Pritje deri në 30 minuta vetëm në Merdarë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e fundit mbi gjendjen në pikat e kalimit kufitar, ku vërehet se pika kufitare e Merdarës paraqet fluksin më të madh në dalje nga Kosova, shkruan albinfo.ch.

Sipas përditësimit të fundit, në Merdar pritjet në dalje arrijnë deri 30 minuta, ndërsa kolona e automjeteve në dalje shkon deri në 600 metra, duke e bërë këtë pikë kalimi më të ngarkuarën aktualisht.

Në të gjitha pikat e tjera kufitare, si Bërnjaku, Dheu i Bardhë, Glloboçica, Hani i Elezit, Jarinja, Kulla, Muçibaba, Mutivoda, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Vërmica, fluksi në dalje mbetet i ulët.

Në këto pika, pritjet për dalje variojnë nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të theksuara automjetesh.

Forbes rendit Arbër Sejdijin për inovacion në inteligjencën artificiale

Arbër Sejdiji, sipërmarrës me bazë në Zvicër, është bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv (CEO) i Zenline AI, një start-up inovativ me seli në Cyrih, i fokusuar në përdorimin e inteligjencës artificiale për përmirësimin e vendimmarrjes në sektorin e tregtisë, transmeton albinfo.ch.

Forbes swiss rendit sipërmarrësin Arbër Sejdiji për zgjidhje inovative me AI. Këtu

Duke u mbështetur në përvojën e tij në këshillimin strategjik dhe industrinë e mallrave të konsumit, Sejdiji vërejti se shumë kompani marrin vendime të rëndësishme për çmimet, marzhat dhe përzgjedhjen e produkteve mbi baza jo të plota të dhënash ose intuitë personale. Këto vendime, megjithëse kanë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhete milionëshe, shpesh nuk mbështeten në analiza të thelluara dhe të integruara.

Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, ai, së bashku me drejtorin teknik (CTO) Gerrit Merz, zhvilloi platformën e Zenline AI. Kjo platformë përdor agjentë të inteligjencës artificiale për të analizuar në kohë reale të dhëna të brendshme dhe të jashtme, duke ofruar rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për bizneset.

Sipas kompanisë, Zenline AI ndihmon tregtarët të identifikojnë boshllëqet në asortiment, të përmirësojnë performancën e produkteve individuale dhe të optimizojnë listimet, duke rritur efikasitetin dhe fitueshmërinë.

Zenline AI po shihet si një nga start-up-et premtuese në fushën e inteligjencës artificiale në Zvicër, duke dëshmuar rolin gjithnjë e më të madh të teknologjisë në transformimin e modeleve tradicionale të biznesit. /Albinfo.ch 

Mërgimtarja ofron 14 dhoma dhe ushqim për familjet në nevojë pas vërshimeve

Një mërgimtare nga Kaçaniku ka ndërmarrë një nismë humanitare, duke ofruar 14 dhoma pa pagesë, së bashku me ushqim, për personat dhe familjet në nevojë që janë prekur nga vërshimet e ditëve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur se kjo ndihmë vjen në një moment të vështirë, kur situata po rëndohet si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe përmbytjeve që kanë lënë shumë familje pa strehë.

“Në këto momente të vështira, ku gjendja po përkeqësohet për shkak të shirave për persona dhe familje në Kosovë dhe Shqipëri, ofroj ndihmë për strehim”, ka deklaruar ajo.

Sipas njoftimit, lokacioni i akomodimit ndodhet në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, tek Pompa Bujari (Fenixs).

Të gjithë ata që kanë nevojë për strehim mund të lajmërohen në numrin e telefonit:

📞 045 646 167

Kjo iniciativë vlerësohet si një gjest solidariteti dhe humanizmi në kohë krize, duke dëshmuar edhe një herë gatishmërinë e mërgatës për të ndihmuar vendlindjen.

Rita Ora paralajmëron albumin e katërt, 2026-a vit i saj

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka paralajmëruar publikimin e albumit të saj të katërt. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ndau një fletë ku shkruhej “Album 4”, duke lënë të kuptohet se projekti i ri muzikor është gati për publikim, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse nuk ka zbuluar ende titullin, datën apo detaje të tjera, postimi ka ngjallur entuziazëm te fansat, ndërsa Rita ka lënë të kuptohet se viti 2026 do të jetë një vit i rëndësishëm për të dhe karrierën e saj.

Gjatë karrierës, Ora ka publikuar tre albume: Ora (2012), Phoenix (2018) dhe You & I (2023), të cilat kanë përfshirë hite ndërkombëtare dhe bashkëpunime me artistë të njohur. Fansat tashmë presin me padurim “Album 4”, që pritet të shënojë një kapitull të ri në rrugëtimin muzikor të këngëtares.

Sopranoja Elbenita Kajtazi debuton në Hamburg dhe Berlin

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Elbenita Kajtazi, ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj artistike, duke interpretuar për herë të parë rolin e Violettës në operën La Traviata në Hamburg, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën ditë, Deutsche Oper Berlin ka publikuar një intervistë me Kajtazin, ku ajo flet për rikthimin e saj në rolin e Violettës, në skenën ku nisi rrugëtimi i saj artistik. Nga Kosova, ku nuk ka ende një shtëpi operistike, deri në një nga skenat më prestigjioze të Evropës, rruga e saj artistike përfaqëson një histori suksesi dhe përkushtimi.

Artistja kujton zhvillimin e saj nga roli i Anninës deri te Violetta, një personazh që, sipas saj, vazhdon të rritet bashkë me zërin dhe përvojën e saj profesionale.

Pas shfaqjes në Hamburg, Elbenita Kajtazi pritet të rikthehet së shpejti sërish në Berlin, duke vazhduar kështu angazhimet e saj në skenat më të njohura operistike evropiane.

Vendet evropiane që prijnë me përdorimin e antibiotikëve

Përdorimi i antibiotikëve ndryshon ndjeshëm nga një vend evropian në tjetrin dhe në disa shtete madje është në rritje, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga ekspertët e shëndetit për rrezikun e rezistencës ndaj ilaçeve.

Specialistët u bëjnë thirrje vendeve evropiane të reduktojnë varësinë nga antibiotikët, pasi përdorimi i tepërt i tyre përshpejton zhvillimin e rezistencës antimikrobike. Kjo ndodh kur bakteret ose patogjenë të tjerë përshtaten dhe nuk reagojnë më ndaj trajtimeve ekzistuese, duke i bërë infeksionet më të vështira për t’u trajtuar. Si pasojë, rezistenca antimikrobike shkakton mbi 35 mijë vdekje çdo vit në Bashkimin Evropian, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji.

Në vitin 2023, Këshilli i BE-së u kërkoi vendeve anëtare të ulin përdorimin e antibiotikëve dhe të sigurojnë që të paktën 65 për qind e tyre të jenë trajtime të linjës së parë. Megjithatë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, asnjë nga këto objektiva nuk është arritur.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2024, në BE janë përdorur mesatarisht 20.3 doza ditore antibiotikësh për 1,000 banorë, shifër kjo më e lartë se në vitin 2019 dhe dukshëm mbi objektivin prej 15.9 dozash deri në vitin 2030.

Dallimet mes vendeve janë të mëdha: nga 9.8 doza ditore në Holandë, deri në 29.9 në Greqi. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me ritmin e ndryshëm të zbatimit të udhëzimeve shëndetësore në spitale, klinika dhe tek mjekët, si dhe me ndërgjegjësimin e pacientëve.

Në disa shtete evropiane, përdorimi i antibiotikëve është rritur që nga viti 2020, përfshirë Austrinë, Francën, Spanjën, Belgjikën dhe disa vende të Evropës Veriore dhe Lindore.

Autoritetet shëndetësore theksojnë nevojën për përmirësimin e diagnostikimit, parandalimin më të mirë të infeksioneve dhe përdorimin më të kujdesshëm të antibiotikëve. Ndërkohë, qytetarët këshillohen që të ndjekin plotësisht trajtimet e përshkruara nga mjeku dhe të mos i ndërpresin apo ruajnë ilaçet për përdorim të mëvonshëm.

Sa % e veturave të importuara në Shqipëri vijnë nga Zvicra

“Scan Intel” ka përpunuar me imtësi të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) sa i përket mjeteve të reja të regjistruara duke i dhënë përgjigje shumë pyetjeve, si psh: Cilat janë tendencat e fundit? Cila është marka e preferuar e shqiptarëve për autovetura? A parapëlqejë shqiptarët më shumë autovetura me kambio automatike apo manuale? Po ndër lëndët djegëse cilën duan? Kur është periudha e preferuar për të blerë një makinë? Le ti marrim me radhë, transmeton albinfo.ch.

Përgjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej rreth 98 mijë e 900 automjete, ku mbi 80 mijë prej tyre janë autovetura.  Vlerësohen po ashtu rreth 33 lloje mjetesh dhe 721 marka të ndryshme të regjistruara në vitin 2025.

Ndërkohë, deri në fund të vitit që lamë pas në Shqipëri janë gjithsej rreth 1 milionë mjete dhe mbi 847 mijë autovetura. Kjo shifër e vendosur përballë numrit të familjeve nxjerr në pah një fakt domethënës, mesatarisht çdo familje shqiptare zotëron të paktën një makinë, me një raport prej 1.07 autovetura çdo për familje.

Korriku, muaji i preferuar për të blerë makinë

Muajt e verës duket se kanë shënuar edhe nivelin më të lartë të regjistrimeve, ku veçojmë Korrikun me 10 mijë mjete të regjistruara, pasuar nga Qershori me afërsisht 9,400.

Duket se Mercedes-i” nuk do të jetë për shumë gjatë më mbreti i rrugës.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Volkswagen ka patur numrin më të lartë të regjistrimeve me rreth 18,000 mjete. Mercedezi renditet i dyti pasuar nga Audi, Hyundai, Toyota dhe BYD.

Automat apo manual? Shqiptarët nuk kanë më dyshime

Ndërkohë që në total, autoveturat me kambio manuale janë më shumë se e ato me kambio automatike apo gjysmë automatike, gjatë viteve të fundit, tendenca ka ndryshuar. Të dhënat e 2025-ës, nga drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë sipas kambios është në favor të automjeteve me kambio automatike.

Raporti fiksohet në rreth 71%, ndërkohë pesha e mjeteve të regjistruara për herë të parë me kambio manual fiksohet në rreth 29%. Ky hendek duket se jo vetëm po ngushtohet, por do të kalojë në kah të kundërt, duke para ecurinë e viteve të fundit.

Naftë, benzinë, gaz apo elektrike?

Gjatë vitit të kaluar, pjesa dërrmuese e automjeteve të regjistruara, kishin motor me naftë, më saktësisht 60% e totalit. Makinat me benzinë ndërkohë zënë 25 % të totalit të automjeteve të regjistruara në të gjitha drejtoritë rajonale të transportit rrugor gjatë vitit 2025. Rreth 5% ndërkohë janë autoveturat të cilat përdorin kombinimin me gaz dhe benzinë, ndërkohë që makinat elektrike zënë rreth 6% të totalit.

Referuar shifrave, rreth 6 mijë automjete elektrike janë regjistruar në vitin që lamë pas. Muaji Dhjetor ka patur volumin më të lartë me 875 regjistrime, pasuar nga Qershori me 658 mjete elektrike.

Çfarë vit prodhimi ishin autoveturat e regjistruara përgjatë vitit 2025?

Numrat thonë se rreth 55.2% e tyre janë prodhuar në 8-15 vitet e fundit, ndërkohë rreth 24.7% janë prodhuar para 15-të viteve. Ndërkohë, automjetet e regjistruara me vit prodhimi nga 0 deri në 4 vite kanë një peshë prej 14.9% ndaj totalit.

Preferohet Koreja e Jugut!

Të dhënat për mjetet e regjistruara në vitin 2025 sipas shtetit të origjinës tregojnë një dominim të qartë të Koresë së Jugut, e cila zë pjesën më të madhe të totalit me 21.4%, duke u renditur si burimi kryesor i mjeteve. Pas saj vijnë Gjermania dhe Italia me përqindje pothuajse të barabarta, përkatësisht 15.7% dhe 15.2%, çka dëshmon për një prani të fortë të industrisë evropiane të automjeteve. Kina përfaqëson 9.2% të regjistrimeve, duke reflektuar rritjen graduale të mjeteve me origjinë aziatike, ndërsa Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me rreth 8% secila. Kanadaja ka një peshë më të kufizuar me 4.4%.

Stuhia dimërore që përfshiu Evropën dhe Ballkanin

Një stuhi dimërore e fortë ka prekur Evropën dhe Ballkanin, duke sjellë borë, erëra të forta dhe temperatura të ulëta. Autoritetet në vendet e prekura janë në gatishmëri të shtuar dhe këshillojnë qytetarët të qëndrojnë të kujdesshëm.

Shkup: Mëngjesi filloi me borë të shpërndarë dhe temperatura rreth 0-2°C. Trafiku urban është i vështirësuar, veçanërisht në orët e mëngjesit. Qytetarët këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Maqedonia: Popova Shapka regjistroi -4°C dhe 31 cm borë. Reshje të dendura shiu shkaktuan përmbytje në Krushevë, Ohër dhe rajonin e Prespës. Rreth 60 persona u evakuuan në Kërçovë për shkak të ndërtesave të përmbytura.

Ballkani: Beogradi dhe Bosnja e Hercegovina u përballën me bllokime të trafikut dhe ndërprerje të shërbimeve publike. Autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme në disa zona.

Evropa Perëndimore: Stuhia Goretti shkaktoi kolaps në trafikun rrugor, hekurudhor dhe ajror. Në Francë dhe Holandë, mijëra kilometra rrugë u bllokuan, shumë fluturime u anuluan dhe qytetarët këshillohen të punojnë nga shtëpia.

PDK kërkon anulimin e rreth 20 mijë votave të ardhura me postë nga diaspora

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar shfuqizimin e afro 20 mijë votave të dërguara me postë nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas PDK-së, këto fletëvotime kanë mbërritur pas afatit të përcaktuar me ligj.

PDK, e cila u rendit e dyta në këto zgjedhje, pretendon se një numër i madh i votave nga jashtë vendit janë pranuar në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, i cili lejon që votat me postë të pranohen nga KQZ-ja deri një ditë pas zgjedhjeve, më së voni deri në orën 16:00, dhe vetëm nëse kanë vulë postare para ditës së votimit.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, deklaroi se vendimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit është marrë me vetëdije, duke e cilësuar atë si shkelje ligjore. Ai tha se çështja duhet të vlerësohet nga institucionet kompetente.

Në anën tjetër, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, reagoi ashpër ndaj ankesës së PDK-së, duke e quajtur atë një veprim kundër mërgatës. Ai theksoi se procedurat janë miratuar edhe me votën e përfaqësuesve të PDK-së dhe se humbja e kësaj partie nuk lidhet me votat e diasporës.

Në këto zgjedhje, rreth 51 mijë qytetarë nga mërgata ishin regjistruar për të votuar me postë. Nga votat e numëruara deri tani, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar mbi 30 mijë vota, ndërsa PDK rreth 4 mijë.

Pas përfshirjes së votave me postë, PDK ka humbur një ulëse në Kuvend, ndërsa Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate dhe pritet të formojë qeverinë e re sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare.

KQZ ka njoftuar se është drejt përfundimit të numërimit të votave me postë, përpara shpalljes zyrtare të rezultateve përfundimtare.

Fondet e pensioneve zvicerane performuan mirë në 2025

Sipas të dhënave të publikuara të enjten nga Swisscanto, kthimi i përgjithshëm mesatar i fondeve të pensioneve në 2025 arriti 5.3%. Ky rezultat tejkalon kthimin mesatar teorik me 3.3 pikë përqindjeje, sipas studimit të menaxherit të fondeve të Bankës Kantonale të Cyrihut. Megjithatë, parashikohet që fondet e kursimeve të arrijnë ende një rezultat më të ulët se ai i vitit 2024, i cili ishte 7.6%.

Sa i përket mbulimit financiar, raporti i peshës së aktiveve të institucioneve private të pensioneve është përmirësuar, duke u rritur nga 115.1% në fund të prillit në 120.3% në fund të vitit 2025. Edhe fondet publike të pensioneve shënuan një rritje në 104.2%, krahasuar me 99.4% më parë.

Kompania e huaj në Zvixër urdhërohet të heqë “Swiss” nga emri dhe logoja e saj

Gjykata në Bern ka urdhëruar BDSwiss AG, një kompani financiare me seli në Zug, të heqë fjalën “Swiss” nga emri dhe kryqin zviceran nga logoja e saj. Vendimi erdhi pas një ankesë nga Instituti Federal për Pronësinë Intelektuale (IPI), i cili konstatoi se kompania nuk administrohej nga Zvicra, por nga Qiproja, dhe klientela e saj ishte kryesisht në Gjermani.

Vendimi i dhënë më 26 gusht është përfundimtar, dhe kompania ka tre muaj kohë për të rregulluar imazhin e saj publik. Ky rast shënon fitoren e parë të IPI ndaj një kompanie të huaj në çështjen e përdorimit të treguesit “Swissness”.

Sunrise do të shkurtojë gati 200 vende pune

Grupi i telekomunikacionit Sunrise do të reduktojë fuqinë punëtore duke eliminuar deri në 190 vende pune. Lajmi u konfirmua të enjten në mbrëmje nga kompania, e cila është operatori i dytë më i madh i telekomunikacionit në Zvicër.

Sipas njoftimit zyrtar, është vendosur një plan social për pushimet nga puna të cilat konsiderohen “të pashmangshme”. Procesi i konsultimit është hapur me përfaqësuesit e punonjësve dhe me sindikatën Syndicom. Numri përfundimtar i pushimeve pritet të vendoset në shkurt ose mars.

Punonjësit e dyqaneve dhe të shërbimit ndaj klientit do të preken minimalisht nga këto masa, ashtu si edhe nxënësit praktikantë, thuhet në deklaratë.

Thjeshtim dhe ristrukturim

Këto shkurtime synojnë thjeshtimin dhe racionalizimin e strukturës organizative. Sunrise planifikon të rrisë efikasitetin përmes përdorimit të teknologjive të reja. Kompania nuk ka bërë të ditur nivelin e kursimeve financiare që pritet të arrihen nga këto masa.

Plani social përfshin, ndër të tjera, mbështetje për daljen e parakohshme në pension, si dhe ndihmë për punonjësit më të rinj për rikthim të shpejtë në tregun e punës. Gjithashtu, do të krijohet një fond për raste vështirësie ose për rikualifikim profesional.

Largimi i një drejtori të lartë

Portali online “Inside Paradeplatz” ishte i pari që raportoi për shkurtimet, duke cituar burime të brendshme. Sipas artikullit, edhe Christoph Richartz, drejtori menaxhues për çështjet e konsumatorëve, pritet të largohet si pjesë e ristrukturimit.

Një zëdhënës i Sunrise konfirmoi për agjencinë e lajmeve AWP largimin e Richartz, duke theksuar se nuk ka lidhje mes këtij largimi dhe planit për shkurtimin e vendeve të punës.

Sunrise ka më shumë se 2.600 punonjës. Në pranverën e vitit 2024, kompania kishte konfirmuar tashmë 166 pushime nga puna, pas një procesi të mëparshëm konsultimi.

Shumë shoferë të bllokuar, pse rekomandohet t’i fikin motorët para se të ndezin veturat

TCS thotë se është “mbytur” me thirrje për ndihmë, ndërsa temperaturat e ulëta kanë përfshirë vendin.

Oficerët e patrullave kryen më shumë se dy mijë ndërhyrje vetëm të hënën – dyfishi i numrit të zakonshëm.

Shumica u shkaktuan nga bateritë e shkarkuara, të cilat humbasin kapacitetin në mot të ftohtë, transmeton albinfo.ch.

Shoferëve po u këshillohet të fikin pajisjet që konsumojnë energji para se të ndezin makinat e tyre.

Organizata e automobilave paralajmëron gjithashtu se lënia e motorëve ndezur pa nevojë është e paligjshme dhe mund të çojë në një gjobë në vend.

Kosovë: Zjarr i madh përfshin një fabrikë në Gjakovë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një fabrikë në qytetin e Gjakovës, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se flakët kanë kapluar tërë objektin, ndërsa sasi të mëdha tymi janë ngritur mbi zonë dhe kanë mbuluar qiellin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Shermet Elezaj, ka bërë të ditur se rreth orës 16:40 autoritetet janë njoftuar për shpërthimin e zjarrit në një fabrikë që ndodhet në rrugën “Gjergj Sokoli”.

Sipas tij, njësitë policore dhe ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprime intensive për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.

“Zjarri është i përmasave të mëdha dhe ekipet emergjente janë ende në terren për ta vënë situatën nën kontroll. Deri tani nuk ka informacione për persona të lënduar, ndërsa vlerësimi i plotë i dëmeve dhe rrethanave do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka deklaruar Elezaj.

Viti 2026 do të jetë i vështirë për më të varfrit në Zvicër

Barra mbi familjet më të varfra në Zvicër do të vazhdojë të rritet në vitin 2026, paralajmëron Caritas të enjten. Për organizatën, është urgjente të lehtësohen këto familje, për shembull duke zhvilluar masa ekzistuese si ulja e primeve.

“Problemi i varfërisë në Zvicër është bërë kronik. Është e papranueshme që 16% e popullsisë – përfshirë shumë familje dhe fëmijë – shohin perspektivat e tyre të reduktuara shumë dhe përballen me shqetësimin e përditshëm për të garantuar jetesën e tyre”, thotë drejtori i Caritas Zvicër, Peter Lack, i cituar në një deklaratë nga organizata.

Për Caritas, shtatë elementë do të kontribuojnë në përkeqësimin e situatës së më të varfërve në vitin 2026: rritja e kostos së jetesës, rritja e primeve të sigurimeve shëndetësore, presioni në tregun e banesave, stanjacioni i pagave të ulëta i kombinuar me rritjen e kostove, një normë e sheshtë për mbajtjen e ndihmës sociale shumë të ulët dhe mbështetje e pamjaftueshme për familjet. Së fundmi, më të varfrit nuk përfitojnë nga uljet e taksave, por preken shumë më tepër se të pasurit nga rritja e TVSH-së.

Përveç masave për të lehtësuar drejtpërdrejt familjet më të varfra, Caritas bën thirrje për veprime për të parandaluar thellimin e pabarazisë. Dhe për të përmendur mundësinë e rritjes së taksave mbi pasurinë ose trashëgiminë.

“Problemi i varfërisë në Zvicër është bërë kronik. Është e papranueshme që 16% e popullsisë – përfshirë shumë familje dhe fëmijë – shohin perspektivat e tyre të reduktuara shumë dhe përballen me shqetësimin e përditshëm për të garantuar jetesën e tyre”, thotë drejtori i Caritas Zvicër, Peter Lack, i cituar në një deklaratë nga organizata.

Për Caritas-in, shtatë elementë do të kontribuojnë në përkeqësimin e situatës së më të varfërve në vitin 2026: rritja e kostos së jetesës, rritja e primeve të sigurimit shëndetësor, presioni në tregun e banesave, stanjacioni i pagave të ulëta i kombinuar me rritjen e kostove, një normë e sheshtë për mbajtjen e ndihmës sociale shumë të ulët dhe mbështetje e pamjaftueshme për familjet. Së fundmi, më të varfërit nuk përfitojnë nga uljet e taksave, por preken shumë më tepër se të pasurit nga rritja e TVSH-së.

Përveç masave për të lehtësuar drejtpërdrejt familjet më të varfra, Caritas bën thirrje për veprime për të parandaluar thellimin e pabarazisë. Dhe për të përmendur mundësinë e rritjes së taksave mbi pasurinë ose trashëgiminë.

Platformë e re për varfërinë

Caritas feston 125-vjetorin e tij në vitin 2026, shkruan RTS. Me këtë rast, shoqata lançoi të enjten platformën web “Varfëria në Zvicër”, e cila ofron një pasqyrë të përgjithshme të situatës në vend, transmeton albinfo.ch.

Sipas shifrave nga Zyra Federale e Statistikave, më shumë se 1.4 milion njerëz jetojnë nën kufirin e varfërisë ose pak mbi të në Zvicër, kujton Caritas. Nga 708,000 njerëzit e prekur drejtpërdrejt nga varfëria, rreth 100,000 janë fëmijë dhe 336,000 janë të varfër që punojnë, pra njerëz që janë të varfër pavarësisht punës së paguar.

Një person i vetëm i prekur nga varfëria ka një maksimum prej 2315 frangash në muaj, dhe një familje me katër anëtarë (dy prindër dhe dy fëmijë) ka një maksimum prej 4051 frangash.

Pse vota zvicerane kundër imigracionit është një ‘kërcënim për këdo që punon në Zvicër’

Iniciativa e së djathtës ekstreme që kërkon të frenojë numrin e të huajve të punësuar në Zvicër do të ketë pasoja të tmerrshme për vendin, i kanë thënë kundërshtarët e saj The Local.

Iniciativa “Jo 10 milionë njerëzve”, e nisur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e së djathtës ekstreme, e cila pritet të sillet në kutitë e votimit në nëntor, synon të zvogëlojë në mënyrë drastike fluksin e të huajve në Zvicër, në mënyrë që popullsia e vendit të mos kalojë shifrën prej 10 milionësh, të cilën partia populiste pretendon se do të mbingarkojë infrastrukturën kyçe, siç janë strehimi, transporti publik, sistemi shëndetësor dhe shkollat.

Propozimi përcakton që “popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës nuk duhet të kalojë dhjetë milionë njerëz para vitit 2050. Nga viti 2050 e tutje, Këshilli Federal mund ta rregullojë këtë kufi çdo vit”, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, popullsia e vendit është pak mbi 9 milionë, duke përfshirë gati 2.5 milionë shtetas të huaj – domethënë mbi 27 përqind të popullsisë.

Iniciativa synon shtetasit e Bashkimit Evropian dhe EFTA-s (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni) sepse, ndryshe nga qytetarët e vendeve të treta, ata kanë akses të pakufizuar në tregun e punës të vendit.

I intervistuar nga The Local në vitin 2025, një deputet i SVP-së, Yvan Pahud, një nga nxitësit e iniciativës, tha se kufizimi i imigracionit është thelbësor për të ardhmen e Zvicrës.

Nëse propozimi nuk pranohet, “kjo do të thotë hapja e portave për një imigracionin edhe më të pakontrolluar”, tha ai.

“Kjo do të shkaktonte një barrë të tmerrshme në infrastrukturë, një humbje të cilësisë së jetës sonë dhe një erozion gradual të identitetit tonë zviceran.”

Por edhe më shumë zëra ngrihen kundër iniciativës – madje edhe nga partitë politike të cilat, në shumë raste, nuk pajtohen me qeverinë për një numër çështjesh.

JUSO, akronimi gjerman për ‘socialistët e rinj’, është një prej tyre.

Qëndrimi i saj është se imigracioni “është i dobishëm në shumë mënyra: ndihmon në luftimin e mungesës së fuqisë punëtore, stimulon inovacionin dhe kontribuon në stabilitetin demografik”.

Nga ana tjetër, iniciativa e SVP-së “është një fushatë agresive urrejtjeje që fajëson emigrantët për një mori problemesh shoqërore”, tha nënkryetarja e partisë Nathalie Ruoss.

Në mënyrë specifike, SVP “fajëson emigrantët për rritjen e kostove të jetesës, problemet në sistemet e arsimit dhe kujdesit shëndetësor, bllokimet e trafikut dhe ndryshimet klimatike, për të përmendur disa”, theksoi ajo. “Këto narrativa janë raciste dhe stigmatizojnë emigrantët, duke sulmuar drejtpërdrejt diversitetin e shoqërisë sonë”.

Nëse iniciativa fiton mbështetjen e votuesve, pasojat do të jenë serioze dhe me ndikim të gjerë, tha Ruoss.

“Miratimi i iniciativës do të kërkonte që Zvicra të tërhiqej nga disa traktate ndërkombëtare. Kjo do ta izolonte vendin ndërkombëtarisht dhe do të shkatërronte marrëdhëniet ekzistuese me shtetet e tjera”, vuri në dukje ajo. “Zvicra do të humbiste aksesin në tregun ndërkombëtar, gjë që do të kishte pasoja katastrofike për popullin e saj”.

Sindikatat e Zvicrës, të cilat përfaqësojnë të drejtën e punëtorëve – si zviceranë ashtu edhe të huaj – janë gjithashtu kundër propozimit të SVP-së.

“Kjo iniciativë rrezikon prosperitetin dhe sigurinë në Zvicër”, tha Natalie Imboden, e cila është përgjegjëse për fushatat dhe komunikimin në UNIA, sindikata më e madhe e vendit, për The Local në një intervistë.

“Kjo do të çonte në ndërprerjen e marrëveshjeve dypalëshe, duke vënë nën presion pagat dhe vendet e punës. Mbrojtja dhe kontrollet e pagave do të eliminohen”, pasi të dyja janë të lidhura drejtpërdrejt me AFMP-në.

“Prandaj, kjo iniciativë është një sulm ndaj mbrojtjes së pagave, kushteve të punës dhe të drejtave të punonjësve”, shtoi ajo. “Si e tillë, është jashtëzakonisht e rrezikshme për të gjithë ata që punojnë në Zvicër.”

“Në përgjithësi, ndërprerja e marrëveshjeve dypalëshe do të rrezikonte pagat, vendet e punës, eksportet, kërkimin dhe lirinë e lëvizjes së popullsisë”, tha Imboden. “Qasja në treg për eksportet e Zvicrës në BE do të pengohej.”

Për më tepër, meqenëse iniciativa synon të kufizojë fluksin e të huajve në tregun e punës të Zvicrës, “kjo do të përkeqësojë mungesën e mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë të kërkuar”.

Imboden gjithashtu vuri në dukje një tjetër pasojë të rëndësishme të imigracionit të frenuar: më pak njerëz do të paguanin në skemën e sigurimeve shoqërore të Zvicrës, gjë që do të ndikonte negativisht te pensionistët e ardhshëm.

Në arenën politike, SVP qëndron e vetme në mbështetjen e saj për iniciativën e frenimit të imigracionit.

Në emër të Këshillit Federal, ministri i Drejtësisë dhe Policisë Beat Jans ka theksuar se një veprim i tillë “do të izolonte Zvicrën ndërkombëtarisht dhe do të krijonte pasiguri të konsiderueshme”, veçanërisht pasi kjo mund të nënkuptojë rinegocimin ose edhe përfundimin e marrëveshjes së Lëvizjes së Lirë të Njerëzve (AFMP) midis Zvicrës dhe BE-së.

“Britanikët kanë përjetuar se çfarë do të thotë të lësh aksesin në tregun e vetëm dhe lëvizjen e lirë”, tha ai, “Dhe shumica e vendit tani pendohet për Brexit. Ne duhet të mësojmë nga ky mësim”.

A ka kjo iniciativë shanse të miratohet nga votuesit?

Është shumë herët për të thënë, por megjithatë ka disa tregues se shanset e suksesit janë të mira.

Sipas një sondazhi të opinionit të kryer nga grupi mediatik Tamedia në dhjetor, shumica e votuesve janë në favor të iniciativës “Jo Zvicër prej 10 milionësh”.

Konkretisht, 48 përqind e të anketuarve e mbështesin këtë veprim, ndërsa 41 përqind jo.

Çmimet e pronave në Zvicër vazhduan të rriten në vitin 2025

Çmimet e kërkuara për apartamentet e banuara nga pronarët u rritën ndjeshëm në Zvicër vitin e kaluar. Inflacioni ishte më pak i theksuar për shtëpitë njëfamiljare.

Në të gjithë vendin, çmimet për apartamente u rritën me 4.2% nga viti në vit. Shtëpitë njëfamiljare regjistruan një rritje më të moderuar prej 2.6%. Kjo është sipas indeksit të blerjes ImmoScout24, të përpiluar së bashku me konsulencën e pronave IAZI. Ai mat çmimet e pronave të reklamuara.

Sipas vëzhguesve të tregut, nxitësit kryesorë të trendit ishin normat e ulëta të interesit të hipotekave dhe heqja e afërt e vlerës së imputuar të qirasë. Kjo e bën pronësinë e shtëpisë më tërheqëse sesa dhënien me qira.

Më shumë ndërtesa të vjetra

Në të njëjtën kohë, pati një rritje të dukshme në furnizimin e shtëpive njëfamiljare, veçanërisht për shkak të ndërtesave të vjetra shtesë, sipas raportit. Furnizimi i apartamenteve, nga ana tjetër, mbeti i qëndrueshëm. Rreth dy të tretat e shtëpive të reklamuara të banuara nga pronarët ishin apartamente në vitin 2025.

Pati dallime të theksuara rajonale. Rritje çmimesh mbi mesataren dhe nivele të larta çmimesh u regjistruan në rajonin e madh të Cyrihut dhe në Zvicrën qendrore, ku rritjet e çmimeve ishin më shumë se 30% mbi mesataren zvicerane në disa raste, transmeton albinfo.ch.

Në të kundërt, pllaja qendrore dhe Ticino panë një zhvillim shumë më të dobët, me rritje çmimesh që mbetën nën mesataren kombëtare.

Zvicra Qendrore udhëhoqi rrugën për apartamentet me një rritje çmimesh prej 9.5%, e ndjekur nga Zvicra lindore me 6.5%. Në Ticino, tregu praktikisht ngeci.

Zvicra Qendrore udhëhoqi gjithashtu rrugën për shtëpitë me një familje të vetme me një rritje prej 7.7%, ndërsa çmimet e kërkuara në Ticino ranë me 4.6%.

Bankat zvicerane më pak optimiste për shkak të normave më të ulëta të interesit

Rënia e normave të interesit po i vë bankat zvicerane nën presion, sipas Barometrit të ri Bankar EY.

Pak më pak se gjysma e bankave presin që rezultatet operative të bien në vitin 2025, megjithëse shumica presin që marzhet në biznesin e interesit të stabilizohen.

Edhe pse bankat ka të ngjarë të raportojnë rezultate të forta në vitin 2025, këto do të jenë nën nivelin e dy viteve të fundit, sipas Barometrit Bankar.

Nga më shumë se 100 banka të anketuara si pjesë e studimit, 46% prisnin një rënie të rezultateve operative. Sipas autorëve të studimit, ky është niveli më i keq i ndjenjës në 15 vjet.

Biznesi i interesit vazhdon të jetë shtylla qendrore e fitimeve për shumë banka zvicerane, shkruan swissinfo. Me normat kryesore të interesit, të cilat kohët e fundit janë ulur gradualisht në zero përqind, marzhi i interesit është ulur vazhdimisht, vërejnë autorët e Barometrit Bankar, transmeton albinfo.ch.

Institucionet tani po përballen përsëri me një mjedis me marzhe të ulëta në biznesin e interesit, në të cilin ka pak hapësirë ​​për optimizim.

Prandaj, institucionet që janë shumë të përfshira në biznesin e interesit, siç janë bankat rajonale dhe kantonale, janë veçanërisht të prekura nga rezultatet në rënie të biznesit. Në vitet e mëparshme, ato kishin arritur rezultate rekord falë një mjedisi me norma më të larta interesi.

Në të kundërt, bankat private dhe bankat e huaja janë shumë më pak pesimiste falë të ardhurave të qëndrueshme nga komisionet.

Bankat zvicerane gjithashtu mbeten të sigurta në planin afatgjatë: gjatë një periudhe prej më shumë se tre vjetësh, pothuajse të gjitha bankat (94%) presin që rezultatet operative të rriten. Kjo është më shumë se në vitin e kaluar (85%).

Sipas EY, bankat vazhdojnë të besojnë në modelin e tyre të biznesit dhe në forcën e qendrës financiare zvicerane.

Shqipëri: Ambasada e SHBA-së paralajmëron përkeqësim të situatës me përmbytjet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë po vazhdon të monitorojë përmbytjet në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen.

Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Në një postim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës bëhet e ditur se përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbylljen e rrugëve për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut.

Ambasada u sugjeron shtetasve amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë të duhet të shmangin zonat e prekura dhe të telefonojnë në numrat e emergjencës, shkruan A2CNN, transmeton albinfo.ch.

“Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që kanë marrë urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e përmbytjeve dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe përmbytjet.

Mos u përpiqni të kaloni me makinë nëpër zonat e prekura nga përmbytjet. Kërkoni një rrugë alternative ose merrni në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse një rrugë alternative nuk është e disponueshme.

Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.

Nëse keni një urgjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit. Gjithashtu mund të kontaktoni Urgjencën Kombëtare në [email protected] ( http://urgjenca.gov.al/ )”, thuhet në njoftim.

Mbi një orë e gjysmë pritjet për të dalë nga Kosova

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, në përditësimin e fundit ka bërë të ditur se po vazhdojnë pritjet e gjata për të dalë nga Kosova.

Sipas njoftimit, pritjet më të gjata janë regjistruar në Jarinje, deri në një orë e gjysmë, transmeton albinfo.ch.

Deri në një orë janë regjistruar pritjet në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.

Sa i përket hyrjeve, pritjet më të gjata janë regjistruar në piken te Dheu i Bardhë, deri në gjysmë ore.

35 vjet nga dita kur shkolla u bë histori dhe arsimi u ngrit në akt qëndrese kombëtare

Më 6 janar 1991, në një kohë kur e drejta për arsim në gjuhën shqipe ishte ende sfidë dhe guxim, inaugurimi i shkollës tetëvjeçare “Baftiar Banushi” në fshatin Zagraçan të Strugës u shndërrua në një ngjarje historike me përmasa mbarëkombëtare. Ajo ditë nuk shënoi vetëm hapjen e një objekti arsimor, por vulosi një kapitull të rëndësishëm të qëndresës shqiptare në Maqedoninë e atëhershme.

Manifestim gjithëpopullor

Rreth 20 mijë qytetarë, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare të vendit, si dhe nga Kosova e Shqipëria, u mblodhën në një manifestim gjithëpopullor të paprecedentë. Inaugurimi i shkollës u kthye në tribunë të dinjitetit, në një deklaratë të hapur se arsimi shqip ishte e drejtë e patjetërsueshme dhe shtyllë e identitetit kombëtar.

Profesori i gjuhës frënge, Islam Baftiari

Marshimi drejt oborrit të shkollës, me flamurin kombëtar në ballë, mes këngësh dhe brohoritjesh, mbeti i gdhendur në kujtesën kolektive. Në krye të tij qëndronin veteranët e luftës, por mbi të gjithë spikaste figura e Memet Memetit, simbol i guximit qytetar dhe i sakrificës personale për të mirën e përgjithshme. Përkrah tij marshonin Jahja Shaholli, Kariman Saliu, Dalip Abedini, Kamber Baftiari dhe Shaziman Shazimani, bartës të një ideali që nuk njihte frikë.

Nga përurimi i shkollës

Prerja simbolike e shiritit të inaugurimit nuk ishte thjesht akt ceremonial. Ishte një shpallje e heshtur, por e fuqishme, se shqiptarët nuk do të hiqnin dorë nga e drejta për dije. Ky akt guximi pati pasoja të rënda. Memet Memeti dhe Jahja Shaholli u dënuan dhe vuajtën mbi një muaj burgim në Ohër. Por historia dëshmoi se burgu nuk e thyen idealin. Përkundrazi, pas lirimit, shtëpia e Memet Memetit u shndërrua në vend pelegrinazhi qytetar, ku mijëra shqiptarë shprehën solidaritetin e tyre, duke e kthyer ndëshkimin në nder dhe sakrificën në krenari kolektive.

Memet Memeti

Shkolla tetëvjeçare “Baftiar Banushi” u ndërtua me kontributin e kurbetçarëve dhe banorëve të fshatrave Zagraçan dhe Shum, si vepër e përbashkët e një komuniteti që besonte se arsimi është forma më e qëndrueshme e rezistencës dhe trashëgimisë kombëtare. Fotografitë e asaj dite, të ruajtura në kaseta të vjetra, nuk janë vetëm dëshmi vizuale, por dokumente historie që flasin për guxim, unitet dhe vetëdije kombëtare.

Sot, 35 vjet më pas, 6 janari 1991 qëndron si një gur themeli i kujtesës sonë historike. Ai na rikujton se shkollat ngrihen me mure e tulla, por historia shkruhet me guxim, sakrificë dhe vetëdije kolektive. Me njerëz që nuk u tërhoqën, që paguan çmim personal për një të drejtë të përbashkët, dhe që e shndërruan arsimin në akt dinjiteti kombëtar e trashëgimi për brezat që vijnë.

Video nga momenti i valëvitjes së flamuri kombëtar dhe prerja e shiritit nga veteranët e luftlës (1) Facebook

Për albinfo.ch Luljeta Ademi ( ish nxënëse dhe pjesëmarrëse në inaugurimin e Shkollës Fillore “Baftjar Banushi”)

Edhe Shaqiri reagon pas vërshimeve në Kosovë

Ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri është i fundit nga figurat e njohura që ka reaguar pas vërshimeve të ditëve të fundit që kanë përfshirë shumë qytete të Kosovës.

Gjatë ditës ishte kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, i cili ka shfrytëzuar profilin e tij në Instagram për të postuar një fotografi të vërshimeve në Kosovë, duke shkruar: “Lutuni për Kosovën”.

Fotografinë e njëjtë dhe mbishkrimin “Lutuni për Kosovën” e ka postuar disa orë më vonë edhe një tjetër emër i njohur i futbollit botëror, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, i cili gjithashtu bashkë ndjenë me bashkëvendësit e tij, pasi dihet se ylli i Baselit ka prejardhje nga Gjilani.

Ndryshe, qytetet më të prekura nga vërshimet ishin Gjakova, Mitrovica, Malisheva, Klina, Skenderaj dhe Drenasi.