Shqipëria

Ambasadori Zingraf: Shqipëria ka mundësi të shumta për investitorët gjermanë

Shqipëria ka kapacitet dhe mundësi të shumta për investitorët dhe turistët e huaj, veçmas nga Gjermania.

Ambasadori i Republikës Federale Gjermane, Peter Zingraf, në Tiranë, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare është shprehur se në vendin tonë ka firma gjermane që operojnë me mjaft sukses.

“Sigurisht që ka firma gjermane që këtu në Shqipëri që punojnë në mënyrë të suksesshme. Investimet janë në sektor të ndryshëm, siç mund të jenë sektori i logjistikës, turizmit, automobilave, por mund të bëhet shumë më shumë se kaq”, tha ai duke shtuar se “ka mundësi që investimet të ishin shumë më tepër”, u shpreh ai.

“Firmat gjermane vijnë në Shqipëri, ne bëjmë me shumë dëshirë promovimin për mundësitë që ofrohen në Shqipëri dhe Shqipëria ka potencialitet të madh në këtë drejtim”, tha Zingraf.

Sipas ambasadorit Zingraf, turizmi malor, detar dhe ai kulturor pëlqehen shumë nga turistët gjermanë.

“Numri i turistëve gjermanë që vijnë në Shqipëri është në rritje të vazhdueshme. Ajo që duam të theksojmë është se lloji i turistëve është diversifikuar, ka vizitor qytetesh, turizëm kulturor, detar, malor, mosha është e ndryshme nga të rinjtë deri te më të moshuarit, dhe është një trend që është duke u zhvilluar më së miri”, tha ambasadori  gjerman në Tiranë.