Valentina Aliu zgjidhet në ekzekutivin e komunës së Noville

Më 8 mars, Valentina Aliu është zgjedhur në ekzekutivin (municipalitetin) e komunës së Noville, pas mbështetjes së marrë nga votuesit e kësaj komune, shkruan albinfo.ch. 

Aliu, sipërmarrëse dhe e pavarur në fushën e fiduciarisë, vjen në këtë detyrë pas një përvoje të rëndësishme institucionale. Gjatë legjislaturës 2021–2026, ajo ka qenë anëtare e këshillit komunal, duke kontribuar veçanërisht në Komisionin e Financave dhe Menaxhimit.

Zgjedhja e saj në ekzekutiv përfaqëson një hap të rëndësishëm për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në nivel lokal në Zvicër, duke dëshmuar edhe një herë integrimin dhe rolin aktiv të shqiptarëve në jetën publike të vendit.

Në një prononcim, Aliu shpreh mirënjohjen për besimin e qytetarëve të Noville dhe angazhimin për të punuar në të mirë të komunitetit./Albinfo.ch 

“Gjithë të mirat Kosovë”, ambasadori i BE-së përmbyll mandatin me mesazh nga aeroporti

Diplomati estonez Aivo Orav, i cili ka shërbyer si ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, ka përmbyllur zyrtarisht mandatin e tij me një mesazh të shkurtër, por domethënës, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në platformën X, ai ka publikuar një fotografi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, duke i dhënë lamtumirën vendit ku shërbeu për disa vite.

“Gjithë të mirat Kosovë”, ka shkruar ai krahas fotografisë, duke shprehur kështu përshëndetjen e fundit ndaj vendit dhe qytetarëve.

Gjatë mandatit të tij, Aivo Orav ka qenë i angazhuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovë, si dhe në mbështetjen e proceseve demokratike dhe reformave në vend.

Largimi i tij shënon përfundimin e një kapitulli diplomatik, ndërsa pritet emërimi i një përfaqësuesi të ri të BE-së në Kosovë./Albinfo.ch 

 

Aksident fatal në Gjermani, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Një aksident tragjik në Gjermani i ka marrë jetën një 29-vjeçari shqiptar.

Viktima, me inicialet F.L., ishte me origjinë nga fshati Raincë i Preshevës. Ai humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në Esslingen, shkruan albinfo.ch.

Sipas konfirmimeve nga autoritetet e sigurisë dhe shërbimet shëndetësore gjermane, 29-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga aksidenti.

I riu shqiptar la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë

Vlen të theksohet se rrethanat e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa autoritetet përkatëse në Gjermani po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit./Albinfo.ch

Çmimi i naftës në Austri afër nivelit të Kosovës

Rritja e çmimeve të karburanteve në Evropë po krijon fenomene të reja ekonomike, ndër to edhe të ashtuquajturin “turizëm karburanti”. Ky trend është veçanërisht i dukshëm në Slloveni, ku çmimet e rregulluara nga shteti janë më të ulëta krahasuar me vendet fqinje, raporton BBC, përcjell albinfo.ch.

Si rezultat, shumë shoferë nga Austri po kalojnë kufirin për t’u furnizuar me karburant më të lirë. Për të menaxhuar këtë fluks, autoritetet sllovene kanë vendosur kufizime, drejtuesit privatë mund të blejnë deri në 50 litra në ditë, ndërsa bizneset dhe fermerët deri në 200 litra.

Qeveria gjithashtu ka inkurajuar operatorët e tregut që të aplikojnë masa më të rrepta për klientët e huaj, në mënyrë që të shmangen mungesat për konsumatorët vendas.

Ndërkohë, çmimet në Austri kanë arritur nivele të larta. Një litër benzinë Euro-super 95 po i afrohet 1.80 eurove, ndërsa dizeli (nafta) është pranë 2.00 eurove për litër,  pothuajse në të njëjtin nivel me çmimet aktuale në Kosovë, ku çmimi për litër naftë është 1.79-1.80 €, përcjell tutje albinfo.ch.

Në kontrast, në Slloveni çmimet mbeten të kontrolluara, me benzinën që shitet rreth 1.47 euro për litër dhe dizelin rreth 1.53 euro.

Ky dallim ka nxitur një lëvizje të shtuar ndërkufitare. Ndërsa disa qytetarë sllovenë e shohin këtë si një bezdi për shkak të radhëve dhe mundësisë së mungesave, të tjerë e konsiderojnë një mundësi ekonomike. Shumë nga këta “turistë të karburantit” nuk kufizohen vetëm në furnizim, por kalojnë kohë në Slloveni, duke konsumuar në restorante dhe duke bërë blerje në dyqanet lokale.

Për aq kohë sa dallimet në çmime do të vazhdojnë, edhe fenomeni i “turizmit të karburantit” pritet të mbetet prezent në rajon./Albinfo.ch

Kancelari austriak uron Albin Kurtin për mandatin e ri si kryeministër

Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker përmes një telegrami ia ka uruar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mandatin e ri qeverisës dhe datëlindjen e tij, përcjell albinfo.ch. 

“Dua t’ju përgëzoj për formimin e qeverisë suaj të re dhe t’ju uroj suksese në legjislaturën e re, veçanërisht lidhur me përparimin e vazhdueshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Austria ka qenë mbështetëse e Republikës së Kosovës që nga themelimi i saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane”- shkruan në letrën e kancelarit Stocker të publikuar nga Zyra e Kryeministrit.

Stocker theksoi se në kohë gjeopolitikisht të trazuara, marrëdhëniet e forta ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë më të rëndësishme se kurrë.

“Diaspora aktive kosovare në Austri dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë ekonomik janë lidhje që i vlerësoj shumë. Gjithashtu, isha shumë i kënaqur që pata një bisedë personale me ju në Londër gjatë Samitit të Procesit të Berlinit tetorin e kaluar, dhe mezi pres t’ju shoh përsëri së shpejti”- ka shkruar ai në letër.

Kurti u rizgjodh kryeministër më 11.02.2026. Prej asaj dite ka pranuar urime nga miqtë ndërkombëtar për mandatin e ri qeverisës./Albinfo.ch

Edhe Kosova u prezantua me dinjitet në Panairin e Librit në Leipzig

Kosova u prezantua me dinjitet në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig, i cili u mbajt nga 19 deri më 22 mars, duke qenë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të librit në Evropë dhe më gjerë, transmeton albinfo.ch.

Përfaqësimi i këtij viti shënoi pjesëmarrjen e pestë radhazi të Kosovës në këtë panair prestigjioz, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm për promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare. Kosova u prezantua përmes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, duke sjellë rreth 100 tituj në gjuhën shqipe dhe angleze.

Në kuadër të programit të sivjetmë, u prezantuan gjashtë autorë të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe: Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi, Nerimane Kamberi, Arbër Selmani, Eli Krasniqi dhe Meliza Krasniqi. Ata morën pjesë në panele diskutimi që trajtuan tema të rëndësishme për letërsinë dhe shoqërinë, si “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan” dhe “Gjuhë të vogla, histori të mëdha: Letërsia shqipe në kontekst global”.

Në ceremoninë hapëse të panairit ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë platformë ndërkombëtare. Ajo theksoi se prezantimi i qëndrueshëm në panair përbën një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e autorëve dhe letërsisë shqipe në arenën globale.

Panairi i Librit në Leipzig shërben si një urë lidhëse mes kulturave dhe si një hapësirë e rëndësishme për dialog letrar, duke i dhënë mundësi Kosovës të forcojë praninë e saj kulturore dhe të prezantojë vlerat e saj artistike para një publiku të gjerë ndërkombëtar./Albinfo.ch

Muaji i Frankofonisë në Stokholm sjell filmin e regjisores Dea Gjinovci

Në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Frankofonisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës, organizon shfaqjen e filmit dokumentar “La Beauté de l’Âne”, me regji të autores kosovaro-zvicerane Dea Gjinovci, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet më 31 mars 2026, duke filluar nga ora 18:00, në kinemanë Zita Folkets Bio në Stokholm.

Filmi paraqet një rrëfim intim dhe emocional, duke ndjekur udhëtimin e një vajze që synon të rilidhet me rrënjët familjare dhe vendlindjen e babait të saj. Pas më shumë se gjashtë dekadash në mërgim, Asllani rikthehet së bashku me vajzën e tij, Dean, në Makermal – fshatin në Kosovë ku ai ka kaluar fëmijërinë.

Përmes këtij rikthimi, ata përpiqen të ringjallin kujtimet e së kaluarës, duke bashkëpunuar me banorët lokalë për të rindërtuar fragmente të një bote të zhdukur nga lufta. Dokumentari ofron një reflektim të thellë mbi kujtesën, identitetin dhe lidhjen ndërbreznore, duke ndërthurur elemente të dokumentarit klasik me nuanca të realizmit magjik.

Kjo shfaqje është pjesë e angazhimeve kulturore që synojnë promovimin e artit dhe dialogut ndërkulturor, duke sjellë para publikut histori që tejkalojnë kufijtë dhe kohën.

Publiku është i mirëpritur të marrë pjesë në këtë ngjarje kulturore unike./Albinfo.ch

Pianistja kosovare Fatjona Maliqi shkëlqen në koncertin recital në Belgjikë

Pianistja kosovare Fatjona Maliqi ka dhënë një performancë të suksesshme në një koncert recital të mbajtur në Belgjikë, ku u prezantua përkrah cellistes Pauline Stephan, duke sjellë para publikut një mbrëmje të pasur artistike, shkruan albinfo.ch.

Në një reagim pas koncertit, Maliqi shprehu mirënjohjen e saj për përvojën e përbashkët artistike, duke theksuar emocionin dhe kënaqësinë e bashkëpunimit: “Faleminderit Belgjikë. Ishte shumë bukur të luanim së bashku. Mezi po presim koncertet e radhës”.

Ky koncert dëshmoi edhe një herë nivelin e lartë artistik të pianistes, e cila po afirmohet gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare. Fatjona Maliqi konsiderohet si një nga pianistet më interesante të brezit të saj, e njohur për përzgjedhjen e programeve sfiduese që kërkojnë aftësi të larta interpretimi dhe ndjeshmëri të veçantë muzikore.

Performanca e saj u karakterizua nga teknikë e saktë, interpretim i thellë dhe një komunikim i natyrshëm me publikun, duke e bërë këtë recital një përvojë të veçantë artistike.

Pjesëmarrja në koncerte të tilla ndërkombëtare jo vetëm që rrit profilin e artistes, por gjithashtu kontribuon në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në skenat evropiane.

Fatjona Maliqi pritet të vazhdojë me angazhime të reja artistike, duke sjellë projekte dhe koncerte të tjera që do të pasurojnë më tej rrugëtimin e saj në muzikën klasike./Albinfo.ch

Shqipëria me përfaqësim dinjitoz në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig

Shqipëria u prezantua me dinjitet në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig, i cili u mbajt nga 19 deri më 22 mars, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në një nga ngjarjet më prestigjioze të librit në Evropë, transmeton albinfo.ch

Pjesëmarrja u realizua përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, e cila organizoi prezantimin e botimeve dhe autorëve shqiptarë, duke sjellë një panoramë të pasur të krijimtarisë letrare bashkëkohore. Gjatë ditëve të panairit, stenda shqiptare tërhoqi një numër të konsiderueshëm vizitorësh, përfshirë bashkatdhetarë dhe lexues ndërkombëtarë, duke reflektuar një interes në rritje për letërsinë shqipe.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi këtë pjesëmarrje si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe promovimin e vlerave kombëtare. Ai theksoi se autorët, botimet e përzgjedhura dhe aktivitetet e organizuara kontribuan në një prezantim dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të librit.

Pjesëmarrja e këtij edicioni u zhvillua nën temën “Kur historitë na lidhin”, një koncept që thekson rolin e letërsisë si urë komunikimi mes kulturave dhe si mjet për ndarjen e përvojave njerëzore. Kjo moto reflekton qasjen e panairit për të nxitur dialogun ndërkulturor dhe për të sjellë në vëmendje zëra të ndryshëm letrarë nga e gjithë bota.

Në kuadër të bashkëpunimit me rrjetin evropian Traduki, Shqipëria prezantoi botimet e saj më të reja në një hapësirë të përbashkët, duke vënë në pah vlerat e letërsisë shqipe dhe trashëgiminë e pasur kulturore që ajo përfaqëson.

Kjo pjesëmarrje konfirmon përkushtimin e institucioneve shqiptare për promovimin e kulturës dhe letërsisë kombëtare në skenën ndërkombëtare, duke forcuar njëkohësisht lidhjet me lexuesit dhe partnerët kulturorë në Evropë dhe më gjerë./Albinfo.ch

Edisa Shoshi diplomon në Master në Universitetin e Tokios

Edisa Shoshi, nga Istogu, ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik, duke përfunduar studimet Master në Inxhinieri Elektrike dhe Sisteme të Informacionit në Universitetin e Tokios, në Japoni, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në botë, transmeton albinfo.ch.

 

Ajo ishte ish-nxënëse e shkollës “Ismail Qemali” në Saradran, Edisa është dalluar që herët për rezultate të shkëlqyera dhe përkushtim në arsim. Rrugëtimi i saj akademik vazhdoi jashtë vendit, fillimisht në Evropë, për të kulmuar me pranimin dhe përfundimin me sukses të studimeve në Japoni, një arritje që e vendos atë në mesin e kuadrove të reja me potencial ndërkombëtar.

 

Sipas njoftimeve, ajo jo vetëm që arriti të bëhet pjesë e Universitetit të Tokios, por edhe i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera dhe madje para afatit të paraparë, duke dëshmuar disiplinë të lartë dhe seriozitet në rrugën e saj shkencore.

 

Ceremonia e diplomimit shënoi një moment të veçantë jo vetëm për Edisën, por edhe për familjen e saj, duke u kthyer në një simbol krenarie dhe reflektimi për një rrugëtim të suksesshëm. Prania e familjarëve në këtë ditë të rëndësishme dëshmoi mbështetjen e vazhdueshme që ajo ka pasur gjatë gjithë rrugës së saj.

 

Në një mesazh emocional, familja e saj e ka cilësuar këtë arritje si një moment të madh krenarie, duke theksuar se përkushtimi, disiplina dhe besimi në vetvete janë çelësi i suksesit. Sipas tyre, Edisa tashmë ka hapur rrugën drejt një të ardhmeje të ndritur në fushën e kërkimeve shkencore dhe në institucionet më të avancuara akademike.

 

Ky sukses përbën një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim, edhe nga një shkollë lokale mund të arrihen majat e arsimit botëror. /Albinfo.ch

 

Kusari-Lila: Shtëpitë e gatshme prej druri “Made in Kosova” po zgjerohen në tregjet ndërkombëtare

Shtëpitë e gatshme prej druri të prodhuara në Kosovë po vazhdojnë të depërtojnë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, me eksport kryesisht në Evropë dhe Amerikë, sipas postimit të publikuar nga Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

Në një takim me Nazmi Mehmetaj, kryetar i bordit të Klasterit të Ndërtimeve të Parafabrikuara dhe pronar i kompanisë Greenhouse, dhe me drejtoreshën ekzekutive Sytrime Dervisholli, u diskutua rreth zhvillimit të këtij sektori, i cili po shënon rritje të vazhdueshme.

Sfida kryesore mbetet mungesa e hapësirave për prezantimin e produkteve, si demo-parqet dhe zonat demonstrative, të cilat mund të ndihmojnë në zgjerimin e mëtejshëm të industrisë.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e uljes së deficitit tregtar përmes forcimit të prodhimit vendor dhe zhvillimit të industrisë. Zonat ekonomike të gjelbra janë në qendër të këtij vizioni, duke kombinuar prodhimin me qëndrueshmërinë, mbrojtjen e mjedisit dhe riciklimin.

Synimi sipas saj është të fuqizohet kapitali vendor, të krijohen klasterë të qëndrueshëm industrialë dhe të forcohet bashkëpunimi institucional për një të ardhme më të zhvilluar ekonomike.

Propozimi 14-pikësh i Trump për të përfunduar konfliktin me Iranin

Sipas mediave izraelite, qeveria e Donald Trump ka dërguar Teheranit një paketë me 15 kushte për t’i dhënë fund luftës, që përfshin kufizime për programin bërthamor dhe raketor të Iranit, si dhe shpërblime si heqja e sanksioneve.

Qeveria amerikane synon që këto kushte të sigurojnë objektivat strategjike të SHBA-së dhe Izraelit, por ka shqetësime në Jeruzalem se Trump mund të përpiqet për një marrëveshje të shpejtë, pa respektuar të gjitha kushtet. Bashkëpunëtorët e presidentit, si Jared Kushner dhe Steve Witkoff, propozojnë një armëpushim njëmujor për të negociuar marrëveshjen 15-pikëshe.

Nga 15 kushtet, raporti zbulon 11 kërkesa dhe 3 shpërblime:

Kërkesat për Iranin:

Shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore ekzistuese.

Angazhim për mosprodhimin e armëve bërthamore.

Ndalimi i pasurimit të uraniumit.

Dorëzimi i 450 kg uranium të pasuruar 60% tek IAEA.

Shkatërrimi i objekteve në Natanz, Isfahan dhe Fordow.

Qasje e plotë për IAEA brenda Iranit.

Heqja dorë nga “forcat proxy”.

Ndalimi i financimit dhe armatosjes së aleatëve rajonalë.

Ruajtja e hapur e Ngushticës së Hormuzit.

Kufizimi i programit raketor të Iranit.

Përdorimi i raketave vetëm për mbrojtje.

Shpërblimet për Iranin:

12. Heqja e plotë e sanksioneve ndërkombëtare.

13. Ndihmë për zhvillimin e programit civil bërthamor.

14. Heqja e mekanizmit “snapback” që rikthen sanksionet në rast shkeljeje.

Kjo paketë tregon përpjekjen e SHBA-së për një zgjidhje diplomatike, por shkakton shqetësim tek udhëheqësia izraelite për pasojat e mundshme nëse Irani fiton pozicione të favorshme para përmbushjes së kushteve.

Zvicra mund të përballet me mungesë energjie këtë dimër

Zvicra rrezikon një mungesë të energjisë elektrike këtë dimër, sipas një studimi të ri të kompanisë Axpo. Studimi tregon se nuk ka alternativa të mjaftueshme përveç ndërtimit të centraleve me gaz ose reaktorëve të rinj bërthamorë.

Konsumi dhe prodhimi

Konsumi i energjisë gjatë dimrit pritet të rritet deri në 20% deri në vitin 2050, për shkak të makinave elektrike, pompave të ngrohjes dhe rritjes së popullsisë. Në dimër, prodhimi aktual nuk arrin të mbulojë kërkesën, pasi energjia diellore dhe hidroelektrike prodhon kryesisht në verë, ndërsa disa centrale bërthamore mund të mbyllen.

Opsionet për të mbuluar mungesën

Energjia e rinovueshme dhe gaz: Energjia nga era dhe dielli nuk mjafton vetë. Do të nevojiteshin 3–4 centrale të mëdha me gaz për periudhat pa erë ose me mjegull.

Energjia bërthamore: Zgjatja e operimit të centraleve ekzistuese dhe ndërtimi i reaktorëve të rinj deri në vitin 2045 mund të sigurojë furnizim, por me kosto shumë të larta dhe rreziqe financiare.

Roli i gazit: Centrale me gaz janë fleksibël dhe relativisht të lira, por në afat të shkurtër përdorin gaz fosil, duke rritur emetimet.

Pa masa të reja, Zvicra mund të përballet me mungesa energjie gjatë dimrit, që mund të rrezikojnë stabilitetin ekonomik dhe shoqëror. Investimet në energji bërthamore, gaz dhe energji të rinovueshme duhet të planifikohen që tani për të siguruar furnizim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Dhuna në familje: Pse janë të rinjtë më të cenueshëm?

Dhuna në familje po rritet në mënyrë të qëndrueshme në Zvicër, por të rinjtë janë veçanërisht të cenueshëm, duke përbërë 9.2% të rasteve të dhunës në familje. Ky grup është relativisht i paeksperiencë, mungon udhëzimi dhe shpesh injorohet. Kur ata guxojnë të flasin, njerëzit përreth shpesh nënvlerësojnë abuzimin.

Dhuna në familje shfaqet ngadalë, duke u futur fshehtas në marrëdhënie. Të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç janë më të rrezikuar, si Lina* 23 vjeçe, e cila sapo ka përfunduar një marrëdhënie afatgjatë gjatë së cilës ka pësuar dhunë nga partneri i saj. “Ai më kërcënoi me armë, me thikë në fyt,” rrëfeu ajo për programin e lajmeve të RTS në orën 19:30.

Ky burrë e izoloi, duke e ndarë nga të dashurit e saj për të ushtruar kontroll të plotë. Që nga ndarja, Lina ka qenë e detyruar të zhvendoset disa herë për t’i shpëtuar. Janë bërë tre denoncime; dy janë refuzuar, ndërsa një është ende në pritje.

Joana, tani 30 vjeçe, jeton një jetë paqësore me dy fëmijët e saj. Por pothuajse dhjetë vjet më parë ajo takoi burrin që do të bëhej bashkëshorti i saj për katër vjet. “Ajo marrëdhënie ishte vetëm për t’i shërbyer atij,” thotë ajo. “Duhej të zgjohesha për të gatuar për të ose për të pasur marrëdhënie intime.”

Dhuna u intensifikua dhe burri ushtronte kontroll të detyruar mbi të. “Nuk më lejohej të dilja kur doja, madje nuk kisha as telefon,” shpjegon Joana. Kur burri i saj filloi të abuzonte me fëmijët e vegjël, ajo vendosi të largohej. Pavarësisht kërkesave të përsëritura për t’u kthyer, ajo refuzoi. “E dija që nëse do të kthehesha, gjithçka do të përfundonte, sepse kisha kryer mëkatin më të madh: të largohesha,” shpjegon Joana.

Dhuna e normalizuar

Në përvojat e tyre të para romantike, të rinjtë 15-24 vjeç shpesh janë shumë të cenueshëm ndaj marrëdhënieve abuzive. Në këtë moshë, është e vështirë të vendosin kufij dhe të njohin shenjat e hershme të dhunës në familje. Organizata Santana Globally We Care (SGWC) mbështet viktimat e këtij abuzimi dhe thekson se shpesh është më e vështirë për të rinjtë të largohen nga një marrëdhënie toksike.

“Sot ata e monitorojnë njëri-tjetrin përmes telefonave,” thotë Angeles Santana, themeluese e SGWC. Rrjetet sociale ofrojnë një kornizë referimi të shtrembëruar. Pikat e krahasimit për adoleshentët nuk përfaqësojnë realitetin. Për shembull, xhelozia, survejimi dhe kontrolli shpesh romantizohen përmes përmbajtjes që shohin.

Kur disa guxojnë të flasin, fillon një tjetër betejë: të merren seriozisht. Amandine Franzoni dhe Caroline Naudin, psikologe kërkimore në Universitetin e Lozanës, krijuan podcastin “Red Flag” që u jep fjalën gjashtë të rinjve për të ndarë përvojat e tyre me dhunën. Përmes historive të tyre, kuptohet se ata duhet të luftonin për t’u dëgjuar dhe për të ndalur trivializimin e këtyre akteve.

“Ne nënvlerësojmë atë që po kalojnë të rinjtë,” shpjegon Caroline Naudin. Amandine Franzoni shton: “Kur dikush guxon të kërkojë ndihmë, është detyra jonë të veprojmë.” Psikologët, shoqatat dhe organizatat mund të mobilizohen për të ofruar mbështetje për këta të rinj, të cilët shpesh mbeten të padukshëm.

*Emrat e personazheve janë pseudonime.

Majlinda Kelmendi refuzon ofertat e huaja, zgjedh të zhvillojë xhudon në Kosovë

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka bërë të ditur se për Majlinda Kelmendin interesimi nga shtete të ndryshme nuk është ndalur, madje oferta konkrete kanë ardhur edhe muajt e fundit. Megjithatë, sipas tij, ajo mbetet e palëkundur në vendimin për të vazhduar rrugëtimin e saj në Kosovë.

Ai tha për RTK se edhe një shtet i fuqishëm ekonomikisht, i përfshirë aktualisht në konflikt, ka tentuar ta afrojë Majlindën, por ajo ka zgjedhur të qëndrojë. Fokusin e saj tani e ka te puna si trajnere dhe zhvillimi i gjeneratave të reja, një mision që e motivon shumë, transmeton albinfo.ch.

Sipas Kukës, përkushtimi ndaj vendit dhe dëshira për të kontribuar në ndërtimin e sportistëve të rinj janë arsyet kryesore pse ajo vazhdon të refuzojë ofertat nga jashtë.

Maqedonia ndër më të ndoturat në Evropë, ajri ende larg standardeve të sigurisë

Një raport i fundit mbi cilësinë e ajrit e rendit Maqedoninë ndër vendet më të ndotura në Evropë, duke u bazuar në nivelin e grimcave PM2.5. Edhe pse ka një përmirësim krahasuar me vitet e kaluara, ndotja mbetet ende shumë mbi kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas raportit të IQAir për vitin 2025, Maqedonia zë vendin e dytë në Evropë dhe të 34-in në botë për ndotjen e ajrit. Niveli mesatar vjetor i PM2.5 arriti në 21.2 mikrogramë për metër kub, shumë më i lartë se kufiri i rekomanduar prej 5 mikrogramësh.

Qytetet më të prekura nga ndotja janë Tetova dhe Strumica, ndërsa në listë renditen gjithashtu edhe Gostivari, Kërçova dhe Kumanova. Edhe në Shkup, megjithëse me nivel pak më të ulët, ajri mbetet larg standardeve të sigurta për shëndetin.

Raporti thekson se, ndonëse niveli i ndotjes ka rënë në krahasim me vitet e fundit dhe është në pikën më të ulët të tetë viteve të fundit, kjo nuk do të thotë se situata është e kënaqshme. Ajri vazhdon të jetë i dëmshëm dhe mbi normat e lejuara.

Në nivel global, vetëm një pjesë e vogël e qyteteve arrijnë të përmbushin standardet e OBSH-së për cilësinë e ajrit. Të dhënat janë mbledhur nga mijëra stacione monitorimi në mbarë botën.

Ndotja e ajrit nuk është vetëm problem mjedisor, por edhe rrezik serioz për shëndetin. Ajo lidhet me sëmundje të zemrës, goditje në tru, kancer dhe prek veçanërisht fëmijët.

Ekspertët theksojnë se përmirësimet e vogla nuk duhet të krijojnë vetëkënaqësi. Edhe pse ka progres, ai nuk është i mjaftueshëm për të garantuar ajër të pastër dhe të sigurt për qytetarët.

Muajt e dimrit mbeten më problematikët për ndotjen, ndërsa pranvera sjell përmirësim të përkohshëm. Kjo tregon nevojën për masa afatgjata dhe jo vetëm sezonale për përballimin e këtij problemi.

Policia e St. Gallen lufton pedofilinë online – hapen 21 procedura penale

Policia kantonale e St. Gallen ka shënuar rezultate të para konkrete në luftën kundër pedofilisë në internet, duke hapur gjithsej 21 procedura penale në kuadër të një projekti pilot hetimor.

Sipas autoriteteve, 12 raste janë regjistruar në kantonin St. Gallen, ndërsa 9 të tjera në kantone të ndryshme të Zvicrës, si rezultat i bashkëpunimit ndërkantonal.

Rritje e kriminalitetit në kanton

Ndërkohë që në nivel kombëtar numri i krimeve në Zvicër gjatë vitit 2025 ka shënuar një rënie të lehtë, në kantonin St. Gallen situata paraqitet ndryshe. Aty është regjistruar një rritje prej rreth 6 për qind e veprave penale.

Policia vendosi të fokusohet veçanërisht në rastet e abuzimit me fëmijët në hapësirën digjitale, duke përdorur metoda të fshehta hetimi.

Hetime të fshehta në internet

Oficerët e policisë janë paraqitur në forume online si fëmijë apo adoleshentë, duke përdorur identitete të rreme për të identifikuar persona të dyshuar.

Sipas Stefan Helfenberger, shef i mbështetjes hetimore në policinë kantonale:

“Është tronditëse ajo që ndodh në internet dhe sa lehtë fëmijët mund të bien pre e abuzimit.”

Ai shpjegon se në shumë raste, të rriturit kontaktojnë të mitur në platforma online, kërkojnë apo dërgojnë përmbajtje të papërshtatshme dhe tentojnë të organizojnë takime – veprime që përbëjnë vepra penale.

Punë e vështirë për hetuesit

Hetimet e tilla kërkojnë përkushtim të madh dhe fleksibilitet, pasi oficerët shpesh duhet të komunikojnë me të dyshuarit edhe jashtë orarit të punës.

“Hetuesit përballen me përmbajtje shumë shqetësuese dhe shpeshherë me anën më të errët të shoqërisë,” tha Helfenberger.

Arrestime dhe kontrolle

Në kuadër të projektit pilot janë kryer:

13 kontrolle banesash

10 arrestime

Të gjithë personat e dyshuar janë meshkuj. Sipas policisë, përvoja tregon se gratë rrallë përfshihen në këtë lloj krimi.

Megjithatë, procedurat penale janë ende në zhvillim dhe ndaj të dyshuarve zbatohet prezumimi i pafajësisë.

Projekti vazhdon

Autoritetet e konsiderojnë projektin si të suksesshëm dhe kanë vendosur ta zgjasin atë të paktën deri në fund të vitit 2026.

Policia thekson se analiza e të dhënave digjitale dhe komunikimeve kërkon kohë të gjatë, por është thelbësore për zbulimin e rasteve të tjera të mundshme.

Pse është kaq e vështirë të ndryshosh karrierë në Zvicër?

Ndryshimi i karrierës shpesh paraqitet si një hap i guximshëm dhe frymëzues, por realiteti është dukshëm më kompleks. Në Zvicër, ky proces përfshin pengesa institucionale, pabarazi sociale dhe sfida personale që e bëjnë rikualifikimin profesional të ngjajë me një rrugë të vështirë.

Sipas të dhënave, vetëm rreth 5% e popullsisë zvicerane ndryshon karrierë çdo vit, një shifër relativisht e ulët krahasuar me perceptimin publik. Profesori Jonas Masdonati nga Universiteti i Lozanës thekson se nuk ka një rritje të madhe të këtyre rasteve, siç mund të mendohet shpesh.

Historitë frymëzuese që shfaqen në media zakonisht fshehin anën më të errët të këtij procesi. Ndryshimet e dështuara ose të detyruara të karrierës shpesh mbeten të padukshme, megjithëse prekin një numër të madh njerëzish, veçanërisht ata që përballen me papunësi apo probleme shëndetësore.

Mbështetja institucionale ndryshon në varësi të llojit të ndryshimit të karrierës dhe shpesh është e kufizuar. Programet për ndryshime vullnetare zakonisht ofrojnë më pak përkrahje dhe kanë kushte më të rrepta. Ndërkohë, sistemi i arsimit të vazhdueshëm për të rritur mbetet kompleks dhe jo gjithmonë i përshtatur me nevojat reale të individëve.

Faktorë si mosha, gjinia dhe niveli i arsimit ndikojnë ndjeshëm në suksesin e tranzicionit profesional. Gratë, për shkak të përgjegjësive familjare, përballen me më shumë pengesa në këtë drejtim.

Ekspertët theksojnë se përveç barrierave praktike, edhe pengesat psikologjike luajnë një rol të rëndësishëm në vendimin për të ndryshuar karrierë, ndërsa niveli i arsimimit mbetet një faktor kyç në arritjen e suksesit në këtë proces.

Në Zvicër, një në pesë të moshuar heq dorë nga kujdesi mjekësor për arsye financiare

Një studim i fundit tregon se një në pesë persona mbi moshën 65 vjeç në Zvicër heq dorë nga trajtimet mjekësore për shkak të vështirësive financiare. Më së shumti, kjo ndodh me kujdesin dentar, i cili nuk mbulohet nga sigurimi bazë shëndetësor. Kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2017.

Megjithatë, studimi – i publikuar në revistën “European Journal of Public Health” dhe i realizuar nga Laboratori i Shëndetit Publik i Universitetit të Fribourgut, Shkolla Zvicerane e Shëndetit Publik dhe Haute Ecole de la Santé La Source – zbulon se 13% e personave mbi 65 vjeç heqin dorë edhe nga shërbime të tjera shëndetësore, të cilat në fakt mbulohen nga sigurimi bazë, si ilaçet, konsultat, analizat dhe trajtimet.

Pse ndodh kjo?

Sipas Carolina Urbina, koordinatore për Zvicrën frankofone në shërbimet e këshillimit social të Pro Senectute, arsyeja kryesore lidhet me barrën financiare në fillim të vitit:

“Në fillim të vitit, shumat e deduktueshme dhe bashkëpagesat janë të larta për personat që jetojnë me pensione të ulëta. Ata kanë të ardhura të mjaftueshme për të mos kërkuar ndihmë sociale, por jo aq sa të përballojnë shpenzime shtesë që rëndojnë buxhetin e tyre.”

Një fenomen i vazhdueshëm, por në përkeqësim

Edhe pse kjo situatë nuk është e re dhe ka mbetur pothuajse e njëjtë që nga viti 2017, studiuesit vërejnë një hendek në rritje: sa më i ulët të jetë niveli i të ardhurave, aq më i lartë është rreziku për të hequr dorë nga kujdesi shëndetësor. Ky lidhje është forcuar me kalimin e kohës.

Çfarë mund të bëhet?

Për personat me buxhet të kufizuar, ekzistojnë disa mundësi ndihme. Ata që përfitojnë nga mbështetjet shtesë mund të zgjedhin një deduktues më të ulët. Megjithatë, problemi lind për ata që ndodhen në kufirin e përfitimit.

Carolina Urbina rekomandon kontaktimin e shërbimeve sociale të Pro Senectute në kantonin përkatës:

“Konsultimi është falas. Ai ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve dhe në përfitimin e ndihmave financiare.”

Më të prekurit: mosha 65–79 vjeç

Sipas studimit, personat e moshës 65 deri në 79 vjeç kanë më shumë gjasa të heqin dorë nga kujdesi shëndetësor sesa ata mbi 80 vjeç.

Një nga arsyet e mundshme, sipas Urbina-s, është se:

“Personat mbi 80 vjeç zakonisht janë tashmë në ndjekje të rregullt nga mjeku i familjes. Kjo shërben edhe si një mënyrë për të luftuar izolimin social.”

Ndërkohë, personat 65–79 vjeç shpesh ndihen ende të rinj dhe mendojnë se mund të presin para se të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shtyrja e trajtimit mund të çojë në përkeqësim të shëndetit dhe në situata edhe më të vështira në të ardhmen.

Magic Pass vazhdon zgjerimin, por disa qendra skijimi mbeten jashtë

Abonimi i njohur zviceran për sportet dimërore, Magic Pass, po vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, duke përfshirë tashmë rreth 100 qendra skijimi në të gjithë Zvicrën. Megjithatë, jo të gjitha stacionet po arrijnë të bëhen pjesë e kësaj skeme, pasi disa prej tyre refuzohen për arsye ekonomike dhe konkurruese.

I lançuar në vitin 2017 me vetëm 25 resorte në Zvicrën frankofone, Magic Pass synon të rigjallërojë industrinë e skijimit duke ofruar akses të pakufizuar me një çmim të përballueshëm. Suksesi ka qenë i madh: mbi 321 mijë abonime janë shitur për sezonin 2025–2026.

Megjithatë, disa qendra të njohura, sidomos ato me klientelë ndërkombëtare si Portes du Soleil, 4 Vallées, Crans-Montana dhe Zermatt, nuk janë pjesë e këtij sistemi.

Refuzime të përsëritura për disa stacione

Disa resorte më të vogla po përballen me refuzime të vazhdueshme. Stacioni Saas Grund, për shembull, është refuzuar katër herë, ndërsa edhe Grächen nuk arriti të pranohet këtë vit.

Sipas drejtuesve të Magic Pass, vendimet merren në mënyrë demokratike nga anëtarët dhe bazohen kryesisht në analiza ekonomike. Llogaritet nëse një stacion i ri do të sjellë klientë të rinj apo do të shpërndajë të ardhurat ekzistuese mes më shumë aktorëve.

Në rastin e Saas Grund, është vlerësuar se përfitimi nga klientët e rinj nuk kompenson humbjet e mundshme për stacionet ekzistuese.

Konkurrenca dhe tensionet lokale

Në rajonin e Saas-it, tensionet mes stacioneve fqinje, veçanërisht mes Saas Grund dhe Saas Fee, kanë shtuar polemikat. Ka pretendime se konkurrenca lokale mund të ndikojë në vendimet për pranimin në Magic Pass, edhe pse kjo mohohet nga drejtuesit e skemës.

Pak shanse për ata që mbeten jashtë

Sipas drejtuesve të Magic Pass, stacionet që ndodhen në zona ku rrjeti tashmë është i zhvilluar kanë shumë pak gjasa të pranohen, përveç nëse sjellin një numër të madh klientësh të rinj.

Qëllimi i Magic Pass mbetet ekonomik dhe jo social, theksojnë ata, duke nënvizuar se nuk mund të rrezikojnë të ardhurat e anëtarëve ekzistues për të shpëtuar stacione në vështirësi.

E ardhmja e pasigurt për disa resorte

Disa stacione, si Saas Grund, po shqyrtojnë alternativa për të mbijetuar jashtë këtij sistemi, duke u fokusuar në cilësi të lartë dhe çmime konkurruese.

Ndërkohë, për sezonin e ardhshëm, Magic Pass do të zgjerohet më tej dhe do të përfshijë edhe përfitime të reja, si udhëtime falas me transport publik për abonentët.

UDC nis fushatë për iniciativën “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”

Partia Popullore Zvicerane (UDC) ka nisur zyrtarisht fushatën për iniciativën popullore “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”, duke synuar kufizimin e rritjes së popullsisë në vend.

Sipas përfaqësuesve të UDC-së, kjo iniciativë synon të frenojë atë që ata e quajnë “rritje të pakontrolluar të popullsisë”, e cila, sipas tyre, po ushtron presion mbi tregun e banesave, infrastrukturën dhe shërbimet publike. Partia argumenton se migracioni i lartë po ndikon negativisht në cilësinë e jetës dhe në sigurinë sociale, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa parasheh që autoritetet zvicerane të ndërhyjnë nëse popullsia i afrohet pragut prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050, duke kufizuar hyrjet e reja dhe duke rishikuar politikat e migracionit.

Megjithatë, qeveria zvicerane dhe shumica e aktorëve ekonomikë janë shprehur kundër kësaj nisme, duke paralajmëruar se masa të tilla mund të dëmtojnë ekonominë dhe marrëveshjet me Bashkimin Evropian. Një ndër shqetësimet kryesore është rreziku i prishjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë të personave me BE-në, që konsiderohet jetike për tregun e punës në vend.

Votimi për këtë iniciativë pritet të zhvillohet gjatë këtij viti, duke e kthyer atë në një nga debatet më të rëndësishme politike në Zvicër.

Kurti: Zvicra është një nga partnerët më çmuar të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher.

Kryeministri Kurti theksoi se Zvicra është një nga partnerët më çmuar të Kosovës dhe shtoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, krahas lidhjes nëpërmjet mërgatës, janë të ndërtuara në vlera të përbashkëta, si: sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Pasi tha se është i interesuar që në mandatin e ri të thellojë bashkëpunimin me Zvicrën, kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e vazhdueshme nëpërmjet KFOR-it dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), transmeton albinfo.ch.

Në kuadër të programit katërvjeçar të SDC-së, Zvicra ka të zotuara për Kosovën një total prej 86 milionë eurosh, ndërsa për periudhën e re 2026-2029 janë zotuar më shumë se 64 milionë euro të tjera.

Ambasadori Sprecher uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri, duke theksuar se Zvicra do të punojë ngushtë me institucionet demokratike të Kosovës.

Mes tjerash në takim u bisedua për mërgatën kosovare në Zvicër, si një urë lidhëse ndërmjet dy shteteve, si dhe për Marrëveshjen për Tregti të Lirë – EFTA, e nënshkruar në janar të vitit të kaluar në Davos, por e cila ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Zvicra është burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë, ndërsa afër një e pesta e totalit të remitencave vijnë nga mërgata në këtë shtet.