“62 franga për 3 km”: Taksit në Cyrih kërkojnë rivendosjen e tarifave maksimale

Një fenomen i veçantë po ndodh në Cyrih: në vend që të kërkojnë rritjen e çmimeve, një grup që përfaqëson shoferët e taksive po propozon të vendoset një tarifë maksimale për udhëtimet brenda qytetit, përcjell albinfo.ch.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Taksi dhe Limuzinë në 2024, tarifat maksimale të mëparshme u hoqën, dhe disa shoferë filluan të ngarkojnë çmime të larta edhe për udhëtime shumë të shkurtra. Për shembull, një udhëtim 3,3 km mund të kushtojë 62 franga.

Shoqata e Taksive të Cyrihut ka dërguar një kërkesë më 19 shkurt tek Carmen Walker-Späh, drejtoreshë e Departamentit të Çështjeve Ekonomike, për rivendosjen e tarifës maksimale kantonale. Propozimi përfshin:

Tarifa bazë: 7 franga për udhëtim

Tarifa për kilometër: 4,40 franga

Tarifa për minutë: 1,30 franga

Rudolf Raemy, president i shoqatës, shpjegon se liberalizimi i tregut ka rritur numrin e shoferëve, por konkurrenca ka çuar në rritje të çmimeve, veçanërisht pranë stacionit kryesor të trenit, ku udhëtarët shpesh kanë nevojë për shpejtësi.

Departamenti i Çështjeve Ekonomike ka deklaruar se deri tani nuk ka prova konkrete të abuzimit me çmimet, por kërkesa po shqyrtohet.

Këshilla për udhëtarët: Për të shmangur tarifat e larta, prenotoni udhëtimet paraprakisht dhe kontrolloni tarifat zyrtare të kompanisë.

Tarifat zyrtare të disa qyteteve të mëdha zvicerane:

Cyrih

Gjenevë

Bazel

Bern

Losanë

Lugano

Magic Pass zgjeron destinacionet: më shumë stacione në Zvicër dhe Europë

Abonimi i udhëtimeve Magic Pass, tashmë i popullarizuar në kantonet Valais dhe Vaud, po vazhdon zgjerimin strategjik duke përfshirë rajone të tjera në Zvicër dhe Europë, përcjell albinfo.ch.

Nga ky sezon, përdoruesit e Magic Pass mund të përfitojnë nga akses në destinacione si Cyrih, Solothurn, Gjenevë, Évian (Francë) dhe Domodossola (Itali), si dhe në stacione më të vogla si Klewenalp Stockhütte (Nidwalden), Sattel Hochstuckli (Schwyz), Hohe Winde (Solothurn), Valbirse (Bern) dhe Bernex (Francë).

Ky pas ofron tashmë akses në më shumë se 100 stacione dimërore dhe 53 verore, duke u bërë një zgjidhje e gjithanshme për adhuruesit e sporteve dimërore dhe pushimeve verore.

Çmimet mbeten të pandryshuara: 419 franga për vit për të rriturit dhe 282 franga për fëmijët, duke ofruar një opsion të përballueshëm për familjet dhe udhëtarët e rregullt./Albinfo.ch

Lufta në Iran godet turizmin zviceran: Kompanitë në Cyrih planifikojnë punë me orar të shkurtuar

Eskalimi i luftës në Iran po ndikon dukshëm në sektorin zviceran të udhëtimeve dhe aviacionit. Për shkak të situatës, disa kompani po planifikojnë punë me orar të shkurtuar, që do të thotë një ulje përkohshme ose pezullim i aktivitetit pa shkarkuar punonjësit, përcjell albinfo.ch.

Elisha Nicolas Schuetz, zëdhënës i Swiss Travel Association, tha se “lufta po ndikon gjithë industrinë zvicerane të udhëtimeve.”

Sipas tij, veçanërisht të prekur janë operatorët turistikë që ofrojnë udhëtime drejt Lindjes së Mesme, si dhe linjat ajrore që fluturojnë në ato destinacione.

Kjo masë e përkohshme synon të ndihmojë kompanitë të përballojnë pasojat ekonomike të konfliktit ndërsa ruhet vendi i punës për punonjësit./Albinfo.ch

Osmani pret përfaqësuesit e NATO-s, falënderon gjeneralin Sven Lange për kontributin në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe përfaqësuesen e NATO-s Blanca Hereza Atienza, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të NATO në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovo. Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në vend.

Presidentja theksoi se mbështetja e NATO-s ka qenë veçanërisht e rëndësishme në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Kosovës.

Me këtë rast, Osmani vlerësoi punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po përmbyll mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Në fund të takimit, presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për paqe, stabilitet dhe për vlerat euroatlantike, si dhe aspiratën për integrim në NATO./Albinfo.ch

Pse transporti publik në Zvicër po bëhet gjithnjë e më shpesh skenë krimesh?

Zjarri fatal në një autobus postar në Kerzers në kantonin Fribourg, ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë u plagosën, ka tronditur opinionin publik në Zvicër. Sipas autoriteteve, ekzistojnë dyshime se zjarri është shkaktuar qëllimisht nga një burrë, megjithëse motivi i mundshëm i këtij akti mbetet ende i panjohur, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka rikthyer debatin për sigurinë në transportin publik, pasi kjo nuk është hera e parë që autobusët apo trenat në vend bëhen skenë e krimeve të rënda.

Sulmi me thikë dhe zjarr në tren në vitin 2016

Një nga incidentet më të rënda ndodhi më 13 gusht 2016 në një tren rajonal të operuar nga Südostbahn pranë Salez në kantonin St. Gallen. Një 27-vjeçar zviceran derdhi lëng të ndezshëm në vagon dhe i vuri flakën, ndërsa sulmoi pasagjerët me thikë.

Si pasojë e sulmit, një grua 34-vjeçare dhe vetë autori i krimit vdiqën nga plagët e rënda, ndërsa më vonë ndërroi jetë edhe një vajzë 17-vjeçare për shkak të djegieve. Në total u plagosën shtatë persona, përfshirë edhe një fëmijë gjashtëvjeçar. Hetimet e prokurorisë arritën në përfundimin se autori ishte një person me probleme të rënda psikologjike dhe me motive mizogjiniste.

Sulm terrorist në Morges

Një tjetër ngjarje që tronditi vendin ndodhi më 12 shtator 2020 në Morges në kantonin Vaud. Pranë stacionit të trenit, një burrë sulmoi me thikë një kalimtar në një restorant kebapi.

Viktima, një 29-vjeçar me origjinë portugeze, humbi jetën në vendngjarje. Autori, një shtetas zvicerano-turk, u arrestua menjëherë dhe më vonë u dënua nga Gjykata Supreme Federale e Zvicrës me 20 vjet burg, pasi sulmi u cilësua si i motivuar nga ideologjia islamiste.

Të shtëna në stacionin e trenit në Pratteln

Në qershor të vitit 2022, një burrë hapi zjarr drejt kalimtarëve në stacionin e trenit në Pratteln në kantonin Basel-Landschaft. Autori ishte nën ndikim të fortë të alkoolit dhe arma e tij u bllokua, gjë që sipas hetuesve mund të ketë shmangur një tragjedi edhe më të madhe.

Në vitin 2024 ai u përball me drejtësinë dhe u dënua me dy vjet e gjysmë burg, pjesërisht me kusht, ndërsa ekspertët konstatuan se gjendja e tij mendore kishte qenë rëndë e dëmtuar në momentin e incidentit.

Pengmarrja në tren në Yverdon

Një tjetër incident dramatik ndodhi më 8 shkurt 2024 pranë Yverdon-les-Bains. Një azilkërkues kurdo-iranian mori peng 13 persona në një tren dhe i mbajti për rreth katër orë nën kërcënimin e një sëpate.

Pas negociatave të gjata, policia ndërhyri dhe e qëlloi për vdekje autorin. Pengjet shpëtuan pa lëndime. Hetimet më vonë treguan se ai vuante nga probleme të rënda psikologjike dhe kishte zhvilluar një obsesion ndaj një punonjësi të një qendre azili.

Debati për sigurinë në transportin publik

Edhe pse transporti publik në Zvicër konsiderohet ndër më të sigurtit në Evropë, incidentet e viteve të fundit tregojnë se ai nuk është imun ndaj akteve të dhunës apo krizave individuale.

Tragjedia në Kerzers ka rikthyer sërish pyetjet për sigurinë e pasagjerëve dhe për mënyrat se si autoritetet mund të parandalojnë incidente të ngjashme në të ardhmen, ndërsa hetimet për motivet e zjarrit fatal në autobusin postar vazhdojnë./Albinfo.ch

Bernë: Voziti 164 km/h në zonë me kufizim 80 km/h

Kantonspolizei Bern ka ndaluar një shofer që po lëvizte me shpejtësi shumë mbi kufirin e lejuar gjatë një kontrolli të trafikut të zhvilluar të martën në mbrëmje në Oberösch, në komunën Ersigen, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, 56-vjeçari u kap duke vozitur me 164 kilometra në orë, në një segment rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Shoferi u identifikua gjatë një kontrolli të shpejtësisë në rrugën Bern–Zürich, në zonën e Dörflistrasse. Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia arriti ta ndalojë automjetin dhe ta kontrollojë drejtuesin.

Më pas, burri u shoqërua në një stacion policor për verifikime të mëtejshme. Autoritetet i konfiskuan menjëherë patentë-shoferin, ndërsa ai pritet të përballet me drejtësinë sipas ligjeve zvicerane për shkeljet e rënda të shpejtësisë, të njohura si “raserdelikte”.

Policia bëri të ditur se procedurat ligjore ndaj tij janë në vazhdim./Albinfo.ch

Shqiptari nga Kosova i mbijeton tragjedisë në autobusin në Zvicër: Brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym

Mes personave që ndodheshin në autobusin postar që u përfshi nga flakët në Kerzers në kantonin Fribourg ishte edhe një shqiptar nga Kosova, i cili arriti të shpëtojë nga tragjedia ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimit të mediumit zviceran 20 Minuten, bëhet fjalë për Faton Berisha, i cili pësoi djegie në trup dhe dëmtime nga thithja e tymit, por arriti të dalë me vështirësi nga autobusi i përfshirë nga flakët.

Kushëriri i tij, Arbi Berisha, ka treguar se kishte mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi shpërtheu zjarri.
“Fatoni më telefonoi dhe më tha se autobusi ishte përfshirë nga zjarri dhe të shkoja sa më shpejt në parkingun e Migros. Në atë moment nuk dija çfarë të bëja, thjesht fillova të vrapoja”, rrëfen ai.

Sipas tij, e gjeti kushëririn pak më vonë kur doli nga tualeti i një restoranti pranë vendit të ngjarjes.
“U lehtësova kur e pashë, por ai kishte djegie në duar, në këmbë dhe në majën e hundës. Fytyra i ishte nxirë krejt nga tymi dhe mushkëritë i ishin dëmtuar”, tregon Arbi.

Ai shton se ishte pikërisht ai që i kishte sugjeruar Fatonit të merrte autobusin për t’u kthyer në shtëpi.
“Ai kishte dalë për një shëtitje të shkurtër dhe më telefonoi për të më pyetur si të kthehej në shtëpi. I thashë të merrte autobusin”, kujton ai.

Sipas dëshmisë së Fatonit, momentet kur shpërtheu zjarri ndodhën shumë shpejt. Ai ishte ulur në mes të autobusit, pranë dyerve të hyrjes dhe daljes. Një burrë që ndodhej pranë hapësirës për biçikleta dyshohet se kishte nxjerrë një çakmak dhe ishte spërkatur me benzinë.

“Në atë moment Fatoni bërtiti me zë të lartë. Brenda pesë ose gjashtë sekondash autobusi u mbush plot me tym dhe nuk shihej asgjë”, rrëfen Arbi duke përcjellë dëshminë e kushëririt të tij.

Fillimisht dyert e autobusit nuk u hapën dhe Fatoni pësoi djegie në duar duke u përpjekur t’i hapte ato.
“Më pas ai dëgjoi se dyert u hapën dhe doli me vështirësi jashtë. Në atë moment më telefonoi”, tregon Arbi, i cili jeton rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes.

I plagosuri u dërgua për trajtim në Inselspital, ku sipas familjarëve djegiet më të rënda i ka në duar, ndërsa gjendja e tij konsiderohet relativisht stabile.

Megjithatë, përveç lëndimeve fizike, ai po përballet edhe me pasojat psikologjike të ngjarjes.
“Ai është shumë i traumatizuar dhe nuk mund të flejë”, ka thënë kushëriri i tij.

Ndërkohë, një tjetër shqiptar që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, Astrit B., pronar i një lokali në Kerzers, ka treguar se policia ishte në ambientet e biznesit të tij pak para incidentit për shkak të një raportimi për vjedhje.

Ai rrëfen se situata ndryshoi papritur kur njëri nga policët dëgjoi komunikimin në radio.
“Policët ishin te lokali im për shkak të një vjedhjeje. Papritur njëri prej tyre tha: ‘Ju lutem pak qetësi’, sepse po dëgjonte komunikimin në radio. Pas pak ai tha: ‘Duhet të largohemi menjëherë, është një emergjencë’”, ka treguar ai për median zvicerane Blick.

Pak çaste më vonë ai pa një re të madhe tymi në qiell.
“Policët hipën në veturë dhe arritën në vendin e ngjarjes për rreth 30 sekonda. Edhe unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë ishte tronditëse”, tha ai. /Albinfo.ch

Migros tërhiqet nga Gjermania pas 14 vitesh, humb mbi 570 milionë franga

Gjiganti zviceran i shitjes me pakicë Migros ka vendosur të tërhiqet plotësisht nga tregu gjerman, duke i dhënë fund një aventure 14-vjeçare që i ka kushtuar kompanisë më shumë se 570 milionë franga zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Tërheqja realizohet përmes shitjes së zinxhirit të supermarketeve bio Tegut, i cili do të merret nga gjiganti gjerman i tregtisë me pakicë Edeka. Me këtë vendim, dega më e madhe e grupit, Migros Zürich, i jep fund aktivitetit të saj në Gjermani.

Transaksioni përfshin jo vetëm rrjetin e supermarketeve bio, por edhe furrën e madhe Herzberger dhe operacionet logjistike të kompanisë. Në total, rreth 7400 punonjës dhe 340 filiale, si dhe qendra logjistike dhe selia në Fulda në landin Hessen, preken nga ky vendim.

Shefi i Migros Zürich, Patrik Pörtig, tha se situata e Tegut është përkeqësuar ndjeshëm pavarësisht përpjekjeve për ristrukturim. “E kemi analizuar në detaje situatën dhe kemi arritur në përfundimin se Tegut nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm në afatgjatë,” deklaroi ai.

Sipas kompanisë, ndërmjet viteve 2019, 2024 dhe 2025 janë bërë zhvlerësime të huave dhe investimeve në vlerë prej 512 milionë frangash. Edhe pse humbjet operative u ulën nga 55 milionë franga në 2024 në 26 milionë franga në 2025, biznesi vazhdoi të mbetej me rezultate negative.

Një nga arsyet kryesore të tërheqjes është konkurrenca shumë e fortë në tregun gjerman të shitjes me pakicë. Sipas Pörtig, diskontet si Aldi dhe Lidl janë “konkurrentë jashtëzakonisht agresivë”, ndërsa rrjetet e mëdha si Rewe dhe Edeka dominojnë tregun.

Në këto kushte, Tegut si një lojtar rajonal dhe me përmasa të mesme nuk arriti të konkurronte në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë arsye, Migros ka vendosur të përqendrojë strategjinë e saj kryesisht në tregun vendas në Zvicër. /Albinfo.ch

Dëshmitari rrëfen ngjarjen: Ajo që pashë ishte tronditëse

Një autobus që po digjej në qendër të Kerzers në Fribourg të Zvicrës mori gjashtë jetë njerëzish të martën në mbrëmje dhe i la të lënduar pesë të tjerë.

Dëshmitarët okularë raportojnë për skena dramatike dhe një përhapje shpërthyese të flakëve.

Kur të martën në mbrëmje rreth orës 18.25 në Kerzers FR autobusi u përfshi nga flakët, banorëve dhe kalimtarëve iu shfaq një pamje tmerri. Gjashtë njerëz humbin jetën në zjarrin shkatërrues, të paktën pesë të tjerë u lënduan. Garazhisti Astrit B.* (40), punishtja e të cilit ndodhet jo larg vendit të zjarrit, përshkruan për gazetën zvicerane Blick minutat dramatike në të cilat u zhvillua gjithçka, transmeton albinfo.ch.

Siç deshi rastësia, te ai ndodheshin pikërisht policë, sepse te ai ishte bërë një vjedhje. “Pastaj njëri nga policët papritur tha: ‘Ju lutem qëndroni pak të qetë’ – ai po dëgjonte komunikimin në radio. Pak më vonë tha: ‘Duhet të nisemi menjëherë, është një emergjencë’”, tregon ai.

“Ajo që pashë pastaj ishte tronditëse”

Pak më pas garazhisti sheh të ngrihet një re gjigante tymi të zi. “Policët hipën në veturë dhe brenda 30 sekondash ishin atje. Unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë pastaj ishte tronditëse”.

Autobusi kishte marrë flakë në mes të qendrës së fshatit. “Nga nxehtësia shpërthyen edhe gomat dhe fluturuan deri në 200 metra larg”, kujton dëshmitari. Dy policë – një burrë dhe një grua – kishin qenë të parët në vendngjarje dhe kishin provuar të koordinojnë operacionin e shpëtimit.

Zjarrfikësit, baza e të cilëve ndodhet drejtpërdrejt përballë garazhit, kishin nevojë për disa minuta derisa të mund të ndërhynin. “Gjithçka ndodhi kaq shpejt – dhe pastaj brenda pak çastesh gjithçka u përfshi nga flakët”, thotë garazhisti.

“Gruaja ime zakonisht udhëton gjithmonë me këtë autobus”

Se si i shpëtuan disa njerëz kësaj tragjedie, e tregon historia e Justyna S.* (39) nga Kerzers. Normalisht ajo shkon çdo ditë në punë pikërisht me këtë linjë autobusi postar, tregon bashkëshorti i saj. “Kishim vërtet fat – gruaja ime zakonisht shkon gjithmonë me këtë autobus në punë. Sot pata fatin ta marr vetë personalisht”.

Nëse ai do të ishte nisur vetëm pak më vonë, gjithçka do të dukej ndryshe, është i bindur ai: “Nëse do të isha vonuar ose nuk do të kisha mundur ta merrja, ajo do të kishte udhëtuar me këtë linjë – dhe unë nuk do t’ia falja kurrë vetes”. Gruaja e tij është veçanërisht e tronditur, sepse ajo i njeh shoferët në atë linjë dhe çdo ditë udhëton me ta.

(emri i ndryshuar)

https://www.blick.ch/schweiz/freiburg/augenzeuge-astrit-b-40-ueber-die-dramatischen-momente-in-kerzers-fr-reifen-explodierten-und-flogen-bis-zu-200-meter-weit-id21771222.html

Bau Investment Schweiz AG zgjeron portofolin me një nga projektet rezidenciale më të larta në Effretikon

Kompania Bau Investment Schweiz AG, me seli në Schlieren të Cyrihut, po forcon praninë e saj në tregun e pasurive të paluajtshme përmes blerjes së një objekti të rëndësishëm banimi në rajonin e Effretikon.

Ky projekt modern rezidencial, një ndër objektet më të larta në rajon, përfshin gjithsej 51 njësi banimi dhe karakterizohet nga arkitekturë e menduar me kujdes, lokacion strategjik dhe standarde të larta komoditeti për banorët.

Ndërtesa është projektuar në mënyrë që të integrohet në mënyrë harmonike me mjedisin përreth, duke kombinuar dizajnin bashkëkohor me funksionalitetin praktik të hapësirave të banimit. Apartamentet janë të përshtatshme për kategori të ndryshme banorësh, duke përfshirë familje, çifte dhe individë që kërkojnë cilësi të lartë jetese dhe një ambient modern e të rehatshëm.

“Me këtë investim, Bau Investment Schweiz AG zgjeron në mënyrë strategjike portofolin e saj të pasurive të paluajtshme me një projekt që ofron stabilitet afatgjatë të vlerës dhe potencial të konsiderueshëm zhvillimi në të ardhmen”, thotë Loris Shoshi, CEO i kompanisë.

Ndërsa Arsen Shoshi, Drejtor i Bordit në Bau Investment Schweiz AG, i cili ka më shumë se dy dekada eksperiencë në sektorin e pasurive të paluajtshme, thekson rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e kompanisë.

“Me këtë investim, ne po ndërtojmë një portofol afatgjatë pronash dhe po rrisim stabilitetin financiar të kompanisë sonë. Që nga periudha e pandemisë COVID-19, kur themeluam kompaninë, kemi pasur rritje të konsiderueshme dhe kemi zgjeruar operacionet tona në treg”, thotë ai.

Sipas tij, kombinimi i arkitekturës moderne, planifikimit funksional të hapësirave dhe vendndodhjes së favorshme e bën këtë kompleks banimi një investim të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm.

Ky projekt pasqyron vizionin e kompanisë për zhvillimin e pasurive të paluajtshme që jo vetëm përmbushin standardet bashkëkohore të banimit, por gjithashtu krijojnë vlerë të qëndrueshme për banorët, investitorët dhe komunitetin lokal.

Përmes projekteve të tilla, Bau Investment Schweiz AG kontribuon në zhvillimin urban dhe në krijimin e hapësirave moderne të jetesës në rajonin e Cyrihut. Kompania është e specializuar në konsolidimin dhe zgjerimin e portofolit të pronave të banimit ekzistues dhe aktualisht zotëron qindra apartamente.

Lexoni po ashtu:

“Bau Investment Schweiz AG”, kompania që lulëzoi në kohë pandemie

 

Draft-raporti i Parlamentit Evropian: Viti 2025 u konsiderua “vit i humbur” për Kosovën

Viti 2025 është vlerësuar si një “vit i humbur” për Kosovën në draft-raportin e përpiluar nga raportuesi për Kosovën në Parlamenti Evropian, Riho Terras, përcjell albinfo.ch.

Në dokumentin e datës 6 mars 2026 thuhet se procesi politik në vend u ndërpre ndjeshëm për shkak të zgjedhjeve dhe mosformimit të institucioneve funksionale gjatë një periudhe të gjatë të vitit.

“Në përgjithësi, 2025 duhet të konsiderohet vit i humbur për Kosovën, pasi për shkak të zgjedhjeve të rregullta në shkurt, as trupi legjislativ dhe as Qeveria nuk arritën të funksionojnë për një periudhë të gjatë”, thuhet në draft-raport.

Sipas dokumentit, gjatë vitit 2025 në Kosovë u mbajtën tri procese zgjedhore – dy parlamentare dhe një lokale – të cilat u zhvilluan në mënyrë paqësore. Megjithatë, kjo situatë solli ndërprerje të procesit normal politik dhe ndikoi negativisht në avancimin e disa reformave politike dhe ekonomike.

Në raport theksohet se për shkak të kësaj situate nuk mundi të zbatohej plotësisht as Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e Bashkimi Evropian për të përshpejtuar integrimin ekonomik të vendeve të rajonit.

Megjithatë, draft-raporti vlerëson se në disa fusha është shënuar përparim, përfshirë reformat zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Në të njëjtën kohë, theksohet se mbeten sfida të rëndësishme në reforma gjyqësore, lirinë e medias, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.

Sa i përket dialogut mes Kosovë dhe Serbi, raporti thekson se procesi nuk ka prodhuar rezultatet e pritura deri tani.

Dokumenti përmend gjithashtu se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës që nga viti 2023 kanë pasur ndikim negativ në progresin e vendit drejt integrimit evropian. Sipas raportit, ekziston rreziku që për shkak të këtyre masave të zbehet edhe mbështetja e qytetarëve për BE-në në Kosovë.

Draft-raporti pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamenti Evropian (AFET) më 16 dhe 17 mars. Nëse miratohet nga Parlamenti Evropian, ai do të shndërrohet në një rezolutë zyrtare të këtij institucioni.

Ambasada e Kosovës në Zvicër: Ende nuk ka informata nëse ka shtetas kosovarë mes viktimave të tragjedisë në autobus

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka informacione nëse në mesin e viktimave apo të plagosurve nga zjarri tragjik në një autobus postar në Zvicër ka shtetas të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Edhe sipas policisë zvicerane, identiteti i gjashtë personave që humbën jetën në këtë ngjarje ende nuk është konfirmuar, prandaj për momentin nuk mund të jepen detaje mbi përkatësinë e viktimave.

Ndërkohë, sipas të dhënave nga Kantonspolizei Freiburg, pesë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga zjarri. Katër prej tyre ishin pasagjerë të autobusit, ndërsa një tjetër është një ndihmës i emergjencës që kishte ndërhyrë për të ofruar ndihmë në vendngjarje.

Tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën dhe po trajtohen në spital, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se procesi i identifikimit të viktimave mund të marrë kohë, pasi në raste të tilla kryhen analiza të detajuara, përfshirë edhe identifikimin përmes ADN-së.

Ndërkohë, policia ka hapur edhe një linjë të posaçme telefonike për familjarët e viktimave, dëshmitarët dhe personat që mund të kenë informacione lidhur me ngjarjen, në numrin 0800 261 700. Autoritetet pritet të mbajnë gjithashtu një konferencë për media për të dhënë përditësimet më të fundit lidhur me hetimet për këtë tragjedi.

Policia zvicerane përjashton sulmin terrorist pas tragjedisë me autobusin në Kerzers

Autoritetet zvicerane kanë përjashtuar mundësinë që zjarri fatal në një autobus postar në komunën Kerzers të ketë qenë një sulm terrorist, ndërsa hetimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë në dyshimet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht nga një person brenda automjetit, përcjell albinfo.ch.

Sipas Kantonspolizei Freiburg, incidenti ndodhi të martën rreth orës 18:25 në rrugën Murtenstrasse, kur qendra e alarmit mori njoftim për një zjarr në një autobus të shërbimit postar që ishte nisur nga Düdingen drejt Kerzers në kantonin Freiburg.

Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, autobusi ishte tashmë plotësisht i përfshirë nga flakët. Zjarrfikësit ndërhynë për të shuar zjarrin dhe për të kryer operacionet e shpëtimit, ndërsa zona u izolua për arsye sigurie.

Si pasojë e ngjarjes tragjike, gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur. Sipas policisë, katër prej të lënduarve ishin pasagjerë të autobusit, ndërsa një tjetër është një ndihmës i emergjencës që ndërhyri në vendngjarje. Tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut.

Shefi i komunikimit në policinë kantonale, Martial Pugin, deklaroi për transmetuesin publik zviceran RTS se hetuesit janë të prirur të besojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
“Në këtë fazë nuk ka asgjë që të sugjerojë një motiv terrorist,” tha ai.

Edhe zëdhënësi tjetër i policisë, Frédéric Papaux, konfirmoi se dëshmitë e para tregojnë për mundësinë e një veprimi të qëllimshëm. Sipas tij, persona që ndodheshin pranë autobusit dhe disa pasagjerë kanë raportuar për një individ që mund të ketë përdorur një pajisje ndezëse.

Ndërkohë, një tjetër zëdhënëse e policisë lokale, Christa Bielmann, bëri të ditur se hetuesit po shqyrtojnë edhe raportimet sipas të cilave një person dyshohet se ka derdhur lëndë djegëse mbi veten para se të shpërthente zjarri. Megjithatë, policia thekson se rrethanat e sakta do të përcaktohen vetëm pas përfundimit të hetimeve.

Prokuroria publike ka hapur tashmë një hetim penal për këtë rast, ndërsa policia po vazhdon intervistimin e dëshmitarëve dhe verifikimin e të gjitha informacioneve për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Autoritetet gjithashtu kanë bërë të ditur se identifikimi i viktimave mund të zgjasë disa ditë. Sipas anëtarit të qeverisë kantonale të Freiburgut përgjegjës për sigurinë dhe drejtësinë, Romain Collaud, procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së kërkon kohë dhe është një procedurë standarde në raste të tilla tragjike.

Policia ka hapur gjithashtu një linjë të posaçme telefonike për viktimat, familjarët dhe dëshmitarët e mundshëm në numrin 0800 261 700, ndërsa një konferencë për media pritet të mbahet për të dhënë përditësimet më të fundit mbi hetimet./Albinfo.ch

Shqiptarja që jeton në Izrael flet për situatën atje: Veç mbrëmë u sulmuam 4 herë nga Irani

Shqiptarja që jeton dhe vepron në Izrael, Ita Gani, ka bërë të ditur se gjatë natës vendi është përballur me katër sulme nga Irani, duke e përshkruar situatën si të vështirë dhe të tensionuar, përcjell albinfo.ch.

Në një lidhje në emisionin “Ora Shtatë”, Gani tha se përveç sulmeve nga Irani, situata komplikohet edhe më tej pasi Hezbullahu nga Libani po sulmon paralelisht në veri të Izraelit.

“Situata vazhdon të jetë e vështirë. Mbrëmë natën kemi pasur katër sulme nga Irani dhe ajo që e bën ndryshe këtë luftë në këtë moment është se kemi edhe Hezbullahun e Libanit që paralelisht gjuan në veri të Izraelit”, u shpreh ajo.

Gani theksoi gjithashtu se një ndryshim i rëndësishëm në këtë konflikt është se Izraeli paralajmëron paraprakisht qytetarët në zonat ku planifikon të kryejë sulme, me qëllim që ata të largohen dhe të shmangen viktimat civile.

Filmi i Besim Ugzmajlit shpërblehet me Çmimin “Dokumentari më i Mirë” në Norvegji

Filmi “Pesë stinët e fëmijërisë sime”, në regji të Besim Ugzmajlit, është shpërblyer me çmimin Dokumentari më i Mirë në edicionin e XIII të West Nordic International Film Festival, i cili u mbajt në Ålesund, Norvegji, shkruan albinfo.ch.

Sipas jurisë, filmi rikujton rëndësinë e kujtesës në një botë në ndryshim të vazhdueshëm dhe të mbushur me konflikte. Veçanërisht u vlerësua gjuha kreative e veprës, ku animacioni dhe dokumentari ndërthuren për të krijuar një univers artistik unik.

Ky sukses ndërkombëtar shënon një tjetër arritje për kinematografinë kosovare dhe konfirmon punën krijuese të regjisorit Besim Ugzmajli, duke i vendosur veprat e tij në hartën e festivalëve prestigjiozë evropianë dhe botërorë./Albinfo.ch

Rita Ora merr rol në thrillerin kriminal “He Bled Neon”

Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e filmit të ri kriminal “He Bled Neon”, ku luajnë gjithashtu ish-ylli i futbollit amerikan, Marshawn Lynch, dhe aktori Paul Wesley. Projekti është prodhuar nga XYZ Films dhe drejtuar nga regjisori Drew Kirsch.

Premiera botërore e filmit pritet të zhvillohet më 16 mars 2026 në kuadër të SXSW Film & TV Festival. “He Bled Neon” është një thriller me shumë aksion, që ndjek historinë e Ethan, i luajtur nga Joe Cole, i cili kthehet në Las Vegas pas vdekjes misterioze të vëllait të tij, rol ky i interpretuar nga Paul Wesley. Gjatë hetimeve, ai ribashkohet me miqtë e vjetër, përfshirë personazhet e luajtura nga Rita Ora dhe Marshawn Lynch.

Ngjarja zhvillohet brenda 48 orëve dhe e zhyt protagonistin në një botë të rrezikshme krimi, plot tension dhe vendime të vështira. Në film luajnë gjithashtu aktorët Ismael Cruz Córdova dhe Josh Holloway, ndërsa muzika e tij është realizuar nga producenti dhe artisti ZHU.

Ky projekt shënon një kombinim të fuqishëm të talentit ndërkombëtar dhe të atmosferës intensive të thrillerit, duke e bërë filmin një nga premiera më të pritura të vitit 2026./Albinfo.ch

 

Leander Veizi, drejtori i ri artistik i Theater Regensburg në Gjermani

 

Koreografi dhe balerini shqiptar Leander Veizi do të marrë një rol të ri drejtues në karrierën e tij artistike, pas emërimit si drejtor artistik dhe koreograf i kompanisë së vallëzimit në Theater Regensburg, shkruan albinfo.ch.

Me fillimin e sezonit të ri artistik, 37-vjeçari do të udhëheqë trupën e vallëzimit të teatrit gjerman, ndërkohë që deri në përfundim të sezonit aktual do të vazhdojë të performojë si balerin aktiv.

Në një deklaratë, Veizi e përshkroi këtë moment si një fazë të rëndësishme tranzicioni në jetën profesionale. “Ky është momenti kur shumë balerinë fillojnë të orientohen drejt koreografisë dhe roleve të tjera artistike, duke kaluar gradualisht nga performanca aktive në skenë drejt krijimit dhe drejtimit artistik,” theksoi ai.

Balerini shtoi se mezi pret pesë muajt e fundit si performues aktiv dhe mundësinë për të nisur një kapitull të ri së bashku me ekipin e teatrit. “Vlerësoj shumë punën në ekip dhe mendimin komunitar, si dhe gëzimin për të krijuar gjëra të reja duke u mbështetur në traditë. Për këtë teatër, që e çmoj shumë, synoj të zhvilloj një vizion artistik ndërdisiplinor së bashku me trupën e vallëzimit,” u shpreh Veizi.

Emërimi i tij konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e artistit dhe një kontribut i ri në zhvillimin e artit të vallëzimit në skenën europiane./Albinfo.ch

 

Dëshimtari shqiptar: Ai i hodhi vetes benzinë dhe pastaj i vuri flakën vetes

Të martën në mbrëmje, një autobus postar u përfshi nga flakët në Kerzers, në kantonin e Fribourgut. Video dhe fotografi tregojnë automjetin duke u djegur me intensitet të madh. Sipas policisë, në këtë tragjedi kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona. Pesë persona të tjerë janë plagosur, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Në një konferencë për shtyp të martën në mbrëmje, policia konfirmoi se zjarri në autobusin postar ishte vendosur qëllimisht. Megjithatë, rrethanat e sakta janë ende nën hetim. Policia nuk komentoi nëse bëhej fjalë për një sulm terrorist.

Një video e siguruar nga kjo redaksi tregon skena pak pasi shpërtheu zjarri. Një person shihet duke vrapuar dhe duke bërtitur, ndërsa duket se ka djegie në duar. Në sfond dëgjohen britma dhimbjeje. Media 20 Minuten ka vendosur të mos e publikojë videon dhe në vend të saj të tregojë vetëm disa pamje (screenshots) nga ajo.

Në video, burri i plagosur dëgjohet duke thënë në shqip:

“Një burrë i vuri flakën vetes. Ai hodhi benzinë mbi vete dhe pastaj e ndezi.”

Më pas burri ulet në tokë. Një kalimtar i afrohet dhe e pyet nëse ka nevojë për ujë. Burri i plagosur pohon se po. Qysh më herët në Kerzers kishin qarkulluar thashetheme se dikush i kishte vënë flakën vetes.

Deri tani, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën. Identiteti i të plagosurve dihet, por të vdekurit ende nuk janë identifikuar. Katër persona nga autobusi u plagosën, si dhe një person tjetër që nxitoi për të ndihmuar. Disa nga të plagosurit u transportuan me helikopter drejt spitalit.

Sipas policisë, zjarri u vu shpejt nën kontroll. Ka indikacione se një person i vetëm mund ta ketë shkaktuar zjarrin, por mënyra se si ndodhi saktësisht ende nuk është e qartë. Hetimet për shkakun e zjarrit janë duke vazhduar dhe pritet të zgjasin gjatë gjithë natës. Policia ka hapur edhe një linjë telefonike për informacione: 0800 261 700.

https://www.20min.ch/story/kerzers-fr-er-hat-sich-mit-benzin-ueberschuettet-und-dann-angezuendet-103523938

11 kosovarë evakuohen nga Dubai dhe arrijnë në Aeroportin e Shkupit

Pasditen e sotme, 11 kosovarë janë evakuuar nga Dubai dhe kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, pjesë e grupit të dytë të qytetarëve që u larguan pas shpërthimit të luftës mes ShBA-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, personat kanë fluturuar shëndoshë e mirë, dhe mes tyre gjenden edhe shtetas nga Serbia (7), Bosnja dhe Hercegovina (2), Shqipëria (2), Gjermania (1), Armenia (1) dhe Mali i Zi (1).

Ministria sqaroi se fluturimi u organizua në koordinim me institucionet kompetente dhe se kostot u mbuluan plotësisht nga shteti.

Ndërkohë, pritet që grupi i tretë i qytetarëve të mbërrijë nesër në Prishtinë me fluturim nga Riadi, Mbretëria e Arabisë Saudite./Albinfo.ch

Dyshohet për akt të qëllimshëm, 6 viktima nga zjarri në një autobus në Kerzers

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në mbrëmje në komunën Kerzers në kantonin Freiburg, ku një autobus postar është përfshirë nga flakët duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima dhe disa të plagosur, përcjell albinfo.ch.

Sipas Kantonspolizei Freiburg, qendra e alarmit është njoftuar rreth orës 18:25 për një zjarr në një autobus postar në rrugën Murtenstrasse në qendër të Kerzers. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, automjeti ishte tashmë plotësisht i përfshirë nga flakët.

Zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe për operacionet e shpëtimit, ndërsa zona u rrethua për arsye sigurie. Autobusi, i cili ishte nisur nga Düdingen drejt Kerzers, u dogj pothuajse tërësisht.

Policia konfirmoi se si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Viktimat ende nuk janë identifikuar. Mes të plagosurve janë pesë persona që ndodheshin në autobus dhe një person tjetër që kishte ndërhyrë për të ndihmuar. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike dhe janë dërguar në spital.

Autoritetet dyshojnë se zjarri është shkaktuar nga një veprim i qëllimshëm njerëzor. Sipas disa dëshmitarëve dhe raportimeve nga persona të pranishëm në vendngjarje, një burrë dyshohet se ka derdhur benzinë dhe më pas i ka vënë flakën vetes brenda autobusit. Policia ka bërë të ditur se është në dijeni të këtyre pretendimeve, por nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme pasi hetimet janë në vazhdim.

Për familjarët dhe personat që mund të kenë informacione lidhur me ngjarjen, policia ka hapur një linjë emergjente në numrin 0800 261 700.

Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal. /Albinfo.ch

Kerzers: Dëshmitarët thonë se “një person ka përdorur qëllimisht një pajisje ndezëse”

Në zjarrin që shpërtheu në qendër të Kerzers, Fribourg, të martën në mbrëmje pati gjashtë viktima dhe pesë të plagosur, sipas policisë kantonale.

Policia aktualisht dyshon për zjarrvënie të qëllimshme. Hetimi është duke vazhduar. Tre nga të plagosurit janë në gjendje kritike, sipas policisë, dhe një u transportua me helikopter në spital, transmeton albinfo.ch.

Policia aktualisht beson se zjarri është ndezur qëllimisht nga një individ, raportohet. Hetimi është duke vazhduar.

“Sipas deklaratave të dëshmitarëve, një person qëllimisht ka përdorur një pajisje ndezëse,” shpjegoi Frédéric Papaux, zëdhënës i policisë. Ai theksoi se hetimi është duke u zhvilluar, raporton sda.ch.

Identifikimi i të ndjerëve është duke vazhduar.

Identitetet e të plagosurve janë përcaktuar. Sipas policisë, identifikimi i të ndjerëve është ende në pritje dhe puna e nevojshme ka filluar tashmë. Policia ka ngritur një linjë telefonike për të afërmit në 0800 261 700.

Autobusi po udhëtonte nga Düdingen në Kerzers, u tha më tej në konferencën për shtyp. Qendra e emergjencës dhe alarmit e policisë kantonale u informua për zjarrin në Murtenstrasse në Kerzers rreth orës 18:25. Kur shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, automjeti ishte përfshirë plotësisht nga flakët.

Policia nuk ishte në gjendje të jepte informacion mbi numrin e pasagjerëve në autobusin postar. Zjarri shpërtheu përgjatë rrugës. Operacionet e shpëtimit ishin ende duke u zhvilluar deri të martën vonë.

Fenerbahçe nis garën për Fisnik Asllanin, a do ta rrëmbejë nga Europa?

Klubi turk Fenerbahçe po intensifikon përpjekjet për të sjellë në radhët e veta sulmuesin kosovar Fisnik Asllani, aktualisht pjesë e skuadrës gjermane Hoffenheim.

Sipas mediave sportive, drejtuesit e klubit nga Stambolli janë seriozisht të interesuar për të transferuar 23-vjeçarin gjatë afatit kalimtar veror, me synim forcimin e sulmit për sezonin e ardhshëm.

Raportimet e fundit tregojnë se edhe klube si Chelsea dhe disa të tjera nga Liga Premier, si dhe ekipe të ndryshme evropiane, po monitorojnë nga afër Asllanin, duke e bërë këtë transferim një objektiv të rëndësishëm në treg.

Megjithatë, Fenerbahçe synon të jetë konkurrent serioz dhe të bindë Hoffenheim për ta blerë lojtarin. Klubi gjerman kërkon rreth 30 milionë euro, një shifër që reflekton performancën premtuese të Asllanit këtë sezon dhe interesimin e klubeve të mëdha për të.

23-vjeçari ka qenë ndër lojtarët më të dalluar të Hoffenheim këtë sezon, duke realizuar 9 gola dhe 8 asistime në 26 paraqitje në të gjitha kompeticionet.