Muzikë
Argjend Gjigja, artisti shqiptar mes urbanes dhe ndjeshmërisë ballkanike
Në krijimtarinë e tij ndërthuren ritmet urbane me ndjeshmërinë që vjen nga përkatësia dhe përvoja personale
Rruga artistike e Argjend Gjigjës është ndërtuar hap pas hapi, përmes përvojave në media, skenë dhe kontaktit të vazhdueshëm me publikun. Nga modelingu dhe televizioni ai ka arritur të gjejë drejtimin e vet në muzikë, duke e kthyer këtë fushë në qendër të shprehjes së tij. Në krijimtarinë e tij ndërthuren ritmet urbane me ndjeshmërinë që vjen nga përkatësia dhe përvoja personale. Çdo projekt lidhet me një histori, me një kujtim apo me një qëndrim që ai zgjedh ta ndajë me publikun. Në këtë intervistë për albinfo.ch, Argjend Gjigja flet për rrugëtimin e tij, për ndikimet që e kanë formuar dhe për qasjen e tij ndaj muzikës.
albinfo.ch: Rrugëtimi yt artistik ka kaluar nga modelingu dhe televizioni drejt muzikës. Si ka evoluar ky transformim në karrierën tënde?
Argjend Gjigja: Nga pamundësia financiare që të kyçem direkt në muzikë, më duhej të kaloj nëpër shumë etapa për të njohur njerëz apo për të krijuar rrjetëzim nga bota e medias dhe artit që të arrij deri te ëndrra ime më e madhe, muzika.
albinfo.ch: Publiku të njohu edhe përmes bashkëpunimit me këngëtarin e njohur Dino Merlin dhe performancave në skena të mëdha. Sa ndikoi kjo përvojë në formimin tënd artistik?
Argjend Gjigja: Ka ndikuar jashtëzakonisht shumë, m’i ka bërë shumë gjëra më të qarta, por edhe ka rritur oreksin tim për vizione dhe standarde më të larta… që shpesh dinë të jenë edhe demotivuese për një artist të ri dhe të vetëfinancuar, sepse realiteti në muzikën shqipe është ndryshe.
albinfo.ch: Emri yt artistik “Argjend Gjigja” ka një histori shumë personale. Çfarë simbolike mbart ai për ty?
Argjend Gjigja: Argjend është emri im i vërtetë, ndërsa Gjigja është gjithashtu Argjend, por në gjuhën unike të motrës time e cila është e lindur me aftësi të kufizuara. Dua që përmes emrit dhe artit tim të solidarizohem me ta dhe me familjarët e tyre, duke ngritur vetëdijen për çështje që janë në interes të tyre.
albinfo.ch: Muzika jote përshkruhet shpesh si një ndërthurje e stilit urban me emocione ballkanike. Si e ndërton këtë identitet muzikor?
Argjend Gjigja: Ky jam unë! Njeri i asfaltit, por në sensin e emocioneve, ballkanas. Insistues për meloditë dhe instrumentet tona ballkanase.
albinfo.ch: Projekti “Tolerom” të solli për herë të parë në klasifikimin e “The Top List”. Çfarë përfaqëson kjo arritje për ty?
Argjend Gjigja: Sukses! Pas shumë vite tentimesh që puna ime të dëgjohet në popullin tim… ja dola që kënga që flet për tolerancë mes çifteve të jetë në top list dhe si e tillë të përcjellë një mesazh shumë të bukur dhe të nevojshëm.
albinfo.ch: Kënga jote më e re “Rabija” ka tërhequr vëmendje. Si lindi ideja për këtë projekt?
Argjend Gjigja: Lindi nga shprehja “qoftë kujtimi i përjetshëm për të”.
albinfo.ch: Pse zgjodhe titullin “Rabija” dhe çfarë historie apo simbolike fshihet pas tij?
Argjend Gjigja: Rabija është emër arab që do të thotë fillim i pranverës. Në këngën time, Rabija është një grua shqiptare heroinë… Rabija është nëna ime. Ajo nuk arriti ta pret pranverën e radhës, por humbi jetën në krahët e mi në Zvicër në një vizitë familjare te vëllai im në Bernë. Kësisoj, kënga “Rabija” u bë kujtim i përjetshëm për nënën time.
albinfo.ch: Çfarë mesazhi dëshiron të përcjellësh përmes kësaj kënge tek publiku?
Argjend Gjigja: Nga aspekti muzikor dua të reflektoj këngë që dëgjohet dhe shikohet njëkohësisht, e mbi të gjitha të ndjehet, të përjetohet. Mesazhet janë të shumta dhe universale… duke nisur nga përdorimi i emrit të nënës dhe të një gruaje që në vende të ndryshme akoma mbetet tabu, e deri te lidhja fëmijë-prind, që nuk ka nevojë domosdoshmërisht për termat tradicionalë si “nënë” apo “mami”.
albinfo.ch: Duke qenë aktiv edhe në modeling dhe media, si e sheh të ardhmen tënde artistike në vitet që vijnë?
Argjend Gjigja: Do jem gjithmonë atje ku do të ndihem i mirëseardhur dhe i mirëpritur. Gjithçka që do marr përsipër do ta bëj me shumë pasion, profesionalizëm, përkushtim dhe shumë dashuri.
Rrugëtimi i Argjend Gjigjës mbart peshën e përvojës dhe të kohës së kaluar në kërkim të vetes artistike. Tek ai, muzika lidhet ngushtë me jetën, me kujtimet dhe me ndjenjat që nuk shuhen.
Solidarizim përmes artit, me personat me aftësi të kufizuara
“Argjend është emri im i vërtetë, ndërsa Gjigja është gjithashtu Argjend, por në gjuhën unike të motrës time e cila është e lindur me aftësi të kufizuara. Dua që përmes emrit dhe artit tim të solidarizohem me ta dhe me familjarët e tyre, duke ngritur vetëdijen për çështje që janë në interes të tyre”.
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Itali
Lea Ypi promovon në Trieste librat e saj të përkthyer në italisht Interesim i madh i publikut italian në bashkëbisedimin me shkrimtaren dhe filozofen shqiptare... -
Sopranoja Alisa shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të operës në Uzbekistan -
Ambasada e Kosovës në Francë apel mërgatës: Zarfet me vota mos i dërgoni në ambasadë -
Hamburg
Hamburg nën tingujt e “Jehonës së Origjinës” nga Flaka Goranci -
Prishtinë
Elbenita Kajtazi për herë të parë në “Rame Lahaj International Opera Festival”
Jeta në Zvicër
-
Lumi Aare arrin 20 gradë Celsius, rekord që nuk ishte parë që nga viti 1975 Ekspertët e lidhin këtë fenomen me temperaturat e larta të javëve të fundit, të cilat kanë... -
Zvicra përvëlohet nga i nxehti, temperaturat e liqeneve arrijnë nivele rekord -
Kufizimi i popullsisë në 10 milionë: A do të rriteshin pensionet dhe sigurimet shëndetësore në Zvicër? -
Debati për kondicionerët në Zvicër: Nga luks i panevojshëm në domosdoshmëri? -
UBS shkurtoi qindra vende pune në fazën e reduktimit




















