Ekspozita

Artisti Gazmend Freitag ekspozohet nga Galeria “Artinnovation” pranë ART Salzburg

Arti i Gazmend Freitag buron po ashtu edhe nga përvoja e tij si shqiptar kosovar në diasporë gjatë kohës së luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta

Gazmend Freitag është një artist bashkëkohor me origjinë shqiptare, i cili pikturon motive realiste, në piktura me vaj në pëlhurë me ngjyra të gëzuara ose vizaton portrete me laps, shkumës apo tush. Me këto teknika ai përpunon dhe riprodhon kujtimet që ka në vendlindjen e tij, natyrën, njerëzit e saj dhe i ndërlidh këto më jetën e tij të sotshme, përcjell albinfo.ch.

Arti i Gazmend Freitag buron po ashtu edhe nga përvoja e tij si shqiptar kosovar në diasporë gjatë kohës së luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta, ajo, që e detyroi Gazmendin, që në vitin 1990 të largohet nga vendlindja e tij Kosova dhe të marr rrugën e arratisjes, fillimisht për në Gjermani, për të kaluar më vonë për në Austri, ku në vitin 2013 vijoi studimet në drejtimin e artit nudo, kryesuar nga Annelies Oberdanner në Universitetin e Arteve në Linz. Gazmendi përvojën e tij të vuajtjes të një të përndjekuri nga vendlindja e ndanë me shumë refugjatë të sotshmes.

Veprimtaria e Gazmend Freitag përfshinë portrete të personaliteteve të shquar, si të vjetër ashtu edhe të rinj, portrete të personave të dashur, akte nudo, skena të jetës së përditshme në qytetet me të cilët ai është i lidhur shpirtërisht, sikur Prizreni apo Linz-i i Austrisë, ku ai sot jeton dhe vepron.

Artisti pikturon me stilin e klasicizmit bashkëkohor, i cili midis impresionizmit dhe ekspresionizmit krijon një formë të re të realizmit modern, kështu që Gazmend Freitag sot mund të definohet si një artist nga të mëdhenjtë të artit ndërkombëtar bashkëkohor. Freitag njeh mirë sekretet figurative dhe i shfrytezon këto për të krijuar vepra fascinuese. Ai paraqet bukur emocionet që i merr nga rrethi i tij dhe i përhap ato në dimenzione elegante, përderisa kompozicionet e tij rrezatojnë romantikë, idilizëm natyre dhe hare të jetës. Në shumë vepra të Gazmendit shprehen momente jashtëzakonisht të bukura dhe shumëthënëse, siç është vepra “Kur të pashë për herë të parë!”, vaj në pëlhurë/kanavacë, 120 x 120cm, e cila aktualisht ekspozohet në ART Salzburg të Austrisë.

Veprën e Gazmend Freitag mund të shihni dhe admironi në ART Salzburg në mbrëmjen e hapjes së ekspozitës:

Të enjten, më 18.10.2018 në orën 18:30

Të premten, 19. tetor 2018, prej orës 09:00 deri në orën 18:00

Të shtunën, 20. tetor 2018, prej orës 09:00 deri në orën 18:00

Të dielën, 21. tetor 2018, prej orës 09:00 deri në orën 17:00

Në: Messezentrum Salzburg, Am Messezentrum 1, A-5020 Salzburg

Stand C06/07 Galerie Artinnovation

Vepra e Gazmend Freitag prezantuar në ART Salzburg:

Takimi i parë, shikimi i parë… kush nuk e ka përjetuar këtë moment, në të cilin gjithçka duket e mundur dhe bota është e mrekullueshme? Në pikturën e tij, vaj në pëlhurë/kanavacë artisti Gazmend Freitag kap magjinë dhe shpresën e një takimi të tillë. E gjelbra dhe e kuqja shndritëse shprehin ndjenjën e një gjallërie shumë të afër. Portreti i gruas së re, i mbushur me dritë është fokusi dhe duket sikur shkëlqen nga brenda, admiruar, me dashuri nga artisti, i cili edhe vetën vendos në pikturë duke shprehur ndjenjat e tij.