Portrete të firmave
Pulmologu shqiptar realizoi ëndrrën në Austri: Dr. Mefail Muji hap ordinancën e tij në Vjenë
Dr. Mefail Muji, specialist i sëmundjeve të mushkërive (pulmolog), prej kohësh është një emër i njohur në fushën e pulmonologjisë në Austri. Më 16 prill të vitit 2026, ai realizoi një nga objektivat më të rëndësishëm të karrierës së tij profesionale, hapi ordinancën private pulmologjike “Lungenfacharzt Brigittenau” në qarkun (Bezirkun) e 20-të të Vjenës
E vendosur në një zonë me rëndësi të veçantë personale dhe profesionale për të, ordinanca “Lungenfacharzt Brigittenau” ofron shumë shërbime diagnostikuese dhe trajtuese në fushën e sëmundjeve të mushkërive. Pacientët kanë mundësi të kryejnë teste të funksionit pulmonar, analiza të gazrave në gjak, ekzaminime me rëntgen dhe diagnostikime të ndryshme për sëmundjet respiratore. Një ndër veçoritë e rëndësishme të kësaj ordinance është se, pacientët mund të kontrollohen me E-Card (Alle Kassen), duke e bërë kujdesin specialistik më të qasshëm për të gjithë.
Nga Prizreni, në Vjenë për të specializuar në pulmologji
I lindur në Prizren, Dr.Muji përfundoi atje shkollën fillore dhe të mesme të mjekësisë. Fëmijërinë e tij e kujton si shumë të bukur dhe të lumtur. Si fëmijë, thotë se vinte shpesh në Austri për pushime, ngase babai i tij punonte prej vitesh në Vjenë.
Dëshira për t’u bërë mjek i erdhi nga një eksperiencë personale jo e këndshme për ta kaluar. Por, Dr.Muji aty e vendosi të ardhmen e vet. I shtrirë në spitalin e Prizrenit pas një sëmundje që kishte, pa përkushtimin e pandalshëm të mjekëve secilën ditë që kishin kundrejt pacientëve. Aty, ai e kuptoi se sa i rëndësishëm ishte roli i mjekut.
“Dëshira për t’u bërë mjek ka lindur që në adoleshencë. Pikërisht për këtë arsye zgjodha shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren, drejtimin teknik medicinal. Një përvojë personale më ka ndikuar shumë: kur isha i ri u sëmura dhe qëndrova disa ditë në spital. Aty pashë përkushtimin dhe kujdesin e mjekëve ndaj pacientëve dhe kjo më la mbresa të thella. Spitali ishte afër shtëpisë sime dhe çdo natë e shihja shtëpinë nga dritarja e dhomës së spitalit. Ajo periudhë më bëri të kuptoj sa e rëndësishme është puna e mjekut dhe sa shumë mund të ndikojë tek jeta e njerëzve”, thotë ai.
Ardhja e shpeshtë në Austri dhe dëshira e madhe për tu bërë mjek, e bëri Dr.Mefailin të zhvendoset në kryeqytetin austriak në vitin 1996. Fillimet nuk ishin të lehta, sidomos periudhën e luftës në Kosovë, ai e përjetoi rëndë emocionalisht.
“Fillimisht erdha pa e ditur se në Austri ekzistonte mundësia për të studiuar mjekësi. Përmes njohjeve takova një student shqiptar të mjekësisë, sot doktor Qazim Berisha, internist, i cili më ndihmoi shumë në regjistrimin në Fakultetin e Mjekësisë në Vjenë. Fillimisht ndoqa kursin e gjuhës gjermane dhe pas përfundimit të tij fillova jetën studentore si student i rregullt. Megjithatë, në atë periudhë filloi lufta në Kosovë dhe mendja ime ishte vazhdimisht te familja, nëna, vëllai, motra dhe të afërmit që ndodheshin atje. Për këtë arsye, ato vite kanë qenë emocionalisht shumë të vështira dhe nuk arrita menjëherë suksesin që dëshiroja”, sqaron ai.
Specializimin në Pulmologji Dr. Muji thotë se e zgjodhi sepse e ka terhequr gjithmonë si fushë.
“Gjatë kohës si mjek “Turnusarzt” në repartin e sëmundjeve të mushkërive në spitalin e Hietzing pata mundësinë të tregoj përkushtimin dhe seriozitetin tim në punë.
Shefi i repartit, Prim. Univ.Prof.Dr.Wolfgang Pohl më propozoi që të specializohem në pulmonologji dhe më ofroi një vend pune për specializim. Edhe pse konkurrenca ishte shumë e madhe, ai më tha se kolegët kishin dhënë vlerësime shumë pozitive për mua dhe se do të ishin të lumtur të bëhesha pjesë e ekipit. Për mua ky ishte një moment shumë i rëndësishëm dhe pa hezitim e pranova ofertën”, thotë tutje ai.
Hapja e ordinancës në Dresdner Straße, aty ku nisën hapat e parë drejt karrierës
Ideja për hapjen e ordinancës lindi gjatë kohës kur Dr. Muji po bënte zëvendësime të mjekëve të ndryshëm pulmolog, si të doktoresha Birgit Stohlhofer në qarkun (Bezirkun) e 21 , Prim. Univ.Prof. Dr.Wolfgang Pohp në privatklinik Döbling.
“Aty kuptova se e doja shumë këtë punë dhe se dëshiroja të bëhesha i pavarur profesionalisht. Konkurrova për ordinancën në qarkun (Bezirkun) e 20-të të Vjenës, një vend me të cilin kisha lidhje emocionale, sepse aty kisha filluar edhe kursin e gjuhës gjermane dhe aty kishte nisur rrugëtimi im në Austri. Mendova se do të ishte simbolike që edhe përfundimi i karrierës sime të lidhej me atë vend. Ordinanca u hap më 16 prill 2026, pikërisht në ditëlindjen time, prandaj ajo datë ka për mua një domethënie të veçantë si dy ditëlindje në një ditë”, thotë ai.
Sot ordinanca ofron të gjitha shërbimet kryesore të pulmonologjisë, duke përfshirë testet e funksionit të mushkërive, analizat e gazrave në gjak, rëntgenin dhe diagnostikime të ndryshme pulmonare. Në ordinancën e Dr. Muji punojnë dy ndihmës-asistente.
“Puna ekipore është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse qëllimi ynë kryesor është kujdesi sa më i mirë për pacientët. Jam shumë mirënjohës për ekipin tim dhe për bashkëpunimin që kemi krijuar”, sqaron ai.
Për Dr. Mujin është e rëndësishme që pacienti të dëgjohet, të kuptohet dhe të ndjehet i sigurt. Sepse, thotë ai, marrëdhënia me pacientin është po aq e rëndësishme sa trajtimi mjekësor.
Komunikimi në gjuhën shqipe, i bën bashkatdhetarët më të sigurt
Ardhja në Austri si i ri dhe kalimi i sfidave të integrimit e bën Dr. Mujin më të ndjeshëm kur vjen fjala të bashkatdhetarët shqiptarë. Ai thotë se komunikimi në gjuhën shqipe i bën pacientët shqiptarë të ndjehen më të sigurt, dhe ata arrijnë t’i shprehin më lirshëm shqetësimet dhe nevojat e tyre.
“Për bashkatdhetarët tanë është gjithashtu shumë e rëndësishme që të komunikojnë në gjuhën shqipe, sepse ndihen më të sigurt, më të kuptuar dhe më të lirë për të shprehur shqetësimet e tyre shëndetësore. Për mua, kjo është një mënyrë për t’i ndihmuar jo vetëm profesionalisht, por edhe njerëzisht”, shprehet ai.
Dr. Mefaili tregon për albinfo.at një rast kur gjatë kohës së pandemisë kishte takuar një bashkatdhetar të moshuar në “ Klinik Hietzing” dhe fjalët që ia tha plaku kur kuptoi që doktori është shqiptar. “Ishte koha e pandemisë. Në atë kohë punoja në spitalin “Klinik Hietzing”. E pash një të moshuar i cili kërkonte të gjente një repart për të bërë një rëntgen. Kisha një bindje që është shqiptar por nuk me dukej e arsyeshme ta pengoja. E përcolla për disa minuta dhe e shihja që nuk po arrinte ta gjente. Iu afrova dhe e pyeta fillimisht në gjuhën gjermane, nëse mundem ta ndihmoj. U mundua të përgjigjet, por vërehej se kishte probleme me gjuhen gjermane. E pyeta menjëherë në gjuhën shqipe: ‘Me fal axhë, a mos je shqiptar?’ Ende pa u përgjigj, i qeshi fytyra: ‘O djali jem, a shqiptar je, a? O t’rujt Zoti se gjysmën e sëmundjes ma largove veç që të dëgjova tu fol shqip”, tregon Dr.Muji duke shtuar se prej atij momenti ai personalisht është përkujdesur me të gjitha kontrollet e nevojshme dhe ka marr përsipër gjithë mjekimin deri në shërimin e plotë të tij.
Këshilla e Dr. Mefail Mujit për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë mjekësinë në Austri, është që të mos dorëzohen, të punojnë vazhdimisht që ta realizojnë ëndrrën e tyre, sepse kjo është e mundshme me angazhim dhe punë.
“Me punë, përkushtim dhe durim, suksesi herët apo vonë do të vijë.
Të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin karrierën në mjekësi në Austri janë të mirëpritur të kontaktojnë me mua për këshilla apo ndihmë. Gjithmonë jemi të hapur për bashkëpunim dhe mbështetje”. thotë Dr.Muji.
Mesazhi i Dr. Mujit: Mos pini duhan, mos neglizhoni shëndetin!
Një nga problemet më të shpeshta që has Dr. Muji është paraqitja e vonshme e pacientëve te mjeku. Shumë persona i neglizhojnë simptomat e para, gjë që mund të vështirësojë dhe zgjasë procesin e trajtimit. Për këtë arsye, diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve të mushkërive ka një rol kyç në ruajtjen e shëndetit dhe në rritjen e suksesit të trajtimit.
Dr. Mefail Muji thekson se kontrollet e rregullta janë veçanërisht të rëndësishme për duhanpirësit, të cilët duhet të kryejnë vizita specialistike çdo tre deri në gjashtë muaj. Ekzaminimet preventive, përfshirë rëntgenin e mushkërive, mundësojnë zbulimin e hershëm të problemeve serioze, përfshirë tumoret pulmonare.
Mesazhi i tij për pacientët është i qartë: të mos neglizhojnë shëndetin, të heqin dorë nga duhani dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore sapo të shfaqen simptomat e para.
Kur flet për të ardhmen e ordinancës, Dr. Muji thotë se synimi i tij është që të jetë gjithmonë në hap me kohën dhe zhvillimet më të fundit në mjekësi. Aktualisht, ordinanca e tij është e pajisur me teknologjinë më moderne, por marrë parasysh zhvillimet e shpeshta në mjekësi, ai do vazhdojë të investojë sipas nevojave dhe risive teknologjike.
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Nga Cyrihu drejt Amerikës, Ansambli “TROJET” çon kulturën shqiptare në Festivalin “Lahuta 35” Në Aeroportin e Cyrihut, familjarë, miq dhe mbështetës përcollën anëtarët e Ansamblit Kulturor “TROJET”, të cilët... -
Ansambli “Vatra” sjell atmosferë shqiptare në “Albanifest” të Winterthurit -
Itali
I burgosuri me origjinë nga Kosova arratiset nga spitali në Itali, dyshohet se mashtroi gardianët -
Sot i jepet lamtumira e fundit motrave shqiptare që humbën jetën tragjikisht në Gjermani -
Gjermani
Gjermani: Humb jetën shqiptari nga Kosova pas një aksidenti në vendin e punës
Jeta në Zvicër
-
Vjedhje me thyerje në një dyqan armësh – Plagosen dy policë Të premten, persona të panjohur hynë me forcë në një dyqan armësh në Wallbach, Aargau. Dy... -
Komiteti i Senatit, kundër tarifës prej 50 frangash për dhomat e urgjencës -
Ia marrin pensionistit 80,000 franga, një pensioniste shpëton në momentin e fundit -
39 gradë në Zvicër: Rekordi i nxehtësisë për qershor u thye pas vetëm një dite -
20 vjet Vali Ranch: Një ëndërr që u bë destinacion i njohur turistik në Kosovë



















