Mbijetesa kushton shtrenjtë: Sunderlandi i Xhakës në krye të shpenzimeve

Mbijetesa në Premierligë është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për klubet e sapopromovuara. Për shumicën prej tyre, synimi kryesor nuk është fitimi i trofeve, por qëndrimi në elitën e futbollit anglez, transmeton albinfo.ch.

Në dy sezonet e fundit, të tre klubet e promovuara kanë rënë menjëherë nga liga, një fenomen që në historinë e Premierligës kishte ndodhur vetëm një herë më parë. Ky fakt tregon qartë se hendeku financiar dhe cilësor midis Premierligës dhe Championshipit është thelluar ndjeshëm.

Për të shmangur rënien, klubet shpesh detyrohen të investojnë shuma marramendëse në merkato, duke sjellë lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare apo duke përforcuar të gjitha repartet. Kjo qasje agresive në treg ka bërë që disa skuadra të sapopromovuara të përfundojnë në listën e shpenzuesve më të mëdhenj të kampionatit.

Ndër to bën pjesë edhe Sunderlandi i drejtuar nga Granit Xhaka, i cili renditet i dyti në listën e klubeve që kanë shpenzuar më shumë për të siguruar mbijetesën. Strategjia e klubit është e qartë: të garantojë stabilitet në Premierligë, edhe nëse kjo kushton dhjetëra miliona euro në sezon, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, historia ka treguar se shpenzimet e mëdha nuk janë gjithmonë garanci suksesi. Sfida e vërtetë mbetet gjetja e ekuilibrit mes investimeve dhe krijimit të një skuadre konkurruese që mund t’i bëjë ballë ritmit të jashtëzakonshëm të Premierligës.

0

Konsullata e Kosovës në Dyseldorf hap thirrjen për praktika ndërkombëtare

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf u ka bërë thirrje studentëve dhe profesionistëve të rinj nga Kosova që të aplikojnë për programin e trajnimeve dhe praktikave profesionale që do të zhvillohet në Gjermani gjatë viteve 2025 – 2026, përcjell albinfo.ch.

Ky program, i organizuar nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) me mbështetjen e landit Renania Veriore-Vestfalia (NRW), synon të ofrojë mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Çfarë ofron programi?

• Praktika profesionale 3 – 6 mujore në kompani dhe institucione në NRW

• Trajnime dhe përvojë ndërkombëtare mbi standardet e BE-së

• Kurs përgatitor në gjuhën gjermane në Goethe Institut

• Certifikata zyrtare nga GIZ, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), Kancelaria e NRW-së dhe institucioni ku është zhvilluar praktika

Konsullata e Kosovës në Dyseldorf, në bashkëpunim me GIZ-in, do të ndihmojë në përzgjedhjen e kompanive gjermane pjesëmarrëse, do të jetë pjesë e aktiviteteve zyrtare të projektit dhe do të lehtësojë komunikimin me institucionet dhe partnerët në Kosovë.

Afati i fundit për aplikim është 31 gusht 2025, njofton Konsullata e Kosovës në Dyseldorf.

Donis Sadushaj: Juristi shqiptar në zemër të diplomacisë zvicerane

Donis Sadushaj është një profesionist i shquar me origjinë nga Shqipëria, i cili ka ndërtuar karrierë të suksesshme në Gjenevë të Zvicrës, shkruan revista Albinfo.ch.

Aktualisht shërben si nëpunës ndërkombëtar civil në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), në Departamentin e Partneriteteve për Zhvillimin Dixhital.

Studimet e tij fillestare i kreu në Drejtësi, në Universitetin Luarasi në Tiranë, pastaj vazhdoi me Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Geneva School of Diplomacy. Për shkak të rezultateve të larta, u pranua edhe në programin e shkëmbimit në Georgetown University në Washington D.C.  

Ai ka përfunduar edhe një Executive MBA në Menaxhimin e Organizimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Gjenevës, ndërkohë që ka qenë oficer projektesh te Bulan Institute for Peace Innovations, pjesë e stafit pranë Geneva School of Diplomacy, si dhe bashkautor i librit “The European Court of Human Rights and the Right of a Private Life”.

Pas studimeve, fitoi një garë në fushën e sigurisë kibernetike (Cybersecurity) të organizuar nga Geneva Center for Security Policy.

Me libra, ligj dhe diplomaci: Si u ndërtua karriera e Donis Sadushajt

International Telecommunications Union (ITU), prej mbi 7 vitesh, punon si nëpunës ndërkombëtar civil në Departamentin e Partneriteteve për Zhvillimin Dixhital, një agjenci e specializuar e OKB-së me seli në Gjenevë  .

Ai po ashtu është ish-oficer projektesh në Bulan Institute for Peace Innovations, si edhe pjesë e stafit pranë GSD. Është bashkautor i librit “The European Court of Human Rights and the Right of a Private Life”.

Përveç tjerash ai fitoj një kompeticion sigurie kibernetike, organizuar nga Geneva Center for Security Policy menjëherë pas përfundimit të studimeve.

Workshopet dhe roli shtetëror i tij konsiderohen si një shembull suksesi të integrimit të diasporës shqiptare në Zvicër.

Në faqen e GSD, ai thekson rëndësinë e edukimit ndërkombëtar dhe përgatitjes profesionale që i dha shkathtësinë e analizës diplomatike dhe ndërtimit të rrjeteve në Gjenevë.

Libri i botuar nga Donis Sadushaj mban titullin “The European Court of Human Rights and the Right of a Private Life”.

Ky libër ofron një analizë të thelluar akademike, e kombinuar me vështrime praktike për interpretimin dhe përdorimin e juridiksionit të ECtHR.

Mund të shërbejë si udhërrëfyes për juristë, advokatë dhe studiues, që kërkojnë të kuptojnë më mirë përvojën e institucioneve evropiane në mbrojtje të privatësisë.

Gjithashtu ky libër lehtëson një pikëpamje krah për krahu me jurisprudencën moderne dhe trendet e emergjencës të drejtësisë në Evropë. /Albinfo.ch

Afro 3 orë pritje në dalje të pikës Merdarë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se nuk ka pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, ndërkohë në dalje pritjet janë deri në 2 orë e gjysmë, në pikën Merdarë, shkruan albinfo.ch.

Pritjet vijojnë edhe në pikën Dheu i Bardhë deri në 1 orë, Mutivodë 30 minuta dhe Jarinje deri në 15 minuta.

Në pikat tjera nuk raportohet pritje.

Të paktën 22 të vdekur pas fundosjes së dy anijeve me migrantë në Itali

Të paktën 22 migrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së dy anijeve në Mesdhe të mërkurën, ndërsa rreth 60 persona janë shpëtuar dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Anijet ishin nisur nga Zavija dhe Tripoli në Libi.

Kryqi i Kuq raportoi se 56 burra dhe 4 gra kanë mbijetuar, por numri i personave në të dy anijet nuk është ende i qartë. Sipas mediave italiane, disa migrantë u zhvendosën nga një anije në tjetrën, e cila u mbingarkua dhe u fundos.

ANSA njoftoi se ndër të parët që u dërguan në morgun e Lampedusës ishin trupa të një të sapolinduri, tre fëmijëve dhe disa të rriturve. Zëdhënësi i UNHCR-së, Filippo Ungaro, njoftoi se 20 trupa janë gjetur dhe po aq persona janë ende të zhdukur.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, konfirmoi se ngjarja ndodhi 14 milje larg Lampedusës dhe theksoi nevojën për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme detare. Ky vit ka regjistruar deri tani 675 viktima mes migrantëve në tentativë për të kaluar Mesdheun, ndërsa 38.263 kanë mbërritur në brigjet italiane.

Qeveria italiane ka bashkëpunuar me vendet e Afrikës së Veriut për të ndaluar nisjen e migrantëve drejt Italisë, duke ofruar fonde dhe trajnime.

Disa të plagosur pas përplasjes së mbështetësve dhe kundërshtarëve të Vuçiqit në Serbi

Në Novi Sad shpërthyen përplasje të dhunshme midis protestuesve anti-qeveritarë dhe mbështetësve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të dytën ditë radhazi. Mbështetësit e Vuçiqit hodhën flakadanë ndaj protestuesve pranë zyrave të Partisë Progresive Serbe, ndërsa protestuesit kundër qeverisë thyen dritaret e ndërtesave.

Policia ndërhyri dhe vendosi roje për të mbrojtur objektin. Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq konfirmoi plagosjen e një oficeri dhe kërkoi rikthimin e rendit dhe stabilitetit shoqëror.

Këto incidente ndodhin pas më shumë se nëntë muajsh protestash kundër qeverisë dhe presidentit Vuçiq, të cilat kanë rritur tensionet politike në Serbi.

 

“Babai shpirtëror” i AI paralajmëron: Rreziku i zhdukjes së njerëzimit është real

Geoffrey Hinton, pionier i inteligjencës artificiale dhe fitues i Çmimit Nobel, ka ngritur sërish shqetësimin për pasojat e zhvillimit të pakontrolluar të AI. Në një konferencë në Las Vegas, ai tha se ekziston 10%-20% mundësi që teknologjia të çojë në zhdukjen e njerëzimit.

Sipas tij, përpjekjet për ta mbajtur AI “nën kontroll” nuk do të funksionojnë, pasi sistemet do të bëhen më inteligjente se njerëzit dhe do të anashkalojnë kufizimet. Si alternativë, Hinton sugjeron që modelet të programohen me “instinkte mbrojtëse” dhe ndjeshmëri ndaj njerëzve  një lloj lidhjeje emocionale që do t’i pengonte t’i dëmtonin ata.

Ai paralajmëroi se raste të sjelljeve manipuluese nga AI tashmë po shfaqen dhe pritet të shtohen, ndërsa superinteligjenca (AGI) mund të arrihet brenda 5-20 vjetësh, shumë më herët se parashikimet e mëparshme. Megjithatë, Hinton mbetet optimist për përdorimet pozitive të AI në mjekësi, veçanërisht në luftën kundër kancerit, por e sheh si të rrezikshme idenë e pavdekësisë teknologjike.

 

 

VV, PDK, LDK dhe AAK bashkohen, garojnë me një listë të përbashkët në Graçanicë

Nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, njoftoi se në Graçanicë, komunë nominalisht me shumicë serbe, nuk do të ketë pluralitet partiak shqiptar, por një unitet të plotë mes Vetëvendosjes (VV), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Kemi vendosur të lëmë anash dallimet dhe të bashkohemi në një iniciativë që quhet ‘ALEANCA SHQIPTARE’. Bashkarisht me të gjitha partitë VV, LDK, PDK dhe AAK do të garojmë në këto zgjedhje lokale me një listë të përbashkët,” shkroi ai.

 

Aeroporti i Cyrihut regjistron rekord udhëtarësh në muajin korrik

Në korrik, më shumë udhëtarë fluturuan përmes Aeroportit të Cyrihut se kurrë më parë, duke vazhduar trendin në rritje të muajve të fundit.

Sipas një deklarate të aeroportit të mërkurën, në korrik 3.26 milionë njerëz udhëtuan përmes aeroportit më të madh të Zvicrës. Ky është një rritje prej 4.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i udhëtarëve arriti kështu një rekord të ri mujor. Për më tepër, numri i udhëtarëve është rritur çdo muaj që nga fillimi i vitit.

Muaji korrik konsiderohet tradicionalisht si një nga muajt më të ngarkuar të vitit për shkak të pushimeve verore.

Kancelari austriak në Beograd: Dialogu Kosovë-Serbi i pazëvendësueshëm për paqen në rajon

Gjatë një vizite në Beograd kancelari i Austrisë, Christian Stocker, theksoi se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mbetet i pazëvendësueshëm për Bashkimin Evropian, nëse ka vullnet për të gjetur zgjidhje. Ai shprehu shpresën që një marrëveshje të arrihet, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës paqësore në rajon, edhe pse situata është e ndërlikuar.

Stocker nënvizoi se çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen gjatë procesit të integrimit evropian të Serbisë dhe mirëpriti çdo përpjekje për rifillimin e bisedimeve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi rolin e Austrisë si partner i rëndësishëm dhe diskutoi rëndësinë e dialogut si mënyrë për të tejkaluar tensionet rajonale. Ai theksoi gjithashtu nevojën për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Stocker shprehu mbështetje për rrugëtimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së rajonit nga përpjekjet destabilizuese, duke nënvizuar vlerat themelore të BE-së si të drejtat e njeriut, liria e shprehjes dhe bashkëjetesa demokratike. Ai gjithashtu kërkoi që procesi i zgjerimit të jetë i qartë dhe i prekshëm për qytetarët, duke aplikuar të njëjtat kritere për të gjitha vendet kandidate.

Në aspektin e politikës së jashtme, Vuçiq bëri të ditur se Serbia ka dhënë shpjegime për pozicionin e saj, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, edhe pse ka mbështetur disa rezoluta ndërkombëtare kundër pushtimit rus.

Shqipëria përballet me zjarre të shumta, Rama: Në terren edhe ndihma nga Italia

Shqipëria po përballet me një situatë të vështirë për shkak të zjarreve në disa zona të vendit, ndërsa forcat shtetërore vijojnë pa ndërprerje përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë ditë si një “ditë sakrifice dhe krenarie” për të gjitha strukturat që janë angazhuar në operacionet e emergjencës. Sipas të dhënave të fundit, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra aktive, nga të cilat 13 janë shuar.

Në terren janë angazhuar mbi 600 forca nga Forcat e Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe vullnetarë. Për të përballuar situatën, janë përdorur dhjetëra mjete zjarrfikëse, autoambulanca dhe mjete për evakuimin e banorëve, si dhe 5 helikopterë dhe një avion Canadair i ofruar nga Italia.

Zona më kritike për momentin janë Delvina, Poliçani, Gramshi, Dropulli, Finiqi, Berati, Tepelena dhe Bulqiza, ku operacionet ajrore dhe tokësore janë në vijim.

Kryeministri Rama gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë vendet evropiane dhe Emiratet, për të përballuar situatën e zjarreve.

Qeveria apelon tek qytetarët për të ruajtur qetësinë, për të ndjekur udhëzimet e autoriteteve dhe për të shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë jetën dhe pasurinë e tyre.

 

Shqiptarët e Luginës kërkojnë mbrojtje të të drejtave dhe ruajtje të identitetit

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen aktuale në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë mbi politikat diskriminuese dhe shtypëse që Serbia ushtron ndaj shqiptarëve në këtë zonë. Po ashtu, u trajtua situata e shqiptarëve në Sanxhak, ku një ndër prioritetet mbetet ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar.

Pjesëmarrësit theksuan se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi është jo vetëm nevojë e domosdoshme, por edhe një çështje urgjente për të garantuar barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Zëvendëskryeministri Bislimi siguroi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët në Luginë dhe Sanxhak, jo vetëm në aspektin e ruajtjes së kulturës dhe identitetit, por edhe përmes programeve që adresojnë nevojat e drejtpërdrejta të komunitetit.

Gjendet në një kamp në Angli, kosovari Veton Canolli, i raportuar i zhdukur një ditë më parë

Veton Canolli, shtetas i Kosovës, që u raportua i zhdukur nga familja e tij ditën e djeshme, është gjetur shëndoshë e mirë në një kamp në Angli.

Lajmin e konfirmoi familjari i tij, Milazim Canolli, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuan në kërkime, përfshirë Ambasadën e Kosovës në Angli, miqtë dhe familjarët.

Sipas familjes, Vetoni ishte nisur nga Anglia për në Kosovë para dhjetë ditësh, por pas nisjes nuk kishte pasur asnjë kontakt apo informacion për vendndodhjen e tij.

 

Shqiptari arrestohet në Romë teksa tentonte të grabiste një restorant

Një 45-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Romë, pasi u kap në flagrancë duke tentuar të vidhte një restorant në zonën “Casal de’ Pazzi”. Ngjarja ndodhi pasi alarmi i lokalit, i lidhur me sistemin e policisë, u aktivizua dhe njoftoi menjëherë forcat e rendit.

Sipas hetimeve, i dyshuari kishte hyrë nga dera e pasme duke e dëmtuar, dhe po përpiqej të hapte arkën e parave. Pranë hyrjes, policia gjeti një karrocë dore të mbushur me shishe vere dhe pije të tjera alkoolike, të përgatitura për t’u marrë.

Ai tentoi të largohej me vrap, por u kap pas një ndjekjeje të shkurtër. Aktualisht ndodhet në paraburgim me akuzën e “vjedhjes së rëndë”, ndërsa gjyqtari i hetimeve paraprake konfirmoi masën e arrestit me kërkesë të prokurorisë.

 

Kantoni i Vaudit: Rregulla të reja për telefonat dhe përmirësime në klimën shkollore

Nga fillimi i vitit të ri shkollor, sistemi arsimor pas detyrues në kantonin e Vaudit do të vendosë rregulla më të rrepta për përdorimin e telefonave inteligjentë dhe orëve të mençura. Këto pajisje duhet të jenë të fikura ose në modalitetin “silent” gjatë mësimit dhe të mbahen në çanta ose në dollapët e shkollës. Përdorimi i tyre lejohet vetëm gjatë pushimeve dhe drekës.

Që nga viti 2019, ndalimi i plotë gjatë orarit mësimor është në fuqi për arsimin e detyrueshëm, ndërsa tani kjo masë zgjerohet edhe në shkollat profesionale dhe gjimnaze, por me një qasje më të moderuar. Qëllimi, sipas Këshilltarit të Shtetit Frédéric Borloz, është të shmanget shpërqendrimi në bankat e nxënësve.

Klima shkollore dhe tolerancë zero ndaj racizmit

Borloz theksoi gjithashtu rëndësinë e një klime të shëndetshme shkollore. Plani kundër racizmit dhe antisemitizmit, i prezantuar vitin e kaluar, është gati për zbatim. Mes masave: ndërgjegjësim, hapje dhe trajtim i rasteve në klasë me politikën e ” tolerancës zero”.

Në përgatitje është edhe një udhëzim i ri për objektet e rrezikshme, si armët e ftohta.

Vlerësim i aftësive ndërdisiplinore

Një tjetër risi është vetëvlerësimi i profilit të nxënësit, si plotësim i notave. Projektet pilot u mundësojnë maturantëve dhe nxënësve të arsimit profesional të evidentojnë aftësitë personale, metodologjike dhe sociale, si besueshmëria, puna në grup, krijimtaria, iniciativa dhe mirësjellja. Këto do të regjistrohen në dosjen e nxënësit dhe mund të përdoren për aplikime në praktika apo vende pune.

Aplikacion për komunikim me prindërit

Një aplikacion i ri komunikimi do të testohet në fillim të vitit 2026 dhe do të shtrihet gradualisht nga viti shkollor 2026–2027. Fillimisht do të shërbejë për komunikim më efikas me prindërit, duke zëvendësuar fletushkat ose platformat e pasigurta, dhe më vonë do të shtohen funksione si menaxhimi i mungesave dhe oraret.

Hapja e gjimnazit të ri në Crissier

Kjo e hënë shënon edhe hapjen e gjimnazit të ri në Crissier, pranë Lozanës, që fillon me 300 nxënës dhe do të zgjerohet deri në 1200 deri në vitin 2030.

Sfida financiare dhe reagimi i sindikatave

Borloz paralajmëroi për një situatë financiare të “komplikuar”. Në buxhetin e vitit 2025 janë parashikuar shkurtime prej 13,5 milionë frangash për arsimin, pjesë e një pakete masash shtrënguese më të gjera. Për vitin 2026 priten kursime shtesë.

Sindikatat e mësuesve shprehin shqetësim për mungesën e burimeve, presionin mbi gjimnazet dhe ndikimin e reformave të reja, sidomos në klasat 1-2P, ku kërkohet më shumë mbështetje.

 

Zvicra nuk mund të sigurojë çmim fiks për blerjen e avionëve F-35, SHBA refuzon

Zvicra nuk do të mund të vendosë një çmim fiks për blerjen e 36 avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara. Sipas njoftimit të Këshillit Federal, Uashingtoni nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e tij. Si pasojë, kostoja totale do të tejkalojë ndjeshëm gjashtë miliardë franga.

Në javët e fundit janë zhvilluar “diskutime intensive” me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë për çmimin fiks të këtyre avionëve. Çështja është trajtuar edhe gjatë një bisede telefonike midis Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Këshilltarit Federal Martin Pfister, kreu i Departamentit Federal të Mbrojtjes (DDPS).

Nga këto diskutime, u bë e qartë se SHBA nuk është e gatshme të ndryshojë pozicionin e saj. Zvicra duhet të pranojë se nuk mund të imponojë një çmim fiks, siç kishte synuar. Çmimi për çdo seri prodhimi do të jetë ai i negociuar midis qeverisë amerikane dhe prodhuesit Lockheed Martin.

“Nuk ka asnjë skandal,” u shpreh ministri i mbrojtjes Martin Pfister, duke theksuar se Zvicra ende e konsideron marrëveshjen si me çmim fiks, por “pala tjetër nuk e pranon këtë, dhe pala tjetër është më e fuqishme”. Ai gjithashtu mohoi çdo faj të autoriteteve zvicerane, përfshirë paraardhësen e tij Viola Amherd.

Projekti i blerjes vazhdon

Aktualisht nuk është e mundur të përcaktohet kostoja e saktë përfundimtare. Këshilli Federal ka komunikuar më herët se shpenzimet shtesë mund të variojnë nga 650 milionë deri në 1.3 miliardë franga. Megjithatë, projekti për blerjen e F-35-ve do të vazhdojë.

Opsionet e shqyrtuara përfshijnë:

blerjen e më pak avionëve se 36 të planifikuarit fillimisht,

kompensim të pjesshëm përmes marrëveshjeve të industrisë me Lockheed Martin,

një buxhet shtesë të miratuar nga Parlamenti,

ose një kombinim i këtyre masave.

Një grup pune do të vlerësojë gjithashtu nëse nevojat aktuale të mbrojtjes ajrore përputhen ende me bazat e raportit “E ardhmja e mbrojtjes ajrore” të vitit 2017.

Reagime të ndara nga partitë politike

PS (Partia Socialiste) kërkon të hiqet dorë nga blerja e F-35-ve dhe të kërkohen alternativa me partnerë europianë. Sipas bashkëkryetares Mattea Meyer, “popullsia është mashtruar” dhe duhet të votojë sërish mbi këtë çështje.

Të Gjelbrit kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të procesit dhe ndërprerjen e pagesave të kontraktuara.

PLR (Partia Liberale-Radikale) e konsideron vendimin për të pranuar rritjen e çmimit si “të dhimbshëm, por të drejtë”, duke kërkuar megjithatë sqarime mbi keqkuptimin për çmimin fiks.

Partia Qendrore mbështet vazhdimin e blerjes, duke e konsideruar avionin thelbësor për sigurinë e hapësirës ajrore të Zvicrës.

Të Gjelbrit Liberalë kërkojnë një zgjidhje për të respektuar kufirin buxhetor prej gjashtë miliardë frangash, p.sh., duke blerë 30 avionë në vend të 36-ve.

 

St. Gallen shqyrton bashkimin e policisë së qytetit me atë kantonale

Autoritetet në St. Gallen kanë filluar një proces për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit më të ngushtë, madje edhe bashkimit, ndërmjet Policisë së Qytetit dhe Policisë Kantonale, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas Kancelarisë së Shtetit të St. Gallen, po zhvillohen zgjidhje konkrete për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin në përmbushjen e detyrave të përbashkëta të dy forcave. Rezultatet e para pritet të publikohen në pranverën e vitit 2026, ndërsa përfundimet do të përfshihen në raportin e efektivitetit të vitit 2028 për barazimin fiskal kantonal.

Kjo çështje ka qenë shpesh në agjendën politike. Në gusht 2024, qeveritë e qytetit dhe kantonit u pajtuan për një projekt të përbashkët vlerësimi, ndërkohë që Këshilli Kantonal i ka kërkuar ekzekutivit të shqyrtojë mundësitë për sinergji midis dy strukturave, transmeton albinfo.ch.

Austria nga alarmin për rrezik nga zjarret në pyje në disa rajone

Ministria e Bujqësisë në Austri ka paralajmëruar për rrezik të shtuar nga zjarret në pyje, pavarësisht reshjeve të fundit, duke theksuar se disa rajone, veçanërisht në Austrinë e Poshtme, mbeten shumë të ndjeshme, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet lokale kanë vendosur rregullore të rrepta që ndalojnë ndezjen e zjarreve dhe pirjen e duhanit në dhe pranë pyjeve në shumë qarqe të Burgenlandit, Austrisë së Poshtme, Austrisë së Epërme, Tirolit dhe Steiermarkut. Këto masa synojnë të mbrojnë njerëzit, kafshët dhe natyrën.

Sipas statistikave zyrtare, nga janari deri në fund të korrikut janë regjistruar rreth 160 zjarre pyjore që kanë djegur gjithsej 56 hektarë. Ministri Norbert Totschnig (ÖVP) apeloi për sjellje të përgjegjshme, duke kujtuar se mbi 80% e zjarreve shkaktohen nga njerëzit. Ai kërkoi zbatimin e pesë rregullave të sjelljes për parandalimin e fatkeqësive.

Ligji i Pyjeve ndalon hedhjen e objekteve të ndezura, ndezjen e zjarreve pa leje, barbekytë dhe prushin e hedhur në pyll, si dhe përdorimin e fishekzjarrëve pranë zonave pyjore. Shkelësit rrezikojnë gjoba deri në 7,270 euro ose deri në katër javë burgim. Në rast zjarri, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë zjarrfikësit në numrin emergjent 122.

Zvicra nën presion tarifor nga SHBA, por qytetarët kundërshtojnë lëshimet

Shumica e qytetarëve zviceranë janë kundër ofrimit të lëshimeve ndaj Shteteve të Bashkuara në mosmarrëveshjen aktuale për tarifat e importit, pavarësisht rrezikut që këto masa paraqesin për ekonominë vendase. Kështu tregon një sondazh i publikuar të mërkurën nga instituti kërkimor YouGov, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Tarifa e re prej 39% e vendosur nga SHBA për shumicën e mallrave zvicerane ka gjasa të dëmtojë ndjeshëm ekonominë zvicerane, por kjo nuk ka ndikuar në qëndrimin e qytetarëve. Sipas sondazhit, rreth dy të tretat e të anketuarve besojnë se Zvicra nuk duhet të lejojë veten të vihet nën presion diplomatik, edhe nëse kjo nënkupton përballimin e tarifave të larta. Vetëm një e katërta e pjesëmarrësve janë në favor të lëshimeve për të shmangur tarifat.

Ndërkohë, 66% e të anketuarve presin që tarifat e reja të kenë ndikim negativ në ekonominë zvicerane, ndërsa vetëm 5% besojnë se dëmet do të jenë të vogla ose të papërfillshme.

Gjysma e pjesëmarrësve në sondazh shprehen se Zvicra duhet të përqendrohet më shumë në prodhimin dhe konsumimin e produkteve vendase në të ardhmen, edhe pse kjo mund të çojë në rritje të çmimeve. Për më tepër, 41% janë kundër investimeve të mëdha nga kompanitë zvicerane në SHBA, ndërsa vetëm 15% i mbështesin ato.

Sipas YouGov, ekziston një konsensus i gjerë në të gjithë spektrin politik për mënyrën se si Zvicra duhet të reagojë ndaj tarifës së re. Megjithatë, një përjashtim është qëndrimi ndaj Bashkimit Evropian: mbi gjysma e të anketuarve janë në favor të një bashkëpunimi më të ngushtë me BE-në, ndërsa mbështetësit e Partisë Popullore Zvicerane shprehen qartësisht kundër kësaj ideje.

Sondazhi është zhvilluar nga 5 deri më 11 gusht dhe ka përfshirë 1,260 persona nga e gjithë Zvicra, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Më shumë se një fëmijë në ditë preket nga aksidentet rrugore gjatë rrugës për në shkollë

Në vitin 2024, në Zvicër janë regjistruar 455 aksidente rrugore që përfshinin fëmijë gjatë rrugës për në shkollë, mesatarisht më shumë se një fëmijë në ditë. Për ta adresuar këtë problem, Touring Club Switzerland (TCS) ka nisur një fushatë kombëtare me sloganin “Vëzhgo, Ngadalëso, Ndalo”, e drejtuar kryesisht drejt përdoruesve të rrugës, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Jordan Girod, zëdhënës i TCS, theksoi se shkaktarët kryesorë janë mungesa e vëmendjes dhe mosdhënia e përparësisë, sidomos në kalimet për këmbësorë. Slogani i ri nënvizon rëndësinë e vigjilencës, uljes së shpejtësisë dhe ndalimit për t’i lejuar fëmijët të kalojnë në siguri.

Fushata zhvillohet në bashkëpunim me policinë, komunat, shkollat dhe prindërit. Përveç materialeve informuese, do të shpërndahen sprej dhe aromatizues ajri për automjete si kujtesë nuhatëse për mesazhin e fushatës. Prindërve do t’u jepen figura të personalizuara të krijuara nga vetë fëmijët, për t’i vendosur në makina.

Risi e kësaj fushate është njoftimi përmes WhatsApp-it ose aplikacionit TCS, ku përdoruesit do të marrin kujtesa të personalizuara për praninë e fëmijëve në rrugë sipas rajonit. TCS kujton se edhe fushatat e mëparshme, si “Ndalo, Shiko, Dëgjo, Kalo”, kanë ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit, por numri i aksidenteve mbetet i lartë.

Bazel: Dy ndërtesa të reja me banesa të përballueshme

Në Bazel, në zonën mes Lehenmattstrasse, Stadionstrasse, Birsstrasse dhe Muttenzerweg, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të reja banimi, njëra me shtatë kate dhe tjetra me gjashtë kate, me lartësi maksimale muri 26 dhe 23 metra, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Të paktën një e treta e sipërfaqes së përgjithshme të dyshemesë do të dedikohet për banesa të përballueshme. Projekti synon të krijojë hapësira për rreth 600 banorë dhe 150 vende pune.

Vendndodhja, pranë lumit Birs, është pronë e kompanisë teknologjike Haefely AG, e themeluar më 1904, dhe e investitorit Creafonds nga Lucerna. Haefely planifikon ta zhvendosë selinë e saj brenda Bazelit.

Plani përfshin ruajtjen e dy ndërtesave ekzistuese dhe ndërtimin e strukturave të reja me të njëjtën lartësi, duke krijuar kalime që lidhin zonën me lumin. Rishikimi publik i projektit dhe ndryshimet në planin e zonimit do të jenë të hapura deri më 12 shtator.

Valais ndalon ndezjen e zjarreve në natyrë, për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut

Kantoni i Valais është bërë i pari në Zvicër që ka vendosur ndalim të plotë të ndezjes së zjarreve në natyrë në pjesë të mëdha të territorit të tij, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës që kanë rritur rrezikun e zjarreve në pyje, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, rreziku i zjarreve në pyje është i konsiderueshëm deri shumë i lartë në kantonet Valais, Ticino dhe Graubünden. Niveli ” shumë i lartë ” është kategoria më e lartë e përcaktuar nga autoritetet federale.

Në Valais, ndalimi i zjarrit është vendosur nga 11 gushti dhe vlen për zonat ku rreziku është i lartë ose shumë i lartë. Ky ndalim përfshin pyjet dhe hapësirat pranë tyre. Situata e rrezikut do të rivlerësohet çdo javë nga autoritetet kantonale.

Jean-Christophe Clivaz, nga Departamenti i Pyjeve, Natyrës dhe Peizazhit në Valais, tha se disa komuna tashmë kanë marrë masa të ngjashme dhe paralajmëroi se rreziku mund të rritet në ditët dhe javët e ardhshme. Ai theksoi se pas zjarreve të fundit në Bitche, Visp dhe Leuk, banorët janë më të vetëdijshëm dhe po respektojnë rregullat e sjelljes.

Ndërkohë, në kantonet e tjera, si Graubünden dhe Ticino, autoritetet ende nuk kanë vendosur ndalim të plotë, por po monitorojnë situatën çdo ditë. Rregulloret ligjore për ndalimin e zjarrit ndryshojnë nga kantoni në kanton, ndërsa në disa raste përgjegjësia mbetet te komunat, transmeton albinfo.ch.