Lajme

Chair Airlines inauguron linjën direkte Cyrih–Tiranë, një tjetër urë ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë

Zürich, Tiranë, 9 korrik 2026 – Të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nuk kishte ateruar një aeroplan i zakonshëm. Ishte fluturimi inaugurues i kompanisë zvicerane Chair Airlines, që shënoi nisjen zyrtare të linjës direkte Cyrih–Tiranë, duke shtuar një tjetër lidhje të rëndësishme ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë, shkruan albinfo.ch.

© 2026 ALBINFO.CH/Gent Mersinaj

Avioni u prit me ceremoninë tradicionale të “water salute”, ndërsa përfaqësues të aeroportit dhe të kompanisë ajrore mirëpritën pasagjerët e fluturimit të parë, duke e cilësuar hapjen e kësaj linje si një moment të rëndësishëm për zhvillimin e lidhjeve ajrore dhe turizmit mes dy vendeve.

Linja e re do të operojë tri herë në javë, çdo të martë, të enjte dhe të shtunë, duke u ofruar udhëtarëve një alternativë të re për udhëtimet mes Zvicrës dhe Shqipërisë.

chairarlines tiranë
© 2026 ALBINFO.CH/Gent Mersinaj

Për komunitetin shqiptar në Zvicër, kjo nënkupton më shumë mundësi për të udhëtuar drejt atdheut, ndërsa për turistët zviceranë krijohen lidhje edhe më të lehta me Shqipërinë.

© 2026 ALBINFO.CH/Gent Mersinaj

Një nga veçoritë e ofertës së Chair Airlines është fleksibiliteti i itinerareve. Pasagjerët mund të fluturojnë nga Cyrihu në Prishtinë, të kalojnë kohë me familjen dhe miqtë në Kosovë, të vazhdojnë pushimet në bregdetin shqiptar dhe të kthehen në Zvicër nga Tirana. Po ashtu, itinerari mund të realizohet edhe në drejtimin e kundërt, duke u përshtatur me planet e secilit udhëtar.

chairarlines tiranë
© 2026 ALBINFO.CH/Gent Mersinaj

Chair Airlines është një kompani ajrore zvicerane me seli në Cyrih, e specializuar në fluturimet turistike. Ajo operon me avionë Airbus A319 dhe A320 dhe, me përfshirjen e Tiranës në rrjetin e saj, synon të zgjerojë më tej praninë në rajonin e Ballkanit.

Në ceremoninë inauguruese, drejtues të Chair Airlines dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës vlerësuan bashkëpunimin mes palëve dhe shprehën bindjen se linja e re do të kontribuojë në rritjen e numrit të udhëtarëve, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe zhvillimin e turizmit mes Zvicrës dhe Shqipërisë.

© 2026 ALBINFO.CH/Gent Mersinaj

Përveç lehtësimit të udhëtimeve për diasporën shqiptare, linja e re pritet të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik për tregun zviceran, veçanërisht gjatë sezonit veror.

© 2026 ALBINFO.CH/Gent Mersinaj

Ekipi i albinfo.ch ishte pjesë e këtij fluturimi inaugurues dhe e ndoqi nga afër të gjithë ceremoninë, nga nisja në Cyrih deri te pritja në Tiranë.

Video reportazhi i plotë do të publikohet nesër në albinfo.ch, me pamje ekskluzive nga fluturimi i parë, ceremonia e mirëseardhjes, intervista me drejtuesit e Chair Airlines dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe përshtypjet e pasagjerëve që udhëtuan në këtë fluturim historik.