Xherdan Shaqiri vazhdon të shkëlqejë në futbollin zviceran.
Ai ishte futbollisti më i mirë i ndeshjes në fitoren ndaj Bielit në Kupën e Zvicrës, shkruan albinfo.ch.
” Nuk ishte performanca jonë më e mirë sot. Por në fund të ditës, ne morëm trofeun dhe e kurorëzuam vitin me dy trofe. Jam shumë krenar për gjithçka që kemi arritur këtë sezon ”, ka thënë ai për SRF Sport.
Baseli kishte fituar edhe titullin, disa javë më parë, që i mungonte nga viti 2017.
FC Basel është fitues i Kupës së Zvicrës në vitin 2025. Skuadra e Baselit kishte fituar më parë titullin kampion. Një festë në Barfi ishte menduar të pasonte të dielën në mbrëmje.
Por rreth orës 19:00, FC Basel njoftoi: “Ka ndodhur një aksident në stacionin Ëankdorf, ku një tifoz i FCB u plagos rëndë. Në momente të tilla, shëndeti merr përparësi, prandaj klubi ka vendosur të anulojë festën në ballkonin e Barfit. Lufto fort, i dashur tifoz!”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.
FC Basel vazhdon t’u bëjë thirrje tifozëve që kanë qenë dëshmitarë të aksidentit që të kontaktojnë policinë e Bernës.
Pak para orës 8 të mëngjesit, sipas “Blick”, drejtori i mediave të FCB, Remo Meister, u shpjegoi tifozëve në Barfüsserplatz arsyet e anulimit të festës së Kupës. Më pas foli edhe Drejtori i FCB, David Degen: “Sigurisht, anulimi dhemb. Por ne të gjithë i urojmë forcë tifozëve të dëmtuar nga zemra!”.
Tifozët e FC Basel e kuptojnë anulimin. Ata i uruan tifozit vetëm “më të mirat” dhe një “shërim të shpejtë” për reporterin e 20-Minuten.
Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë demografike të thellë, për të cilën ekspertët po japin alarmin.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, tregojnë se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, në vend kanë lindur 3.526 foshnje, ndërsa kanë vdekur 5.398 persona.
Kjo do të thotë se numri i lindjeve po bie, ndërsa ai i vdekjeve po rritet, duke krijuar një rënie natyrore prej 1.872 banorësh, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.
Por më koplekse bëhet situata duke analizuar të dhënat për martesat, ku numri ka rënë për 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të 2024-ës.
Sipas projeksioneve të Entit të Statistikave, nëse ky trend vazhdon, deri në vitin 2070 popullsia mund të zbresë në vetëm 500.000 banorë.
Kjo shifër sipas ekspertëve, kërcënon tërësisht të ardhmen e vendit dhe për këtë sipas tyre duhen marrë urgjentisht masa, pasi Maqedonia e Veriut po boshatiset.
Realizimi i hipotezave të miratuara mbi fertilitetin, mortalitetin dhe migrimet, por edhe e ashtuquajtura inercioni demografik që kushtëzohet nga strukturat e moshës së trashëgueshme, do të përcaktonte gjithashtu trendet e ardhshme të komponentëve të lëvizjes së popullsisë, respektivisht dinamikën e numrit të lindjeve të gjalla, numrin e vdekjeve dhe vëllimin e bilancit të migracionit në dekadat e ardhshme.
Rikthimi i Xherdan Shaqirit në Basel ishte magjik. Xherdani ndihmoi skuadrën të fitojë titullin, për herë të parë pas vitit 2017.
Po ashtu Baseli, të dielën fitoi Kupën e Zvicrës, duke mundur Biel në finale 1:4.
Shaqiri shënoi nga penalltia për 1:2 dhe u zgjodh futbollisti më i mirë i finales.
Xherdani në Superligën zvicerane kishte 18 gola e 21 asistime. Shifrat të jashtëzakonshme për yllin shqiptar, duke përfunduar kampionatin si shënuesi dhe asistuesi më i mirë.
Së fundi u shpall edhe futbollisti më i mirë i muajit maj. Xherdani mbylli edicionin me dy trofe të futbollit zviceran, duke konfirmuar shkëlqimin që ka pasur në këtë edicion.
Rikthimi i tij ishte i mahnitshëm, derisa Baseli në sezonin e ri do të rikthehet në Ligën e Kampionëve, ku po ashtu synon suksese.
Këto janë imazhet që do të hyjnë në historinë zvicerane: miliona tonë mbeturina dhe akull hyjnë në Luginën Lötschental në Valais. Një ngjarje e shekullit, madje disa e quajnë ngjarje të mijëvjeçarit. Lajmi bëri xhiron e botës – por vetëm tani shtrirja e katastrofës duket se po bëhet e dukshme ndërkombëtarisht, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Për shembull, BBC botoi një artikull bindës me titull “Fshati zviceran i fshirë nga harta nga një akullnajë”. Pamjet e mbeturinave janë sjellë në vëmendjen e lexuesve britanikë dhe ndërkombëtarë në një mënyrë të fuqishme – shumë afër.
Por artikulli online i BBC-së më pas vazhdon të trajtojë problemin e ngrohjes globale dhe ndikimin e saj në jetën në male. Tërheqja dramatike e akullnajave dhe pasojat e saj për jetën alpine, nuk është asgjë e re. Megjithatë, rasti Blatten ngre “kambanë të reja alarmi”. Glaciologu zviceran Matthias Huss citohet të ketë thënë se nuk mund të përjashtohet që fshatrat e tjerë në Alpe të mund të shkatërrohen në mënyrë të ngjashme në të ardhmen.
Gazeta gjermane “Spiegel” gjithashtu raportoi gjerësisht për katastrofën gjatë fundjavës. Gazetarët gjermanë përdorën një deklaratë të kryetarit të bashkisë së Blatten, Matthias Bellwald, si titull dhe pikënisje, sipas të cilit ngjarjet ishin “tokë zero për Blatten”. Vullneti për të rindërtuar fshatin është i fortë, thekson “Spiegel”. Megjithatë, revista vë në dyshim nëse kjo është e mundur apo edhe e arsyeshme.
Pyetja më e madhe, thonë ata, është ndryshimi i klimës. Çdo rindërtim do të duhet të marrë më shumë parasysh rreziqet e reja që vijnë nga rënia e shkëmbinjve, ortekët ose përmbytjet e reja. Ndryshimet klimatike kërkojnë metoda të përshtatura ndërtimi, masa të reja mbrojtëse dhe menaxhim më të sofistikuar të rrezikut.
Vështrime mbarëbotërore nga katastrofa?
Akullnaja e shembur Birch po bën bujë edhe në botën arabe dhe aziatike. Portali saudit i lajmeve Arab News, për shembull, botoi një artikull të gjatë mbi gjetjet e deritanishme nga fatkeqësia në Zvicër, duke e quajtur atë një “paralajmërim të ashpër të rreziqeve në rritje me të cilat përballen komunitetet në mbarë botën që jetojnë nën hijen e masave të brishta të akullit – veçanërisht në Azi”.
Në mënyrë të veçantë theksohet se falë monitorimit me precizion të lartë në Zvicër, fshati mund të evakuohet.
Situata është e ndryshme në pjesët e tjera të botës Azia, për shembull, është e prekur në mënyrë disproporcionale nga ngrohja globale dhe katastrofat klimatike, por: “Shumë vende aziatike, veçanërisht në Himalaje, nuk kanë burime për të monitoruar akullnajat e tyre të mëdha në të njëjtën masë si Zvicra”.
Serhii Hryhoriev, një ushtar ukrainas 59-vjeçar nga Poltava, vdiq në robëri ruse pas kapjes së tij gjatë rrethimit të Mariupolit në prill 2022. Sipas dokumenteve zyrtare ruse, shkaku i vdekjes ishte “hemorragji cerebrale”, por një analizë e pavarur ukrainase dhe dëshmitë e të burgosurve të tjerë tregojnë se vdekja e tij ishte rezultat i torturës dhe neglizhencës sistematike në burgjet ruse.
Hryhoriev u mobilizua nga ushtria ukrainase pas fillimit të agresionit të Rusisë në vitin 2022. Ai u kap gjatë mbrojtjes së Mariupolit dhe më pas u dërgua në burgun Olenivka, që ndodhet në territorin e kontrolluar nga Rusia. Në korrik 2022, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmoi se ai ishte gjallë dhe në robëri.
Në gusht të po atij viti, gruaja e tij Halyna mori një letër nga burgu ku ai deklaronte se ishte mirë. Një video e publikuar nga pala ruse pak më vonë e tregonte atë në kushte të rënda fizike, çka ngriti dyshime për trajtimin që po merrte.
Në maj 2023, autoritetet ruse njoftuan se Hryhoriev kishte vdekur në burg. Trupi i tij u kthye në Ukrainë në një qese plastike me shenja të dukshme abuzimi. Autopsia në Ukrainë tregoi fraktura në brinjë, trauma në kokë dhe rrahje të përsëritura. Institucionet ukrainase dhe familjarët e viktimës besojnë se ai ka vdekur si pasojë e dhunës sistematike.
Sipas të dhënave të qeverisë ukrainase, më shumë se 200 ushtarë ukrainas janë zhdukur ose vdekur në robëri ruse që nga fillimi i luftës.Rusia nuk i jep akses Komitetit të Kryqit të Kuq në burgjet e saj ushtarake dhe ka penguar hetimet ndërkombëtare.Ukraina e cilëson këtë si shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës.
Hetimet mbi vdekjen e Hryhoriev po vazhdojnë. Ukraina po përpiqet të grumbullojë prova për të ndjekur përgjegjësit penalisht në arenën ndërkombëtare.
Që disa javë, tarifat e Presidentit Trump kanë tronditur ekonominë globale, përfshirë Zvicrën. Aktualisht, tarifat janë rreth 10%, por nga 10 korriku pritet të shkojnë në 31%. Këshilli Federal është i vendosur t’i pengojë këto masa me çdo kusht, pasi SHBA-ja është tregu i dytë më i rëndësishëm për eksportet zvicerane, pas BE-së. Në këtë drejtim, po bashkëpunon ngushtë me Komitetet Parlamentare për Çështjet e Jashtme dhe po shtyn fuqishëm për një zgjidhje, transmeton albinfo.ch.
Masa të diskutueshme për të shmangur tarifat
Dokumentet e brendshme tregojnë se Këshilli Federal nuk pret të anulojë tarifat aktuale prej 10%, sepse SHBA-ja i përdor ato për të mbushur boshllëqet buxhetore. Por për të shmangur rritjen në 31%, po diskutohen këto masa:
Investime të mëdha nga kompanitë zvicerane në SHBA, rreth 150 miliardë franga deri në 2030.
Reduktim i tarifave për fruta agrume, arra, produkte deti, pije joalkoolike dhe uiski.
Tarifa zero për djathin, kafenë dhe duhanin.
Heqje e ndalimit të importit për “mishin me hormone” që prodhohet në SHBA, por është i ndaluar në Zvicër.
Lehtësim i qarkullimit të medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore nga SHBA.
Regjistrim më i thjeshtë i automjeteve amerikane.
Lehtësim i rregullave për patentat dhe “Swissness” (etiketën e origjinës zvicerane).
Ende nuk është e qartë se cilat lehtësime do të pranohen, por Këshilli Federal po përgatitet për negociata fleksibël, për shkak të pasigurisë dhe veprimeve të paparashikueshme të qeverisë amerikane.
Nga sot në Zvicër kanë hyrë në fuqi ndryshime të ndryshme në rregullore, përfshirë edhe rregulla që lejojnë importin e një sasie më të madhe vezësh.
Për shkak se prodhuesit zviceranë të vezëve nuk arrijnë të përmbushin kërkesën në rritje, qeveria ka vendosur të rrisë kuotën e importit duke filluar nga 1 qershori. Gjatë vitit do të jetë e mundur importi i deri në 10,000 vezëve shtesë me një tarifë doganore të ulët, transmeton albinfo.ch.
Kjo masë erdhi për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës. Sipas të dhënave të tregut, konsumi për frymë në vit është rritur me 9% duke arritur në 198 vezë për vit në periudhën 2023-2024. Ndërkohë prodhimi vendas është rritur vetëm me 2.8%, prandaj nevojiten importime shtesë.
Thethi është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara turistike si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj. Ky fshat malor ndodhet në veri të Shqipërisë, në zemër të Alpeve Shqiptare, dhe është pjesë e Parkut Kombëtar Theth.
Kryeministri Edi Rama publikoi disa fotografi nga një prej atraksioneve natyrore më të njohura të zonës, Syri i Kaltër. Në foto shfaqen turistë vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë këtë pikë gjatë ditëve të fundit të muajit maj e fillimit të qershorit, përcjell albinfo.ch.
Parku Kombëtar i Thethit është një prej zonave më të vizituara gjatë gjithë vitit. Pikat kryesore të interesit për turistët përfshijnë:
Syrin e Kaltër
Vaskat natyrore në Ndërlysë
Ujëvarën dhe kanionin e Grunasit
Shpellën e Arapit
Shtigjet malore si ai Theth-Valbonë dhe Shtegu i Bjeshkëve të NamunaThethi rrethohet nga tre male me lartësi mbi 2,500 metra: Radohima, Sheniku dhe Papluku. Zona ofron jo vetëm bukuri natyrore, por edhe pasuri kulturore dhe historike, që e bëjnë një pikë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Sipas një raporti të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), mbi një të tretën e vendeve të punës në vendet e pasura janë të ekspozuara ndaj inteligjencës artificiale gjeneruese. Ato vende pune që zakonisht mbahen nga gratë mund të preken deri në tre herë më shumë.
Në shkallë globale, një e katërta e vendeve të punës janë potencialisht në rrezik nga automatizimi ose transformimi i thellë për shkak të rritjes së përdorimit të inteligjencës artificiale (IA), thuhet në deklaratën e organizatës me seli në Gjenevë, publikuar të martën e kaluar.
Megjithatë, dallimet në teknologji, infrastrukturë dhe madhësia e sektorit terciar krijojnë diferenca të mëdha midis vendeve, ku kjo përqindje arrin deri në 34% në vendet me të ardhura të larta.
“Theksojmë se kjo ekspozim nuk do të thotë automatizim i menjëhershëm i një profesioni të tërë, por më tepër që një pjesë e madhe e detyrave aktuale mund të realizohen me anë të kësaj teknologjie”, thuhet në raportin e ILO-s, transmeton albinfo.ch.
Organizata u bën thirrje autoriteteve, punëdhënësve dhe sindikatave të zbatojnë politika proaktive për integrimin e IA-së me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në sektorët më të ekspozuar.
Kërcënimi i teknologjisë seksiste
Në këtë kontekst, profesionet që tradicionalisht mbahen nga gratë janë më të rrezikuara sidomos në vendet e zhvilluara, paralajmëron agjencia e OKB-së. Kjo sepse gratë janë ende më të përfaqësuara statistikisht në punët administrative apo zyrtare, si sekretaria. Sipas raportit, afro 10% e vendeve të punës që zakonisht mbahen nga gratë janë të ekspozuara ndaj automatizimit, krahasuar me vetëm 3.5% për burrat.
“Bëhet fjalë për punë të sektorit terciar, me pak përgjegjësi, ku shkrimi dhe përmbledhja e teksteve janë thelbësore pra të gjitha format e punës sekretariale,” shpjegon Isabelle Collet, profesoreshë e shkencave të edukimit në Universitetin e Gjenevës.
Mesfushorja 21-vjeçare, me prejardhje shqiptare dhe e lindur në Solothurn të Zvicrës, është pjesë e ekipit gjerman Freiburg dhe një ndër shtyllat e ekipit kombëtar zviceran. E konsideruar si një nga talentet më premtuese të futbollit evropian, Riola tashmë ka kaluar kufijtë e një ylli në rritje. Ajo e përfaqëson Zvicrën në Kampionatin Evropian, me ambicie të qarta për të krijuar histori.
Për Riolën, pjesëmarrja në një Kampionat Evropian nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një ndjenjë e veçantë për faktin se turneu zhvillohet në Zvicër. Se si po e përjeton ajo këtë arritje, futbollistja tregon vet për albinfo.ch.
(KEYSTONE/Laurent Gillieron)
“Është shumë, shumë speciale për mua, sepse Europianët dhe Botërorët janë ngjarjet më të mëdha ku një futbollist mund të luajë”, thotë ajo.
Nga Zvicra në Bundesligë: Sfida dhe rritja profesionale
Me vetëm 15 vjeç, Riola u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën e saj në futbollin gjerman. Ajo kujton kalimin nga kampionati zviceran në Bundesligë si një hap të madh dhe sfidues: “Në Gjermani gjithçka është shumë më e madhe. Ka më shumë konkurrencë, më shumë cilësi teknike, fizike, taktike.”
Të qenët aq larg familjes në një moshë aq delikate ishte e vështirë për Riolën. Ajo thotë se në fillim ndjehet e vetmuar, deri sa pas pak kohe filloi të integrohej me shoqërinë dhe jetën e re që po e priste.
“U largova nga familja që në moshën 15-vjeçare. Kam kaluar pak kohë me ta që prej atëherë dhe shpesh kam qenë e vetme. Tani jam në Holandë, në një vend ku nuk njihja askënd dhe nuk e flisja gjuhën, por jam përshtatur. Mendoj që është shumë e rëndësishme të integrohesh dhe të përpiqesh të ndihesh mirë aty ku je. Nuk jam nga ato që ankohen. Jam mirënjohëse për shëndetin tim dhe të familjes sime kjo më jep motivim çdo ditë“, thotë ajo.
Futbollistja nuk ndalë as mirënjohjen për familjen e saj që vazhdon t´i qëndrojë afër në secilin hap.
“Ata janë gjithmonë aty në momentet e vështira dhe të bukura. Flas çdo ditë me mamanë dhe babanë tim. Për mua ata janë miqtë më të mirë”, rrëfen ajo.
(KEYSTONE/Urs Flueeler)
Një ëndërr që bëhet realitet: Euro 2025 “në shtëpi”
Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian është ëndërr e çdo sportisti. Për Riola Xhemailin, kjo përfaqëson një kulm të karrierës së saj: “Në aspektin e karrierës, kjo do të ishte diçka shumë, shumë e veçantë për mua. Kampionatet Evropiane dhe Botërore janë ngjarjet më të mëdha ku një sportist mund të marrë pjesë”.
Ky kampionat, që këtë vit zhvillohet në Zvicër, e bën gjithçka edhe më emocionuese për të. Kombëtarja zvicerane e femrave synon ta kalojë fazën e grupeve dhe të shkojë sa më larg që të jetë e mundur. Me përparësinë e një turneu të zhvilluar në shtëpi, Riola ka besim dhe dëshirë për të arritur rezultate të mëdha: “Synimi është që të kalojmë fazën e grupeve, ngjashëm si te ekipi i meshkujve – të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. E kemi luksin që kampionati zhvillohet në shtëpi, në Zvicër, prandaj dëshirojmë të arrijmë sa më shumë“, ka shtuar ajo.
Të luash për një vend që përfaqëson edhe shtëpinë tënde shpirtërore dhe emocionale është një ndjesi unike. Riola e përshkruan me emocion të thellë përjetimin e këtij kampionati përballë publikut vendas: “Është një ndjenjë shumë e veçantë. E gjithë familja ime do të jetë aty. Është një ndjesi krejtësisht ndryshe të luash në vendin tënd. Diçka e rrallë në karrierën e një lojtareje, dhe në rastin tim ndoshta është e mundur. Do të ishte ndër momentet më të mëdha të karrierës sime.”
Për vajzat që ëndërrojnë të ndjekin hapat e saj, Riola ka një mesazh të qartë: “Mos u dorëzoni kurrë. Sot është e mundur për vajzat të jenë profesioniste, të jetojnë nga futbolli dhe të jenë të suksesshme“, thotë ajo.
Përvoja e lojës për FC Basel, ekipin e meshkujve!
E rritur në Solothurn, ajo përfaqësoi ngjyrat e qytetit të saj për katër vjet, derisa u ftua nga FC Basel jo për ekipin e femrave, por për atë të meshkujve. Në një mjedis ku paragjykimet ishin të mëdha, ajo e fitoi vendin me talent dhe lidership, duke marrë shiritin e kapitenes pas vetëm tri ndeshjesh. Viti 2022 shënoi një pikë kthese të madhe për të: çmime ndërkombëtare, përfshirë edhe Trofeun e Talentit nga “Mundo Deportivo”, ishin dëshmi e një ylli në ngritje.
Qeveria franceze njofton se nga korriku do të ndalohet pirja e duhanit në vende publike si plazhet, parqet dhe zonat pranë shkollave. Kjo masë synon të mbrojë fëmijët nga dëmet e duhanit dhe të përforcojë një mjedis më të pastër për ta.
Ndalimi nuk do të përfshijë tarracat e jashtme të kafeneve dhe nuk do të aplikohet për cigaret elektronike.
“Ku ka fëmijë, duhani duhet të zhduket,” deklaroi Catherine Vautrin, Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, gjatë një interviste për gazetën Ouest France.
Nga 1 korriku, pirja e duhanit do të ndalohet në plazhe, parqe, kopshtet publike, zonat e shkollave, stacionet e autobusëve dhe objektet sportive në të gjithë Francën. Kjo për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe komunitetit në përgjithësi.
Sipas Ministres Vautrin, pirja e duhanit shkakton rreth 200 vdekje në ditë në Francë, edhe pse numri i duhanpirësve është në nivelin më të ulët historik.
Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar miratoi një ndalim të ngjashëm, ndërsa disa rajone në Spanjë dhe Suedi kanë marrë masa të ngjashme për të kufizuar pirjen e duhanit në hapësira publike.
Kosova po përgatitet për dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, ku kundërshtarë do të jenë kombëtaret e Armenisë dhe Komorosit. Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Selektori i ekipit, gjermani Franco Foda, dha informacione rreth gjendjes së futbollistit të Lille, Edon Zhegrova, i cili aktualisht është jashtë aktiv për shkak të një dëmtimi.
“Kam qenë në kontakt me Zhegrovën. Ai ka kaluar një operacion dhe momentalisht ndodhet në periudhën e rikuperimit. Për sezonin e ri të kualifikimeve, pritet të jetë i gatshëm për të luajtur,” tha Foda, përcjell albinfo.ch.
Ndeshja e parë ndaj Armenisë është planifikuar për më 6 qershor, ndërsa ajo me Komorosit do të zhvillohet më 9 qershor.
Baseli fiton edhe Kupën e Zvicrës. Në finalen e zhvilluar ndaj Bielit ka fituar bindshëm 1:4, për të fituar trofeun e dytë në këtë edicion, raporton albinfo.ch.
Kur rezultati ishte 1:1, Xherdan Shaqiri shënoi nga penalltia për 1:2, ndërsa më pas kampionët e Zvicrës shënuan edhe dy gola për të triumfuar në fund dhe për të realizuar suksesin e dyfishtë të futbollit zviceran.
Xherdan Shaqiri, Albian Ajeti dhe Leon Avdullahu luajtën për 90 minuta për Baselin.
Në një vendim që pritet të ndikojë mijëra emigrantë të parregullt që jetojnë në Greqi, qeveria greke ka lajmëruar një seri masash të reja më të forta për të frenuar emigracionin ilegal. Ministri i Migracionit, Makis Voridis, njoftoi eliminimin e një praktike të gjatë, që u lejonte emigrantëve të padokumentuar të aplikonin për leje qëndrimi pas shtatë vitesh qëndrimi në vend.
“Askush që ndodhet në mënyrë të paligjshme në territorin grek nuk do të ketë më mundësinë të legalizohet,” deklaroi Voridis, duke theksuar se abuzimet me këtë dispozitë kishin arritur përmasa të papranueshme. Sipas të dhënave zyrtare, çdo vit në vend hyjnë rreth 55 deri në 65 mijë persona në mënyrë të jashtëligjshme, dhe vetëm gjysmës prej tyre u miratohet kërkesa për azil.
Projektligji i ri, që tashmë ka kaluar fazën e miratimit nga kabineti dhe pritet të shqyrtohet në Parlament në muajin qershor, parashikon dënime me burg deri në pesë vjet për emigrantët që kapen duke hyrë apo qëndruar ilegalisht. Një tjetër masë e fortë është zgjatja e periudhës së paraburgimit para deportimit nga 18 muaj në dy vjet.
Statistikat e vitit 2024 flasin për 74 mijë arrestime të migrantëve pa dokumente në Greqi, por vetëm 2,500 janë dëbuar me sukses. Ministri shpjegoi se shumë prej tyre përdorin identitete të rreme për të zvarritur procesin e kthimit.
E megjithatë, qeveria nuk e mohon nevojën për emigracion të rregullt. Për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore dhe për të plotësuar kërkesat e tregut, rreth 200 mijë punëtorë të huaj janë të nevojshëm sipas Bankës së Greqisë. Për këtë arsye, autoritetet do të prezantojnë rregullore të reja për të inkurajuar emigracionin e ligjshëm deri në korrik.
Nëse keni llogari në Apple, Facebook apo Google, duhet të ndryshoni menjëherë fjalëkalimin tuaj. Një mega-hack ka prekur 184 milionë përdorues në mbarë botën, përfshirë edhe qeveri dhe shërbime shtetërore.
Çfarë ndodhi?
Një sulm kibernetik ka zbuluar një bazë të dhënash me më shumë se 184 milionë llogari të përdoruesve nga Apple, PayPal, Google, Facebook dhe platforma të tjera të njohura. Kjo bazë përmban emra përdoruesish dhe fjalëkalime, si dhe të dhëna hyrjeje në shërbime qeveritare nga të paktën 29 vende.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Jeremiah Fowler, zbuloi këtë bazë të dhënash në fillim të Majit. Ai tha se koleksioni i të dhënave është 47 gigabit i madh dhe përshkruan këtë zbulim si “më i çuditshmi në karrierën e tij” dhe “lista ideale për kriminelët kibernetikë.”, transmeton albinfo.ch.
Shërbimet e prekura
Në mesin e shërbimeve të prekura janë Apple, Amazon, Discord, Facebook, Google, Instagram, Microsoft, PayPal, Snapchat, X, WordPress dhe Yahoo. Po ashtu janë përfshirë llogari nga portale qeveritare, banka dhe kompani financiare nga shumë vende.
Çfarë duhet të bëjnë përdoruesit?
Ekspertët e sigurisë rekomandojnë me forcë që të gjithë përdoruesit e këtyre platformave të ndryshojnë menjëherë fjalëkalimet dhe të monitorojnë llogaritë e tyre për ndonjë aktivitet të dyshimtë. Kjo përfshin kontrollimin e emaileve, aplikacioneve bankare dhe profileve në rrjetet sociale për ndonjë ndryshim të papritur.
Në Zvicër dje temperaturat kaluan 30 gradë për herë të parë këtë vit. Në Basel – Binningen, temperaturat arritën në 30.2 gradë për të qenë të saktë.
Sipas Meteonews, temperatura është arritur në orën 15:00, transmeton albinfo.ch.
Në disa stacione monitorimi si Beznau (AG), Visp (VS), Leibstadt (AG), Chur (GR) ose Gösgen (AG) temperaturat arritën pothuajse 30 gradë. Në shumë zona të Zvicrës gjermanishtfolëse merkuri u ngrit mbi 28 gradë.
Pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe emërimit të një delegati apostolik për vendin, Vatikani vazhdon të mos e njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës.
Sipas Radios Evropa e Lirë, arsyet kryesore lidhen me ndjeshmëritë ndërfetarë. Selia e Shenjtë përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse, sidomos me atë Serbe dhe Ruse, të cilat e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Një njohje zyrtare do të rrezikonte këto raporte, duke vështirësuar përpjekjet e Vatikanit për dialog ndërkishtar (ekumenik), përcjell albinfo.ch.
Një tjetër arsye është statusi ndërkombëtar i Kosovës. Vatikani e ndërlidh njohjen me progresin në dialogun Kosovë-Serbi dhe me përfshirjen e Kosovës në organizata globale si OKB-ja.
Sipas analistëve dhe ish-diplomatëve të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, Selia e Shenjtë “e njeh realitetin”, por zgjedh të mos e formalizojë atë për arsye strategjike dhe fetare.
Katër ditë pas shkëputjes së akullnajës Birch, mali në zonën e Blatten (Valais) vazhdon të jetë në lëvizje. Rrëshqitjet në Klein Nesthorn nuk janë ndalur dhe sipas autoriteteve gjithçka që rrëshqet ndalet në vendin ku më parë ndodhej akullnaja.
Situata aktuale në terren
Liqeni pas konit të rrënojave ka pësuar një rënie të lehtë të nivelit gjatë ditës së diel. Lumenjtë, si Lonza, vazhdojnë të jenë me nivele të larta; megjithatë uji është më pak i ndotur se ditët e kaluara. Gjeologët ende nuk kanë ngritur një alarm të ri.
“Kur rreziku kalon nga niveli 10 në 9, nuk mund të ndihemi të lehtësuar; lehtësimi vjen kur arrihet niveli 2 ose 3,” tha gjeologu kantonal i Valais, Raphaël Mayoraz.
Federata Shqiptare e Futbollit është e përkushtuar që të sigurojë një proces të ndershëm, të hapur dhe të barabartë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e atmosferës elektrizuese në “Arenën Kombëtare”, më 7 qershor, për përballjen shumë të pritur mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Procesi i aplikimit për bileta u hap më 15 maj dhe qëndroi aktiv deri më 30 maj, në orën 20:00. Çdokush, brenda apo jashtë Shqipërisë, pati mundësinë të aplikojë për deri në katër bileta. Ky hap është bërë për të siguruar akses të barabartë për të gjithë tifozët shqiptarë, kudo që ndodhen, përcjell albinfo.ch.
Nga data 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik një metodë e drejtë dhe transparente që përzgjedh në mënyrë të rastësishme aplikuesit fitues. Ata që do të përzgjidhen do të marrin një email zyrtar me një link personal për të vazhduar blerjen e biletave.
Me më shumë se 200 mijë aplikime të regjistruara, interesi për këtë ndeshje ka tejkaluar çdo parashikim. Për këtë arsye, janë vendosur masa të forta sigurie dhe verifikimi për të eliminuar aplikime të dyfishta, llogari të rreme apo tentative për spekulim.
Çdo biletë do të mbajë emrin dhe mbiemrin e blerësit. Në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë identitetin e çdo personi përmes dokumentit të identifikimit, në mënyrë që biletat të mos keqpërdoren apo të kalojnë në duar të tjera.
Kjo mënyrë organizimi sipas FSHF ka si qëllim të ndalojë praktikat abuzuese si blerjen masive nga platformat ndërkombëtare apo shitjen e paligjshme nga tregtarët informalë. FSHF është e vendosur të mbrojë tifozët dhe të garantojë që çdo biletë të përfundojë në duart e atyre që me të vërtetë duan të jenë në stadium.
Ky është i njëjti model që përdoret nga UEFA për ndeshjet më të mëdha në Europë nga finalet e Champions League, te Europa dhe Conference League apo Europianët. Edhe atje, përballë kërkesës së madhe, përdoret shorti elektronik si mënyra më e drejtë për përzgjedhjen e tifozëve.
Siç njoftoi policia kantonale e Bernës të shtunën, shoferi po udhëtonte në A6 nga Lätti në drejtim të Schönbühl, në orën 3:20 të mëngjesit, në Deisswil. Policia kantonale kreu një kontroll shpejtësie. Pas matjes, drejtuesi i mjetit u ndalua nga policët dhe u dërgua për hetime të mëtejshme, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.
Në të njëjtën ditë, një patrullë e policisë kantonale të Graubünden ndaloi një shofer me shpejtësi në tunelin e San Bernardino. Shoferi 53-vjeçar italian u kap me shpejtësi 158 km/h. Kufiri i shpejtësisë në tunelin e San Bernardino është 80 km/h. Menjëherë i’u hoq patenta e huaj. Ai gjithashtu u urdhërua të paguante një depozitë prej 5 500 CHF. Do të raportohet në prokurorinë publike të Graubünden.
Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka paralajmëruar se vendi mund të përfundojë në një situatë të ngjashme me bllokimin e gjatë që përjetoi pas vetos në Samitin e NATO-s në Bukuresht, duke përballur një tjetër dekadë të humbur në pritje të integrimit evropian.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Pendarovski tha se mosveprimi aktual dhe refuzimi për të përmbushur kushtet që kërkon Bashkimi Evropian do të çojë drejt një gjendjeje stagnimi të ngjashme me bllokimin që zgjati një dekadë për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë. “Do të zgjohet shoqëria dhe do të thotë: prisni, a do të presim edhe 10-15 vjet derisa të firmosni atë që kërkon Europa?” tha ai, përcjell albinfo.ch.
Por ai vuri në dukje se tashmë nuk ka më entuziazëm shoqëror për integrimin evropian.
“Sipas sondazhit të fundit të Eurobarometrit, besimi në BE ka rënë në 54%. Dhe kjo shifër është mbajtur lart vetëm falë shqiptarëve. Nëse pyet vetëm maqedonasit etnikë, mbështetja është vetëm rreth 30%, një nivel që e gjejmë vetëm në Serbi,” theksoi Pendarovski.
Sipas tij, pas dekadash zhgënjimi dhe vështirësish ekonomike, qytetarët janë të “anestezuar” përballë retorikës boshe të klasës politike. “Nuk po them se kjo do të sjellë ndonjë krizë sigurie, por do të jetë një sinjal se si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët do të fillojnë të largohen përgjithmonë nga Maqedonia në numra edhe më të mëdhenj,” paralajmëroi ai.