryesore që kanë çuar në këtë mungesë të kuadrove shëndetësore?
Adis Tairi: Arsyet janë të shumta. Një faktor i rëndësishëm është plakja e popullsisë, e cila rrit ndjeshëm nevojën për kujdes shëndetësor. Në të njëjtën kohë, puna në sektorin e kujdesit është shpesh shumë kërkuese dhe e lidhur me stres dhe ngarkesë të madhe. Gjithashtu për shumë vite nuk janë trajnuar mjaftueshëm profesionistë për të përmbushur nevojat e tregut.
albinfo.ch: Si pritet të zhvillohet kjo situatë në 5–10 vitet e ardhshme?
Adis Tairi: Parashikimet tregojnë se kërkesa për personel shëndetësor do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme. Sidomos në kujdesin afatgjatë pritet një rritje e ndjeshme e nevojës për staf. Kjo do të thotë se sistemi shëndetësor do të ketë nevojë për shumë më tepër profesionistë të trajnuar dhe për struktura më të forta edukimi.
albinfo.ch: A po planifikohen programe të reja trajnimi për të rritur numrin e profesionistëve në shëndetësi?
Adis Tairi: Po. Zvicra tashmë ka filluar një ofensivë të madhe për të rritur numrin e profesionistëve në infermieri dhe në sektorin e kujdesit. Një element shumë i rëndësishëm është fakti që shumë institucione shëndetësore kanë detyrim për formim profesional (Ausbildungsverpflichtung). Kjo do të thotë që spitale, Spitex dhe institucione të kujdesit afatgjatë duhet të trajnojnë një numër të caktuar nxënësish dhe studentësh në profesionet e kujdesit.
albinfo.ch: Çfarë mundësish kanë të rinjtë ose personat që duan të ndryshojnë profesion për të hyrë në sektorin e shëndetësisë?
Adis Tairi: Sektori i shëndetësisë në Zvicër ofron shumë rrugë të ndryshme karriere. Një nga avantazhet e këtij sistemi është se mund të fillosh me një formim bazë dhe më pas të vazhdosh hap pas hapi drejt niveleve më të larta të arsimit.
Një hyrje shumë e zakonshme në sektor është formimi si ndihmës infermier/e (Pflegehelfer/in), i cili u jep njerëzve mundësinë të hyjnë në tregun e punës dhe të njohin nga afër sistemin shëndetësor. Pas kësaj ekzistojnë shumë mundësi për zhvillim profesional, për shembull drejt AGS, FaGe dhe më pas edhe drejt studimeve në nivel HF apo universitare.
albinfo.ch: Sa të hapura janë institucionet zvicerane për profesionistë shëndetësorë nga komunitetet e huaja?

Adis Tairi: Institucionet zvicerane janë përgjithësisht të hapura për profesionistë nga komunitetet e huaja. Në fakt, sistemi shëndetësor në shumë raste mbështetet edhe tek profesionistë të trajnuar jashtë vendit. Megjithatë, ekzistojnë standarde të qarta profesionale dhe kërkesa gjuhësore që duhet të plotësohen.
albinfo.ch: Çfarë roli mund të luajë komuniteti shqiptar në plotësimin e mungesës së stafit në shëndetësi?
Adis Tairi: Komuniteti shqiptar në Zvicër ka një potencial shumë të madh për të kontribuar në këtë sektor. Shumë të rinj tashmë janë të integruar mirë, flasin gjuhët vendore dhe kanë një kulturë të fortë pune. Nëse orientohen më shumë drejt profesioneve të shëndetësisë, ata mund të japin një kontribut shumë të rëndësishëm në spitale, Spitex dhe institucione të kujdesit.
albinfo.ch: A ka pengesa administrative ose gjuhësore për të huajt që duan të punojnë në këtë sektor?
Adis Tairi: Pengesa kryesore zakonisht lidhet me njohjen e diplomave dhe me kërkesat gjuhësore. Profesionistët duhet të kenë njohuri të mjaftueshme të gjuhës së kantonit ku punojnë dhe në disa raste diplomat e huaja duhet të njihen zyrtarisht. Megjithatë, me orientimin dhe mbështetjen e duhur këto pengesa mund të tejkalohen.
albinfo.ch: Çfarë reformash mendoni se janë të nevojshme për ta bërë profesionin e infermierisë dhe kujdesit shëndetësor më tërheqës?
Adis Tairi: Është shumë e rëndësishme të përmirësohen kushtet e punës, të zvogëlohet ngarkesa dhe të krijohen më shumë mundësi zhvillimi profesional. Po ashtu duhet të investohet më shumë në edukim dhe në struktura të forta trajnimi brenda institucioneve.
albinfo.ch: Si mund të inkurajohen më shumë të rinj që të zgjedhin karrierë në shëndetësi?
Adis Tairi: Është e rëndësishme që të rinjtë të informohen më herët për mundësitë që ofron ky sektor. Praktikat, programet hyrëse dhe rrugët e qarta të zhvillimit profesional mund të luajnë një rol shumë të madh në këtë drejtim.
albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për ata që po mendojnë të ndjekin një profesion në këtë sektor?
Adis Tairi: Shëndetësia është një profesion me kuptim dhe me perspektivë të fortë për të ardhmen. Është një fushë që ofron stabilitet në tregun e punës dhe mundësi reale për zhvillim profesional. Për shumë njerëz gjëja më e rëndësishme është të bëjnë hapin e parë dhe të hyjnë në sektor. Pas kësaj, rrugët për zhvillim janë të shumta.
Në shëndetësi mund të hysh si ndihmës infermier (Pflegehelfer) dhe të arrish deri në studime të larta – sistemi ofron shumë rrugë zhvillimi.
Kërkesat për staf shëndetësor, shumë të mëdha
Kërkesa për profesionistë të kujdesit është shumë e lartë, veçanërisht në infermieri. Sektorët më të prekur janë spitalet, institucionet e kujdesit afatgjatë dhe Spitex. Në shumë institucione tashmë është e vështirë të plotësohen vendet e lira të punës, gjë që rrit presionin mbi stafin ekzistues.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Paradoksi shqiptar: mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës Ndërsa në Maqedoninë e Veriut luftohet për këto të drejta bazë, në Zvicër shpesh shohim një... -
Vepra për Kosovën e Karl Jenkins shpallet më e pëlqyera në “Classic FM Hall of Fame 2026” -
Itali
Rai i kushton kronikë festës së valleve arbëreshe -
Washington D.C.
Kultura e Kosovës promovohet në Washington D.C. -
Belgjikë
Shqiptarja fiton çmimin “Restaurant Guru Award 2026” në Belgjikë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Shoferi në korsinë e gabuar shkakton përplasje mes dy veturave Zvicër: Përplasje në autostradë pas vozitjes në kah të gabuar... -
Raport: Zvicra duhet të reformojë sistemin e kujdesit për fëmijët -
Tregu sot, ja sa kushtojnë karburantet në Zvicër pas rritjes së fundit -
Natyralizimi ka ndryshuar “kufirin statistikor” të popullsisë në Zvicër -
Shqipëria drejt forcimit të rezistencës klimatike me mbështetjen e Zvicrës













