Shqipëria

Basha: Largimi i Ramës, i panegociueshëm

Një ditë pas protestës së 8-të opozitare në Shqipëri, krydemokrati Lulzim Basha thotë se largimi i kryeministrit Edi Rama është i panegociueshëm.

Në një postim në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike shkruan se “zgjedhjet farsë të 30 qershorit u anuluan”. Sipas Bashës, opozita do të vazhdojë betejën për të vendosur standardet europiane.

“Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha të luftojmë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve! Ora e Shqipërisë, si e gjithë Europa, po troket dhe nuk ka forcë ta ndalë! Falë vendosmërisë tuaj të pathyeshme, falë bashkimit të zemrave dhe mendjeve të shqiptarëve të lirë, zgjedhjet farsë të 30 qershorit u anuluan!

Beteja jonë do të vazhdojë deri në triumfin e standarteve dhe vlerave europiane. Pengesa e vetme për në Europë është sundimi i shtetit të bërë njësh me krimin, është qeveria e ardhur me votën e krimit, është kryeministri i Avdylajve. Largimi i Ramës është i panegociueshëm”, shkruan Lulzim Basha.

Të shtunën, presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit për shkak të krizës politike., shkruan TvKlan, përcjell Albinfo.ch.