Lajme

Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën

Aktivitetet do të mbahen në Pejë, Gjakovë dhe Gjilan me synim krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka publikuar ftesën për pjesëmarrje në takimet B2B Kosovë – Diasporë, të cilat synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës, si dhe të krijojnë mundësi të reja për investime dhe partneritete afatgjata.

Sipas njoftimit, takimet do të organizohen në tri qytete të Kosovës:

24 korrik 2026 – Pejë, ora 10:00, Hotel Dukagjini

28 korrik 2026 – Gjakovë, ora 10:00, Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”

29 korrik 2026 – Gjilan, ora 10:00, Teatri i Qytetit

OEK bën të ditur se këto takime do të shërbejnë si platformë për rrjetëzimin e bizneseve, prezantimin e potencialit ekonomik të rajoneve përkatëse, identifikimin e mundësive për bashkëpunim dhe nxitjen e investimeve ndërmjet diasporës dhe sektorit privat në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Organizatorët ftojnë bizneset vendore dhe ato të diasporës të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, duke kontribuar në krijimin e lidhjeve të reja afariste dhe partneriteteve që mund të sjellin zhvillim ekonomik dhe investime të reja në vend.

Ky aktivitet realizohet me mbështetjen e projektit Holistic Opportunities for Migrant and Diaspora Engagement (HOME), i cili zbatohet nga Caritas Zvicra dhe partnerët e tij, me financim nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit.