Kosova

BE-ja i kërkon Serbisë t’i trajtojë sportistët e Kosovës njësoj si ata të vendeve të tjera

Bashkimi Evropian e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano i bëri komentet për Radion Evropa e Lirë, pas vendimit të autoriteteve të Serbisë për t’iu ndaluar hyrjen në Serbi boksierëve nga Kosova.

BE mbështet plotësisht Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit në pritjet që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet njësoj sikur delegacionet e secilit anëtar tjetër, tha Stano.

“Siç e kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin. Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet t’i kursejnë përpjekjet për të siguruar që shkëmbimi i tillë bëhet rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim”, shtoi Stano.