Kosova

Fjolla Zhubi mbron doktoraturën në Semmelweis University në Budapest

Specialistja e Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë e cilëson këtë sukses si një moment kulmor në karrierën e saj profesionale.

Një arritje e rëndësishme në fushën e shkencave mjekësore vjen nga Dr. Fjolla Zhubi, e cila ka mbrojtur me sukses temën e doktoraturës (PhD) në universitetin prestigjioz Semmelweis University në Budapest, transmeton albinfo.ch.

 

 

Mbrojtja publike e doktoraturës konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha në rrugëtimin e saj profesional, krahas specializimit në Mjekësi Interne dhe Kardiologji. Ky proces akademik, i cili nisi në vitin 2020, është shoqëruar me angazhim të lartë, punë kërkimore intensive dhe sfida të shumta.

Dr. Zhubi ka theksuar rëndësinë e mentorëve të saj, Attila Kovács dhe Alexandra Fábián, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen profesionale dhe udhëzimin e vazhdueshëm gjatë gjithë procesit të doktoraturës.

 

 

Ajo ka shprehur mirënjohje edhe ndaj institucionit ku kreu studimet, duke vlerësuar Semmelweis University si një universitet me standarde të larta akademike dhe mundësi të mëdha zhvillimi.

Po ashtu, Dr. Zhubi ka falënderuar familjen e saj për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm gjatë këtij rrugëtimi.

Ndryshe, Dr. Fjolla Zhubi vjen nga një familje e njohur në Mitrovicë, duke qenë vajza e mjekes Luljeta Zhubi dhe profesorit e trajnerit Nexhat Zhubi./Albinfo.ch