Disa pishina zvicerane mund të ndalojnë hyrjen e jo-rezidentëve

Qeveria komunale e Porrentruy në Zvicrën veriperëndimore mund të vendosë kufizime në qasjen për pishinat e jashtme. Parlamenti miratoi një ndryshim në bazën ligjore teksa ndalimi i notit për mysafirët francezë kishte shkaktuar polemika.

Ndryshimet në rregullore tani u lejojnë autoriteteve të marrin masa për të rregulluar aksesin në pishinën komunale në kantonin Jura me qëllim sigurimin e sigurisë publike, paqes, qetësisë dhe shëndetit, shkruan swissinfo. Pishina pritet të rihapet më 23 maj.

Korrikun e kaluar, qeveria komunale e Porrentruy vendosi të refuzojë aksesin në pishinën e saj për të huajt që nuk jetojnë dhe nuk punojnë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Kjo masë ishte një reagim ndaj incidenteve të shumta të sjelljes së papërshtatshme, thanë autoritetet lokale – ngacmime, kërcënime me dhunë, shpërfillje të rregullave të shtëpisë, shumica e të cilave u shkaktuan nga shtetas francezë që nuk banojnë në Zvicër. Porrentruy është vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit me Francën.

Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici

Një punonjës i shërbimit të kontrollit të parkimit në komunën e Thônex, me shtetësi zvicerane dhe origjinë shqiptare, pretendon se ka qenë viktimë e racizmit dhe diskriminimit për shkak të prejardhjes dhe fesë së tij. Lajmi është raportuar nga Blick.

Sipas tij, ai është përballur me komente fyese dhe sjellje diskriminuese nga kolegët dhe eprorët, përfshirë edhe drejtues të shërbimit. Punonjësi, i cili ndodhet në pushim mjekësor që nga dhjetori, ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal.

“I izoluar dhe i poshtëruar”

Në një nga incidentet e përshkruara, gjatë një darke mes kolegësh në nëntor 2024, ai refuzoi të konsumonte mish derri për arsye fetare. Sipas tij, kjo solli reagime tallëse dhe pyetje provokuese si: nëse ishte islamist apo kishte lidhje me organizata terroriste.

Ai thekson se këto sjellje janë përsëritur për muaj me radhë, duke krijuar një klimë armiqësore në vendin e punës.

Akuza për presion dhe deklarata fyese

Punonjësi pretendon gjithashtu se është vënë nën presion për të shqiptuar një numër minimal gjobash, ndërsa ka dokumentuar edhe deklarata të drejtpërdrejta fyese ndaj shqiptarëve.

Sipas raportimit të Blick, një kolege thuhet të ketë deklaruar: “E kapa një shqiptar, do t’ia jap maksimumin e gjobës”, ndërsa një epror i është drejtuar me fjalë se “shqiptarët nuk dinë të integrohen”.

Reagimi i komunës

Kryetari i komunës së Thônex, Bruno da Silva, ka deklaruar për Blick se rasti është trajtuar dhe se janë marrë masa pas një hetimi të brendshëm, pa dhënë detaje.

Ai theksoi se autoritetet nuk lënë pa trajtuar akuza të tilla dhe kanë detyrimin të mbrojnë të gjithë punonjësit.

Punonjësi: “Kam përjetuar ngacmime për një vit”

Punonjësi i prekur mohon që rasti të lidhet me ndryshimet strukturore në shërbim dhe thotë se ankesat e tij janë bërë shumë më herët.

Ai shton se ka përjetuar ngacmime për gati një vit dhe se gjendja e tij psikologjike është përkeqësuar, çka e ka detyruar të ndërpresë përkohësisht punën.

Ndahet nga jeta Chuck Norris

Ylli i filmave aksion, mjeshtri i arteve marciale, Chuck Norris, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Lajmin e ka konfirmuar familja, e cila e ka cilësuar vdekjen si të papritur.

“Përderisa do të donim të ruanim rrethanat në mënyrë private, ju lutem të keni parasysh se ai ishte i rrethuar nga familja e tij dhe ishte në paqe”, thuhet në njoftimin e publikuar nga familja në rrjete sociale, transmeton albinfo.ch.

Para se të bëhej aktor, ai ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në garat e arteve marciale.

I lindur me emrin Carlos Ray Norris në Oklahoma më 10 mars 1940, ai u rrit në varfëri dhe pas shkollës së mesme, iu bashkua Forcës Ajrore më 1958. Falë dislokimit në Kore, ai nisi të mësonte arte maciale, përfshirë xhudo dhe Tang Soo Do.

“Shkoja për gjimnastikë dhe futboll në shkollën ‘North Torrance’”, i kishte thënë ai agjencisë “Associated Press” më 1982. “Kam luajtur futboll, por shumicën e kohës e kaloja në bankinë. Nuk isha kurrë aq sportist deri sa shkova për shërbim në Kore”.

Pasi u lirua nga detyra me nderime më 1962, Norrisi punoi si arkivist dhe kishte aplikuar për t’u bërë zyrtar policor, por u vendos në listë të pritjes. Ndërkohë, e hapi një studio të arteve marciale, që më pas u bë zinxhir.

SHBA fillon hetime kundër Zvicrës për tregti të padrejtë

Shtetet e Bashkuara kanë hapur një hetim kundër Zvicrës për tregti të padrejtë.

Sipas zëdhënëses, Këshilli Federal është informuar me shkrim nga autoriteti kompetent nga Uashingtoni.

Presioni nga Uashingtoni nuk po shuhet: SHBA-të po kryejnë hetime kundër Zvicrës, për tregti të padrejtë. Ato mund të shërbejnë si bazë për të vazhduar vendosjen e taksave mbi mallrat zvicerane.

Zëdhënësja e Këshillit Federal, Nicole Lamon, konfirmoi për mediat në Bernë se qeveria e shtetit kishte shkëmbyer mendime mbi hetimet.

BE-ja dhe vendet e tjera janë gjithashtu të prekura

Lajmi i pakëndshëm për Zvicrën erdhi nga Komisioneri i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer. SHBA-të duan të hetojnë praktikat e padrejta tregtare të Zvicrës, sipas tyre, thuhet në letër, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Shtetet e Bashkuara bazohen në Seksionin 301 të Aktit të Tregtisë. Mbi këtë bazë, SHBA-të mund të vendosin tarifa të reja për vendet nëse ato i klasifikojnë praktikat e tyre tregtare si të padrejta.

Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike Seco tani ka kryer një analizë të parë të hetimeve. Kjo u konfirmua nga Zëvendës Kancelari Lamon në konferencën për media të Këshillit Federal. Këshilli Federal diskutoi këtë analizë për herë të parë sot.

Këshilli Federal shkëmbeu gjithashtu mendime mbi procedurën e mëtejshme, por nuk mori një vendim. Zvicra nuk është vendi i vetëm që do të shqyrtohet. BE-ja dhe vende të tjera preken gjithashtu.

Franco Foda shpall listën për ndeshjet e plejofit

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka shpallur sot listën për ndeshjet e plejofit për kualifikim në Botërorin e vitit 2026.

Në bazë të këtyre të dhënave, mungon kapiteni Amir Rrahmani, lideri i mesfushës, Leon Avdullahu dhe Muharrem Jashari.

“Dardanët” të enjten luajnë në Bratislavë ndaj Sllovakisë dhe më 31 mars në “Fadil Vokrri” luajnë me Turqinë apo Rumaninë, transmeton albinfo.ch.

Nëse fitojnë ndeshjen e 26 marsit me Sllovakinë, ndeshja e 31 marsit në Prishtinë do të jetë finale e plejofit për kualifikim në Botëror.

Në Zvicër po zhvillohet një vaksinë kundër kancerit e krijuar posaçërisht për çdo pacientë

Në Hôpitaux Universitaires de Genève, studiuesit kanë zhvilluar një vaksinë inovative të personalizuar kundër kancerit, e cila krijohet duke përdorur material nga vetë tumori i pacientit. Qëllimi i kësaj metode është që sistemi imunitar të mësojë të identifikojë dhe të sulmojë më saktë qelizat kancerogjene, duke u fokusuar në veçantitë unike të çdo tumori, përcjell albinfo.ch.

Kjo qasje është testuar te pacientë me forma të avancuara të kancerit, për të cilët trajtimet tradicionale nuk kanë dhënë më rezultate. Në studimin e parë klinik, më shumë se gjysma e pacientëve kanë shfaqur përmirësim, ndërsa nuk janë raportuar efekte anësore të rënda.

Rëndësia e këtij zbulimi është vlerësuar edhe në nivel ndërkombëtar. Hulumtimi është nderuar me Çmimin e Kërkimit Pfizer 2026, duke u konsideruar një hap i rëndësishëm në zhvillimin e imunoterapisë dhe trajtimeve të personalizuara për kancerin.

Ky zhvillim shihet si një hap premtues drejt një qasjeje më efektive dhe më të sigurt në luftën kundër sëmundjeve onkologjike, duke hapur perspektiva të reja për pacientët në të ardhmen./Albinfo.ch

Central gjigant në Zvicër 600 metra nën tokë, një nga më të fuqishmit në Evropë

Në Zvicër ndodhet një nga centralet më të avancuara të magazinimit të energjisë në Evropë, i vendosur rreth 600 metra nën tokë. Impianti i njohur si Nant de Drance është përfunduar në vitin 2022, pas më shumë se 14 vitesh punime, dhe konsiderohet ndër më të fuqishmit në kontinent, përcjell albinfo.ch.

Ky central është ndërtuar thellë në mal, midis dy rezervuarëve, Emosson dhe Vieux Emosson, duke mbetur pothuajse plotësisht i padukshëm nga sipërfaqja.

Parimi i funksionimit të tij bazohet tek uji. Kur kërkesa për energji elektrike rritet, uji lirohet nga rezervuari i sipërm dhe rrjedh poshtë, duke vënë në lëvizje turbinat që prodhojnë energji. Në momentet kur kërkesa është e ulët ose ka tepricë energjie nga burimet e rinovueshme, uji pompohet sërish në rezervuarin e sipërm për t’u ruajtur dhe përdorur më vonë.

Kapaciteti i këtij impianti është mbresëlënës. Ai mund të ruajë rreth 20 milion kWh energji, një sasi e krahasueshme me rreth 400 mijë bateri të makinave elektrike. Me një fuqi prej rreth 900 megavatësh, centrali luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e rrjetit elektrik evropian dhe në balancimin e energjisë nga burimet e rinovueshme./Albinfo.ch 

Ambasadori gjerman: Dialogu, çelës për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolf, ka theksuar rëndësinë e dialogut si një faktor kyç për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ai foli për zhvillimet lidhur me zbatimin e ligjit për të huajt dhe automjetet, duke bërë të ditur se komuniteti ndërkombëtar, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, ka qenë i angazhuar në përgatitjen e këtij ligji. Sipas tij, fokusi tani është në mënyrën e zbatimit të tij në të gjithë territorin e vendit.

Ambasadori theksoi se marrëveshja është arritur me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe përfshin garanci të rëndësishme për qytetarët, duke përfshirë edhe vazhdimësinë e shërbimeve publike.

“Dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve nga e kaluara dhe është thelbësor për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai, duke nënvizuar se zbatimi i marrëveshjeve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale, duke përmendur diskutimet me përfaqësues të komunitetit serb në veri të Kosovës, ku është diskutuar ndikimi i ligjit dhe bashkëpunimi me institucionet.

Në aspektin e të drejtave të komuniteteve, Rudolf theksoi se kuadri ligjor në Kosovë ofron mbrojtje të fortë, por që zbatimi i tij praktik është vendimtar për të garantuar që të gjithë qytetarët të ndihen të sigurt dhe të barabartë.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ai i vlerësoi ato si shumë të mira, duke theksuar mbështetjen gjermane në sektorë të ndryshëm si energjia, transporti dhe institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

“Qëllimi ynë është që Kosova të afrohet me Bashkimin Evropian dhe në fund të bëhet pjesë e tij”, tha ambasadori gjerman, duke rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin e vendit.

Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit

Me iniciativën e aktivistit Ilijaz Ilijazi, në bashkëpunim me shoqatën “17 Shkurti” GVZ i kaantonit të Cyrihut i ka dhuruar një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit.

Në ceremoninë e pranimdorëzimit të automjetit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosoves, Mentor Latifi. Ndërsa nga ana e institucioneve të Zvicrës ishte Mario Fehr, anëtar i Qeverisë së Kantonit të Cyrihut, Daniel Wäfler, anëtar i Këshillit Kantonal dhe Renato Mathys, shef i Shërbimit të Zjarrfikjes.

Ambasadori Latifi në fjalën e tij veç falënderuese tjerash ka thënë: “Falënderoj organizatën GVZ dhe veçanërisht ministrin kantonal, z. Mario Fehr, për këtë donacion të çmuar, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve të zjarrfikësve në komunën e Gjilanit dhe në shpëtimin e jetëve të qytetarëve. Ky akt përfaqëson një dëshmi të qartë të solidaritetit të vazhdueshëm të Zvicrës me Kosovën. Në emër timin si ambasador dhe të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohjen tonë të thellë”.

Në emrin e institucioneve të qytetit të Gjilanit shprehu falënderimin për dhuratën, Enver Shabani, Drejtor i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim në Komunën e Gjilanit.

Z. Shabani me këtë rast ka thënë: “Në emrin tim personal dhe në emër të Kryetarit të Komunës z. Alban Hyseni, ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për kontributin tuaj të çmuar. Donacioni i kamionit dhe pajisjeve shoqëruese për zjarrfikje për Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan përfaqëson një ndihmë jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve tona në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë”.

Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të falënderoj: Z. Mario Fehr, Anëtar i Qeverisë së Kantonit të Cyrihut; Z. Daniel Wäfler, Anëtar i Këshillit Kantonal; Z. Renato Mathys, Shefi i Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Z. Ilijaz Ilijazi, përfaqësues i Shoqatës “17 Shkurti”.

Ky donacion është edhe një urë lidhëse mes Kantonit të Cyrihut dhe Komunës së Gjilanit, duke dëshmuar se bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve tona mund të sjellë rezultate konkrete dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët e dy vendeve tona”, ka thënë veç tjerash me këtë rast z. Shabani.

Iniciativa përë këtë donacion është bërë nga Ilijaz Ilijazi në bashkëpunim me shoqatën “17 Shkurti”

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Iljaz Iljazi, nga shoqata “17 Shkurti”.

Automjeti i dhuruar ka qenë në përdorim për 22 vite dhe pritet të kontribuojë në sigurinë dhe ngritjen e kapaciteteve të zjarrfikësve në Gjilan.

GVZ i Kantonit të Cyrihut është emërtimi i sigurimit të detyrueshëm për të gjitha ndërtesat në Kantonin e Cyrihut kundër zjarrit dhe dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore.

Foto: Copyright GVZ

Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë

Platforma mediale shqiptare në Austri, albinfo.at ka mësuar se, pas kryerjes së gjitha procedurave të nevojshme, autoritetet austriake ua kanë dorëzuar trupat e pajetë familjarëve të tyre në Austri.

Ambasada e Kosovës në kontakt te vazhdueshëm me familjet dhe autoritet austriake

Siç ka kuptuar albinfo.at, menjëherë pas njoftimit të marrë ditën e martë se, në tragjedinë e ndodhur në një kantier pune në Bezirk-un e 9-të (Alserground) në Vjenë, tre nga katër viktimat, janë shtetas të Kosovës, Ambasada e Kosovës në Austri, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe ka ndjekur nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin.  Ambasada ka ofruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave dhe është angazhuar për kompletimin e dokumentacioneve deri në sigurimin e kompanisë për bartjen e kufomave për në Kosovë.

Këshilli i  Shoqatave Shqiptare për Steiermark marrin përsipër shpenzimet e transportit të kufomave

Transportin e kufomave nga Austria për në Kosovë, e ka marrë përsipër Këshilli i Shoqatave Shqiptare për Steiermark në bashkëpunim me Unionin Humanitar Shqiptar në Graz.

„Këshilli i Shoqatave Shqiptare për Steiermark në bashkëpunim me Unionin Humanitar Shqiptar në Graz dhe në koordinim të plotë me Ambasadën e Kosovës në Austri kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim përsipër mbulimin e shpenzimeve të transportit të trupave të pajetë për në Kosovë. Kjo është më e pakta që mund ta bëjmë ne si shoqata por edhe si komunitetit shqiptar në Austri, për t’u solidarizuar sadopak me familjet e viktimave në këto momente shumë të vështira për të gjithë“, ka thënë për albinfo.at, Arsim Gjergji, kryetar i KSHSHS-së.

Platforma Albinfo.at, të martën ka raportuar se katër persona, në mesin e tyre tre kosovarë (Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj), humbën jetën, ndërsa një shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka marrë lëndime të rënda shëndetësore.
Dje gazeta mësoi edhe për viktimën e katërt, që ishte Elvis Babaiq, nga Novi Pazari.

Albinfo.at ka kontaktuar edhe me familjarë të viktimave nga të cilët ka mësuar se sipas gjitha gjasave, të shtunën pritet të bëhet edhe varrimi i viktimave.

Ngjarja e 17 marsit ka tronditur komunitetin shqiptar në Austri, ndërkohë qeveria e Kosovës përpos ngushëllimeve, në mbledhjen e fundit të qeverisë, në nderim te viktimave, ka mbajtur një minutë heshtje.

Tiranë: 120 mijë besimtarë falin Bajramin në sheshin “Skënderbej”

Mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri kanë kremtuar sot festën e Fitër Bajramit, duke përmbyllur 30 ditët e agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, përcjell albinfo.ch.

Qendra e festimeve ishte kryeqyteti, ku rreth 120 mijë besimtarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin e Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit, sheshi u mbush me qytetarë të ardhur nga Tirana dhe zona të tjera, duke krijuar një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe festive.

Ceremonia e faljes u zhvillua në një frymë paqeje, solidariteti dhe bashkimi, ndërsa besimtarët përcollën mesazhe për më shumë mirëkuptim, dashuri dhe harmoni në shoqëri.

Fitër Bajrami shënon fundin e muajit të Ramazanit dhe konsiderohet një nga festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, e cila simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe solidaritetin me ata në nevojë./Albinfo.ch.

Festa e Fitër Bajramit bashkoi besimtarët shqiptarë në Cyrih

Në një sallë të mbushur plot, besimtarët shqiptarë u mblodhën në Kloten të Cyrihut për të falur namazin e Fitër Bajramit. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe festive, duke reflektuar bashkimin dhe solidaritetin mes komunitetit, shkruan albinfo.ch.

Besimtarët përcollën mesazhe për paqe, lumturi dhe dashuri ndërmjet njëri-tjetrit.

Ceremoninë e faljes së namazit të Bajramit e udhëhoqi imami me prejardhje nga Gjilani, Faredin Bunjaku, i cili përcolli edhe mesazhin e kësaj feste.

Ceremonia e faljes ishte organizuar nga xhamia e Schwamendigenit në Cyrih: “Shtëpia e paqës”. /Albinfo.ch

Foto: Genti Mersinaj

Liderët politikë u urojnë qytetarëve Fitër Bajramin, thirrje për unitet dhe solidaritet

Liderët politikë në Kosova kanë uruar qytetarët myslimanë me rastin e Fitër Bajrami, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe unitetit në shoqëri, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, uroi që agjërimi të jetë pranuar dhe bëri thirrje për bashkim në frymën e mirëkuptimit, duke uruar paqe, shëndet dhe begati për të gjithë qytetarët.

Ndërkaq, kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Bashkësia Islame e Kosovës, theksoi se uniteti dhe solidariteti janë thelbësore për të mirën e vendit.

Po ashtu, kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, vuri në pah rëndësinë e vlerave si falja, kujdesi dhe mbështetja për ata në nevojë, duke uruar që kjo festë të sjellë më shumë paqe, shpresë dhe mirësi në çdo familje./Albinfo.ch

Në ligjëratën e tij të Bajramit, Tërnava thirrje për tolerancë politike e kompromise

Myftiu Naim Tërnava përmes një ligjërate për qytetarët me rastin e Fitër Bajramit u ka bërë thirrje politikanëve që të shmangin bllokadat politike dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe të mos ketë ngecje të vendit, përcjell albinfo.ch.

“Prandaj, është e papranueshme që sot, në kohë paqeje dhe në kushtet e një sistemi demokratik, njerëzit të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik për kompromis… Në momente të tilla kërkohet maturi, vetëdije dhe tolerance. Kërkohet që përmes dialogut dhe mbi të gjitha sakrificës për të vendosur interesin e vendit dhe të kombit mbi çdo interes tjetër”, ka thënë Tërnava nga Xhamia e Madhe në Prishtinë.

Sipas tij shoqëria jonë ka nevojë për më shumë maturi në politikë.

Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të Ramazanit dhe konsiderohet festë e faljes, solidaritetit dhe bashkimit familjar, e cila përcillet me vizita dhe urime ndërmjet besimtarëve.

Kurti uron për Fitër Bajramin: Më shumë solidaritet dhe kujdes për njëri-tjetrin

Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, ka uruar qytetarët myslimanë me rastin e Fitër Bajrami, përcjell albinfo.ch. 

Në mesazhin e tij, Kurti uroi që agjërimi dhe lutjet gjatë muajit të Ramazani të jenë pranuar, duke theksuar rëndësinë e falënderimit, solidaritetit dhe përkujdesjes për ata që kanë më pak.

Ai bëri thirrje që kjo ditë feste të shërbejë si reflektim për përmirësim individual dhe shoqëror, ndërsa veçoi edhe rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve.

“Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë”, theksoi Kurti, duke apeluar për më shumë përkushtim në mirëqenien dhe edukimin e tyre.

Presidentja Osmani uron qytetarët për Fitër Bajramin: Le të na bashkojë solidariteti dhe mirëkuptimi

Presidentja e Kosova, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët myslimanë me rastin e Fitër Bajrami, përcjell albinfo.ch.

Në mesazhin e saj, ajo theksoi se kjo festë është moment bashkimi, solidariteti dhe afërsie mes njerëzve, duke uruar që lutjet dhe agjërimi gjatë muajit të Ramazani të jenë pranuar.

Osmani bëri thirrje për më shumë mirëkuptim dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit, sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, duke e cilësuar këtë festë si një mundësi për të forcuar vlerat njerëzore dhe shoqërore.

Me këtë rast, ajo ka vizituar edhe Bashkësia Islame e Kosovës. /Albinfo.ch

Revolucioni diellor evropian nisi në Zvicër?

Në vitin 1982, shumë përpara se energjia e rinovueshme të bëhej trend global, projekti TISO (Ticino Solare) shënoi një moment historik për Evropën. I vendosur pranë Lugano, ai u bë sistemi i parë fotovoltaik në kontinent i lidhur drejtpërdrejt me rrjetin elektrik, transmeton albinfo.ch.

Me një kapacitet prej 10 kilovatësh dhe i përbërë nga 288 module diellore, ky instalim përfaqësonte një arritje të jashtëzakonshme për kohën. Në atë periudhë, panelet diellore përdoreshin kryesisht në zona të izoluara, si kasollet alpine, ndërsa ideja e integrimit në rrjetin elektrik konsiderohej e kushtueshme dhe jo e domosdoshme.

Megjithatë, projekti tërhoqi menjëherë vëmendjen e komunitetit shkencor ndërkombëtar. Për herë të parë në botë, prodhimi i energjisë nga një sistem i tillë u monitorua vazhdimisht nga një laborator reference, duke krijuar standarde të reja për kërkimin dhe zhvillimin në këtë fushë.

Një tjetër element që e bën këtë projekt unik është origjina e teknologjisë së përdorur. Panelet diellore të instaluara në TISO (Ticino Solare) vinin drejtpërdrejt nga aplikacionet hapësinore, duke sjellë në Tokë inovacione të zhvilluara fillimisht për misione jashtëtokësore.

Sot, edhe pas dekadash funksionimi, 48 nga 288 modulet origjinale vazhdojnë të jenë aktive. Kjo e bën projektin një dëshmi të gjallë të qëndrueshmërisë dhe jetëgjatësisë së teknologjisë diellore, si dhe një simbol të vizionit të hershëm për energjinë e pastër në Zvicra./Albinfo.ch

Astronomja nga Kosova, Pranvera Hyseni, fiton çmim prestigjioz në SHBA

Astronomja shqiptare nga Kosova, Pranvera Hyseni, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj shkencore, duke u nderuar me çmimin prestigjioz “Stephen E. Dwornik” në fushën e astronomisë planetare, shkruan albinfo.ch.

Ky çmim jepet nga Geological Society of America për prezantimin më të mirë nga një student doktorature, në kuadër të Lunar and Planetary Science Conference, e cila këtë vit u mbajt në Texas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ngjarje shkencore me përmasa globale morën pjesë mbi 2000 studiues dhe ekspertë nga e gjithë bota, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë dhe këtë vlerësim edhe më domethënës.

Suksesi i Hysenit konsiderohet një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, duke dëshmuar potencialin e saj të lartë në kërkimin shkencor dhe në fushën e studimeve planetare.

Njëkohësisht, ky vlerësim përfaqëson edhe një arritje të rëndësishme për Kosovën, pasi kontribuon në promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare të shkencës dhe inovacionit. /Albinfo.ch

 

Stacioni më i lartë kërkimor në Evropë ndodhet në Zvicër?

Në zemër të Alpeve zvicerane, në një lartësi mbi 3,500 metra mbi nivelin e detit, ndodhet stacioni kërkimor Jungfraujoch, një nga vendet më të veçanta shkencore në Evropë. I njohur ndryshe si “Top of Europe”, ky lokacion shërben prej dekadash si laborator natyror për studiues nga e gjithë bota, transmeton albinfo.ch.

Falë pozicionit të tij unik dhe mjedisit pothuajse të paprekur, shkencëtarët kanë mundësi të mbledhin të dhëna shumë të sakta për proceset që ndikojnë në klimën globale. Në këtë stacion studiohen ndryshimet klimatike, cilësia e ajrit alpin, rrezatimi kozmik si dhe fenomeni i shkrirjes së akullnajave.

Përveç rëndësisë shkencore, Jungfraujoch është edhe një simbol i ndërthurjes mes historisë, teknologjisë dhe natyrës. Ai është i aksesueshëm përmes Jungfrau Railway, një nga hekurudhat më spektakolare malore në botë, e cila e bën këtë destinacion të arritshëm edhe për vizitorët.

Ky vend përfaqëson një pikë takimi mes natyrës së egër alpine dhe kërkimit shkencor modern, duke e shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme për studimin e Tokës në lartësi ekstreme./Albinfo.ch

8 fakte interesante mbi festën e Fiter Bajramit

Përfundimi i agjërimit
Gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndim për të përmbushur urdhrin e Zotit në Kuran. Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është një ndër shtyllat e Islamit. Fitër Bajrami simbolizon fundin e muajit të Ramazanit dhe fundin e agjërimit.

Përkthimi
“Eid al-Fitr” është një përkthim mjaft fjalë për fjalë i ngjarjes që po festohet: “Festivali i Mbylljes së Agjërimit”, ose “Festa e Agjërimit”.

Fiter Bajrami festohet kur shihet hëna e re
Fitër Bajrami nuk fillon derisa hëna e re të shfaqet në qiell. Teknikisht, kjo do të thotë se në mbarë botën, Fitër Bajrami fillon në kohë të ndryshme dhe madje ditë të ndryshme, në varësi të vendndodhjes. Për ta bërë atë më uniforme, disa muslimanë festojnë Bajramin kur hëna e re shfaqet mbi Mekë në vend të vendndodhjeve të tyre.

Datat e ndryshme
Kalendari Islam bazohet në ciklet hënore, në krahasim me kalendarin gregorian, i cili bazohet në ciklin diellor. Muajt ​​e rinj fillojnë dhe mbarojnë me çdo hënë të re. Hëna e re mesatare shfaqet çdo 29,53 ditë, kështu që muajt hënor janë pak më të shkurtër në krahasim me muajt gregorian, të cilët zakonisht zgjasin 30 ose 31 ditë. Kështu, çdo vit, Ramazani mbahet rreth 10 ditë më herët se sa ishte një vit më parë – të paktën, domethënë në raport me kalendarin Gregorian, raporton abcnews.al.

Fiter Bajrami zgjat tri ditë
Fiter Bajrami tradicionalisht zgjat tri ditë, por në varësi të asaj se si bie në kalendar, festat dhe festat mund të zgjasin shumë më gjatë. Për shembull, nëse tre ditët bien në mes të javës, muslimanët ka të ngjarë të vazhdojnë të festojnë gjatë fundjavës.

Falja e namazit të Fiter Bajramit
Pasi vishen dhe përgatiten, muslimanët mblidhen për lutje në xhami ose sheshe. Më pas, ata mund të vizitojnë varret e njerëzve të dashur për t’u lutur dhe pastruar varrezat.

Dhuratat
Pas një muaji sakrifice, Fitër Bajrami është një kohë e bollëkut – dhe jo vetëm ushqimit të bollshëm. Shpesh jepen dhurata, veçanërisht për fëmijët.

Ndryshimi me Kurban Bajramin
Fitër Bajrami është një nga dy festat e rëndësishme në besimin Islam. Tjetra është Kurban Bajrami, Festa e Kurbanit. Kurban Bajrami përkujton sakrificën që profeti Ibrahim ishte i gatshëm t’i bënte Zotit. Ashtu si Fitër Bajrami, edhe Kurban Bajrami mbahet në një kohë të ndryshme në kalendarin Gregorian çdo vit.

Vdes shqiptari në Itali, dyshohet se u hodh vetë para trenit

Një shqiptar, 53 vjeç, ka ndërruar jetë tragjikisht këtë të premte në Ankona, pasi u godit nga një tren në stacionin hekurudhor të qytetit, transmeton albinfo.ch.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se akti mund të ketë qenë i qëllimshëm, megjithatë autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ngjarja shkaktoi ndërprerje të përkohshme në qarkullimin hekurudhor në linjën Pescara–Milano railway, një nga më të rëndësishmet përgjatë bregdetit Adriatik.

Pas ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës dhe përfundimit të procedurave fillestare, shërbimi i trenave në këtë linjë është rikthyer në normalitet. /Albinfo.ch

Besimtarët myslimanë në Kosovë festojnë Fitër Bajramin

Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën sot festojnë Fitër Bajramin, një festë e shenjtë që shënon përfundimin e muajit të Ramazanit.

Manifestimi qendror në Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku besimtarët u mblodhën që në orët e para të mëngjesit. Ceremonia nisi në orën 05:41 me faljen e namazit të sabahut, ndërsa namazi i Fitër Bajramit u fal në orën 06:59, transmeton albinfo.ch.

Me këtë rast, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) organizoi pritjen tradicionale të urimeve në selinë e saj, ku përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë përcollën mesazhe urimi dhe paqeje.

Festimet e Fitër Bajramit shoqërohen me aktivitete të shumta shoqërore, ku theksohet vlera e solidaritetit dhe ndihmës ndaj familjeve në nevojë. Besimtarët ndajnë gëzimin e festës me të afërmit dhe kontribuojnë në bamirësi, duke përçuar frymën e dhembshurisë dhe bashkëpunimit në shoqëri.

Fitër Bajrami shënon një moment reflektimi dhe mirënjohjeje, duke i dhënë fund një muaji përkushtimi dhe sakrifice, përcjell albinfo.ch.