Dr. Qendrim Zahiri – një familje mjekësh me rrënjë në Kosovë dhe sukses në Zvicër

Nga përvoja ime me mjekët shqiptarë në Zvicër, kam takuar shumë profesionistë të përkushtuar, në profile të ndryshme, shpesh në pozicione të larta, me reputacion të lartë e me përkushtim shembullor ndaj profesionit. Por një familje ku thuajse të gjithë anëtarët janë mjekë, si ajo e Dr. Qendrim Zahirit, është vërtet e rrallë.

A e keni ditur që mjeku i mjekësisë së përgjithshme Dr. med. Qendrim Zahiri me ordinancën e tij të dytë në Adlsiwil, afër Zürichut, ka perveç babait mjek dhe ç’është edhe me e veçantë në këtë storje suksese, janë vëllëzerit e Qendrimit, dy prej tyre binjak.

Babai i doktor Qendrimit Izajdini, është pediatër, ai vetë internist, ndërsa vëllezërit e tij binjak janë njëri neurolog dhe tjetri internist. Ata po bëjnë specializimin në Gjermani. Nëna e tyre, ndonëse nuk është në fushën e mjekësisë, është profesoreshë e gjuhës. Prindërit jetojnë në Kosovë dhe shpesh udhëtojnë për t’i vizituar djemtë e tyre në Zvicër, Gjermani e Austri.

`»Prindërit tanë kanë punuar shumë që ne të arrijmë profesionalisht këtu ku jemi tani, por nuk kishin menduar asnjëherë se një ditë të gjithë do të largoheshim nga Kosova», tregon Qendrimi me emocion.

Në inaugurimin e ordinancës së tij të dytë, prindërit ishin aty, pranë tij, duke përshëndetur mysafirët, ndërsa bashkëshortja dhe vëllezërit e tij pritnin kolegë, miq dhe shumë mjekë shqiptarë që kishin ardhur për ta uruar.

Foto Genti Mersinaj

Nga Austria në Zvicër – një rrugëtim sfidues

Në pyetjen pse la Austrinë për Zvicrën, Dr. Zahiri thekson:“Rruga ime nga Austria në Zvicër nuk ka qenë e lehtë. Studimet, specializimi dhe vetëfinancimi, gjithçka duhej ta përballoja vetë. Punova ditën, mësova natën dhe hapa pas hapi ndërtova të ardhmen time. Ishte periudhë e vështirë, por që më formoi për jetën.”

Në Zvicër ai filloi nga një pozitë më e ulët, por me përkushtim arriti të ngjitet në pozita drejtuese.

“Kur fillon të marrësh përgjegjësi profesionale, ballafaqohesh me sistemin drejtues të institucioneve. Pikërisht këto sfida më shtynë drejt pavarësisë profesionale, dhe nuk jam penduar asnjëherë. Ishte hapi i duhur.”

Foto: Genti Mersinaj

 Adliswil ZH – një zgjedhje me vizion

Pse zgjodhi Adliswil-in për ordinancën e tij, pyesim doktor Qendrimin?

“Adliswili është një qendër me mbi 20 mijë banorë, me komunitet të madh shqiptar. Ordinanca jonë është moderne, e pozicionuar në një lagje të frekuentuar dhe e lidhur mirë me rrjetin rrugor nga të gjitha drejtimet.”

Në ordinancën e tij ofrohen shërbime të mjekësisë familjare dhe të përgjithshme, duke përfshirë kontrolle të rregullta, “check-up”, ultrazë, EKG dhe ndërhyrje të vogla.

“Për ne është e rëndësishme që pacientët shqiptarë të ndihen rehat, prandaj ofrojmë shërbim edhe në gjuhën shqipe, terminologjia mjekësore është e ndërlikuar dhe komunikimi në gjuhën amtare e bën më të lehtë dhe më të sigurt.”

Foto: Genti Mersinaj

 Një bashkëshortje menaxhere dhe bashkëpunëtore

Bashkëshortja e tij, Adelina, magjistre e shkencave ekonomike, ka luajtur një rol kyç në suksesin e tij. “Ajo menaxhoi ordinancën time të parë dhe tani edhe të dytën. Por përveç kësaj, ajo zhvilloi një linjë produktesh ortopedike në bashkëpunim me mua, proteza që njihen dhe mbulohen 100% nga sigurimet shëndetësore në Zvicër. Kjo është diçka unike në treg.”

Foto: Genti Mersinaj

 

Tradita mjekësore në familjen Zahiri, ku mjekësia është temë e përditshme.

“Kur mblidhemi në shtëpi, zakonisht diskutojmë raste profesionale. Nënat dhe bashkëshortet na qortojnë duke thënë ‘na lodhët me mjekësi’, por kjo na forcon dhe na ndihmon të zhvillohemi profesionalisht,” tregon ai me buzëqeshje.

albinfo.ch

 Komuniteti shqiptar në Zvicër -Dr. Zahiri flet me respekt për komunitetin shqiptar:

“Jam habitur pozitivisht. Komuniteti shqiptar këtu është i emancipuar, intelektualisht i ngritur dhe i integruar në sistemin zviceran. Ky është dallimi që veçon komunitetin shqiptar në Zvicër nga vende të tjera emigrimi.”

Foto: Genti Mersinaj

 Dëshira për të kontribuar për Kosovën

Megjithëse jeton e punon në Zvicër, lidhja me Kosovën mbetet e fortë:

“Kosova është foleja jonë. Ëndrra është që një ditë të kthehemi e të kontribuojmë për vendin, ndonëse edhe tani e vizitojmë rregullisht për pushime.”

Foto: Genti Mersinaj

Si mund të bëheni pacient i Dr. Qendrim Zahirit, pyesim mjekun që ka vlerësime të larta dhe nga vetë kolegët e tij.

“Shumë thjeshtë”, thotë ai me buzëqeshje. “Hapi i parë është dëshira. I dyti, caktimi i një termini dhe më pas gjithçka ecën natyrshëm.”

Në fund të bisedës, mbetet përshtypja e një njeriu modest, por me qëllime të qarta, që punon me dashuri për profesionin, për familjen dhe për komunitetin e tij.

Autor: Bekim Dalipi

Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto Genti Mersinaj

Zvicër: Mocioni për të rregulluar zonat me shpejtësi 30 km/orë po has në rezistencë

Qeveria federale planifikon ta bëjë më të vështirë për qytetet dhe bashkitë vendosjen e kufizimeve të shpejtësisë prej 30 km/orë në rrugë. Kundër këtij propozimi, 600 qytete dhe bashki kanë dërguar një letër të hapur, duke kërkuar më shumë liri veprimi, përcjell albinfo.ch.

Ata argumentojnë se njësitë lokale janë në pozicionin më të mirë për të vlerësuar nevojat e tyre dhe për të zbatuar zgjidhje të përshtatshme. Qytetet dhe bashkitë kërkojnë që ndarja ekzistuese e përgjegjësive midis niveleve të ndryshme të qeverisjes të respektohet, pa kufizime të mëtejshme nga qeveria federale apo kantonale.

https://www.srf.ch/news/schweiz/tempo-30-gemeinden-wehren-sich-gegen-tempo-30

Serbia gjobitet mbi 87 mijë franga zvicerane për shkeljet në ndeshjen me Shqipërinë

Bëhet e ditur se Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur rëndë nga FIFA për shkeljet e shumta në ndeshjen ndaj Shqipërisë në Leskovc, transmeton albinfo.ch.

Kujtojmë se muajin e kaluar kuqezinjtë fituan 1:0 me golin e Rey Manajt, kurse serbët fishkëllyen himnin shqiptar dhe bënë fyerje të tjera ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes.

Kjo i ka kushtuar federatës serbe me gjobë prej 87 mijë e 500 franga zvicerane dhe mbyllje të 25 për qind të stadiumit për tifozë, për ndeshjen e ardhshme me Letoninë.

Federata serbe dënohet rregullisht për fyerjet ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Hedhja e mbeturinave në Basel do të bëhet më e shtrenjtë nga viti 2026

Qeveria kantonale e Basel-City ka miratuar një rishikim të plotë të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, me qëllim mbulimin e deficitit ekzistues në fondin e këtij sektori, përcjell albinfo.ch.

Si pjesë e ndryshimeve të reja, tarifat për hedhjen e mbeturinave do të rriten, përfshirë çmimet e qeseve të detyrueshme të plehrave.

Duke filluar nga 1 janari 2026, çmimi i qeses 35-litërshe “Bebbi” do të rritet nga 2.30 franga në 2.70 franga, ndërsa stikeri për mbeturina të mëdha (bulky waste) do të kushtojë 5 franga, nga 4.50 franga aktuale. Po ashtu, stikeri për mbeturinat organike (green waste) do të rritet nga 3 franga në 4.15 franga.

Autoritetet kantonale kanë njoftuar se tarifat do të rishikohen të paktën çdo tre vjet dhe do të përshtaten sipas nevojës, për të siguruar që sistemi i menaxhimit të mbeturinave të mbetet financiarisht i qëndrueshëm.

Zvicra dëshiron që OKB-ja të njohë artin e “Yodel-ay-HEEE-Oooo”

Qeveria zvicerane ka propozuar që arti tradicional i jodelit të përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, përcjell albinfo.ch.

Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara pritet të marrë vendimin deri në fund të këtij viti. Nëse miratohet, jodeli do t’i bashkohet një sërë formash të tjera të shprehjes kulturore që përfaqësojnë identitetin zviceran, si karnavalet e Basel-it (Basel Fasnacht), Festa e Vreshtarëve në Vevey, zanati i orëndreqjes, dhe sezoni tradicional i kullotave alpine.

Jodeli – i njohur për këngët karakteristike që alternojnë tonet e ulëta dhe të larta me tingujt “ay-heee-ooo” – ka qenë për shekuj simbol i jetës në Alpe dhe i bashkimit të komuniteteve malore. Propozimi i ri synon ta mbrojë dhe promovojë këtë art si një pjesë thelbësore të trashëgimisë kulturore të Zvicrës.

Kosovë: Dy vëllezër vriten nga dhëndri

Raportohet se dy vëllezër janë vrarë të enjten nga dhëndri i tyre në fshatin Golluboc të Malishevës, ka njoftuar Policia e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se i dyshuari, siç ka thënë Policia, është nga një fshat i Drenasit. Ai është identifikuar, por ende s’është arrestuar.

Në raportin e Policisë thuhet se dy vëllezërit rreth orës 11:30 u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në raport.

Lidhur me rastin, sipas Policisë, është identifikuar një person i dyshuar, burrë i moshës madhore. “Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në raport.

Rritjet e pagave do të jenë të kufizuara në vitin 2026

Negociatat për pagat në Zvicër pritet të jenë të vështira gjatë vitit 2026, sipas një ankete të realizuar nga banka UBS me punëdhënësit zviceranë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, tarifat e larta amerikane po kufizojnë mundësitë e kompanive zvicerane për manovrim financiar, gjë që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e pagave.

Si rezultat, rritjet nominale të pagave pritet të stabilizohen rreth 1 për qind, krahasuar me 1.4 për qind në vitin 2025.

Megjithatë, disa sektorë pritet të performojnë më mirë se të tjerët. Sektori i teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit (IT & Telecom) do të regjistrojë rritjen më të lartë mesatare prej rreth 1.7 për qind, ndërsa industria eksportuese, përfshirë prodhimin e orëve, do të përballet me një rritje shumë më të ulët, vetëm rreth 0.4 për qind.

Raporti i UBS nënvizon se pasiguria ekonomike globale dhe presioni i konkurrencës ndërkombëtare po e bëjnë të vështirë për bizneset zvicerane të ruajnë ritmin e rritjes së pagave që kanë pasur në vitet e fundit. /Albinfo.ch

SHBA pezullon 10% të fluturimeve pas krizës së qeverisë

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, njoftoi të mërkurën se do të urdhërojë ulje me 10% të fluturimeve në 40 aeroportet kryesore të Shteteve të Bashkuara, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e trafikut ajror, ndërsa mbyllja e qeverisë federale ka hyrë në ditën e saj të 36-të – më e gjata në historinë e vendit, përcjell albinfo.ch.

Plani i ri, që hyn në fuqi brenda pak ditësh, detyron linjat ajrore të bëjnë shkurtime të menjëhershme në oraret e tyre. Pasagjerët kanë mbingarkuar linjat e ndihmës së kompanive me ankesa dhe pasiguri për udhëtimet në ditët e ardhshme, raporton Reuters.

Presion për t’i dhënë fund bllokimit politik

Duffy tha se kufizimet mund të hiqen nëse Demokratët bien dakord të rihapin qeverinë.
“Na u desh të bënim një reflektim të thellë për detyrën tonë. Detyra jonë është të marrim vendime të vështira për të mbajtur hapësirën ajrore të sigurt”, tha ai.

Mbyllja ka detyruar 13,000 kontrollorë ajrorë dhe 50,000 agjentë të sigurisë (TSA) të punojnë pa pagesë. Administrata Trump po shton presionin mbi demokratët, duke paralajmëruar pasoja të rënda në transportin ajror nëse nuk arrihet marrëveshja për financimin e qeverisë.

Demokratët ndërkohë fajësojnë republikanët, duke i akuzuar se po refuzojnë të negociojnë për subvencionet e sigurimeve shëndetësore që janë pjesë e projektligjit të buxhetit.

Reduktimet do të përshkallëzohen

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), uljet do të nisin me 4%, do të rriten në 5% të shtunën, 6% të dielën dhe do të arrijnë 10% javën e ardhshme.
Fluturimet ndërkombëtare do të përjashtohen nga masat.

“Kur shohim presion të madh në këto 40 tregje, nuk mund ta injorojmë”, theskoi administratori i FAA-së, Bryan Bedford. “Veprojmë tani për të mbajtur sigurinë në nivel maksimal”, tha ai.

Edhe pse qeveria nuk publikoi listën e aeroporteve, pritet që kufizimet të prekin 30 aeroportet më të ngarkuara në vend, përfshirë Nju Jorkun, Uashingtonin, Çikagon, Atlantën, Los Anxhelesin dhe Dallasin.

lg.php.gif

Sipas të dhënave të firmës Cirium, kjo mund të ndikojë në rreth 1,800 fluturime dhe mbi 268,000 vende pasagjerësh çdo ditë.

Reagimet e linjave ajrore

Kompania United Airlines tha se do të ruajë fluturimet ndërkombëtare dhe ato ndërmjet qendrave kryesore (hub-to-hub), ndërsa do të shkurtojë fluturimet rajonale dhe ato më pak fitimprurëse.
CEO i kompanisë, Scott Kirby, premtoi fleksibilitet për klientët.

“Çdo pasagjer që udhëton gjatë kësaj periudhe mund të kërkojë rimbursim, edhe nëse fluturimi i tij nuk është anuluar”, theksoi ai.

American Airlines njoftoi se shumica e klientëve të saj nuk do të përjetojnë ndërprerje të mëdha, ndërsa Southwest Airlines, operatori më i madh i fluturimeve brenda SHBA-së, po vlerëson ndikimin dhe u bëri thirrje ligjvënësve “të zgjidhin menjëherë bllokimin”.

Shoqata e Stjuardesave të Fluturimeve (AFA-CWA), që përfaqëson 55,000 punonjës, e quajti mbylljen “sulm mizor ndaj të gjithë amerikanëve”.

Pasojat ekonomike

Mbyllja e qeverisë, që filloi më 1 tetor, ka lënë pa ndihma ushqimore shumë familje me të ardhura të ulëta, ka mbyllur shërbime federale dhe ka pezulluar rreth 750,000 punonjës publikë.

Dronë mbi aeroporte, Belgjika mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Këshilli i Sigurisë kombëtare i Belgjikës do të mbajë një takim urgjent, pasi pamjet e dronëve në aeroporte shkaktuan kaos për udhëtarët dhe ngritën shqetësime për sigurinë, përcjell albinfo.ch.

Mbërritjet dhe nisjet u ndaluan për disa orë të martën në mbrëmje në aeroportin më të ngarkuar të Belgjikës, Brukselin, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve.

Qielli u mbyll gjithashtu mbi aeroportin e Liege, një qendër e rëndësishme për transportin e mallrave, duke çuar në anulime, vonesa dhe devijime të mëtejshme.

U raportua se oficerët e policisë dhe ushtrisë kishin parë katër dronë në bazën ajrore ushtarake Schaffen aty pranë.

Përpara pamjeve të fundit, autoritetet belge po hetonin pamjet misterioze të dronëve në disa baza ushtarake gjatë fundjavës, përfshirë Kleine-Brogel, pranë kufirit holandez, i cili është shtëpia e aeroplanëve luftarakë F-16 të Belgjikës dhe raportohet gjerësisht se ruan armë bërthamore amerikane.

Ndryshe, pamjet e dronëve në Belgjikë janë vetëm të fundit, pas një rritjeje të ndërhyrjeve në hapësirën ajrore evropiane që nga mesi i shtatorit.

Në javët e fundit, dronë janë parë në Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Gjermani, Poloni, Norvegji dhe Spanjë.

Ambasada e Kosovës në Shkup reagon për rastin e studentes nga Kosova të gjetur pa shenja jete në Tetovë

Pas lajmit se një vajzë 24-vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete në Tetovë, ka reaguar Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, përcjell albinfo.ch.


Në reagimin zyrtar thuhet se ambasada është njoftuar nga Policia Rajonale e Tetovës për rastin dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar para pak orësh nga Policia Rajonale e Tetovës se sot, rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit,” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Shqipdona Lahu doktoron në Universitetin Teknik të Mynihut

Doktorata e Shqipdona Lahut është vlerësuar si doktoratura më e mirë për periudhën akademike 2024–2025Universitetin Teknik të Mynihut (Technical University of Munich – TUM), një prej institucioneve më prestigjioze të arsimit të lartë në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian, transmeton albinfo.de.

Për këtë arritje, Fondacioni “Dimitris N. Chorafas” i ndau Lahut Çmimin e vitit 2025 në fushën e Shkencave të Jetës dhe Mjekësisë (Life Sciences and Medicine), si shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të spikatur në kërkimin shkencor.

Ajo mbrojti temën e doktoraturës me titull:

“Novel aspects of antiplatelet drug therapy in patients undergoing percutaneous coronary interventions”, në fushën e kardiologjisë ndërhyrëse.

Mbrojtja u zhvillua para një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga ekspertë gjermanë dhe zviceranë, ku Lahu mori vlerësimin më të lartë akademik “Summa cum laude”, duke u promovuar zyrtarisht si Doktor i Shkencave Mjekësore (Ph.D.), nën mentorimin Dr. Adnan Kastrati, para komisionit të përbërë nga: Prof. Dr. Maximilian Reichert – kryetar, Prof. Dr. Barbara Stähli – anëtare e jashtme nga Zvicra, Prof. Dr. Isabell Bernlochner – anëtare, Prof. Dr. Sebastian Kufner – anëtar, transmeton tutje albinfo.de. 

Gjatë studimeve të saj doktorale, Shqipdona Lahu ka kontribuar me mbi 25 punime shkencore të botuara në revista ndërkombëtare të njohura të mjekësisë, si autore e parë dhe bashkautore. Po ashtu, ajo ka qenë pjesëmarrëse aktive në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare në fushën e kardiologjisë.

Në vitin 2022, ajo u pranua si “Fellow në Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë” (FESC), duke u renditur ndër profesionistët e dalluar të kësaj fushe.

Aktualisht, Shqipdona Lahu ndodhet në specializim në Klinikën Universitare të Kardiologjisë, “Deutsches Herzzentrum” në Mynih, ku vazhdon të kontribuojë në kërkimin shkencor dhe në praktikën mjekësore bashkëkohore në fushën e kardiologjisë./Albinfo.de

Yakini tregon pse nuk e ftoi Jasharin

Ardon Jashari është kthyer në fundjavë në ekipin e Milanit por nuk ka nisur ende me ndeshje pas lëndimit të rëndë që e pësoi dy muaj më parë, përcjell albinfo.ch.

Dhe për këtë arsye ai nuk u ftua nga Zvicra për ndeshjet me Suedinë dhe Kosovën.

Këtë e bëri të ditur përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, në konferencën.

“Ardoni është kthyer vetëm së fundi dhe ende nuk është 100 për qind gati. Për këtë e kemi planifikuar këtë grumbullim pa të. Për këtë jemi marrë vesh edhe me lojtarin”, ka thënë Yakin.

Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në Gjermani u mbajt promovimi i librit bestseller “Një Ditë Tjetër” të autores së njohur Mira Kazhani, përcjell albinfo.ch.

Libri autobiografik, botuar nga shtëpia botuese Dora Distria, sjell rrëfimin e ndjerë dhe personal të autores për periudhën më të vështirë të jetës së saj, betejën me një sëmundje të rëndë, tumorin në gji.

Përmes këtij rrëfimi të sinqertë, Kazhani ofron një udhëzues shpirtëror e praktik për këdo që përballet me sfida të papritura në jetë, duke përcjellë forcë, besim dhe shpresë. “Një Ditë Tjetër” është një histori që frymëzon dhe tregon se drita e brendshme mund të triumfojë edhe në ditët më të errëta.

Ky ishte promovimi i parë i librit në Evropën Perëndimore, që mblodhi bashkatdhetarë, dashamirë të librit dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Gjermani. Mbrëmja u përmbyll me një bufe tradicionale shqiptare, verë nga Kosova dhe bashkëbisedime të ngrohta me pjesëmarrësit, shkruan Faruk Ajeti,

Ambasadori i Kosovës në Gjermani.

Kosova prezanton potencialin turistik në “World Travel Market London”

Kosova pavarësisht se është një vend i vogel, ka potencial turistik.

Vendet më turistike të Kosovës po prezantohen në “World Travel Market London”, një prej panaireve më të rëndësishme të turizmit në botë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë ngjarje madhështore, me përkrahjen e KIESA-s, kompani nga sektori i turizmit kosovar po prezantojnë ofertat dhe potencialin e jashtëzakonshëm që vendi ynë ofron për vizitorët ndërkombëtarë.

 

 

Ambasadori Kapiti shprehu mirënjohjen për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit si sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe imazhin e vendit tonë.

 

Rrezikohet mbyllja e Spitalit të dytë më të madh në Graubünden

Spitali i dytë më i madh në kanton, i vendosur në Samedan, rrezikon të mbyllet pranverën e ardhshme. Komunat Zuoz, Silvaplana dhe Madulain refuzuan huan prej 51 milionë frangash për një marrëveshje të re shërbimi me operatorin e spitalit.

Pa këtë financim, Fondacioni i Kujdesit Shëndetësor të Engadinit të Sipërm (SGO) paralajmëron se spitali mund të jetë i falimentuar deri në pranverën e vitit 2026. Fondacioni po planifikon të kërkojë një moratorium borxhi për të shmangur hapjen e menjëhershme të procedurave të falimentimit.

Kryetarja e bordit të SGO, Selina Nicolay, thekson se prioritet mbetet gjetja e zgjidhjeve alternative për stafin dhe vazhdimin e shërbimeve shëndetësore gjatë dimrit. Një alternativë e mundshme për sigurimin e kujdesit është bashkëpunimi me Klinikën Gut AG dhe Spitalin Kantonale të Graubünden, por kjo kërkon miratimin e të 11 komunave pjesëmarrëse.

Kryetari i Zuoz, Romeo Cusini, shprehet se duhet të vendoset midis riparimit të shërbimeve ekzistuese ose krijimit të një strukture të re.

 

Tragjedi në Tetovë: Një 25-vjeçare nga Kosova gjendet e pajetë

Trupi i një 25-vjeçareje nga Kosova, që dyshohet të jetë studente në Tetovë, është gjetur i pajetë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, dhe hetuesit po konsiderojnë mundësinë e vrasjes, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe shkaqe të tjera.

Sipas raportimeve të AlsatMk, trupi i saj është gjetur nga kalimtarë pas tregut të gjelbër në Tetovë.

Policia dhe Prokurori Publik janë në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet e nevojshme.

 

Si i keqpërdorën ndihmat sociale të Zvicrës të dyshuarit për financim të terrorizmit?

Dy simpatizantë të ISIS-it nga Gjeneva, me origjinë kosovare, janë duke u gjykuar para Gjykatës Federale Penale. Ata mohojnë akuzat. Rasti ndjek modele të njohura.

Marrja e subvencioneve për fëmijë që nuk jetojnë më në Zvicër. Marrja e ndihmës sociale ndërkohë që punon si taksist pa e deklaruar. Falsifikimi i aksidenteve automobilistike për të përfituar nga sigurimet. Apo marrja e kredive të fryra të Covid-19 dhe përdorimi i tyre për të financuar një organizatë terroriste që synonte të krijonte një shtet islamik në Ballkan sipas ligjit Sharia.

Akuzat e ngritura nga Zyra Federale e Prokurorit Gjerman ndaj dy burrave nga Gjeneva duken të guximshme, por nuk janë incidente të izoluara. Për shembull, Anis Amri, që kreu sulmin në një treg Krishtlindjesh në Berlin, përdori disa identitete të rreme dhe mori përfitime sociale në Gjermani si azilkërkues. Sulmuesit në Francë gjithashtu jetuan me ndihmë sociale ose përfitime të papunësisë, ndonjëherë ligjërisht.

Rreth 40 për qind e potencialëve kryesve marrin përfitime të ndryshme sociale – si ndihma sociale, sigurimi i paaftësisë ose përfitime të papunësisë.

Sipas Miryam Eser nga Departamenti i Punës Sociale në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW), rrjedha e përfitimeve sociale drejt organizatave terroriste nuk është e pazakontë as në Zvicër. Në një studim të vitit 2019, ajo analizoi të dhëna të mbledhura nga shërbimi i inteligjencës mbi të ashtuquajturit “terroristë potencialë”. “Rreth 40 për qind e këtyre individëve marrin përfitime të ndryshme sociale—si ndihmë sociale, sigurim paaftësie ose përfitime të papunësisë,” tha Eser, transmeton albinfo.ch.

“Simpatizantë të ISIS-it” pa qëllime të dhunshme?

Nëse individët u radikalizuan për shkak të varfërisë apo radikalizimi i tyre çoi në vështirësi, për shembull duke humbur punën, studiuesit nuk mundën ta përcaktojnë për shkak të mungesës së të dhënave. Nuk kishte asnjë informacion mbi mashtrimet e ndihmës sociale. Eser nuk hulumtoi nëse simpatizantët e ISIS-it përdorin qëllimisht programet e ndihmës sociale për të financuar terrorizmin. Sipas saj, nevojiten më shumë studime për të kuptuar pse kaq shumë individë të radikalizuar marrin mbështetje nga shteti.

Gjykata Federale Penale

Rasti para Gjykatës Federale Penale nxjerr në pah faktin se fondet e ndihmës sociale ose përfitimet e sigurimeve nga vendet perëndimore përdoren herë pas here për të mbështetur terrorizmin islamist.

Dy burrat nga Gjeneva pranojnë se kanë marrë përfitime në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, ata theksojnë se iu duhej paratë për veten dhe familjet e tyre dhe nuk i përdorën për të financuar terrorizmin. Ata ishin, në më të shumtën, “simpatizantë të ISIS-it,” por nuk e mbështetën atë drejtpërdrejt, shpjegoi njëri prej të akuzuarve gjatë gjyqit në Bellinzonë. Grupi kosovar “Frères de Viti,” për të cilin ata mblodhën para, nuk konsiderohet një organizatë terroriste.

Kërkohen dënime të gjata me burg

Tjetri i akuzuar u tha gjykatësve se armët e blera ishin për vetëmbrojtje të Kosovës – për shembull, për t’u mbrojtur kundër Serbisë. Ai pretendoi se nuk kishte kurrfarë qëllimi për të përdorur dhunë. Dy idealistë të pafajshëm, pra? Zyra Federale e Prokurorit mendon ndryshe. Ata kërkojnë dënime me burg prej nëntë dhe nëntë e gjysmë vjet për mashtrim, mbështetje të terrorizmit dhe shkelje të tjera. Vendimi pritet në javët në vijim.

Ilaçet zëvendësuese mund të kushtojnë më shtrenjtë se origjinali

Në farmacitë që i përkasin Grupit Galenica, disa ilaçe zëvendësuese kushtojnë më shumë se medikamentet origjinale me markë. Prodhuesi argumenton se këto janë produkte të pavarura dhe jo ilaçe zëvendësuese “në kuptimin e vërtetë”. Megjithatë, Ligji për Produktet Terapeutike i konsideron ato si ilaçe zëvendësuese.

Një klient i Coop Vitality përjetoi një situatë të pazakontë kur kërkoi një version zëvendësues të tabletave efervescentë kundër kollës Solmucol. Farmacistja i ofroi versionin e farmacinë, i cili rezultoi të ishte mbi 85% më i shtrenjtë se origjinali.

Shembuj të çmimeve:

10 tableta Solmucol origjinale: 5.70 franga

14 tableta Solmucol zëvendësuese të farmacinë: 14.95 franga

20 tableta paracetamol të markës private: 5.20 franga

Ilaçe zëvendësuese të konkurrentëve për të njëjtën sasi: 2.40 franga

Shembuj të ngjashëm gjenden edhe në farmacitë Amavita dhe Sun Store, të gjitha pjesë e Grupit Galenica.

Arsyetimi i kompanisë:

Sipas Grupit Galenica, çmimet e produkteve pa recetë varen nga kushtet e blerjes, logjistika dhe tregu. Kompania thekson se markat e saj private janë produkte të pavarura dhe jo ilaçe zëvendësuese “në kuptimin e vërtetë”, duke pranuar se informacioni mund të ketë krijuar keqkuptime tek klientët.

Qasja e Autoriteteve:

Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) thekson se çmimet e ilaçeve pa recetë janë të lira dhe varen nga tregu. Megjithatë, FOPH konfirmon se markat private që përmbajnë të njëjtët përbërës aktivë, formë dozimi dhe dozë, sipas ligjit konsiderohen ilaçe zëvendësuese. Autoriteti rekomandon që gjithmonë të kërkohet ilaçi më i lirë dhe të krahasohen çmimet.

Këshilla për pacientët:

Pyesni gjithmonë për versionin më të lirë të ilaçit.

Krahasoni çmimet midis farmacive dhe markave zëvendësuese.

Fokusohuni te përbërja e aktivëve, jo vetëm te marka.

Shkalla minimale e interesit për fondet e pensioneve profesionale mbetet 1.25%

Këshilli Federal ka vendosur që shkalla minimale e interesit për skemat e pensioneve profesionale të qëndrojë 1.25% edhe për vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë se të paktën me këtë normë, pasuritë e pensioneve të personave të siguruar në skemën e detyrueshme duhet të gjenerojnë interes.

Sipas ligjit, faktorët vendimtarë për përcaktimin e normës janë performanca e obligacioneve federale, si dhe të ardhurat nga aksionet, obligacionet dhe pronat e paluajtshme.

Në një deklaratë, Këshilli Federal theksoi se një ulje e shkallës minimale të interesit nuk ishte e justifikuar. Pas rënies së vitit 2022, situata financiare e fondeve të pensioneve është stabilizuar falë kthimeve të forta gjatë dy viteve të fundit dhe pritshmërisë për një kthim lehtësisht pozitiv në vitin 2025. “Në një nivel të mirë,” shkruan qeveria.

Këshilli Federal gjithashtu nuk pa arsye për rritjen e interesave mbi kursimet e detyrueshme të pensioneve. Normat e interesit mbi obligacionet federale aktualisht janë të ulëta. Qeveria shtoi se ndërprerjet ekonomike, tregtare dhe gjeopolitike, së bashku me pasigurinë e shoqëruar, janë faktorë të rëndësishëm.

Komisioni Federal për Pensionet Profesionale dhe shumica e partnerëve socialë të konsultuar gjithashtu mbështetën ruajtjen e shkallës minimale të interesit prej 1.25%.

Zvicra ndërmerr masa për thirrjet mashtruese me numra të falsifikuar

Qeveria zvicerane po merr masa për të ndaluar thirrjet mashtruese me numra të falsifikuar. Nga 1 janari 2026, thirrjet nga jashtë që tregojnë një numër zviceran do të identifikohen ose bllokohen automatikisht nga ofruesit e shërbimeve telefonike. Nga 1 korriku 2026, kjo do të aplikohet edhe për numrat celularë.

Thirrësit shpesh paraqiten si policë, banka ose institucione qeveritare për të marrë të dhëna sensitive, si informacionet e kartave të kreditit. Këto thirrje zakonisht vijnë nga jashtë, por shfaqin një numër zviceran, duke e bërë të vështirë identifikimin e mashtrimit.

Zyra Federale e Komunikimeve (OFCOM) ka zhvilluar masat në bashkëpunim me ofruesit e telekomunikacionit. Sipas Swisscom, rreth një milion thirrje të tilla bllokohen çdo muaj. Masat kanë precedentë të ngjashëm në Austri dhe Gjermani, ku incidenca e thirrjeve mashtruese ka rënë ndjeshëm.

Megjithatë, OFCOM paralajmëron se mashtruesit gjithmonë gjejnë mënyra të reja për të vepruar, dhe lufta kundër “call spoofing” mbetet një lojë macja-me-mishin.

BMW hap epokën ‘hands-free’ në Evropë: iX3 mund të drejtohet pa duar deri në 130 km/h

BMW ka marrë homologimin ndërkombëtar për sistemin e saj të ndihmës së Nivelit 2, duke i lejuar drejtuesit të përdorin teknologjinë “hands-free” në disa autostrada deri në 130 km/h. Modeli i ri BMW iX3 do të ofrojë këtë funksionalitet, duke mundësuar që drejtuesit të heqin duart nga timoni dhe makina të ruajë trajektoren, të ndryshojë korsinë dhe të ndalojë automatikisht kur është e nevojshme.

BMW e përshkruan sistemin si një bashkëpunim “simbioz” midis njeriut dhe makinës: drejtuesi mund të ndërhyjë në çdo moment pa ndërprerë funksionimin e sistemit. Me këtë homologim, BMW bëhet prodhuesi i parë evropian i autorizuar për këtë lloj teknologjie në 60 vende, përfshirë Zvicrën dhe shtetet e BE-së.

Ekspertët theksojnë se certifikimi garanton besueshmërinë e sistemit, ndërsa ndryshime të vogla infrastrukturore do të jenë të nevojshme për sinjal të qëndrueshëm 4G/5G, sidomos në tunele. Ligjërisht, përgjegjësia mbetet te drejtuesi i automjetit.

 

Zvicra prezanton sistemin e ri të dosjes elektronike shëndetësore

Qeveria Federale e Zvicrës ka prezantuar një projekt të ri për menaxhimin digjital të të dhënave shëndetësore, pas dështimit të sistemit aktual të dosjes elektronike të pacientit. Sipas Ministres së Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, projekti i ri – i quajtur Dosja Elektronike Shëndetësore (DES) – do të jetë më i thjeshtë, më funksional dhe do të krijohet automatikisht për çdo qytetar që nga viti 2030.

Sistemi do të ofrojë qasje të sigurt përmes e-ID-së së re ose sporteleve publike, ndërsa pacientët do të kenë kontroll të plotë mbi të dhënat e tyre, duke vendosur vetë kush mund t’i shohë ato. Një regjistër i hyrjeve do të lejojë verifikimin e çdo aksesimi.

Të gjitha profesionet shëndetësore – nga mjekët te farmacistët – do të kenë detyrim ligjor të përdorin sistemin e ri dhe të regjistrojnë informacionet e nevojshme për trajtimin e pacientëve.

Në këtë mënyrë pritet të përmirësohet cilësia e kujdesit shëndetësor, të ulet burokracia dhe të shmangen përsëritjet e panevojshme të ekzaminimeve.

Ndryshe nga sistemi aktual, që menaxhohet nga kompani private, Konfederata Zvicerane do të marrë përgjegjësinë për infrastrukturën teknike dhe sigurinë e të dhënave, të cilat do të ruhen brenda territorit të Zvicrës dhe nën mbrojtjen e ligjit zviceran.

Projekti do të kalojë tani për shqyrtim në Parlament dhe pritet të hyjë në funksion në fillim të vitit 2030.