Lajme

Bashkimi i tregut të punës Kosovë-Shqipëri, lehtësim procedurash

Punëkërkuesit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë mund të punojnë apo të marrin shërbime në agjencitë përkatëse për punësim në të dy dyja shtetet, pa pasur nevojë për leje pune apo procedura të tjera ligjore, thotë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Skender Reçica.

Bashkimi i tregut të punës do të realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit për mobilitet për punë, që është nënshkruar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që u mbajt më 2 tetor në Tiranë, shkruan insajderi, përcjell Albinfo.ch.

Nëse një qytetar nga Shqipëria, si çdo qytetar tjetër që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, shpreh interesim të punojë në Kosovë, sipas Ligjit për të huajt, duhet të pajiset me leje qëndrimi dhe leje të punës.

Eliminimi i këtyre procedurave do të ndihmojë në përzgjedhjen e punëtorëve të kualifikuar për sektorë të ndryshëm në Kosovë, sidomos në rajonin e Prizrenit, për shkak të afërsisë gjeografike me qytetin e Kukësit të Republikës së Shqipërisë, thotë Arbër Kuçi, menaxher në restorantin “Trazit Zone” në Prizren.

Ai tregon se vazhdimisht ka shtetas të Republikës së Shqipërisë të interesuar për të punuar në lokalin e tij, por Kuçi tregon se ata heqin dorë për shkak të dokumenteve që u kërkohen për punë.

“Sidomos, qytetarët e rajonit të Kukësit kanë përvojë në gastronomi, pasi kanë qenë emigrantë në Itali dhe kuzhinën italiane e kanë specialitet”, tha Kuçi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Skender Reçica, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se me këtë marrëveshje po përmbushet nevoja e qytetarëve për lëvizje të lirë të punëtorëve dhe nuk do ketë nevojë për procedurat e deritashme.

“Do të thotë, një korçar dhe shkodran mund të marrë shërbime në Prishtinë e Prizren, një gjilanas në Vlorë apo në Elbasan, sikurse edhe të punësohen, pa barriera burokratike dhe pa pengesa ligjore”, tha Reçica.

“Nevoja për fuqi kualifikuese, e domosdoshme”

Shpetim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Masave Aktive të Tregut të Punës dhe Analiza, në Agjencinë e Punësimit, thotë se jetësimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për mobilitet në punë, do lehtësojë procedurat e punësimit për shtetasit e Shqipërisë.

“Nevoja e të dy tregjeve për fuqi kualifikuese është e domosdoshme. Fakti se shumë qytetarë nga Kosova shkojnë të punojnë në Shqipëri dhe anasjelltas, është evidente. Dhe kjo marrëveshje në një formë do lehtësojë procedurat e qasjes së tregut të punës në të dyja shtetet”, thotë Kalludra.

Ndryshe, në Agjencinë e Punësimit në Kosovë janë të regjistruar rreth 200 mijë punëkërkues. Mbi 120 mijë janë regjistruar vetëm gjatë këtij viti, konkretisht në muajt mars, prill dhe maj, në kohën kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus.

A i rrezikon marrëveshja punëkërkuesit kosovarë?

Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë, Behxhet Gaxhiqi, profesor i Shkencave Sociale në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se marrëveshja nuk rrezikon punëkërkuesit në Kosovë. Madje, kjo marrëveshje, sipas tij, do mundësojë punësim më të lehtë të punëkërkuesve nga Kosova që gjatë sezonit të verës punojnë në Shqipëri.

“Mendoj se kjo nuk mund të sjellë indikatorë negativë, në kuptimin e saj që të shfaqë ndonjë rrezikshmëri, për arsye se kjo i hap më shumë rrugë procesit të shqiptarëve të Kosovës për të punuar në Shqipëri sesa anasjelltas. Në parametrat e parë mund të shihet si pengesë, por në asnjë formë dhe asnjë mënyrë kjo nuk paraqitet pengesë për punëkërkuesit vendorë”, tha Gaxhiqi.

Në anën tjetër, çdo qytetar i Kosovës, mund të punojë në Shqipëri me dokumentacion të thjeshtuar, pa pasur nevojë për leje pune, ka thënë ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Republikën e Shqipërisë, Anila Denaj, në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit.

Edhe bizneset, përfitues të kësaj marrëveshjeje

Përveç punëkërkueseve që janë të regjistruar në agjencitë e punësimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe punëdhënësit, thotë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Se bizneset në Kosovë janë përballur me mungesë të punëtorëve të kualifikuar në fusha të ndryshme dhe kanë pasur probleme ne punësimin e punëkërkueseve nga Shqipëria, e thotë edhe Skender Krasniqi, udhëheqës i Odës së Afarizmit të Kosovës.

“Kjo marrëveshje do ndihmojë shumë bizneset sepse do arrijnë të punësojnë punëtorë të kualifikuar, të cilët i mungojnë tregut të Kosovës, sepse problemet e deritashme apo futja në punë e një qytetari nga Shqipëria janë aq të mëdha, e në raste të caktuara të parealizuara”, tha Krasniqi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Reçica, ka premtuar se shumë shpejt kjo marrëveshje do fillojë të zbatohet në praktikë.

Në Shqipëri shkalla e përgjithshme e papunësisë në vitin 2019, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, INSTAT ishte 11.9 për qind.

Kurse në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind.