Kosova
Çfarë miksi energjetik i duhet Kosovës?
Kosova mund të sigurojë furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike dhe njëkohësisht të ulë ndotjen e ajrit, por kjo kërkon investime në burime të reja të energjisë, si era, dielli dhe gazi i lëngshëm natyror (LNG), e jo mbështetje afatgjatë vetëm te qymyri.
Në këtë përfundim arrijnë ekspertë të energjisë dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit, të cilët thonë se rehabilitimi i termocentraleve ekzistuese është i domosdoshëm për të shmangur krizat afatshkurtra, por nuk përbën zgjidhje të qëndrueshme për sistemin energjetik të Kosovës.
Vlerësimet e tyre vijnë në kohën kur debati për të ardhmen energjetike të vendit është intensifikuar.
Përveç modernizimit të termocentraleve ekzistuese, autoritetet përmendin edhe mundësinë e gazifikimit të qymyrit, ndërsa vazhdojnë të mos kenë vendim për t’iu bashkuar projekteve rajonale për furnizim me gaz të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara.
Kapacitetet e Kosovës
Kosova mbetet një nga vendet më të varura nga qymyri në Evropë.
Gati 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet me qymyr, ndërsa pjesa tjetër vjen nga burimet e ripërtëritshme.
Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate energji elektrike, por në ditët e dimrit konsumi arrin deri në 1.300 megavate, duke e detyruar të importojë energji për të mbuluar mungesën.
Prodhimi mbështetet kryesisht te termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat, për shkak të vjetërsisë së tyre, përballen shpesh me defekte që çojnë edhe në ndërprerje të rrymës.
Përpjekja për ndërtimin e një termocentrali të ri, e nisur në vitin 2005, nuk është realizuar kurrë.
Ndërkohë, Strategjia e Energjisë 2022-2031 synon ta ndryshojë gradualisht këtë strukturë përmes rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.
Diversifikimi, alternativa që rekomandojnë ekspertët
Për ekspertët, zgjidhja nuk është një burim i vetëm energjie, por kombinimi i disa teknologjive që e bëjnë sistemin më të qëndrueshëm dhe më pak të varur nga qymyri.
Zana Beqiri, nga Shoqata për Përgjegjësi Mjedisore dhe Sociale (ESRA), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të ndjekë modelin e Bashkimit Evropian – ku edhe mëton të anëtarësohet – për diversifikimin e burimeve energjetike.
Një qasje e tillë, sipas saj, parashihet edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031, e cila synon ndërtimin e 600 megavateve kapacitete nga era dhe po aq nga energjia diellore.
Përveç këtyre burimeve, ajo përmend edhe sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive, si dhe gazin e lëngshëm natyror amerikan, si pjesë të një, siç e quan, portofoli energjetik më elastik dhe më të sigurt.
Adhurim Haxhimusa, profesor në Universitetin Zviceran të Shkencave të Aplikuara (FHGR), pajtohet se diversifikimi është rruga që duhet të ndjekë Kosova, por thekson se investimet nuk do të vijnë vetëm me ndërtimin e kapaciteteve të reja.
Sipas tij, vendi duhet të krijojë një treg funksional të energjisë, ku konkurrenca dhe politikat e duhura u japin investitorëve sinjal të qartë për të investuar.
“Nëse institucionet e Republikës së Kosovës zbatojnë politikat e duhura, përfshirë vendosjen e taksës së karbonit për të dekurajuar ndotjen dhe një planifikim të saktë hapësinor, investimet private në burimet e ripërtëritshme do të rriteshin shumë shpejt”, thotë Haxhimusa për Radion Evropa e Lirë.
Një treg me çmime dinamike, shton ai, do t’i nxiste investitorët privatë të gjenin kombinimin më efikas të burimeve të energjisë, pa rrezikuar stabilitetin e furnizimit.
Megjithatë, jo të gjithë e shohin qymyrin si një kapitull që duhet mbyllur.
Ish-ministri i Energjisë në Qeverinë e Kosovës, Ethem Çeku, pajtohet se vendi duhet të zgjerojë portofolin e tij energjetik përmes burimeve të reja. Por, duke pasur parasysh rezervat e mëdha të qymyrit, ai argumenton se nuk duhet përjashtuar mundësia e ndërtimit të një blloku të ri termocentrali.
“Një bllok prej 500 megavatesh, ose dy blloqe nga 250 megavate mund të ndërtohen. Por, termocentrali i ri duhet të ndërtohet sipas parametrave të Bashkimit Evropian. Nuk mund të ndërtosh më kapacitete me bazë të thëngjillit, pa qenë në harmoni me direktivat e BE-së për mbrojtjen e mjedisit”, thekson Çeku për Radion Evropa e Lirë.
LNG-ja amerikane mbetet një vendim i hapur
Një prej opsioneve që ekspertët e konsiderojnë më realist për periudhën e tranzicionit është gazi natyror i lëngshëm amerikan (LNG).
Ndryshe nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ende nuk u është bashkuar projekteve rajonale për furnizim me këtë gaz.
Qeveria është përballur vazhdimisht me thirrje nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, si dhe nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, që të përfshihet në to.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por nuk ka bërë të ditur nëse vendi do t’u bashkohet përfundimisht projekteve të SHBA-së.
“Si gjithmonë, ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë, bashkë me ekspertët dhe të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike dhe politike”, ka thënë Rizvanolli përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale më 26 qershor.
Për Beqirin nga ESRA, vonesat mund të kenë pasoja.
Ajo kujton deklaratat e zyrtarëve amerikanë se “dritarja e mundësisë po mbyllet”, pasi kapacitetet e korridoreve energjetike rajonale po rezervohen gradualisht.
“Nëse Kosova nuk vepron tani, kostoja dhe mundësitë e integrimit do të rriten ndjeshem”, thekson Beqiri.
Edhe Haxhimusa e konsideron LNG-në si një nga alternativat më praktike për Kosovën gjatë tranzicionit energjetik.
Sipas tij, centralet me gaz mund të aktivizohen dhe të ndalen brenda pak minutash – gjë që i bën ato të përshtatshme për të balancuar prodhimin nga era dhe energjia diellore, i cili varet nga kushtet atmosferike.
“Për më tepër, LNG-ja shkakton më pak dëme mjedisore lokale dhe financimi është më i lehtë, pasi Bashkimi Evropian e klasifikon gazin si burim tranzicioni”, thotë Haxhimusa.
E, sipas Çekut, nëse ideja e gazit amerikan nuk pranohet, Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përveç “rehabilitimit të termocentraleve ekzistuese”.
Termocentralet mbeten burimi kryesor i ndotjes
Debati për të ardhmen e sektorit energjetik, megjithatë, nuk lidhet vetëm me sigurinë e furnizimit. Ai lidhet edhe me koston mjedisore të mbështetjes së vazhdueshme te qymyri.
Edhe pse prej vitesh janë bërë investime në modernizimin e tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” vazhdojnë të jenë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në vend.
Këtë e konfirmon edhe Raporti Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2025 i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), sipas të cilit emetimet e pluhurit nga oxhaqet e termocentraleve tejkalojnë rreth tri herë kufijtë e lejuar nga lejet mjedisore.
Problematike mbeten edhe emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂) dhe dioksidit të azotit (NO₂), të cilat gjithashtu tejkalojnë vlerat e lejuara.
Të dhënat e Shoqatës për Përgjegjësi Mjedisore dhe Sociale (ESRA) flasin po në të njëjtin drejtim.
Sipas Beqirit, “Kosova A” emeton rreth 4.851 tonë grimca PM2.5 në vit, ndërsa “Kosova B” rreth 3.687 tonë.
PM2.5 janë grimca të imëta ajrore, të cilat mund të depërtojnë thellë në mushkëritë e njeriut dhe ta dëmtojnë funksionin e tyre.
“Këto dy termocentrale emetojnë rreth katër herë më shumë grimca PM2.5 sesa shumica e termocentraleve të tjera në Ballkanin Perëndimor”, thotë Beqiri.
Dhe, pasojat nuk maten vetëm me shifra për ndotjen.
Sipas një analize të Bankës Botërore, ndotja e ajrit në Kosovë lidhet me rreth 760 vdekje të parakohshme çdo vit, kryesisht si pasojë e ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5.
A mjafton rehabilitimi?
Përballë këtyre të dhënave, pyetja që shtrohet është nëse rehabilitimi i termocentraleve mund ta ndryshojë ndjeshëm situatën.
Qeveria e Kosovës e ka përfshirë modernizimin e “Kosovës A” dhe “Kosovës B” në Strategjinë Energjetike 2022-2031, ku parashihet që të dyja termocentralet të rinovohen për t’iu afruar standardeve të kërkuara evropiane për emetimet.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Ministria e Ekonomisë të dhëna për investimet e deritanishme dhe masat konkrete që pritet të ndikojnë në uljen e ndotjes, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Në deklarimet e saj të fundit publike, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se investimet në Termocentralin “Kosova B” synojnë rritjen e efikasitetit të prodhimit, sigurinë e furnizimit dhe uljen e ndotjes.
Projekti kryesor, me vlerë rreth 56.5 milionë euro, pritet të përfundojë gjatë viteve 2025-2026.
Por, ekspertët mbeten të kujdesshëm në pritjet e tyre.
Beqiri thotë se modernizimi mund të ulë një pjesë të emetimeve dhe të përmirësojë efikasitetin e termocentraleve, por nuk beson se ai do ta zgjidhë problemin në themel.
“Madje, edhe me sistemet e filtrimeve të planifikuara, përmbushja e standardeve të Bashkimit Evropian deri në janar të vitit 2028 mbetet sfidë institucionale dhe financiare”, thekson ajo.
Haxhimusa e konsideron projektin për zëvendësimin e elektrofiltrave në “Kosovën B”, të financuar nga Bashkimi Evropian, si investimin më të rëndësishëm mjedisor të viteve të fundit.
Ai thotë se projekti pritet të ulë emetimet e pluhurit për më shumë se 90 për qind.
Megjithatë, ai vëren se investimi po realizohet me faza dhe aktualisht përfshin vetëm bllokun B1, ndërsa B2 do të vazhdojë të funksionojë me teknologjinë ekzistuese “derisa t’i vijë radha”.
Sfidë edhe më e madhe, sipas tij, mbetet Termocentrali “Kosova A”, ku njësitë prodhuese janë mbi pesë dekada të vjetra dhe mund t’u nënshtrohen vetëm ndërhyrjeve emergjente për të vazhduar funksionimin.
Rehabilitimi pa ndalur prodhimin, i vështirë
Përtej debatit se cili duhet të jetë drejtimi i ardhshëm energjetik i Kosovës, ekspertët pajtohen në një pikë: termocentralet ekzistuese nuk mund të zëvendësohen brenda natës.
Për këtë arsye, rehabilitimi i tyre konsiderohet i pashmangshëm.
Por, sipas ekspertëve, ai nuk mund të realizohet pa sakrifica afatshkurtra.
Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, thotë se termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” kanë nevojë për atë që ai e quan “rehabilitim të thellë” – një proces që kërkon ndaljen e plotë të blloqeve, vlerësim teknik dhe investime shumë më të mëdha sesa ndërhyrjet që janë bërë deri më tani.
“Ne tash po bëjmë vetëm rehabilitime afatshkurtra, që ua zgjasin jetën [termocentraleve] disa muaj apo vite. Rehabilitimi i thellë kërkon që blloku të ndalet, të analizohet gjendja e tij dhe të vendoset nëse investimi ia vlen”, shpjegon Çeku.
Mendim të ngjashëm ndan edhe Haxhimusa. Ai thotë se modernizimi i termocentraleve nuk mund të bëhet pa ndërprerje të planifikuara të prodhimit.
Sipas tij, instalimi i elektrofiltrave të rinj, sistemeve për desulfurizim apo pajisjeve të tjera kërkon që secili bllok të nxirret jashtë funksionit për disa muaj.
E, Kosova nuk e ka luksin t’i ndalë të gjitha kapacitetet njëkohësisht.
“Puna duhet të bëhet bllok pas blloku”, thotë ai.
Haxhimusa, gjithashtu, rekomandon që Kosova t’i planifikojë paraprakisht importet e energjisë, në vend që të mbështetet në blerje emergjente në bursa.
“Kjo do të garantonte furnizimin të qëndrueshëm, stabilitet të rrjetit dhe planifikim të mirëfilltë financiar”, përfundon ai./REL
E-Diaspora
-
Elbenita Kajtazi sonte ngjitet në skenën e Operës së Cyrihut me një tjetër rol të Mozartit Sopranoja shqiptare njoftoi se është gati të interpretojë një tjetër Mbretëreshë të Mozartit në "Opernhaus Zürich",... -
Vula e Ekselencës, si shndërrohet një diplomë e Kosovës në Licencë Auditimi në Zvicër -
Itali
27-vjeçari shqiptar humb jetën në Itali pas një aksidenti tragjik në vendin e punës -
Zvicër/Kosovë
Nga Zvicra në Kosovë, çifti i ri ndërton kampingun e ëndrrave në mes të natyrës -
Martin Marku u zgjodh Këshilltar Komunal në Graz të Austrisë
Jeta në Zvicër
-
Temu ka tejkaluar Amazon në tregtinë elektronike zvicerane Gjigandi kinez ka arritur një miliard franga në xhiro vetëm tre vjet pas lançimit. Platformat më... -
Shpenzimet e kujdesit për fëmijët së shpejti do të ulen për familjet zvicerane -
Nga taksat te pensionet: Çështjet e mëdha për të cilat Zvicra do të votojë në nëntor -
Orë të pafundme bllokimi trafiku, kjo është gjendja e trafikut në Zvicër -
Rreziku i zjarreve në pyje rritet nga 4 në 5 në Gjenevë











