CH-Ballkani

Avokatët e diasporës, të gatshëm për t’i ndihmuar Kosovës

Avokatë shqiptarë nga Zvicra, Anglia, Suedia dhe shtete të tjera po qëndrojnë në Kosovë në një konferencë dyditore. Ata japin mesazhe për heqjen e barrierave në drejtësi dhe shprehin gatishmëri për të dhënë kontributin e tyre në Kosovë

Një citat të ish-sekretares së Shtetit amerikan, Madeline Olbright, e ka treguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë, tek ka folur para avokatëve kosovarë dhe atyre të diasporës në konferencën “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Juristëve të Diasporës”, që ka filluar sot në Prishtinë.

Olbright e kishte pyetur z. Tony Blair nëse kishte mundësi që NATO të intervenonte në Kosovë, kurse këtij të fundit këshilltarët juridikë i kishin thënë se një gjë e tillë nuk ishte e mundur.

“Atëherë, ndërroi juristët”, citon Kuçi ish-sekretaren Olbright.

Por, ministri kosovar i Drejtësisë, duke folur para avokatëve nga diaspora që po qëndrojnë në Prishtinë në konferencën dyditore ka thënë se në Kosovë nuk duhet ndërruar juristët, por duhet shtuar ata, duke iu dhënë mundësi edhe avokatëve nga diaspora për të kontribuar në Kosovë.

Ai ka thënë se me këtë rritet konkurrenca, që ndikon në forcimin e sistemit juridik të vendit.

“Më lejoni t’ju them, ju avokatë të nderuar që vini nga diaspora, se janë disa fusha që mund t’i bëni me kujdes. E para, të sillni në Kosovë traditën e vendeve ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Në veçanti, ta sillni në Kosovë frymën e plotë të Konventës Evropiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi.

Kosova dhe Perëndimi, me barriera teknike në fushën e drejtësisë

  • Jeton Kryeziu, avokat në Lozanë

Ai ka thënë se avokatët që kanë ardhur nga diaspora vijnë nga vende ku mendimi juridik duhet të jetë i ballafaqueshëm.

Ndërkohë, ekskluzivisht për Albinfo.ch avokati Jeton Kryeziu që jeton në Lozanë të Zvicrës ka thënë se kanë barriera të natyrave kryesisht teknike, te bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Por, ai ka thënë se kanë bashkëpunim shumë të mirë me kolegët avokatë dhe juristë nga Kosova.

Ka dallime, sipas tij, në sistemin e avokatisë në Kosovë dhe Zvicër.

“Ne qëllim të parë e kemi interesin e klientit”, ka thënë Kryeziu, që me prejardhje është nga Pagarusha e Suharekës.

Ai ka thënë se mundësitë e bashkëpunimit i sheh në dy aspekte kryesore.

“Aspekti i parë është politik. Për shembull, ka shumë çështje, si dhënia e një vendimi në Zvicër që njihet në gjithë Evropën dhe ai nuk njihet në Kosovë, pasi shteti nuk është pjesë e disa konventave ndërkombëtare. Duhet të bëhet më shumë politikisht që Kosova të jetë pjesë e këtyre konventave”, ka thënë Kryeziu. Ai është shprehur se shumicën e klientëve i ka nga Kosova.

“Shpesh nevojiten dokumente nga Kosova dhe çdoherë duhet bërë shumë hapa për të ardhur deri tek ato dokumente”, ka thënë avokati Kryeziu, njëherësh kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër.

Ai është shprehur se duhet krijuar një sistem, ku mund të lidhet bashkëpunim që këto dokumente do të mund të siguroheshin shumë më lehtë.

“Pengesa nuk mund të them që ka. Por, shpesh me institucione ka ndodhur që nuk i kemi marrë jo vetëm dokumentet e nevojshme, por as përgjigjet prej institucioneve”, ka thënë avokati shqiptar në Zvicër.

Ky sipas tij, është një problem. Ndërkohë, duke folur për tarifën prej 5000 eurove për licencim të një avokati në Kosovë, Kyreziu ka thënë se kjo është në kundërshtim me mundësitë që i kërkon shteti i Kosovës.

“Austriakët vijnë dhe punojnë në Zvicër. Ajo tarifë është në kundërshtim me parimin e konkurrencës”, ka thënë Kryeziu, duke treguar se kjo parapagesë është e paarsyeshme dhe nuk tërheq avokatët nga diaspora të vijnë në Kosovë.

Ai ka thënë se do të ishte normale dhënia e një provimi për legjislacionin kosovar, pasi secili shtet ka karakteristikat e tij, por jo edhe të bëhen barriera materiale.

Drejtësia duhet të fitohet, jo të blihet

  • Rudina Jasini

Është edhe avokatja tjetër shqiptare në Londër, Rudina Jasini, e cila aktualisht punon edhe në Universitetin e Oxfordit si dhe ka punuar në Tribunalin për krime lufte në Hagë.

Ajo flet për mendimin ndryshe në qasje nga drejtësia e Kosovës dhe Shqipërisë si dhe ajo ndërkombëtare. “Kam pasur privilegjin të punoj me avokatë të kalibrit shumë të lartë në Gjykatën për Krime Lufte në ish- Jugosllavi. Dhe unë them se dallimi kryesor që unë vërej në mënyrën e të menduarit është aftësia për t’u ballafaquar me palën tjetër në sallën e gjykimit. Është një mënyrë ndryshe e të menduarit me avokatët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë Jasini.

Ajo ka thënë se të kualifikohesh si avokat në një vend është vlerësim dhe e arritur e madhe. “Është një përgjegjësi e madhe që të përfaqësosh një individ në çështje që garantojnë lirinë e individit, por edhe në çështje civile”, ka thënë ajo.

Jasini ka folur edhe për rezervat e saja në raport me sektorin e drejtësisë në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Për sa kohë ke një sektor gjyqësor të korruptuar, asnjë sektor i shoqërisë nuk mund të përparojë. Nëse ti nuk e kërkon, por e blen të drejtën, nëse avokati bën rolin e ndërmjetësit mes prokurorit e gjyqtarit dhe nuk e fiton çështjen me aftësinë dhe argumentet e tij, nuk mund të mendojmë se drejtësia është aplikuar ashtu siç duhet”, ka thënë Jasini. Ajo ka thënë se e ndjen si obligim moral për të dhënë kontribut në mënyrë sa më të dobishme për Kosovën.

“Kjo konferencë është hap i rëndësishëm për të thyer barrierat”, ka thënë ajo.

Artan Llabjani është një avokat tjetër me prejardhje nga Kosova, e që punon dhe jeton në Londër.

Ai ka thënë se duhet të krijohen kanale më të avancuara për bashkëpunim. “Bukuria e profesionit në Perëndim është se avokatët janë të profilizuar”, ka thënë Llabjani. Sipas tij, nuk mund të jetë 100 për qind një avokat komplet nëse merret me të gjithë lëmenjtë. Andaj, ai ka thënë se duhet filluar një iniciativë nga Oda e Avokatëve të Kosovës në lidhje me profilizimin e avokatëve të Kosovës.

Ndryshe, konferenca “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Juristëve të Diasporës”, që ka mbledhur avokatë nga Kosova si dhe disa avokatë shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të Evropës, do të vazhdojë punimet edhe të shtunën.