Pacientët me kancer në Kosovë më pak të mbrojtur se në vendet e rajonit

Pacientët me kancer në Kosovë përballen me mbrojtje më të dobët sociale dhe financiare krahasuar me shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregon një analizë krahasuese e sistemeve të mbështetjes në rajon, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa shtete si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina e Shqipëria ofrojnë forma të ndryshme të kompensimit afatgjatë për personat që mungojnë në punë për shkak të sëmundjeve të rënda, në Kosovë pushimi mjekësor i paguar kufizohet në vetëm 20 ditë pune brenda vitit.

Analiza vlerëson se Kosova mbetet prapa vendeve fqinje në tri aspekte kryesore: kohëzgjatjen e pushimit mjekësor të paguar, mungesën e një skeme funksionale të sigurimit për sëmundjet afatgjata dhe mungesën e mekanizmave për rikthimin gradual në punë pas trajtimit.

Në shumë vende të rajonit, pas periudhës fillestare të mbuluar nga punëdhënësi, kompensimi financiar merret përsipër nga fondet shtetërore ose sistemet e sigurimeve shëndetësore. Në disa raste, si në Mal të Zi, pacientët me sëmundje malinje mund të përfitojnë deri në 100 për qind të pagës gjatë periudhës së trajtimit.

Në Kosovë, megjithatë, mungon një sistem i tillë mbështetës, duke lënë shumë pacientë përballë pasigurisë financiare pikërisht në periudhën kur kanë më së shumti nevojë për ndihmë.

Sipas analizës, reforma ligjore në Kosovë duhet të fokusohet në zgjerimin e mbështetjes financiare për pacientët me kancer, krijimin e një skeme të qëndrueshme të sigurimeve shoqërore dhe forcimin e mbrojtjes së tyre në vendin e punës.

Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe i zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF)./Albinfo.ch

Punëtorët sezonalë në Zvicër: a jemi gati të shohim “faqen tjetër të medaljes”?

Debati aktual mbi politikën e migrimit në Zvicër nuk duhet të çojë në një vlerësim vetëm negativ të statusit të punëtorëve sezonalë, siç ka ekzistuar deri në vitin 2002.

Në kontekstin historik të viteve 1960–1990, ky regjim i përgjigjej njëkohësisht nevojave ekonomike të Zvicrës dhe pritshmërive të shumë punëtorëve që dëshironin të punonin përkohësisht, pa projekt për t’u vendosur përfundimisht. Për dhjetëra e qindra mijëra migrantë, përfshirë shumë bashkatdhetarë posaçërisht nga Kosova dhe Maqedonia, ky ishte kanali kryesor hyrës drejt tregut zviceran të punës.

Sot, rikthimi i debatit mbi ish‑statusin e “sezonalëve” shoqërohet me një dukuri shqetësuese: rindërtimin e një së kaluare të karikaturuar, shpesh të instrumentalizuar për qëllime politike.

Në disa diskurse, sistemi i lejeve sezonale paraqitet thuajse vetëm si simbol i padrejtësisë sistematike dhe i shkeljeve masive të të drejtave të njeriut. Një vlerësim i tillë, sado i përhapur, nuk e pasqyron plotësisht kompleksitetin e fakteve dhe përvojave të jetuara.

Duhet kujtuar se shumë punëtorë vinin në Zvicër pikërisht në kuadër të këtyre statuteve me një qëllim të qartë: të punonin disa muaj, të fitonin të ardhura dhe më pas të ktheheshin në vendin e origjinës, pa synim për t’u vendosur në mënyrë afatgjatë.

Për një pjesë të konsiderueshme të “sezonalëve”, ky status ofronte një kuadër pragmatik: mundësinë për të punuar në sektorë me kërkesë të lartë (ndërtimtari, bujqësi, hoteleri‑restorante), për t’u kthyer rregullisht nga një vit në tjetrin dhe për ta mbajtur qendrën e jetës familjare në vendlindje.

Kjo formë “vajtje‑ardhje” u ka mundësuar shumë familjeve të financojnë projekte konkrete, për shembull ndërtim shtëpie, studime, investime lokale, falë të ardhurave më të larta se në vendin e tyre.

Sistemi, megjithatë, kishte kufizime të ashpra: ndalimi i bashkimit familjar, varësia e madhe nga punëdhënësi, pasiguria e qëndrimit dhe kushtet shpesh të papërshtatshme të strehimit janë realitete të dokumentuara dhe objekt kritikash legjitime.

Ato pasqyrojnë nivelin e atëhershëm të mbrojtjes së të drejtave themelore, në një periudhë kur përparësi politike kishte fleksibiliteti i fuqisë punëtore të huaj më shumë sesa integrimi afatgjatë. Por ta reduktosh të gjithë mekanizmin vetëm në këto aspekte do të thotë të injorosh një dimension tjetër po aq të rëndësishëm.

Punëtorët sezonalë gëzonin të drejta, kontrata pune të rregulluara dhe qasje në përfitime sociale. Sa për ilustrim, shumë ish‑punëtorë sezonalë, mes tyre edhe bashkatdhetarët tanë që sot jetojnë në vendin e origjinës, kanë fituar të drejta pensioni pas vetëm disa viteve pune në Zvicër; madje edhe vetëm me disa “sezona”, ata kanë përfituar të drejta pensioni shpesh në shuma të konsiderueshme në krahasim me sistemet e pensioneve në vendet e origjinës.

Këto elemente në asnjë mënyrë nuk e zbehin faktin se statusi i “sezonierit” ka prodhuar disa padrejtësi dhe cenime të të drejtave themelore, por tregojnë se realiteti i atyre viteve ka qenë më kompleks sesa imazhi i një sistemi që reduktohet vetëm në “shfrytëzim”.

Sot shfaqet edhe një realitet tjetër, shpesh i anashkaluar: shumë persona që kanë kaluar nëpër këto rrugë migrimi shprehin keqardhje për zhdukjen e lejeve sezonale. Vetë ky fakt mjafton për të sugjeruar nevojën për më shumë kujdes në gjykime dhe më pak dogma ideologjike.

Fundja, pikërisht sepse e kundërshtojmë pa mëdyshje iniciativën «Jo për një Zvicër me 10 milionë banorë», besojmë se ajo duhet luftuar me argumente sa më objektive dhe bindëse, e jo duke deformuar të kaluarën: përdorimi i realiteteve historike në mënyrë të thjeshtuar apo selektive vetëm sa e dobëson kauzën për një politikë migrimi më të drejtë.

Ekonomia e Kosovës mbahet nga diaspora: 313 milionë euro remitanca në tre muaj

Ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga varësia e lartë ndaj importeve dhe remitancave nga diaspora. Të dhënat e publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tregojnë se vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, importet kanë kaluar vlerën e 1.5 miliard eurove, ndërsa remitancat kanë arritur në mbi 313 milionë euro, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit të BQK-së, deri në fund të marsit deficiti tregtar në mallra ka arritur në 1.27 miliard euro. Eksportet janë regjistruar në vlerën 233.7 milionë euro, ndërsa importet kanë kapur shifrën prej 1.51 miliard eurosh, duke thelluar hendekun tregtar të vendit.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtij deficiti vazhdon të zbutet falë remitancave të diasporës, të cilat shënuan rritje prej 7.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm deri në fund të marsit, bashkatdhetarët kanë dërguar 313.4 milionë euro në Kosovë.

Sipas vlerësimeve preliminare të BQK-së, remitancat kanë vazhduar të rriten edhe gjatë prillit, duke arritur në rreth 117.6 milionë euro për një muaj. Kjo e çon vlerën totale të remitancave për katër muajt e parë të vitit në mbi 431 milionë euro.

Raporti tregon se llogaria e shërbimeve ka vazhduar të ketë bilanc pozitiv, me një suficit prej 478.2 milionë eurosh, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në 215.5 milionë euro, ose 7.8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pavarësisht rritjes së eksporteve dhe investimeve, shifrat konfirmojnë se ekonomia e Kosovës mbetet e mbështetur kryesisht në importet e mallrave dhe në kontributin financiar të diasporës, e cila vazhdon të luajë rol kyç në stabilitetin ekonomik të vendit./Albinfo.ch

Saktësi milimetrike: Ulja e helikopterit në Zvicër bëhet virale

Një video e një helikopteri të ndihmës së shpejtë në kantonin e St. Gallenit ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke u bërë virale për shkak të një manovre mbresëlënëse gjatë uljes, transmeton albinfo.ch.

Pamjet tregojnë pilotët duke realizuar një ulje jashtëzakonisht precize në një hapësirë të kufizuar, me një saktësi që shumë përdorues e kanë përshkruar si “milimetrike”. Profesionalizmi dhe kontrolli i treguar gjatë manovrës kanë ngjallur admirim të madh tek publiku.

Videoja po shpërndahet gjerësisht në platforma të ndryshme sociale, ku komentuesit vlerësojnë aftësitë e pilotëve dhe standardet e larta të operacioneve të shpëtimit në Zvicër.

Pamja nga St. Galleni është cilësuar nga shumëkush si një shembull i shkëlqyer i precizitetit dhe përgatitjes profesionale, duke e bërë videon një nga më të shikuarat e orëve të fundit. /Albinfo.ch

https://www.instagram.com/reel/DZC8HXPnLrI/?igsh=MTVwa21sMHEyaHRteA==

Parlamenti Evropian voton sot raportin për Kosovën

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian pritet të votojë të mërkurën raportin për Kosovën, një dokument i rëndësishëm që vlerëson zhvillimet politike, institucionale dhe rrugën evropiane të vendit, përcjell albinfo.ch.

Raporti, i përgatitur nga eurodeputeti Riho Terras, thekson se Kosova ka humbur një vit të rëndësishëm për shkak të bllokadës politike dhe vonesave në proceset reformuese. Sipas dokumentit, situata aktuale politike dhe procesi zgjedhor mund të ndikojnë edhe në muajt e ardhshëm, duke rrezikuar realizimin e reformave të nevojshme dhe përfitimin e plotë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Një nga pikat kryesore të raportit është mbështetja për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, eurodeputetët u bëjnë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të avancojnë procedurat përkatëse dhe të mbështesin më tej perspektivën evropiane të Kosovës.

Raporti mirëpret gjithashtu heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe me ndikim negativ për qytetarët dhe zhvillimin e vendit.

Në dokument riafirmohet rëndësia e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e procesit të integrimit evropian. Po ashtu, shprehet shqetësim për mungesën e progresit në ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar që autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, të përballen me drejtësinë.

Raporti konsiderohet si një mesazh i rëndësishëm politik nga institucionet evropiane, duke konfirmuar mbështetjen për rrugën integruese të Kosovës dhe duke nënvizuar nevojën për stabilitet politik dhe vazhdim të reformave në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Evropian./Albinfo.ch

“Vallja e Bareshës” nga Ansambli Teuta mahnit publikun në Ecublens të Zvicrës

Ansambli Shqiptar Kulturor dhe Artistik “Teuta” nga Lozana ka sjellë para publikut zviceran interpretimin e “Valljes së Bareshës”, një nga vallet më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare, shkruan albinfo.ch.

Performanca u zhvillua më 30 maj 2026 në Ecublens të Zvicrës, ku anëtarët e ansamblit u duartrokitën për interpretimin autentik dhe përkushtimin në ruajtjen e traditave shqiptare.

Përmes kostumeve tradicionale, muzikës dhe koreografisë karakteristike, Ansambli “Teuta” vazhdon të promovojë kulturën shqiptare në diasporë dhe të forcojë lidhjen e brezave të rinj me rrënjët e tyre kombëtare.

Me aktivitetet e tij të shumta artistike, ansambli nga Lozana mbetet një nga përfaqësuesit më aktivë të kulturës shqiptare në Zvicër./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/100008471800683/videos/pcb.4019929378299416/1361391432503343

Joshua dhe Prenga përballen “sy më sy”, reagimi i shqiptarit pushton rrjetin

Pak javë para përballjes së madhe në kategorinë e peshave të rënda, Anthony Joshua dhe Kristian Prenga kanë zhvilluar takimin e tyre të parë zyrtar para mediave, transmeton albinfo.ch.

Dy boksierët do të ndeshen më 25 korrik në Arabinë Saudite, në një duel që po konsiderohet si një nga sfidat më interesante të verës në boksin profesionist. Fillimisht meçi ishte planifikuar të mbahej në Riad, por më pas organizatorët vendosën ta zhvendosin në Jeddah.

Për Anthony Joshuan, kjo ndeshje shihet si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit në skenën më të lartë të boksit, përpara përballjes së mundshme me rivalin britanik Tyson Fury më vonë gjatë vitit.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, Joshua dhe Prenga u përballën “sy më sy”, ndërsa një reagim i boksierit shqiptar u komentua gjerësisht në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare. Disa media britanike e interpretuan atë si shenjë nervozizmi, por vetë Prenga tregoi vendosmëri dhe besim të plotë para sfidës.

Pas përballjes, shqiptari deklaroi se në ring nuk njeh respekt për askënd, duke theksuar se është i gatshëm të japë maksimumin kundër një prej emrave më të mëdhenj të boksit botëror.

Kristian Prenga hyn në këtë duel me një bilanc mbresëlënës në karrierën profesioniste. Ai ka regjistruar 20 fitore dhe vetëm një humbje, ndërsa të gjitha fitoret i ka arritur me nokaut, statistikë që e bën një kundërshtar të rrezikshëm për çdo boksier në kategorinë e peshave të rënda.

Tashmë vëmendja e tifozëve të boksit është përqendruar te 25 korriku, kur shqiptari do të ketë mundësinë të masë forcat me ish-kampionin e botës Anthony Joshua./Albinfo.ch

https://www.instagram.com/reel/DZDR_FVs9V-/?igsh=MXhyeHBqcGlnaDA4aw==

Bardha diplomon në Berkeley University me titullin master

Një tjetër histori suksesi shqiptare vjen nga University of California, Berkeley, ku Bardha ka përfunduar me sukses studimet master në drejtimin “Master of Development Practice”, shkruan albinfo.ch.

Diplomimi në një nga universitetet më prestigjioze në botë shënon një arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale për të renë shqiptare, e cila gjatë ceremonisë së diplomimit përcolli edhe një mesazh emocional dhe frymëzues për Kosovën dhe sfidat globale të kohës sonë.

Në fjalimin e saj, Bardha foli për vendlindjen dhe për mënyrën se si ka ndarë historinë e Kosovës me kolegët dhe miqtë gjatë studimeve në Berkeley.

“Kam folur për Kosovën me shumë prej jush më gjatë sesa vetëm për disa minuta, si ndryshe do të sigurohesha që ta dini se është një nga shtetet më të reja në botë, që Dua Lipa është nga atje, apo që flamuri ynë ka ngjyrat e Berkeley-t”, tha ajo mes tjerash.

Në vijim, ajo solli edhe një reflektim më të thellë mbi historinë e Kosovës dhe sfidat e zhvillimit në botën moderne.

“Kosova ende po rikuperohet nga lufta që e përjetuam kur isha vetëm pesë vjeçe. Dhe duke parë botën sot, ku zhvillimi është nën presion dhe forcat shkatërruese duken më të zëshme se ato ndërtuese, aftësia jonë për t’u gjendur pranë komuniteteve tona me empati dhe përulësi bëhet edhe më e domosdoshme”, u shpreh ajo.

Fjalimi i saj u mirëprit nga të pranishmit dhe u konsiderua një mesazh i fuqishëm mbi identitetin, kujtesën dhe përgjegjësinë sociale, duke e kthyer ceremoninë e diplomimit në një moment krenarie jo vetëm personale, por edhe për komunitetin shqiptar.

Me emocione të veçanta për këtë arritje u shpreh edhe Ilire Vinca, aktorja e mirënjohur dhe nëna e Bardhës. Ajo tregoi se momentin e diplomimit të vajzës së saj në University of California, Berkeley e ndoqi nga sheshi i xhirimeve të filmit “Serra”, e rrethuar nga kolegët që ndanë gëzimin me të. Në reagimin e saj emocional, Vinca tha se ndihet krenare për Bardhën, e cila mori titullin “Master of Development Practice”, ndërsa ndau edhe një pjesë nga fjalimi i vajzës së saj kushtuar Kosovës dhe identitetit të saj. /Albinfo.ch

 

Bardha ne ceremonin e diplomimit

Shqiptari nga Kosova diplomon në Inxhinieri Hapësinore në Suedi me veshje kombëtare

Një tjetër histori suksesi shqiptare vjen nga Suedia, ku Aulon Nura, me rrënjë nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet master në Inxhinieri Hapësinore në KTH Royal Institute of Technology, një nga universitetet më të njohura teknike në Evropë, shkruan albinfo.ch.

Pas përfundimit të studimeve, ai është angazhuar profesionalisht në OHB Sweden, kompani suedeze e specializuar në industrinë e prodhimit të satelitëve dhe teknologjisë hapësinore. Atje, Auloni po aplikon njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë viteve të studimeve në fushën e inxhinierisë së avancuar.

Gjatë ceremonisë së diplomimit, ai tërhoqi vëmendje edhe me një simbolikë të veçantë kulturore, duke u paraqitur me veshje kombëtare shqiptare. Ky gjest u pa si një mënyrë dinjitoze për të përfaqësuar identitetin dhe origjinën e tij shqiptare në një moment të rëndësishëm akademik.

Arritja e tij konsiderohet një sukses frymëzues për të rinjtë shqiptarë në diasporë, veçanërisht në fusha të avancuara si teknologjia hapësinore dhe inxhinieria moderne. /Albinfo.ch

 

Aulon Nura

Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie në tregjet botërore, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kontaktet dhe bisedimet me Iranin po vazhdojnë. Si rezultat, kontratat e ardhshme të naftës Brent ranë me 1.53 dollarë për fuçi, duke arritur në 93.45 dollarë, ose 1.6% më pak krahasuar me ditën e mëparshme.

Deklarata e Trump erdhi në një kohë kur raportimet sugjeronin se Teherani kishte pezulluar negociatat indirekte me Uashingtonin për t’i dhënë fund tensioneve dhe konfliktit mes palëve.

Vetëm një ditë më parë, nafta kishte pësuar rritje të çmimit në bursat ndërkombëtare, ku një fuçi tregtohej afërsisht me 95 dollarë.

Që nga fillimi i luftës, Irani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen e anijeve jo-iraniane në Gjirin Persik, duke ndikuar në qarkullimin e rreth 20% të furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Kjo situatë ka ushtruar presion të madh mbi tregjet energjetike dhe ka kontribuar në rritjen e çmimeve.

Ekspertët paralajmërojnë se muaji gusht mund të sjellë një tjetër valë shtrenjtimi të naftës, nëse kërkesa globale vazhdon të rritet dhe problemet e furnizimit të shkaktuara nga konflikti me Iranin mbeten të pazgjidhura.

Rritja e çmimeve të energjisë ka ndikuar drejtpërdrejt në inflacion, duke shtuar kostot për familjet dhe bizneset. Po ashtu, ajo ka ndikuar edhe në tregjet financiare, duke rritur rendimentet e obligacioneve dhe duke krijuar pasiguri për ekonominë globale dhe investitorët.

Fondet pensionale në Zvicër me kthime të larta në 2025, por shumica e të siguruarve nuk janë të informuar

Fondet pensionale zvicerane kanë shënuar një vit të suksesshëm investimesh në vitin 2025, duke u sjellë përfitime të konsiderueshme të siguruarve në sistemin e pensioneve profesionale.

Sipas një analize të Bankës Kantonalë të Cyrihut (ZKB), mesatarja e interesit të kredituar për kursimet pensionale ka arritur në 4.6%, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit, madje edhe i rregulluar për inflacionin.

Rritja është nxitur kryesisht nga performanca e mirë e investimeve në aksione dhe pasuri të paluajtshme. Në përgjithësi, fondet pensionale kanë shpërndarë rreth tre të katërtat e fitimeve te të siguruarit, ndërsa kthimet ndryshojnë ndjeshëm nga një fond në tjetrin: nga rreth 2% deri në 9%.

Megjithatë, studimi tregon se niveli i informimit mbetet i ulët. Rreth 70% e të punësuarve të siguruar nuk e dinë se çfarë norme interesi ofron fondi i tyre pensional.

Edhe pse investimet kanë sjellë përfitime të dukshme për kursimet e pensionit, ndërgjegjësimi i ulët mbetet një sfidë në sistemin e pensioneve.

Zvicër: Pije energjike me kafeinë mbi kufirin ligjor të zbuluara në treg

Një hetim i SRF Investigativ ka zbuluar se disa pije energjike që shiten në tregun zviceran përmbajnë sasi kafeine mbi kufirin e lejuar me ligj, duke ngritur shqetësime për sigurinë e konsumatorëve, sidomos të të rinjve.

Sipas rregullave në Zvicër, një kanaçe 0.5 litra nuk duhet të përmbajë më shumë se 160 mg kafeinë. Megjithatë, analiza laboratorike e 27 produkteve tregoi se 10 prej tyre e tejkalonin këtë limit, me disa që arrinin nga 180 deri në 300 mg kafeinë për kanaçe.

Produktet problematike përfshijnë marka të njohura si Monster, Snowman, Playboy Energy dhe Ghost. Në një rast, “Monster Energy Killer Brew Loca Moca” deklaronte 300 mg kafeinë, por testi laboratorik gjeti mbi 338 mg.

Autoritetet kantonale kanë reaguar duke urdhëruar tërheqjen nga tregu të disa produkteve, ndërsa disa dyqane online dhe importues i kanë hequr ato nga shitja pas publikimit të rezultateve.

Ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i tepruar i kafeinës mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës, pagjumësi dhe nervozizëm. Ndërkohë, në Zvicër nuk ekziston kufi moshe për blerjen e pijeve energjike, ndryshe nga alkooli apo duhani, çka ka nxitur thirrje për masa më të rrepta për mbrojtjen e të rinjve.

Zvicra duhet të ndjekë BE-në për qendrat e kthimit të migrantëve jashtë Evropës

Zvicra do të duhet të krijojë një bazë ligjore për ngritjen e qendrave jashtë territorit evropian, ku mund të dërgohen migrantët me kërkesa të refuzuara për azil, në përputhje me rregulloren e re të miratuar nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja e arritur të hënën në Bruksel prek edhe Zvicrën, e cila, ndonëse nuk është anëtare e BE-së, bën pjesë në hapësirën Schengen dhe është e detyruar të harmonizojë legjislacionin e saj me zhvillimet e acquis-it të Schengenit.

Kompromisi i miratuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian përfshin një sërë masash që synojnë përshpejtimin e procedurave të deportimit. Ai u jep gjithashtu mundësinë shteteve që dëshirojnë të krijojnë qendra për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar jashtë Evropës.
Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), Zvicra do të ketë afat deri në dy vjet për ta inkorporuar këtë legjislacion në të drejtën kombëtare. Projektligji do t’i paraqitet Parlamentit dhe mund t’i nënshtrohet edhe një referendumi fakultativ.

Qendrat ende nuk ekzistojnë

Para se migrantët e refuzuar të mund të transferohen në këto qendra, ato duhet së pari të krijohen. Për këtë nevojitet gjetja e një shteti të tretë që pranon të strehojë një qendër të tillë në territorin e vet.
Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se, nëse këto qendra krijohen dhe funksionojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, Berna do të shqyrtojë mundësinë e pjesëmarrjes në këtë mekanizëm.

Sipas Këshillit Evropian, qendrat mund të shërbejnë si destinacion përfundimtar për migrantët ose si pika tranziti përpara transferimit të tyre në vendin e origjinës apo në një shtet të tretë. Deri më tani nuk është bërë e ditur se në cilat vende do të hapen këto qendra.

Rregullorja parashikon që çdo marrëveshje të lidhet me një shtet të tretë që respekton të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare. Në këto qendra mund të dërgohen edhe familje, ndërsa përjashtimi i vetëm vlen për të miturit e pashoqëruar.

Ky zhvillim konsiderohet si pjesë e përpjekjeve të reja të Evropës për të forcuar politikën e migracionit dhe për të menaxhuar më me efikasitet kthimin e personave që nuk përfitojnë të drejtën e azilit.

Nxënësit në Bernë do të përdorin materiale reale votimi për edukimin qytetar

Shkollat në kantonin e Bernës do të kenë mundësinë të përdorin materiale autentike votimi falas në kuadër të edukimit qytetar, me synimin për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin e nxënësve mbi proceset demokratike.

Vendimi vjen pas miratimit unanim të një mocioni në Këshillin e Madh të kantonit të Bernës. Sipas iniciuesve të propozimit, përdorimi i materialeve reale zgjedhore dhe të votimit ofron një përvojë më të vlefshme pedagogjike sesa përdorimi i dokumenteve fiktive.

Materialet do të shënohen qartë si mjete mësimore për të shmangur çdo mundësi ngatërrimi me dokumentet zyrtare të votimit. Përmes tyre, nxënësit do të mund të praktikojnë procedurat e votimit dhe të kuptojnë më mirë funksionimin e sistemit demokratik dhe proceseve zgjedhore.

Autoritetet kantonale theksojnë se njohuritë qytetare janë pjesë e rëndësishme e programeve arsimore, si në arsimin profesional ashtu edhe në atë universitar.

Qeveria e Bernës do të ngarkohet me krijimin e bazës ligjore dhe organizative për zbatimin e projektit. Për shkak të kostove financiare, shpërndarja e materialeve pritet të kufizohet në një proces votimi në vit.

Sipas autoriteteve, zbatimi i kësaj nisme nuk pritet të fillojë para vitit 2027.

 

Pezullohen fluturimet nga La Chaux-de-Fonds drejt Korsikës dhe Sardenjës

Pezullohen fluturimet nga La Chaux-de-Fonds drejt Korsikës dhe Sardenjës për shkak të vështirësive financiare të Air Mountain

Fluturimet që lidhin qytetin zviceran La Chaux-de-Fonds me ishujt mesdhetarë të Korsikës dhe Sardenjës janë pezulluar për shkak të problemeve financiare të kompanisë ajrore Air Mountain.

Sipas mediave zvicerane, kompania me seli në kantonin Valais është ndaluar të operojë fluturime nga autoritetet gjyqësore për shkak të mbiborxhit dhe mungesës së likuiditetit. Si pasojë, fluturimet e planifikuara më 30 dhe 31 maj janë anuluar.

Air Mountain u ka kërkuar falje pasagjerëve dhe agjencive të udhëtimit të prekura nga anulimet, pa ofruar detaje shtesë mbi situatën aktuale.

Problemet financiare të kompanisë pritet të ndikojnë edhe në aeroporte të tjera zvicerane, përfshirë Sionin dhe potencialisht Gjenevën, ku gjithashtu mund të anulohen fluturimet e planifikuara.

Ndërkohë, agjencia turistike Croisitour, e cila organizon këto udhëtime, po punon për të gjetur alternativa për sezonin veror. Themeluesi i saj ka theksuar se situata nuk lidhet me çështje sigurie dhe as me falimentim të kompanisë.

Pasagjerët e prekur nga anulimet janë kontaktuar dhe u janë ofruar zgjidhje alternative. Për udhëtimet e ardhshme, klientët kanë mundësinë të zgjedhin mes rimbursimit të plotë ose nisjes nga aeroporte të tjera zvicerane, me transport të organizuar nga La Chaux-de-Fonds.

Linjat ajrore drejt Korsikës dhe Sardenjës transportojnë çdo vit mes 500 dhe 700 pasagjerë, duke qenë një lidhje e rëndësishme turistike për rajonin.

 

Konsullata e Kosovës në Cyrih nuk do të jetë e hapur për palë më 5 qershor

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka njoftuar se të premten, më 5 qershor 2026, nuk do të ofrojë shërbime të rregullta për qytetarët për shkak të angazhimeve që lidhen me organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj dite Konsullata do të jetë e mbyllur për pranimin e palëve dhe ofrimin e shërbimeve të zakonshme konsullore.

Megjithatë, qytetarët do të kenë mundësi të tërheqin dokumentet e tyre personale, përfshirë pasaportat, letërnjoftimet dhe dokumente të tjera që tashmë kanë arritur në Konsullatë.

Përfaqësuesit e Konsullatës kanë falënderuar bashkatdhetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre.

Manifestim i shkollave shqipe të Kantonit të Argaut – festë e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar

Argau, Zvicër – Në një atmosferë festive dhe tejet emocionuese, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut organizoi manifestimin tradicional me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2025/2026, duke mbledhur në një vend nxënës, mësimdhënës, prindër, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë të shumtë nga Zvicra dhe trojet shqiptare.

Ky aktivitet, i cili tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme arsimore dhe kulturore për komunitetin shqiptar në kanton, dëshmoi edhe një herë forcën organizative, përkushtimin e mësuesve dhe dashurinë e brezit të ri për gjuhën amtare.

Manifestimi u hap me interpretimin e Himnit Kombëtar nga nxënësit e shkollave shqipe të kantonit, duke krijuar emocione të veçanta te të pranishmit. Programin e udhëhoqi ish-nxënësja e shkollës shqipe, Ilmije Luma, e cila, në emër të Kryesisë Kantonale të LAPSH-it, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës shqipe.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i LAPSH-it për Kantonin e Argaut, Riza Demaj, vlerësoi punën e palodhshme të mësuesve dhe prindërve, duke theksuar se ruajtja e gjuhës shqipe në mërgatë mbetet një nga misionet më të rëndësishme kombëtare.

Manifestimin e përshëndeti edhe znj. Besarta Balaj, zyrtare e lartë për mësimin në mërgatë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, e cila vlerësoi rolin e shkollave shqipe në diasporë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe edukimin e brezave të rinj. Ajo përgëzoi të gjithë mësuesit, e në veçanti ata që ishin të pranishëm me nxënësit e tyre. Ajo përgëzoi të gjithë mësuesit në veçanti ata të cilët ishin prezentë me nxënësit e tyre Qefseren, Vaxhidin, Safeten, Halimen, Vjollcën, Elfeten, Nurajn, Eshtrefen, Sadeten, Zyrafeten dhe Arditën.

Një rëndësi të veçantë manifestimit i dha pjesëmarrja e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë. Të pranishëm ishin përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, znj. Monika Zguro, dhe zëvendëskonsulli i Konsullatës së Republikës së Kosovës, z. Avni Zejnullahu. Znj. Monika Zguro, e cila foli në emër të trupit diplomatik, përgëzoi mësuesit dhe prindërit shqiptarë për angazhimin e tyre gjatë gjithë vitit shkollor, që fëmijët ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare. Ajo përgëzoi veprimtarët Riza Demaj dhe Vaxhid Sejdiu për angazhimin e tyre në përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, duke theksuar se hapja e njëmbëdhjetë pikave të reja shkollore gjatë vitit shkollor flet më së miri për këtë përkushtim.

Mbështetjen e institucioneve vendore e dëshmoi edhe pjesëmarrja e kryetares së Komunës së Suhr-it, Carmen Sutter. Ndërkohë, aktivitetin e nderuan me fjalën e tyre edhe akademik Frashër Demaj nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si dhe prof. dr. Rabije Murati nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës.

Pjesa artistike e manifestimit ishte kulmi i kësaj feste shkollore. Nxënësit e të gjitha shkollave shqipe të Kantonit të Argaut prezantuan me krenari recitime, këngë dhe valle kushtuar gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, historisë, lirisë dhe atdheut. Programi filloi me interpretimin e mrekullueshëm të nxënëseve të Shkollës Shqipe në Neuenhof, Lira Zuka dhe Arnela Halimi, me këngën “Flasin shqip tingujt e zemrës”.

Gjatë gjithë programit artistik, në skenë u paraqitën nxënësit e shkollave shqipe nga Neuenhof, Spreitenbach, Bad Zurzach, Oftringen, Gränichen, Dintikon, Wohlen, Birr, Hunzenschwil, Othmarsingen, Rupperswil, Windisch, Wettingen, Frick, Möhlin dhe Muhen, të përgatitur me përkushtim nga mësuesit e tyre.

Një moment veçanërisht emocionues ishte ndarja e certifikatave për semi-maturantët që kanë përfunduar me sukses programin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. LAPSH-i i Kantonit të Argaut vlerësoi nxënësit për përkushtimin dhe vijueshmërinë e tyre ndër vite, ndërsa Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, përmes znj. Besarta Balaj, i nderoi nxënësit shembullorë me libra si shenjë mirënjohjeje për suksesin dhe angazhimin e treguar.

 

Me certifikata, me rastin e përfundimit të programit shkollor, u nderuan. Ajla Sulejmani dhe Era Kelmendi, nxënëse të mësueses Qefsere Sejdiu; Shera Dakaj, Sara Zymeri, Lorena Rrafshi, Leon Hoxhaj dhe Loresa Hoxhaj, nxënës të mësuesit Vaxhid Sejdiu; Dioreta Fazliaj, Ardona Elezaj, Lina Muharremaj dhe Doresa Fazliaj, nxënëse të mësueses Ardita Abazi; Yllka Balaj, Luana Salihu dhe Kanina Zajmi, nxënëse të mësueses Elfete Hysenaj-Gashi; Esma Iljasi, Laila Ibrahimi, Amra Ibrahimi, Ailinda Canaj, Fatime Abdiji, Harun Amiti, Ayla Amiti, Eldion Bytyqi dhe Leon Dilla, nxënës të mësueses Nuraj Iljasi; Diar Shala, Anik Rama dhe Aron Cerimi, nxënës të mësueses Eshtrefe Nuhiji; Aulon Isufi, Amelia Sylejmani dhe Arbër Rexhepi, nxënës të mësueses Zyrafete Muqolli-Aliu.

Një falënderim i veçantë u shkon prindërve dhe veprimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut, të cilët, nën drejtimin e kryetarit Riza Demaj dhe sekretarit Rexhep Neziri, u përkujdesën për organizimin dhe aspektin teknik të manifestimit. Mirënjohje e veçantë shkon gjithashtu për mbështetësin e kahershëm të LAPSH-it në Kantonin e Argaut, z. Visar Muriqi.

Manifestimi u përmbyll me paraqitjen e Shoqatës Kulturo-Artistike “Shota”, e cila solli emocione dhe duartrokitje të shumta nga publiku.

Ky manifestim ishte një dëshmi e qartë se shkolla shqipe në diasporë vazhdon të mbetet vatër e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet mësuesve, prindërve, institucioneve shqiptare dhe komunitetit në përgjithësi.

 

 

Ndahet nga jeta Dr. Dërgut Çuni, mjeku humanist dhe bjeshkatari që frymëzoi breza të tërë

I lindur në Kaçanik, Dr. Dërgur Çuni la gjurmë të veçanta në mjekësi, në shërbim të luftës çlirimtare të Kosovës dhe në komunitetin e bjeshkatarëve. Ai u vlerësua për profesionalizmin, humanizmin e rrallë, energjinë e pashtershme dhe shpirtin e tij gjithmonë të hareshëm, duke fituar respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e njohën..

Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen e hershme dhe të papritur nga jeta të Dr. Dërgut Çunit, një personalitet i respektuar që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e mjekësisë, në UÇK dhe në komunitetin e bjeshkatarisë. I lindur në Kaçanik, Dr. Dërgut Çuni do të kujtohet si mjeku humanist dhe njeriu i maleve që me energjinë e tij preku jetët e shumë brezave. Dr. Çuni ia kushtoi jetën profesionit të mjekut, duke u shndërruar në një figurë të besueshme për pacientët dhe familjet e tyre përmes një përkushtimi dhe ndjenje të lartë përgjegjësie.

Kontributi i tij ishte i gjithanshëm, duke shërbyer si veteran i mjekësisë dhe si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku angazhimi i tij profesional dhe njerëzor vlerësohej gjerësisht, veçanërisht në periudhat më sfiduese për vendin.

Përveç mantelit të bardhë, Dr. Dërgut Çuni ishte një emër i dashur dhe i pandashëm nga rrethet e bjeshkatarisë duke qenë anëtar i rregullt i Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste “Kaçaniku”. Si një nga shtyllat kryesore të aktiviteteve malore, ai njihej për energjinë pozitive, përgatitjen e jashtëzakonshme fizike dhe shpirtin e tij të hareshëm. Miqtë dhe bashkudhëtarët e kujtojnë si një njeri të afërt dhe gjithmonë të gatshëm për të ofruar këshilla e mbështetje për komunitetin.

Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh te familja, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Dr. Dërgut Çuni mbetet një model i shërbimit ndaj njerëzve dhe dashurisë për natyrën.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. U prehtë në paqe!

 

Shërbimi për dokumente biometrike shqiptare ofrohet në Bernë më 3 qershor

IdentiTek, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, do të vijojë ofrimin e shërbimeve për pajisjen me dokumente biometrike për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Në kuadër të këtij angazhimi, një ekip i deleguar i IdentiTek do të jetë i pranishëm në Bernë të Zvicrës më 3 qershor 2026, duke u ofruar qytetarëve shqiptarë mundësinë për të aplikuar dhe për t’u pajisur me dokumente biometrike.

Shërbimi do të ofrohet në adresën Pourtalèsstrasse 45A, 3074 Muri bei Bern, Zvicër.

Autoritetet u bëjnë thirrje shtetasve shqiptarë që kanë nevojë për dokumente biometrike të shfrytëzojnë këtë mundësi për të kryer procedurat përkatëse pranë ekipit të deleguar.

Mediumi zviceran: Debati për shamitë në shkollat e Kosovës rikthehet para zgjedhjeve parlamentare

Çështja e lejimit të mbajtjes së shamive në shkollat e Kosovës është rikthyer në qendër të debatit publik në prag të zgjedhjeve parlamentare, shkruan mediumi zviceran RTS. Sipas raportimit, tema vazhdon të ndajë opinionin publik në një vend ku laicizmi është i garantuar me Kushtetutë, ndërsa shumica e popullsisë i përket besimit mysliman.
Mediumi zviceran thekson se mes studentëve në Prishtinë ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje. Disa të rinj konsiderojnë se askush nuk duhet të ndërhyjë në besimin fetar të individëve dhe se mbajtja e shamisë nuk duhet të jetë pengesë për arsimimin e vajzave, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, një pjesë e studentëve vlerësojnë se shteti duhet të tregojë më shumë respekt ndaj bindjeve fetare, duke argumentuar se rregullat aktuale laike e bëjnë më të vështirë praktikimin e fesë për besimtarët myslimanë.

Sipas RTS, Kosova që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 është përcaktuar si shtet laik dhe ky orientim vazhdon të mbështetet nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. Megjithatë, brezat më të rinj po e vënë gjithnjë e më shumë në diskutim mënyrën e zbatimit të këtij parimi.

Në anën tjetër, mbështetësit e laicizmit të rreptë argumentojnë se ai mbetet një element kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe bashkëjetesës ndërfetare në vend. Ata theksojnë se, në një shoqëri ku bashkëjetojnë komunitete të ndryshme fetare, ruajtja e ekuilibrit institucional është thelbësore.

Mediumi zviceran vëren se, pavarësisht debatit të vazhdueshëm, çështja e shamisë në shkolla reflekton më shumë një dallim brezash sesa tensione serioze shoqërore. Sipas raportimit, diskutimet mbi rolin e fesë në jetën publike pritet të mbeten pjesë e debatit politik dhe shoqëror në Kosovë edhe pas zgjedhjeve.

Ardon Jashari rrëfen fillimet e vështira te Luzerni dhe ndikimin e Granit Xhakës

Mesfushori i talentuar i Zvicrës, Ardon Jashari, ka folur hapur për periudhën e vështirë në fillimet e tij te FC Luzern, duke zbuluar se rruga drejt futbollit elitar nuk ishte aspak e lehtë.

Në një intervistë për mediat zvicerane, Jashari tregoi se në vitet e para kishte momente dyshimi dhe vështirësi për t’u imponuar në ekipin e parë të Luzernit.

Sipas tij, konkurrenca e fortë dhe pritjet e mëdha e detyruan të punonte edhe më shumë për të fituar vendin e titullarit, transmeton albinfo.ch.

Futbollisti 23-vjeçar, që sot luan për AC Milan, tha se një nga figurat që e ka frymëzuar më së shumti gjatë zhvillimit të tij ka qenë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka. Ai e përshkroi Xhakën si model për mënyrën se si udhëheq ekipin, personalitetin në fushë dhe mentalitetin fitues.

Jashari theksoi se gjithmonë ka vëzhguar nga afër sjelljen dhe profesionalizmin e Xhakës, duke u përpjekur të mësojë prej njërit prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e kombëtares zvicerane.

Mesfushori me prejardhje shqiptare ka bërë ngritje të shpejtë në karrierë gjatë viteve të fundit. Pas shpërthimit te Luzerni, ai kaloi te Club Brugge dhe më pas siguroi transferimin e madh te Milani, duke u shndërruar në një nga emrat më premtues të futbollit zviceran.

Sot, Jashari konsiderohet si një nga pasardhësit potencialë të Xhakës në mesfushën e Zvicrës, edhe pse vetë ai vazhdon të tregojë respekt të madh për kapitenin dhe rolin e tij në ekip.

Florent Boshnjaku drejtor artistik në “Akordet e Kosovës”

“Akordet e Kosovës” rikthehen këtë vit nën organizimin e Radio Televizionit të Kosovës, duke sjellë dy festivale në një edicion të vetëm.

Me propozim të drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, edhe në edicionin e katërt të RTK Fest, si dhe në edicionin e parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë, drejtor artistik do të jetë kompozitori Florent Boshnjaku, njofton RTK, transmeton albinfo.ch.

Gërvalla ka vlerësuar angazhimin dhe kontributin e Boshnjakut në tri edicionet e deritanishme të festivalit, duke shprehur bindjen se edhe edicioni i katërt do të sjellë krijime të veçanta artistike për publikun.

Sipas Gërvallës, e veçanta e këtij edicioni është se nën ombrellën e Akordeve të Kosovës do të organizohen dy festivale: Festivali i Këngës për të rritur dhe Festivali i Këngës për Fëmijë, duke rikthyer kështu një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës vendore.

Tashmë kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri, përfshirë konsolidimin e ekipit profesional dhe diskutimet për çështjet organizative.

Grupi i punës i drejtuar nga Gërvalla ka bërë të ditur edhe datat e mbajtjes së “Akordeve të Kosovës”: 29, 30 dhe 31 tetor. Më 29 tetor do të mbahet nata garuese e Festivalit të Këngës, më 30 tetor finalja e edicionit të katërt të RTK Fest, ndërsa më 31 tetor do të zhvillohet edicioni i parë i Festivalit të Fëmijëve.