SBB do të nxjerrë jashtë përdorimit rreth 400 trena të kontaminuar me azbest

Kompania hekurudhore zvicerane SBB po përgatitet të tërheqë nga përdorimi rreth 400 trena dhe vagona që përmbajnë azbest ose substanca të tjera të rrezikshme. Flota e prekur përfshin vagonë mallrash, trena infrastrukture dhe disa mjete të transportit të udhëtarëve, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, trenat nuk do të largohen menjëherë nga qarkullimi. SBB ka bërë të ditur se shumica e tyre do të vazhdojnë të përdoren deri në vitet 2030, pasi materialet e rrezikshme ndodhen në pjesë të mbyllura dhe nuk paraqesin rrezik për pasagjerët gjatë operimit normal.

Sipas kompanisë, çmontimi dhe asgjësimi i këtyre mjeteve do të kryhet nga kompani të specializuara në ambiente të mbyllura dhe me presion të kontrolluar, në mënyrë që fibrat e azbestit të mos përhapen në mjedis. Kostoja e procesit vlerësohet në disa milionë franga zvicerane.

Azbesti u ndalua në Zvicër në vitin 1990, pasi u vërtetua se thithja e fibrave të tij mund të shkaktojë sëmundje serioze të mushkërive dhe kancer. Megjithatë, shumë trena të prodhuar para këtij viti ende përmbajnë elemente të ndërtuara me këtë material.

SBB thekson se nuk ka rrezik të menjëhershëm për udhëtarët apo punonjësit, pasi azbesti bëhet i rrezikshëm vetëm kur materialet dëmtohen dhe fibrat lirohen në ajër.

Maran dhe Gjimshiti para miqësores me Izraelin: Duhet të kemi ADN-në tonë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes miqësore ndaj Izraelit. Ata folën për përgatitjet e skuadrës, atmosferën në grup, pritshmëritë për sfidën e parë nën drejtimin e teknikut italian, si edhe objektivat e ekipit në këtë fazë të re.

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, theksoi se skuadra ka treguar profesionalizëm, motivim dhe gatishmëri të madhe, pavarësisht lodhjes së një sezoni të gjatë, ndërsa formacioni do të përcaktohet edhe nga gjendja fizike e lojtarëve.

Ai vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të fortë dhe kërkues, por u shpreh i bindur se Shqipëria duhet të luajë me kurajë, personalitet dhe agresivitet, duke synuar kontrollin e topit dhe fitoren, transmeton albinfo.ch.

Trajneri Maran nënvizoi se këto dy ndeshje miqësore do të shërbejnë për të konsoliduar idetë e tij, për të njohur më mirë skuadrën dhe për të ndërtuar ADN-në e re të Kombëtares.

A e ke në mendje formacionin për nesër dhe sa rëndësi ka rezultati për këtë ndeshje? – Është e rëndësishme të theksoj që kam parë disponibilitet shumë të madh nga lojtarët. Nuk është e thjeshtë të luash në ndeshje të tilla. Lojtarët vijnë nga një fund sezoni i vështirë, stresues dhe shumë i gjatë. Janë treguar profesionistë të vërtetë. Kam shumë gjëra në mendje. E rëndësishme që të jetë skuadër funksionale, edhe nga aspekti fizik, sepse formacioni varet shumë edhe nga karakteristikat e lojtarëve, si dhe cilët kanë më shumë minuta. Janë dy ndeshje që masin forcën dhe duhet të llogarisim lojtarët për të dyja ndeshjet që t’i luajnë të dyja në mënyrën e duhur. Kam parë disponibilitet të mirë, kjo ka rëndësi. Sigurisht duke shtuar edhe kurajon për të dalë në fushë dhe për të bërë një ndeshje të mirë, bëhet çdo gjë më e lehtë.

Pritet një Shqipëri më sulmuese nën drejtimin tuaj. Si e vlerësoni Izraelin si kundërshtar? – Ajo që është në fokus është që të jemi Shqipëri që kërkon të bëjë ndeshjen më të mirë të mundshme. Do të jetë hera e parë dhe kemi pasur pak ditë për të punuar dhe do të jetë pak e vështirë për të përkthyer çfarë kemi përgatitur për atë çfarë pritet në fushë. Ajo që kam parë dhe më ka pëlqyer, është dëshira dhe motivimi i lojtarëve për të vënë në praktikë atë që kam kërkuar. Do të shohim si do përkthehet në fushë. Kam parë një skuadër që e ka perceptuar mirë dhe që është shumë e mirë. Nuk është e lehtë me Izraelin, i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe të bën të vraposh pa top. Duhet të jemi të zotë të krijojmë shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta. Do jetë test i mirë, impenjativ dhe stimulues për ne.

A keni pasur mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur për ndeshjen? – Koha nuk është asnjëherë e mjaftueshme, sidomos kur je trajner dhe punon me një kombëtare. Janë shumë pak ditë që ke në dispozicion për të vendosur idetë e tua dhe për t’u njohur me lojtarët, sidomos ku është hera e parë që i takon. Besoj se ka mjaftuar koha për një koncept të qartë se si duhet të luajmë. Më pas çfarë do jetë e rëndësishme, është si do përkthehet në fushë nga lojtarët. Na ka shërbyer kjo kohë edhe për t’u njohur. Këto dy miqësore do të na shërbejnë për t’u njohur jo vetëm me idetë e futbollit dhe si do luajmë, por edhe për të gabuar dhe për t’u përmirësuar. Pres që të kemi qasjen e duhur, të provoj gjëra, pres dhe vështirësi, por në të njëjtën kohë pres një skuadër mendërisht të përgatitur për të kaluar vështirësitë. Nga se kam parë nga motivimi në skuadër, është sinjal i qartë që skuadra është në pikën e duhur dhe kjo gjë më ka pëlqyer.

Këto ndeshje do të shërbejnë edhe për t’u prezantuar ju si trajner. Sa rëndësi ka rezultati? – Rezultati është i rëndësishëm, po aq sa edhe performanca. Sidomos nëse kemi performancë të mirë dhe vjen edhe rezultati, do të përbënte një ndeshje perfekte. Janë dy ndeshje miqësore, por gjithmonë ka rëndësi rezultati. Për tifozët, ne luajmë këtu në shtëpinë tonë dhe tifozët e të gjithë në Kombëtare shpresojnë të dalim me fitore. Duhet të zbresim në fushë gjithmonë për të kërkuar fitoren, do të mundohemi ta marrim me anë të karakteristikave tona dhe me atë që do të provojmë të bëjmë. Do jetë e vështirë, por objektivi ynë do të jetë fitorja. Sigurisht që do ishte ndeshje perfekte nëse rezultati do të vijë dhe me performancë të mirë.

Futboll sulmues apo mbrojtës, ku e përfaqësoni ju veten? – Sigurisht, nuk është ndeshja PSG-Arsenal, por Shqipëria dhe ne duhet të krijojmë ADN-në tonë, të bazuar te karakteristikat e lojtarëve tanë. Nëse një trajner e mban të sigurt ose e konsideron një ide të tijën si absolute, nuk mund të evoluojë. Unë i vë në diskutim idetë e mia përherë dhe kjo është mënyra se si një trajner rritet vazhdimisht. Futbolli dhe lojtarët kanë ndryshuar në vitet e fundit. Ajo që më pëlqen është që skuadra që del në fushë, duke u bazuar te karakteristikat e lojtarëve, ta mbyllë ndeshjen dhe të sigurojë një rezultat pozitiv. Secila skuadër ka veçantitë e veta. Do të mundohemi të fshehim vështirësitë tona dhe t’i vendosim kundërshtarët në vështirësi. E kam thënë edhe në konferencën e parë, më pëlqen të kem një skuadër agresive. Më pëlqen ta kemi topin në kontroll dhe që skuadra të futet në fushë për fitore. Kundër Izraelit do të jetë e vështirë, sepse është një skuadër që përfiton nga detajet në posedimin e topit të kundërshtarit. Do të jetë një test i rëndësishëm. Ajo çfarë unë kërkoj është që skuadra jonë të jetë me kurajë dhe personalitet në fushë nesër.

Kapiteni Berat Gjimshiti foli për fillimin e ciklit të ri të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Maran, atmosferën brenda grupit dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme.

Si e sheh ciklin me trajnerin e ri? – Nuk është e thjeshtë, sepse kthehemi nga një humbje e rëndësishme, me objektiva të qarta, për të arritur atë gjë që në fillim të kualifikueseve dukej e pamundur. Por, ashtu si shkoi i gjithë rrugëtimi, të gjithë ishim të bindur se mund ta arrinim kualifikimin, gjë që do të ishte shumë e bukur për ne si Kombëtare dhe si shtet. Besoj se ky është një rifillim i ri me një staf të ri. Jemi të gjithë shumë të motivuar dhe grupi është pothuajse i njëjti, me disa lojtarë të rinj. Jemi stërvitur shumë mirë këto ditë dhe jemi gati për këtë cikël të ri.

E ke menduar largimin nga Shqipëria?– Nuk e kam menduar ende. Besoj se është një sinjal pozitiv. Shpresoj të luaj edhe disa vite të tjera, sa më gjatë të jetë e mundur. Më pas do ta marr vendimin, por për momentin as që e mendoj.

Çfarë ka ndryshuar me ardhjen e Maran në grup? – Kanë ndryshuar taktika dhe pozicionimi në fushë. Nuk është e thjeshtë që brenda dy ose tre ditësh të bësh ndryshime në këto aspekte, por kanë ndryshuar gjërat më të rëndësishme që duhet të bëjmë në fushë.

Si lider, e sheh energjinë brenda grupit për ta zhvilluar këtë dyvjeçar me trajnerin Maran në nivele më të larta se më parë? – Nuk është e thjeshtë, pasi ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë djemtë. Me një trajner dhe frymë të re, të gjithë duan të tregojnë veten për të fituar një vend në Kombëtare, sepse nuk është e lehtë të jesh pjesë e saj. Energjia është shumë pozitive, ashtu siç ka qenë edhe në vitet e kaluara. Ne do të synojmë të arrijmë sa më lart dhe shpresojmë të kualifikohemi në turne të mëdhenj.

Deputetja zvicerane kërkon që mjekët të raportojnë pacientët e rrezikshëm te policia

Pas sulmit me thikë në Winterthur javën e kaluar, ku tre persona mbetën të plagosur, është rihapur debati në Zvicër mbi kufijtë e konfidencialitetit mjekësor dhe sigurinë publike.

Sulmuesi, i cili kishte qenë më parë në trajtim për probleme të shëndetit mendor, ka nxitur disa deputetë të kërkojnë ndryshime ligjore që do t’u mundësonin psikiatërve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë të raportojnë persona potencialisht të rrezikshëm tek autoritetet, transmeton albinfo.ch.

Nisma është paraqitur nga deputetja Jacqueline de Quattro, e cila argumenton se profesionistët e shëndetësisë duhet të kenë detyrimin të raportojnë individë që paraqesin rrezik për sigurinë publike, veçanërisht nëse kanë lidhje me ideologji ekstremiste.

“Ky është një problem sigurie për vendin tonë, prandaj duhet të veprojmë”, deklaroi ajo.

Megjithatë, një masë e tillë do të kërkonte ndryshime të rëndësishme në legjislacionin zviceran, pasi sekreti mjek-pacient është i mbrojtur me ligj dhe konsiderohet një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor.

Kundërshtarët e propozimit paralajmërojnë se dobësimi i konfidencialitetit mund të dëmtojë besimin mes pacientëve dhe mjekëve, duke bërë që disa persona të hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore ose psikologjike.

Çështja pritet të diskutohet këtë javë në Parlamentin zviceran, ku debati mes sigurisë publike dhe mbrojtjes së privatësisë pritet të jetë i ashpër.

“The Beauty of the Donkey” nga regjisorja Dea Gjinovci në Berlin

Mbrëmë patëm kënaqësinë dhe nderin të mirëpresim në Berlin shfaqjen e filmit “The Beauty of the Donkey” nga regjisorja kosovare Dea Gjinovci, në kuadër të festivalit Doxumentale International Documentary & Media Festival Berlin, njoftoi Ambasada e Kosovës në Berlin.

Filmi solli para publikut një rrëfim të ndjeshëm dhe thellësisht reflektues mbi kujtesën, traumën dhe pasojat e luftës, duke ndërthurur me mjeshtëri elemente dokumentare dhe fiktive.

Përmes një qasjeje artistike unike, Dea Gjinovci hapi një dialog të rëndësishëm mbi të kaluarën dhe mënyrën se si ajo vazhdon të ndikojë në jetët tona.

Ishte kënaqësi e veçantë të kemi pranë nesh regjisoren Dea Gjinovci dhe Barbara Unger nga Berghof Foundation, të cilat kontribuan në një diskutim frymëzues me publikun pas shfaqjes.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe diplomatja Blerta Ademi nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin, duke dëshmuar mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës për promovimin e kulturës dhe kinemasë kosovare në Gjermani.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin mbetet e përkushtuar në promovimin e artit, kulturës dhe kinemasë kosovare në skenën ndërkombëtare, duke mbështetur artistët tanë që me veprat e tyre sjellin histori të rëndësishme dhe universale për publikun.

Falënderojmë festivalin Doxumentale, ekipin e filmit dhe të gjithë të pranishmit që e bënë këtë mbrëmje kaq të veçantë.

Prenga paralajmëron Joshua-n: Nuk frikësohem, do të pendohesh në ring

Anthony Joshua do të ngjitet në ring më 25 korrik në Xhedah të Arabisë Saudite për atë që nga opinioni i gjerë dhe mediat ndërkombëtare konsiderohet kryesisht si një “ndeshje nxehëse” ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, i cili mbetet i pamposhtur në karrierën e tij profesionale.

Për britanikun, rrugëtimi drejt supersfidës së shumëpritur me Tyson Fury-n është tashmë i projektuar i sigurt në letër, pasi palët kanë firmosur kontratën për t’u ndeshur në tremujorin e fundit të vitit 2026.

Megjithatë, tensioni i kësaj sfide ka arritur kulmin përpara se boksierët të prekin fushëbetejën. Siç dokumentohet edhe në videon, ballafaqimi i parë verbal në konferencën për shtyp ka prodhuar shkëndija të forta mes të dy sportistëve.

Shqiptari nuk ka ngurruar t’i qëndrojë përballë sy më sy ish-kampionit të botës, duke i lëshuar një paralajmërim të kodifikuar:

“Unë jam shqiptar. Të premtoj, nëse të zë, nuk do ta ndjesh fare atë grushtin tim. Je një boksier i madh, një luftëtar i shkëlqyer, por në ring, unë nuk kam respekt as për babanë tim,” u shpreh Prenga, duke bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë barrierë psikologjike përpara emrit të madh të kundërshtarit.

Nga ana e tij, britaniku Joshua e ka pranuar dorezën e sfidës me një buzëqeshje ironike, duke u shprehur se kjo qasje agresive është pikërisht ajo që ai kërkon:

“Dua që të mos më tregosh asnjë respekt. Dhe kjo është perfekte për mua. Dua të vish në ring dhe të provosh të bësh atë që di të bësh më mirë, sepse përballë teje do të ketë dikë që do të bëjë ekzaktësisht të njëjtën gjë.”

Megjithatë, Prenga synon t’u prishë festën e parakohshme dhe të tregojë se këto nuk janë thjesht fjalë. Ndonëse ekspertët e boksit vërejnë se rekordet e frikshme të shqiptarit mitik me nokaut (KO) kanë ardhur kryesisht përballë një rivaliteti më të limituar në ring, në kategorinë e peshave të rënda rreziku është gjithmonë i pranishëm. Një hap i gabuar i Joshua-s në Arabinë Saudite do të shkatërronte planet miliona dollarëshe të boksit botëror, ashtu siç ndodhi me dështimin e duelit të tij të planifikuar me Deontay Wilder në vitin 2024.

Për Prengën, kjo sfidë vjen si një mundësi e artë ku nuk ka asgjë për të humbur. Një triumf i mundshëm ndaj yllit britanik jo vetëm që do të ndryshonte rrjedhën e karrierës dhe jetës së tij, buron nga vetëbesimi i treguar në ballafaqimin e fundit, por do të devijonte tërësisht trajektoren e peshave të rënda në skenën globale.

Rama: S’ka gjasa që të ndalen punimet në Zvërnec

Kryeministri shqiptar Edi Rama, është pyetur nga gazetarët në lidhje me projektin e Zvërnecit, që ka sjellë kundërshti të shumta dhe protesta qytetare.

Kreu i qeverisë, deklaroi se përsa kohë që ai të jetë kryeministër investimi në atë zonë nuk do të ndalet, ndërsa shprehur gatishmëri për të diskutuar me ata që kanë pretendime.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë të jem këtu. Unë jam i hapur të diskutoj me këto që ka pretendime. Nëse pretendimi është për pronën, falë ndërhyrjes së SPAK ka rrugën e vetë dhe mund të çojë në një zgjidhje ideale për faktin se ato para mund të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët, ndërkohë që të tjerët janë pronarë sot dhe janë pronarë bazuar në letrat e shtetit shqiptar”, tha Rama.

Gjithashtu, Rama komentoi edhe aksionin e SPAK që sekuestroi llogaritë e kompanisë Albania Land Development, duke thënë se nxit hetimin në lidhje me origjinën e pronës.

“Kjo e SPAK ka dy pjesë, ka pjesën pozitive që i takon SPAK ka pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Sa kohë ky është një problem i ngritur me të drejtë apo pa të drejtë këtë nuk e dimë dhe pastaj i shumëpërfolur, aq më tepër përsa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim.

Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar që ndajnë gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Investitorët që janë edhe zotëruesit e pronës, duke ndjekur procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare janë investiguar imtësisht nga Agjencia e Pastrimit të Parave, që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtare dhe kanë rezultuar totalisht legale. Kështu që kjo çështje siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë. Investitorët janë në të drejtën e tyre. Bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ. Ndërkohë bllokimi i kalimit të parave tek pronari për të cilat ka dyshime është një çështje në të drejtën e organit hetimor. Unë e konsideroj pozitive edhe një për një aspekt tjetër. Me këta rast investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se hetimi nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që e pretendojnë atë pronë fare mirë mund të marrin ato para dhe të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar nëse ka mashtruar, por këtë e tregon e hetimi”, tha Rama.

Fillon hetimi: Persona nga diaspora fotografuan votën

Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale, transmeton albinfo.ch.

Në një njoftim të Prokurorisë thuhet se pas pranimit të këtyre informatave Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë paralajmëruar se këto veprime do të trajtohen dhe secili prej tyre do të mbahet përgjegjës për veprimet.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë ftuar qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike.

Për këtë është diskutuar në takimin që koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula dhe menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, kanë zhvilluar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, Florie Hajran nga Departamenti i hetimeve nga Policia e Kosovës dhe drejtorin e Departamentit të rendit publik në Polici Arbnesh Ajvazi.

Në këtë takim thuhet se është diskutuar edhe për planifikimin, vlerësimin dhe angazhimin e  Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta. “Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi se tashmë janë të caktuar ekipet kujdestare nga prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje. Nga ana tjetër edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka caktuar ekipet kujdestare policore, të cilët do të kujdesen të ofrojnë siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Zvicra udhëton në SHBA pa një futbollist

Sulmuesi i Zvicrës, Breel Embolo, nuk ka bërë udhëtimin për në SHBA, të martën, pasi dokumentet e tij të udhëtimit ishin duke u shqyrtuar.

“Fatkeqësisht, Breel Embolo, aktualisht nuk është në gjendje të udhëtojë për në SHBA me ekipin”, ka thënë federata zvicerane e futbollit, duke shtuar se autorizimi i udhëtimit të tij nuk ishte më i miratuar, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për miratimin e njohur si ESTA, përkatësisht për Sistemin Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit. Embolo është dashur të fluturojë nga Cyrihu në mesditën e së martës.

“Në 10:30 u njoftuam se kërkesa e tij për ESTA ishte vënë nën shqyrtim të mëtejshëm”, ka njoftuar federata, pa dhënë më shumë detaje.

Nuk është e qartë pse SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me 29-vjeçarin Embolo, i cili kishte probleme të mëparshme me autoritetet në Gjermani dhe Zvicër rreth pandemisë COVID-19. Në federatë presin që Embolo të udhëtojë më vonë të martën apo më së largu të mërkurën për në SHBA.

“Made in Kosova” fiton njohje ndërkombëtare, certifikata e origjinës pranohet globalisht

Kosova ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm në fushën ekonomike dhe tregtare, pasi Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë do të njihet ndërkombëtarisht, përcjell albinfo.ch.

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se është akredituar zyrtarisht në Paris nga Oda Ekonomike Ndërkombëtare dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike për lëshimin e Certifikatave të Origjinës me validitet global.

Sipas Odës Ekonomike, ky akreditim u hap rrugë produkteve kosovare që të prezantohen me më shumë kredibilitet në tregjet ndërkombëtare, duke forcuar pozitën e bizneseve vendore në eksport dhe tregti.

“Produktet kosovare marrin një dimension të ri në tregjet globale, duke e prezantuar vendin me më shumë besueshmëri dhe dinjitet ekonomik”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin e brendit “Made in Kosova”, duke lehtësuar qasjen e kompanive kosovare në tregjet ndërkombëtare dhe duke rritur besimin ndaj origjinës së produkteve të eksportuara nga Kosova./Albinfo.ch 

Ansambli “Trojet” nga Zvicra përfaqëson shqiptarët e Evropës në festivalin e madh shqiptar në SHBA

Ansambli “Trojet” nga Winterthuri i Zvicrës është përzgjedhur të përfaqësojë shqiptarët e Evropës në Festivalin Shqiptar kushtuar Vitit të Lahutës, i cili do të mbahet në Detroit, Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Përfaqësuesit e ansamblit e kanë cilësuar këtë si një moment të veçantë dhe një vlerësim të rëndësishëm për punën shumëvjeçare në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë.

Kjo do të jetë hera e dytë që Ansambli “Trojet” ngjitet në skenat amerikane, duke sjellë para bashkatdhetarëve këngët, vallet dhe traditat e trevave shqiptare.

Në festival, ansambli do të prezantohet me një program të pasur artistik, ku do të përfshihen këngë kreshnike dhe epike të interpretuara nga lahutari Baca Shaq, performanca artistike nga Marisa Murtezi, si dhe valle tradicionale të përgatitura nga koreografja Suzana Drenica.

Pjesë e rëndësishme e prezantimit do të jetë edhe kostumografia tradicionale shqiptare, me veshje që përfaqësojnë treva të ndryshme etnike shqiptare.

Delegacioni i Ansamblit “Trojet” përbëhet nga 18 anëtarë artistikë dhe organizativë, të cilët do të përfaqësojnë kulturën shqiptare në një nga ngjarjet më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Amerikë.

Organizatorët theksojnë se pjesëmarrja në këtë festival është një mision kulturor që synon promovimin e identitetit kombëtar, ruajtjen e traditave dhe forcimin e lidhjeve të diasporës me rrënjët shqiptare.

Festivali në Detroit pritet të mbledhë mijëra shqiptarë nga SHBA-ja dhe vende të tjera, duke u shndërruar në një festë të madhe të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare./Albinfo.ch

Një bazilikë në Zvicër ruan një instrument muzikor mbi 600-vjeçar

Në qytetin historik të Sion ndodhet një nga monumentet më të veçanta kulturore të Zvicrës, Bazilika e Notre-Dame de Valère. E ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr qytetin, kjo bazilikë mesjetare përfaqëson një simbol të rëndësishëm të historisë dhe trashëgimisë së rajonit, përcjell albinfo.ch.

Brenda saj ruhet një thesar i rrallë muzikor: një nga organot më të vjetra të luajtshme në botë, i ndërtuar rreth viteve 1430. Edhe pse identiteti i krijuesit të instrumentit nuk dihet, organoja ka arritur t’i mbijetojë shekujve dhe një zjarri të madh që dikur përfshiu qytetin e Sionit.

Ky instrument historik konsiderohet një mrekulli e rrallë e artizanatit mesjetar. Falë restaurimeve dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme ndër vite, ai vazhdon të përdoret edhe sot, duke ruajtur tingullin dhe karakterin autentik të epokës së tij.

Që nga viti 1969, organoja është bërë pjesë qendrore e Festivali Ndërkombëtar i Organeve Valère, një ngjarje prestigjioze muzikore që mbledh artistë, studiues dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Pamja madhështore e bazilikës, historia e saj shekullore dhe tingujt unikë të organos mesjetare e kanë kthyer këtë vend në një nga atraksionet kulturore më të veçanta të Zvicrës./Albinfo.ch

Cilat janë 10 profesionet me rritjen më të shpejtë dhe pagat më të larta për të diplomuarit e rinj?

Të diplomohesh në vitin 2026 nuk do të thotë domosdoshmërisht të hysh në një treg pune të lehtë. Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe ndryshimet në mënyrën e punësimit po transformojnë rrënjësisht karrierat tradicionale dhe pritjet e kompanive ndaj kandidatëve të rinj, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të cituara nga Forbes dhe analizës së publikuar nga LinkedIn përmes “Grad’s Guide 2026”, tregu po shpërblen gjithnjë e më shumë aftësitë teknologjike, fleksibilitetin dhe aftësinë për të punuar me inteligjencën artificiale.

10 profesionet me rritjen më të shpejtë për të diplomuarit e rinj
1. AI Engineer

Paga mesatare: 140,000 – 185,000 dollarë në vit

Inxhinierët e inteligjencës artificiale ndërtojnë sisteme që analizojnë të dhëna, automatizojnë procese dhe zhvillojnë modele të avancuara AI për kompani dhe industri të ndryshme.

2. Machine Learning Engineer

Paga mesatare: 120,000 – 170,000 dollarë

Ky profesion fokusohet në krijimin e algoritmeve që “mësojnë” nga të dhënat dhe përmirësohen me kohën.

3. Partnerships Associate

Paga mesatare: 65,000 – 95,000 dollarë

Një rol i lidhur me ndërtimin e partneriteteve strategjike mes kompanive dhe organizatave.

4. Legal Specialist

Paga mesatare: 60,000 – 90,000 dollarë

Specialistët ligjorë ndihmojnë kompanitë në kontrata, pajtueshmëri ligjore dhe çështje të privatësisë e teknologjisë.

5. Human Resources Operations Specialist

Paga mesatare: 60,000 – 85,000 dollarë

Ky rol menaxhon proceset e burimeve njerëzore, sistemet HR dhe organizimin e stafit.

6. Loan Officer

Paga mesatare: 55,000 – 95,000 dollarë

Profesionistët që merren me analiza financiare dhe aplikime për kredi për individë apo biznese.

7. Business Development Representative

Paga mesatare: 55,000 – 85,000 dollarë

Një profesion i orientuar drejt shitjeve, zhvillimit të tregut dhe krijimit të klientëve të rinj.

8. Marketing Coordinator

Paga mesatare: 52,000 – 66,000 dollarë

Koordinatorët e marketingut ndihmojnë në organizimin e fushatave, rrjeteve sociale dhe përmbajtjes digjitale.

9. Purchasing Coordinator

Paga mesatare: 50,000 – 70,000 dollarë

Ky rol lidhet me menaxhimin e furnizimeve, komunikimin me furnitorët dhe kontrollin e kostove.

10. Recruitment Assistant

Paga mesatare: 45,000 – 58,000 dollarë

Një nga pozicionet hyrëse më të kërkuara në fushën e rekrutimit dhe menaxhimit të talenteve.

Çfarë kërkon tregu i punës sot?

Ekspertët theksojnë se diploma universitare nuk mjafton më. Punëdhënësit kërkojnë kandidatë që dinë të përdorin teknologjinë, të përshtaten shpejt dhe të tregojnë aftësi konkrete për zgjidhjen e problemeve.

Për të rritur shanset në tregun e punës, të rinjtë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt:

certifikimeve profesionale,
projekteve praktike,
portofolëve online,
eksperiencave freelance,
networking në platforma si LinkedIn,
dhe përdorimit praktik të inteligjencës artificiale.

Në një treg pune që ndryshon me shpejtësi, fleksibiliteti dhe aftësia për të mësuar vazhdimisht po konsiderohen po aq të rëndësishme sa vetë diploma universitare./Albinfo.ch

Tulipanët mbulojnë çdo pranverë qytetin zviceran të Morgesit

Çdo pranverë, qyteti piktoresk i Morges në Zvicër shndërrohet në një parajsë të vërtetë lulesh, ku mijëra tulipanë shumëngjyrësh mbulojnë parqet dhe rrugët pranë brigjeve të Liqeni i Gjenevës. Pamja bëhet edhe më mbresëlënëse falë horizontit spektakolar drejt majës së famshme të Mont Blanc, transmeton albinfo.ch.

Nga muaji mars deri në maj, qyteti pret tradicionalisht Festivali i Tulipanëve në Morges, një nga festivalet më të njohura pranverore në vend. Gjatë kësaj periudhe mbillen mbi 140 mijë tulipanë të rreth 350 varieteteve të ndryshme, duke krijuar një mozaik të jashtëzakonshëm ngjyrash dhe aromash.

Pjesa më e madhe e luleve ekspozohet në parkun e njohur Parc de l’Indépendance, i cili gjatë festivalit kthehet në atraksionin kryesor të qytetit dhe tërheq vizitorë nga e gjithë bota.

Festivali organizohet nga Morges Fleur du Léman dhe hyrja për publikun është falas. Organizimi mbështetet kryesisht nga puna e vullnetarëve dhe përkrahja e komunitetit lokal, duke e bërë këtë ngjarje jo vetëm një festë të natyrës, por edhe të bashkëpunimit qytetar.

Çdo edicion sjell edhe një temë të veçantë artistike, e cila i jep festivalit një dimension kulturor dhe poetik. Shëtitja mes tulipanëve, pranë liqenit dhe me panoramën alpine në sfond, konsiderohet nga shumë vizitorë si një nga përvojat më të bukura pranverore në Zvicër./Albinfo.ch

Koncerti “ARIADITA” në Washington: një mbrëmje muzikore që bashkoi kultura dhe emocione

Washington, D.C. u mbajt koncerti “ARIADITA”, një mbrëmje e veçantë muzikore me interpretimin e pianisteve Ariane Haering dhe Ardita Statovci, të cilat sollën në skenë një program të pasur artistik për piano me katër duar, transmeton albinfo.ch.

Koncerti u përshkrua si një përvojë e mbushur me muzikë, lidhje njerëzore dhe emocion, duke festuar fuqinë e artit për të kapërcyer kufijtë dhe për të ndërtuar ura mes kulturave të ndryshme.

Programi përfshiu një përzgjedhje veprash të njohura dhe moderne, duke nisur nga eleganca e Mozart compositions, përmes lirizmit poetik të Smetanës, deri te veprat e Piperku/Aliçkaj, intensiteti i Honegger, ndjeshmëria e Amy Beach dhe energjia e Poulenc.

Në një mesazh pas koncertit, artistet shprehën mirënjohje për publikun dhe theksuan se bashkëpunimi artistik mes tyre ka sjellë një energji të veçantë që vazhdon të rritet dhe të evoluojë.

Koncerti “ARIADITA” u prit me duartrokitje të ngrohta dhe u vlerësua si një mbrëmje që ndërthur mjeshtërinë muzikore me ndjeshmërinë artistike, duke lënë gjurmë te publiku në kryeqytetin amerikan. /Albinfo.ch

 

Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA

Kroaci: Kosova prezantohet me këngë e valle tradicionale në manifestimin e Varazhdinit

Më 23 maj, Ambasada e Republika e Kosovës në Zagreb mori pjesë në manifestimin “Dita e Pakicave Kombëtare të Qytetit dhe Prefekturës së Varazhdinit”, organizuar në kuadër të “Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për dialog dhe zhvillim” në Varazhdin, transmeton albinfo.ch.

Ambasada u përfaqësua nga diplomati Tahiri dhe atasheu Kuqi, të cilët ndoqën nga afër programin kulturor dhe aktivitetet e komuniteteve të ndryshme që veprojnë në këtë rajon të Kroacisë.

Në kuadër të manifestimit u prezantua edhe komuniteti shqiptar i Varazhdinit, i udhëhequr nga përfaqësuesi Ali Rexhaj, i cili kontribuoi në promovimin e kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar në një atmosferë bashkëjetese multikulturore.

Pjesë e programit artistik ishte edhe SHKA “Shkëndija” nga Zagrebi, nën udhëheqjen e znj. Gentiana Lleshdedaj, e cila u paraqit me valle dhe interpretime tradicionale shqiptare, të mirëpritura nga publiku i pranishëm.

Në manifestim morën pjesë përfaqësues të komuniteteve shqiptare, sllovene, serbe, rome, ukrainase dhe komuniteteve të tjera, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërkulturor dhe bashkëjetesës në shoqërinë kroate përmes muzikës, vallëzimit dhe gastronomisë tradicionale.

Në kuadër të aktiviteteve, përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës zhvilluan edhe një bashkëbisedim me prefektin e Varazhdinit, Anđelko Stričak, si dhe me kryesuesin e Kuvendit të Prefekturës, Krunoslav Lukačić.

Pjesëmarrja e Ambasadës së Kosovës në këtë aktivitet u vlerësua si mbështetje e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Kroaci dhe përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor në jetën publike dhe kulturore të vendit. /Albinfo.ch

 

Shqiptar apo zviceran? Një brez mes rrënjëve dhe integrimit

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

 

Në ritmin e muzikës dhe nën ngjyrat kuqezi, ata festojnë së bashku identitetin e tyre shqiptar në diasporë.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren  Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

Gemeinsam Kulturen in der Schweiz feiern und verbinden – durch Musik, Freude und festliche Atmosphäre. (pexels)
Gemeinsam Kulturen in der Schweiz feiern und verbinden – durch Musik, Freude und festliche Atmosphäre. (pexels)

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

 

Mes muzikës dhe turmës së njerëzve, flamujt shqiptarë dhe kosovarë bashkojnë një gjeneratë të re në Zvicër. (Alba Festival)
Mes muzikës dhe turmës së njerëzve, flamujt shqiptarë dhe kosovarë bashkojnë një gjeneratë të re në Zvicër. (Alba Festival)

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Dy identitete, një frymë e përbashkët – kultura shqiptare dhe ajo zvicerane në harmoni. (pexels)

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

 

Të rinj shqiptarë dhe zviceranë ndërtojnë ura miqësie dhe kulture në zemër të Evropës. (pexels)

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

Vizitore me një flamur të Shqipërisë, majtas, dhe një të Kosovës, djathtas, festojnë në Alba Festival në zonën Hardturm, të shtunën, më 2 korrik 2022 në Cyrih. Alba Festival është një festival muzikor shqiptar me artistë nga Shqipëria, Kosova ose me prejardhje nga një prej këtyre dy vendeve. (KEYSTONE/Michael Buholzer)

 

___________________________________

Rreth kësaj teme dhe autorit

Tema „Privilegj apo sfidë? Një gjeneratë mes rrënjëve dhe horizonteve të reja“ bazohet në dymbëdhjetë intervista të thelluara me anëtarë të gjeneratës së dytë të diasporës shqiptare në Zvicër. Në qendër të këtij hulumtimi janë çështjet e identitetit, integrimit, përkatësisë kulturore dhe pjesëmarrjes shoqërore në një Zvicër multikulturore. Ky material është publikuar në tri gjuhë: gjermanisht, frëngjisht dhe shqip.

Valdrin „Drin“ Reçica është gazetar dhe autor me fokus në diasporë, integrim dhe identitet multikulturor në Zvicër. Në punën e tij ai trajton veçanërisht realitetet e jetës dhe historitë e suksesit të diasporës shqiptare në Zvicër dhe në Evropë.

SHBA emëron ambasadorë për Serbinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, Kosova ende pa të dërguar amerikan

Administrata amerikane ka njoftuar më 1 qershor nominimet për ambasadorë në Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet pa një ambasador të emëruar nga SHBA-ja, përcjell albinfo.ch. 

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Ronald Johnson është nominuar për ambasador në Bosnje e Hercegovinë, Michael Young për Serbi dhe Peter McCoy për Mal të Zi. Po ashtu, është nominuar edhe ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Shqipëri.

Ndërkohë, për Kosovën nuk ka ende ndonjë vendim zyrtar. Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ish-ambasadori Jeff Hovenier përfundoi mandatin në fund të vitit 2024.

Të gjitha nominimet duhet të kalojnë fillimisht në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe më pas të marrin miratimin e Senatit amerikan, para se presidenti t’i emërojë zyrtarisht ambasadorët.

Procesi i konfirmimit mund të zgjasë javë ose muaj, varësisht nga procedurat dhe debatet politike në Senat.

Mungesa e një nominimi për Kosovën vjen në një kohë kur SHBA-ja ka nisur plotësimin e posteve diplomatike në disa vende të rajonit, duke lënë ende të hapur çështjen e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Prishtinë./Albinfo.ch 

Qeveria në detyrë themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur të themelojë Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 23 prill 2026, albinfo.ch.

Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur më 1 qershor, ku janë miratuar edhe disa vendime të tjera me rëndësi në fushën e shëndetësisë dhe zhvillimit teknologjik.

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor kishte marrë mbështetje të gjerë në Kuvend, duke u votuar nga 80 deputetë, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Megjithatë, opozita kishte theksuar se ligji përmban mangësi që duhet të adresohen në fazën e zbatimit.

Projektligji ishte miratuar për herë të dytë nga Qeveria më 3 prill 2026, pasi versioni paraprak ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në fillim të këtij viti.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, janë ndarë 153 mijë euro për mbështetjen e tri ngjarjeve që organizohen në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila synon promovimin e teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

Këto vendime janë marrë në kohën kur Qeveria vazhdon të ushtrojë detyrën me mandat teknik, pas shpërndarjes së Kuvendit më 5 mars 2026. Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor./Albinfo.ch

Vesa Doli, violistja shqiptare që po përfaqëson Kosovën në skenat ndërkombëtare

Vesa Doli është një nga katër themelueset e Kuartetit Reverie dhe një nga figurat aktive të muzikës klasike në Kosovë, e njohur për energjinë artistike dhe angazhimin e saj në muzikën orkestrale dhe të dhomës, transmeton albinfo.ch.

Ajo është violiste dhe anëtare e Filharmonia e Kosovës që nga viti 2020, ndërsa njëkohësisht ushtron profesionin e mësimdhënëses së violës në shkollën e muzikës Prenk Jakova.

Si interpretuese aktive, Vesa Doli është paraqitur në koncerte dhe festivale në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Austri, Portugali, Japoni, Turqi, Zvicër dhe Francë, duke përfaqësuar muzikën klasike shqiptare në skena të ndryshme ndërkombëtare.

Në rrugëtimin e saj artistik, ajo është shpërblyer me çmime në konkurse si Pjeter Gaci dhe Ars Kosova, si dhe ka qenë laureate dhe përfituese bursash në festivalin prestigjioz Starnberg Musiktage.

Artistika e saj është formësuar më tej përmes pjesëmarrjes në masterklase me muzikantë të njohur ndërkombëtarë, duke e zhvilluar vazhdimisht profilin e saj si një muzikante e gjithanshme në muzikën orkestrale dhe atë të dhomës. /Albinfo.ch

 

Vesa Doli

Eliza Dushku nderohet me doktoratë “Honoris Causa”

Aktorja me origjinë shqiptare Eliza Dushku është nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Lesley University gjatë ceremonisë së diplomimit të vitit 2026, shkruan albinfo.ch.

Universiteti e vlerësoi Dushkun për transformimin e saj profesional nga një figurë e njohur e Hollywood-it në një zë të rëndësishëm për shëndetin mendor, shërimin e traumës dhe mbështetjen ndaj veteranëve amerikanë.

Aktorja u bë e njohur ndërkombëtarisht që në moshë të re me rolin e saj si Missy në filmin Bring It On, duke u kthyer në një nga figurat më të spikatura të kinemasë rinore amerikane të viteve 2000. Më pas, ajo vazhdoi karrierën me role në filma thriller dhe horror, përfshirë Wrong Turn, si dhe me paraqitje të shumta televizive.

Në vitet e fundit, rrugëtimi i saj profesional ka marrë një drejtim të ri, të lidhur me aktivizmin social dhe shëndetin mendor. Dushku është angazhuar në promovimin e terapive inovative për trajtimin e PTSD-së dhe traumave të sistemit nervor, duke mbështetur veçanërisht terapinë e asistuar me psikodelikë.

Angazhimi i saj përfshin edhe mbështetjen ndaj veteranëve amerikanë, përmes pjesëmarrjes në iniciativa dhe organizata që fokusohen në rikuperimin nga trauma dhe riintegrimin në jetën civile.

Paralelisht, ajo po ndërthur përvojën artistike me aktivizmin përmes dokumentarit In Waves and War, ku shërben si producente ekzekutive. Projekti trajton temat e luftës, traumës dhe procesit të shërimit, duke reflektuar edhe transformimin e saj personal dhe profesional.

Nderimi nga Lesley University konsiderohet një vlerësim jo vetëm për karrierën e saj artistike, por edhe për ndikimin në ndërgjegjësimin publik mbi shëndetin mendor dhe qasjet moderne të trajtimit të traumës. /Albinfo.ch

 

Eliza Dushku

 

Eliza Dushku

Inaugurohet “Biblioteka shqiptare në diasporë” në Bolzano

Në qytetin Bolzano është përuruar këndi i ri i “Bibliotekës shqiptare në diasporë” në ambientet e Biblioteca Civica Cesare Battisti, një nismë e rëndësishme kulturore për promovimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Kjo iniciativë është realizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me shoqatën Arbëria Bolzano, duke krijuar një hapësirë të dedikuar për librin, gjuhën shqipe dhe aktivitetet edukative për komunitetin shqiptar në Itali.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit, përfshirë drejtoreshën e QBD-së, zj. Mimosa Hysa, si dhe përfaqësues të bibliotekave dhe institucioneve lokale në Bolzano, bashkë me anëtarë të shoqatës dhe familje shqiptare që jetojnë në rajon.

Gjatë ceremonisë u zhvilluan lexime dygjuhëshe, aktivitete edukative dhe momente festive për fëmijët, duke e kthyer bibliotekën në një hapësirë takimi mes kulturave dhe brezave të ndryshëm.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u dhurua edhe një fond librash në gjuhën shqipe, me qëllim pasurimin e koleksionit dhe nxitjen e leximit tek fëmijët e diasporës.

Ky kënd i ri kulturor pritet të shërbejë si urë lidhëse mes brezave shqiptarë në diasporë, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës, traditës dhe identitetit kombëtar. /Albinfo.ch

 

Ermonela Jaho vlerësohet me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres”

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho është nderuar nga Franca me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres”, një nga dekoratat më të larta që jepet për personalitete me kontribut të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, transmeton albinfo.ch.

Në mesazhin e saj emocional pas marrjes së vlerësimit, artistja u shpreh se ky titull përfaqëson një nder të veçantë për të, duke theksuar lidhjen shpirtërore që ndjen me Francën dhe kulturën franceze.

“Marrja sot e titullit ‘Chevalier des Arts et des Lettres’ është për mua një emocion i jashtëzakonshëm dhe një nder shumë i çmuar për zemrën time, pasi Franca përfaqëson për mua dashurinë për artin, kulturën dhe të vërtetën njerëzore”, u shpreh Jaho.

Ajo falënderoi gjithashtu njerëzit që kanë shoqëruar rrugëtimin e saj artistik ndër vite, mes tyre agjentin Dominique Riber dhe Jean-Philippe Thiellay, për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm.

“Nuk mund ta imagjinoja një ambient më të bukur për këtë ceremoni sesa i rrethuar nga miq të sinqertë, dashamirës të artit dhe një publik që i dha kuptim të gjitha sakrificave të jetës së një artisti”, theksoi sopranoja shqiptare.

Në fund të mesazhit të saj, Jaho u shpreh se e pranon këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë, duke falënderuar Francën për mbështetjen dhe dashurinë ndaj artit të saj.

Ermonela Jaho konsiderohet sot një nga sopranot më të vlerësuara në botë, me interpretime në skena prestigjioze si Royal Opera House, Metropolitan Opera dhe Teatro alla Scala./Albinfo.ch