Situata kritike nga përmbytjet në Shqipëri

Më e goditura nga përmbytjet është Gjirokastra. 70 biznese, shumë shtëpi dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 shtatori”.

Pamjet gati apokaliptike me masive inertesh dhe gurësh në rrugë e dyqane janë pasojë e vërshimeve masive të lumenjve dhe përrenjve, transmeton albinfo.ch.

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar, është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Edhe në burgun  e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

Gjatë natës në Lezhë pati më pak reshje, por sot situata paraqitet më problematike në Laç. Disa familje janë evakuar dhe shumë shtëpi janë të rrethuara nga uji.

Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 7.2 metra mbi nivelin e detit dhe po i afrohet pikës kritike. Raportohet të ketë dalë nga shtrati në zonën e pazarit pranë urës së Mifolit.

Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.

Zvicër: Gjestet e solidaritetit me viktimat e zjarrit dhe familjet e tyre janë të shumta

Pas tragjedisë së rëndë të zjarrit që mori jetën e dhjetëra personave, reagimet e solidaritetit kanë qenë të shumta. Qytetarë, institucione dhe organizata të ndryshme kanë shprehur mbështetjen e tyre për familjet e viktimave, duke ofruar ndihmë morale dhe materiale, përcjell albinfo.ch.

Mesazhe ngushëllimi janë përcjellë nga autoritete vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa janë organizuar edhe homazhe në nderim të viktimave. Autoritetet lokale kanë theksuar rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë në këto momente të vështira për komunitetin.

I ftohti përfshin Zvicrën, temperaturat zbresin deri në -25 gradë Celsius

Zvicra ka përjetuar edhe një tjetër natë jashtëzakonisht të ftohtë, e shoqëruar me reshje të lehta dëbore në disa rajone të vendit. Temperatura më e ulët është regjistruar në La Brévine, në kantonin e Neuchâtel, ku termometri ka zbritur pak nën -25 gradë Celsius, përcjell albinfo.ch.

Edhe pjesa tjetër e vendit po përballet me temperatura të ulëta në orët e para të ditës. Sipas parashikimeve, temperaturat në zonat e ulëta nuk pritet të ngrihen mbi -3 gradë Celsius gjatë ditës së mërkurë. Në malin lokal të Cyrihut, Uetliberg, herët në mëngjes është shënuar një temperaturë prej -9 gradë Celsius.

Dita ka nisur me mjegull dhe mjegull të dendur të lartë në Rrafshnaltën Zvicerane, njofton Meteo News. Megjithatë, gjatë orëve të paradites pritet që dielli të shfaqet dhe të ndriçojë shumë zona të vendit.

Një masë ajri e ftohtë po shkakton ngrica të vazhdueshme në të gjithë Zvicrën. Sipas meteorologëve, gjatë mbrëmjes priten reshje bore në të gjithë territorin, me një shtresë që mund të arrijë deri në 5 centimetra.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në qarkullim dhe të marrin masa mbrojtëse për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Vërshimet në Kosovë: Kurti dhe ekipet qeveritare në terren, situata nën kontroll

Kryeministri Albin Kurti njofton se ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë qëndruar dje dhe gjatë natës në terren për të monitoruar situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të asistuar në evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara, përcjell albinfo.ch.

Ministrat Xhelal Sveçla, Hysen Durmishi dhe Elbert Krasniqi kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e komunave më të prekura, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur njësitet e saj në gatishmëri dhe ka asistuar vendosjen e familjeve të rrezikuara, veçanërisht në Gjakovë.

Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat më të prekura përfshijnë Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimjen, Graçanicën, Gjakovën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.

Aktualisht, situata raportohet të jetë nën kontroll. Përveç dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka pasur lëndime serioze. Gjatë natës janë ndërhyrë në zona me rrëshqitje dhe bllokime të puseteve, ndërsa kompanitë përgjegjëse mbeten në gatishmëri.

Kryeministri Kurti falënderoi ekipet operative, zjarrfikësit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e shpejtë, si dhe qytetarët për solidaritetin dhe bashkëpunimin. Ai u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e institucioneve deri në tejkalimin e plotë të situatës.

Fate Velaj, nga emigrant i thjeshtë në ambasador në Austri

Gazeta austriake Salzburger Nachrichten ka publikuar së fundmi një artikull kushtuar Ambasadorit të Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, duke nxjerrë në pah rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm personal dhe profesional, transmeton albinfo.at.

Nën titullin “Nga pjatalarës në diplomat të nivelit të lartë”, artikulli thekson transformimin e Velajt që nga viti 1991, kur si emigrant nisi jetën në Austri. Ai ka ndjekur një rrugë të pasur krijuese, duke u afirmuar si piktor, fotograf, shkrimtar dhe krijues politikash kulturore për Bashkimin Evropian. Sot, si ambasador, ai luan një rol aktiv në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Austrisë.

Së fundmi, Velaj prezantoi romanin e tij “Kreuztanne” gjatë Panairit të Librit në Vjenë. Libri trajton përvojat e tij si refugjat, përfshirë kohën e kaluar në kampin e Traiskirchen dhe strehimin në Gasthaus zur Kreuztanne, duke ofruar një portret të jetës së emigrantit në Austri.

Vetë autori e përshkruan këtë vepër si një rrugëtim personal drejt integrimit dhe suksesit profesional, ku ai ndan përvojat, sfidat dhe mësimet e fituara gjatë dekadave të jetës në vendin mikpritës./Albinfo.at

Pronari i barit në Crans-Montana me të kaluar kriminale, zbardhen detaje nga hetimi

Pronarët e barit ku 40 persona humbën jetën nga zjarri në orët e para të Vitit të Ri kanë deklaruar se janë të tronditur nga tragjedia dhe kanë premtuar bashkëpunim të plotë me autoritetet, përcjell albinfo.ch.

Jacques dhe Jessica Moretti po hetohen për humbje e disa jetëve nga pakujdesia, lëndime trupore dhe zjarrvënie po ashtu nga pakujdesia, pas zjarrit që shpërtheu rreth orës 01:30 të 1 janarit, kur lokali ishte i mbushur me festues, shkruan AFP.

Referuar burimeve pranë hetimit, Jacques Moretti ka një të kaluar kriminale dhe ka vuajtur dënime me burg në vitet 2005 dhe 2008. Media franceze raportojnë se ai ishte ndaluar të drejtonte biznese në Francë dhe kishte qenë i përfshirë edhe në disa çështje të tjera penale, pa përfunduar me dënim.

Hetimet për shkaqet dhe përgjegjësitë ligjore të kësaj tragjedie vazhdojnë.

LDK rikthen ulësën e 15-të, PDK humb një ulëse

Lidhja Demokratike e Kosovës ka rikthyer sërish ulësen e 15-të në Kuvend, duke ia marrë atë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tashmë ka rënë në 22 ulëse. Ky ndryshim ka ndodhur ndërsa numërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit ka arritur në 2,800 nga 2,836 vendvotime.

Deri tani, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 50.82% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin me 120 vende, përfshirë 20 ulëset e rezervuara për komunitetet. PDK-ja e Bedri Hamzës, e cila dje kishte “rrëmbyer” një ulëse nga LDK-ja, tashmë numëron 22 ulëse, me 20.34% të votave. Lidhja Demokratike ka siguruar 15 ulëse me 13.24% të votave.

Me këtë përllogaritje, Fadil Hadërgjonaj rikthehet sërish si deputet, ndërsa te PDK-ja, Bekim Haxhiu humbet ulësën e 23-të. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet me 6 ulëse, duke marrë 5.51% të votave.

Zhegrova debuton në minutat e fundit, Juventus triumfon 3:0

Reprezentuesi i Kosovës u inkuadrua në lojë në minutën e 89-të, ndërsa Juventusi triumfoi të martën në udhëtim me rezultat të pastër 3:0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 19-të të Serie A italiane, përcjell albinfo.ch.

“Zonja e Vjetër” kaloi në epërsi që në minutën e 16-të falë një autogoli të Tarik Muhameroviqit. Dy golat e tjerë u realizuan në pjesën e dytë, ku fillimisht Fabio Miretti shënoi për 2:0 në minutën e 62-të, ndërsa vetëm një minutë më pas Jonathan David vulosi fitoren.

Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, pati një paraqitje të mirë, veçanërisht në pjesën e parë të ndeshjes.

Me këtë fitore, Juventusi u ngjit në vendin e katërt të tabelës me 36 pikë, ndërsa Sassuolo zbret në pozitën e 11-të me 23 pikë.

Vërshimet në Kosovë, dy komuna shpallin gjendje të jashtëzakonshme

Situata me vërshime në disa zona të Kosovës mbetet nën vëmendje edhe sot, ndërsa komunat e Junikut dhe Malishevës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut nga përmbytjet.

Ekipet e emergjencës vazhdojnë të jenë të angazhuara në terren, ndërkohë që autoritetet kompetente po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas raportimeve, rajonet më të prekura deri më tani janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova. Në këto zona janë evidentuar vërshime në oborre, bodrume dhe segmente të caktuara rrugore. Në Gjakovë, për shkak të rrezikut të shtuar, është kërkuar evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në komunat e tjera të vendit, gjendja vlerësohet si relativisht e qetë dhe stabile, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes sistemit të komunikimit emergjent.

Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, autoritetet kanë vendosur që procesi i nisjes së mësimit të shtyhet, ndërsa mësimi do të fillojë më 12 janar.

Lidhur me vërshimet, gjatë ditës së martë kanë reaguar përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe subjekte politike që aktualisht janë në opozitë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve, po veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtje të jetës dhe pronës.

“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren, në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore,” ka deklaruar Osmani.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të marrin përgjegjësi të plotë, duke aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë për menaxhimin e situatës emergjente.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka cilësuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes së krijuar.

Sot vazhdon numërimi i votave tjera të mbërritura me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të vazhdojë procesi i numërimit të pjesës së mbetur të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, konkretisht ato të dërguara përmes postës, shkruan albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se bëhet fjalë për fletëvotime të cilat janë tërhequr nga kutitë postare jashtë vendit më 2 dhe 5 janar 2026 dhe tashmë janë transportuar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas të dhënave zyrtare, më 2 janar janë tërhequr gjithsej 8,180 pako me fletëvotime nga kutitë postare në qytete si Praga, Londra, Parisi, Zagrebi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Kanberra dhe Kopenhaga.

Ndërkohë, më 5 janar janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera nga 13 kuti postare në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Berlinin, Vjenën, Bernën, Brukselin, Hagën, Podgoricën, Oslon, Shkupin, Otavën, Ljubljanën, Romën dhe Prishtinën.

Numërimi i këtyre fletëvotimeve po zhvillohet në ambientet e QNR-së dhe përfshin fazën e dytë të votave të ardhura përmes postës nga diaspora. KQZ ka theksuar se procesi do të vazhdojë gjatë gjithë ditës së sotme, deri në përfundimin e plotë të numërimit të këtyre pakove./Albinfo.ch

Situata me vërshimet në Mitrovicë është stabilizuar

Në rajonin e Mitrovicës ka rënë sasia e ujit në të gjitha pikat kritike, duke rritur gjasën që të bie edhe sasia në lumin Lushta, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmë pas mesnate, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
“Të dashur qytetarë, në këto momente, sasia e ujit në të gjitha pikat kritike ka rënie të dukshme, me tendencë të rënies edhe në lumin Lushta. I gjithë mekanizimi i Shtabit Emergjent do të jetë në dispozicion 24 orë”, tha Peci.

“The Masked Singer 14” nis me performancën e Rita Orës

Sezoni i 14-të i spektaklit të njohur “The Masked Singer” nis këtë javë me një hapje të veçantë, ku Rita Ora do të performojë këngën “Golden” nga projekti i Netflix “K-Pop Demon Hunters”, në premierën dy-orëshe të së mërkurës, përcjell albinfo.ch.

Produksioni e ka cilësuar performancën e saj si “zë prej ari të pastër”, ndërsa Rita Ora mbetet një nga figurat kyçe të këtij sezoni edhe si pjesë e panelit të gjykimit.

Emisioni drejtohet nga Nick Cannon, ndërsa në panel janë Ken Jeong, Jenny McCarthy, Robin Thicke dhe Rita Ora. “The Masked Singer” është një format unik ku personazhe të njohur këndojnë të maskuar, duke ruajtur identitetin sekret deri në eliminim.

Në premierë do të prezantohet edhe muzikë nga filmi i ri i Netflix “K-Pop Demon Hunters”, duke e bërë hapjen e sezonit një ndërthurje mes spektaklit televiziv dhe projekteve të reja muzikore.

Shaqiri vendimtar në fitoren e Baselit

Xherdan Shaqiri e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer vitin 2026. Ylli i Baselit kontribuoi me një gol, një asist dhe fitoi një penallti në fitoren dramatike 4:3 ndaj Slavia Pragës, transmeton albinfo.ch.

Ndeshja miqësore mes dy skuadrave u zhvillua të martën pasdite në Marbella të Spanjës. Shaqiri u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe la menjëherë gjurmë, duke realizuar golin e barazimit 2:2 në minutën e 65-të me një supergoditje.

Më pas, reprezentuesi zviceran asistoi për golin e tretë të Baselit, të cilin e shënoi Kaio Eduardo në minutën e 82-të. Pesë minuta më vonë, Shaqiri fitoi një penallti, që u shndërrua në gol nga Ibrahim Salah.

Golin e parë për skuadrën zvicerane e realizoi sulmuesi kosovar Albian Ajeti. Kjo ishte ndeshja e parë e Baselit në vitin 2026.

“Trim mbi trima” jehon në Muzeun e Vjenës nga zëri i 14-vjeçares Anna Krasniqi

Në ambientet e Muzeut të Vjenës, pranë përkrenares dhe shpatës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, u dëgjua kënga epike “Trim mbi trima”, e interpretuar nga 14-vjeçarja Anna Krasniqi. Zëri i saj i pastër dhe emocionues solli një moment të veçantë përkujtimi dhe krenarie kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Ky interpretim u realizua si një dedikim simbolik në prag të përvjetorit të heroit të madh shqiptar, duke lidhur brezat e rinj me historinë dhe trashëgiminë kombëtare. Prania e relikteve të Skënderbeut i dha edhe më shumë peshë artistike dhe emocionale këtij momenti të rrallë kulturor.

Video – https://www.facebook.com/share/v/177Q5Qb4av/?mibextid=wwXIfr

Granit Xhaka, i vetmi lojtar në top 5 ligat europiane me mbi 100 ndërhyrje të sakta këtë sezon

Granit Xhaka po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, duke u konfirmuar si një nga mesfushorët më konstantë dhe më të rëndësishëm në futbollin europian, përcjell albinfo.ch.

Reprezentuesi zviceran me origjinë shqiptare është aktualisht lojtari i vetëm në pesë ligat më të forta të Europës që ka realizuar mbi 100 ndërhyrje të sakta gjatë këtij sezoni.

Kjo statistikë e veçantë e vendos Xhakën në krye të listës për efikasitetin defensiv, duke dëshmuar rolin e tij kyç në ekuilibrin e lojës, leximin taktik dhe kontributin e vazhdueshëm në fazën mbrojtëse.

Përveç aspektit mbrojtës, Xhaka vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm edhe në ndërtimin e aksioneve dhe organizimin e lojës nga mesi i fushës, duke u shndërruar në një lider të padiskutueshëm për skuadrën e tij.

Me paraqitje të tilla, Granit Xhaka po konfirmon edhe një herë statusin e tij si një nga mesfushorët më të kompletuar në futbollin modern, duke tërhequr vëmendjen e ekspertëve dhe tifozëve anembanë Europës./Albinfo.ch

Kosovë: Shtyhet fillimi i mësimit për shkak të motit të keq, MAShTI njofton datën e re

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë do të shtyhet deri më 12 janar 2026, për shkak të reshjeve të shumta dhe kushteve të vështira në disa zona të vendit.

Ministria ka vendosur që pushimi dimëror të vazhdojë edhe më 8 dhe 9 janar, pasi reshjet e pritura sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) mund të shkaktojnë vërshime lokale, probleme në komunikacion dhe pengesa në trafik.

MAShTI thekson se orët e humbura mësimore gjatë këtyre ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026, dhe rithekson se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor, transmeton albinfo.ch.

Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Bora ndalon trafikun në Slloveni, familje kosovare bllokohet për orë të tëra

Mërgimtarët po përballen me vështirësi të mëdha gjatë kthimit në vendet ku punojnë dhe jetojnë.

Reshjet e dendura të borës dhe kushtet e rënda të motit kanë shkaktuar bllokime në rrugët ndërkombëtare, duke detyruar qytetarët të presin orë të tëra pa mundësi për të lëvizur.

Një mërgimtar ka ndarë përvojën e tij me Klankosova, duke treguar se ai dhe familja e tij kanë qëndruar të bllokuar në autostradën A1 në Slloveni për më shumë se katër orë, pa lëvizur fare.

Ai tha gjithashtu se pritjet janë të gjata edhe në Merdare dhe në Kroaci.

“Jam një qytetar i Kosovës me familjen time, gruan dhe tre fëmijët, djalin dhe dy vajzat e vogla, 7 dhe 6 vjeç. Situata është jashtëzakonisht e vështirë. Në Slloveni jemi të bllokuar në A1 për katër orë pa lëvizur, dhe nuk ka askush që të na ndihmojë.”

“Që nga nisja nga Kosova dje në orën 14:00, deri tani kemi arritur të përshkojmë vetëm 1000 km. Kemi pritur tre orë në Merdare dhe shtatë orë në Kroaci. Askush nuk duket të merret me vështirësitë tona,” shtoi ai.

Moutier lë pas Bernin: Targat e makinave ndryshojnë për të treguar Jura-n

Qyteti i Moutier ka nisur një aktivitet mjaft të pazakontë që nga 1 janari: ndërrimin e targave të makinave. Tani, shkronjat JU dhe stemën e kantonit Jura zëvendësojnë BE të kantonit Bern. Rreth 5,700 sete targash janë prekur nga kjo ndryshim, transmeton albinfo.ch.

Ky e martë do të mbetet një ditë e veçantë për André Hulmann, banor i Moutier-it: ai hoqi targat bernese nga makina e tij, duke lënë pas një numër regjistrimi që zakonisht mbahet gjatë gjithë jetës. Ai i zëvendësoi me targat e reja JU, që mbajnë stemën e kantonit të ri, të cilat i mori në degën e Zyrës së Regjistrimit të Automjeteve në Jura, e hapur posaçërisht për këtë rast.

“Është mahnitëse!”, u shpreh André Hulmann, banor i Jurës, për programin e lajmeve të RTS-së, duke përshkruar ndjesinë e parë të udhëtimit me targat e reja.

OKB: Ndërhyrja e SHBA-së në Venezuelë sfidon ligjin ndërkombëtar

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake e SHBA-së në Karakas “ka minuar një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare” dhe ka shprehur shqetësimin e saj të thellë, rapprton mediumi zviceran rts transmeton albinfo.ch.

Presidenti i përmbysur venezuelian, Nicolás Maduro, mbetet i burgosur në New York dhe do të paraqitet sërish në gjykatë më 17 mars. Gjatë paraqitjes së tij të parë, ai mohoi akuzat për trafik droge dhe theksoi se “ende është president i vendit të tij”. Maduro dhe bashkëshortja e tij u rrëmbyen të shtunën nga forcat amerikane gjatë një sulmi natën në Venezuelë dhe u transferuan në një burg federal në Brooklyn.

Maria Corina Machado, laureate e Çmimit Nobel për Paqen dhe lidere e opozitës, njoftoi se planifikon të kthehet në Venezuelë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ajo kritikoi ashpër Delcy Rodríguez, e cila u betua të hënën si president e përkohshme e Venezuelës.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se SHBA-ja tani është “në kontroll” të Venezuelës dhe kërcënoi Delcy Rodríguez me një fat më të keq se ai i Nicolás Maduro. Ai tha se SHBA do të udhëheqë vendin deri në një “transicion politik të sigurt”.

Sulmi amerikan në Karakas shkaktoi viktima të mëdha: 32 ushtarë kubanezë dhe 23 ushtarë venezuelianë humbën jetën.

Francë: Autoritetet paralajmërojnë për udhëtim të rrezikshëm për shkak të dëborës dhe akullit

Autoritetet franceze rekomandojnë që njerëzit të shmangin të gjitha udhëtimet me makinë në rajonin Île-de-France të mërkurën për shkak të motit të keq. Dëbora dhe akulli pritet të rikthehen me forcë në pjesë të mëdha të veriperëndimit të Francës, duke shkaktuar ndërprerje të rëndësishme në trafikun rrugor dhe ajror. Që nga e hëna, vendi ka regjistruar disa vdekje.

Météo-France ka shpallur alarm të portokalltë për dëborë dhe akull në 38 departamente për një pjesë të natës dhe gjatë gjithë ditës së mërkurë. Në perëndim pritet shi i ngrirë, ndërsa në rajonin Île-de-France dhe verilindje pritet dëborë e madhe. Dëbora mund të arrijë lokalisht deri në 10 centimetra dhe deri në 15 centimetra në Ardennes, me përmasa deri në dy-tre centimetra në orë.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, ka këshilluar fuqimisht drejtuesit e automjeteve që të shmangin çdo udhëtim të mërkurën në Île-de-France, si dhe përdoruesit e transportit publik në mëngjes. Ai njoftoi se metroja dhe trenat RER pritet të funksionojnë, por shërbimi i autobusëve mund të ndikojë në varësi të trashësisë së dëborës.

Prejardhja e fluturimeve dhe kufizime rrugore

Rreth 40% e fluturimeve të planifikuara midis orës 9:00 dhe 14:00 në aeroportin Paris-Charles-de-Gaulle janë anuluar, ndërsa 25% e fluturimeve në aeroportin Orly janë të anuluara midis orës 6:00 dhe 13:00, për shkak të pastrimit të pistave dhe operacioneve për heqjen e akullit nga avionët. Ministri shpreson që gjendja të normalizohet gjatë pasdites.

Gjithashtu, është vendosur një ndalim i trafikut për automjetet e rënda në rajonin Île-de-France, Perëndim (Brittany, Pays de la Loire) dhe Centre-Val de Loire. Në Île-de-France, shpejtësia maksimale për automjetet e lehta do të jetë 70 km/h të mërkurën. Autoritetet prefekturale po inkurajojnë gjithashtu punën nga shtëpia për ata që mund të punojnë në distancë.

Në rajonin Hauts-de-France, transporti shkollor dhe shërbimet e rregullta të autobusëve janë pezulluar tërësisht të mërkurën. Në departamentet Yvelines dhe Seine-et-Marne, transporti shkollor është gjithashtu pezulluar.

Viktimat dhe aksidentet

Që nga e hëna, kushtet e motit kanë shkaktuar disa vdekje, kryesisht për shkak të aksidenteve rrugore të lidhura me akullin e zi, ndërsa qindra kilometra trafik janë bllokuar. Në rajonin Landes, dy persona humbën jetën të martën në një përplasje ku ishin të përfshira dy autobuza dhe automjete të shumta. Një person i tretë vdiq në një aksident pranë Saint-Paul-lès-Dax, ndërsa një shofer 65-vjeçar u gjet i vdekur në Compiègne, ndoshta për shkak të të ftohtit.

Dëmet në rrjetin elektrik

Konsumi i energjisë elektrike në Francë tejkaloi 90 gigavat të martën, niveli më i lartë që nga 28 shkurt 2018. Në rajonin Pays de la Loire, 8,000 shtëpi mbetën pa energji për shkak të dëmtimeve në linjat elektrike nga dëbora.

Ministri Tabarot pranoi se ngjarja ishte nënvlerësuar disi nga Météo-France, veçanërisht në rajonin e Parisit.

Kosova pranon dërgesën e radhës së sistemeve raketore anti-tank OMTAS

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Foto: Ejup Maqedonci/FB

Sipas njoftimit, sistemi OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një armë moderne raketore anti-tank me rreze të mesme veprimi, e projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanket me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikatat ushtarake mbrojtëse, transmeton albinfo.ch.

Ministri Maqedonci theksoi se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për Forcën e Sigurisë së Kosovës synon mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të ndryshëm të kërcënimit. Kjo, sipas tij, do të kontribuojë në rritjen e fleksibilitetit operacional dhe kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës.

Foto: Ejup Maqedonci/FB

Kontrata me kompaninë turke Roketsan është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes për modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.

A ka ligj për qasjen e të miturve në bare dhe klube nate në Zvicër?

Në mungesë të një ligji federal, janë kantonet ato që përcaktojnë moshën minimale për hyrjen në bare dhe klube nate në Zvicër.

Nga 40 personat që humbën jetën në zjarrin në lokalin Le Constellation, gjysma ishin të mitur, ndërsa më të rinjtë ishin vetëm 14 vjeç. Kjo tragjedi ka rihapur debatin mbi qasjen e adoleshentëve në bare dhe klube nate në Zvicër. Por çfarë parashikon ligji për praninë e të rinjve në këto ambiente?

Nuk ka ligj federal, rregullat i caktojnë kantonet

Zvicra nuk ka një ligj federal që rregullon këtë çështje. Çdo kanton ka rregulloret e veta për mbrojtjen e të rinjve, megjithëse dallimet mes kantoneve të Zvicrës frëngjishtfolëse nuk janë shumë të mëdha.

Një moshë kyçe është pothuajse e njëjtë kudo: 16 vjeç. Mbi këtë moshë, hyrja në bare nuk paraqet problem. Nën këtë kufi, të miturit duhet të jenë të shoqëruar nga një i rritur me autoritet prindëror për të hyrë në bar, apo edhe në kafene-restorante gjatë mbrëmjes.

Ora nga e cila zbatohet ky kufizim ndryshon sipas kantonit. Në Valais, ku ndodhi tragjedia, kufiri është vendosur në orën 22:00. Gjeneva dhe Neuchâtel janë më liberalë, duke kërkuar mbikëqyrje nga të rriturit vetëm pas mesnatës. Në Jura, kufiri është ora 21:00, ndërsa në Vaud vetëm 20:00.

Pa dallim mes bareve dhe klubeve të natës në Valais

Këto rregulla vlejnë për bare, kafene dhe restorante, përfshirë edhe lokalin Le Constellation në Crans-Montana. Duhet theksuar se në Valais autoritetet nuk bëjnë dallim mes bareve dhe klubeve të natës, ndryshe nga shumica e kantoneve të tjera. Në shumë raste, ligji është edhe më kufizues për klubet e natës, ku hyrja për të miturit shpesh ndalohet plotësisht.

Sipas ligjit në Valais, 14- dhe 15-vjeçarët që ndodheshin në Crans-Montana duhej të ishin të shoqëruar nga një i rritur i autorizuar, si prindër, kujdestar ligjor apo një person tjetër me autorizim. Nëse kjo ka ndodhur mbrëmjen e 31 dhjetorit, mbetet e paqartë. Prokurorja e Përgjithshme e Valais, Béatrice Pilloud, deklaroi se hetimet do ta sqarojnë këtë çështje.

Përgjegjësia e menaxherëve dhe kontrollet

Sipas ligjit të Valais, është detyrë e menaxherëve të lokaleve të kontrollojnë moshën e klientëve të rinj. Në rast shkeljeje, parashikohen gjoba deri në 50 mijë franga zvicerane, si dhe heqja e lejes së ushtrimit të aktivitetit dhe mbyllja e lokalit.

Megjithatë, në praktikë këto kontrolle mund të anashkalohen. Ekspertë të sigurisë kanë shpjeguar se të miturit ndonjëherë hyjnë të shoqëruar nga një mik sapo madhor, por jo nga një përfaqësues ligjor. Gjithashtu, përdorimi i kartave të rreme studentore nuk është i rrallë.

Në rastin e Le Constellation, një dëshmitar i ri ka deklaruar se ishte e mundur të hyhej në lokal përmes një hyrjeje anësore me derë automatike, duke përdorur një kod PIN, çka lejonte shmangien e kontrolleve në hyrjen kryesore. Hetimet do të përcaktojnë nëse kjo rrugë është përdorur dhe nga sa persona natën e Vitit të Ri.

“Jam befasuar nga mosha e klientëve”

Drejtori i GastroVaud, Gilles Meystre, u shpreh i habitur nga mosha e një pjese të klientëve të lokalit. “Jam vaudois dhe legjislacioni ynë ndryshon nga ai i Valais: nën moshën 16 vjeç, nuk lejohet hyrja pa autorizim prindëror në kantonin Vaud”, tha ai në emisionin Forum.

Ai theksoi se hetimet duhet të përcaktojnë nëse kontrollet në Valais, dhe veçanërisht në Crans-Montana, kanë qenë të mjaftueshme dhe nëse operatori i lokalit ka përmbushur detyrimet ligjore.

Pa përjashtime të veçanta në Valais

Disa kantone parashikojnë përjashtime për ngjarje të veçanta. Në Fribourg, për shembull, prefekti mund të ulë kufirin e moshës për aktivitete të organizuara posaçërisht për adoleshentë në bare apo klube nate. Një dispozitë e tillë nuk ekziston në Valais. Për këtë arsye, më 31 dhjetor nuk ishte dhënë asnjë autorizim i veçantë për lokalin Le Constellation.