Muzikë

Bebe Rexha dhe David Guetta paralajmërojnë hitin e ri “Sad Girls”

Dyshja e njohur rikthehet me një tjetër bashkëpunim muzikor pas suksesit global të “I’m Good (Blue)”

Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha dhe DJ-i i njohur francez David Guetta kanë paralajmëruar projektin e tyre më të ri muzikor me titull “Sad Girls”, i cili pritet të publikohet më 29 maj 2026, transmeton albinfo.ch.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të përbashkët në rrjetet sociale, ku artistët publikuan edhe një video teksa përgatiteshin për ceremoninë American Music Awards.

Në video, Bebe Rexha shfaqet e emocionuar duke prezantuar këngën e re, ndërsa David Guetta u shpreh se është “i obsesionuar” me projektin dhe shumë i lumtur që publiku do ta dëgjojë më në fund.

Ky bashkëpunim vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të hitit “I’m Good (Blue)”, këngë që dominoi toplistat ndërkombëtare dhe platformat muzikore në mbarë botën.

Pas publikimit të paralajmërimit për “Sad Girls”, fansat reaguan menjëherë në rrjetet sociale, ku shumë prej tyre kërkuan që dy artistët të realizojnë edhe një album të përbashkët në të ardhmen./Albinfo.ch