CH-Ballkani

Bunjaku i bindur për “coverin” e Eminemit

“...gjithë thonë se e kam pritur fitoren, por mund të them me siguri të plotë se unë kam qenë i bindur se do të fitoj”, ka thënë Granit Bunjaku, pasi fitoi “coverin”e Eminem

Një mikrofon i mbushur me plumba, i dizajnuar nga një kosovar, ka mahnitur jurinë dhe vetë reperit më me nam në skenën botërore, Eminem. Dizajni i kosovarit, Granit Bunjaku, absolventi i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, është shpallur fitues i çmimit për coverin e albumit të ri të Eminem.

Vetë Bunjaku, thotë të mos ketë dyshuar aspak se do të jetë ai fitues i këtij çmimi. Ai thotë se për një kohë ka përcjellë se çfarë po punojnë konkurrentët e tij, dhe se ka qenë i bindur se punimi i tij do të jetë më i miri.

“Në fakt, të gjithë thonë se e kam pritur fitoren, por mund të them me siguri të plotë se unë kam qenë i bindur se do të fitoj”, ka thënë ai, në një intervistë të shkurtër për portalin Koha.net. Megjithatë, marrja e lajmit se punimi i tij do të jetë në ballinën e albumit të rep këngëtarit amerikan ka qenë i hatashëm.

“Megjithatë, mund të them se mbrëmë kam qenë paksa i shokuar me marrjen e lajmit”, ka thënë ai.

Bunjaku, në punimin e tij e ka mbushur mikrofonin me plumba, e aty shihen edhe duart e Eminemit. Në pamje të parë duket e thjeshtë, por kjo mbase u ka lënë përshtypje jurisë së garës “Creative Allies”. Për Koha.net ka treguar se si i ka ardhur kjo ide.

“Frymëzimi më ka ardhur prej teksteve të Eminemit, prej fjalëve që ai i përmend në këngët e tij dhe që ia drejton masës”, ka thënë Bunjaku, i cili pranon se nuk është “adhurues të Eminemit”.

“E dëgjoj Eminemin dhe më pëlqen, por nuk mund të them se jam një fans i flaktë i tij. E dëgjoj atë sikurse se i dëgjoj edhe plot artistë të tjerë”, ka thënë Bunjaku.

Ndërkohë, vet Eminem ka përgëzuar Granit Bunjakun për punën e tij. Përmes profileve të tij zyrtare në Facebook e Twitter, Eminem ka shkruar: “Faleminderit të gjithëve që dërguat dizajnet për konkursin tonë. Ju votuat Granitin dhe ai doli në krye. Urime shok”.

Bunjaku aktualisht po e shijon suksesin me coverin e albumit për Eminem, ndërsa ka thënë se pret mundësi të reja si kjo.