Muzikë

Besa Kokëdhima përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision 2024’

Mbrëmë ka përfunduar edicioni i 62-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përcjell albinfo.ch.

Në garë 22 finalistë u ngjitën në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve, për të interpretuar live këngët e tyre konkurruese, shoqëruar nga orkestra simfonike e RTSh-së.

Fitues i këtij edicioni u shpall këngëtari i ri, Mal Retkoceri, me këngën “Çmendur”.

Ndërsa, më e votuara nga publiku, e cila rezultoi edhe me biletën e përfaqësimit në Eurovision 2024, u shpall këngëtarja Besa Kokëdhima me këngën “Zemrën n’dorë”.

Vlen të theksohet se kënga me titull “Zemrën n’dorë” është një kompozim i vetë Besa Kokëdhimës, me producentin Kledi Bahiti, gjersa vargjet e tekstit janë shkruar nga Rozana Radi dhe Perrit Sefaj (Sparrow).

Orkestrimi i këngës i është besuar producentit të talentuar maqedonas, Darko Dimitrov.

Këngëtarja me origjinë nga Qeparoi do të përfaqësojë shtetin shqiptar në ‘Eurovision 2024’ gjatë muajit maj, në Malmo të Suedisë.