Kosova

A do të jetë 2019-ta, fundi i Kartonit të Gjelbër në Kosovë?

Sa i për ketë Kartonit të Gjelbër, Mehmeti thotë se mundësitë janë që të bëhet një zgjidhje indirekte me Brukselin, në mënyrë që të jap dritën jeshile ndonjë kompanie, të ndonjë shteti për të hapur një Zyrë për shitjen e Kartonit të Gjelbër për Kosovë

Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë shënuar rënie mbi 22 për qind krahasuar me vitin e kaluar ndërkohë kreditë në sektorin bankarë kanë arritur vlerën 2.7 miliardë euro. Kështu thotë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ai flet edhe për Kartonin e Gjelbër, për të cilin thotë se mundësitë janë që të bëhet një zgjidhje indirekte me Brukselin.

Mehmeti thotë se remitencat nga diaspora kanë shënuar 587 milionë euro me një rritje vjetore prej 6.1 për qind, raporton “Kosovapress”.

Ai deklaron se sektori financiar konsiderohet si stabil, mirë i kapitalizuar dhe kreditë në sektorin bankarë kanë arrit vlerën 2.7 miliardë euro me një rritje vjetore prej 6 për qind.

Sipas tij, burim kryesor i financimit janë depozitat të cilat kanë arrit vlerën 3.2 miliardë euro ose një rritje vjetore prej 6. 9 për qind, përcjell albinfo.ch.

Mehmeti thotë se kanë shënuar rritje të kreditimit sektorët që më herët kanë qenë më pak të kredituara.

Vetëm vitin e fundit ka shënuar rritje të theksuar sektori i prodhimit dhe sektorin e bujqësisë. Guvernatori thotë se bankat kanë shënuar fitim, për 10 për qind më pak se në vitin paraprak.

Ndërsa, kreditë e këqija në sektorin bankar janë 2.7 për qind. Mehmeti thotë se sektori i sigurimeve vazhdoi të rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve në shtator 2018 ishte 69.1 milion euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 4.8%.

Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 31.5 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.2%. Rritja e dëmeve të paguara, përveç rritjes së numrit të policave të sigurimit, reflekton edhe sjelljen më të përgjegjshme të kompanive të sigurimit ndaj të siguruarve.

Guvernatori i Kosovës thotë se sektori i sigurimeve ka vazhduar që për të dytin vit me radhë të ketë performancë financiare pozitive.

Ndërsa, ka thënë se vlerësimet preliminare sugjerojnë që rritja ekonomike për këtë vit sipas BQK-së do të jetë 4 për qind, ndërkaq në 2019 pritet që rritja ekonomike në Kosovë të jetë 4.2 për qind.

Numri i ankesave sipas Mehmetit deri më tani ka arrit 895, është një rritje rekord krahashuar me vitet paraprake, diku 510 ankesa kanë të bëjnë me sektorin bankar dhe institucioneve mikrofinanciare financiare jo Bankare, pjesa tjetër i përket tregut të sigurimeve.

Sektori bankar ankesat kryesisht kanë të bëjnë me regjistrin e kredive, bllokimin e llogarive, ndërsa te sektori i sigurimeve kryesisht kanë të bëjnë me pagesën e dëmeve.

Sa i për ketë Kartonit të Gjelbër, Mehmeti thotë se mundësitë janë që të bëhet një zgjidhje indirekte me Brukselin, në mënyrë që të jap dritën jeshile ndonjë kompanie, të ndonjë shteti për të hapur një Zyrë për shitjen e Kartonit të Gjelbër për Kosovë.

Sipas tij, të gjitha këto mundësi janë të hapura dhe presin që gjatë vitit 2019 të finalizohet dhe gjegjësisht të bëhet shitja e kartonit të Gjelbër edhe për qytetarët e Kosovës për ata që janë këtu dhe ata që vijnë.

Ndërsa, sa i përket hapjes së një banke të diasporës, guvernatori ka thënë se ka pasur dhe ka palë të interesuara dhe janë në pritje që të bëhet një aplikim për të hapur një bankë të diasporës.