Kosova

Geci: Thaçi mund të përfundojë si Murseli, PDK reagon ashpër, VV distancohet

Një deklaratë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka shkaktuar përplasje të forta në Kuvend. Gjatë një seance parlamentare, ai përmendi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli dhe deklaroi se edhe ish-presidenti Hashim Thaçi mund të përballet me një fat të ngjashëm.

Kjo deklaratë u konsiderua e rëndë dhe provokuese, duke nxitur reagime të menjëhershme nga deputetët e opozitës nga PDK, të cilët e cilësuan si të papranueshme dhe fyese për figurat që lidhen me luftën çlirimtare.

Pas polemikave, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, u distancua nga qëndrimi i Gecit. Ajo theksoi se qëndrimet e subjektit të saj për luftën çlirimtare janë të qarta dhe publike, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, si dhe duke shprehur respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e vendit.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nga ulësja e saj, u distancua nga deklarimi i deputetit Geci.

“Ai qëndrim nuk është as i Kuvendit, as i Vetëvendosjes, as i imi si kryetare e Kuvendit, as i shefes të grupit parlamentar, prandaj natyrisht se distancimi nga një fjalim i tillë, është i kuptueshëm”, deklaroi Haxhiu.