VV preferon 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për zgjedhje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka deklaruar se ndër datat e përmendura si opsione për zgjedhjet e reja, 28 dhjetori është më e përshtatshmja për subjektin e tij politik, përcjell albinfo.ch.

Thaçi ka theksuar se Vetëvendosje është e gatshme të shkojë në zgjedhje “kurdoherë”, pavarësisht datës që do të vendoset.

“Që të dy opsionet për ne janë në rregull, mirëpo 28 dhjetori sigurisht që është datë më e mirë për zgjedhje. Por, pavarësisht kësaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi deklaruar vazhdimisht se jemi të gatshëm kurdo herë për zgjedhje. Na vjen keq që nuk u arrit të krijohet qeveria, sepse kishim një opozitë që qëndroi stoike në bllokadën e shtetit, prandaj këtë përgjegjësi do ta bartin para qytetarëve ata që e bllokuan krijimin e institucioneve”, ka thënë Thaçi.

lg.php.gif

I pyetur nëse Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndjen përgjegjësi që vendi po shkon përsëri në zgjedhje, Thaçi është shprehur se subjekti ka treguar gatishmëri dhe kompromis gjatë gjithë procesit.

“Që nga fillimi kemi bërë kompromise, sepse kemi ofruar opsione të ndryshme, qoftë me tërheqjen e Albulena Haxhiut apo me Albin Kurtin. Ne në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që të ecim tutje dhe të krijojmë institucionet tona. Mirëpo u formua një bllok i opozitës, dhe sot në Kuvend u pa qartë votimi i tyre, pra kundër”, ka shtuar ai në tëvë1.

Presidentja Osmani mbledh liderët partiakë për datën e zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar në takim kryetarët e partive politike, për të enjten, sot, pas dështimit të mandatarit, Glauk Konjufca, që t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, përcjell albinfo.ch.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate e kanë konfirmuar për Kohën se do të marrin pjesë në takimin e orës 10:30. 

Sipas Kushtetutës, nëse as në tentimin e dytë nuk zgjidhet Qeveria, presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. Zgjedhjet e reja më së largu duhet të mbahen në janar.

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër. Partitë që deri tash ishin në opozitë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja ishin kundër. Nisma abstenoi. Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Partitë politike i kanë kërkuar presidentes që të caktojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se për caktimin e datës së  zgjedhjeve nuk duhet humbur kohë.

“Shpresoj shumë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat duhet të shpallen menjëherë, sot apo nesër, pa humbur kohë, vërtetë të ju japin qytetarëve një mundësi për verdiktin e tyre që Kosovës do ti japë një qeveri e cila para së gjithash nuk është qeveri e një mentaliteti një partiak e përjashtues por një qeveri që e kthen bashkëpunimin si normë…”, ka theksuar Krasniqi.

E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka bërë thirrje që për caktimin e datës së zgjedhjeve presidentja Vjosa Osmani të mos ndikohet nga askush.

“E thërrasim presidenten e vendit që të respektoj afatet kushtetuese dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje të kujtdo qoftë në vendimmarrjen e saj”, ka deklaruar Zemaj.

Ish-diplomati Sylë Ukshini të mërkurën mbrëma në “Interaktiv” ka thënë se nuk pret ndryshime të mëdha sa i përket rezultateve nga zgjedhjet e reja për partitë politike.

“Ky bashkimi i një pozicioni që e ka bë PDK me Bedri Hamzën, dhe vendosja e një kapele mendoj se Hamzës i ka dhënë më shumë fuqi dhe mund të shënojë një ngritje të ndjeshme në krahasim me partitë tjera. LDK-ja humbi dy bastione, do mbetet prapë në shifrat që ka qenë. LVV-ja mund të ketë plus minus. Por nuk mund të ketë ndryshime aq të mëdha brenda një kohë të shkurt”, përfundoi Ukshini.

Investime të zgjuara nga Zvicra për dimra pa borë

Dimrat me gjithnjë e më pak borë po e vënë në pikëpyetje të ardhmen e shumë vendpushimeve të skijimit. Në një kohë kur ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në sezonet dimërore, parashikimet e detajuara deri në vitin 2050 po bëhen thelbësore për mbijetesën e industrisë së skive. Pikërisht në këtë pikë hyn në lojë një mjet i ri novator: “Busulla e Borës”, përcjell albinfo.ch.

Ashtu siç e sugjeron edhe emri, ky instrument ofron të dhëna të sakta dhe të bazuara shkencërisht, që ndihmojnë sektorin e turizmit malor të vendosë në cilin drejtim të ecë.

“Kjo busull është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë sektorin,” tha Berno Stoffel, drejtor i Swiss Cableways, për RSI. “Ajo ofron bazën për vendime kryesore mbi investimet. Jep të dhëna mbi shtresën natyrore të borës nga viti 1990 deri më sot, përfshirë parashikimet deri në të ardhmen, si dhe efektivitetin e prodhimit artificial të borës. Kjo na lejon të përshtatim vendpushimet dhe objektet e skijimit me klimën në ndryshim.”

Si funksionon “Busulla e Borës”?

Ky mjet interaktiv është zhvilluar nga Instituti Zviceran për Kërkime mbi Borën dhe Ortekët (SLF) në Davos. Ai analizon të dhënat klimatike dhe simuluar ndryshimet e mundshme në trashësinë e borës natyrore në dekadat e ardhshme. Për herë të parë, vendimmarrësit kanë një bazë solide shkencore mbi të cilën mund të ndërtojnë strategjitë e tyre.

Tre kategori të reja për të ardhmen e vendpushimeve

Sipas Martin Nydegger, drejtor i Turizmit të Zvicrës, përshtatja është thelbësore:

“Është e domosdoshme të dimë se çfarë të bëjmë. Ka zona që mbeten të sigurta për skijim, dhe atje duhet të optimizojmë ofertën. Ka pastaj një kategori të dytë, më pak të sigurt, ku borë do të ketë gjithnjë e më pak – ndoshta jo vetëm për javë e muaj, por për një vit të tërë. Dhe pastaj ka zona që duhet të transformohen nga destinacione dimërore në destinacione verore.”

Për këtë analizë, Zvicra u nda në 23 rajone të ndryshme, pasi ndryshimet klimatike prekin secilën zonë në mënyrë të ndryshme.

“Ka variacione të mëdha edhe brenda Alpeve,” shpjegon Stoffel. “Për shembull, Gotthard dhe San Bernardino paraqesin situata të ndryshme. Por të dyja kanë potencial — dhe investimet po bëhen pikërisht aty ku të dhënat e busullës tregojnë perspektiva pozitive.”

Nuk jep përgjigje të gatshme, por jep drejtimin e duhur

“Busulla e Borës” nuk është një zgjidhje magjike, por një udhërrëfyes i fuqishëm. Ajo ndihmon aktorët e industrisë së turizmit të kuptojnë qartë se ku duhet të investohet, çfarë duhet të ndryshohet dhe si mund të ruhet sezoni i dimrit në vitet që vijnë.

Me borën që bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, e ardhmja e shumë vendpushimeve të skive varet pikërisht nga këto vendime strategjike — të mbështetura nga shkenca.

Futbollisti zviceran komentoi fishkëllimat ndaj Xhakës e Andi Zeqirit

Mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, është pyetur po ashtu pas ndeshjes për fishkëllimat e shikuesve në drejtim të Granit Xhakës dhe Zeqirit, përcjell albinfo.ch.

“Ai u brohorit, pastaj u fishkëllye dhe u brohorit përsëri. Mendoj se kjo është normale në futboll dhe mendoj se Andit iu desh ta dëgjonte edhe më shumë. Megjithatë, të dyve u pëlqen të jenë në fushë”, tha Manuel Akanji pas ndeshjes.

Zeqiri 26-vjeçar, u fishkëllye pasi pesë vjet më parë pozoi me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me fanellë të Kosovës, përpara se të zgjidhte përfundimisht të përfaqësonte Zvicrën.

Shkolla Shqipe Ostermundigen Bern po zhvillon provat për festën e 28 Nëntorit

Në Shkollën Shqipe Ostermundigen në Bern kanë nisur provat intensive për festën e Flamurit Kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Fëmijët po përgatiten me këngë, valle dhe recitime kushtuar 28 Nëntorit, duke sjellë emocione të veçanta për këtë ditë të rëndësishme historike.

Atmosfera festive ndjehet në çdo hap të provave, teksa nxënësit, nën udhëheqjen e mësuesve të tyre, punojnë me entuziazëm për të dhuruar një program sa më dinjitoz para prindërve dhe familjarëve.

Suedia lejon pushimet si terapi kundër stresit të punës

Suedia ka prezantuar një program unik shëndetësor që po tërheq vëmendjen e botës: mjekët tani mund të rekomandojnë pushime si trajtim për stresin dhe lodhjen mendore, përcjell albinfo.ch.

Programi inovativ, i quajtur “Receta Suedeze”, synon të përmirësojë shëndetin mendor përmes përvojave relaksuese dhe kontakteve me natyrën.

Sipas këtij programi, në vend të ilaçeve tradicionale, mjekët u ofrojnë pacientëve “receta” që përfshijnë udhëtime dhe aktivitete çlodhëse, të cilat ndihmojnë në uljen e stresit, rikthimin e ekuilibrit emocional dhe përmirësimin e funksionit kognitiv.

Nisma është zhvilluar në bashkëpunim me agjencinë suedeze të turizmit, e cila ka krijuar edhe një formular zyrtar që pacientët mund ta shkarkojnë vetë dhe t’ia paraqesin mjekut të tyre për miratim.

Autoritetet shëndetësore suedeze besojnë se ky model do të kontribuojë në parandalimin e burnout-it dhe do t’i ndihmojë pacientët të gjejnë mënyra natyrale dhe afatgjata për të menaxhuar stresin.

Pushime si terapi? Vetëm në Suedi.

Studim tronditës: Një në pesë fëmijë në Zvicër është i keqtrajtuar psikologjikisht.

Një studim i organizatës Child Protection Switzerland tregon se dhuna ndaj fëmijëve mbetet një problem i madh në Zvicër. Afërsisht një në shtatë fëmijë rrihet rregullisht, ndërsa një në pesë keqtrajtohet psikologjikisht. Tendenca është në rritje.

Pothuajse një në pesë fëmijë ndëshkohet me shuplakë në prapanicë, ndërsa një në dhjetë fëmijë goditet në fytyrë ose tërhiqet nga flokët.

Sipas studimit, dhuna fizike dhe psikologjike mbetet e përhapur në shumë familje zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Dhuna psikologjike

Keqtrajtimi psikologjik shpesh shfaqet përmes kërcënimeve ose tërheqjes së dashurisë. Një në pesë prindër kërcënon të braktisë fëmijën e tyre, dhe 15% pranojnë se e bëjnë fëmijën të ndihet i padashur. Këto sjellje, shpesh të minimizuara, lënë shenja të qëndrueshme në zhvillimin emocional të fëmijës.

Rritja e dhunës

Pothuajse një në pesë fëmijë ndëshkohet me shuplakë, dhe një në dhjetë fëmijë goditet ose tërhiqet nga flokët. Rreth 30% e prindërve pranojnë se kanë përdorur fjalë të rënda ose kanë bërtitur ndaj fëmijës së tyre. Edhe pse ka pasur një përmirësim në vitet 2000, tendenca ka filluar të rritet sërish për disa vite.

Nevoja për ndërhyrje dhe mbrojtje

Autorët e studimit bëjnë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për parandalimin e dhunës dhe promovimin e prindërimit pa dhunë. Ata theksojnë se një mjedis familjar i sigurt është thelbësor për mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve, transmeton albinfo.ch.

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijës festohet më 20 nëntor. Zvicra ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës pothuajse 30 vjet më parë, më 24 shkurt 1997. Konventa specifikon të drejtat e njeriut për të gjitha aspektet e jetës së fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 18 vjeç.

Manon Schick, drejtoreshë për fëmijët dhe të rinjtë në kantonin e Vaudit, paralajmëroi gjithashtu për rreziqe të tjera për fëmijët, duke përfshirë përhapjen e cyberbullying-ut dhe rritjen e kontaktit të fëmijëve me krimin online, përfshirë sulmuesit seksualë. “Sapo fëmijët bëhen pronarë të një smartfoni, ata nuk mund të mbrohen më nga ky lloj kontakti,” paralajmëroi ajo.

 

Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Osmani thërret partitë për caktimin e datës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë parlamentare për një takim konsultativ mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Takimi do të mbahet më nesër 20 nëntor në orën 10:30.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar deri më tani LDK-ja, me kryetarin Lumir Abdixhiku, dhe Nisma Socialdemokrate, ndërsa burime brenda PDK-së kanë bërë të ditur për klankosova se edhe kjo parti do të marrë pjesë.

Ky zhvillim vjen pas dështimit të përpjekjes së Glauk Konjufcës, i mandatuari nga LVV-ja për formimin e qeverisë, për të siguruar shumicën prej 61 votash në Parlament, duke marrë vetëm 56 vota, po aq sa kishte marrë edhe Albin Kurti.

Me këtë situatë, vendi po përgatitet për një raund të ri politik dhe zgjedhor, ndërsa partitë pritet të diskutojnë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme gjatë takimit të nesërm.

Operacion i Europol: Greqia zbulon qindra makina të vjedhura të lidhura edhe me Ballkanin e Zvicrën

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Joint Action Day (JAD) Mobile 8”, i koordinuar nga Europol dhe ku morën pjesë 26 vende europiane, përfshirë Shqipërinë, Greqia ka zbuluar gjysmën e automjeteve të vjedhura të identifikuara në këtë aksion të gjerë policor. Në total, në të gjithë Europën u evidentuan 462 makina të vjedhura ose të falsifikuara, nga të cilat 231 u sekuestruan në territorin grek.

Sipas njoftimit zyrtar, ky numër është 232 më shumë se një vit më parë. Kontrolli i 6.548 automjeteve në Greqi rezultoi jo vetëm me sekuestrimin e 231 makinave, por edhe me arrestimin e 84 emigrantëve të paligjshëm dhe 21 trafikantëve. Gjithashtu, u konfiskuan 199.56 gramë substanca narkotike, përcjell albinfo.ch.

Policia greke ka bashkëpunuar në këtë operacion përmes strukturave të saj të specializuara kundër krimit të organizuar. Operacioni u zhvillua nga 20 deri më 31 tetor 2025, në kuadër të programit europian “Empact”, dhe u koordinua nga Frontex në bashkëpunim me autoritetet e Greqisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Polonisë.

Përveç vendeve të Bashkimit Evropian si Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Suedia, u përfshinë edhe vende të treta si Shqipëria, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Zvicra, si dhe agjencitë Europol dhe Interpol.

Nga ana greke, kontrollet intensive u kryen jo vetëm në kufijtë e jashtëm, por edhe brenda vendit, në qytete dhe rajone si Atika, Selaniku, Kilkís, Fthiotida, Thrakë dhe Sërres, si dhe në pikat kufitare Mertzani, Krystallopigi dhe Kakavia, me qëllim identifikimin dhe konfiskimin e automjeteve të vjedhura ose të modifikuara.

 

Mediumi zviceran shkruan për Xhakën: Kapiteni i Kombëtares i fishkëlluar në Prishtinë

Granit Xhaka nuk pati një mbrëmje të lehtë të martën në Prishtinë. Gjatë çdo prekje të topit, kapiteni i Kombëtares zvicerane u përball me fishkëlima dhe brohoritje. Kështu e përshkruan mediumi zviceran Blick situatën e së martës mbrëma në Prishtinë ku u zhvillua ndeshja mes Kosovës e Zvicrës.

Një video e publikuar në mediat kosovare tregon Xhakën duke diskutuar me përfaqësuesit e tifozëve kosovarë, ndërsa aty shihen edhe babai i tij, Ragip Xhaka, dhe personeli i sigurisë së Kombëtares zvicerane. Në rrjetet sociale, videoja ka shkaktuar reagime të shumta, shumica duke shprehur habi për fishkëlima ndaj kapitenit të Zvicrës, vazhdon tutje rrëfimi në blick, transmeton albinfo.ch.

Familja e Xhakës ka shprehur mbështetje të fuqishme. Gruaja e tij, Leonita, shkroi në Instagram: “Përherë model për kombi tonë, përherë krenar për ty.” Vëllai i tij, ikonë e FC Basel, Taulant Xhaka, shtoi: “Do të jem gjithmonë pranë teje, vëlla. Krenaria e shqiptarëve!”

Pavarësisht fishkëlimeve, Xhaka mbeti i qetë. Opinione të ndara ishin të dukshme gjatë gjithë ndeshjes, dhe në disa momente fishkëlima u bënë të papërballueshme për shumë tifozë. Rezultati ishte thirrjet “Xhaka!” dhe një duartrokitje e përbashkët kur ai u zëvendësua. Vedat Bajrami, aktor dhe anëtar i klubit të tifozëve kosovarë Dardanët, tha për Blick: “Të gjithë e duan dhe e vlerësojnë Xhakën, kështu që kjo nuk ka kuptim.”

Xhaka tha pas ndeshjes për Blick: “I njoh këta njerëz, janë shumë emocionalë. U fishkëllye, pastaj u kundërvu, dhe më pas u brohorit përsëri – kjo është normale në futboll. Gjithçka është në rregull.”

Një nga shkaqet e reagimeve emocionale nga tifozët kosovarë ishte një intervistë e Xhakës për Blick, ku ai fliste për futbollistët Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari që kaluan te Kosova. Deklaratat e tij, që në thelb ishin të pafajshme, u interpretuan në mënyrë të ekzagjeruar në mediat kosovare, duke shkaktuar diskutime të ndezura.

Pavarësisht kësaj, lojtarët e rinj zviceranë të origjinës kosovare nuk e perceptuan situatën negativisht. Pas ndeshjes, Albian Hajdari foli gjatë me Xhakën në fushë dhe bëri shaka me Breel Embolo. Hajdari dhe Avdullahu postuan më vonë një foto në Instagram me idhullin e tyre, Granit Xhaka, duke shkruar: “Jemi një.”

Lexoni po ashtu:

Taulanti mbron Granitin pas fishkëllimave në Prishtinë

Lexoni po ashtu:

Xhaka i përballon fishkëllimat: Këta njerëz janë shumë emocionalë

Lexoni po ashtu:

Tifozët kosovarë fishkëllojnë Xhakën, kapiteni i Zvicrës shpreh zhgënjimin e tij

lexoni po ashtu:

Fishkëllimat ndaj Xhakës, kryetari i FFK-së i konsideron të paarsyeshme

 

Zvicra përballet me vjedhjen e identitetit nga inteligjenca artificiale

Rritja e mashtrimeve online që përdorin inteligjencën artificiale për të riprodhuar zërin dhe imazhin e personazheve të njohur po shqetëson autoritetet zvicerane. Që nga viti 2023, vjedhja e identitetit është e dënueshme në Zvicër, duke lejuar viktimat të ndërmarrin veprime ligjore, por hetimet shpesh ndalen kur mashtruesit veprojnë nga jashtë vendit.

Shumë figura publike, si këshilltari i shtetit Vaud, Pierre-Yves Maillard, dhe ko-presidenti i Partisë Socialiste, Cédric Wermuth, kanë pasur identitetin e tyre përdorur në “deepfake” ose profile të rreme për mashtrime financiare. Vetëm në 2024, u regjistruan 7,000 raste të tilla në Zvicër.

Problemet kryesore janë porositë mashtruese dhe profilet false online. Autoritetet theksojnë se ngadalësia e ndihmës ndërkombëtare ligjore dhe mungesa e informacionit nga platformat online e vështirësojnë ndjekjen penale.

Ko-presidenti Wermuth nxit përgjegjësinë e platformave, ndërsa Këshilli Federal po konsultohet për një ligj të ri që do t’i detyrojë rrjetet sociale të kenë përfaqësues ligjor në Zvicër.

 

Gjeneva punëson staf të përkohshëm për të shmangur mbylljen e çerdheve komunale

Çerdhet komunale në Gjenevë po përballen me mungesë të theksuar stafi dhe po detyrohen të angazhojnë punonjës të përkohshëm për të mbuluar mungesat, raportoi Tribune de Genève. Kjo masë synon të evitojë mbylljen e çerdheve, sidomos tani që sëmundjet sezonale pritet të rrisin mungesat e punonjësve.

Megjithëse kantoni kërkon një grup zëvendësuesish, ai shpesh nuk mjafton. Për këtë arsye, qyteti ka nisur bashkëpunimin me një agjenci private të specializuar, e cila ofron staf për zëvendësime urgjente dhe afatshkurtra. Vetëm në vitin 2024, 47 vende pune me normë të plotë u mbuluan nga kjo kompani. Pagat janë të ngjashme me ato të çerdheve të subvencionuara, por më të ulëta se ato të institucioneve komunale.

Vendimi ka ngjallur kritika nga disa përfaqësues politikë, të cilët e konsiderojnë këtë si një zgjidhje të përkohshme dhe të paqëndrueshme, transmeton albinfo.ch

Megjithatë, Christina Kitsos, magistratja përgjegjëse për kohezionin social, mbetet e bindur për vazhdimin e politikës së saj për komunizimin e çerdheve. Ajo e pranon se punësimi i stafit të përkohshëm është i domosdoshëm, duke theksuar se është gjithnjë e më e vështirë të gjenden kandidatë për kontrata afatshkurtra. Sipas saj, profesioni duhet bërë më tërheqës për të zgjidhur mungesën e stafit në afatgjatë.

 

 

Mungesa e mjekëve të përgjithshëm në Zvicër sfidon formimin e brezit të ardhshëm të doktorëve

Zvicra po përjeton një mungesë gjithnjë e më të madhe të mjekëve të përgjithshëm, ndërsa shumë të rinj që studiojnë mjekësi po zgjedhin specialitete spitalore në vend të mjekësisë familjare. Sipas mjekëve dhe institucioneve shëndetësore, arsyeja kryesore lidhet me formimin universitar, i cili mbetet tepër teorik dhe i orientuar drejt spitaleve.

Aktualisht, shumica e praktikave për studentët zhvillohen në spital dhe vetëm në fazat e vona të studimeve, duke kufizuar kontaktin me praktikat private dhe mjekësinë e përgjithshme. Kjo shpesh çon që mjekët e rinj të marrin vendime të vonuara për specializimin e tyre dhe të orientohen drejt fushave më spitalore, si kirurgjia apo kardiologjia.

Universitetet, si ai i Lozanës, po shqyrtojnë reforma për të balancuar më mirë teorinë dhe praktikën, përfshirë projekte pilot që u mundësojnë studentëve më shumë kohë në praktika familjare dhe programe mentorimi.

Ndërkohë, kërkesa e pacientëve për mjekë të përgjithshëm është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të Unisanté, praktikave mjekësore u telefonojnë deri në 15 pacientë në ditë që kërkojnë një mjek të ri familjar, tregues i qartë i mungesës së profesionistëve.

Autoritetet paralajmërojnë se nëse nuk merren masa, Zvicra do të përballet me një krizë edhe më të thellë të mjekësisë bazë në vitet e ardhshme.

Ngacmimi obsesiv do të jetë vepër penale në Zvicër nga viti 2026

Qeveria e Zvicrës njofton se ngacmimi obsesiv do të jetë i ndëshkueshëm qartë ligjërisht që nga 1 janari 2026. Kodi Penal tani parashikon dënim me burg ose gjobë për këtë sjellje.

Parlamenti vendosi më 20 qershor 2025 të kriminalizojë ngacmimin obsesiv. Duke qenë se brenda 100 ditëve nuk u dorëzua asnjë referendim, Këshilli Federal vendosi që neni i ri i Kodit Penal të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Qeveria thekson se ngacmimi obsesiv mund të ketë pasoja serioze për viktimat. “Viktima mund të vuajë dëme psikologjike, por edhe sociale dhe ekonomike,” shkruhet në komunikatë.

Deri në tre vjet burg

Përfshirja e ngacmimit obsesiv në Kodin Penal nënkupton se ligji është në anën e viktimave dhe se ngacmuesit nuk do të mund të veprojnë më pa u ndëshkuar, shton Këshilli Federal.

Prej janarit, ngacmuesit mund të përballen me deri në tre vjet burg. Deri tani, viktimat kishin pak mundësi mbrojtjeje kundër këtij lloji ngacmimi, duke u bazuar vetëm në veprime civile ose në dispozita më të gjera penale.

 

BE planifikon të thjeshtojë rregulloret për inteligjencën artificiale

Bashkimi Evropian ka njoftuar propozime të reja për të ulur barrën rregullatore në fushën e inteligjencës artificiale dhe të dhënave, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të zvogëluar hendekun teknologjik të Evropës.

Komisioni Evropian propozon shtyrjen e afatit të zbatimit të rregullave për sistemet e inteligjencës artificiale “me rrezik të lartë” deri në fund të vitit 2027, një vit më shumë se afati aktual. Këto sisteme prekin fusha të ndjeshme si siguria, shëndeti dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Kompanitë e sektorit kishin paralajmëruar se nuk do të ishin gati në kohë, ndërsa Komisioni thotë se synon të ulë burokracinë dhe kostot. Kundërshtarët e relaksimit të rregullave argumentojnë se problemi i Evropës nuk është rregullimi, por mungesa e investimeve dhe kompanive të mëdha teknologjike.

Propozimet përfshijnë edhe mundësinë e përdorimit të të dhënave private për zhvillimin e modeleve të AI-së në rast “interesi legjitim”, gjë që ka shkaktuar shqetësim të madh tek organizatat e mbrojtjes së të dhënave personale, transmeton albinfo.ch.

Ndryshime të tjera synojnë reduktimin e banerëve të cookies që shfaqen në faqet e internetit, duke u lejuar përdoruesve të vendosin preferencat e tyre me një klik dhe t’i ruajnë ato në mënyrë të përhershme në shfletues.

Propozimet priten të shkaktojnë debat të gjerë në Parlamentin Evropian.

 

Nesër në Cyrih shorti për “Play-off”, detajet që duhet t’i dini

Nesër në Cyrih, Zvicër, në orën 13:00, do të hidhet shorti i fazës play-off për Kupën e Botës 2026, ku Kombëtarja shqiptare do të mësojë kundërshtarin e gjysmëfinales si edhe rivalin e mundshëm për finalen e grupit që siguron një vend në Botërorin 2026.

Shqipëria në shortin e play-off-it do të jetë e pozicionuar në vazon 3, së bashku me Irlandën, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, shkruan FSHF, transmeton albinfo.ch.

Struktura e shortit

Në total janë 16 skuadra që marrin pjesë në fazën play-off dhe ato ndahen në katër vazo, sipas renditjes së FIFA-s dhe kritereve të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA.

Shorti do të përcaktojë tetë gjysmëfinalet dhe katër finalet e mundshme, të cilat do të luhen në mars 2026.

Ekipet e vazos së parë do të ndeshen me ekipet e vazos së katërt, ndërsa ekipet e vazos së dytë përballen me ekipet e vazos së tretë.

Vazot e shortit

Vazo 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina

Vazo 2: Polonia, Uellsi, Çekia, Sllovakia

Vazo 3: Shqipëria, Irlanda, Bosnje-Hercegovina, Kosova

Vazo 4: Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut

Shqipëria dhe Kosova do të përballen me një nga skuadrat e vazos së dytë: Poloninë, Uellsin, Çekinë ose Sllovakinë.

Sistemi i ndeshjeve

Gjysmëfinalet zhvillohen me një ndeshje të vetme dhe skuadrat e vazos 1 dhe 2 do ta luajnë ndeshjen në fushën e tyre, çka do të thotë se Kombëtarja shqiptare do të luajë në udhëtim.

Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 26 mars, ndërsa finalet më 31 mars 2026. Fituesit e gjysmëfinaleve kalojnë në finalen e play-off-it përkatës. Për çdo finale play-off, shorti përcakton paraprakisht se cili fitues i gjysmëfinales do të luajë në shtëpi.

A do të jenë zgjedhjet, zgjidhje në Kosovë

“Degradim i skajshëm i jetës politike dhe institucionale në Kosovë”, kështu e përshkruan Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus përpjekjen e dytë të dështuar të Kuvendit të Kosovës për të votuar Qeverinë e re.

Ai thekson se politikanët po vendosin interesat personale dhe partiake mbi ato të shtetit, duke treguar një mungesë të qartë të përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhur.

“Kjo tregon për një nivel të ulët të përgjegjësisë së klasës politike në vend, pa dallim, pushtet dhe opozitë. Të gjithë e kanë peshën e vet të fajit”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Kuvendi i Kosovës dështoi më 19 nëntor të miratojë Qeverinë e re, e cila do të udhëhiqej nga Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Vetëvendosjes votuan 56 deputetë, 4 abstenuan, ndërsa 53 ishin kundër. Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidencës për kohën e mundshme të shpalljes së zgjedhjeve, por nuk mori përgjigje.

Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari”, nuk është optimist se zgjedhjet e reja mund të sjellin një zgjidhje reale për ngërçin politik.

“Mbetet të shihet se në çfarë pozicionimesh dhe me çfarë narrativësh politikë do të hyjnë partitë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme, sepse shumica e aktorëve janë pothuajse të njëjtë. Nuk kemi një klimë të jashtëzakonshme që do të mund të ndryshonte rrënjësisht përfaqësimin parlamentar”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova ishte në rrugë krize që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Vetëvendosje fitoi shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë vetëm. Kuvendi vonoi të konstituohej për rreth gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa procesi u sfidua disa herë në Gjykatën Kushtetuese.

Bashkësia ndërkombëtare – përfshirë kryediplomatin gjerman, Johann Wadephul, të fundit – theksoi vazhdimisht nevojën që Kosova të ketë një qeveri të qëndrueshme sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sipas Kamberit, muajt e fundit nuk është parë një përfshirje e madhe e faktorit ndërkombëtar, i cili, “në një mënyrë ose tjetër, ka qenë gjithmonë i përfshirë në ndërtimin e qeverive të Kosovës”.

“Mospërfshirja ndërkombëtare nuk e ka ndihmuar procesin, sepse nuk është arritur të krijohet një shumicë parlamentare”, sipas tij.

Kamberi shton se pas zgjedhjeve të reja, dhe me zgjedhjen e presidentit që pritet në pranverë, është e vështirë të parashikohet formimi i një qeverie pa dy partitë kryesore shqiptare.

Sipas tij, mbetet gjithashtu e paqartë se cilat do të ishin këto dy parti dhe nëse do të mund të bashkëpunonin pa lehtësimin e faktorit ndërkombëtar.

“Pra, këto zgjedhje duhen parë si mundësi për të provuar paradigma të reja, për të shmangur një bllokim të ri”, shton ai. Pas dështimit të formimit të Qeverisë më 19 nëntor, përfaqësuesit e partive politike rifilluan akuzat kundër njëri-tjetrit.

Ata të Vetëvendosjes thanë se “të gjithë janë barrikaduar kundër” udhëheqësit të tyre, Albin Kurti.

Memli Krasniqi i PDK-së, partisë së dytë në vend, i hodhi fajin Vetëvendosjes për situatën, duke theksuar se “janë humbur 9 muaj kohë” për shkak të bllokadave, vonesave dhe taktizimeve.

E, Krasniqi nga Demokraci Plus paralajmëron se humbjet për Kosovën janë të mëdha, veçanërisht për reputacionin ndërkombëtar të vendit.

“Një vend që ka nevoja urgjente dhe politikanët e tij nuk arrijnë të bëjnë kompromis për t’i trajtuar ato! Ne dalim si shtet i paaftë në aspektin ndërkombëtar, për shkak të mungesës së marrëveshjes politike, që është qenësore për një demokraci, kur asnjë prej palëve nuk ka shumicë parlamentare”, thotë Krasniqi.

Ai përmend edhe humbjet financiare për shkak të mosmiratimit të buxhetit, si dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare që sjellin fonde dhe kredi për vendin.

Gjatë ditës, Vetëvendosje organizoi një seancë tjetër për miratimin e katër projektligjeve kyç, përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe kjo tentativë dështoi.

“Ne kemi mbetur pas, qoftë në mbrojtje, qoftë në luftën kundër dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera, me të cilat përballen demokracitë perëndimore. Shtetet e tjera janë duke bërë hapat e nevojshëm, kurse Kosova vazhdon me beteja provinciale”, përfundon Krasniqi.

Konferenca e jashtëzakonshme, reagon Kelmendi: Kam punuar në vija të njëjta me UÇK-në

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme pas intervistimit nga Prokuroria Speciale lidhur me rastin e masakrës së Reçakut.

Në një konferencë për media të thirrur pasi që është intervistuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit për masakrën Reçakut, ai ka mohuar se ka qenë ndonjëherë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, e cila ka qenë e ngarkuar nga regjimi serb “ta hetojë” masakrën e Reçakut.

“Mua më vije mirë që kam dhënë një deklaratë para Prokurorisë Speciale që konfirmon gjithë atë që po them para jush. Kurrë në jetën time deri në vitin 2001 nuk kam qenë në fshatin Reçak. Kurrë nuk kam qenë as gjyqtar as prokuror para vitit 2000”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Kelmendi tha se shkrimi i sotëm i botuar në një portal, është shpifje dhe dezinformatë.

“Kam lindur më 1962 dhe jam punësuar më 1986 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Në kohën kur vendosej për pavarësinë e Kosovës kishte përpjekje dhe kërkesa që dikush të shkatërronte komplet popullin shqiptar dhe ne që ishim pjesë e asaj kohe kishim një detyrë, edhe në punëtorët shqiptarë në gjykatë isha bashkëpunëtor profesional, është titull profesional i punës, nuk ka lidhje me bashkëpunim me regjime dhe parti. Gjatë asaj kohe kisha një aktivitet në Sindikatën e Punëtorëve të asaj gjykate. S’ka veprim, aktivitet që kanë qenë në kuadër të sindikatës në nivel Kosove që nuk e ka përkrahur sindikatën ku kam qenë unë”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka thënë se në kohën e luftës i ka mbajtur të informuar UÇK-në dhe spektrin politik të Kosovës.

“Në atë kohë për çdo që i duhej UÇK-së dhe spektrit politik të Kosovës, jam unë ai që i kam mbajtur jo vetëm të informuar por kam rrezikuar punën dhe jetën për të dërguar dosje atje ku e kishin vendin”, ka theksuar Kelmendi.

6 biletat e fundit drejt Botërorit

Me ndeshjet e fundit të zhvilluara më 18 nëntor, procesi i kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 ka hyrë në fazën përfundimtare.

Tashmë 42 prej 48 vendeve të turneut janë plotësuar, ndërsa vetëm gjashtë bileta mbeten ende në lojë.

Përfaqësueset e fundit që siguruan kualifikimin ishin Belgjika, Zvicra, Spanja, Austria dhe Skocia nga UEFA, dhe Kurasao, Haiti dhe Panama nga zona CONCACAF – ku Kurasao bën histori me kualifikimin e saj të parë ndonjëherë, transmeton albinfo.ch.

Botërori 2026 do të jetë edicioni i parë me 48 shtete, ndërsa Kanadaja, Meksika dhe SHBA janë të kualifikuara automatikisht si vendet pritëse.

Ekipet e kualifikuara për Kupën e Botës 2026

Vendet pritëse (3)

Kanada

Meksika

Shtetet e Bashkuara

AFC – Azi (8)

Australia

Irani

Japonia

Jordania

Katari

Arabia Saudite

Koreja e Jugut

Uzbekistani

CAF – Afrika (9)

Algjeria

Kepi i Gjelbër

Egjipti

Gana

Bregu i Fildishtë

Maroku

Senegali

Afrika e Jugut

Tunizia

CONCACAF – Amerika e Veriut & Qendrore (3 deri tani)

Kurasao

Haiti

Panama

(Kanada, Meksika dhe SHBA të kualifikuara si vendet pritëse)

CONMEBOL – Amerika e Jugut (6)

Argjentina

Brazili

Kolumbia

Ekuadori

Paraguai

Uruguai

UEFA – Evropa (12 deri tani)

Austria

Belgjika

Kroacia

Anglia

Franca

Gjermania

Holanda

Norvegjia

Portugalia

Skocia

Spanja

Zvicra

OFC – Oqeania (1)

Zelanda e Re

Kush lufton për 6 vendet e fundit?

Play off-i i Europës:

Italia

Turqia

Danimarka

Ukraina

Polonia

Uellsi

Çekia

Sllovakia

Irlanda

Shqipëria

Bosnja & Hercegovina

Kosova

Suedia

Rumania

Maqedonia e Veriut

Irlanda e Veriut

Dy biletat e fundit do të vendosen në playoff-in ndërkontinental, ku do të marrin pjesë:

Bolivia

Republika Demokratike e Kongos

Iraku

Xhamajka

Kaledonia e Re

Surinami

Playoff-i interkontinental do të zhvillohet në mars 2026, në Meksikë.

Edhe tre vende të tjera nga CONCACAF, UEFA dhe Afrika do të plotësohen pas ndeshjeve të playoff-it të rajoneve përkatëse, duke finalizuar listën e 48 pjesëmarrësve në Botërorin e parë të zgjeruar.

Botërori 2026 pritet të jetë më i madhi në histori — me më shumë skuadra, më shumë spektakël dhe më shumë surpriza.

 

 

Taulanti mbron Granitin pas fishkëllimave në Prishtinë

Zvicra siguroi mbrëmë biletën direkte për Kampionatin Botëror 2026, pasi doli me barazim 1:1 ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ky rezultat iu mjaftoi “Helvetikëve” për të mbyllur grupin në krye.

Në këtë fushatë kualifikuesesh, Granit Xhaka ka qenë figura qendrore e kombëtares zvicerane, duke e udhëhequr ekipin drejt një Botërori tjetër.

Megjithatë, mbrëmë ai u përball me vërshëllima nga një pjesë e tifozëve në Prishtinë, një reagim që vetë mesfushori nuk e kishte pritur.

Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar edhe vëllai i tij, Taulant Xhaka, i cili i doli publikisht në krah: “Gjithmonë deri në vdekje me ty vëlla. Krenaria e shqiptarëve. Zoti i ruajt të gjithë shqipet e vërteta nëpër botë”, shkroi ai në rrjete sociale, transmeton albinfo.ch.

Seriali shqiptarozviceran “Te berberi” nominohet për Çmimin “Rose d’Or” 2025

Seriali shqiptaro-zviceran i SRF-së “Te Berberi” është nominuar në kategorinë “Serial Multiplatform” për Festivalin Rose d’Or në Londër. Seriali zhvillohet në një sallon flokësh në Bazel.

Rose d’Or është një festival argëtimi televiziv i themeluar në Montreux në vitin 1961, transmeton albinfo.ch. Që nga viti 2019, ceremonia e ndarjes së çmimeve është mbajtur në Londër, përfshirë edhe eventin e këtij viti.

Çmimet e lakmuara televizive do të ndahen më 1 dhjetor. Ndër të nominuarit e këtij viti është seriali i SRF-së “Te Berberi – Wächst ja wieder” (Te Berberi – Rritet Përsëri), krijuar dhe me protagonist banorin e Bazelit, Florim Brajshori, shkruan baseljetzt.ch.

Seriali shqiptaro-zviceran, i cili zhvillohet kryesisht në një sallon flokësh në Bazel, është nominuar në kategorinë “Serial Multiplatform”.

Florim Brajshori, i cili e prodhon serialin me kompaninë e tij “Shoki Filmproduktion” dhe gjithashtu luan në të, mësoi për nominimin të hënën pasdite. “Isha shumë i lumtur me nominimin”, thotë Brajshori për Baseljetzt.

Asnjë prodhim zviceran nuk është nominuar për çmimet Rose d’Or në tre vitet e fundit.

Florim Brajshori do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Londër. Pyetjes se si i vlerëson shanset e tij për të fituar ai i përgjigjet “Do të ishte fantastike nëse do të fitonim, sigurisht, por konkurrenca është e fortë”.

Nëse seriali i përmendur do ta sjellë çmimin e lakmuar televiziv në Bazel, do të zbulohet më 1 dhjetor.

Sidoqoftë, ka ende zhvillime në lidhje me serialin që zhvillohet në sallonin e flokëve në Bazel. Florim Brajshori është tashmë në bisedime me televizionin zviceran për një sezon të dytë të serialit të njohur shqiptaro-zviceran, shkruan Baseljetzt.

FT thotë se UBS po shqyrton një lëvizje në SHBA

Banka UBS është përsëri në qendër të spekulimeve rreth zhvendosjes së selisë së saj jashtë vendit.

Financial Times raporton se Kryetari Colm Kelleher ka zhvilluar bisedime private me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, rreth një zhvendosjeje të mundshme në Shtetet e Bashkuara, nëse Zvicra vazhdon me kërkesa më të ashpra për kapitalin, transmeton albinfo.ch.

CEO i UBS, Sergio Ermotti, mohoi publikisht çdo plan zhvendosjeje në shtator, por burimet thonë se ka pasur bisedime me autoritetet amerikane.

Reforma e Këshillit Federal mund t’i kushtojë UBS deri në 19 miliardë CHF, një barrë që banka argumenton se do të dëmtonte konkurrueshmërinë e saj globale.