Dalja e parakohshme në pension mund të mos lejohet më në Zvicër

Qeveria zvicerane po synon të shtrëngojë kufizimet për daljen në pension të parakohshëm para moshës statutore 65 vjeç.

Për të arritur këtë qëllim, autoritetet po shqyrtojnë bllokimin e aksesit në fondet e pensioneve dhe përfitimet e shtyllës së tretë para moshës 63 vjeç.

Deri më tani, vetëm ata me asete të konsiderueshme të fondit të pensioneve, domethënë, personat me të ardhura të larta kanë qenë në gjendje të largohen nga fuqia punëtore që në moshën 58 vjeç falë përfitimeve plotësuese, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, për klasën e mesme, dalja në pension katër ose pesë vjet para moshës ligjore në përgjithësi nuk është e realizueshme, pasi uljet në përfitimet e pensioneve të shtyllës së dytë janë shumë të konsiderueshme.

Por në të ardhmen, të gjithë ka të ngjarë të trajtohen njësoj. Objektivi i deklaruar i këtij veprimi është të shmanget një sistem daljeje në pension të parakohshëm “me dy nivele”.

Emigracioni vazhdon të zbrazë Shqipërinë, shumica e diasporës nën moshën 45 vjeç

Emigracioni i vazhdueshëm po ndikon drejtpërdrejt në strukturën demografike të Shqipërisë, duke e bërë diasporën shqiptare gjithnjë e më të re në moshë. Të dhënat më të fundit tregojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit janë në moshë aktive pune, çka po thellon mungesën e fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë në vend.

 

Sipas një analize të publikuar nga Monitor, rreth 70 për qind e shqiptarëve që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian janë nën moshën 45 vjeç. Ky trend tregon se largimi nga vendi prek kryesisht të rinjtë dhe familjet e reja, të cilët kërkojnë mundësi më të mira punësimi, arsimimi dhe jetese në shtetet evropiane.

 

Ekspertët vlerësojnë se ky emigracion masiv po krijon sfida serioze për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet e vogla. Në të njëjtën kohë, diaspora shqiptare po luan një rol të rëndësishëm në vendet pritëse, duke kontribuar në tregun e punës dhe në ekonomitë lokale.

 

Ndërsa ndikimi i emigracionit në vend vazhdon të jetë i ndjeshëm, roli i diasporës mbetet thelbësor edhe për lidhjet ekonomike dhe shoqërore me atdheun, përmes dërgesave financiare dhe ruajtjes së identitetit kulturor,

Thirrje për mërgimtarët që nesër të shmangin rrugën kah Kastrati i Kurshumlisë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë u ka bërë thirrje mërgimtarëve dhe qytetarëve që do të shfrytëzojnë rrugën kah Serbia të mërkurën (24 dhjetor) të gjejnë një rrugë tjetër për shkak të një proteste të paralajmëruar në fshatin Kastrat të Kurshumlisë.

Protesta pritet të nisë nga ora 11:50 deri në orën 15:50, transmeton albinfo.ch.

“Duke u bazuar në burimet e hapura-mediat online, më datë, 24 Dhjetor 2025, është paralajmëruar bllokadë e rrugës, nga banorët lokal në segmentin rrugor, në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (SRB), nga ora 11.50 deri në ora 15.50. Ju inkurajojmë, që të shfrytëzoni rrugë tjera, me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë”, thuhet në njoftim. “Për çdo informatë shtesë, ju lutem kontaktoni në numrat e QKMK-së +38345198000, +38345198606 dhe 080050095”.

Protesta në Tiranë: Tre policë të lënduar, arrestohen 4 qytetarë, procedohen 7 të tjerë

Protesta e opozitës në Shqipëri ka nisur mbrëmë në mënyrë paqësore ndërsa ka eskaluar menjëherë pas fjalimit të liderit demokratik, Sali Berisha, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar tre policë, përcjell albinfo.ch.

Protestuesit hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, dhe si rrjedhojë janë arrestuar 4 prej tyre e janë proceduar penalisht 7 të tjerë.

Penalisht procedohet dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.

“Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;

-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.

3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim, shkruan TCH.

Zgjatet orari i shërbimeve për dokumente gjatë festave të fundvitit në Kosovë

Qendrat për Pajisje me Dokumente në Kosovë do të kenë orar të zgjatur pune gjatë periudhës së festave të fundvitit, me qëllim që qytetarët dhe bashkatdhetarët të kenë qasje më të lehtë në shërbimet administrative. Vendimi vjen në një kohë kur fluksi i kërkesave rritet ndjeshëm, për shkak të kthimit të diasporës dhe nevojës për pajisje me dokumente personale.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Agjencisë së Regjistrimit Civil, orari i punës në Qendrat për Pajisje me Dokumente do të zgjatet gjatë periudhës festive, duke u mundësuar qytetarëve të kryejnë shërbime edhe pas orarit të zakonshëm të punës.

Vendimi parasheh që nga data 23 dhjetor 2025 deri më 15 janar 2026, shërbimet të ofrohen deri në orën 18:00 në të gjitha qendrat në nivel vendi. Po ashtu, edhe dita e shtunë do të jetë ditë pune në disa raste të caktuara, për të përballuar kërkesat e shtuara të qytetarëve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se në këto qendra do të ofrohen shërbime për pajisje me letërnjoftime, pasaporta dhe dokumente të tjera personale, duke synuar të shmangen pritjet e gjata dhe ngarkesat në sportele gjatë ditëve të festave.

Kjo masë pritet të ndihmojë veçanërisht bashkatdhetarët që kthehen në Kosovë për pushime, por edhe qytetarët që për arsye pune apo udhëtimi kanë nevojë urgjente për dokumente, duke e bërë procesin më efikas dhe më të qasshëm.

Zgjatja e orarit shihet si pjesë e angazhimit të institucioneve për të përmirësuar shërbimet publike dhe për t’iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve gjatë periudhave me fluks të lartë, përcjell albinfo.ch.

Linku:
mpb.rks-gov.net

Trump tërheq rreth 50 ambasadorë amerikanë në botë

Administrata e Presidentit Donald Trump ka tërhequr afërsisht 50 ambasadorë amerikanë nga vende të ndryshme në botë, raporton New York Post. Kjo përfshin diplomatët në Afrikë, Azi, Evropë Lindore, si dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore.

Ky hap vjen pas një zëvendësimi të madh të zyrtarëve të emëruar nga ish-Presidenti Joseph Biden në fillim të mandatit të dytë të Trump. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit theksoi se ky është “një proces standard në çdo administratë” dhe se ambasadorët përfaqësojnë personalisht presidentin.

Ndër vendet ku u tërhoqën diplomatët janë:

Afrikë: Kong, Egjipt, Nigeri, Ruandë, Somali, Sudani i Jugut, dhe përfaqësuesi në Bashkimin Afrikan.

Evropë: Armenia, Lituania, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia.

Afrika mbetet kontinenti me numrin më të madh të ambasadorëve të tërhequr, 25 në total.

Zvicra paralajmëron për rreziqet e ruajtjes së të dhënave shtetërore jashtë vendit

Autoritetet zvicerane të mbrojtjes së të dhënave kanë paralajmëruar institucionet shtetërore për rreziqet e ruajtjes së të dhënave sensitive në platforma të huaja “cloud”. Konferenca Zvicerane e Oficerëve të Mbrojtjes së të Dhënave (Privatim) ka miratuar një rezolutë që u bën thirrje autoriteteve të favorizojnë zgjidhje vendore ose evropiane për ruajtjen dhe përpunimin e informacionit.

Sipas Privatim, shumë qendra të të dhënave ndodhen jashtë Zvicrës ose janë në pronësi të kompanive të huaja, çka rrit rrezikun e qasjes së paautorizuar dhe e vështirëson kontrollin mbi të dhënat. Oficerja e mbrojtjes së të dhënave për kantonin e Friburgut, Martine Stoffel, thekson se zgjidhjet publike “cloud” nuk ofrojnë gjithmonë enkriptim të plotë dhe përfshijnë shpesh nënkontraktorë të shumtë.

Rezoluta rekomandon që të dhënat shumë sensitive, si ato shëndetësore, bindjet fetare apo informacionet mbi sanksionet ndaj individëve, të mos ruhen në “cloud”-e publike. Për këto raste sugjerohen alternativa si “cloud”-e zvicerane ose evropiane, ruajtje lokale ose enkriptim me menaxhim të çelësave nga vetë autoritetet publike.

Megjithatë, Privatim nuk kërkon braktisjen e plotë të teknologjisë “cloud”, duke vlerësuar se të dhënat publike mund të vazhdojnë të ruhen aty. Një tjetër shqetësim i ngritur është edhe rreziku ligjor që lidhet me Cloud Act amerikan, i cili u mundëson autoriteteve të SHBA-së të kenë akses në të dhëna të menaxhuara nga kompani amerikane, edhe kur serverët ndodhen jashtë territorit të tyre.

Renditja e FIFA-s: Shqipëria dhe Kosova e mbyllin vitin pa ndryshime

Kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës kanë ruajtur pozitat e tyre në renditjen më të fundit të FIFA-s për vitin 2025, pa shënuar lëvizje krahasuar me listën paraprake.

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit e përfundon vitin në vendin e 63-të në botë, duke konfirmuar një stabilitet të renditjes pas paraqitjeve gjatë këtij viti. Ndërkohë, Kosova mbetet në pozitën e 80-të, duke e mbyllur vitin pa ndryshim në klasifikimin ndërkombëtar.

Në rajon, Maqedonia e Veriut ka pësuar një rënie minimale, duke zbritur për një vend dhe duke u renditur në pozitën e 66-të, ndërsa përfaqësuesja e Hondurasit ka përfituar nga kjo lëvizje.

Sa i përket kreut të renditjes botërore, nuk ka ndryshime, me Spanjën që mban vendin e parë, e ndjekur nga Argjentina, Franca, Anglia dhe Brazili.

 

Osmani shpreh mirënjohje për SHBA-në për garantimin e sovranitetit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka shprehur  Zëvendës Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), dhe për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Gjatë vizitës në Uashington presidentja Osmani ka shprehur falënderim edhe për vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazohet në njohje reciproke, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka diskutuar gjithashtu për zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar rëndësinë e avancimit të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, transmeton Albinfo.ch.

Presidentja ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump.

Sipas saj, ky përkushtim është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera konkrete që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për këtë administratë.

Në këtë takim, presidentja Osmani ka ngritur edhe çështjen e shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për adresimin e kësaj çështjeje.

Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka shprehur mirënjohje për politikën e qartë të Administratës Trump, sipas së cilës dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke, si dhe për përjashtimin e ideve të rrezikshme për ndryshime kufijsh apo ndarje territoriale. Kjo qasje, ka theksuar ajo, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Takimi me Zëvendës Sekretarin Landau, që është takimi i dytë bilateral mes tyre gjatë këtij viti, përfundoi me ritheksimin e Presidentes Osmani se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit të saj të përhershëm./Albinfo.ch/

Arrestohet një kosovar në Suedi, i dyshuar për përfshirje në trafikim droge

Një shtetas kosovar është arrestuar në zonën e Goteborgut, në Suedi, si rezultat i një operacioni të përbashkët mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë Suedeze.

Sipas autoriteteve suedeze, i dyshuari ndodhet tashmë në paraburgim dhe akuzohet për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës dhe shpëlarjen e parave, raporton Albinfo.ch.

Prokuroria Suedeze ka njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar sende me vlerë dhe prova dixhitale në Suedi, të cilat do të shërbejnë për vazhdimin e hetimeve dhe për analiza të detajuara të flukseve financiare.

Në njoftim e Sistemit Prokurorial të Kosovës theksohet se operacioni i koordinuar në Kosovë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka luajtur rol kyç në mundësimin e sekuestrimeve të kryera në vend.

“Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale është karakterizuar nga profesionalizëm i lartë dhe bashkëpunim i plotë, i cili ka qenë një parakusht për të qenë në gjendje të sigurojmë prona, para të gatshme dhe një automjet në këtë rast”, thotë Prokurori në Autoritetin Suedez të Krimit Ekonomik,  Daniel Larson.

Ky rast konsiderohet një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar mes Prokurorisë Suedeze dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar./Albinfo.ch/

Kina vendos tarifa të reja ndaj produkteve të qumështit nga Europa

Një front i ri është hapur në marrëdhëniet tashmë të tensionuara tregtare mes Kinës dhe Bashkimit Evropian. Pekini do të vendosë tarifa doganore ndaj disa produkteve evropiane të qumështit, një masë e dënuar ashpër nga BE-ja dhe nga prodhuesit evropianë, të cilët e konsiderojnë plotësisht të pajustifikuar.

Këto tarifa “të përkohshme”, që variojnë nga 21.9% deri në 42.7%, do të hyjnë në fuqi të martën, njoftoi të hënën Ministria Kineze e Tregtisë. Ato prekin një gamë të gjerë produktesh, përfshirë djathërat e freskët dhe të përpunuar, djathërat blu, si dhe disa lloje qumështi dhe kremi. Sipas Pekinit, këto produkte përfitojnë nga subvencione që shkaktojnë “dëm të konsiderueshëm” për konkurrencën kineze.

“Kjo është një zhvillim shumë negativ” në marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës, reagoi një zëdhënës i Komisionit Evropian. “Është një tronditje, një goditje e vërtetë”, shtoi François-Xavier Huard, drejtor ekzekutiv i Federatës Kombëtare të Industrisë së Qumështit, e cila përfaqëson industrialistë francezë si Lactalis dhe Danone.

Një masë hakmarrëse

Qeveria kineze e mori këtë vendim në kuadër të një hetimi kundër subvencioneve, të nisur në gusht 2024, zyrtarisht pas një kërkese nga Shoqata Kineze e Qumështit.

Megjithatë, për evropianët kjo përbën një masë hakmarrëse, pasi hetimi u njoftua një ditë pasi BE-ja shpalli vendimin për të vendosur tarifa të larta ndaj automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë.

Sipas Komisionit Evropian, Pekini planifikon ta përfundojë hetimin ndaj sektorit evropian të qumështit më 21 shkurt, moment në të cilin tarifat mund të bëhen përfundimtare.

Përpjekje për të bindur Pekinin

Brukseli po përpiqet ta bindë Kinën të heqë dorë nga kjo masë. “Analiza jonë tregon se ky hetim bazohet në pretendime të dyshimta dhe prova të pamjaftueshme, prandaj masat janë të pajustifikuara dhe të pabazuara”, deklaroi Olof Gill, zëdhënës i Komisionit Evropian.

“Po bëjmë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur fermerët dhe eksportuesit e BE-së, si dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, nga keqpërdorimi i masave mbrojtëse tregtare nga Kina”, shtoi ai, duke kujtuar se Komisioni e ka referuar çështjen edhe në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Tensione të shumta tregtare

Javën e kaluar, Kina njoftoi gjithashtu vendosjen për pesë vjet të taksave “anti-dumping”, nga 4.9% deri në 19.8%, mbi mishin e derrit dhe nënproduktet e tij të importuara nga BE-ja, bazuar në një tjetër hetim të hapur në korrik 2024. Kjo masë u prit me njëfarë lehtësimi nga prodhuesit evropianë të derrit, të cilët përballeshin me tarifa të përkohshme edhe më të larta, që mund të arrinin deri në 62.4%.

Elemente të rralla dhe çipa elektronikë

Marrëdhëniet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë tensionuar që nga viti 2024. Përveç konkurrencës së pandershme në tregun automobilistik, të denoncuar nga evropianët, BE-ja akuzon Pekinin për ruajtjen e kapaciteteve të mëdha të tepërta në prodhimin e çelikut përmes subvencioneve, duke rrezikuar industrinë evropiane.

Për këtë arsye, Komisioni Evropian propozoi këtë vjeshtë masa mbrojtëse të paprecedenta për të shpëtuar industrinë e çelikut në Evropë.

Kufizimet e eksporteve kineze të elementeve të rralla, lëndë të para thelbësore për shumë sektorë të ekonomisë evropiane, kanë shkaktuar gjithashtu tensione të forta, të përforcuara më tej nga mosmarrëveshja mes Pekinit dhe Hagës lidhur me prodhuesin e komponentëve elektronikë Nexperia.

A mund të detyrojnë kompanitë farmaceutike rritje të çmimeve të ilaçeve në Zvicër?  

Ulja e çmimeve të barnave në Shtetet e Bashkuara, pas një marrëveshjeje të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump me kompani të mëdha farmaceutike, pritet të ketë pasoja edhe në Zvicër. Marrëveshja përfshin edhe gjigantë zviceranë si Novartis dhe filiali amerikan i Roche.

Sipas drejtuesve të industrisë farmaceutike, çmimet më të ulëta në tregun amerikan do të thonë më pak të ardhura, çka rrit presionin për të kompensuar humbjet në tregje të tjera. Në këtë kontekst, drejtori ekzekutiv i Roche, Thomas Schinecker, ka paralajmëruar se çmimet e barnave në Zvicër mund të rriten.

Megjithatë, ekonomisti i shëndetësisë Tilman Slembeck nga ZHAW thekson se mundësitë e kompanive farmaceutike për të imponuar rritje çmimesh në Zvicër janë të kufizuara. Ndryshe nga SHBA-ja, në Zvicër çmimet dhe miratimet e barnave kalojnë përmes procedurave shtetërore dhe negociatave me Këshillin Federal.

Sipas Slembeck, tregu zviceran ka rëndësi strategjike jo për shkak të volumit të shitjeve, por sepse çmimet në Zvicër përdoren shpesh si pikë reference për krahasimet ndërkombëtare. Për këtë arsye, kompanitë kanë interes që çmimet të mbeten sa më të larta.

Autoritetet zvicerane kanë përsëritur se qytetarët nuk duhet të paguajnë përmes primeve të sigurimeve shëndetësore koston e uljes së çmimeve në SHBA. Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, ka deklaruar se Zvicra nuk do të pranojë presionet e industrisë farmaceutike.

Slembeck vlerëson se moslëshimi pe nga ana e qeverisë federale është vendimtar. Një tërheqje, sipas tij, do të krijonte precedent të rrezikshëm dhe do të nxiste kërkesa të ngjashme nga aktorë të tjerë të sistemit shëndetësor.

Sa i përket kërcënimeve të industrisë për zhvendosje të vendeve të punës apo vonesa në furnizim me barna, eksperti thekson se këto janë skenarë të njohur dhe kryesisht presion politik, ndërsa ndikimi real mbetet i kufizuar.

 

Studim i ri zbulon pse zjarrfikësit profesionistë në Zvicër po largohen nga profesioni

Një studim i ri në Zvicër ka hedhur dritë mbi arsyet pse një numër gjithnjë e më i madh i zjarrfikësve profesionistë po largohen nga puna ose po ndryshojnë karrierë, shpesh përpara moshës së pensionimit, transmeton albinfo.ch.

Zjarrfikësit profesionistë janë ndër reaguesit e parë në raste emergjencash, aksidentesh, zjarresh dhe fatkeqësish natyrore. Puna e tyre kërkon reagim të menjëhershëm, përgatitje fizike të lartë dhe përballje të vazhdueshme me stres ekstrem. Sipas përfaqësuesve sindikalë, deri më tani mungonin të dhënat konkrete mbi largimet nga ky profesion, ndërsa informacionet ishin kryesisht të fragmentuara.

Studimi, i realizuar nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arteve i Zvicrës Veriperëndimore (FHNW), tregon se mosha e daljes në pension ndryshon ndjeshëm, duke filluar nga 60 deri në 65 vjeç, në varësi të qytetit dhe kushteve të punës. Kjo mospërputhje ka nxitur debat mbi përshtatshmërinë e moshës zyrtare të pensionit për këtë profesion fizikisht të rëndë.

Sindikata VPOD vlerëson se pensionimi në moshën 65 vjeç është shumë i vonë për zjarrfikësit profesionistë dhe kërkon zgjidhje sektoriale për pensionim të parakohshëm, të ngjashme me profesionet e tjera me konsum të lartë fizik. Qëllimi, sipas tyre, është që punonjësit të hyjnë në fazën e tretë të jetës me shëndet sa më të mirë.

Nga ana tjetër, Shoqata e Zjarrfikësve Profesionistë thekson se presioni kohor dhe natyra e operacioneve e bëjnë të vështirë lehtësimin e barrës individuale gjatë ndërhyrjeve. Për më tepër, mungesa e një sistemi të unifikuar pensionimi lidhet me faktin se zjarrfikësit punësohen nga komuna të ndryshme, çka kërkon zgjidhje politike lokale.

Studimi vëren gjithashtu një rritje të dorëheqjeve në mesin e karrierës, pra te zjarrfikës që kanë ende vite pune përpara. Arsyet përfshijnë probleme shëndetësore, mungesë perspektive për avancim, kalim në sektorin privat ose transferim në shërbime të tjera zjarrfikëse.

Si masa afatshkurtra, autorët e studimit sugjerojnë ndryshime organizative, si heqja e rregullave të banimit të detyrueshëm pranë vendit të punës dhe ofrimi i modeleve fleksibile të punës, përfshirë oraret me kohë të pjesshme. Sindikata ka paralajmëruar se do të hapë dialog me autoritetet dhe shërbimet zjarrfikëse, me fokus të veçantë çështjen e pensionimeve.

 

Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve

Fehmi Mahalla, i lindur më 1981 në Ferizaj dhe i rritur në Lozanë që nga viti 1990, është një nga figurat më të spikatura shqiptare në sportin e karatesë, si garues dhe si trajner i disa prej emrave më të suksesshëm të gjeneratave të fundit. Rruga e tij nisi herët, nën udhëheqjen e babait të tij, Fahri Mahalla, në klubin e karatesë “Dardania Lausanne”, aty ku formoi disiplinën, teknikën dhe karakterin që e shoqërojnë edhe sot.

Sukseset si garues – një karrierë e kulluar prej kampioni

Fehmi Mahalla është pjesë e historisë së karatesë zvicerane, me rezultate që pak sportistë në Evropë mund t’i arrijnë:

Kampion i Evropës për seniorë, kategorisë së rëndë – Tenerife, 2005

Kampion i Lojërave Frankofone (2005–2007)

Fitues 3 herë i turneut më prestigjioz botëror, Open d’Paris, në kategorinë e rëndë dhe absolute

14 herë Kampion Shtetëror i Zvicrës

Pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës për afro 20 vite

Foto: Genti Mersinaj

Ai luftoi për Zvicrën në një kohë kur Kosova ende nuk mund të përfaqësohej si shtet në arenën ndërkombëtare. Në këtë cilësi, Mahalla jo vetëm shënoi rezultate të jashtëzakonshme, por mbeti edhe shembull i dinjitetit dhe profesionalizmit në diasporë.

Fehmi Mahalla – trajner i kampionëve

Pas karrierës si sportist elitar, Mahalla u bë trajner i kërkuar në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri, duke u kthyer në arkitekt të sukseseve ndërkombëtare të dhjetëra sportistëve.

Këta janë kampionët që ka kalitur Fehmi Mahalla:

albinfo.ch
albinfo.ch

Alvin Karaqi – Kampion i Lojërave Olimpike Evropiane, nënkampion i Evropës dhe Mesdheut, fitues i Premier League (Përfaqësues i Shqipërisë)

Orges Arifi – 2x Nënkampion i Evropës (Për Shqipërinë)

Kujtim Bajrami – 2x Nënkampion i Evropës, vendi i tretë në Botëror (Për Zvicrën)

Herolind Nishevci – Vendi i tretë në Kampionatin Botëror (Për Kosovën)

Në rolin e trajnerit të përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka kontribuar në ngritjen e këtyre dy ekipeve në nivele historike. Me Shqipërinë ka arritur dy medalje të argjendta evropiane, ndërsa me Kosovën rezultatin e jashtëzakonshëm të vendit të tretë në Evropë dhe Botë.

“Shpërblimi më i madh për një trajner është medalja e nxënësit”

Në rrëfimin e tij, Fehmi Mahalla e përshkruan suksesin me një thjeshtësi karakteristike: “Kënaqësia më e madhe nuk është vetëm medalja ime, por ajo e garuesit. Aty shpërblehet puna e trajnerit”.

Për të rinjtë, ai ka një mesazh të qartë: “Shpëtimi është te disiplina dhe te puna. Vetëm punë, punë dhe njerëz të duhur përreth. Vetëm kështu ecet përpara”.

Foto: Genti Merisnaj

Sfida dhe e ardhmja

Mahalla pranon se angazhimet profesionale në Zvicër e kufizojnë praninë e tij të përditshme në stërvitje, por synimi mbetet i pandryshuar: të jetë pranë garuesve që kanë potencial të shndërrohen në kampionë evropianë dhe botërorë.

“Në Zvicër niveli i të rinjve shqiptarë në karate ka rënë paksa, ndërsa Kosova dhe Shqipëria po shënojnë rritje dhe rezultate të jashtëzakonshme në skenën ndërkombëtare. Kjo më jep motivim të vazhdueshëm për të kontribuar aty ku talenti shqiptar po del në pah fuqishëm”, thekson Mahalla.

VIDEO:

Lidh tri hapësira shqiptare, përmes sportit

Fehmi Mahalla mishëron modelin e sportistit dhe trajnerit të diasporës: i përkushtuar, punëtor, me standarde të larta dhe me një sens të fortë përgjegjësie ndaj të rinjve shqiptarë. Sukseset e tij në Zvicër dhe ndikimi i tij në Shqipëri e Kosovë e bëjnë figurë shembullore – një histori suksesi që lidh tri hapësira shqiptare përmes sportit.

 

Emërimi i një të dërguari special: Danimarka dhe Grenlanda me deklaratë të përbashkët kundër vendimit të Trumpit

Kryeministrat e Danimarkës dhe Grenlandës kanë lëshuar një deklaratë, përmes së cilës kanë kërkuar respekt për kufijtë e shteteve të tyre pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump emëroi një të dërguar special në territorin danez, për të cilin ai e ka thënë vazhdimisht se duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së.

“E kemi thënë shumë qartë më parë. Tani e themi përsëri: nuk mund të aneksoni vende të tjera. Parimet themelore janë në rrezik. Grenlanda u përket grenlandezëve dhe SHBA-ja nuk duhet ta pushtojë Grenlandën. Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”, thuhet në deklaratën e kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen dhe të Grenlandës, Jens-Frederik, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, dje Trump ka emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special të SHBA-së në ishullin e madh Arktik të pasur me minerale.

Ndërprerje udhëtimi që priten kur fluturoni nga Zvicra këtë sezon festash

Udhëtimi midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri nuk është aspak një përvojë relaksuese. Për çfarë duhet të jeni të përgatitur kur të largoheni nga Zvicra në ditët në vijim?

Së pari: mbërrini në aeroport në kohë… dhe kini durim

Edhe para se të hipni në aeroplan, jini të përgatitur për turma të mëdha dhe radhë të gjata në të gjitha aeroportet e Zvicrës:

Cyrih

“Periudha e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri është një nga kohët më të ngarkuara të vitit për udhëtime në Aeroportin e Cyrihut,” tha zëdhënësja Livia Caluori.

“Për shkak të rritjes së vëllimit të pasagjerëve, mund të ketë kohë më të gjata pritjeje, veçanërisht gjatë orëve të pikut – për shembull në regjistrim, pikat e kontrollit të sigurisë ose kontrollin e pasaportave,” shtoi ajo.

Gjenevë

Meqenëse pritet që më shumë pasagjerë të rreshtohen në regjistrim dhe siguri, “ne ju rekomandojmë që të arrini tre orë para nisjes së fluturimit tuaj,” tha menaxhmenti i aeroportit.

EuroAirport

Meqenëse qasja rrugore në EuroAirport është aktualisht e ndërprerë, pasagjerëve u kërkohet të lënë kohë shtesë për të udhëtuar drejt aeroportit.

Përveç kësaj

Edhe pse grevat janë relativisht të rralla në Zvicër, ato janë shumë më të zakonshme jashtë vendit – duke përfshirë edhe gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Imagjinoni të udhëtoni jashtë vendit dhe të gjendeni të bllokuar për shkak të një greve në transport.

Sipas Euronews, “grevat e udhëtimit janë bërë një pjesë e njohur e sezonit festiv, pasi punëtorët synojnë një nga periudhat më të ngarkuara të vitit në luftën e tyre për paga dhe kushte më të mira”.

Ku do të ndodhin grevat gjatë javës së fundit të vitit 2025?

Nga 26 deri më 29 dhjetor, stafi tokësor i EasyJet në Aeroportin Luton të Londrës do të bëjë grevë, prandaj prisni vonesa me regjistrimin dhe trajtimin e bagazheve kur të mbërrini nga Zvicra.

Dhe nëse udhëtoni për në Spanjë me Ryanair, kini kujdes se stafi që punon për partnerin spanjoll të shërbimit tokësor të linjës ajrore, Azul Handling, ka organizuar greva javore.

Ato do të vazhdojnë deri më 31 dhjetor, të mërkurën, të premten, të shtunën dhe të dielën midis orës 5 dhe 9 të mëngjesit, 12 dhe 3 pasdite, si dhe nga ora 9 e mbrëmjes deri në mesnatë.

Një tjetër problem i mundshëm: kontrolle të shtuara kufitare

Qeveria njoftoi më 19 dhjetor se, për të parandaluar imigracionin e paligjshëm, Zvicra po rrit kontrollet në kufijtë e saj, dhe veçanërisht në kufirin me Italinë.

Kjo do të thotë se kryhen kontrolle më të rrepta dhe më të rregullta – diçka që duhet ta mbani mend nëse po udhëtoni drejt Zvicrës nga Italia, pasi mund të kërkohen pritje më të gjata në pikat e kontrollit kufitar.

Por kjo nuk është e gjitha: nëse po fluturoni brenda Evropës dhe nuk keni një pasaportë zvicerane ose të BE/EFTA-s (Norvegji, Islandë ose Lihtenshtajn), prisni radhë më të gjata në Sistemin e Hyrjes/Daljes (EES) në aeroportet e destinacionit tuaj. (I njëjti rregull vlen edhe kur fluturoni drejt Zvicrës nga jashtë vendit).

Siç raportohet nga Euronews, “Kontrollet e reja kufitare tashmë po shkaktojnë dhimbje koke për pasagjerët, të cilët kanë raportuar radhë të gjata ndërsa njerëzit kalojnë nëpër procedurat e përpunimit për herë të parë. Një raport nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI) Evropë ka paralajmëruar se në aeroportet më të prekura – veçanërisht në Francë, Gjermani, Greqi, Islandë, Itali, Portugali dhe Spanjë – kohët e pritjes mund të jenë deri në tre orë.”

“Në disa raste, vonesat kanë rezultuar në humbjen e fluturimeve të pasagjerëve.”

Raporti i BE-së për liberalizimin e vizave: Shqetësuese rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova

Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka vazhduar t’i përmbushë obligimet që nga liberalizimi i vizave, por ka kërkuar që të bëhet më shumë në informimin e qytetarëve të Kosovës se lëvizja pa viza nuk duhet të keqpërdoret për të kërkuar azil të pabazuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Në raportin vjetor të liberalizimit të vizave për të gjitha shtetet nëpër botë, BE-ja konstaton me shqetësim se keqpërdorimi i liberalizimit për të kërkuar azil ka vazhduar ndërsa në disa raste, si ai i Kosovës, ka ardhur deri te rritja e kërkesave për azil. Në këtë raport, Komisioni Evropian ka përdorur shifrat për vitin 2024 për të cilin ato janë të plota. 

 Sipas raportit të Komisionit Evropian, gjatë vitit 2024 ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të kërkesave për azil nga shtetasit e Kosovës me më shumë se mbi 6.700 kërkesa të regjistruara. Kjo shifër është më e vogël sesa kërkesat nga ana e shtetasve të Shqipërisë. Në rastin e Shqipërisë trendi është në ulje, ndërsa në atë të Kosovës është në rritje krahasuar me një vit më herët.

Komisioni Evropian në këtë raport thekson se parandalimi i paraqitjes së kërkesave të pabazuara për azil duhet të mbetet prioritet për të gjithë partnerët që gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza, e kjo vlen sidomos për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Komisioni Evropian kërkon që autoritetet e Kosovës të bashkëpunojnë edhe më shumë me vendet anëtare të BE-së për të adresuar në mënyrë më të mirë problemin e kërkesave të pabazuara për azil.

Komisioni Evropian njeh faktin se autoritetet në Kosovë kanë zhvilluar fushata të duhura për ndërgjegjësimin e qytetarëve, por kërkon që të vazhdojë me këtë proces, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë më mirë të drejtat dhe obligimet që dalin nga liberalizimi i vizave.

Nga Kosova, sikur edhe nga vendet e tjera që kanë liberalizim vizash, kërkohet që edhe më shumë të përshtatin regjimin e tyre për viza me atë të BE-së. Kjo ka të bëjë me mundësinë e ardhjes pa viza në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, e pastaj kalojnë ilegalisht në territorin e BE-së. Këtë dukuri BE-ja, sidomos në rastin e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, e sheh edhe si rrezik potencial për sigurinë e BE-së. 

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova edhe parandalimin e lëshimit të dokumenteve false të identitetit dhe udhëtimit me identitete të rreme, si dhe me përmirësimin e kapaciteteve për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara.

Kërkohet që të vazhdohet bashkëpunimi me Interpolin për dokumentet e humbura dhe të vjedhura e të zbatohet në tërësi ligji i ri dhe Udhëzimi Administrativ për Kartat e Identitetit, në mënyrë që të rritet edhe siguria e dokumenteve.

BE-ja vazhdimisht ka rikujtuar Kosovën dhe vendet e tjera se me hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave nuk kanë përfunduar obligimet për të përmbushur kërkesat, por ato janë të vazhdueshme./KOHA

Kanë rrahur politikanin e SVP-së: Arrestohen tre veta – njëri prej tyre, kosovar

Në korrik, një politikan i SVP-së u sulmua në Zofingen. Policia kantonale e Aargaut arrestoi së fundmi tre persona në lidhje me këtë grindje. Të arrestuarit janë një shtetas zviceran 20-vjeçar, një shtetas gjerman 21-vjeçar dhe një shtetas kosovar 19-vjeçar, transmeton albinfo.ch

Të tre akuzohen në lidhje me një sulm mbi René Schindler, 53 vjeç,  anëtar i SVP-së i Zofingenit në parlamentin kantonal. Është kërkuar paraburgim, siç raportohet nga “Aargauer Zeitung”.

Ai ksihte pësuar lëndime në kokë, mavijosje dhe kishte humbur një dhëmb nga sulmi ndërsa po ecte për në shtëpi nga festivali tradicional i fëmijëve në Zofingen në orën 23:00. Ai kërkoi trajtim spitalor. Tre të rinjtë ikën para se të mbërrinte policia.

Sipas viktimës, sulmi kishte ndodhur pasi ai ishte përpjekur të ndërmjetësonte në mes të një grupi të rinjsh që ishin duke u rrahur mes vete.

“Policia ka bërë një punë të shkëlqyer,” thotë Schindler për gazetën  “Aargauer Zeitung”. “Ndihesha se po merrem seriozisht dhe po mbështetesha mirë gjatë gjithë procesit”, thotë ai.

Vetë Schindler kontribuoi në hetim.

“Dikush më dërgoi foto të një të riu dhe unë njoha njërin nga sulmuesit e mi në to”, shpjegoi ai. “Pastaj ia dërgova fotot policisë”, përcjell albinfo.ch. Më vonë, atij iu treguan edhe foto të tjera në të cilat ai njohu një autor të dytë me “siguri 98 për qind”.

Arrestimet u bënë të mundura “falë punës së kujdesshme hetimore të policisë kantonale”, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik për gazetën AZ.

Një vit i shkëlqyer për arin me një vit 2026 të favorshëm përpara

Viti 2025 ishte një vit i shkëlqyer për arin. Metali i verdhë fitoi më shumë se 60%, duke përditësuar vazhdimisht rekordet e tij.

Të hënën, për herë të parë në histori, është tejkaluar çmimi prej 4400 dollarësh (3488 CHF) për ons (domethënë kilogrami është rreth 113,000 CHF). Dhe sipas ekspertëve, të gjithë përbërësit janë aty që edhe viti 2026 të jetë i favorshëm.

Një nga faktorët kryesorë pas nivelit të lartë të çmimeve është dhe mbetet pasiguria globale. Këto variojnë nga pasojat e politikës doganore të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, të cilat janë ende të vështira për t’u vlerësuar, deri te konfliktet e shumta gjeopolitike, veçanërisht lufta në Ukrainë.

Në kohë si këto, ari është pasuria më e sigurt kur bëhet fjalë për mbrojtjen e një portofoli dhe ruajtjen e vlerës së tij. Një qasje që për më tepër tejkalon shekujt, duke sugjeruar se asgjë nuk ka ndryshuar: në Romën e lashtë një ons ari bënte të mundur blerjen e një tunike elegante, sot me të njëjtën sasi mund të blini një kostum elegant.

Por bankat qendrore janë gjithashtu një faktor i rëndësishëm. Meqenëse dollari amerikan është monedha referuese në botë, ai ka qenë prej kohësh monedha rezervë “par excellence”, shkruan swissinfo. Megjithatë, kohët e fundit, një trend ka fituar vrull midis bankave qendrore të vendeve në zhvillim: shkëputja nga supremacia e dollarit. Ari shërben si zëvendësim.

Sipas llogaritjeve nga ekspertët e kompanisë së investimeve VanEck, që nga viti 2022 bankat qendrore në të gjithë botën janë blerës neto të arit dhe ruajnë më shumë se 1,000 ton në vit. Edhe në vitin 2025 ky trend vazhdoi, me rreth 700 ton tashmë në fund të tetorit, sipas prodhuesit të arit Heraeus. Këto blerje janë një mbështetje e madhe për çmimin e metalit, transmeton albinfo.ch.

Sidomos në Kinë, braktisja e dollarit është pjesë e strategjisë dhe blerjet aktuale mund të jenë edhe më të larta se shifrat zyrtare, spekulon Arthur Jurus, drejtor investimesh i bankës private Oddo BHF Suisse. Sipas Commerzbank, megjithatë, rezervat e arit të bankave qendrore nuk ka gjasa të rriten pafundësisht. Në fakt, rezervat tradicionalisht kanë për qëllim të sigurojnë tregtinë e jashtme dhe t’u ofrojnë importuesve valutë të huaj të mjaftueshme për të paguar mallrat e tyre: kjo është vështirë e mundur me arin.

Pastaj është politika monetare: normat e ulëta të interesit barazohen me një çmim më të lartë të arit. Në të vërtetë, normat e ulëta reale të interesit e bëjnë metalin e çmuar, i cili në vetvete nuk gjeneron asnjë të ardhur, më tërheqës. Dhe në vitin 2026, normat e interesit pritet të vazhdojnë të bien, të paktën në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë kontekst, kryetari i ri i Rezervës Federale do të luajë një rol vendimtar. Pasardhësi më i mundshëm i Jerome Powell është Kevin Hassett, një mbështetës besnik i Trump dhe për këtë arsye një garantues i uljeve të kostos së parasë të kërkuara vazhdimisht nga presidenti amerikan. Deri në fund të mandatit të Powell në maj, situata e normave të interesit mund të mbetet ende e qetë.

IG Markets ofron një arsye tjetër për trendet aktuale, megjithëse një më pak themelore. Në SHBA së shpejti do të ketë zgjedhje afatmesme dhe, sipas statistikave, vite të tilla janë të mira për arin, shpjegon Christian Henke, analisti kryesor i tregut. Në periudha të tilla, luhatshmëria rritet, aksionet janë më pak të kërkuara dhe investitorët kërkojnë strehë të sigurta.

Por sa e pasur do të jetë në të vërtetë bufeja e arit në vitin 2026? Henrik Marx, kreu i shitjeve në Heraeus Precious Metals, supozon një diapazon çmimesh midis 3,500 dhe 5,000 dollarëve për ons. Ekspertë të tjerë parashikojnë gjithashtu rritje të mëtejshme të çmimeve, ndoshta pas një pauze, duke pasur parasysh nivelet mjaft të larta.

Vlerësimet variojnë nga 4500 dollarë në Oddo BHF në 4950 dollarë në Deutsche Bank. Në të njëjtën kohë, shumë ekspertë e lënë derën hapur: nëse, për shembull, lufta në Ukrainë do të mbaronte ose ngjarje të tjera do të ulnin dëshirën për siguri, një korrigjim i fortë nuk mund të përjashtohet.

Një vit kontrastesh për bujqësinë zvicerane

Ishte një vit kontrastesh për bujqësinë zvicerane. Të korrat e mira rimbushën stoqet, por çmimet e ulëta të prodhuesve, presioni nga importet dhe shfaqja e dëmtuesve të rinj ulën rendimentet në shumë ferma.

Sipas rishikimit vjetor të publikuar të hënën nga Shërbimi i Informacionit Bujqësor, bilanci për prodhimin e të korrave është pozitiv: të korrat e perimeve ishin të mira dhe sektori i drithërave u rimëkëmb.

Në rastin e patateve dhe frutave, gjithashtu, rendimentet e larta kanë mundësuar rimbushjen e stoqeve – megjithëse kjo ka çuar në një rënie të çmimeve. Përveç kësaj, fermat u përballën me presionin nga importet dhe dëmtuesit e rinj si bredhi i panxharit. Në vreshtarinë, kriza u përkeqësua, raportojnë mediat zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Prodhimi i qumështit ishte më i lartë se vitin e kaluar, por presioni mbi çmimet u rrit. Sezoni i kullotave alpine u prek nga sëmundjet e kafshëve dhe sulmet e ujqërve.

Prodhimi i mishit të viçit ngeci dhe importet u rritën, por prodhuesit e derrave ishin në gjendje të përballonin veten. Të korrat e mjaltit ishin mbi mesataren.

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes në Zvicër

Sëmundjet kardiovaskulare shkaktuan më shumë se një të katërtën e vdekjeve të regjistruara vitin e kaluar në mesin e popullsisë me banim të përhershëm në Zvicër. Këto sëmundje janë në veçanti shkaku kryesor i vdekjes tek gratë, ndërsa tek burrat faktori kryesor vdekjeprurës është kanceri.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga Zyra Federale e Statistikave (FSU), në vitin 2024 vdiqën pothuajse 72,000 njerëz, domethënë rreth 37,000 gra dhe rreth 35,000 burra. Njëzet mijë nga këto vdekje janë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.

Nga ana tjetër, për 18,000 njerëz, beteja kundër një tumori ishte fatale, lexojmë në një shënim. Sa i përket demencës, pati mbi 6,500 vdekje, dy të tretat e të cilave ishin femra, shkruan RSI.

Siç u përmend, sëmundjet e zemrës dhe të sistemit të qarkullimit të gjakut kanë qenë shkaku kryesor i vdekjes tek gratë, me një përqindje prej pothuajse 29%, përpara kancerit (22%), përcjell albinfo.ch. Pozicionet e përmbysura për burrat, me tumore që, megjithëse pak (28% deri në 27%), kanë marrë më shumë viktima të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.

Sa i përket shkallës së vdekshmërisë, në të dy gjinitë shkalla e vdekshmërisë ka rënë, por shkalla e kancerit është rritur. Rënie e dyfishtë ka edhe për shkallën e lidhur me shkaqet e jashtme të vdekjes, përkatësisht aksidentet, krimet e dhunshme dhe vetëvrasjet.