Gjeneva monitoron një kontakt me hantavirus pa karantinë të detyrueshme

Në kantonin e Gjenevës po monitorohet një person që ka qenë në të njëjtin avion me një pasagjer të infektuar me hantavirus, por në një distancë prej më shumë se dhjetë rreshtash, çka konsiderohet rrezik i ulët.

Personi në fjalë është vendosur në vetë-monitorim dhe po punon nga shtëpia (telepunë), ndërsa autoritetet shëndetësore nuk kanë vendosur izolim të detyrueshëm.

Sipas kantonit, rastet me rrezik të ulët duhet të informojnë autoritetet gjatë udhëtimeve dhe të raportojnë gjendjen e tyre shëndetësore. Ata kontaktohen çdo ditë nga mjekët dhe nëse shfaqen simptoma, vendoset izolimi i menjëhershëm, transmeton albinfo.ch.

“Rastet me rrezik të ulët na njoftojnë kur udhëtojnë dhe na raportojnë gjendjen shëndetësore. Ne i kontaktojmë çdo ditë dhe, nëse shfaqen simptoma, vendoset menjëherë izolimi,” ka deklaruar mjeku kantonal i Gjenevës, Alessandro Cassini.

Në përputhje me rekomandimet e OBSH-së

Ky protokoll është në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilat parashohin vetë-monitorim për 42 ditë, pa kufizime në aktivitetin profesional apo social.

Ndërkohë që Franca ka zgjedhur masa më strikte, duke izoluar në spital kontaktet e afërta, Zvicra po ndjek një qasje më fleksibile, duke vlerësuar se parimi i proporcionalitetit është i respektuar.

Sipas autoriteteve, ky lloj hantavirusi dyshohet se transmetohet përmes piklave respiratore, duke kërkuar ekspozim të afërt dhe të zgjatur për t’u përhapur.

OBSH aktualisht nuk e konsideron situatën si rrezik epidemie, ndërsa vendet evropiane po përpiqen të harmonizojnë protokollet e tyre, secila duke ruajtur autonominë në zbatimin e masave.

Düsseldorf: Hapet ekspozita për helmimet në Kosovë (1990–1992)

Në Düsseldorf është hapur ekspozita “Helmimet në Kosovë (1990–1992)”, e cila i kushtohet një prej periudhave më të ndjeshme dhe ende të pazbardhura të historisë së Kosovës.

Në hapjen e ekspozitës, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se kjo ngjarje përfaqëson jo vetëm një akt kujtese, por edhe një përpjekje për dokumentimin dhe ballafaqimin me të vërtetën historike. Sipas saj, ekspozita rikthen në vëmendje rastet e helmimeve masive që, gjatë viteve 1990–1992, prekën mijëra nxënës, studentë dhe qytetarë në Kosovë, duke lënë pasoja të thella në shoqëri dhe në kujtesën kolektive.

Gërvalla vlerësoi se përvoja e Kosovës me dhunën dhe shtypjen sistematike ka ndikuar në orientimin e saj shtetëror dhe politik, veçanërisht në raport me partneritetin euroatlantik dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se mbështetja për NATO-n dhe BE-në është reflektim i përvojës historike të vendit.

Në fjalën e saj, ajo shtoi se ekspozita shërben edhe si kujtesë se paqja në Evropë nuk është e garantuar dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme për të mos lejuar relativizimin e së kaluarës apo harresën e saj.

Ministrja në detyrë falënderoi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), drejtorin Atdhe Hetemi, Konsullin e Kosovës në Düsseldorf, Behar Isma, si dhe partnerët akademikë dhe organizatat studentore shqiptare në Nordrhein-Westfalen dhe Universitetin Duisburg-Essen për organizimin e ekspozitës.

Ekspozita, e mbajtur në Düsseldorf, synon të kontribuojë në dokumentimin historik dhe ruajtjen e kujtesës për një periudhë të rëndë të historisë së Kosovës.

Zvicër: Kufizimi i popullsisë do të ishte i kushtueshëm, sipas zyrës së migracionit

Një studim i publikuar nga Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) në Zvicër ka vlerësuar se nisma e Partisë Popullore Zvicerane (SVP) për të kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë do të sillte kosto më të mëdha për vendin sesa përfitimet e mundshme.

Studimi u publikua një muaj para referendumit federal dhe analizon ndikimet ekonomike dhe sociale të një kufizimi të tillë të imigracionit.

Sipas raportit, kufizimi i imigracionit do të mund të lehtësonte disi presionin mbi tregun e banesave dhe mbipopullimin, por këto efekte do të ishin shumë më të vogla krahasuar me dëmet ekonomike që do të shkaktoheshin.

Ndikim i madh në ekonomi dhe pensione

Studimi thekson se fondi i pensioneve shtetërore do të përkeqësohej me disa miliardë franga në vit gjatë disa dekadave. Po ashtu, të ardhurat tatimore do të binin më shumë sesa shpenzimet publike, ndërsa pjesëmarrja e shpenzimeve shëndetësore në të ardhurat kombëtare do të rritej më shumë se në një skenar pa kufizime të imigracionit, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, kursimet nga ndihmat sociale dhe përfitimet plotësuese nuk do të mjaftonin për të kompensuar humbjet fiskale, gjë që mund të çonte në rritje të taksave. Barrën kryesore, sipas studimit, do ta mbante brezi aktual i punëtorëve.

Rënie e numrit të nxënësve dhe forcës punëtore

Një tjetër efekt i rëndësishëm i përmendur në studim është ndikimi në tregun e punës, i cili tashmë po përballet me mungesë për shkak të plakjes së popullsisë. Po ashtu, pritet rënie e numrit të nxënësve në shkolla.

Raporti parashikon një ulje prej rreth 130,000 nxënësish deri në vitin 2100, nëse imigracioni kufizohet.

Qeveria dhe parlamenti kundër nismës

Si parlamenti ashtu edhe Këshilli Federal janë kundër nismës së SVP-së, e cila do të votohet më 14 qershor. Qeveria thekson se rezultatet e studimit mund të ndihmojnë në formimin e opinionit publik para referendumit.

Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se vlerësimet duhet të trajtohen me kujdes, pasi pasojat reale do të varen nga mënyra e zbatimit të një kufizimi të tillë të popullsisë.

Franca rrit presionin ndaj Zvicrës për punëtorët ndërkufitarë

Ministri francez i Punës, Jean-Pierre Farandou, ka shtuar presionin ndaj Zvicrës për të zbatuar marrëveshjen e re me Bashkimin Evropian lidhur me përfitimet e papunësisë për punëtorët ndërkufitarë.

Farandou kërkon që Zvicra të përshpejtojë procesin e implementimit të marrëveshjes së re me BE-në, e cila parasheh që përfitimet e papunësisë në të ardhmen të paguhen nga shteti ku personi është i punësuar dhe jo më nga shteti ku ai banon.

Sipas ministrit francez, sistemi aktual i kushton Francës rreth 860 milionë euro në vit. Ai deklaroi para parlamentit francez se tashmë është hartuar edhe një kalendar zbatimi me Luksemburgun.

Farandou theksoi se Luksemburgu “me dëshirë ose jo” do të duhet të zbatojë rregullat e reja të miratuara nga vendet e BE-së më 29 prill, pas negociatave që kanë zgjatur një dekadë.

Sa i përket punëtorëve francezë që punojnë në Zvicër, ministri nënvizoi se “ekzistojnë marrëveshje që e lidhin Zvicrën me Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike vlerëson se ndryshimi i sistemit mund t’i kushtojë Zvicrës nga 600 deri në 900 milionë franga zvicerane shtesë në vit.

Megjithatë, Farandou argumentoi se Berna “përfiton në masë të konsiderueshme nga marrëdhëniet e mira ekonomike me BE-në”.

“Prandaj besoj se Bashkimi Evropian do të ushtrojë presion mbi Zvicrën. Edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, deklaroi ai.

“Sistemi do të kërkojë kohë për t’u zbatuar, por jam i bindur se do të arrijmë deri aty. Në çdo rast, mund të mbështeteni tek unë për ta çuar përpara këtë reformë”, përfundoi ministri francez.

St. Gallen: Propozohet sistem i ri i unifikuar për subvencionimin e çerdheve

Në Kantonin e St. Gallenit në Zvicër po diskutohet një reformë që synon të unifikojë subvencionet për kujdesin e fëmijëve jashtë shtëpisë, përfshirë çerdhet, programet e drekës dhe kujdesin pas shkolle.

Sipas sistemit aktual, kantoni financon këto shërbime me rreth 10 milionë franga zvicerane në vit, por fondet shpërndahen përmes komunave. Kjo ka bërë që uljet e tarifave për prindërit të ndryshojnë nga një komunë në tjetrën, duke krijuar dallime në kosto sipas vendbanimit.

Reforma e propozuar parashikon që fondet të mos kalojnë më përmes komunave, por t’u jepen drejtpërdrejt institucioneve të kujdesit për fëmijë. Zbritjet në tarifa do të llogariten sipas të ardhurave dhe pasurisë së familjeve dhe do të menaxhohen përmes një platforme elektronike të lidhur me të dhënat tatimore.

Qeveria kantonale dhe mbështetësit e reformës thonë se sistemi i ri do të krijojë një model më të drejtë dhe më të njëtrajtshëm, si dhe do t’u japë prindërve më shumë fleksibilitet në zgjedhjen e çerdheve.

Megjithatë, kundërshtarët, përfshirë degën kantonale të SVP-së, e kundërshtojnë projektligjin duke argumentuar se ai kufizon autonominë e komunave dhe rrit ngarkesën administrative. Ata gjithashtu kritikojnë disa detaje të sistemit të ri dhe kërkojnë thjeshtim të tij.

Për këtë çështje do të mbahet votim më 14 qershor.

BE kërkon biletë të vetme për udhëtimet me tren në Evropë

Udhëtimet ndërkombëtare me tren në Bashkimin Evropian pritet të bëhen më të thjeshta. Komisioni Evropian ka propozuar që pasagjerët të mund të blejnë një biletë të vetme për udhëtime që përfshijnë disa kompani hekurudhore dhe disa vende.

Komisioni Evropian ka prezantuar një paketë ndryshimesh ligjore që synon thjeshtimin e udhëtimeve ndërkufitare me tren. Sipas propozimit, udhëtarët do të mund të rezervojnë një udhëtim të vetëm përmes një platforme të vetme, edhe kur udhëtimi përfshin disa kompani hekurudhore, transmeton albinfo.ch.

Për shembull, një udhëtim nga Berlini në Barcelonë do të mund të blihej me vetëm një biletë, pa pasur nevojë për rezervime të ndara për çdo kompani transporti.

Sipas planit të Komisionit, platformat e mëdha të shitjes së biletave do të detyrohen të ofrojnë edhe bileta nga operatorë të tjerë, nëse këta të fundit e pranojnë këtë bashkëpunim. Po ashtu, kompanitë hekurudhore do të duhet të ndajnë të dhëna për oraret, çmimet dhe vonesat e trenave.

Më pak komplikime për udhëtarët ndërkombëtarë

Sistemi aktual i hekurudhave në Evropë është i ndarë në 27 sisteme kombëtare, ku çdo shtet dhe kompani ka platformën e vet të shitjes së biletave. Kjo shpesh i detyron udhëtarët të blejnë disa bileta dhe të nënshkruajnë disa kontrata për një udhëtim të vetëm ndërkufitar.

Komisioni Evropian synon ta ndryshojë këtë praktikë duke krijuar një sistem më të integruar dhe më të thjeshtë për pasagjerët.

Të drejta të reja për pasagjerët

Propozimi i ri parashikon edhe mbrojtje më të madhe për udhëtarët. Nëse një tren vonohet dhe pasagjerët humbasin lidhjen, ata do të kenë të drejtë të vazhdojnë udhëtimin me një tren tjetër pa pagesë shtesë ose të kërkojnë rimbursim të biletës.

Gjithashtu, në rast vonesash të gjata që kërkojnë qëndrim gjatë natës, pasagjerët mund të kenë të drejtë për ushqim dhe akomodim. Megjithatë, kusht mbetet që të jetë lënë kohë e mjaftueshme për ndërrimin e trenave.

Sipas planit, kompania përgjegjëse për vonesën do të mbajë përgjegjësinë për kompensimet.

Kundërshtime nga operatorët hekurudhorë

Disa përfaqësues të sektorit hekurudhor kanë kritikuar propozimin. Sipas tyre, detyrimi për të shitur bileta të konkurrentëve mund të krijojë ndërhyrje në treg dhe komplikime të reja për operatorët.

Megjithatë, mbështetësit e projektit theksojnë se ndryshimet do ta bëjnë udhëtimin me tren më të lehtë dhe më tërheqës për pasagjerët, sidomos për udhëtimet ndërkombëtare në Evropë.

Agon Ushaku, në krye të konferencës më të madhe në botë për animacion

Eksperti shqiptar në fushën 3d Animation dhe Interaktion Agon Ushaku do të marrë përsipër drejtimin e FMX – Film & Media Exchange në vitin 2027. Ai do të zëvendësojë Mario Müller, Menaxherin e Projektit FMX prej kohësh, i cili ka dhënë dorëheqjen pas edicionit të 30-vjetorit në maj 2026.

Agon Ushaku ka 25 vjet përvojë në këtë sektor. Ai më parë ishte Drejtor i Menaxhimit CAD në Unexpected GmbH, shkruam albinfo.ch. Ushaku është gjithashtu anëtar i bordit të Shoqërisë së Efekteve Vizuale të Gjermanisë. Të theksojmë: Konferenca FMX  që mbahet në Stuttgart konsiderohet aktiviteti më me ndikim i takimeve në Evropë për animacion, VFX dhe prodhimin e mediave dixhitale.

Menaxheri aktual i Projektit të konferencës me seli në Stuttgart për animacion, efekte vizuale dhe prodhim mediatik dixhital, Mario Mueller, ishte mentor i pasardhësit të tij në edicionin e 30-të .

Agon Ushaku sjell përvojë të konsiderueshme në këtë rol. Ai aktualisht shërben si Drejtor Global i Eventeve të Nominimeve për Shoqërinë e Efekteve Vizuale (VES) dhe si kurator i serisë ndërkombëtare Megabrain Masterclass.

Mario Mueller dhe Agon Ushaku (Foto: FMX)

Në një njoftim për shtyp nga FMX, Mario Mueller duke komentur mbi dorëzimin e ardhshëm të detyrës shkruan: “Gjatë 15 viteve të fundit, ka qenë një nder të mbështesim një komunitet kaq krijues – me një ngjarje që ndan njohuritë, frymëzimin dhe vlerat e anëtarëve të saj në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Jam i kënaqur që kemi gjetur dikë që mund ta marrë përsipër këtë detyrë me kompetencë dhe pasion të madh – Agon Ushaku është një mik besnik i FMX dhe komunitetit.”, transmeton albinfo.ch.

“Për gati tre dekada, FMX ka qenë vendi më i rëndësishëm për krijimin e rrjeteve të mia”, thotë Agon Ushaku, duke shpjeguar: “Si një profesionist i apasionuar i CG-së me përvojë të gjerë, kam marrë pjesë në pothuajse çdo edicion, si vizitor dhe si folës, dhe kam përjetuar energjinë e jashtëzakonshme të këtij komuniteti nga afër.”

“Ne do të sigurohemi që FMX të mbetet konferenca kryesore në botë për gjeneratën e ardhshme të rrëfimit dixhital.”

“Mario Müller e udhëhoqi FMX-in me përkushtim të madh për shumë vite dhe suksesi gjatë asaj kohe flet vetë. Patjetër që do të na mungojë”, thotë Jan Pinkava, Kryetar i Konferencës së FMX-it dhe Drejtor i Institutit të Animacionit në Filmakademie Baden-Württemberg. “Me Agon Ushakun, kemi gjetur një pasardhës të denjë që ndan këtë angazhim ndaj komunitetit FMX, ka përvojë të thellë dhe një rrjet të gjerë në industri, dhe sjell shumë ide të reja për të ardhmen e FMX-it. Mirë se vini, Agon! Presim me padurim të punojmë me ty!”

FMX 2026 është zhvilluar nga 5 deri më 7 maj në Stuttgart. Ushaku ishte gjithashtu ndër folësit në panelin e Etikës në IA.

Agon Ushaku nga Prishtina, gjendet ne skenën e Visual Computing dhe CGI, që nga fundi i viteve ‚90.

Agoni jo vetëm që është një ndër të parët shqiptarë që merret në shkallë profesionale me fushën 3d Animation dhe Interaktion por është edhe aktivisht në lidhje të ngushtë me projekte të ndryshme nga repartet e „Research & Developement“ (hulumtim dhe zhvillim), si në Institutin e Animacionit, po ashtu edhe në Fakultetin e Mediave dhe Teknologjisë në Stuttgart, shkruan albinfo.ch.

Aktiviteti i tij profesional, konsiston edhe në përkrahjen dhe mentorimin e diplomantëve dhe punimeve studentore Master, të institucioneve të sipërpërmendura.

Policia zvicerane zbulon zyrtarët me “superfuqi” për njohjen e fytyrave

Policia e Bernës ka identifikuar rreth 30 zyrtarë me aftësi të jashtëzakonshme për njohjen dhe memorimin e fytyrave, në kuadër të një projekti pilot që do të nisë këtë verë.

Sipas autoriteteve, këta persona mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të dhunshëm, gjatë protestave, ngjarjeve të mëdha publike dhe operacioneve të kërkimit. Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar përmes testeve të specializuara, ku rreth 10% e pjesëmarrësve kanë treguar aftësi mbi mesataren.

Policia thotë se në disa raste këta “super-njohës” arrijnë rezultate më të mira se softuerët e njohjes së fytyrës, edhe kur analizojnë fotografi me cilësi të dobët.

Buxheti rekord i BE-së

BE-ja po negocion buxhetin e saj të ardhshëm afatgjatë, Kornizën Financiare Shumëvjeçare për vitet 2028-2034. Komisioni Evropian propozoi 1.8 trilionë euro, por Parlamenti dëshiron 1.96 trilionë euro ndërsa bisedimet fillojnë në vitin 2025, duke lënë një boshllëk prej 175 miliardë euro që pasqyron prioritetet konkurruese.

Mbrojtja është fituesja. Buxheti ndan 131 miliardë euro për mbrojtjen, sigurinë dhe hapësirën, pesë herë më shumë se MFF-ja aktuale. Financimi i mobilitetit ushtarak rritet dhjetëfish, i nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe dyshimet rreth garancive të sigurisë së SHBA-së.

Fermerët, rajonet më të varfra dhe organizatat e shoqërisë civile humbasin, duke u përballur me alokime të reduktuara. Çekia, Sllovenia dhe Portugalia marrin më pak sipas formulës së re.

Shtetet kursimtare, Gjermania, Holanda, Suedia dhe Austria, duan një buxhet pa borxhe të përbashkëta. Parlamenti kërkon rritje të fondeve për klimën, kohezionin dhe qytetarët.

Parlamenti voton për mandatin e tij negociues më 18 maj 2026. Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare para vitit 2027 është e mundur, por larg të qenit e sigurt.

Portieri i Kosovës konfirmon largimin nga skuadra italiane

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka treguar se do të largohet nga Sassuolo në fund të edicionit.

Muriq në verën e kaluar u huazua te skuadra e Serie A nga Ipswich Towni.

Marrëveshja e huazimit përfshinte opsionin e blerjes së kartonit për 10 milionë euro, transmeton albinfo.ch.

Për Sassuolon, Muriq luajti 32 ndeshje si titullar. Ai u kthye si titullar në humbjen ndaj Torinos të premten e shkuar, pas tre ndeshjeve rresht në stol.

Sassuolo ka siguruar mbetjen në elitë, por 27-vjeçari thotë se do të largohet.  “Jam mirënjohës për këtë sezon, por nuk kam ndërmend të luaj për Sassuolon sezonin e ardhshëm”, tha Muriq për “GianlucaDiMarzio.com”.

“Me përfundimin e huazimit mbaron edhe koha ime këtu. Ka qenë një vit pozitiv dhe jam kënaqur, por i kam bërë të ditur klubit se nuk dua të qëndroj këtu pas këtij sezoni për arsye personale”.

Muriq ka kontratë me Ipwsichin deri në fund të qershorit 2028.

 

“Innovation & Leadership Conference 2026”, platformë që lidh inovacionin, biznesin dhe lidershipin shqiptar në Zvicër

Më 6 qershor 2026, në Bern të Zvicrës do të mbahet konferenca “Innovation & Leadership Conference 2026”, një organizim që synon të bashkojë profesionistë, akademikë, studentë dhe përfaqësues të industrisë shqiptare në Zvicër dhe Evropë.

Në një intervistë për albinfo.ch, organizatorja Dr. Blerta Berisha Morina, anëtare e Bordit – udhëheqëse për Komunikim dhe Marketing, Albanian Engineering of Switzerland AES,  flet për qëllimin e konferencës, temat që do të trajtohen dhe rëndësinë e krijimit të një platforme të qëndrueshme për networking dhe bashkëpunim profesional.

albinfo.ch: Cili është qëllimi konkret i konferencës “Innovation & Leadership Conference 2026”?

Dr. Blerta Berisha Morina: Qëllimi kryesor i kësaj konference është të krijojë një platformë strategjike ku bashkohen inovacioni, lidershipi, shkenca, teknologjia dhe biznesi. Synimi ynë është të ndërtojmë ura bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë, institucioneve akademike, industrisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

albinfo.ch: Kujt i dedikohet më së shumti kjo konferencë?

Dr. Blerta Berisha Morina: Konferenca i dedikohet studentëve, profesionistëve, sipërmarrësve dhe institucioneve që kërkojnë zhvillim profesional, networking dhe partneritete strategjike. Ne duam të krijojmë një urë reale mes gjeneratës së re dhe liderëve të industrisë.

albinfo.ch: Sa pjesëmarrës dhe sa folës pritet të marrin pjesë në Bern?

Dr. Blerta Berisha Morina: Këtë vit presim pjesëmarrje të gjerë nga Zvicra dhe diaspora shqiptare në Evropë. Konferenca do të mbledhë tetë folës të konfirmuar nga fusha të ndryshme si biznesi, ekonomia, teknologjia, shkenca dhe mjekësia.

albinfo.ch: Cilët janë disa nga emrat kryesorë që do të jenë pjesë e konferencës?

Dr. Blerta Berisha Morina: Disa nga speaker-at e konfirmuar janë Prof. Hetem Ramadani, Prof. Dr. Fadil Çitaku, Dr. Sali Sefa, Dr. Kaltrina Paloja, Dr. Adhurim Haxhimusa, Afrim Morina dhe Dr. Sulejman Vejseli.

albinfo.ch: Çfarë temash konkrete do të diskutohen gjatë eventit?

Dr. Blerta Berisha Morina: Fokus do të kenë inovacioni në biznes dhe industri, transformimi digjital, inteligjenca artificiale, lidershipi modern, edukimi dhe bashkëpunimi mes akademisë dhe industrisë.

albinfo.ch: Pse keni zgjedhur pikërisht temën e inovacionit dhe lidershipit këtë vit?

Dr. Blerta Berisha Morina: Sepse tregu global sot kërkon jo vetëm ekspertizë teknike, por edhe aftësi për të udhëhequr ndryshimin. Inovacioni dhe lidershipi janë dy elementë kyç për suksesin në të ardhmen.

albinfo.ch: Çfarë mund të përfitojnë të rinjtë shqiptarë nga pjesëmarrja?

Dr. Blerta Berisha Morina: Të rinjtë do të kenë mundësi për mentorim, networking me kompani dhe institucione, orientim profesional dhe frymëzim për ndërtimin e karrierës në Zvicër dhe më gjerë.

albinfo.ch: A do të ketë mundësi networking-u me kompani dhe institucione zvicerane?

Dr. Blerta Berisha Morina: Po, networking-u është një nga shtyllat kryesore të konferencës. Pas eventit do të organizohet edhe një “Network Dinner” ekskluziv për speaker-at, sponsorët dhe pjesëmarrësit.

albinfo.ch: Si e vlerësoni pozitën e profesionistëve shqiptarë në tregun zviceran të punës?

Dr. Blerta Berisha Morina: Profesionistët shqiptarë kanë krijuar një prezencë shumë të fortë në Zvicër në fusha si teknologjia, financa, mjekësia dhe akademia. Ata janë shembull i integrimit dhe profesionalizmit.

albinfo.ch: Çfarë e dallon këtë konferencë nga organizimet e tjera?

Dr. Blerta Berisha Morina: Kombinimi i ekspertizës akademike, përvojës së industrisë, diasporës shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë e bën këtë konferencë unike. Nuk është vetëm event, por një platformë bashkëpunimi afatgjatë.

albinfo.ch: A synoni që kjo konferencë të organizohet çdo vit?

Dr. Blerta Berisha Morina: Po, vizioni ynë është që kjo konferencë të kthehet në një platformë vjetore dhe pikë referimi për komunitetin profesional shqiptar në Zvicër dhe Evropë.

albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë?

Dr. Blerta Berisha Morina: Të investojnë në edukim, të ndërtojnë rrjetin profesional dhe të krijojnë reputacion përmes punës, integritetit dhe qëndrueshmërisë.

albinfo.ch: Çfarë prisni konkretisht nga edicioni i këtij viti?

Dr. Blerta Berisha Morina: Presim krijimin e partneriteteve të reja dhe bashkëpunimeve afatgjata mes akademisë, industrisë dhe komunitetit shqiptar ndërkombëtar. Gjithashtu mirëpresim sponsorë dhe partnerë strategjikë që besojnë në fuqizimin e talenteve, inovacionit dhe lidershipit.

Rzervoni vendin tuaj: https://aesipak-summit.com/

Zvicra mund t’u heqë privilegjet veturave elektrike

Lehtësirat tatimore për veturat elektrike në Zvicër po përballen me presion në rritje, ndërsa numri i automjeteve elektrike në rrugë vazhdon të rritet, transmeton albinfo.ch.

Në kantonin e Bazelit, debati është bërë veçanërisht urgjent pasi veturat elektrike kanë kaluar pragun prej 5% të flotës totale të automjeteve – një nivel që mund të çojë automatikisht në heqjen e zbritjes aktuale prej 50% të taksës për pronarët e EV-ve.

Partia Socialdemokrate në Bazel kërkon që incentivat të ruhen edhe për një periudhë, duke argumentuar se heqja e tyre tani mund të ngadalësojë kalimin drejt transportit më të pastër.

Aktualisht, qasja ndryshon shumë nga një kanton në tjetrin: disa kantone si Cyrih përjashtojnë plotësisht veturat elektrike nga taksa e automjeteve, ndërsa të tjera ofrojnë ulje të përkohshme ose tarifa të reduktuara.

Ndërkohë, ministri federal i transportit, Albert Rösti, po përgatit një propozim kombëtar që mund të sjellë një taksë të re për veturat elektrike nga viti 2030. Qëllimi është kompensimi i të ardhurave që shteti po humb nga rënia e konsumit të benzinës dhe dizelit, pasi këto taksa financojnë mirëmbajtjen e rrugëve.

Mbështetësit e planit thonë se edhe drejtuesit e veturave elektrike duhet të kontribuojnë për infrastrukturën rrugore, ndërsa kritikët paralajmërojnë se taksat e reja mund të ngadalësojnë përdorimin e automjeteve elektrike në vend.

Kandidatët e rinj nga diaspora për zgjedhjet e 7 qershorit

Kosova sërish do të votojë më 7 qershor për Zgjedhjet Parlamentare.

Partitë politike kanë dorëzuar zyrtarisht listat për këto zgjedhje, shkruan albinfo.ch.

Për këto zgjedhje, votat kërkojnë edhe kandidatët nga diaspora.

Nga PDK janë Shaip Kadriaj me numër 57, Besim Hoxha me numër 77 dhe Haki Morina me numër 82.

Po ashtu u njoftua se, Nderim Mustafa nga Zvicra do të jetë kandidat nga PDK. Ai vepron në Zvicër.

Ai mban numrin 65 në listën e PDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.

Nga AAK, Agron Polluzha me numër 103, derisa Aleanca në Zvicër me krenari njofton se dy bashkatdhetarë të përkushtuar, Bajram Mulaj dhe Sali Rexhaj, janë kandidatë për Deputet në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Bajram Mulaj do të jetë me numër 98 dhe Sali Rexhaj 68.

Po ashtu, Herolinda Avdili Rexhepi njoftoi se do të garojë për AAK-në me numër 32. “Jam rritë mes Kosovës dhe Zvicrës dhe kjo më ka mësu me pas zemër, por edhe karakter”, ka shkruar ajo.

Nga LDK, Niq Krasniqi me numër 98, kurse Nëndega e LDK-së në Frauenfeld TG shprehu mbështetjen e plotë për kandidaturën e Robert Ukaj (Ukiq) për Deputet në Kuvendin e Kosovës, si kandidat i propozuar nga Dega e Parë e LDK-së në Zvicër. Ukaj është me numër 87.

Diaspora luan rol të rëndësishëm në zgjedhjet në Kosovë, derisa deri më tani janë regjistruar mbi 61 mijë persona për të votuar.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, që edhe më herët kanë garuar janë Donika Gërvalla dhe Nezir Kraki.

Sot “Dua” ka premierën botërore në Festivalin e Cannes

Filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, sot ka premierën botërore në programin Semaine de la Critique në Cannes.

Filmi është përzgjedhur në mesin e vetëm 7 filmave të gjatë të edicionit të sivjetmë të këtij programi prestigjioz.

Kjo është hera e parë që një film i Kosovës përzgjidhet në Semaine de la Critique, një nga seksionet më prestigjioze dhe më kompetitive të festivalit, ku “DUA” do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.

Një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, filmi ndjek historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike, rolin e së cilës e luan Piena Matoshi, vajza e aktores së njohur kosovare, Adriana Matoshi.

Producentë janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë), transmeton albinfo.ch.

Filmi mbështetet nga Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

 

 

Parashikohet rritje e sigurimeve shëndetësore në Zvicër edhe në vitin 2027

Kostot e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në Zvicra pritet të vazhdojnë të rriten edhe në vitin 2027, duke rënduar më tej buxhetin e shumë familjeve. Prej disa vitesh, këto shpenzime po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave të qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Sipas një studimi të publikuar të martën nga platforma e konsumatorëve Comparis, primet e sigurimeve shëndetësore mund të rriten mesatarisht me 3.7 për qind në vitin 2027.

Edhe pse kjo përbën një rritje të ndjeshme, ajo pritet të jetë më e ulët krahasuar me vitin 2026, kur primet u rritën mesatarisht me 4.4 për qind në gjithë vendin.

Analiza e Comparis bazohet në vlerësimin e faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në kostot e sistemit shëndetësor, përfshirë shpenzimet mjekësore dhe zhvillimet në tregun e sigurimeve.

Megjithatë, normat përfundimtare për vitin 2027 do të bëhen të ditura nga autoritetet federale në Zvicra gjatë muajit shtator, kur qeveria pritet të publikojë zyrtarisht tarifat e reja të primeve të sigurimit shëndetësor. /Albinfo.ch

Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës

Procesi i regjistrimit të votuesve jashtë vendit në Kosova po vazhdon normalisht, ndërsa numri i aplikimeve të aprovuara ka kaluar shifrën prej 61 mijë, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se periudha e aplikimit ka nisur më 6 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2026.

Sipas të dhënave të publikuara deri më 13 maj në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 67,685 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 61,500 aplikime. Ndërkohë, 5,858 kërkesa janë refuzuar, ndërsa 301 janë ende në proces shqyrtimi.

Nga aplikimet e miratuara, mënyrat e votimit janë ndarë si më poshtë:

14,566 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike
1,605 votues kanë zgjedhur të dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë
45,329 qytetarë do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutitë postare jashtë vendit

Autoritetet zgjedhore theksojnë se procesi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe mbetet i hapur për të gjithë qytetarët e regjistruar jashtë vendit deri në afatin e përcaktuar./Albinfo.ch

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve shqiptare në diasporë dhe atyre në vendet e rajonit.

Këtë e ka bërë të ditur Fehmi Fetahi, president i Bordit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër, i cili theksoi se qëllimi kryesor i këtij organizimi është rrjetëzimi i kompanive, shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i mundësive të reja për investime dhe partneritete ekonomike.

Sipas Fetahit, diaspora shqiptare në Zvicër përfaqëson një potencial të madh ekonomik dhe përmes këtij rrjeti synohet që bizneset shqiptare të lidhen më ngushtë me tregjet e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet odave ekonomike do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, promovimin e investimeve dhe fuqizimin e rolit të diasporës shqiptare në ekonominë rajonale.

Ngjarja do të mbahet më 17 tetor në Langenthal, duke filluar nga ora 17:00, ku pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të odave ekonomike, afaristëve dhe investitorëve shqiptarë nga Zvicra dhe rajoni.

Agjenda dhe lokacioni i saktë i ngjarjes do të bëhen publike shumë shpejt.

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër po vazhdon aktivitetet e tij në funksion të krijimit të platformave të bashkëpunimit ndërmjet afaristëve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve ekonomike në trojet shqiptare.

 

Lexoni po ashtu:

Kosova mund të përfitojë më së shumti investime nga bizneset e shqiptarëve të Zvicrës

Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenberger

Në një kohë kur debati për emigracionin në Zvicër po bëhet gjithnjë e më i ashpër, një zë zviceran ka zgjedhur të flasë ndryshe-jo me frikë, por me realizëm dhe humanizëm.

Në një reagim të publikuar në faqen e tij në Facebook, ish-politikani dhe aktivisti zviceran Ueli Leuenberger ka reaguar ndaj iniciativës së SVP/UDC-së për “10 milionë banorë”, duke paralajmëruar se një klimë e tillë politike mund të krijojë mosbesim dhe stigmatizim ndaj komuniteteve të huaja, përfshirë edhe shqiptarët në Zvicër.

Mesazhi i tij ka prekur shumë shqiptarë të diasporës, sepse vjen në një moment kur mijëra familje shqiptare kanë dekada që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në jetën zvicerane.

“Shqiptarët nuk janë kërcënim. Ata janë pjesë e Zvicrës moderne,” shkruan ai në reagimin e tij.

Dhe vërtet, sot shqiptarët në Zvicër nuk janë më vetëm histori emigracioni. Ata janë mjekë, infermierë, studentë, sipërmarrës, punëtorë ndërtimi, shoferë transporti, artistë, gastronomë dhe pjesë aktive e shoqërisë zvicerane.

Shumë prej tyre kanë ndërtuar jetën e tyre në Zvicër prej dekadash. Kanë paguar taksa, kanë hapur biznese, kanë edukuar fëmijët e tyre dhe kanë kontribuar çdo ditë në ekonominë dhe diversitetin e vendit.

Pikërisht për këtë arsye, reagimi i Ueli Leuenberger po shihet si më shumë se një qëndrim politik. Për shumë shqiptarë, ai është një mesazh respekti dhe njohjeje ndaj një komuniteti që shpesh ka punuar në heshtje, por që ka dhënë shumë për Zvicrën.

Në reagimin e tij, ai paralajmëron se iniciativa të tilla rrezikojnë të forcojnë paragjykimet, të vështirësojnë integrimin dhe të krijojnë ndasi mes njerëzve, në vend që të zgjidhin problemet reale të shoqërisë.

Sipas tij, sfidat si mungesa e banesave, fuqia blerëse apo presioni mbi infrastrukturën nuk zgjidhen duke fajësuar të huajt, por përmes politikave sociale dhe investimeve konkrete.

Në një Evropë ku retorika kundër emigrantëve po rritet, mesazhe të tilla kanë peshë të veçantë. Sepse ndonjëherë, mbrojtja më e fortë për një komunitet vjen pikërisht nga ata që zgjedhin ta shohin atë me drejtësi dhe jo me frikë.

“Kino Kosova” hap edicionin e 5-të në Cyrih me filma, diskutime dhe muzikë

Edicioni i pestë i festivalit Kino Kosova hap dyert këtë javë në Cyrih, duke sjellë për katër ditë radhazi filma, diskutime, muzikë dhe takime që bashkojnë zëra nga Kosova, diaspora dhe më gjerë. Tema e këtij viti është “Between Resistance and Paradise: Stories of Survival and Hope”, e cila trajton histori të mbijetesës, identitetit dhe shpresës,raporto albinfo.ch.

Festivali nis në kinemanë Kino Riffraff me dy filma që vendosin tonin e edicionit. Në orën 19:00 shfaqet filmi “Palace of Youth”, i regjisores Maddie Gwinn, i cili paraqet një skenë të re muzikore në Prishtina ku të rinjtë kërkojnë hapësirë për shprehje artistike mes tensioneve politike. Filmi ndjek historitë e Suadës, e cila synon të krijojë një hapësirë komunitare për muzikantët e rinj, Lekës që përballet me kufizime vizash në rrugën e tij si kitarist, dhe Edonës që rikthehet në muzikë pas viteve të heshtjes.

Në orën 21:00 do të shfaqet filmi “Era”, me regji nga Parta Kelmendi. Filmi na çon në vitin 1990 në Kosovë dhe ndjek historinë e një gruaje të re që përballet me zhvendosjen, familjen dhe kërkimin e zërit të saj. Pas shfaqjes do të zhvillohet diskutim me regjisoren dhe aktoren Zana Berisha. /Albinfol.ch

Programi i festivalit

E enjte – 14 maj

19:00 – Hapja e festivalit me filmin Palace of Youth + diskutim me regjisoren Maddie Gwinn
21:00 – Shfaqja e filmit Era + diskutim me regjisoren Parta Kelmendi dhe aktoren Zana Berisha

E premte – 15 maj

18:20 – Shfaqja e filmit Bukuria e Gomarit (La Beauté de l’Âne) + diskutim me regjisoren Dea Gjinovci
22:00 – Koncert me grupin ZWADA në Helsinki Klub

E shtunë – 16 maj

16:40 – Program me filma të shkurtër + diskutim me regjisoren Ermela Teli për filmin Në Parajsën Socialiste Nuk Bie Shi

E diel – 17 maj

19:00 – Shfaqja e filmit House With a Voice + diskutim me regjisoren Kristine Nrecaj

Të gjitha shfaqjet e festivalit Kino Kosova do të mbahen në kinemanë Kino Riffraff në Cyrih, duke ofruar një hapësirë ku publiku mund të njohë nga afër historitë, kulturën dhe perspektivat artistike që vijnë nga Kosova dhe diaspora.

Më shumë informata në: https://www.kinokosova.com/

Shumë biznese në Basel-City paguajnë punëtorët nën pagën minimale

Autoritetet në kantonin Basel-City kanë zbuluar një rritje të rasteve kur kompanitë paguajnë punonjësit nën pagën minimale të përcaktuar me ligj, përcjell albinfo.ch.

Ky kanton është një nga pesë kantonet në Zvicra që ka vendosur pagë minimale, e cila në vitin 2026 është 22.20 franga në orë.
Sipas Office for Economy and Labour (AWA), gjatë kontrolleve të kryera në vitin 2025 rezultoi se gati 15 për qind e kompanive të inspektuara nuk po e respektonin pagën minimale ligjore. Kjo përbën një rritje prej 2 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Autoritetet gjithashtu njoftuan se shuma totale e rasteve të zbuluara të nën-pagesës së pagave u rrit ndjeshëm, duke kaluar nga 19,458 franga në 88,417 franga.

Sipas AWA-së, arsyeja kryesore për këtë rritje lidhet me faktin se gjatë vitit 2025 inspektimet u përqendruan edhe në kompani më të mëdha, ku numri i punonjësve të prekur nga këto shkelje është më i lartë. Autoritetet theksuan se kontrollet do të vazhdojnë për të siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve./Albinfo.ch

Autoritetet zvicerane: Nuk ka rrezik për epidemi nga hantavirusi

Autoritetet shëndetësore në Zvicra kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ekziston rrezik për një epidemi nga Hantavirus, pavarësisht disa rasteve të raportuara së fundmi, përcjell albinfo.ch.

Deri tani, një person i infektuar me këtë virus është i shtruar në spital në Cyrih, ndërsa katër persona të tjerë po mbahen nën vëzhgim mjekësor. Megjithatë, sipas autoriteteve, këto raste nuk tregojnë për një përhapje të gjerë të virusit në vend.

Claudio Zaugg, shef i seksionit për sëmundje të reja infektive në Federal Department of Public Health (FOPH), theksoi se raste të izoluara me hantavirus shfaqen herë pas here në Zvicër.

Sipas tij, kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për një virus të ri apo të panjohur, siç ishte rasti me COVID-19.

“Disa raste të izoluara shfaqen rregullisht në vendin tonë. Prandaj jemi të sigurt në aftësinë tonë për t’i kontrolluar këto raste,” deklaroi Zaugg.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se sistemi shëndetësor i Zvicrës është i përgatitur për të monitoruar dhe menaxhuar raste të tilla, duke mbajtur situatën nën kontroll dhe duke parandaluar përhapjen e mundshme të virusit./Albinfo.ch

Özdemir zgjidhet kryeministër i Baden-Württembergut

Politikani i Partisë së Gjelbër, Cem Özdemir, është, duke filluar nga sot, kryeministër i ri i Landit (Republikës) Baden-Württemberg. Anëtarët e parlamentit e zgjodhën atë si kreun e qeverisë në Stuttgart, trnsmeton albinfo.ch.

Özdemir është kështu kreu i parë i qeverisë me rrënjë turke në historinë gjermane. Ai pason Ministrin-President Winfried Kretschmann, i cili po jep dorëheqjen pas 15 vitesh në detyrë, dhe është vetëm kreu i dytë i Partisë së Gjelbër të njërit prej 16 shteteve federale të Gjermanisë.

93 parlamentarë votuan pro, 26 kundër dhe pati 4 abstenime. Koalicioni i të Gjelbërve dhe Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) – i quajtur koalicioni Gjelbër-Zi sipas ngjyrave të partive të tyre – mban shumicën prej 112 vendesh në parlament pas zgjedhjeve të shtetit në mars, shkruan sda.ch.

Özdemir udhëheq një koalicion të rinovuar Gjelbër-Zi në Baden-Württemberg. Të Gjelbrit dhe CDU-ja kanë qeverisur së bashku në kryeqytetin e Shtutgartit për dhjetë vjet. Në zgjedhjet shtetërore më 8 mars, të Gjelbrit dolën me një diferencë të ngushtë si partia më e fortë me 30.2 për qind të votave, të ndjekura nga CDU-ja me 29.7 për qind. Të dyja partitë mbajnë nga 56 vende secila në parlamentin e ri shtetëror.

Për publikun shqiptar mund të jetë interesant lajmi se bashkëshortja me të cilën Özdemir është kurorëzuar pak muj më parë, është shqiptarja nga Kanadaja me emrin Flavia Zaka, shkruan albinfo.ch. Ajo punon si avokate dhe është specializuar në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut.

Dasma e çiftit “të ri” fillimisht e mbajtur sekret për arsye sigurie, u zhvillua në bashkinë e Tübingen-it dy javë para zgjedhjeve shtetërore në Baden-Württemberg dhe menjëherë e nxori atë në qendër të vëmendjes: Fotot e dhëndrit, Cem Özdemir, dhe nuses, e cila mbante një buqetë me trëndafila, ishin thjesht, tepër të bukura për t’u injoruar, shkruan morgenpost.de.

Flavia Zaka është shtetase kanadeze dhe tashmë është bërë Zonja e Parë e Baden-Württembergut. Ajo vjen nga Shqipëria; në moshën dymbëdhjetë vjeç, Flavia emigroi në Kanada me prindërit dhe motrën e saj. Zhvendosja e saj përfundimtare në Baden-Württemberg për të qenë me Cem Özdemirin ishte rastësi e pastër.