Sporte Luftarake

Boksieri shqiptar “lufton” kundër Anthony Joshua

Boksieri nga Shqipëria, Kristian Prenga, më 25 korrik, do ta sfidojë boksierin Anthony Joshua.

Joshua sot e konfirmoi meçin me Prengën, i cili do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.

Ai është prej boksierëve më të famshëm të dekadave të fundit teksa Prenga në boksin profesionist ka 20 fitore e një humbje.

Ish-kampioni në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, ka 29 fitore, prej tyre 26 me ndërprerje, dhe katër humbje.

“Nuk është sekret që më është dashur pak kohë për konsolidim dhe rindërtim, që të jem gati për kthim në ring. Dhe sot është hapi i radhës në atë rrugëtim. Jam i lumtur që kam arritur marrëveshje për meçin e 25 korrikut në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Mezi pres të boksoj dhe të vazhdoj aty ku kam mbetur”, ka thënë Joshua.

Nga ana tjetër, Prenga ka deklaruar se Joshua bëri gabim që e zgjodhi atë.

“Anthony Joshua është luftëtar i shkëlqyer, por ai bëri gabim të tmerrshëm kur më zgjodhi si kundërshtar. Është luftë që ndryshon çdo gjë në jetën time dhe jetën e tij. E di që ka plane të mëdha pas kësaj lufte. E di që më nënvlerësojnë. Jam i lumtur për këtë. Do t’ua prish planet dhe do ta tronditi botën këtë korrik në Arabinë Saudite”, ka deklaruar ai.