Tiranë: Protesta kundër projektit të Zvërnecit hyn në ditën e katërt

Për të katërtën ditë radhazi, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan një protestë në Tiranë kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, në Vlorë. Tubimi u organizua në sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit nisën një marshim drejt godinës së Kryeministrisë.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit, duke argumentuar se ai mund të ketë pasoja negative për mjedisin, biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të zonës së mbrojtur të Zvërnecit.

Teksa marshonin përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit, protestuesit u përballën për disa minuta me forcat e policisë, të cilat kishin ngritur barriera sigurie në kuadër të masave të marra për zhvillimin e ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit. Pas një periudhe tensioni, policia lejoi kalimin e protestuesve, të cilët vazhduan marshimin dhe u pozicionuan përpara Kryeministrisë.

Në përfundim të protestës, organizatorët dhe pjesëmarrësit paraqitën pesë kërkesa kryesore drejtuar qeverisë. Këto përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë mobilizimin e tyre edhe në ditët në vazhdim, duke kërkuar që institucionet shtetërore të rishikojnë vendimet që, sipas tyre, rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore të vendit.

Edona B. Kelmendi promovon në Cyrih librin “Për ata që s’u kthyen”

Pas pritjes së ngrohtë nga lexuesit shqiptarë, autorja do të prezantojë botimin e saj në Zürich, në një takim kushtuar kujtesës, reflektimit dhe dëshmisë

Ka botime që lexohen dhe harrohen. Ka të tjera që lënë gjurmë dhe nxisin reflektim të thellë. Në këtë kategori bën pjesë edhe libri “Për Ata që S’u Kthyen” i autores Edona Kelmendi.

Përmes këtij botimi, autorja prek një nga plagët më të ndjeshme të historisë sonë të afërt, fatin e atyre që nuk u kthyen kurrë dhe dhimbjen që vazhdon të jetojë në mijëra familje shqiptare. Libri fton lexuesin të ndalet, të reflektojë dhe të mos lejojë që kujtesa të zbehet me kalimin e kohës.

Pas promovimeve të mbajtura në qytete të ndryshme të Zvicrës dhe interesimit të treguar nga publiku, Edona Kelmendi do të vazhdojë takimet me lexuesit më 20 qershor 2026, në Bibliotekën Pestalozzi Hardau në Zürich.

Aktiviteti do të zhvillohet në orën 16:30 dhe do të ofrojë mundësinë për një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me autoren rreth librit, procesit të krijimit dhe mesazhit që ajo dëshiron të përcjellë përmes kësaj vepre.

Ngjarja organizohet në bashkëpunim me Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër dhe Bibliotekën Pestalozzi, duke sjellë së bashku dashamirës të librit, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe lexues zviceranë.

Përveç promovimit në Zürich, Edona Kelmendi do të jetë e pranishme edhe në edicionin e pestë të “Salon du Livre au Château” në Cressier, ku do të prezantojë librin e saj para një publiku të gjerë dhe shumëkulturor.

“Për Ata që S’u Kthyen” është një thirrje për të mos harruar. Një dëshmi se kujtesa mbetet forma më e fortë e respektit për ata që mungojnë dhe një përgjegjësi që u takon brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

Detajet e promovimit:

📅 20 qershor 2026

🕟 Ora 16:30

📍 Biblioteka Pestalozzi Hardau

Norastrasse 20

8004 Zürich

Një takim me autoren. Një bisedë mbi kujtesën. Një homazh për ata që nuk u kthyen kurrë

Tregu i veturave në Zvicër ngec, por interesimi për automjetet elektrike vazhdon të rritet

Tregu zviceran i veturave vazhdon të përballet me vështirësi, pasi shitjet e automjeteve të reja mbeten pothuajse të pandryshuara krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, një segment po shënon rritje të qartë: veturat elektrike, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave më të fundit, regjistrimet e automjeteve të reja në Zvicër kanë mbetur në nivele të ngjashme me vitin 2025, duke reflektuar pasigurinë ekonomike dhe hezitimin e konsumatorëve për blerje të mëdha. Në të njëjtën kohë, automjetet elektrike dhe hibride po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në treg.

Ekspertët e industrisë vlerësojnë se kërkesa për automjete elektrike po nxitet nga kostot më të ulëta të përdorimit, zhvillimi i rrjetit të karikimit dhe synimet klimatike të Zvicrës. Megjithatë, çmimet e larta të blerjes vazhdojnë të mbeten një pengesë për shumë familje.

Sektori automobilistik po përballet gjithashtu me konkurrencë në rritje nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike, të cilët po hyjnë gjithnjë e më fuqishëm në tregun evropian me modele më të lira dhe teknologji të avancuar.

Përfaqësuesit e industrisë presin që pjesa e tregut e automjeteve elektrike të vazhdojë të rritet gjatë viteve të ardhshme, megjithëse ritmi i përgjithshëm i shitjeve të automjeteve të reja mbetet më i ngadaltë se sa pritej.

Edhe policia kundër referendumi kundër emigracionit

Drejtuesit e policive kantonale në Zvicër kanë paralajmëruar se miratimi i iniciativës “Jo Zvicrës me 10 milionë banorë” në referendumin e 14 qershorit mund të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare.

Sipas Karin Kayser-Frutschi, presidente e Konferencës së Drejtorëve të Policive Kantonale, një votë “pro” mund të rrezikojë qasjen e Zvicrës në bazat evropiane të të dhënave policore dhe sistemet e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit. Kjo do ta vështirësonte luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Shoqata Zvicerane e Policëve ka paralajmëruar gjithashtu se dobësimi ose humbja e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian mund të ketë pasoja të menjëhershme në punën e përditshme të policisë, duke kufizuar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me autoritetet e vendeve fqinje, transmeton albinfo.ch.

Debati lidhet me iniciativën e promovuar nga partia SVP, e cila synon të kufizojë popullsinë e përhershme të Zvicrës në maksimum 10 milionë banorë deri në vitin 2050. Mbështetësit argumentojnë se emigracioni i lartë po ushtron presion mbi tregun e banesave, transportin dhe infrastrukturën publike.

Nga ana tjetër, qeveria federale, organizatat ekonomike dhe tashmë edhe përfaqësuesit e policisë paralajmërojnë se kufizimi i emigracionit mund të ndikojë jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë e vendit për shkak të rrezikimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.

Parlamenti zviceran do të debatojë për konfiskimin e armëve ushtarake të papërdorura

Parlamenti i Zvicrës do të shqyrtojë gjatë sesionit veror një propozim që kërkon konfiskimin e armëve ushtarake të ish-ushtarëve që kanë mbetur të papërdorura në shtëpi për më shumë se dhjetë vjet. Propozimi synon të ulë rrezikun e dhunës me armë dhe vrasjeve në familje, transmeton albinfo.ch.

Nisma është paraqitur nga deputetja socialdemokrate Priska Seiler Graf, e cila kërkon që armët e privatizuara pas shërbimit ushtarak të konfiskohen nëse pronarët nuk i përdorin më për aktivitete sportive të qitjes për një periudhë prej 10 vjetësh. Qeveria federale e mbështet këtë propozim.

Mbështetësit argumentojnë se armët e mbajtura në shtëpi përbëjnë rrezik, veçanërisht në rastet e dhunës në familje dhe vetëvrasjeve. Sipas tyre, shteti mban ende përgjegjësi për këto armë, edhe kur ato janë transferuar në pronësi private dekada më parë.

Nga ana tjetër, organizatat e qitjes sportive dhe mbrojtësit e të drejtës së armëmbajtjes kundërshtojnë masën. Ata thonë se armët personale janë pjesë e traditës së ushtrisë së milicisë zvicerane dhe se konfiskimi automatik do të cenonte të drejtat e pronës private.

Sipas një studimi të publikuar në vitin 2023, në Zvicër ka rreth 2.3 milionë armë zjarri në pronësi private, shumica e tyre me origjinë nga ushtria. Megjithatë, numri i personave që mbajnë armën personale pas përfundimit të shërbimit ushtarak ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.

Nëse propozimi miratohet nga Dhoma Kombëtare, ai do të duhet të kalojë edhe në Dhomën e Kantonëve përpara se të shndërrohet në ligj.

Ndeshja e Yjeve për Ditën e Çlirimit të Prishtinës

Më 11 qershor 2026, nga ora 18:00 në stadiumin Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të zhvillohet “Ndeshja e Yjeve”, një spektakël futbollistik i organizuar në nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Në qendër të vëmendjes do të jenë dy yjet e futbollit kosovar, Fisnik Asllani dhe Milot Rashica, të cilët do të udhëheqin ekipet e tyre në një ndeshje festive.

Organizatorët presin një atmosferë të jashtëzakonshme me praninë e tifozëve të shumtë, ndërsa hyrja do të jetë falas për të gjithë, transmeton albinfo.ch.

Ky aktivitet synon të bashkojë sportin dhe festën qytetare në një ditë të veçantë për kryeqytetin.

Një në tre shoferë në Zvicër tejkalon shpejtësinë

Rreth një në tre shoferë në Zvicër nuk respekton kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sipas të dhënave më të fundit të sigurisë rrugore.

Në këtë kontekst, eksperti i trafikut dhe ish-këshilltari kombëtar, Walter Wobmann Lupi, ka hedhur poshtë idenë e rritjes së kufijve të shpejtësisë në autostrada dhe rrugë të tjera, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, argumenti se automjetet moderne janë më të sigurta nuk mjafton për të justifikuar shpejtësi më të larta. Ai thekson se shpejtësia mbetet një nga faktorët kryesorë që ndikon në aksidentet rrugore dhe në seriozitetin e tyre.

Debati është rihapur pas propozimeve të disa qarqeve politike që kërkojnë rritjen e kufirit të shpejtësisë në autostrada nga 120 në 130 km/h. Kundërshtarët argumentojnë se një masë e tillë do të rriste rrezikun e aksidenteve, konsumin e karburantit dhe ndotjen e mjedisit.

Statistikat tregojnë se tejkalimi i shpejtësisë vazhdon të jetë një nga shkeljet më të shpeshta në rrugët zvicerane.

Autoritetet vazhdojnë të investojnë në radarë dhe kontrolle për të ulur numrin e aksidenteve dhe viktimave në trafik.

Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se edhe një rritje e vogël e shpejtësisë mund të ketë ndikim të madh në distancën e frenimit dhe në pasojat e një aksidenti.

 

Rama mbron punimet në Zvërnec

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pas verifikimeve të kryera nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), investitorët e huaj rezultojnë pronarë të një toke ku është planifikuar të ndërtohet një projekt turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri, më 27 maj 2025.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat, transmeton albinfo.ch.

“Një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama pas mbledhjes së Qeverisë shqiptare më 3 qershor.

Ai vlerësoi edhe faktin që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor. “Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, pasi çështja do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur nga SPAK-i, dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe do t’i japë fund çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha Rama.

Në lidhje me hetimet për çështjen e pronësisë ndaj tokës në Zvërnec, zyra për mediat e SPAK-ut sërish të mërkurën tha se “çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment”.

Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se hetimi do të tregojë nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës dhe më pas do të marrë paratë. Nëse do të rezultojë e kundërta, “paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”.

Banorë të fshatit Zvërnec kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të përfshirë në një kontest gjyqësor me një biznesmen nga Vlora, lidhur me pronësinë e tokës në Zvërnec, për të cilën pretendojnë se u është marrë padrejtësisht.

Ndërkaq, lidhje me thirrjet e protestuesve për dorëheqjen e tij, Rama tha se nuk sheh arsye për dorëheqje dhe i cilësoi si përsëritje të debateve të vjetra politike. Ai tha se debati publik mbi mjedisin përdoret si instrument për të kundërshtuar projektet ekonomike, ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë për zhvillim të turizmit elitar për të rritur ekonominë.

Ditët e fundit ka pasur protesta kundër punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku është paraparë të ndërtohet një resort, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Kjo zonë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

E pyetur lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, kompania e lidhur me investimet e Kushnerit në Shqipëri, Affinity Partnerm i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

Qeveria shqiptare ka thënë se investimi në Zvërnec është në vlerë prej 4 miliardë eurosh dhe ai synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.

 

 

Tragjedi në Shëngjin, dyshohet se dy persona nga Kosova humbën jetën

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, ku katër shokë nga Kosova që kishin hyrë në det janë përballur me dallgët e forta.

Siç raporton Top Channel, dyshohet se të rinjtë janë marrë nga rrymat dhe dallgët e detit, ndërsa dy prej tyre kanë humbur jetën dhe dy raportohet se janë në gjendje të rëndë.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe gjendjen e personave të tjerë, transmeton albinfo.ch.

Në vendngjarje pritet ndërhyrja e forcave të kërkim-shpëtimit dhe policisë për të sqaruar plotësisht situatën.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim.

Një muaj pa veturë: Sfida e pazakontë që po provohet në një qytet zviceran

Rreth 60 banorë të qytetit La Chaux-de-Fonds kanë pranuar sfidën për të kaluar gjithë muajin qershor pa përdorur veturat e tyre.

Nisma është pjesë e edicionit të dytë të një projekti që synon të promovojë forma më të qëndrueshme të transportit dhe të reduktojë varësinë nga automjetet private, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrësit do të përdorin transportin publik, biçikletat ose do të lëvizin në këmbë gjatë gjithë muajit. Organizatorët synojnë të tregojnë se sa e mundur është të kryhen aktivitetet e përditshme pa veturë, duke ulur ndotjen dhe trafikun urban.

Sfida vjen në një kohë kur shumë qytete zvicerane po kërkojnë mënyra për të promovuar mobilitetin e qëndrueshëm dhe për të reduktuar emetimet e karbonit. Projekti do të shërbejë gjithashtu për të mbledhur përvoja dhe të dhëna mbi vështirësitë dhe përfitimet e jetës pa veturë.

Në fund të muajit, pjesëmarrësit do të ndajnë përvojat e tyre dhe autoritetet lokale do të vlerësojnë nëse iniciativa mund të zgjerohet në të ardhmen me më shumë qytetarë.

Granit Xhaka: “Dua të bëhem kampion bote”

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk e fsheh ambicien e tij të madhe para fillimit të Botërorit 2026.

Në një intervistë për Blick, mesfushori deklaroi qartë se ëndrra e tij është të fitojë Kupën e Botës me kombëtaren helvetike, transmeton albinfo.ch.

“Dua të bëhem kampion bote. Duhet të guxosh të ëndërrosh, sepse në futboll gjithçka është e mundur”, tha Xhaka, duke shtuar se në një turne të madh duhet të funksionojë gjithçka, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai u shpreh i bindur se Zvicra ka një grup shumë cilësor dhe të bashkuar për të synuar diçka të madhe.

Për 33-vjeçarin, ky do të jetë turneu i shtatë i madh me fanellën e Zvicrës. Pavarësisht përvojës së madhe, ai pranon se emocionet para një Botërori mbeten të veçanta. Sipas tij, nervozizmi është zëvendësuar nga adrenalina dhe entuziazmi për të nisur një tjetër aventurë ndërkombëtare.

Xhaka theksoi se forca kryesore e Zvicrës është grupi dhe fryma ekipore. Ai kujtoi paraqitjet e mira në Evropianin e fundit, duke vlerësuar unitetin e skuadrës dhe kushtet e mira që ndihmuan ekipin të arrinte rezultate pozitive. Kapiteni beson se edhe në SHBA, Kanada dhe Meksikë, kombëtarja do të tregojë të njëjtin karakter.

Mesfushori vjen në Botëror pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Sunderlandin, ku ishte një nga liderët e ekipit. Megjithatë, ai theksoi se çmimet individuale nuk kanë rëndësi të madhe për të dhe se fokusi kryesor mbetet gjithmonë suksesi i ekipit.

Edhe pse shumë e konsiderojnë këtë si Botërorin e fundit të tij, Xhaka nuk mendon ende për pensionimin. Ai deklaroi se vazhdon të ndihet i uritur për suksese dhe nuk e përjashton mundësinë që të luajë edhe në një Botëror tjetër pas katër vitesh.

Embolo ende nuk mund të udhëtojë drejt SHBA-së

Problemet e Breel Embolo me dokumentet e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara vazhdojnë.

Sulmuesi i Zvicrës nuk ka mundur të fluturojë as të mërkurën për t’iu bashkuar kombëtares në kampin përgatitor për Botërorin 2026 dhe është detyruar të paraqitet personalisht në Ambasadën Amerikane në Bernë.

Sipas mediave zvicerane, autorizimi elektronik ESTA i Embolos, i cili fillimisht ishte miratuar, është vendosur papritur nën shqyrtim shtesë nga autoritetet amerikane. Për këtë arsye, sulmuesi nuk mundi të udhëtonte me pjesën tjetër të ekipit drejt Los Anxhelosit dhe San Diegos, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Raportimet sugjerojnë se shqyrtimi mund të lidhet me një çështje gjyqësore nga viti 2018 në Bazel, për të cilën një vendim gjyqësor u bë përfundimtar muaj më parë. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për arsyet e verifikimit shtesë.

Federata Zvicerane e Futbollit mbetet optimiste dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet amerikane. Shpresa është që sulmuesi 29-vjeçar të marrë dritën jeshile për të udhëtuar sa më shpejt dhe t’i bashkohet ekipit para ndeshjeve të para të Botërorit.

Embolo konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Zvicrës dhe mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për helvetikët, të cilët nisin aventurën në Botërorin 2026 më 12 qershor.

Presidenti i Këshillit Evropian: Kosova ka nevojë për institucione të forta

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe procesin e saj të integrimit evropian.

Ky qëndrim u bë me dije gjatë vizitës që zyrtari i lartë zhvilloi në Prishtinë, në kuadër të turit të tij diplomatik në Ballkan, transmeton albinfo.ch.

Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, diplomati evropian u bëri thirrje forcave politike në vend që, pavarësisht dallimeve dhe bindjeve që ndajnë, ta vendosin integrimin evropian në qendër të agjendës së tyre.

Sipas tij, vendi ka nevojë imediate për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të cilat janë të afta për të zbatuar reformat e kërkuara, ndërsa kërkoi që të vijohet përpara pa vonesa edhe me procesin e dialogut me Serbinë.

“Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I inkurajoj udhëheqësit politikë ta bëjnë integrimin në BE një përparësi, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe duke përmbushur të gjitha angazhimet e Dialogut Beograd-Prishtinë”, shkruan kreu i Këshillit Evropian.

“Voice of My People” rikthen në ekran historinë e Islam Alijajt – një rrëfim mbi përfaqësimin, demokracinë dhe fuqinë e angazhimit qytetar

Dokumentari “Voice of My People”, që sjell në qendër rrugëtimin politik të deputetit zvicerano-shqiptar Islam Alijaj, u shfaq më 31 maj në kinemanë Riffraff në Cyrih, në praninë e protagonistit të filmit dhe regjisorit Nico Gerspacher, të cilët zhvilluan një bashkëbisedim me publikun pas projeksionit.

Filmi ndjek nga afër fushatën zgjedhore që e çoi Alijajn në Parlamentin Federal të Zvicrës, duke dokumentuar jo vetëm sfidat personale të një kandidati me aftësi të kufizuara fizike dhe pengesë të rëndë në të folur, por edhe procesin demokratik që qëndron pas një gare elektorale në Zvicër.

Përmes një qasjeje vëzhguese dhe autentike, dokumentari shpalos punën intensive të një fushate politike, mobilizimin e qindra mbështetësve dhe rrjetin e solidaritetit që bëri të mundur një sukses që për shumëkënd dukej i paarritshëm. Në këtë mënyrë, “Voice of My People” tejkalon dimensionin biografik dhe shndërrohet në një reflektim mbi përfaqësimin politik, barazinë e mundësive dhe pjesëmarrjen e grupeve të nënpërfaqësuara në jetën publike.

Që nga prezantimi i tij në kuadër të Zurich Film Festival (ZFF), dokumentari ka zgjuar interes të veçantë si në qarqet filmike, ashtu edhe në ato politike e sociale. Përfshirja në programin e njërit prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën gjermanofolëse shënoi një moment të rëndësishëm për këtë projekt, duke i dhënë historisë së Islam Alijajt një audiencë më të gjerë ndërkombëtare.

Vlera e filmit qëndron pikërisht në faktin se ai nuk paraqet vetëm suksesin e një individi, por sjell një dëshmi konkrete se pjesëmarrja në demokraci nuk duhet të kufizohet nga paragjykimet, pengesat fizike apo barrierat sociale. Historia e Islam Alijajt dëshmon se përfshirja, përfaqësimi dhe barazia mund të realizohen kur ekziston vullneti qytetar dhe mbështetja e komunitetit.

Për komunitetin shqiptar në Zvicër, “Voice of My People” përfaqëson gjithashtu një histori frymëzuese integrimi dhe angazhimi publik, duke treguar se pjesëmarrja aktive në institucionet demokratike të vendit pritës është jo vetëm e mundur, por edhe e domosdoshme për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.

Lexoni gjithashtu:

Turistët e huaj mund të përfitojnë më lehtë nga kthimi i TVSH-së në Zvicër

Turistët e huaj që bëjnë blerje në Zvicër mund të përfitojnë së shpejti më lehtë nga kthimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Këshilli Kombëtar ka mbështetur një propozim që synon ta bëjë vendin më tërheqës për vizitorët që shpenzojnë gjatë qëndrimit të tyre, përcjell albinfo.ch.

Të martën, deputetët miratuan një mocion të paraqitur nga deputeti Leo Müller, i cili kërkon uljen e shumës minimale të blerjeve për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së, nga 300 franga sa është aktualisht, në 150 franga.

Sipas Müllerit, turistët e huaj luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë zvicerane. Përveç produkteve të shtrenjta si orët zvicerane, ata blejnë edhe suvenire, specialitete ushqimore vendore dhe produkte artizanale, duke kontribuar në ekonominë lokale.

Ai theksoi gjithashtu se Zvicra ka aktualisht një nga kufijtë më të lartë për përfitimin e kthimit të TVSH-së krahasuar me shumë vende të tjera, gjë që e bën më pak konkurruese për blerësit ndërkombëtarë.

Nëse ndryshimi miratohet përfundimisht, turistët do të mund të kërkojnë kthimin e TVSH-së edhe për blerje me vlerë më të ulët, një masë që pritet të nxisë konsumin dhe të forcojë sektorin e turizmit dhe tregtisë në Zvicër. /Albinfo.ch

Anketat tregojnë se iniciativa kundër emigracionit ka gjasa të refuzohet në Zvicër

Vetëm dy javë para referendumit të 14 qershorit, iniciativa kundër emigracionit e njohur si “Jo 10 milionëve” duket se po humbet mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar, përcjell albinfo.ch.

Sipas një sondazhi të realizuar nga instituti GFS në emër të transmetuesit publik zviceran, 52 për qind e të anketuarve janë shprehur se me siguri ose me shumë gjasa do ta refuzojnë propozimin, ndërsa 45 për qind kanë deklaruar se do ta mbështesin atë.

Rezultate pothuajse identike ka nxjerrë edhe një sondazh tjetër i publikuar nga grupi mediatik Tamedia. Sipas tij, 52 për qind e votuesve planifikojnë të votojnë kundër iniciativës, ndërsa 47 për qind në favor të saj.

Nisma “Jo 10 milionëve” synon të vendosë kufizime më të rrepta ndaj rritjes së popullsisë dhe emigracionit në Zvicër. Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se shumica e qytetarëve mbeten skeptikë ndaj propozimit, duke e bërë refuzimin e tij rezultatin më të mundshëm në votimin e ardhshëm. /Albinfo.ch

Feride Rushiti prezanton në Berlin përvojën e Kosovës në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Në Berlin u mbajt një diskutim ndërkombëtar kushtuar dhunës seksuale gjatë konflikteve dhe mbështetjes së të mbijetuarve, ku u prezantuan përvojat e Kosovës, Ukrainës dhe Bosnjë e Hercegovinës, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja u organizua nga Fondacioni Heinrich Böll dhe mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish, si në sallë ashtu edhe online. Në panel morën pjesë Dr. Feride Rushiti nga Kosova, Lina Kushch nga Ukraina dhe Ajna Mahmić Ćatić nga Bosnjë e Hercegovina.

Diskutimi u fokusua në njohjen ligjore të viktimave, stigmën shoqërore, drejtësinë tranzicionale, vullnetin politik dhe sfidat e rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me luftën.

Duke prezantuar përvojën e Kosovës, Dr. Feride Rushiti theksoi se pengesa më e madhe për njohjen e të mbijetuarve ka qenë heshtja e shkaktuar nga stigma, frika dhe mungesa e mbështetjes institucionale.

Ajo nënvizoi se njohja ligjore e viktimave në Kosovë është arritur falë këmbënguljes dhe qëndrueshmërisë së vetë të mbijetuarve, ndërsa theksoi se rehabilitimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke kombinuar mbështetjen psikosociale, fuqizimin ekonomik dhe promovimin e dinjitetit në vend të stigmatizimit.

Panelistet nga Ukraina dhe Bosnjë e Hercegovina ndanë gjithashtu sfidat me të cilat përballen viktimat në vendet e tyre, duke theksuar nevojën për qasje më të forta ligjore, mbështetje institucionale dhe mbrojtje afatgjatë për të mbijetuarit.

Ngjarja shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe për forcimin e dialogut ndërkombëtar mbi të drejtat, drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteve. /Albinfo.ch

Kosova fiton një tjetër talent nga Zvicra, debuton Valmir Matoshi

Mesfushori i talentuar Valmir Matoshi ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke lënë pas përfaqësueset e moshave të Zvicrës, ku kishte qenë pjesë për disa vite, transmeton albinfo.ch.

22-vjeçari nga Thuni vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm me FC Thun, ku kontribuoi me gjashtë gola dhe katër asistime në rikthimin e skuadrës në elitën e futbollit zviceran. Paraqitjet e tij të mira i siguruan edhe ftesën e parë në nivel përfaqësuesesh.

Megjithatë, Matoshi nuk zgjodhi të vazhdojë me Zvicrën. Futbollisti, i cili kishte zhvilluar dhjetë ndeshje me ekipet e moshave të Zvicrës, vendosi t’i bashkohet Kosovës.

Debutimi i tij me fanellën e Kosovës erdhi në ndeshjen miqësore ndaj Kombëtarja e Çekisë, të humbur me rezultatin 2:1. Matoshi u aktivizua në pjesën e fundit të takimit nga përzgjedhësi Franco Foda, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë me ekipin dardan.

Me këtë vendim, Matoshi bëhet një tjetër futbollist që kalon nga sistemi i përfaqësueseve zvicerane te Kosova. Gjatë vitit të kaluar, të njëjtën rrugë e ndoqën edhe Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.

Duke folur për përvojën e tij të parë me Kosovën, Matoshi u shpreh i lumtur për pritjen që i është bërë nga bashkëlojtarët dhe stafi teknik.

“Është një ndjenjë e veçantë. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe ndihem sikur kam qenë pjesë e kësaj skuadre prej kohësh”, deklaroi ai, duke shtuar se ka ndjekur prej vitesh ndeshjet e Kosovës dhe se do të japë maksimumin sa herë që t’i jepet mundësia të kontribuojë për ekipin kombëtar. /Albinfo.ch

Valmir Matoshi

Drejt heqjes së roamingut me BE-në? Kosova mund të përfshihet në sistemin “Roam like at home”

Një lajm i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor vjen nga Brukseli, ku ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar vendimin për nisjen e negociatave që synojnë heqjen e roamingut mes BE-së dhe rajonit, transmeton albinfo.ch.

Vendimi pritet të marrë miratimin formal nga Këshilli i BE-së, duke i hapur rrugë negociatave individuale me Kosovën, Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Nëse procesi përfundon me sukses, qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimeve në vendet e Bashkimit Evropian do të mund të përdorin telefonat e tyre për thirrje, mesazhe dhe internet pa pagesa shtesë, sipas modelit evropian “Roam like at home” (Roaming sikur në shtëpi). E njëjta lehtësi do të vlejë edhe për diasporën dhe turistët evropianë që vizitojnë Kosovën.

Komisioni Evropian e konsideron këtë hap si pjesë të integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për rajonin.

Sipas zyrtarëve evropianë, synimi është që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti, ndërsa heqja e plotë e tarifave të roamingut mund të bëhet realitet që gjatë vitit të ardhshëm./Albinfo.ch

I panjohuri sulmon disa gra në Lucern, policia kërkon dëshmitarë

Një burrë i panjohur ka sulmuar fizikisht disa gra të hënën paradite në stacionin hekurudhor të Lucernit. Sipas policisë, ai i ka shtyrë qëllimisht dhe në disa raste i ka goditur me bërryl, përjell albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:35, kur i dyshuari ka nisur të ngacmojë dhe sulmojë gra në zonën e stacionit. Më pas ai është drejtuar drejt peronit 14 dhe ka hipur në trenin S5 për në Giswil, i cili është nisur në orën 09:42.

Sipas autoriteteve, edhe gjatë udhëtimit me tren burri ka vazhduar sjelljen agresive ndaj grave, duke kërkuar në mënyrë të qëllimshme përplasje dhe konfrontime me udhëtare femra.

Policia e Lucernit ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshmitarë të ngjarjes. Veçanërisht u bën thirrje grave që janë sulmuar, shtyrë ose janë përballur me sjellje të dhunshme nga i panjohuri në stacion apo në tren që të paraqiten pranë autoriteteve.

Çdo informacion lidhur me rastin mund të jepet në Policinë e Lucernit përmes numrit të telefonit 041 248 81 17. /Albinfo.ch

Xhemaili: Xhaka, futbollisti më i mirë i Zvicrës i të gjitha kohërave

Blerim Xhemaili ka luajtur gjatë me Granit Xhakën te Zvicra. Ai e vlerëson kapitenin aktual të helvetikëve si lojtarin më të mirë të Zvicrës në histori.

Xhemaili e ka përfunduar karrierën dhe tashmë është i angazhuar nga “Blick” si ekspert për Kupën e Botës në futboll. Ai ka luajtur në dy Botërorë për Zvicrën, transmeton albinfo.ch.

Xhemaili ka bërë një analizë të ekipit përfaqësueses të Zvicrës, ndërsa e ka vlerësuar Breel Embolon si lojtarin më të rëndësishëm të përfaqësueses.

“Askush nuk mund ta kalojë Xhakën. Ai është ligë në vete dhe me gjasë lojtari më i mirë i Zvicrës i të gjitha kohërave”, ka thënë Xhemaili.

Ai nuk pret që Xhaka të largohet nga përfaqësuesja pas Botërorit në SHBA, Kanada e Meksikë.

“Duket njohur Xhakën, nuk mund ta imagjinojë atë duke u pensionuar pas Kupës së Botës. Ai është në gjendje shumë të mirë fizike dhe ka pasur një edicion të jashtëzakonshëm me Sunderlandin. Me këtë formë, Zvicra thjeshtë nuk mundet pa Xhakën”, ka theksuar Blerim Xhemaili.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, viziton Kosovën

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë dhe përfaqësues të skenës politike. Sipas agjendës së paralajmëruar, ai do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Vizita përfshin edhe takime me përfaqësues të partive politike, ndërsa temat kryesore të diskutimit pritet të jenë procesi i integrimit evropian të Kosovës, reformat demokratike, dialogu rajonal dhe perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa të përkohshme për rregullimin dhe kontrollin e trafikut, me qëllim garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve zyrtare të delegacionit evropian.

Vizita e Antonio Costas vjen në një periudhë të rëndësishme për raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në kohën kur vendi synon avancimin e mëtejmë të agjendës së tij evropiane./Albinfo.ch