Ngrihet aktakuzë ndaj Popoviqit që e quajti UÇK-në “terroriste”

Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka pranuar fajësinë për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas njoftimit nga Prokuroria Speciale, Popoviq akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.

Prokuroria gjithashtu ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tij.

Sipas aktakuzës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…”.

Popoviq akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“I. P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftim.

Popoviqi ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak.

Një ditë para arrestimit, më 18 korrik në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, ai e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për, siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.

U godit nga rryma elektrike në Itali, humb jetën punëtori 21 vjeçar nga Kosova

Para pak ditësh, një ngjarje tragjike është shënuar në Villadossola, në provincën Verbano-Cusio-Ossola të Italisë, ku një i ri me origjinë nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës, përcjell albinfo.ch.

Viktima është identifikuar si Pashtrik Krasniqi, 21 vjeç. Sipas raportimeve të para nga mediat italiane, i riu po punonte në një platformë të ngritur në rreth 6 metra lartësi, ku po çmontonte skelat pas përfundimit të punimeve të rinovimit të një ndërtese.

Dyshohet se gjatë procesit të çmontimit, ai ka prekur aksidentalisht një kabllo elektrike me pulpën e këmbës, çka ka rezultuar fatale për jetën e tij. Goditja nga rryma elektrike ka qenë e menjëhershme dhe, fatkeqësisht, e ka lënë pa shenja jete në vend.

Fiona Kabashi diplomon në Universitetin Mjekësor të Vjenës

Një tjetër sukses i rinisë kosovare vjen nga Vjena. E reja nga Kosova ka përmbyllur me sukses studimet në një nga institucionet më prestigjioze të mjekësisë në Evropë, Universitetin Mjekësor të Vjenës (Medizinische Universität Wien), me titull Dr. med. univ Fiona Kabashi, shkruan albinfo.at.

Por kjo histori nuk është vetëm një sukses akademik, sepse Fiona ka lindur para 25 vitesh pikërisht në Klinikën Universitare të qytetit të Tullnit dhe tani ajo kthehet në të njëjtin spital si mjeke.

Në një dedikim emocianal ka bërë edhe Miradije Berisha, mësuese e gjuhës shqipe në Vjenë lidhur me të bijen e saj, Fionen.

“Fiona, bija jonë e dashur, sot fillon punën si mjeke. Para 25 vitesh, nga kjo derë e klinikës, dole për herë të parë në natyrë  si foshnja jonë e parë. Sot, pas një çerek shekulli, hyn sërish në të njëjtën klinikë  jo më si paciente, por si mjeke. Një rreth i plotë, një simbol i bukur i jetës dhe përkushtimit tënd.”

Ajo vlerësoi përkushtimin dhe zgjedhjen e Fionës për të punuar në spitalin ku ka lindur, pavarësisht ofertave të tjera, si shprehje e lidhjes së saj të thellë me vendin dhe njerëzit që e rrethojnë.

“Ke bërë krenarë jo vetëm familjen tonë të ngushtë dhe të gjerë, por edhe komunitetin ku jetojmë dhe më gjerë. Tani do të tregosh se çfarë do të thotë të jesh mjeke  në shërbim të njerëzve.”, shkruan Berisha.

Arritja e Fiona Kabashit është shembull i përkushtimit, sakrificës dhe dashurisë për profesionin dhe vendin. /Albinfo.at

Le Point: Dua Lipa, arma diplomatike e popit që e bën Kosovën të shkëlqejë

Edhe revista franceze “Le Point” i ka kushtuar një tekst këngëtares Dua Lipa dhe lidhjes së saj me vendin e lindjes, Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Sipas “Le Point”, fenomeni Dua Lipa vazhdon të lërë gjurmë në skenën botërore. Dhe për shkak se ajo i lartëson vendet që formësuan identitetin e saj, ato ia kthejnë. Kosova e nderoi së fundmi duke i dhënë shtetësinë.

Më 31 korrik 2025, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënshkroi një dekret që zyrtarizonte këtë njohje. Ceremonia u mbajt të nesërmen, më 1 gusht, në Prishtinë, ku kreu i shtetit e shpalli zyrtarisht Dua Lipën shtetase të Kosovës.

Ky gjest shumë simbolik vulos një marrëdhënie të gjatë dhe të fortë midis artistes dhe vendit të origjinës së familjes së saj. “Një nga figurat më emblematike kulturore në historinë e vendit tonë”, deklaroi presidentja në llogarinë e saj X, duke theksuar ndikimin e madh të këngëtares në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Një mendim i ndarë nga muzikanti 39-vjeçar kosovar, Genc Salihu, në një intervistë me Le Monde: “Popullsia jonë është e re, ambicioze, e sigurt dhe gjithnjë e më progresive. Dua është prokurorja e përgjithshme e kësaj lufte emancipuese. Ajo është burimi ynë më i madh i krenarisë.”

Kjo është shtetësia e tretë e artistes së lindur në Londër, pas asaj të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shqipërisë, të cilën ajo e mori në vitin 2022, në njohje të rolit të saj në promovimin e kulturës shqiptare në mbarë botën. Shtimi i shtetësisë kosovare përforcon kështu një lidhje të thellë dhe të qëndrueshme me tokën nga e cila ajo vjen.

Shembull për të rinjtë

E lindur në Londër në vitin 1995, Dua Lipa mishëron një brez fëmijësh të mërgimit të shënuar nga luftërat në ish-Jugosllavi. Prindërit e saj, me origjinë nga Prishtina, ikën nga Kosova në fillim të viteve të ’90-ta dhe rindërtuan jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, ku lindën tre fëmijët e tyre.

Në vitin 2006, Dua përjetoi emocionin e pavarësisë, e cila u shpall dy vjet më vonë. Por në moshën 15 vjeçare, e bindur se republika e vogël ballkanike nuk ofronte të njëjtat perspektiva për një karrierë muzikore si Londra, ajo i bindi prindërit e saj ta linin të kthehej vetëm për të ndjekur studimet e saj të këngës dhe teatrit. Megjithatë, ajo ruan një lidhje të thellë me Kosovën, e cila do të mbetet qendrore në identitetin dhe udhëtimin e saj artistik.

“Mbretërimi i Kosovës”

Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. E njohur nga 103 shtete anëtare të OKB-së, përfshirë Francën që nga viti 2008, disa vende, përfshirë Serbinë, Rusinë dhe Spanjën, ende refuzojnë ta njohin pavarësinë e saj.

Diplomatikisht, Kosova ende po përpiqet të vendoset në skenën ndërkombëtare. Megjithatë, ndikimi i saj kulturor vazhdon të rritet, i nxitur nga figura të diasporës si Dua Lipa dhe Rita Ora. Kjo fuqi e butë, ku kultura i paraprin politikës, i jep vendit një dukshmëri të paparë përtej kufijve të tij. Duhet thënë se fama e Dua Lipës është e mjaftueshme për të ndryshuar shkallën: me 88.1 milionë ndjekës në Instagram dhe 65 milionë dëgjues mujorë në Spotify, ylli i popit tërheq shumë më tepër njerëz sesa ka banorë në Kosovë: 1.87 milionë.

Qëndrimi i saj ndaj lidhjeve të saj me Shqipërinë dhe Kosovën ndonjëherë ka shkaktuar polemika. Në vitin 2020, ajo shkaktoi një trazirë duke ndarë një hartë të ashtuquajtur “Shqipëria e Madhe” në rrjetet sociale, të cilën kritikët e saj e perceptuan si nacionaliste. Ajo e mbrojti këtë gjest si një festë kulturore, duke zbuluar në këtë proces lidhjen e saj si me Kosovën – e cila ndan një gjuhë dhe kulturë me Shqipërinë, por ka shpallur pavarësinë e saj – ashtu edhe me Shqipërinë, për të cilën ajo gjithashtu pretendon se ka rrënjë.

Që nga debutimi i saj, Dua Lipa e ka përdorur famën e saj për të nxjerrë në pah kulturën kosovare. Në vitin 2018, ajo bashkëthemeloi Festivalin “Sunny Hill” me të atin, Dukagjin Lipa, i cili vetëm në pak vite është bërë një nga ngjarjet kryesore muzikore në Ballkan. Çdo verë, ai tërheq artistë kryesorë ndërkombëtarë si Shawn Mendes dhe Fatboy Slim, si dhe mijëra pjesëmarrës në festival nga e gjithë rajoni.

Në një vend ende në periferi të qarqeve turistike dhe diplomatike evropiane, ky sukses shihet si një vitrinë dinamike për të rinjtë kosovarë. Ashtu si Hallyu, “Vala Koreane” që e solli Korenë e Jugut në spikatje falë K-pop dhe serialeve televizive, karriera e Dua Lipës ilustron se si një yll popi mund të bëhet ambasadori kulturor i një vendi dhe ta vendosë atë në hartën globale.

Sveçla kërkon nga IPK-ja të jetë edhe më e vendosur në “pastrimin” e Policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me arrestimin e në koloneli të Policisë së Kosovë në Prizren, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë se “kriminelët nuk kanë vend në radhët e Policisë”.

“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka thënë se mbështetë dhe insiston në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend.

“Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë dhe në asnjë rrethanë çerdhe banimi e mburojë e veprimtarive kriminale”, ka shkruar tutje ai.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar katër persona, në mesin e tyre një kolonel Policie, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi.

E përditshmja suedeze: Dua Lipa i bën jehonë Kosovës

Gazeta prestigjioze suedeze “Svenska Dagbladet”, një nga të përditshmet më të njohura në Skandinavi, i ka kushtuar një artikull këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke vënë në fokus marrjen e nënshtetësisë së Kosovës dhe angazhimin e saj për vendin e origjinës, transmeton albinfo.ch.

Artikulli e portretizon Dua Lipën si një figurë që mishëron krenarinë e Kosovës, jo vetëm për suksesin ndërkombëtar në muzikë, por edhe për kontributin e saj të vazhdueshëm përmes fondacionit “Sunny Hill”, i cili synon të fuqizojë të rinjtë dhe të promovojë artin dhe kulturën në Kosovë.

“Dua Lipa është më shumë se një yll i muzikës pop, ajo është një ambasadore kulturore e një vendi të vogël me zemër të madhe”, thekson gazeta, duke nënvizuar ndikimin që ajo ka në përforcimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Përmes festivalit Sunny Hill, që mbahet në Prishtinë, këngëtarja ka sjellë artistë ndërkombëtarë në zemër të Ballkanit, duke e kthyer Kosovën në një pikë takimi për artin, rininë dhe kreativitetin.

https://www.facebook.com/share/p/16UcXzAK9c/?mibextid=wwXIfr

Festa shqiptare ngjall gjallëri në zemër të Gjenevës

Një mbrëmje e mbushur me emocione, ritme e krenari kulturore shqiptare u zhvillua në selinë e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), në kuadër të Asamblesë së 66-të të Përgjithshme të kësaj organizate, transmeton albinfo.ch.

Shqipëria u prezantua me një ekspozitë zyrtare dhe një program të pasur artistik, duke sjellë frymën dhe trashëgiminë e saj të veçantë kulturore përballë një audience ndërkombëtare.

Në qendër të kësaj mbrëmjeje qëndroi Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili mahniti të pranishmit me një performancë autentike të muzikës dhe valleve tradicionale shqiptare.

Ritmet e gjalla dhe kostumet shumëngjyrëshe krijuan një atmosferë festive, duke promovuar jo vetëm artin shqiptar, por edhe vlerat që e bëjnë këtë kulturë unike në Ballkan dhe më gjerë. Aktiviteti u mirëprit nga përfaqësues të shteteve anëtare të WIPO-s, diplomatë, personalitete ndërkombëtare dhe dashamirës të kulturës.

Ky prezantim ishte një dëshmi e fuqishme se kultura dhe identiteti kombëtar shqiptar mbeten burim krenarie dhe frymëzimi, kudo në botë.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

 

Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Të turpëruar nga thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë

Në një deklaratë, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka thënë se populli maqedonas është i turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve, nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë në fundjavë në qytetin e Kumanovës, përcjell albinfo.ch.

“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë  por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Siljanovska Davkova ka thënë se Maqedonia nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh”. Sipas presidentes maqedonase, mësimi i parë se “si të brohorasësh” mësohet në shtëpi e më pas në shkolla. Ajo ka thënë se shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohorasin. Sipas saj, Maqedonia e Veriut ka nevojë për “një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”.

“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë disa nga parullat e kënduara nga tifozët vendas, thirrje të lidhura me retorikën naziste të shfarosjes. Thirrjet u bënë në praninë e kryeministrit maqedonas e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Reagime ndaj këtyre thirrjeve pati edhe në Kosovë e në Shqipëri. 

Ndërkohë Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë i ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes.

Ishte duke u kthyer nga Gjermania, arrestohet kosovari

Raportohet se Behar Preniqi, derisa po kthehej nga Gjermania është arrestuar nga autoritetet serbe, në pikën kufitare Bajakovo, që ndodhet mes Kroacisë dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Arrestimi i tij u bë me pretendimet se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Lajmi u konfirmua për Klan Kosova edhe nga familjarët.

Por, se Behari ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare u mohua nga një familjare e tij.

“Po, është e vërtetë. Është ndaluar pa arsye”, u shpreh ajo.

“Nuk kemi info, e as nuk kemi kontakt ku të pyesim. Behari e ka gruan në Gjermani. Ka udhëtuar disa herë atje me liberalizim. Behari s’ka dokumente të Gjermanisë”, theksoi ajo.

“Ai ka qenë duke u kthyer nga Gjermania me veturë me një shok të tij që jeton në Angli. Shokun e kanë liruar, Beharin jo. Në bazë të vitit të lindjes pretendimet janë false. Fëmijë ka qenë gjatë luftës. Behari se ka thyer kurrë ligjin, as probleme nuk ka bërë. As në stacion të policisë nuk ka qenë kurrë”, tha ajo 

“Agjentët” sekretë që zbulojnë origjinën e picave italiane

Ndërsa pica po fiton popullaritet në mbarë botën, një grup agjentësh të fshehtë po udhëtojnë nëpër vende të ndryshme për të zbuluar se cila është pica “e vërtetë”, njofton BBC.

Në një ditë të nxehtë me diell në jug të Italisë, një grup vizitorësh ndërkombëtarë janë mbledhur pranë katakombeve të San Gennaro në Napoli, emëruar sipas shenjtorit mbrojtës të qytetit.

Por ata nuk janë aty për të nderuar shenjtorin, por për një mision tjetër të rëndësishëm për identitetin e Napolit.

Këta udhëtarë, nga Belgjika, Franca, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, janë aspirantë për t’u bërë pizzaioli – mjeshtra të prodhimit tradicional të picave italiane, dhe janë gati të kalojnë testin më të vështirë të karrierës së tyre.

Trajnimi zhvillohet në selinë e Associazione Verace Pizza Napoletana (AVPN), e themeluar në vitin 1984, e cila punon për të mbrojtur dhe promovuar traditën autentike të picave napolitane. Kjo organizatë ka ndihmuar që arti i përgatitjes së picave napolitane të regjistrohet si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit nga UNESCO.

Nga rrënjët e saj si ushqim i rrugës në fund të shekullit të 19-të, pica është kthyer në një nga ushqimet më të njohura dhe të dashura në botë.

Ndër llojet tradicionale janë dy picat napolitane klasike: “Margherita” me salcë domatesh, mocarela dhe borzilok të freskët; dhe “Marinara” me rigon dhe hudhër, pa djathë. Megjithatë, në dekadat e fundit, janë zhvilluar shumë variante moderne me përbërës nga djathë të ndryshëm e deri tek përzierje speciale si “crisommola del vesuvio” nga shefi i njohur Franco Pepe.

Sipas AVPN, është e rëndësishme që pica të ruajë lidhjen e fortë me traditën napolitane dhe të mos devijojë nga origjina e saj autentike.

“Pica është pjesë e shpirtit të Napolit,” thotë Massimo Di Porzio, nënkryetar i AVPN.

Me programet e trajnimit, konkurset, panairet dhe statujën e madhe të picës pranë selisë, AVPN është bërë simbol i besnikërisë ndaj traditës së picave të vërteta.

Rregullat për përgatitjen janë të rrepta: brumi duhet të jetë rrethor dhe i erëzuar, kora duhet të jetë e fryrë me skaj të lartë maksimum 1-2 cm, pa flluska të mëdha ose njolla të djegura. Pica duhet të jetë e butë, elastike dhe e palosshme, dhe gatimi nuk duhet të zgjatë më shumë se 90 sekonda. Pica duhet konsumuar brenda 10 minutave pasi del nga furra.

Në ditën finale të kursit të gjatë të AVPN, studentët e huaj do të testojnë aftësitë e tyre dhe njohuritë e fituara, duke përfshirë teknikën e majasë së brumit, hidratimin, përzgjedhjen e përbërësve dhe pjekjen e përsosur të picës.

 

Kafshët shtëpiake pa “pasaportë” nuk do të lejohen në këto vende

Udhëtimi nëpër botë së bashku me një kafshë shtëpiake mund të jetë një eksperiencë e paharrueshme. Por, përpara se të nisesh me kafshën tënde në avion, është e domosdoshme të njihesh me rregullat dhe kërkesat që vendet e ndryshme vendosin.

Në shumë vende, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, është e nevojshme të kesh dokumentacion të posaçëm për kafshët, të njohur si “pasaportat e kafshëve shtëpiake”. Këto dokumente përmbajnë informacion për vaksinimet dhe gjendjen shëndetësore të kafshës.

Udhëtimi brenda SHBA-së

Edhe brenda Shteteve të Bashkuara, lëvizja me kafshë shtëpiake nga një shtet në tjetrin mund të kërkojë certifikata shëndetësore nga veterinari. Edhe pse nuk është një kërkesë universale për “pasaportë kafshësh”, disa shtete kërkojnë certifikata të vlefshme që tregojnë se kafsha është e shëndetshme.

Udhëtimi me kafshë shtëpiake drejt Evropës

Sipas Komisionit Evropian, kafshët që udhëtojnë nga SHBA në vende të BE-së, si Franca apo Italia, duhet të kenë dokumente që dëshmojnë vaksinimin kundër tërbimit dhe sëmundjeve të tjera. Certifikata duhet të jetë e vlefshme dhe të jetë lëshuar jo më shumë se 10 ditë para hyrjes në BE dhe ka një afat vlefshmërie prej katër muajsh.

Gjithashtu, nevojitet një deklaratë që vërteton se hyrja e kafshës është për qëllime jo komerciale, pra jo për shitje apo ndonjë aktivitet tregtar.

Udhëtimi me linja ajrore

Shumë kompani ajrore kanë politika dhe procedura specifike për udhëtimin me kafshë shtëpiake. Ato mund të kërkojnë dokumente të ndryshme që dëshmojnë shëndetin, sjelljen dhe trajnimin e kafshës përpara se të pranojnë kafshën në bord.

Jashari drejt Milanit, arrihet marrëveshja me Club Brugge

Raportimet nga Belgjika dhe Italia konfirmojnë se është finalizuar marrëveshja mes Club Brugge dhe AC Milan për transferimin e mesfushorit Ardon Jashari. Palët u takuan sërish të hënën dhe ranë dakord që Milani do të paguajë 33.5 milionë euro, plus 4.5 milionë euro bonuse për shërbimet e 23-vjeçarit.

Jashari pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Milanin, ku trajner është Massimiliano Allegri. Mesfushori kishte refuzuar oferta nga klube të tjera të mëdha, duke shprehur dëshirën e tij për t’u bashkuar vetëm me “kuqezinjtë”. Ai bëri një sezon shumë të mirë me Brugge-n në edicionin e kaluar.

Plastika, një kërcënim i heshtur për shëndetin: Ekspertët kërkojnë veprim global

Ndotja nga plastika po shihet gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz, por i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut. Një grup shkencëtarësh dhe mjekësh ndërkombëtarë ka ngritur alarmin përpara një konference të Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet një marrëveshje globale për menaxhimin e plastikës.

Në një analizë të publikuar në revistën prestigjioze The Lancet, 27 ekspertë paralajmërojnë se plastika dëmton shëndetin e njeriut në çdo fazë të ciklit të saj – nga prodhimi, përdorimi, deri te shpërbërja. Më të prekurit janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, që janë më të ndjeshëm ndaj substancave të dëmshme.

“Plastika ka vepruar si një rrezik i padukshëm, në hije të krizës klimatike dhe ndotjes së ajrit. Por provat e reja tregojnë se ndikimi i saj është shumë më i madh sesa mendohej,” tha Dr. Philip Landrigan, autori kryesor i raportit dhe drejtues i Observatorit Global për Shëndetin e Planetit në Boston College.

Këto deklarata vijnë në prag të një raundi të ri negociatash që do të zhvillohen në Gjenevë, ku delegatë nga 170 shtete do të diskutojnë një marrëveshje ndërkombëtare për reduktimin e plastikës. Raundi i mëparshëm në Korenë e Jugut dështoi për shkak të kundërshtimeve nga vendet që varen nga karburantet fosile, të cilat refuzuan të mbështesin kufizimet për prodhimin e plastikës.

Raporti nënvizon një lidhje të qartë mes ekspozimit ndaj plastikës dhe disa sëmundjeve të rënda kronike, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës, diabetin, problemet respiratore dhe dobësimin e sistemit imunitar. Megjithatë, një vlerësim i plotë i ndikimit të përgjithshëm në shëndetin global ende mungon.

Vetëm tre nga përbërësit kimikë më të përdorur në prodhimin e plastikës, përfshirë bisphenol A (BPA), shkaktojnë dëme që vlerësohen në rreth 1.5 trilionë dollarë çdo vit në 38 vende. BPA lidhet me mbi 237 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe 194 mijë vdekje nga goditjet në tru.

Për të monitoruar këtë çështje me më shumë kujdes, është krijuar një mekanizëm i ri i pavarur: Lancet Countdown on Health and Plastics, që do të vëzhgojë ndikimin e plastikës në shëndetin publik në nivel global.

Dr. Landrigan theksoi se nuk bëhet fjalë për ndalimin total të plastikës, por për reduktimin e përdorimit të saj të panevojshëm. “Duhet të dallojmë mes përdorimeve thelbësore dhe atyre të dëmshme  si plastika njëpërdorimshe, e cila përbën afro 40% të prodhimit botëror,” theksoi ai.

Ndërkohë që SHBA, të ndikuara nga politika e ish-presidentit Trump, vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjet mjedisore ndërkombëtare, ekspertët mbeten skeptikë për rezultatet e negociatave në Gjenevë. Megjithatë, disa vende si Brazili po marrin rolin udhëheqës dhe po shtyjnë për eliminimin gradual të plastikës më të rrezikshme.

Konfliktet ushtarake po riformësojnë rrjetin global të aviacionit

Rritja e tensioneve ushtarake në disa rajone të botës ka sjellë ndikime të drejtpërdrejta në industrinë e aviacionit civil, duke ndryshuar rrënjësisht rrugët ajrore dhe duke ndikuar në sigurinë, ekonominë dhe mjedisin, përcjell albinfo.ch.

Në vend të itinerareve të drejtëpërdrejtë, fluturimet ndërkombëtare sot ndjekin korridore të mbipopulluara ose shmangin zona të mëdha të hapësirës ajrore për shkak të rrezikut nga konfliktet. Nga Lindja e Mesme te Rusia dhe Afrika Sub-Sahariane, aviacioni përballet me kufizime të shumta që po e komplikojnë funksionimin normal.

Situata në Rusi

Në fillim të korrikut 2025, hapësira ajrore ruse u prek rëndë nga sulme me dronë të Ukrainës, çka çoi në anulimin ose shtyrjen e mbi 2 000 fluturimeve gjatë një fundjave të vetme. Aeroporti “Sheremetjevo” i Moskës dhe terminale të tjera kryesore u mbingarkuan, ndërsa pasagjerët mbetën të bllokuar për orë të tëra.

Autoritetet ruse raportuan rrëzimin e mbi 100 dronëve dhe e justifikuan mbylljen e përsëritur të hapësirës ajrore me “ndërhyrje të jashtme”. Që prej vitit 2022, Rusia ka mbyllur përkohësisht hapësirat e saj ajrore më shumë se 600 herë.

Ndikimet rajonale dhe globale

Përplasjet në Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Evropën Lindore kanë detyruar linjat ajrore të devijojnë itineraret. Në qershor 2025, një fluturim i “Qantas” nga Australia në Paris qëndroi për 15 orë në ajër pas mbylljes së papritur të hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme. Po ashtu, tensionet mes Indisë dhe Pakistanit në maj çuan në ndryshime të konsiderueshme në fluturimet midis Evropës dhe Azisë Juglindore.

Sipas të dhënave nga “Flightradar24”, këto devijime kanë krijuar korridore ajrore të mbingarkuara, duke rritur ndjeshëm kompleksitetin dhe rrezikun e menaxhimit të trafikut ajror.

Kosto mjedisore dhe financiare

Sipas një studimi nga Universiteti i Reading dhe Instituti Pierre-Simon Laplace, shmangia e hapësirës ajrore ruse ka rritur emetimet globale të CO₂ me mbi 8 milionë ton në vitin e fundit. Konsumi i karburantit është rritur me rreth 13%, veçanërisht në fluturimet mes Evropës dhe Azisë.

Një tjetër hulumtim tregon se kompanitë ajrore po përballen me rritje deri në 39% të kostove për karburant dhe deri në 40% më shumë emetime karbonike në rrugët e devijuara.

Ndikimi në linjat ajrore

Kompani si “British Airways”, “Finnair” dhe “United Airlines” janë detyruar të ndryshojnë ose anulojnë disa itinerare për shkak të kufizimeve ajrore. Ndërkohë, linjat ajrore kineze kanë përfituar nga akses i pandërprerë në hapësirën ajrore ruse, duke ofruar udhëtime më të shkurtëra dhe më pak të kushtueshme.

Rreziku në rritje

Në zonat afër konflikteve, fluturimet civile ndajnë qiejt me operacione ushtarake. Në disa raste, janë raportuar incidente të rrezikshme. Në shkurt 2025, Kina zhvilloi stërvitje ushtarake pa paralajmërim në Detin Tasman, duke shkaktuar devijime të menjëhershme. Në një rast tjetër, në dhjetor 2024, një fluturim i linjës “AZAL” nga Azerbajxhani u rrëzua aksidentalisht nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore, duke shkaktuar viktima.

 

Zbulohet skenë makabre në Lipjan, trupi i një personi të raportuar si i zhdukur gjendet i groposur mes misrit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Baicë të Lipjanit dhe më gjerë. Pas një dite të tërë kërkimesh, familjarët dhe banorët e zonës zbuluan trupin pa jetë të E. Bajraktarit, i cili ishte raportuar si i zhdukur.

Ai u gjet i varrosur në një arë të mbjellë me misër, disa metra nën tokë, ku mbi vendin e fshehjes ishin vendosur edhe dërrasa – si tentim për ta maskuar. Sipas burimeve të afërta me hetimin, trupi u zbulua pasi një nga ekipet e kërkimit ndoqi gjurmët që tregonin se ai ishte tërhequr zvarrë deri te vendi ku ishte groposur.

Rasti ka hapur hetime nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, të cilat po merren me zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vdekjeje misterioze. Deri tani, familjarët kanë deklaruar se personi nuk kishte pasur asnjë problem apo konflikt të njohur me dikë.

Vdekja e tij është konfirmuar nga ekipi mjekësor, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, që pritet të japë më shumë përgjigje mbi shkaqet dhe kohën e vdekjes.

Ngjarja ka lënë të tronditur jo vetëm familjen, por edhe të gjithë komunitetin lokal, teksa hetimet po vazhdojnë me intensitet për të zbuluar të vërtetën.

Evropa Veriore përfshihet nga një valë e pazakontë të nxehti

Vendet nordike po përballen me një valë të jashtëzakonshme të nxehti që nuk është parë më parë në këtë përmasë.

Sipas “The Guardian”, një stacion meteorologjik në Arktikun norvegjez ka regjistruar temperatura mbi 30°C për 13 ditë radhazi gjatë korrikut. Ndërkohë, në Finlandë, temperaturat mbi këtë kufi kanë zgjatur për tre javë.

Shkencëtarët theksojnë se kjo është periudha më e gjatë e temperaturave të larta që nga viti 1961, rreth 50% më shumë sesa rekordi i mëparshëm.

“Kjo valë e të nxehtit është ende në kulm, me temperatura që arrijnë deri në 32–33°C,” deklaroi klimatologu Mika Rantanen nga Instituti Meteorologjik i Finlandës në rrjetet sociale.

Ai shtoi se edhe zonat e Arktikut kanë përjetuar mbi tre javë me temperatura mbi 25°C, çka mund të barazohet me rekordet historike të gushtit.

Edhe motorët elektrikë mund të dështojnë, ja sa kushton zëvendësimi i tyre

Veturat elektrike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rrugët tona. Edhe pse konsiderohen më të lehta për mirëmbajtje dhe teorikisht më të qëndrueshme se makinat me motor SUS (me djegie të brendshme), ato nuk janë të paprekshme ndaj prishjeve.

Tradicionalisht, zgjedhja e një veture varej kryesisht nga tipi i karburantit  benzinë ose naftë. Sot, përveç makinave hibride, kemi edhe alternativa elektrike që operojnë me sisteme shumë më të thjeshta dhe më pak pjesë lëvizëse. Për shembull, një motor me djegie të brendshme ka rreth 100 komponentë lëvizës, ndërsa një motor elektrik ka vetëm katër.

Për këtë arsye, besohet se veturat elektrike janë më pak të prira ndaj defekteve. Shumica e shqetësimeve të përdoruesve përqendrohen tek bateria, e cila mund të përfaqësojë deri në 40% të çmimit të veturës.

Por, një tjetër komponent kyç, motori elektrik, nuk mbulohet gjithmonë nga garancitë afatgjata – dhe po, edhe ai mund të dështojë.

Gjatë periudhës së garancisë, mirëmbajtja është minimale  zakonisht ndërrimi i filtrit të ajrit të kondicionerit çdo dy vjet dhe një kontroll vizual. Megjithatë, nëse ndodh defekt në motorin elektrik, situata bëhet shumë më e ndërlikuar dhe e kushtueshme.

Motorët elektrikë funksionojnë me tension të lartë, mbi 600 volt, dhe gjatë punës gjenerojnë shumë nxehtësi, çka mund të shkaktojë dëmtime. Një nga pjesët më të ndjeshme është boshti i rotorit  nëse ai prishet, vetura mund të ketë dridhje ose humbje të fuqisë.

Zëvendësimi i motorit është i kushtueshëm. Për shembull:

Në Volkswagen ID.4, çmimi për një motor të ri varion nga 4,000 deri në 8,000 euro, pa llogaritur punën.

Në një Tesla Model 3, çmimi është nga 2,500 deri në 6,000 euro për një motor të vetëm.

Pra, edhe pse veturat elektrike kanë më pak pjesë që mund të prishen, kur një komponent i rëndësishëm dështon, kostoja nuk është aspak e vogël.

Ushtria gjermane po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj

Në një kontekst gjeopolitik të tensionuar, ushtria gjermane (Bundeswehr) po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj. Numri i vullnetarëve ka ardhur në rritje muajt e fundit, edhe pse Gjermania mbetet thellësisht e shënuar nga trashëgimia e saj pacifiste.

Që nga fillimi i vitit 2025, Bundeswehr ka regjistruar 13.750 rekrutë të rinj, që përfaqëson një rritje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Disa prej këtyre të rinjve synojnë një karrierë afatgjatë në ushtri, përtej shërbimit të zakonshëm ushtarak, ndërsa të tjerë, një numër në rritje me +15% këtë vit, dëshirojnë të angazhohen vetëm për një shërbim të vetëm ushtarak, transmeton albinfo.ch.

Sipas Bundeswehr-it, kjo rritje shpjegohet nga dy faktorë kryesorë:

Fushatat e shumta të komunikimit të ndërmarra vitet e fundit, që e paraqesin ushtrinë si një institucion modern, tërheqës dhe plot aventura.

Sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Instituti Forsa, 27% e popullsisë gjermane beson se Gjermania do të përballet me një sulm ushtarak brenda pesë viteve të ardhshme.

Megjithatë, përkundër këtyre shqetësimeve, Bundeswehr ende përballet me vështirësi për të mobilizuar më gjerë: vetëm 16% e të anketuarve janë të gatshëm të marrin armët për të mbrojtur vendin.

Serbi që sulmoi KFOR-in e Policinë e Kosovës në veri pranon fajësinë, dënohet me gati 5 vjet burg

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se i akuzuari M.A ka pranuar fajësinë për përfshirje në dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë protestës së zhvilluar më 29 maj 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, ndaj M.A janë ngritur akuza për disa vepra penale, përfshirë:

Sulm ndaj personit zyrtar

Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale (huliganizëm)

Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike dhe psikotropike

Posedim i paautorizuar i armëve

Pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurit. Si rezultat, M.A është dënuar me 4 vjet e 11 muaj burgim efektiv dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh.

Dua Lipa me reagim emocionues pas përfundimit të Festivalit Sunny Hill

Pas një fundjave plot energji, muzikë dhe emocione të paharrueshme, Dua Lipa ka ndarë emocionet e saj pas mbylljes së edicionit të këtij viti të Festivalit Sunny Hill.

Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja me famë botërore shprehu thellësisht mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e festivalit, që nga artistët, ekipi organizues, miqtë dhe deri te fansat.

“Çfarë mënyre magjike për ta përmbyllur edicionin e sivjetshëm të @sunnyhillfestival! Zemra më është mbushur me dashuri dhe falënderime për familjen time të jashtëzakonshme dhe ekipin që punoi pa u lodhur për ta sjellë këtë përvojë të paharrueshme në jetë,” shkroi ajo.

Dua nuk i kurseu falënderimet për të gjithë artistët që performuan, për ekipet e tyre dhe për fansat që e mbushën atmosferën me energji të papërshkrueshme, përcjell albinfo.ch.

“Faleminderit që ndatë energjinë tuaj dhe që ndriçuat çdo moment. Prishtina shkëlqeu edhe më shumë falë jush,” shtoi ajo.

Por veçanërisht, Dua u emocionua nga publiku:

“Dhe për fansat tanë të mrekullueshëm, WOW WOW WOW, sollët dashurinë, gëzimin, shpirtin. Kërcyet, kënduat, festuat me ne dhe e bëtë këtë edicion vërtet të paharrueshëm. Ju falënderojmë nga zemra. Ju duam pafund. Deri vitin tjetër…”

Dua Lipa jo vetëm që ishte pjesë e organizimit, por edhe performoi si artistja kryesore në natën e parë të festivalit. Kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë për të, pasi këtë vit ajo mori zyrtarisht shtetësinë e Kosovës, duke shtuar kështu një përkatësi tjetër përkrah asaj britanike dhe shqiptare.

Kontraceptivët amerikanë të destinuar për shkatërrim në Francë, nxiten polemika të forta

Në mes të korrikut, autoritetet amerikane njoftuan synimin për të shkatërruar  ndoshta në Francë  një sasi të madhe kontraceptivësh për gratë, të blerë për programe shëndetësore humanitare. Vendimi, i denoncuar si ideologjik dhe anti-femëror, ka shkaktuar zemërim në rritje nga organizatat ndërkombëtare dhe aktorë politikë evropianë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kontraceptivët (implante hormonale dhe aparate intrauterine – IUD) ishin blerë gjatë presidencës së Joe Biden për përdorim në programe të shëndetit riprodhues, kryesisht në Afrikë. Megjithatë, pas reduktimeve drastike të ndihmës humanitare nga administrata Trump dhe mbylljes së USAID-it, këto produkte janë konsideruar të “panevojshme”.

Vlerë prej 10 milionë dollarësh

Stoku, që vlerësohet në rreth 10 milionë dollarë dhe me afat skadence deri në vitin 2031, është depozituar prej muajsh në Geel, Belgjikë. Sipas burimeve amerikane, kontraceptivët ishin planifikuar për incinerim në Francë në fund të korrikut, ndonëse vendndodhja aktuale dhe nëse janë djegur ende nuk është konfirmuar.

Belgjika ka deklaruar se ka ndërmarrë hapa diplomatikë me ambasadën amerikane për të ndaluar shkatërrimin e tyre, përfshirë opsionet për zhvendosje të përkohshme.

Në Francë, megjithëse Ministria e Shëndetësisë pohon se nuk ka informacion mbi praninë e kontraceptivëve në territorin e saj, disa burime flasin për lëvizje të mundshme drejt vendit. Presidentja e organizatës “Planning Familial”, Sarah Durocher, thotë se një proces i transportimit ka filluar, por ende nuk dihet nëse kontraceptivët kanë mbërritur.

“Pa bazë ligjore” për të vepruar

Qeveria franceze, e pyetur nga organizatat feministe dhe e majta politike, deklaroi se “nuk ka mjete ligjore” për të sekuestruar produktet. Ministria e Shëndetësisë tha se ” nuk ekziston një bazë juridike që i lejon një autoriteti evropian, apo agjencisë ANSM, të ndërhyjë”.

Ndërkohë, kompanitë që përfliten si përgjegjëse për incinerimin  si Veolia dhe Suez  mohojnë çdo përfshirje.

Peticion dhe reagim publik

Një peticion i nisur nga një kolektiv franko-belg më 30 korrik ka mbledhur mbi 21,000 firma në pesë ditë. Ai u bën thirrje presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit François Bayrou të ndërhyjnë për të ndaluar incinerimin dhe për të shpërndarë produktet përmes OJQ-ve si Médecins sans frontières.

Ndër nënshkruesit është edhe Charles Dallara, nipi i deputetit Lucien Neuwirth, i cili legalizoi pilulën kontraceptive në Francë në vitet ’60. Ai i bën thirrje Macron të mbrojë trashëgiminë franceze në të drejtat riprodhuese.

“Një përgjegjësi morale” për Francën

Marine Tondelier, udhëheqëse e ekologjistëve francezë, deklaroi: “Nuk shoh kush në Francë mund ta pranojë këtë.” Partia Socialiste e quajti vendimin një “katastrofë shëndetësore dhe politike”, ndërsa “La France Insoumise” njoftoi se do të paraqesë një rezolutë në Kuvend për të kërkuar sekuestrimin e stokut.

Planning Familial theksoi se Franca, që nga viti 2024, ka përfshirë të drejtën për abort në Kushtetutë dhe për këtë arsye “ka një përgjegjësi morale për të vepruar”.

Ideologji dhe jo logjistikë, sipas OJQ-ve

Sipas disa organizatave ndërkombëtare, propozimet për të blerë ose riamballuar produktet janë refuzuar nga autoritetet amerikane. Zyrtarisht, shkatërrimi i tyre justifikohet si çështje “logjistike”, për shkak të mbylljes së USAID-it.

Por për OJQ-të, arsyeja është ideologjike: me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, janë shkurtuar miliarda në ndihmë humanitare dhe më shumë se 90% e stafit të USAID është pushuar. Tani programet mbetëse menaxhohen nga Departamenti i Shtetit, nën drejtimin e konservatorit të njohur pro-life Marco Rubio. Në këtë kontekst, të drejtat riprodhuese nuk janë më prioritet për administratën amerikane.