Integrimi

Christophe Darbelley: CVP/PDC ka 14 shqiptarozviceranë në listën e saj zgjedhore

PDC/CVP ka ngjallur debat në mediet zvicerane duke futur në listat e veta për zgjedhjet nacionale 14 kandidatë kryesisht të rinj me prejardhje shqiptare. Këtë hap ajo e ka ndërmarrë në bashkëpunim me degët e partive kosovare në Zvicër: LDK dhe PSHDK. Kryetari i CVP/PDC, politikani i njohur zviceran Christoph Darbelley, në intervistën dhënë albinfo.ch flet për këtë risi që ka sjellë partia e tij në skenën politike të Zvicrës dhe për çështje tjera që lidhen me të huajt, integrimin dhe me krizën aktuale me refugjatët.

albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për krizën aktuale me refugjatët/emigrantët që po mësyjnë drejt Evropës. Sipas jush, cilat janë zgjidhjet më të përshtatshme të kësaj situate ?

Christophe Darbelley: Asnjëherë kaq shumë qenie njerëzore nuk janë larguar nga shtëpitë e tyre njëkohësisht. Ky është një problem global që Zvicra nuk mund ta zgjidhë e vetme. Ajo duhet të bashkëpunojë me partnerë të tjerë, sidomos me BE-në, dhe të gjejë një zgjidhje sa më shpejt. Ndihma në vend është më efektive. Zvicra duhet të ndihmojë në veçanti vendet fqinje të atyre që ndodhen në situatë lufte. Sepse zakonisht ata presin më shumë refugjatë. Ne gjithashtu kërkojmë që lufta kundër kontrabandistëve të forcohet, të bëhet më e efektshme, dhe të jetë e koordinuar në nivel evropian.

Albinfo.ch: Cili është opinioni i partisë tuaj në lidhje me integrimin e të huajve në Zvicër? Si e shihni evolucionin e mëtejshëm të popullsisë me origjine shqiptare?

C. Darbelley: Për PDC/CVP-në është thelbësore që të gjithë emigrantët të integrohen në vendin tonë. Duhet që integrimi edhe të pretendohet por edhe të promovohet nëpërmjet masave të synuara. Për sa i përket integrimit ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë përgjegjësisë individuale. Çdokush që kërkon të punojë dhe të vendoset në Zvicër, duhet të integrohet, të njohë mirë gjuhën, marrëveshjet e integrimit dhe të respektojë institucionet. Këto elemente janë thelbësore për një integrim të suksesshëm. Komuniteti shqiptar është integruar në një masë të madhe në Zvicër, siç tregohet edhe nga interesi i tij për politikën zvicerane, dhe sidomos nga ai për PDC/CVP-në.

albinfo.ch: Çfarë pozicioni mban partia juaj lidhur me temën e rishikimit të ligjit për natyralizimin?

C. Darbelley: PDC/CVP-ja është e angazhuar në mënyrë aktive në favor të rishikimit të ligjit për natyralizimin, dhe ka marrë pjesë në përmirësimin e tij. Ai siguron se vetëm individët e integruar mund të natyralizohen. Sepse natyralizimi duhet të jetë kulmi i një integrimi të suksesshëm dhe jo një hap gjatë integrimit. Ne e mbështesim natyralizimin e lehtësuar të të huajve në moshë të re të cilët kanë studiuar në shkollat tona dhe flasin gjuhën tonë. Fëmijët e lindur në Zvicër duhet të munden të natyralizohen.

Albinfo.ch: A duhet, sipas jush, të përforcohet statusi i personave me origjinë të huaj që kanë imigruar në Zvicër, në veçanti për sa i përket pjesëmarrjes në jetën politike dhe sociale të vendit ?

C. Darbelley: Ne e mirëpresim dhe e mbështesim pjesëmarrjen e personave me origjinë të huaj në jetën politike dhe shoqërore në Zvicër. Dëshmi për këtë janë kandidatët e origjinave të ndryshme për zgjedhjet federale që numëron partia jonë. Ky angazhim ndikon gjithashtu në integrimin e këtyre personave.

Albinfo.ch: Në gjirin e partisë tuaj a ekzistojnë kandidatë për zgjedhjet federale me origjine ballkanike, edhe në veçanti nga Kosova ?

C. Darbelley: PDC/CVP-ja ka 13 kandidatë me origjinë kosovare në listat e saj dhe një kandidat nga Maqedonia, por me origjinë shqiptare.

Albinfo.ch: Për mendimin tuaj, çfarë vendi zë rajoni i Ballkanit, në aspektin e politikës së jashtme të Zvicrës?

C. Darbelley: Rajoni i Ballkanit si pjesë e kontinentit evropian është natyrisht i rëndësishëm për Zvicrën, por edhe për shkak të diasporës së madhe të pranishme në Zvicër. Vendi ynë ka marrëdhënie  të ngushta me shumicën e vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën, në fusha të tilla si bashkëpunimi për zhvillimin, arsimin apo emigracionin.

Albinfo.ch: Partia juaj ka ndërmarrë një fushatë të përfshirjes së kandidatëve me origjinë shqiptare për zgjedhjet federale. PDC/CVP-ja ka realizuar një partneritet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Cilat janë përfitimet që ju prisni ?

C. Darbelley: Ne nuk kemi një “partneritet ” me LDK-në dhe PDSHK-në, por një bashkëpunim, që ekziston prej një periudhe të gjatë. Është një bashkëpunim që bëhet në nivel evropian, por edhe në grupin parlamentar të Këshillit të Evropës. Ne i përkasim të njëjtës familje politike edhe nuk kemi pritshmëri të veçanta nga kandidatët tanë me origjinë shqiptare – këto janë të njëjta për të 450 kandidatët tanë. Ata janë simboli i një hapjeje ndaj politikës. Ata i japin një fytyrë PDC/CVP-së dhe mbi të gjitha kontribuojnë për të motivuar shumë njerëz që të shkojnë të votojnë. Dhe gjithashtu njerëz që përndryshe nuk do të votonin.

Albinfo.ch: Ka pasur edhe kritika se rekrutimi i kandidatëve zvicerano-shqiptare ka për qëllim t’ju sjellë votat e komunitetit shqiptar, pa e vrarë mendjen për shanset reale që kanë këta kandidatë për t’u zgjedhur. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

C. Darbelley: Angazhimi politik kërkon durim dhe këmbëngulje. Të zgjedhurit tanë aktual në Këshillin Kombëtar dhe Këshillin e shteteve, (dhoma e lartë e Kuvendit Federal Zviceran), më përpara kanë qene të pozicionuar në fund të listës së kandidatëve dhe u është dashur të bëjnë “edukimin politik” duke mos mundur të zgjidheshin disa herë. E njëjta kritikë mund të bëhej edhe ndaj 170 kandidatëve të rinj, sa ne numërojmë. Origjina nuk është e rëndësishme në lidhje me zgjedhjen e kandidatëve. Nëpërmjet një kandidature, mund të depërtojmë në politikë dhe të jetojmë një përvojë të shkëlqyer. Ne jemi krenarë për të gjithë kandidatët tanë. Secili kandidat ka një shans për të rritur popullaritetin e tij, gjë që mund të jetë një avantazh i madh për zgjedhjet e ardhshme në nivel komunal dhe kantonal. Politika është një angazhim afat gjatë.

Capture d’écran 2015-09-19 à 10.29.48
Nuk ka “partneritet” me LDK-në dhe PSHDK-në, ka vetëm motivim për të votuar

Ne nuk kemi një “partneritet ” me LDK-në dhe PDSHK-në, por një bashkëpunim, që ekziston prej një periudhe të gjatë. Është një bashkëpunim që bëhet në nivel evropian, por edhe në grupin parlamentar të Këshillit të Evropës. Ne i përkasim të njëjtës familje politike edhe nuk kemi pritshmëri të veçanta nga kandidatët tanë me origjinë shqiptare – këto janë të njëjta për të 450 kandidatët tanë. Ata janë simboli i një hapjeje ndaj politikës. Ata i japin një fytyrë PDC/CVP-së dhe mbi të gjitha kontribuojnë për të motivuar shumë njerëz që të shkojnë të votojnë. Dhe gjithashtu njerëz që përndryshe nuk do të votonin.

Politika është një angazhim afatgjatë

Origjina nuk është e rëndësishme në lidhje me zgjedhjen e kandidatëve. Nëpërmjet një kandidature, mund të depërtojmë në politikë dhe të jetojmë një përvojë të shkëlqyer. Ne jemi krenarë për të gjithë kandidatët tanë. Secili kandidat ka një shans për të rritur popullaritetin e tij, gjë që mund të jetë një avantazh i madh për zgjedhjet e ardhshme në nivel komunal dhe kantonal. Politika është një angazhim afat gjatë.