Ylli sllovak: Nuk arritëm ta përballojmë ritmin e Kosovës

Pas humbjes dramatike me rezultat 4:3 ndaj Kosovës, portieri i Sllovakisë, Martin Dubravka, ka pranuar se ekipi i tij nuk arriti të përballojë intensitetin dhe ritmin e lartë të “Dardanëve”, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes, përcjell albinfo.ch.

Sllovakia e mbylli pjesën e parë me epërsi 2:1, duke lënë përshtypjen se kishte kontroll mbi rrjedhën e lojës. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit, kur Kosova u rikthye fuqishëm, përmbysi rezultatin dhe siguroi një fitore historike në Bratislavë, duke kaluar në finalen e “play-offit” për Botërorin 2026.

Intensiteti i lartë, presioni i vazhdueshëm dhe efikasiteti i Kosovës në fazën sulmuese bënë diferencën në momentet vendimtare të sfidës.

Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Dubravka nuk e fshehu zhgënjimin, duke e cilësuar pjesën e dytë si shumë larg nivelit që kërkohet në një ndeshje të tillë.

“Ne patëm një pjesë të parë shumë të mirë, por pjesa e dytë ishte vërtet e keqe. Pasi Kosova barazoi sërish, ne nuk arritëm ta mbanim ritmin me të”, ka deklaruar Dubravka.

Ai shtoi se kjo humbje do t’i mbetet gjatë në mendje, veçanërisht për faktin se për lojtarët më të vjetër kjo ishte një nga mundësitë e fundit për të ëndërruar Botërorin.

“Jam i trishtuar, do të më mbetet peng për një kohë të gjatë. Për ne lojtarët më të vjetër, ishte një nga rastet tona të fundit për të luajtur në Kupën e Botës. Por ky është realiteti”, u shpreh ai.

Kosova, ndërkohë, do të luajë të martën në Prishtinë finalen vendimtare të “play-offit” ndaj Turqisë, për një vend në Kampionatin Botëror 2026./Albinfo.ch.

Gazeta spanjolle vë në fokus fitoren e Kosovës dhe përpjekjen për Botëror

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon të shkruajë histori në futbollin ndërkombëtar, pas fitores së madhe ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

“Dardanët” triumfuan në udhëtim në Bratisllavë me rezultat 4:3, duke siguruar kalimin në finalen vendimtare të play-offit dhe duke u afruar vetëm një hap larg kualifikimit historik në Kampionatin Botëror.

Ky sukses i Kosovës ka marrë vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare. Gazeta e njohur spanjolle “Marca” i ka kushtuar një artikull të veçantë fitores së Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin e saj si të jashtëzakonshëm.

“Kosova, një nga shtetet më të reja në botë dhe që nuk njihet nga Spanja, e mposhti Sllovakinë dhe do të luajë finalen për një vend në Kupën e Botës kundër Turqisë. FIFA e njohu si përfaqësuese zyrtare… më pak se 10 vite më parë!”, ka shkruar “Marca”.

Tani, Kosovës i mbetet vetëm ndeshja finale, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku “Dardanët” do të përballen me Turqinë.

Turqia në gjysmëfinale eliminoi Rumaninë me rezultat minimal 1:0, ndërsa përballja në Prishtinë pritet të jetë vendimtare për një vend në Botërorin 2026. /Albinfo.ch

FIFA për Kosovën: Vetëm edhe një hap drejt Botërorit 2026

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një fitore historike ndaj Sllovakisë, duke siguruar kualifikimin në finalen e “play-offit” për Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

“Dardanët” triumfuan të enjten mbrëma në Bratisllavë me rezultat 4:3, në një ndeshje dramatike që i afroi edhe më shumë drejt ëndrrës për pjesëmarrje në Botëror.

Pas këtij suksesi të madh, reagimi nuk ka munguar as nga FIFA. Faqja zyrtare e Kupës së Botës ka publikuar një postim në platformën “X”, duke vlerësuar rrugëtimin e Kosovës dhe duke e cilësuar atë vetëm një hap larg kualifikimit.

“Vetëm edhe një hap për Kosovën, për t’u kualifikuar në Botëror”, thuhet në postimin e FIFA World Cup në “X”.

Kosova tani do ta zhvillojë ndeshjen finale të play-offit të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet me Turqinë për një vend në Kampionatin Botëror 2026./Albinfo.ch

Foda pas fitores ndaj Sllovakisë: E merituam, festojmë – Turqinë e presim në Kosovë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar lart paraqitjen e “Dardanëve” pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë me rezultat 4:3, në gjysmëfinalen e play-offit për kualifikim në Kupën e Botës, përcjell albinfo.ch.

Në konferencën për media pas ndeshjes, Foda përgëzoi futbollistët për besimin dhe luftën deri në fund, duke theksuar se fitorja ishte e merituar.

“Dua ta falënderoj skuadrën për përfaqësimin. Lojtarët kanë besuar për 90 minuta dhe nuk janë dorëzuar. E merituam fitoren. Sonte do të festojmë dhe që nga nesër do të përgatitemi për finale ndaj Turqisë. Kosova e meriton këtë”, deklaroi ai.

Foda komentoi edhe faktin se ndeshja prodhoi shtatë gola, duke pranuar se mbrojtja duhet analizuar me kujdes para përballjes vendimtare.

“Kemi pranuar tre gola sonte. Sonte festojmë, por nesër do të analizojmë sepse kemi marrë gola të lehtë. Duhet ta dimë se nuk mund të shënojmë çdo ndeshje katër gola”, u shpreh ai.

Ai foli edhe për atmosferën që pritet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova do ta luajë finalen ndaj Turqisë, duke thënë se interesi i tifozëve është jashtëzakonisht i madh.

“Të martën luajmë ndeshje finale. Do të jenë 13 mijë persona, por po të kishim një stadium me 100 mijë ulëse do të mbushej i tëri. Jemi afër të shkruajmë historinë, por duhet ta ruajmë qetësinë në këtë ndeshje kaq të madhe kundër Turqisë”, tha Foda, duke shtuar se populli kosovar është shumë emocional dhe kjo vërehet edhe tek lojtarët në fushë.

Trajneri gjerman tregoi gjithashtu se në pushimin mes pjesëve ka kërkuar më shumë qetësi dhe ka bërë disa ndryshime taktike që, sipas tij, ndikuan pozitivisht në rikthimin e Kosovës.

“Fillimisht kam kërkuar nga ta të ruajnë qetësinë dhe kam kërkuar dy ndryshime taktike. Mendoj se në pjesën e dytë bëmë më mirë dhe rikthyem rezultatin. Nuk kemi qenë keq në aspektin e lojës dhe e dëshmuam edhe një herë se jemi skuadër që mund të rikthejmë rezultate”, theksoi Foda.

Kosova tani është vetëm një hap larg kualifikimit historik, ndërsa finalja ndaj Turqisë pritet të zhvillohet të martën në Prishtinë./Albinfo.ch

Prishtina mbrëmë festoi me fishekzjarre për fitoren historike të Kosovës

Prishtina u ndriçua mbrëmë nga fishekzjarret dhe gëzimi i qytetarëve që festuan fitore historike të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë. Rezultati 4:3 i dhuroi Kosovës kualifikimin në finalen e “play-offit” për Kupën e Botës 2026, duke ndezur emocion tek tifozët në kryeqytet, përcjell albinfo.ch.

Qindra qytetarë dolën në rrugët e Prishtinës për të përjetuar këtë moment historik, duke brohoritur, valëvitur flamujt kombëtarë dhe duke ndarë gëzimin me familjarët dhe miqtë. Fishekzjarret, muzikë dhe atmosferë festive mbushën qendrat e qytetit deri vonë në mbrëmje.

Triumfi i Kosovës në Bratislavë jo vetëm që ka shkaktuar festë në rrugë, por gjithashtu ka ngjallur shpresë dhe entuziazëm para finales vendimtare të play-offit, që do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë.

“Është një moment i paharrueshëm për të gjithë ne. Kosova po tregon se mund të shkruajë histori në futboll”, tha një nga tifozët që mori pjesë në festë.

Kosova tani ndodhet vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës për kualifikim në Botëror, ndërsa qytetarët e kryeqytetit kanë treguar se janë gati të përjetojnë çdo emocion të këtij rrugëtimi historik./Albinfo.ch

Osmani pas fitores ndaj Sllovakisë: Dardanë, faleminderit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar historike fitoren e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

Kosova triumfoi të enjten mbrëma në Bratislavë me rezultat 4:3, duke siguruar kalimin në finalen vendimtare të plejofit, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Përmes një reagimi publik, Osmani ka shprehur mirënjohje për futbollistët e Kombëtares dhe për përkushtimin e tyre në këtë sukses të madh.

“Dardanë, faleminderit!”, ka shkruar ajo, duke e cilësuar këtë fitore si një moment krenarie për vendin./Albinfo.ch

Kurti uron Kosovën pas fitores historike: Botërori kurrë s’ka qenë më afër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Kombëtaren e Kosovës pas fitores dramatike dhe historike ndaj Sllovakisë, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

Kosova triumfoi të enjten mbrëma në Bratislavë me rezultat 4:3, duke siguruar kualifikimin në finalen vendimtare të plejofit, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku “Dardanët” do të përballen me Turqinë.

Në një postim në Facebook, Kurti e cilësoi këtë fitore si një moment të rëndësishëm për futbollin kosovar, duke theksuar se ekipi dhe tifozët kanë hapur një kapitull të ri.

“Urime Kosovës! Urime Dardanëve dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë! Ky ekip me këta tifozë sonte ka hapur një kapitull të ri të futbollit te ne. Loja e shkëlqyer dhe realizimet precize do të mbeten të paharrueshme përgjithmonë. Ashtu siç ëndërruam, edhe triumfuam… Kampionati Botëror kurrë s’ka qenë më afër”, ka shkruar Kurti.

Kosova tani është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës për një kualifikim historik në Botëror./Albinfo.ch

Gjykata Federale: Protesta në autostradë në Lausanne nuk duhej ndaluar

Gjykata Federale ka vendosur se ndalimi i demonstratës në autostradë në Lausanne në prill 2024 shkelte lirinë e tubimit, shprehjes dhe informacionit. Demonstrata ishte planifikuar midis La Bourdonnette dhe La Maladière dhe kishte për qëllim të shprehë kundërshtimin ndaj zgjerimit të disa seksioneve të autostradës.

Shoqata për Transportin dhe Mjedisin (ATE) kishte apeluar vendimin e Zyrës Federale të Rrugëve (FEDRO), i cili ishte konfirmuar më parë nga Gjykata Administrative Federale. Pesë gjyqtarë të Gjykatës Federale arritën në përfundimin se ndalimi kishte shkelur parimin e proporcionalitetit dhe se demonstrata kishte një ndikim të rëndësishëm publik dhe politik.

Gjykata vuri në dukje se vendndodhja e demonstratës nuk është e parëndësishme dhe se trafiku i lartë nuk mund të justifikojë ndalimin. Për më tepër, prania e një klinike pranë vendit të ngjarjes nuk e bën të pamundur organizimin e saj.

Megjithatë, Gjykata konfirmoi ligjshmërinë e sistemit të autorizimit paraprak për demonstrata, duke mos cenuar lirinë e tubimit. Demonstrata ishte planifikuar të përkonte me përvjetorin e 60-të të seksionit të autostradës Lausanne–Gjenevë.

Qumështi pluhur i kontaminuar: a ka pasivitet tek autoritetet zvicerane?

Raste të fëmijëve të sëmurë janë raportuar pas tërheqjes nga tregu të formulave për foshnja në disa vende evropiane. Megjithatë, në Zvicër, autoritetet janë kritikuar për mungesë veprimi në këtë çështje.

Sipas RTS, në Zvicër nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar i foshnjave të sëmura si pasojë e konsumimit të qumështit të kontaminuar, ndërsa asnjë analizë e mostrave fekale të fëmijëve me simptoma nuk është kryer. Kjo situatë e bën të vështirë përcaktimin e përgjegjësisë së prodhuesve.

Alarm në mbarë Evropën

Në të gjithë Evropën, prindërit janë të shqetësuar. Midis muajve dhjetor dhe shkurt, disa marka të njohura – përfshirë Nestlé, Hochdorf Swiss Nutrition dhe Danone – tërhoqën nga tregu produkte të qumështit pluhur për foshnja.

Shkaku ishte kontaminimi me një toksinë të quajtur cereulide, e cila mund të shkaktojë diarre, të vjella dhe në raste të rënda edhe komplikime fatale.

Nestlé ishte kompania e parë që ngriti alarmin. Ajo zbuloi toksinën në produktet e saj dhe gjurmoi burimin: një vaj i prodhuar nga një nënkontraktor kinez, i cili furnizonte edhe kompani të tjera të mëdha.

Megjithëse deri më 10 dhjetor produktet ishin tërhequr në 16 vende evropiane, në Zvicër autoritetet nuk kryen kontrolle të pavarura dhe u mbështetën vetëm në informacionin e dhënë nga kompania.

Vetëm më 5 janar nisën tërheqjet e para edhe në Zvicër, duke prekur marka si BEBA, Alfamino, Aptamil, Babybio dhe Bimbosan.

Mungesë e të dhënave të besueshme

Më 15 shkurt, zëvendësdrejtori i Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë (FSVO), Michael Beer, premtoi një hetim dhe paralajmëroi sanksione për kompanitë që nuk kishin vepruar me kohë.

Megjithatë, problemi kryesor është se në Zvicër nuk ekziston detyrim për raportimin e rasteve të dyshuara të helmimit nga kjo toksinë. Si pasojë, mjekët pediatër apo spitalet nuk janë të detyruar të njoftojnë autoritetet kur përballen me raste të tilla.

RTS ka mësuar se një spital në kantonin Jura kishte trajtuar foshnja me diarre që kishin konsumuar qumësht potencialisht të kontaminuar, por këto raste nuk u raportuan.

Në total, autoritetet kanë dijeni vetëm për 34 raste në të gjithë vendin, prej të cilave 29 janë raportuar nga vetë prindërit. Vetëm tre raste janë raportuar nga profesionistë shëndetësorë dhe dy nga autoritetet kantonale.

Hetime të pamjaftueshme

Pas këtyre raportimeve, autoritetet mblodhën vetëm 23 kuti qumështi pluhur nga familjet, pasi shumica e prindërve kishin ndjekur udhëzimet për t’i kthyer produktet në dyqane.

Nga 12 mostra të analizuara, tetë rezultuan të kontaminuara me cereulide (të gjitha nga marka Aptamil e Danone), ndërsa dy prej tyre tejkalonin kufijtë e lejuar nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Megjithatë, ndryshe nga vende si Franca dhe Belgjika, Zvicra nuk ka kryer analiza të mostrave fekale të foshnjave të sëmura. Kjo e bën shumë të vështirë vërtetimin e lidhjes mes simptomave dhe produkteve të kontaminuara.

Reagim i vonuar dhe i kufizuar

Në Zvicër, siguria ushqimore mbikëqyret nga FSVO, ndërsa shëndeti publik është përgjegjësi e Zyrës Federale të Shëndetit Publik (OFSP).

OFSP nuk e konsideroi situatën si mjaft serioze për të kërkuar analiza të gjera, duke e cilësuar atë si një helmim ushqimor me simptoma zakonisht të lehta dhe afatshkurtra.

Vetëm më 11 shkurt, autoritetet u dërguan një njoftim mjekëve kantonalë, duke sugjeruar mundësinë e analizave – dhe atë vetëm për rastet më të rënda.

Një tjetër pengesë ishte mungesa e kapaciteteve laboratorike në Zvicër. Për këtë arsye, analizat duhej të kryheshin në një laborator në Belgjikë, me kosto rreth 730 euro për analizë.

Mungesë koordinimi

Ekspertët theksojnë se mungoi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Nuk pati një strategji të përbashkët për analizimin e qumështit dhe mostrave biologjike, çka ka kufizuar seriozisht hetimin.

Zvicra mbetet një “kuti e zezë” në këtë skandal. Nuk dihet sa fëmijë kanë konsumuar qumësht të kontaminuar dhe sa prej tyre janë sëmurë.

Si pasojë, ekziston një probabilitet i lartë që përgjegjësia e prodhuesve të mos përcaktohet kurrë.

Shqipëria mbyll ëndrrën për Botëror, humbet nga Polonia 2-1

Shqipëria pësoi një humbje të ngushtë 2-1 ndaj Polonisë në sfidën gjysmëfinale të play-off-it për kualifikueset e Botërorit 2026. Ndeshja u zhvillua në Varshavë dhe u karakterizua nga përpjekje të shumta të kuqezinjve për të marrë një rezultat historik, por një mbrojtje polake e fortë dhe dy golat e Levandovskit dhe Zielinskit vendosën fatin e takimit, transmeton albinfo.ch.

Kuqezinjtë arritën të kalonin të parët në avantazh në minutën e 42-të, kur Hoxha shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes polake dhe dërgoi topin në rrjetë, duke dhënë shpresë për një rezultat të favorshëm. Pjesa e parë përfundoi me avantazhin minimal të Shqipërisë 1-0.

Në pjesën e dytë, Polonia reagoi fuqishëm. Levandovski barazoi në minutën e 63-të pas një dalje të gabuar të portierit Strakosha. Më pas, Zielinski shënoi golin vendimtar në minutën e 73-të, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës vendase.

Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, aktivizoi disa nga lojtarët rezervë si Muçi dhe Broja në minutat e fundit, duke tentuar të rihapte ndeshjen. Megjithatë, tentativat e kuqezinjve për të barazuar rezultatin nuk sollën ndryshim në shifrat finale.

Me këtë humbje, Shqipëria nuk arriti të kalojë në finale dhe humbi mundësinë për të qenë pjesë e Botërorit 2026.

Kosova një hap afër Botërorit pas fitores dramatike 4:3 ndaj Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës shkroi një kapitull historik në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke triumfuar me rezultat 4:3 ndaj Sllovakisë dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën e pjesëmarrjes në Botëror. Tifozët dardanë shpërthyen në gëzim për secilin gol, ndërsa ekipi tregoi zemër, vendosmëri dhe talent të jashtëzakonshëm. Tashmë ‘Dardanët’ janë në finale të play off-it që luhet të martën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Ndeshja nisi me intensitet të madh. Sllovakia kaloi e para në avantazh, por Kosova nuk u dorëzua. Veldin Hoxha barazoi rezultatin në minutën e 21, duke ndezur shpresën dhe emocionin në stadium. Pak para pushimit, Sllovakia shënoi përsëri në minutën e 45, duke e çuar rezultatin në 2:1 dhe shkuar në pushim me avantazh, shkruan albinfo.ch.

Pjesa e dytë filloi me një ritëm të zjarrtë: Besnik Asani riktheu barazimin në minutën e 47, dhe më pas Florent Muslia kaloi Kosovën në avantazh në minutën e 59. Për të kompletuar festën, Kreshnik Hajrizi shënoi golin e katërt në minutën e 72, duke thelluar epërsinë dhe duke ndezur stadiumin. Derisa në minutat shtesë pas përfundimit të ndeshjes Sllovakia ka shënuar gol duke e ngritur rezultatin ne 3 gola.

Loja vazhdoi me dramatikë deri në fund, me Sllovakinë që kërkoi të përgjigjej, por mbrojtja dhe portieri i Kosovës ruajtën avantazhin. Fitorja e sotme e bën Kosovën vetëm një hap larg sfidës vendimtare me Turqinë, ku një fitore do të vuloste historinë e parë të pjesëmarrjes në Botëror/albinfo.ch/

Kosova thellon epërsinë ndaj Sllovakisë, shënon golin e 4-të

Në minutën e 72-të, Kreshnik Hajrizi ka shënuar golin e katërt për Kosovën, duke thelluar avantazhin në 4:2 ndaj Sllovakisë Pas golit të shpejtë të Besnik Asanit dhe të Florent Muslisë, ky moment ka ndezur stadiumin dhe tifozët dardanë, duke dhënë një ndjenjë krenarie dhe triumfi për ekipin e Kosovës.

Loja po vazhdon të jetë dramatike, por tani Kosova kontrollon ndeshjen dhe po i afrohet një fitoreje të rëndësishme në kualifikimet për Kupa e Botës 2026.

Kosova kalon në epërsi 3:2 ndaj Sllovakisë,  ndeshja vazhdon me plot emocione

Pas një gjysme të parë dramatike, ku Sllovakia kishte shkuar në pushim me avantazh 2:1 dhe Kosova kishte rikthyer barazimin qysh në minutën e 47 me golin e Besnik Asanit, Florent Muslia ka shënuar në minutën e 59, duke kaluar Kosovën në avantazh 3:2.

Loja po vazhdon me tension të madh ku çdo pasim dhe çdo përpjekje e të dyja ekipeve mund të ndryshojë rezultatin.

Kosova rikthen barazimin ndaj Sllovakisë, shënon në minutat e para të pjesës së dytë

Qysh në minutën e 47-të, pas fillimit të pjesës së dytë, Besnik Asani ka shënuar golin që rikthen rezultatin 2:2 ndaj Sllovakisë.

Ky gol i shpejtë pas pushimit jep një mundësi më të madhe ekipit kosovar dhe mban gjallë shpresat për një fitore eventuale në këtë përballje dramatike të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Shqipëria shënon gol dhe shkon në pushim me avantazh ndaj Polonisë

Në ndeshjen gjysmëfinale të “play off”-it për kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria ka kaluar në avantazh ndaj Polonisë. Goli u realizua në minutën e 43 nga Hoxha, pas një gabimi të mbrojtjes polake, duke i dhënë kuqezinjve epërsinë për të shkuar në pushim.

Shqipëria mbylli pjesën e parë me rezultatin 1-0, duke siguruar një start pozitiv në këtë sfidë vendimtare.

Sllovakia rikthen epërsinë ndaj Kosovës

Në minutën e 45-të të ndeshjes, Sllovakia ka shënuar golin e dytë, duke rikthyer epërsinë me rezultat 2:1 ndaj Kosovës. Me këtë gol, skuadra mysafire shkon në pushim me avantazh, duke e bërë gjysmën e parë të ndeshjes mjaft dramatike dhe të tensionuar për tifozët dardanë.

Pas golit të barazimit të Kosovës në minutën e 21-të, ky moment rikthen presionin mbi ekipin dardan dhe hap një gjysmë të dytë sfiduese ku çdo veprim do të jetë vendimtar për rezultatin final.

Kosova barazon rezultatin 1:1 ndaj Sllovakisë, ‘Dardanët’ në festë

Kombëtarja e Kosovës ka arritur ta barazojë rezultatin në minutën e 21‑të, duke sjellë gëzim për tifozët dardanë në këtë përballje të rëndësishme në fazën e “play‑off”-it për “Kualifikimet e Kupës së Botës 2026”

Lojtarët dhanë maksimumin për të rikthyer ndeshjen në nivel dhe tani sfida mbetet e hapur deri në fund.

Ky gol barazues në minutën e 21‑të i ka dhënë një motiv ekipit të Kosovës ndërsa ata synojnë të vazhdojnë luftën për një vend në finale dhe, potencialisht, një vend në Botëror.

Sllovakia kalon në epërsi ndaj Kosovës

Sllovakia ka marrë epërsinë shumë herët në përballjen ndaj Kosovës, duke shënuar që në minutën e 6-të të ndeshjes.

Autori i golit ishte Martin Valjent, i cili i dha avantazhin vendasve me një realizim të shpejtë, duke i vënë “Dardanët” në pozitë të vështirë që në fillim të takimit.

Nis ndeshja Sllovaki – Kosovë

Kombëtarja e Kosovës ka filluar ndeshjen në udhëtim ndaj Sllovakisë, e vlefshme për gjysmëfinalen e ‘play-off’-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

‘Dardanët’ hynë në këtë përballje me dy mungesa të rëndësishme, kapitenin Amir Rrahmani dhe mesfushorin Leon Avdullahu.

Përzgjedhësi Franco Foda i ka qëndruar besnik formacionit që e çoi ekipin deri në ‘play-off’, duke u besuar sërish lojtarëve që mbajtën barrën kryesore gjatë kualifikueseve.

Në repartin defensiv nga minuta e parë është aktivizuar Kreshnik Hajrizi, ndërsa në mesfushë, në mungesë të Avdullahut, ka startuar Veldin Hoxha.

Në sulm, si zakonisht, prijnë Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani, të cilët mbështeten nga Florent Muslija në një rol më të avancuar.

Formacionet zyrtare:

Sllovakia: Dubravka, Valjent, Vavro, Obert, Hancko, Bero, Lobotka, Duda, Sauer, Strelec, Haraslin.

Kosova: Muric, Dellova, Hajrizi, Hajdari; Vojvoda, Hoxha, Rexhbecaj, Muslija, Gallapeni; Asllani, Muriqi.

Kombëtarja e Shqipërisë paraqitet me këtë  formacion zyrtar për përballjen e rëndësishme ndaj Polonisë

Kuqezinjtë do të ndeshen me Poloninë në Varshavë, në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për Kupën e Botës 2026. Kjo sfidë konsiderohet një nga më të rëndësishmet për ekipin shqiptar.

Trajneri Sylvinho ka vendosur për 11-shen startuese, ku disa lojtarë të njohur do ta nisin ndeshjen nga stoli. Pavarësisht formës së mirë, Ernest Muçi nuk është përfshirë në formacionin titullar, njësoj si Armando Broja dhe Anis Mehmeti.

Nga minuta e parë do të luajë Arbër Hoxha, ndërsa në repartin ofensiv starton edhe Nedim Bajrami.

Formacioni i Shqipërisë: Strakosha; Hysaj, Gjimshiti (kapiten), Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani; Bajrami, Laçi, Hoxha; Uzuni.

Lëndon rëndë një grua me fëmijën e saj: “Zhduket” shoferi i dënuar kosovar

Një shofer i ri kishte plagosur rëndë një nënë dhe fëmijën e saj në Dietikon, në vitin 2019. Dis vite më vonë, vendimi është ligjërisht i detyrueshëm – por i dënuari nuk e filloi kurrë vuajtjen e dënimit, transmeton albinfo.ch.

Aksidenti i rëndë që pati ndodhur në Dietikon vazhdon të preokupojë sistemin e drejtësisë vite më vonë. Shoferi me shtetësi kosovare, atëbotë 18 vjeçr kishte humbur kontrollin e automjetit të tij BMW në Bernstrasse të Dietikonit dhe kishte dlë në korsinë përballë. Atje, ai qe përplasur ballë për ballë me një makinë Ford ku ishte një grua dhe vajza e saj katërvjeçare.

Dy pasagjeret pësuan lëndime kërcënuese për jetën nga përplasja. Ato mbijetuan, por vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e aksidentit. Shoferi vetë mbeti i padëmtuar.

Hetimi zbuloi se shoferi po drejtonte një automjet me performancë të lartë dhe kishte çaktivizuar sistemet përkatëse të sigurisë, përcjell lbinfo.ch. Më pas ai humbi kontrollin e makinës në rrugën e lagësht.

Çështja shkoi në gjykatë dhe u apelua në disa instanca. Vendimi u bë ligjërisht i detyrueshëm vetëm në vitin 2025. Gjykata e dënoi kosovarin me afër katër vite burg, ndër të tjera për akuza të shumta për dëmtime të rënda trupore. Gjykata arriti në përfundimin se veprimet nuk ishin nga neglizhenca, por të qëllimshme.

Një zhvillim që shqetëson autoritetet

Siç zbulon një hulumtim nga “SRF Rundschau”, personi i dënuar ende nuk ka filluar të vuajë dënimin e tij. Ai është fshehur dhe po kërkohet nga autoritetet. Zyrtarët nuk po komentojnë për vendndodhjen e tij për shkak të rregulloreve të mbrojtjes së të dhënave.

Megjithatë, prokurori publik përgjegjës e përshkruan vendimin si të rëndësishëm. Ai dërgon një sinjal të qartë se si vlerësohen ligjërisht vepra të tilla penale.

Çështja është pjesë e një trendi që po shkakton shqetësim në rritje midis autoriteteve. Në Kantonin e Cyrihut, numri i shkeljeve të rënda të shpejtësisë është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Është veçanërisht e habitshme që aksidente të tilla shpesh shoqërohen me automjete me performancë shumë të lartë.

Sipas zbatimit të ligjit, të rinjtë shpesh përfshihen në raste të tilla. Në shumë raste, pasojat më serioze i mbajnë palët e treta të papërfshira.

Këshilli Federal dëshiron shërbim civil të jashtëzakonshëm, më pak tërheqës

Shërbimi civil duhet të jetë më pak tërheqës. Këshilli Federal i paraqiti medias të enjten argumentet e tij në favor të shtrëngimit të kushteve të pranimit. Popullsia zvicerane do të votojë më 14 qershor.

Shërbimi civil duhet të mbetet “përjashtim nga rregulli” sipas të cilit çdo burrë me kombësi zvicerane duhet të kryejë shërbimin ushtarak. Sipas Kushtetutës, nuk ka zgjedhje të lirë midis shërbimit ushtarak dhe shërbimit civil. “Kjo nuk është një alternativë”, tha Presidenti i Konfederatës Guy Parmelin për median.

Është me të vërtetë një shërbim zëvendësues i ofruar për njerëzit që, për arsye ndërgjegjeje, nuk mund të kryejnë shërbimin ushtarak, kujtoi vaudois. Zgjidhja e provave me anë të aktit nuk vihet në dyshim. Megjithatë, kërkesat do të forcohen.

Shërbimi civil tani është shumë tërheqës, beson qeveria. Në total, 60,000 njerëz të aftë për shërbim ushtarak i janë bashkuar shërbimit civil. Një sërë masash të propozuara nga Këshilli Federal duhet të bëjnë të mundur rritjen e numrit të pranimeve vjetore nga 6600 në 4000.

150 ditë shërbim civil

Në detaje, personeli ushtarak që ka përfunduar të gjitha ditët e trajnimit nuk duhet të ketë më akses në shërbimin civil. “Konflikti i ndërgjegjes i përmendur nuk është i besueshëm në këtë fazë”, argumentoi Guy Parmelin.

Qëllimi është të parandalohen që këta ushtarë të jenë në gjendje t’i shpëtojnë lehtësisht pushkatimit të detyrueshëm, për të cilin janë të detyruar deri në fund të vitit që i paraprin lirimit nga detyrimet ushtarake.

Ata që dëshirojnë ta transformojnë shërbimin e tyre ushtarak në shërbim civil do të kenë më shumë kufizime, shkruan RTS. Ata duhet të plotësojnë 150 ditë shërbimi civil, edhe nëse ndryshimi ndodh vonë, transmeton albinfo.ch.

Dhe totali do të duhet të jetë një herë e gjysmë më i gjatë se shërbimi standard ushtarak, duke përfshirë oficerët dhe nënoficerët. “Kjo masë synon të zvogëlojë largimet midis drejtuesve”, shpjegoi Ministri i Trajnimit.

Në shërbim çdo vit

Civilistët gjithashtu do të kenë më pak diferencë në periudhën gjatë së cilës duan të kryejnë shërbimin e tyre. Ata nuk do të kenë më tre vjet nga pranimi i tyre, por do të duhet të kryejnë një pjesë të shërbimit çdo vit.

Ata që kanë zgjedhur shërbimin civil para ose gjatë shkollës së rekrutimit do të duhet të përfundojnë detyrën e tyre të gjatë (180 ditë) brenda vitit të pranimit të tyre. Prandaj, rregulli është i njëjtë si në ushtri: njerëzit e liruar nga shkolla e rekrutimit thirren shpejt.

Së fundmi, reforma fut një ndalim për detyrat që kërkojnë studime në mjekësinë humane, dentare ose veterinare në shërbimin civil. Kjo masë e bën ushtrinë më tërheqëse sesa shërbimi civil për mjekët, mbrojti Këshilltari Federal Guy Parmelin.

Për Këshillin Federal, këto ndryshime i lejojnë ushtrisë të përmbushë misionin e saj. Ato sigurojnë që investimet në trajnimin ushtarak të mos shpërdorohen pa nevojë. “Kjo përfaqëson rreth 70 milionë franga të humbura në vit për shkak të largimeve të vona”, tha Guy Parmelin.