Kosova

BQK do të marrë masa edhe ndaj dy bankave në Kosovë

Transferimet e parave, dhe shërbimet e ngjashme janë ngritur si shqetësim vazhdimisht nga qytetarët

Pas tërheqjes së licencave të dy institucioneve financiare që lëshonin kredi me norma astronomike të interesit, Banka Qendrore e Kosovës pritet të marrë masa edhe ndaj dy bankave komerciale që operojnë në Kosovë.

Gazeta inFokus ka mësuar se “Raiffeisen Bank” dhe “ProCredit bank” do të jenë nën llupën e BQK-së për tarifat e larta të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Shumë shpejt pritet të merren masa për ndryshimin e tarifave të shërbimeve të bankave. Qytetarët po dëmtohen me tarifat bllok të vendosura nga Raiffeisen Bank dhe ProCredit”, i ka thënë gazetës inFokus një zyrtarë i lartë i BQK-së.

Shërbimet e shtrenjta të bankave për hapje të llogarisë bankare, transferimet e parave dhe shërbimet e ngjashme janë ngritur si shqetësim vazhdimisht nga qytetarët.

Vetëm hapja e një llogari bankare që shumë banka e ofrojnë pa pagesë, në ProCredit kushton jo më pak së 5 euro.

Ndërsa në bankën tjetër, në “Raiffeisen Bank”, transferi i parave nga një llogari në tjetrën brenda kësaj banke kushton 1 euro.

Në çmimoren për shërbimet që ofron kjo bankë të hyrë në fuqi nga 23 tetori i këtij viti shihet se 5 euro i kushton klientëve edhe çdo tërheqje dhe deponim në bankomate të ProCredit Bank Kosovë me kartelë debiti.

Në ProCredit Bank 5 euro i kushton çdo kosovari edhe mbyllja e llogarisë rrjedhëse.

Edhe për shërbime e tjera bankare qytetarëve u ndalen shuma të konsiderueshme nga mjetet e tyre nëse transferojnë, paguajnë apo kryejnë ndonjë shërbim tjetër bankar.

Viteve të fundit ato janë shtrenjtuar me arsyetimin e udhëheqësve të institucioneve financiare se dëshirojnë t’i motivojnë qytetarë dhe bizneset të përdorin teknologjitë online për këto shërbime.