REL: SHBA-ja drejt furnizimit të Kosovës me armatim me vlerë prej 14 milionë dollarësh

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

I njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për më shumë hollësi, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarët e saj.

Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga Uashingtoni.

Në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga SHBA-ja. Muaj më vonë, Kosova u furnizua me autoblinda të blera në SHBA.

Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.

Asokohe, Departamenti amerikan i Shtetit kishte konfirmuar për REL-in se vlera e raketave që Kosova kërkonte t’i blinte ishte rreth 75 milionë dollarë.

Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Aktualisht, FSK-ja po përgatitet të bashkohet me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e planit për paqe në këtë rajon, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Një ekip i FSK-së mbërriti muajin e kaluar në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Përbërja e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është përcaktuar ende plotësisht, por, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas.

Nuk është ende e qartë se kur do të dislokohen kontingjentet e para, por, sipas disa raportimeve, kjo mund të ndodhë në muajin maj./REL

Edi Rama bën thirrje për votim në Eurovision: “Votoni 13 për Shqipërinë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një thirrje publike për mbështetjen e përfaqësuesit shqiptar në Eurovision 2026, artistit Alis, i cili do të performojë mbrëmjen e sotme në Vjenë, në kuadër të gjysmëfinales së dytë të këtij kompeticioni të madh evropian, përcjell albinfo.ch.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, Rama ka inkurajuar publikun që të votojë për Shqipërinë duke dërguar votën me numrin 13, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së artistit shqiptar në një skenë ndërkombëtare.

“Le të mbështesim artistin dhe përfaqësuesin tonë në Eurovision, Alis, dhe ta bëjmë zërin shqiptar të dëgjohet në gjithë Europën dhe më gjerë,” ka shkruar Rama.

Thirrja e tij shoqërohet me apel për mobilizim të diasporës dhe publikut jashtë Shqipërisë, pasi votimi në Eurovision lejohet vetëm nga shtetet pjesëmarrëse dhe nga vendet e tjera jashtë Shqipërisë.

Sipas udhëzimeve zyrtare të votimit, Shqipëria votohet me numrin 13, ndërsa të gjitha kodet dhe numrat përkatës sipas shteteve mund të gjenden në platformën zyrtare të Eurovision.

Alis përfaqëson Shqipërinë këtë vit me këngën “Nan”, duke synuar kualifikimin në finalen e madhe të Eurovision 2026./Albinfo.ch

Haxhiu e dënon sulmin ndaj Mehanit, kërkon që organet të veprojnë ndaj “personave të përfshirë”

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se e dënon sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehanit, duke thënë se dhuna fizike në jetën publike është “cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike”, përcjell albinfo.ch.

“Dënoj ashpër sulmin fizik ndaj Hysni Mehanit, zëvendësministër, kandidat për deputet dhe kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj”.

Haxhiu shtoi se “mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik”. Ajo i bëri thirrje organet e rendit të veprojnë ndaj “çdo personi të përfshirë” në këtë incident.

“Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë, të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit”. “Hysni Mehanit i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në angazhimet e tij publike. Familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve u bëj thirrje për përmbajtje, qetësi dhe besim në institucionet e Republikës”.

Studim në Cyrih: Rritet frika nga dëbimet e qiramarrësve

Një studim i ri në kantonin e Cyrihut tregon një rritje të shqetësimit te qiramarrësit lidhur me mundësinë e humbjes së banesave të tyre. Sipas anketës, 84 për qind e qiramarrësve kanë frikë se mund të dëbohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa pasiguria është veçanërisht e theksuar te të moshuarit, përcjell albinfo.ch.

Raporti tregon se në zonën metropolitane të Cyrihut, dëbimet për shkak të banesave të lira janë shumë më të shpeshta se në kantone të tjera, duke qenë deri 13 herë më të larta se në Gjenevë. Kjo situatë ka shtuar ndjeshëm shqetësimin tek banorët.

Sipas të dhënave, 94 për qind e të anketuarve kërkojnë mbrojtje më të fortë nga kantoni kundër dëbimeve pa arsye të qarta.

Studimi i ETH gjithashtu thekson një prirje të dukshme në tregun e banesave: qiramarrësit e rinj në ndërtesat e reja ose të rinovuara paguajnë mesatarisht dy herë më shumë qira sesa qiramarrësit e mëparshëm./Albinfo.ch

Kolonat e gjata vazhdojnë në Gotthard, bllokim i madh i trafikut drejt jugut

Trafiku drejt jugut në Zvicër është rënduar ndjeshëm të enjten në mëngjes, me një kolonë të gjatë që ka arritur rreth 10 kilometra para hyrjes veriore të tunelit Gotthard, transmeton albinfo.ch.

Sipas TCS (Touring Club Suisse), koha e pritjes ka shkuar deri në 1 orë e 40 minuta. Kolona është krijuar në disa segmente të autostradës A2, midis Erstfeld dhe Göschenen, duke shkaktuar ngadalësim të madh të qarkullimit.

Autoritetet kanë rekomanduar si alternativë rrugën përmes tunelit San Bernardino në A13, por edhe aty është raportuar trafik i rënduar, me kolona po ashtu rreth 10 kilometra.

Edhe një ditë më parë, e mërkura, është regjistruar e njëjta situatë me kolona të gjata në të njëjtën zonë, duke treguar një ngarkesë të vazhdueshme të trafikut në këtë aks të rëndësishëm drejt jugut të Zvicrës./Albinfo.ch

Përplasje në Skenderaj: VV thotë se Hysni Mehani u sulmua fizikisht nga Sami Lushtaku

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kryetari i qendrës së saj në Skenderaj, Hysni Mehani, është sulmuar fizikisht gjatë së enjtes në një kafene në qendër të qytetit, përcjell albinfo.ch.

Sipas reagimit të Lëvizja Vetëvendosje, Mehani, i cili është edhe zëvendësministër në Ministrinë e Financave – është sulmuar nga zyrtari i Partia Demokratike e Kosovës dhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me shoqëruesit e tij.

Në reagim thuhet se Mehani fillimisht është goditur me grusht dhe më pas edhe me gotë në kokë. Po ashtu, sipas këtij subjekti politik, sekretari i qendrës së VV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, është sulmuar kur ka tentuar të ndalojë përshkallëzimin e situatës.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se Mehani ka marrë trajtim mjekësor dhe ka kërkuar nga organet e rendit që rasti të trajtohet me urgjencë dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.

Ndërkohë, Mehani ka reaguar edhe në rrjetet sociale duke thënë se është sulmuar nga Lushtaku dhe, siç është shprehur ai, “banda e tij”. Ai ka shtuar gjithashtu se gjatë incidentit i është marrë edhe telefoni personal dhe ka kërkuar nga policia të kujdeset për sigurinë e familjes së tij.

Nga ana tjetër, Lushtaku ka reaguar duke thënë se ndaj tij pati provokime nga përkrahës të pushtetit. Sipas tij, etiketimet ndaj tij kanë shkaktuar reagimin e qytetarëve.

Deri më tani nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin./Albinfo.ch

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona

Pse janë mbipopulluar burgjet në Zvicër?

Burgjet në Zvicër po përballen me mbipopullim rekord në fillim të vitit 2026. Sipas ekspertit të ekzekutimit të dënimeve, Benjamin Brägger, kjo situatë vjen për disa arsye kryesore, përcjell albinfo.ch.

Ai thekson se rritja e popullsisë në Zvicër ka sjellë edhe rritje të rasteve të kriminalitetit. Po ashtu, një faktor tjetër është rritja e aktiviteteve kriminale nga persona pa leje qëndrimi, si dhe raste të krimit të organizuar në disa zona kufitare.

Një tjetër arsye lidhet me sistemin e azilit, ku disa persona kryejnë vepra penale gjatë procesit ose mbeten në vend edhe pas refuzimit të azilit. Gjithashtu, dënimet për krime të rënda janë bërë më të gjata në vitet e fundit, duke rritur numrin e të burgosurve.

Për të lehtësuar situatën, ekspertët propozojnë rritjen e kapaciteteve të burgjeve ose përdorimin më të madh të alternativave si puna në komunitet, sidomos për rastet e gjobave të papaguara.

Sipas tyre, kjo do të ulte kostot dhe do të ndihmonte në zvogëlimin e mbipopullimit në burgje. /Albinfo.ch

Çfarë është hapur dhe mbyllur sot në Zvicër?

Sot, më 14 maj, Zvicra shënon festën e Ascension (Ngjitja e Krishtit), e cila është ditë pushimi zyrtar në të gjitha kantonet. Si pasojë, shumica e bizneseve dhe institucioneve do të jenë të mbyllura, megjithëse jo të gjitha, përcjell albinfo.ch.

Supermarketet dhe shumica e dyqaneve me pakicë nuk do të punojnë, por përjashtim bëjnë pikat që ndodhen në aeroportet dhe stacionet kryesore të trenave. Po ashtu, të hapura mbeten edhe dyqanet e vogla të furnizimit në pompa benzine, si Coop Pronto dhe Migrolino.

Kafenetë dhe lokalet e vogla, si çajtoret, në shumë raste do të qëndrojnë të hapura, duke u ofruar qytetarëve mundësi për shërbim. Edhe një pjesë e restoranteve pritet të vazhdojnë punën, ndonëse disa të tjerë mund të jenë të mbyllur.

Transporti publik do të funksionojë sipas orarit të së dielës. Trenat, autobusët dhe tramvajet do të qarkullojnë më rrallë se në ditët e punës, por shërbimi do të vazhdojë normalisht dhe oraret mund të kontrollohen përmes aplikacionit ose faqes së SBB.

Sa i përket shërbimeve shëndetësore, farmacitë do të jenë të mbyllura, por disa prej tyre do të funksionojnë me orar kujdestarie. Informacioni për farmacitë e hapura mund të merret në numrin 1811.

Në rast emergjencash mjekësore, spitalet dhe urgjencat do të punojnë normalisht. Për ndihmë urgjente duhet të thirret numri 144, ndërsa policia dhe zjarrfikësit janë të qasshëm 24 orë në ditë në numrat 117 dhe 118.

Autoritetet theksojnë se ambulanca duhet të thirret vetëm në raste vërtet emergjente. Për raste jo-urgjente, qytetarët këshillohen të kontaktojnë shërbimet kantonale mjekësore për të marrë informacion se te cili mjek ose dentist kujdestar duhet të drejtohen. /Albinfo.ch

Rreth 18 minatorë të Trepçës ende të bllokuar në minierë

Rreth 18 minatorë të Trepça vazhdojnë të jenë të bllokuar në minierë, pas një incidenti që ndodhi gjatë punës në nëntokë, përcjell albinfo.ch.

Kështu bëri të ditur kryetari i Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, i cili tha se fillimisht mbi 40 minatorë kishin mbetur të bllokuar.

Sipas tij, një pjesë e minatorëve kanë arritur të dalin nga miniera në këmbë, ndërsa rreth 18 prej tyre vazhdojnë të jenë ende brenda.

“Mbi 40 minatorë kanë qenë të bllokuar. Një pjesë prej tyre kanë arritur të dalin në këmbë, ndërsa sipas informacioneve rreth 18 vazhdojnë të jenë ende brenda, ata të cilët kanë qenë më të dobët me shëndet”, deklaroi Jonuzi.

Ai shtoi se gjendja e përgjithshme shëndetësore e minatorëve është e mirë dhe se ekziston komunikim i vazhdueshëm me ta.

Megjithatë, Jonuzi theksoi se sa më shumë kohë që minatorët qëndrojnë në minierë, aq më e vështirë bëhet situata.

“Gjendja e përgjithshme e tyre është e mirë. Kemi komunikim me ta, por sa më tepër kohë që kalojnë brenda situata rëndohet. Kanë nevojë për furnizime, ushqim dhe ujë, sepse janë në rezervat e fundit”, tha ai./Albinfo.ch

Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”

Sonte, Shqipëria ngjitet në skenën e madhe të Eurovision Song Contest me artistin shkodran Alis, i cili përfaqëson vendin me këngën Nan, transmeton albinfo.ch.

Kënga përcjell një mesazh të fortë emocional dhe trajton mallin e nënës për fëmijët që jetojnë në mërgim, një temë që prek veçanërisht komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Performanca e Alisit pritet me interes të madh nga publiku shqiptar dhe fansat e festivalit evropian të muzikës. Mbështetja për artistin ka qenë e dukshme edhe në rrjetet sociale dhe në komunitetet shqiptare në diasporë. Me stilin e tij unik dhe interpretimin emocional, ai synon të sjellë një paraqitje dinjitoze për Shqipëria në një nga skenat më prestigjioze muzikore në Evropë.

Sonte, Alis do të performojë i 13-ti në renditje, njëherësh edhe numri me të cilin publiku mund ta votojë.

Për ta mbështetur nga Kosova, votimi mund të bëhet online përmes platformës zyrtare të festivalit, edhe pse vendi ende nuk merr pjesë në këtë garë. Votimi hapet menjëherë pas përfundimit të të gjitha performancave të mbrëmjes.

Ndërkohë, shqiptarët në diasporë mund të votojnë përmes SMS-ve dhe thirrjeve telefonike, duke ndjekur udhëzimet e televotimit në shtetet ku ndodhen./Albinfo.ch

Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, viziton Kosovën të premten para zgjedhjeve të 7 qershorit

Komisionerja e Bashkimit Evropian për zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në Kosovë të premten, ku pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit “në detyrë” të institucioneve, përcjell albinfo.ch.

Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, Kos do të takohet fillimisht me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Më pas, ajo do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkohë, sipas raportimeve, takimi i tretë nuk është planifikuar të jetë me përfaqësues të opozitës, por me përfaqësues të shoqërisë civile.

Kjo vizitë shënon qëndrimin e parë të Marta Kos në Kosovë që nga marrja e detyrës në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh vizita në vendet tjera të rajonit, as para dhe as pas qëndrimit në Prishtinë.

Kos kishte planifikuar të vizitonte Kosovën edhe më 12 mars, por ajo vizitë u anulua për shkak të zhvillimeve politike të asaj kohe, kur presidentja Vjosa Osmani kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, pasi institucioni nuk arriti të zgjedhë kryetarin e shtetit brenda afatit kushtetues.

Vizita e së premtes vjen vetëm tri javë para zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Komisionerja për zgjerim vjen në Prishtinë tri ditë pas një deklarate të fortë të bërë në Bratisllavë gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku theksoi se siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e rajonit.

“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, deklaroi Kos./Albinfo.ch

Dy ushtarë shqiptarë triumfojnë në garën “Best Warrior” të Gardës Kombëtare në SHBA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar një arritje të rëndësishme të dy pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të cilët kanë shkëlqyer në një garë prestigjioze ushtarake në SHBA, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, rreshteri Marjus Cauli dhe kaporali Hambel Peçi kanë marrë pjesë në Konkursin e Luftëtarit më të Mirë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së New Jerseyt për vitin 2026, ku janë renditur fitues në kategoritë e tyre përkatëse.

Gara është zhvilluar gjatë katër ditëve intensive dhe ka përfshirë sfida të shumta fizike dhe ushtarake, si kalimi i pengesave, testime të fitnesit, aftësi në ujë, orientim në terren, si dhe ushtrime qitjeje nën presion me përdorimin e disa llojeve të armëve.

“Javën e kaluar, ndërsa po festonim 25-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror midis Gardës Kombëtare të New Jerseyt dhe Forcave të Armatosura Shqiptare, rreshteri shqiptar Marjus Cauli dhe kaporali Hambel Peçi garuan në Konkursin e Luftëtarit më të Mirë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së New Jerseyt për vitin 2026 – dhe fituan në divizionet e tyre!”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Ambasada e ka vlerësuar këtë sukses si një dëshmi të bashkëpunimit të fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke uruar dy ushtarakët shqiptarë për këtë arritje të rëndësishme dhe për përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Filmi “Zgjoi” prezantohet në Padovë para audiencës italiane dhe diasporës shqiptare

Filmi i mirënjohur kosovar “Zgjoi” është shfaqur më 11 maj 2026 në Teatrin “Ruzante” në Padovë, duke u prezantuar para një audience të përbërë nga qytetarë italianë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali, transmeton albinfo.ch.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Diamant Kastrati, së bashku me bashkëshorten. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu profesorë dhe studentë nga Universiteti i Padovës, ndërmarrës dhe veprimtarë të njohur nga qyteti, si dhe Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe, historia jetësore e së cilës ka shërbyer si frymëzim për filmin e regjisores Blerta Basholli.

Shfaqja e filmit u organizua në kuadër të javës së kulturës “Young Europeans: Kosovo Week”, një iniciativë e studentëve shqiptarë në Universitetin e Padovës. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Universitetit të Padovës, Qendrës për Hulumtimin e të Drejtave të Njeriut “Antonio Papisca” dhe Komunës së Padovës.

Programi i kësaj jave kulturore përfshin edhe aktivitete të tjera që synojnë promovimin e kulturës dhe historive të suksesit nga Kosova. Ndër to është edhe ekspozita fotografike “Kosovo Through New Lenses” e autorit Arben Llapashtica, e cila është hapur gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, më 15 maj 2026 do të mbahet paneli i diskutimit “Game Changers: Building a Country Through Youth”, ku do të prezantohen histori suksesi të të rinjve nga Kosova, Shqipëria dhe Presheva, duke vënë në pah rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit./Albinfo.ch

Arsimi dual në Kosovë, përvoja suedeze dhe fuqizimi i vajzave në shkollat profesionale

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Shkendije Geci-Sherifi, priti në ambientet e Ambasadës një grup vajzash nga shkollat profesionale anembanë Kosovës, së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere që veprojnë në fushën e arsimit profesional dhe fuqizimit të grave, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, mësimdhënës të shkollave profesionale, përfaqësues të organizatës Kosova Women 4 Women, si dhe të organizatës LuxDev.

Vizita u zhvillua në kuadër të projektit “Skills for Sustainable Jobs in Kosovo”, i cili zbatohet nga LuxDev, me Kosova Women 4 Women si organizatë partnere kyçe dhe me mbështetje institucionale nga MASHTI.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte prezantimi i znj. Esen Kazazi Santuri, mësimdhënëse në gjimnazin Praktiska Gymnasiet Södertälje në Suedi, e cila mbajti një ligjëratë mbi funksionimin e shkollave profesionale në Suedi. Ajo foli për modelin e arsimit dual, kombinimin e mësimit teorik me praktikën profesionale, bashkëpunimin e ngushtë me tregun e punës dhe mundësitë që u ofrohen nxënësve për zhvillim dhe punësim.

Mësimdhënësja suedeze ishte e shoqëruar edhe nga dy nxënëse të shkollës së saj, të cilat ndanë përvojat personale nga edukimi profesional dhe përfitimet që ky sistem u krijon të rinjve në Suedi.

Gjatë takimit, ambasadorja Geci-Sherifi prezantoi gjithashtu një pasqyrë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, ndërsa pjesëmarrëset nga Kosova ndanë punën dhe angazhimin e tyre në avancimin e arsimit profesional, si dhe në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e vajzave në sektorë të ndryshëm profesionalë./Albinfo.ch

Forbes përzgjedh Xhoela Bamen mes 30 të rinjve më të spikatur në shkencë globale

Një tjetër histori suksesi shqiptare po tërheq vëmendjen në arenën ndërkombëtare të shkencës dhe mjekësisë. Xhoela Bame, studiuesja e re nga Korça, është përzgjedhur nga revista prestigjioze Forbesnë listën elitare “30 Under 30”, duke u renditur ndër 30 të rinjtë me ndikimin më të madh global në fushën e shkencës, transmeton albinfo.ch.

Ky vlerësim konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj akademike, por edhe për përfaqësimin e talenteve shqiptare në nivelet më të larta të kërkimit shkencor.

Sipas të dhënave, Xhoela Bame është vlerësuar për kontributin e saj në kërkime novatore mbi sëmundjet neurodegjenerative, përfshirë Alzheimer’s disease dhe Amyotrophic Lateral Sclerosis (ALS). Studimet e saj synojnë të zbulojnë mekanizmat biologjikë që lidhen me procesin e plakjes dhe rigjenerimin e trurit, duke hapur rrugë të reja për trajtime të mundshme në të ardhmen.

Përfshirja në listën “30 Under 30” të Forbes shihet si një dëshmi e punës dhe përkushtimit të saj, si dhe një sinjal i rëndësishëm se kërkimet e saj kanë potencial për të ndikuar në zhvillimet e ardhshme të shkencës globale./Albinfo.ch

Rita Ora mahnitëse me pamjen e saj në Royal Albert Hall, performon në gala për Mbretin Charles III

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka qenë ndër emrat më të komentuar në mbrëmjen gala të organizuar për 50-vjetorin e “The King’s Trust”, e mbajtur në sallën prestigjioze Royal Albert Hall në Londër, transmeton albinfo.ch.

Artistja mori pjesë në këtë event si e ftuar speciale dhe performuese, duke u ngjitur në skenë përkrah muzikantit britanik Jools Holland, me të cilin solli një interpretim të veçantë në stilin blues, të shoqëruar me harmonikë dhe orkestër live.

Pas përfundimit të mbrëmjes, Rita Ora ndau disa momente në rrjetet sociale, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një nder të madh.

“Është gjithmonë shumë speciale të performosh për Lartmadhërinë e Tij Mbretërore”, shkroi ajo, duke falënderuar gjithashtu Jools Holland për bashkëpunimin dhe energjinë e sjellë në skenë.

Përveç performancës, vëmendje të veçantë mori edhe takimi i saj me Mbretin Charles III, ku këngëtarja u pa duke bërë një përkulje elegante përpara monarkut britanik, një gjest respekti që u komentua gjerësisht nga mediat dhe fansat.

Mbrëmja shënoi 50-vjetorin e The King’s Trust, organizatë e themeluar nga Mbreti Charles me qëllim mbështetjen e të rinjve në arsim, punësim dhe zhvillim profesional në Mbretërinë e Bashkuar.

Eventi mblodhi figura të njohura nga muzika, arti dhe jeta publike britanike, ndërsa performanca e Rita Orës u vlerësua si një nga momentet më të spikatura të natës./Albinfo.ch

Rita Ora

Eralda Qirjo dhe Arben Neza zgjidhen në Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër

Dy kandidatët me origjinë shqiptare, Eralda Qirjo dhe Arben Neza, kanë fituar mandatet e tyre në zgjedhjet lokale të mbajtura më 7 maj 2026 për Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër, transmeton albinfo.ch.

Të dy kandidatët garuan nën siglën e Partia Konservatore, duke përfaqësuar zona të ndryshme të kësaj bashkie në veri të Londrës.

Fushata e tyre elektorale u fokusua në çështje praktike dhe të drejtpërdrejta për komunitetin lokal, përfshirë përmirësimin e sigurisë publike, menaxhimin më efikas të shërbimeve komunale, përdorimin transparent të fondeve publike, mbrojtjen e hapësirave të gjelbra si dhe rritjen e përfshirjes qytetare në vendimmarrje.

Fitorja e tyre shihet si një arritje e rëndësishme për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në politikën lokale britanike, duke reflektuar rritjen e angazhimit të diasporës në jetën publike të Mbretërisë së Bashkuar./Albinfo.ch

“DITA E DIVERSITETIT” SJELL KULTURËN SHQIPTARE NË WINTERTHUR!

Në kuadër të manifestimit të madh ndërkulturor “Der Tag der Vielfalt” – Dita e Diversitetit, që do të mbahet në Winterthur, ku si çdo here që nga viti 1995, edhe këtë vit do të marrë pjesë SH.K.A. “Dardania”, duke prezantuar para publikut zviceran dhe ndërkombëtar vlerat e mirëfillta të kulturës dhe folklorit shqiptar.

Programi artistik i SH.K.A. Dardania do të jetë i ndarë në dy pjesë të paraqitjeve të veçanta gjatë kësaj mbrëmjes festive.

Paraqitja e parë do të mbahet nga ora 17:00 deri në 17:30, ku publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë tingujt autentikë të çiftelisë shqiptare, të njoftohen për veglën çiftelia, të interpretuara dhe shpjeguara nga dy motrat e talentuara Balaj – Aurelia dhe Kleofina – në kuadër të SH.K.A “Dardania”. Ky interpretim – shpjegim pritet të sjellë emocione të veçanta dhe të përcjellë një pjesë të shpirtit artistik shqiptar përmes instrumentit tradicional që ndër breza ka ruajtur identitetin dhe frymën kombëtare.

Ndërsa në pjesën e dytë të programit, nga ora 20:50 deri në 21:10, SH.K.A  “Dardania” do të prezantohet me një program të pasur artistik me valle instrumentale, me këngë dhe valle autoktone shqiptare, të përgatitura nga grupet artistike të shoqërisë.

Pjesëmarrja e SH.K.A. “Dardania ” në aktivitete të tilla tashmë është bërë tradicionale dhe dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë, sidomos para zviceranëve dhe popujve tjerë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

“Der Tag der Vielfalt” mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkulturore në Winterthur, ku kultura të ndryshme bashkohen në një atmosferë festive, duke promovuar respektin, bashkëjetesën dhe diversitetin kulturor, jo vetëm me vallëzime, këndime e veshje tradicionale, por edhe me ushqime të ndryshme që organizohen gjatë gjithë kohës sa vijon ky festivali i rëndësishëm për komunitetet e ndryshme në Winterthur me rrethinë!

 

Gomat e makinës nuk zgjasin pafund, ja kur është koha t’i ndërroni

Gomat janë pjesa e vetme e automjetit që bie në kontakt me rrugën. Pavarësisht gjendjes së mirë të makinës, nëse ato janë të konsumuara, siguria në drejtim bie ndjeshëm. Për këtë arsye, jetëgjatësia e tyre nuk është thjesht çështje kostoje, por mbi të gjitha çështje sigurie.

Nuk ekziston një afat i saktë për të gjithë shoferët. Ka raste kur një set gomash mund të zgjasë deri në 60 mijë kilometra, por në situata të tjera ato mund të konsumohen edhe rreth 30 mijë kilometra më herët. Gjithçka varet nga përdorimi.

Në përgjithësi, gomat verore përdoren për disa sezone (rreth 3 deri në 5), ndërsa gomat dimërore zakonisht kanë jetë pak më të shkurtër, sidomos kur përdoren në kushte jo të përshtatshme si asfalt i thatë apo temperatura të larta. Megjithatë, këto janë vetëm orientime, jo rregulla fikse.

Një teknik gomash e përmbledh shumë thjesht situatën: “Gjendja e gomës varet nga mënyra e ngasjes.” Ndezjet e shpejta, frenimet e forta dhe kthesat agresive ndikojnë drejtpërdrejt në konsumimin e saj.

Për të zgjatur jetën e gomave, është e rëndësishme të kontrollohet presioni rregullisht, të paktën një herë në muaj, si dhe të bëhet rotacioni i tyre çdo 10 deri në 15 mijë kilometra. Po ashtu, kontrolli i balancimit dhe i gjeometrisë së rrotave ndihmon në konsum të njëtrajtshëm. Edhe stili i ngasjes luan rol të madh – sa më i qetë drejtimi, aq më gjatë zgjasin gomat.

Një faktor që shpesh neglizhohet është edhe ruajtja. Kur gomat nuk përdoren, ato duhet të mbahen në vende të freskëta, të thata dhe pa ekspozim direkt në diell, pasi nxehtësia dhe drita e përshpejtojnë degradimin e materialit.

Në fund të fundit, gomat nuk janë pjesë ku duhet kursyer në dëm të sigurisë. Ndryshimi mes gomave të reja dhe të konsumuara vërehet menjëherë në frenim, stabilitet dhe kontroll në rrugë, sidomos në kushte shiu.

Kur ato fillojnë të tregojnë shenja konsumimi, si çarje apo rrëshqitje, është sinjal i qartë se duhet zëvendësuar pa vonesë.

Përparim Avdili rizgjidhet kryetar i FDP-së së Qytetit të Cyrihut

“Dje, në kuvendin e delegatëve, u rizgjodha për dy vjet të tjera si President i FDP-së së Qytetit të Cyrihut. Në të njëjtën kohë, Sonja Rueff-Frenkel u rizgjodh Zëvendëspresidente ndërsa Alana Gerdes u zgjodh Zëvendëspresidente e re. Gjithashtu i ri në ekip është Hans Dellenbach, i cili do të jetë përgjegjës për financat si Arkëtar”, shkruan Përparim Avdili në një postim në fb, transmeton albinfo.ch.

“Muajt ​​e fundit kanë qenë intensivë dhe plot ngjarje. Me 18.5% të votave, FDP arriti një rezultat historikisht të fortë dhe forcoi pozicionin e saj si partia e dytë më e fortë në Cyrih. Është edhe më e hidhur, pra, që shumica e kuqe-jeshile në Këshillin e Qytetit u konfirmua megjithatë, dhe se zgjedhja ime në Këshillin e Qytetit, pavarësisht arritjes së një shumice absolute, nuk u materializua”, vazhdon postimi.

Megjithatë, ne dalim nga këto zgjedhje të forcuar si një forcë liberale – me një total prej 24 këshilltarësh të rinj të Qytetit, përcjell albinfo.ch. Tani është detyra jonë të zbatojmë këtë mandat të qartë nga votuesit me punë konkrete politike në vitet e ardhshme.

Mund të them se mbështetja e jashtëzakonshme që kam marrë në muajt e fundit më ka forcuar edhe më tej. Pasioni im liberal për qytetin tonë vazhdon të vlojë fort brenda meje – dhe do të vazhdoj t’i përkushtohem me gjithë zemër një Cyrihu të lirë, kozmopolit dhe miqësor ndaj biznesit”, përfundon postimi i kryetarut të rizgjedhur të FDP-së së Qytetit të Cyrihut, Përparim Avdili.

Gjeneva monitoron një kontakt me hantavirus pa karantinë të detyrueshme

Në kantonin e Gjenevës po monitorohet një person që ka qenë në të njëjtin avion me një pasagjer të infektuar me hantavirus, por në një distancë prej më shumë se dhjetë rreshtash, çka konsiderohet rrezik i ulët.

Personi në fjalë është vendosur në vetë-monitorim dhe po punon nga shtëpia (telepunë), ndërsa autoritetet shëndetësore nuk kanë vendosur izolim të detyrueshëm.

Sipas kantonit, rastet me rrezik të ulët duhet të informojnë autoritetet gjatë udhëtimeve dhe të raportojnë gjendjen e tyre shëndetësore. Ata kontaktohen çdo ditë nga mjekët dhe nëse shfaqen simptoma, vendoset izolimi i menjëhershëm, transmeton albinfo.ch.

“Rastet me rrezik të ulët na njoftojnë kur udhëtojnë dhe na raportojnë gjendjen shëndetësore. Ne i kontaktojmë çdo ditë dhe, nëse shfaqen simptoma, vendoset menjëherë izolimi,” ka deklaruar mjeku kantonal i Gjenevës, Alessandro Cassini.

Në përputhje me rekomandimet e OBSH-së

Ky protokoll është në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilat parashohin vetë-monitorim për 42 ditë, pa kufizime në aktivitetin profesional apo social.

Ndërkohë që Franca ka zgjedhur masa më strikte, duke izoluar në spital kontaktet e afërta, Zvicra po ndjek një qasje më fleksibile, duke vlerësuar se parimi i proporcionalitetit është i respektuar.

Sipas autoriteteve, ky lloj hantavirusi dyshohet se transmetohet përmes piklave respiratore, duke kërkuar ekspozim të afërt dhe të zgjatur për t’u përhapur.

OBSH aktualisht nuk e konsideron situatën si rrezik epidemie, ndërsa vendet evropiane po përpiqen të harmonizojnë protokollet e tyre, secila duke ruajtur autonominë në zbatimin e masave.

Düsseldorf: Hapet ekspozita për helmimet në Kosovë (1990–1992)

Në Düsseldorf është hapur ekspozita “Helmimet në Kosovë (1990–1992)”, e cila i kushtohet një prej periudhave më të ndjeshme dhe ende të pazbardhura të historisë së Kosovës.

Në hapjen e ekspozitës, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se kjo ngjarje përfaqëson jo vetëm një akt kujtese, por edhe një përpjekje për dokumentimin dhe ballafaqimin me të vërtetën historike. Sipas saj, ekspozita rikthen në vëmendje rastet e helmimeve masive që, gjatë viteve 1990–1992, prekën mijëra nxënës, studentë dhe qytetarë në Kosovë, duke lënë pasoja të thella në shoqëri dhe në kujtesën kolektive.

Gërvalla vlerësoi se përvoja e Kosovës me dhunën dhe shtypjen sistematike ka ndikuar në orientimin e saj shtetëror dhe politik, veçanërisht në raport me partneritetin euroatlantik dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se mbështetja për NATO-n dhe BE-në është reflektim i përvojës historike të vendit.

Në fjalën e saj, ajo shtoi se ekspozita shërben edhe si kujtesë se paqja në Evropë nuk është e garantuar dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme për të mos lejuar relativizimin e së kaluarës apo harresën e saj.

Ministrja në detyrë falënderoi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), drejtorin Atdhe Hetemi, Konsullin e Kosovës në Düsseldorf, Behar Isma, si dhe partnerët akademikë dhe organizatat studentore shqiptare në Nordrhein-Westfalen dhe Universitetin Duisburg-Essen për organizimin e ekspozitës.

Ekspozita, e mbajtur në Düsseldorf, synon të kontribuojë në dokumentimin historik dhe ruajtjen e kujtesës për një periudhë të rëndë të historisë së Kosovës.