Kosova
Shqipëria kryeson për ndërtim, Kosova mbështetet te industria – si ndryshojnë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor?
Krahasimi i Eurostat tregon se ekonomitë e rajonit kanë modele të ndryshme zhvillimi. Kosova dallon për peshën e lartë të industrisë, ndërsa Shqipëria për ndërtimin dhe bujqësinë.
Ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështeten në sektorë të ndryshëm për të gjeneruar rritje ekonomike. Sipas një analize të bazuar në të dhënat e Eurostat për vitin 2024, të përpunuara nga Monitor, vendet e rajonit ndjekin modele të ndryshme zhvillimi, ndërsa dallimet me mesataren e Bashkimit Evropian mbeten të theksuara, përcjell albinfo.ch.
Në Bashkimin Evropian, ekonomia dominohet nga shërbimet profesionale, financiare dhe aktivitetet me bazë njohuritë, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbështeten kryesisht në industri, tregti, ndërtim dhe bujqësi.
Kosova mbështetet te industria
Sipas analizës, Kosova renditet ndër vendet me peshën më të madhe të industrisë në rajon. Ky sektor gjeneron rreth 22.8 për qind të vlerës së shtuar bruto, duke e vendosur Kosovën në mesin e ekonomive më të industrializuara të Ballkanit Perëndimor.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore, të cilat përbëjnë afërsisht një të katërtën e ekonomisë së vendit.
Ndërtimi zë rreth 10 për qind të ekonomisë, duke qenë niveli i dytë më i lartë në rajon pas Shqipërisë, ndërsa bujqësia kontribuon me rreth 9.3 për qind.
Megjithatë, analiza vëren se sektorët e teknologjisë së informacionit, komunikimit, financave dhe shërbimeve profesionale mbeten ende më pak të zhvilluar krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Evropian.
Shqipëria kryeson në ndërtim
Shqipëria dallohet si vendi me peshën më të madhe të sektorit të ndërtimit në ekonomi. Ky sektor gjeneron 13.8 për qind të vlerës së shtuar bruto, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian dhe niveli më i lartë në Evropë.
Po ashtu, Shqipëria ka edhe peshën më të madhe të bujqësisë në rajon, me rreth 17–18 për qind të ekonomisë, ndërsa industria përbën vetëm rreth 12 për qind, një nivel dukshëm më i ulët se në Kosovë, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Serbia dhe Mali i Zi me modele të ndryshme
Serbia ka ndërtuar një model ekonomik më të orientuar drejt teknologjisë dhe industrisë. Sektori i informacionit dhe komunikimit përbën rreth 10 për qind të ekonomisë, ndërsa industria rreth 21.2 për qind, duke e bërë vendin një nga ekonomitë më të diversifikuara në rajon.
Nga ana tjetër, Mali i Zi mbështetet kryesisht te turizmi dhe shërbimet. Tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomia përfaqësojnë rreth 32.6 për qind të ekonomisë, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor.
Maqedonia e Veriut dhe Bosnja ruajnë bazën industriale
Maqedonia e Veriut paraqet një strukturë më të balancuar ekonomike, ku industria përbën rreth 21 për qind të ekonomisë, ndërsa Bosnjë e Hercegovina vazhdon të mbështetet fuqishëm në industrinë përpunuese dhe eksportet drejt tregut evropian.
Analiza thekson se, ndonëse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rritje vitet e fundit, ato vazhdojnë të mbështeten kryesisht në sektorë tradicionalë, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian gjenerojnë një pjesë shumë më të madhe të vlerës së shtuar nga teknologjia, financat dhe shërbimet profesionale. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
20 Minuten sjell nga afër atmosferën e një dasme kosovare me mbi 400 të ftuar Gazetaret e mediumit zviceran ndoqën një ceremoni tradicionale në Prishtinë, duke e cilësuar si një përvojë... -
Itali
Konsullata e Kosovës në Milano modernizon shërbimet, funksionalizon sistemin e ri për pasaporta dhe letërnjoftime -
Itali
Shqiptarja Mikela Skandaj shpallet nënkampione bote në karate me Italinë -
SHBA
Oficeri i FSK-së në SHBA nderohet me dy çmime në kursin e Ushtrisë Amerikane -
Itali
19-vjeçari shqiptar humb jetën në ditëlindjen e tij pas një aksidenti në Itali
Jeta në Zvicër
-
Nga nesër rikthehet vala e të nxehtit në Zvicër, temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Meteorologët paralajmërojnë ditë përvëluese deri javën e ardhshme, ndërsa rreziku nga zjarret mbetet në nivelin më... -
Pse kartëmonedha zvicerane prej 1,000 frangash është ndër më të veçantat në botë? -
Shëndeti mendor, arsyeja kryesore për mbështetjen e sigurimeve zvicerane për paaftësinë -
Zvicra e para për besimin në institucione -
Aplikacioni i ri ndihmon aplikantët të përgatiten për provimin e shtetësisë zvicerane












