Lajme

Belgjikë: Përkeqësim i gjendjes financiare të qytetarëve

Instituti belg i statistikave Statbel ka publikuar sot rezultatet që regjistrojnë përkeqësimin e gjendjes financiare të qytetarëve, të cilët njëkohësisht i japin shtetit vlerësime më të ulëta, përcjell albinfo.ch.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur qytetarët e vlerësonin vendin shtatë nga dhjetë të mundshme, tani i japin notën 6.6, tregojnë rezultatet.

Sipas Statbel, çdo i pesti i anketuar (20.9 për qind) i ka dhënë gjendjes së tyre financiare një vlerë të ulët, midis 0 dhe 5. Në tremujorin e tretë të 2021, vetëm 14.7 për qind e të anketuarve dhanë një vlerësim nën ose të barabartë me mesataren.

Në tremujorin e tretë të vitit 2022, 33.8 për qind e belgëve i dhanë një vlerësim të lartë situatës së tyre financiare (midis 8 dhe 10), ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 39.4 për qind e belgëve e bënë këtë.

Popullsia më e cenueshme është ajo që pakënaqësia financiare është më e fortë dhe përkeqësim i dukshëm vërehet edhe te të rinjtë, përfituesit e pagesës së papunësisë, personat me paaftësi afatgjatë për punë, familjet me të paktën katër anëtarë dhe familjet me fëmijë.

Anketa tremujore e Statbel ka pyetur qytetarët edhe për kënaqësinë në marrëdhëniet personale dhe jetën në përgjithësi.

Mesatarisht, rezultati është 7.7 nga 10 për marrëdhëniet personale dhe 7.3 për kënaqësinë e përgjithshme të jetës. Këto rezultate janë të ngjashme me ato të tremujorit të tretë të 2021-ës.

Megjithatë, njerëzit më të varfër janë dukshëm më pak të kënaqur me jetën, duke dhënë një vlerësim mesatar prej 6.9, krahasuar me 7.2 dhe 7.4 vitin e kaluar.

Sondazhi u krye në një kampion prej 5000 personash të moshës 16 deri në 74-vjeç.