Integrimi

Ambasada e Kosovës në Bernë, pritje në 14-vjetorin e Pavarësisë

"Diaspora po kontribuon dukshëm në paraqitjen e imazhit të vërtetë të Kosovës dhe të gjithë këta janë shumë më të suksesshëm në punën e tyre sesa ne, diplomatët", ka thënë veç tjerash në fjalën e tij, ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Sami Ukelli

Në një atmosferë festive në Bernë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër, ka organizuar pritjen tradicionale me rastin e 17 Shkurtit, përvjetorit të 14-të të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

E veçanta e këtij aktiviteti ishte se po organizohej për herë të parë pa masat anti-COVID, pas vendimit të cilin e kishin marrë autoritetet zvicerane, vetëm një ditë më parë. Mysafirët ishin të lirë dhe nuk mbanin as maska e nuk ishin të detyruar të tregojnë as certifikatat e vaksinimit.

Në këtë pritje solemne të Ambasadës së Kosovës në Zvicër, kanë marrë pjesë edhe ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Bernë si dhe përfaqësues të institucioneve zvicerane.

Veç të përmendurve, aty ishin të pranishëm edhe bashkatdhetarë me qëndrim në Zvicër, përfaqësues shoqatash, bashkësish fetare e biznesesh dhe miq zviceranë të komunitetit shqiptar.

Pas pritjes së të ftuarve, u bë intonimi i himnit të Kosovës dhe atij të Zvicrës, raporton albinfo.ch.

Në fjalimin e tij, ambasadori i  Republikës së Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli, ka folur për të arriturat dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar shteti më i ri në Evropë, Kosova.

“Gjatë 14 viteve të fundit, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm dhe kjo duhet pranuar. Kosova ka bërë një rrugë të gjatë për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, tha diplomati kosovar duke përmendur të arriturat e diasporës kosovare në Zvicër.

“Është diaspora e suksesshme që kontribuon dukshëm në paraqitjen e imazhit të vërtetë të Kosovës dhe të gjithë këta janë shumë më të suksesshëm në punën e tyre sesa ne, diplomatët. Janë sukseset e tyre në vitet e fundit ato që kanë ndikuar fuqishëm në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar në Kosovë”, tha ambasadori. “Sot është bërë edhe më e vështirë të renditësh të gjitha rastet individuale me suksese te diaspores shqiptare ne Zvicer pa harruar ndonjë. Përfaqësimi i suksesshëm i një kosovari për Zvicrën në Eurovizion, paraqitjet e jashtëzakonshme të futbollistëve për Zvicrën në Kampionatin Evropian Euro2020, çmimi për “Sipërmarrësi i Vitit”, pozitat në institucionet legjislative dhe ekzekutive në nivel lokal dhe kantonal janë vetëm një. Pjesë e suksesit të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve tanë nga Kosova, të cilët me angazhimin e tyre kontribuojnë në zhvillimin e vetë Zvicrës”, ka vazhduar ambasadori Ukelli.

Më tej ai është ndalur te nevoja që duhet përmirësuar marrëdhëniet ekonomike me shtetin pritës, Zvicrën. “Janë marrëdhëniet ekonomike, investimet dhe rritja e tregtisë. Ne duhet të shtojmë përpjekjet tona për ta bërë më tërheqës për biznesin zviceran që të vijë dhe të investojë në Kosovë, për te mirën e te dy vendeve dhe popujve”, theksoi veç tjerash në fjalimin e tij, ambasadori kosovar.

Edhe bashkëkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër-Kosovë, Deputeti Nacional Cedric Wermuth, ka folur për ndryshimin e imazhit të kosovarëve në Zvicër. “Si në politikë, sport dhe kulturë dhe në të gjitha sferat, kosovarët janë bërë pjesë e këtij vendi”, tha Wermuth.

Pas fjalimeve Ambasadori Ukelli dhe deputeti, Cedric Wermuth prenë tortën me flamurin e Kosovës dhe atë të Zvicrës në shenjë miqësie të sinqertë midis popujve të të dy vendeve tona.

Më shumë foto të realizuar nga Rromir Imami në galeri:

Foto: Ambasada e Kosovës në Bernë, pritje në 14-vjetorin e Pavarësisë