Lajme

Nis shpërndarja e librave shqip në 15 shtete të diasporës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka nisur shpërndarja falas e teksteve të gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët e diasporës në 15 shtete.
Sipas Ramës, tekstet do të mbështesin mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në vende si Greqia, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, si edhe në shtete të tjera ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe.

Ai bëri të ditur se, krahas teksteve për nivelet I dhe II, këtë vit do të shpërndahet edhe niveli III, duke plotësuar paketën mësimore për nxënësit, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri shtoi gjithashtu se është drejt përfundimit puna për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Gjuhës Shqipe, e cila, sipas tij, do të shërbejë si një instrument institucional për standardizimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe për forcimin e pozicionit të saj në kuadër të gjuhëve të Bashkimit Evropian.