83 persona ende në spital pas tragjedisë së zjarrit në Zvicër

Shumica e të plagosurve në zjarrin shkatërrues në një bar të Vitit të Ri në Crans-Montana ishin ende në spital të hënën, ndërsa trupat e pesë adoleshentëve italianë u riatdhesuan nga Zvicra.

Katër ditë pas katastrofës, policia zvicerane njoftoi se të gjithë 116 personat e plagosur në zjarrin vdekjeprurës ishin identifikuar, së bashku me 40 viktimat, shumica e të cilëve ishin adoleshentë.

“Të gjithë 116 personat e plagosur janë identifikuar. Tetëdhjetë e tre prej tyre janë ende të shtruar në spital”, tha të hënën policia kantonale e Valais, transmeton albinfo.ch.

Të dielën vonë, policia tha gjithashtu se të gjithë 40 personat që humbën jetën në tragjedi ishin identifikuar. Ata ishin të moshës 14 deri në 39 vjeç, me moshën mesatare 19 vjeç.

Shtetas zviceranë përbënin shumicën e të vrarëve dhe të plagosurve, por u prekën edhe shtetas të 18 vendeve të tjera. Të vdekurit përfshinin 19 mbajtës të pasaportave të huaja, përfshirë nëntë francezë dhe gjashtë italianë. Midis të plagosurve ishin 23 shtetas francezë, 11 italianë, katër serbë dhe dy polakë, tha policia të hënën.

Shtetas nga Australia, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Kongo-Brazzavil, Republika Çeke, Finlanda, Luksemburgu, Filipinet dhe Portugalia ishin gjithashtu midis të lënduarve në tragjedi.

Viktimat më të rënda të djegies janë transportuar me helikopter në qendra të specializuara për djegie në Zvicër dhe jashtë vendit.

Zvicra është një nga vendet më të sigurta në botë në vitin 2026

Një studim i kohëve të fundit i kryer nga platforma krahasuese HelloSafe tregon se Zvicra është në vendin e dytë globalisht (pas Islandës) në një renditje të vendeve më të sigurta për udhëtarët në vitin 2026.

Në total, 50 vende u renditën në kategori të tilla si siguria publike dhe krimi, stabiliteti politik dhe social, siguria shëndetësore, siguria kibernetike, si dhe rreziku mjedisor, transmeton albinfo.ch.

Renditja globale e 50 vendeve më të sigurta për të udhëtuar nxjerr në pah dominimin e vendeve nordike (Islanda, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Zvicra), të cilat qëndrojnë si modele të vërteta të sigurisë globale. Përsosmëria e tyre rezulton nga një kombinim i jashtëzakonshëm i krimit pothuajse inekzistent, stabilitetit politik afatgjatë, institucioneve transparente dhe sistemeve shembullore të kujdesit shëndetësor. Këto vende mishërojnë një ekuilibër midis sigurisë publike, besimit social dhe qëndrueshmërisë mjedisore, duke vendosur cilësinë e jetës dhe parandalimin e rreziqeve në thelb të modelit të tyre kombëtar.

Pas tyre, vendet e Azi-Paqësorit si Singapori, Japonia, Zelanda e Re dhe Australia dallohen për përsosmërinë në sigurinë kibernetike, disiplinën sociale dhe menaxhimin e përparuar urban. Në Evropë, vendet Perëndimore dhe Veriore mbeten performues të fortë, ndërsa Evropa Qendrore (Estonia, Sllovenia, Republika Çeke) po përparon me shpejtësi falë politikave efektive dixhitale dhe institucionale. Portugalia, Spanja dhe Italia gjithashtu ofrojnë nivele të larta sigurie për udhëtarët, pavarësisht sfidave të caktuara që lidhen me korrupsionin ose ndotjen.

 

 

Këta janë kandidatët e LDK-së që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës

Procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit.

Teksa ka përfunduar numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, numërimi i votave me kusht është drejt përmbylljes ku deri tani janë procesuar rezultatet e numërimit të mbi 73% të këtyre votave në platformën e KQZ-së, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar publikimin e listës së kandidatëve për deputetë të cilët kanë arritur të fitojnë ulëse në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila deri tani ka fituar 14 mandate sipas KQZ-së, ulëse kanë arritur të fitojnë: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Janina Ymeri, Besian Mustafa, Adelina Thaqi Meta, Ermal Sadiku.

Kujtojmë që procesit të numërimit do t’i nënshtrohen edhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Kush janë deputetë e PDK-së që siguruan ulëse në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar emrat e deputetëve të secilës parti që do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, përcjell albinfo.ch.

Partinë Demokratike të Kosovës do ta përfaqësojnë 23 deputetë, bazuar në rezultatet e deritanishme të KQ-së, nga Bedri Hamza deri te Arbnora Salihu.

Rashiq konfirmon mandatin dhe shpreh gatishmëri për ta votuar Qeverinë Kurti 3

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se, bazuar në rezultatet e deritanishme zgjedhore, ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me këtë rast, Rashiq ka deklaruar se është i gatshëm ta votojë Qeverinë “Kurti 3”, por ka theksuar se paraprakisht kërkon një takim me kryeministrin Albin Kurti, në të cilin do të sqarohen disa çështje.

“Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik sa i përket mandatit. Është një mandat i vetëm, por i vlefshëm. Kam pasur përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Ende nuk kemi zhvilluar biseda konkrete për bashkëpunim, por jam i bindur se në ditët në vijim do të takohemi dhe do të diskutojmë”, ka deklaruar Rashiq.

Ai ka shtuar se është i hapur për bashkëpunim dhe nuk sheh pengesa për vazhdimin e tij, duke theksuar se nuk ka kushte për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por kërkesa për disa korrigjime teknike.

“Nuk kemi kushte, por ka nevojë për disa përmirësime teknike për një qeverisje më të mirë në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta përcakton qartë se një ministri duhet të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt bashkëpunimit. Në këtë moment nuk shoh asnjë pengesë për ta vazhduar bashkëpunimin”, ka theksuar ai.

Rashiq ka lënë të hapur edhe mundësinë e rizgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit, por ka bërë të ditur se fillimisht po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të sqarojë nëse posti i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb i takon Listës Serbe, si shumicë parlamentare, apo nëse ky post mund t’i takojë atij.

Kusari-Lila: Raportimi i NZZ-së për takime në Zvicër është lajm i rremë

Kryetarja e “Alternativës”, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur si lajmë të rremë, raportimin e gazetës zvicerane NZZ, në të cilin përmenden takime të fshehta në Solothurn të Zvicrës, përfshirë edhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe kryediplomatin serb, Marko Gjuriq, përcjell albinfo.ch.

“Lajm i rremë në NZZ, lajm i rremë në disa platforma kosovare. Zelli për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbetet i njëjtë, përkundër fakteve të qarta që e demantojnë plotësisht këtë narrativë. Kjo nuk është gazetari është papërgjegjësi”, ka shkruar ajo.

PDK-ja “ia rrëmben” një ulëse LDK-së

Një ndryshim i papritur ka ndodhur në fund të procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rikthyer ulësen e 23-të në Kuvend, duke e “rrëmbyer” atë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila tani ka rënë në 14 mandate nga 15 sa kishte sipas rezultateve preliminare.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve, ka arritur në 57 ulëse në Kuvend, duke i marrë një mandat PDK-së, e cila sipas rezultateve të mëparshme kishte 23. Me këto llogaritje të fundit, në Kuvend rikthehet Bekim Haxhiu nga PDK-ja.

Nga ana tjetër, LDK-ja humb një ulëse, të cilën e ka humbur Fadil Hadërgjonaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar gjithsej 6 ulëse në Kuvend.

Qeveria në detyrë demanton raportimet për takime Bislimi–Gjuriq në Zvicër

Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) ka publikuar sot një artikull në të cilin pretendon se shteti zviceran ka organizuar takime joformale ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Sipas gazetës zvicerane, në këto takime thuhet se kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryenegociatori për dialogun, Besnik Bislimi, si dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

Ndaj këtij raportimi ka reaguar Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila ka mohuar kategorikisht se Bislimi ka pasur ndonjë takim me Gjuriqin në Zvicër.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Në reagimin e plotë, Qeveria në detyrë sqaron se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin një numër të madh akterësh ndërmjetësues. Krahas Bashkimit Evropian, edhe vende partnere e mike, si Zvicra, organizojnë iniciativa të ndryshme ndërmjetësimi përmes Departamentit Federal të Punëve të Jashtme.

Sipas reagimit, Zvicra çdo vit organizon takime me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë, politikanë dhe zyrtarë qeveritarë nga të dyja shtetet, për çka Qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e saj.

Megjithatë, theksohet se këto takime nuk janë “të fshehta” dhe se zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, në cilësinë e kryenegociatorit, nuk ka zhvilluar takime të tilla, e aq më pak me Marko Gjuriqin.

“Në njërin nga këto takime në Zvicër, zëvendëskryeministri Bislimi ka qenë i ftuar si folës, por në atë takim nuk ka qenë i pranishëm Marko Gjuriq. Pra, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, përfundon reagimi.

Numërohen mbi 50% e votave me kusht, këto janë rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve nga numërimi i votave me kusht në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të përditësuara deri më tani nga 31 vendvotime të numëruara nga 57 gjithsej (54.39%), Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.06% të votave, që përkthehet në 2,086 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.29% ose 820 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.08% (471 vota).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 7.62% (324 vota)

KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit po vazhdon dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha vendvotimeve dhe verifikimeve përkatëse.

Agjencia Kundër-Korrupsionit nis hetim pasuror ndaj presidentes Osmani

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës,Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Kjo pasi Agjencia ka gjetur dallime të theksuara në deklarimin e saj të pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.

Burime brenda këtij institucioni kanë konfirmuar për VOX Kosova se procedura ka nisur pasi janë vërejtur dallime në sasinë e pasurisë që presidentja kishte deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë.

Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.

Në dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur institucionin përgjegjës të ndërmarrë verifikime shtesë, ashtu siç parashihet me ligj.

Osmani, e cila shpesh përmendet në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës.

Por ajo ka edhe shumë patundshmëri të tjera, siç janë pronat në Australi, ku vetëm një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, vitin e kaluar, në deklarimin e pasurisë, ajo ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin posedojnë edhe një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi tjetër në Australi.

Ndërkohë, Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit, e mirëpresin çfarëdo verifikimi.

“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhi.”, tha KupinaPas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca për rtv21.tv kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione të tilla.

Kurti drejt 400 mijë votave, VV me rezultat rekord

Procesi i numërimit të votave po vazhdon edhe sot, përfshirë votat me kusht, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me përqindjen më të lartë të votave, 50.67 për qind.

Sipas të dhënave të deritanishme, kryeministri dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, ka arritur të marrë 386,953 vota, duke u renditur bindshëm si kandidati më i votuar në këto zgjedhje.

Përveç Kurtit, Albinfo.ch sjell edhe pesë kandidatët më të votuar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje:

Glauk Konjufca – 303,733 vota

Albulena Haxhiu – 164,604 vota

Hekuran Murati – 162,576 vota

Donika Gërvalla-Schwarz – 145,567 vota

Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen pas përmbylljes së plotë të procesit të numërimit, përfshirë votat me kusht dhe ato nga diaspora, por trendi aktual tregon një epërsi të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të liderit të saj, Albin Kurti./Albinfo.ch 

Vërshime në disa pjesë të Kosovës

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në kryeqytet disa rrugë janë mbushur me ujë duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve.

Në Skenderaj, kryetari i Komunës, Sami Lushtaku ka shkruar se reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh.

“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar. Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për tu përballur së bashku me këtë situate”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kjo ndërmarrje ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë ujin dhe se masa merret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

“Ekipet tona teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbulleshmërisë dhe krijimit të kushteve të sigurta për distribuim”, thuhet në njoftimin e të martës në mëngjes.

Edhe në Malishevë për shkak të reshjeve të dendura është vërshuar parkingu nëntokësor, pak ditë pas përurimit të tij.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

Tutje ka njoftuar se kryesisht bëhet fjalë për lumenjtë që rrjedhin nga Alpet Shqiptare dhe si pasojë, mund të kenë dalë nga shtretërit e tyre.

Afro 1 orë pritjet e mërgimtarëve për të dalë nga Kosova

Bëhet e ditur se mërgimtarët po presin afro 1 orë për të dalë nga Kosova në drejtim të vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë, përcjell albinfo.ch.

Bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, 40 minuta vijojnë pritjet në Merdarë.

Ndërkohë, pikat tjera kufitare nuk regjistrojnë fluks të madh të pritjeve.

VV kryeson edhe në votat me kusht

Numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta ka nisur të hënën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përcjell albinfo.ch.

Kjo fazë është pjesë e përpunimit të fundit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të KQZ-së, deri në momentin e përditësimit janë numëruar 18 nga 57 vendvotime, apo 31.58% e totalit të votave me kusht.

Deri tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson bindshëm me 49.81% (1,313 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.45% (539 vota).

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.65% (307 vota) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 8.95% (236 vota).

Riola Xhemaili flet për raportin me Avdullahun, Shaqirin e Xhakën

Futbollistja e PSV Eindhovenit, Riola Xhemaili, dhe vëllai binjak i saj, Rioni, kanë dhënë një intervistë të gjatë për mediumin zviceran “NZZ”, ku kanë folur për karrierën, jetën personale dhe lidhjen e tyre me Kosovën dhe Zvicrën, përcjell albinfo.ch.

Riola ka treguar se në moshë të re ka luajtur me Leon Avdullahun, ylli i ri i mesfushës së Kosovës, në ekipin U11 të Baselit kundër Luzernit. Vëllai i saj, Rioni, ka kujtuar momentet e hershme:

“Luajtëm me ekipin U11 kundër Luzernit. Riola shënoi një gol nga goditja e dënimit dhe një tjetër me kokë, por humbëm rreth 10:2. Gjatë rrugës për në shtëpi, shokët e ekipit thanë se Riola do të fitonte një ditë ‘Topin e Artë’. Mendova me vete: ‘Ajo është jashtëzakonisht e mirë’”, ka thënë Rioni, duke theksuar se futbollistja dallohej qartë edhe ndaj djemve të tjerë.

Riola ka treguar gjithashtu për sfidat që ka hasur si futbolliste me prejardhje nga Kosova:

“Kur shkojmë në Kosovë, njerëzit thonë: ‘Ata janë nga jashtë, nuk e dinë vërtet se si jetojmë këtu’. Në Zvicër, nëse bën diçka të mirë, je i shkëlqyer, por nëse ndodh diçka e keqe, fajin e gjejnë te prejardhja jote. Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë, prandaj marr vendime që janë të drejta për mua dhe familjen.”

Pavarësisht lidhjeve të forta me Kosovën, futbollistja ka shpjeguar se nuk ka marrë kurrë ftesë nga Kosova për të luajtur, ndërsa nga viti 2020 është pjesë e përfaqësueses së Zvicrës, me 7 gola në 38 ndeshje deri më tani.

Xhemaili ka folur edhe për raportin me futbollistë të tjerë shqiptarë:

“Kur shënova gol kundër Finlandës në Evropian, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri më përgëzuan. Isha më e afërt me Shaqirin dhe gjithashtu njoh shumë mirë Leon Avdullahun. Çdo lojtar ka historinë e vet, dhe kjo është ajo që na lidh. Ndonjëherë më pyet veten pse besnikëria na kërkohet vetëm neve kosovarëve.”

Vëllai i saj, Rioni, ka përforcuar vlerësimin për Riolën:

“Riola është yll në Kosovë, njëqind për qind.”

Kjo intervistë zbulon jo vetëm sukseset e saj në fushë, por edhe përkushtimin dhe vendosmërinë për t’u afirmuar si futbolliste, duke ndërtuar një karrierë ndërkombëtare ndërsa mban lidhje të forta me rrënjët e saj kosovare.

Një hotel i dedikuar Harry Potter-it pritet të hapet në Gjermani

Evropa po përgatitet të mirëpresë hotelin e saj të parë të dedikuar plotësisht botës magjike të Harry Potter, një projekt që pritet të zgjojë interes të madh tek adhuruesit e sagës në mbarë kontinentin. Hoteli do të jetë pjesë e një zgjerimi të rëndësishëm të LEGOLAND Deutschland Resort, në Günzburg të Gjermanisë, dhe po realizohet përmes partneritetit mes Warner Bros. Discovery Global Experiences dhe Merlin Entertainments, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimeve zyrtare, projekti synon të ofrojë një përvojë unike për vizitorët, duke ndërthurur arkitekturën tematike me elemente të frymëzuara drejtpërdrejt nga universi i Harry Potter-it. Çdo detaj i hotelit është konceptuar për t’i bërë mysafirët të ndihen pjesë e historisë, duke krijuar një ambient që rikthen në jetë skenat dhe atmosferën e filmave të njohur.

Dhomat e hotelit pritet të pasqyrojnë karakteristikat e katër shtëpive të Hogwarts-it, Gryffindor, Slytherin, Ravenclaw dhe Hufflepuff, ndërsa interieri do të përfshijë elemente të njohura për fansat, përfshirë shtretër të stiluar sipas atyre të Ron Weasley-t. Këto detaje synojnë të sjellin një ndjesi autentike dhe të dallueshme për çdo vizitor.

Edhe hapësirat e përbashkëta do të jenë të frymëzuara nga skena ikonike të serisë “Harry Potter”, duke krijuar ambiente relaksuese ku vizitorët mund të çlodhen dhe të zhyten në një atmosferë magjike. Projekti konsiderohet i pari i këtij lloji në Europë, si për nga përmasat ashtu edhe për nga standardi, i kushtuar ekskluzivisht kësaj sage të famshme.

Peter van Roden ka theksuar se qëllimi i këtij zhvillimi është t’u mundësojë fansave ta përjetojnë botën e magjistarëve në një mënyrë krejtësisht të re, përmes një kombinimi kreativ mes LEGO-s dhe universit të Harry Potter-it.

I vendosur në një zonë lehtësisht të aksesueshme me makinë apo tren nga disa qytete të Gjermanisë, hoteli do të shoqërohet edhe me atraksionet ekzistuese të LEGOLAND Deutschland Resort, duke e bërë destinacionin tërheqës për familje dhe vizitorë të moshave të ndryshme. Edhe pse ende nuk është bërë e ditur një datë zyrtare e hapjes, projekti tashmë është pritur me interes të madh dhe konsiderohet si një nga investimet më të veçanta turistike të viteve të ardhshme në Europë./Albinfo.ch

11 të arrestuar nga policia italiane pas një përleshje, disa me origjinë shqiptare

Një përleshje e dhunshme që shpërtheu të dielën në mbrëmje në një bar në San Sisto, Itali, ka sjellë arrestimin e 11 personave, ndërsa një i mitur 17-vjeçar rezulton në arrati. Operacioni u zhvillua nga Policia Italiane, dhe të arrestuarit u dërguan në burgun e Capanne, përcjell albinfo.ch.

Të arrestuarit, të moshës 19–31 vjeç, me origjinë shqiptare, rumune dhe maqedonase, janë banorë të Panicale, Piegaro, Passignano sul Trasimeno, Montegabbione dhe Tavernelle. Pesë prej tyre kanë precedentë të mëparshëm penalë.

Sipas hetuesve, përleshja ka nisur rreth orës 18:45 në zonën e pushimit të Sant’Andrea delle Fratte, ku ndodhet edhe bari. Një grup shqiptarësh dhe një grup maqedonasish u përfshinë në grindje, e cila u përshkallëzua nga një mosmarrëveshje e vogël dhe një foto e bërë me celular.

Dy të rinj u përpoqën të largoheshin me makinë, por goditën një nga sulmuesit gjatë ikjes. Viktima, një 27-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, u dërgua në spitalin e Perugias me fraktura të shumta në gjymtyrët e poshtme dhe ka një prognozë 30-ditore.

Policia ndërhyri shpejt pas thirrjes në numrin 112, duke mundësuar arrestimin e shumicës së autorëve në flagrancë, ndërsa kërkimi për dy të arratisurit vazhdon. Hetimet paraprake, të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve dhe pamjet nga kamerat e sigurisë, konfirmojnë se grindja ka shpërthyer për shkaqe të parëndësishme.

Në vendngjarje, policia ka sekuestruar disa shkopinj, njëri prej tyre 65 cm i gjatë, si dhe karrige dhe tavolina të përdorura në përleshje. Një 23-vjeçar shqiptar u kap duke tentuar të fshehë çelësin e ndezjes së makinës brenda një vazoje lulesh dhe iu gjet edhe 0.6 gramë kokainë.

Të gjithë të arrestuarit akuzohen për sulm të rëndë, ndërsa hetimet përfundimtare për ngjarjen dhe për identifikimin e të miturit në arrati vazhdojnë./Albinfo.ch

Sunderland merr barazimin e katërt rresht, Xhaka dominon në mesfushë

Sunderland, i udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka, regjistroi barazimin e katërt rresht në Premierligë, këtë herë duke marrë një pikë si mysafir ndaj një tjetër klubi të madh, Tottenham Hotspur, transmeton albinfo.ch.

Ndikimi i Xhakës te Sunderland është i qartë dhe i madh. Transferimi i tij konsiderohet tashmë si një nga më të mirët e këtij edicioni në Premierligë. Jo vetëm që organizon lojën e skuadrës në mesfushë, por ai gjithashtu spikat për aftësitë defanzive.

Sipas statistikave të publikuara nga Sunderland të hënën, Xhaka është i vetmi lojtar në pesë ligat kryesore evropiane që ka kryer mbi 100 veprime të suksesshme për të ndaluar pasimet e kundërshtarit. Konkretisht, ai ka ndalur 103 pasime të kundërshtarëve këtë sezon, duke treguar aftësinë e tij për të lexuar lojën dhe për të rikuperuar topin në mënyrë efektive.

Këto statistika nënvizojnë jo vetëm ndikimin e tij në ofensivë dhe organizimin e lojës, por edhe rolin kyç në mbrojtje, duke e bërë Xhakën një nga lojtarët më të vlefshëm dhe më të dalluar të Sunderland në këtë edicion të Premierligës./Albinfo.ch

Depozitë deri në 15 mijë dollarë për aplikim për vizë amerikane: SHBA zgjeron listën e vendeve

Pagesa e një depozite prej 15,000 dollarësh nuk siguron miratimin e vizës amerikane, megjithatë shuma u kthehet aplikantëve në rast refuzimi. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar edhe shtatë shtete të reja në listën e vendeve, qytetarët e të cilave janë të detyruar të paguajnë këtë depozitë për të aplikuar për vizë, sipas raportimit të moneycontrol.

Me këtë vendim, numri total i vendeve në listë shkon në 13, prej të cilave 11 janë shtete afrikane. Kjo masë e bën procesin e aplikimit për vizë amerikane jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe të vështirë për një numër të madh qytetarësh.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se në listë janë përfshirë Butani, Botsvana, Republika e Afrikës Qendrore, Guinea, Guinea-Bisau, Namibia dhe Turkmenistani. Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 janar.

Më herët, në muajin tetor, në këtë listë u shtuan Mauritania, Sao Tome dhe Principe, Tanzania, Gambia, Malavi dhe Zambia.

Përmes kësaj depozite, SHBA synon të forcojë kontrollin e hyrjes në vend. Përveç pagesës financiare, të gjithë aplikantët për vizë janë të detyruar të zhvillojnë intervista personale, të paraqesin të dhëna mbi aktivitetin e tyre në rrjetet sociale, si dhe informacione të detajuara për udhëtimet dhe vendbanimet e mëparshme, si për veten ashtu edhe për anëtarët e familjes.

Gjeneva zgjat masat emergjente për shkak të të ftohtit ekstrem, ndihmë për të pastrehët

Plani për mot të ftohtë është aktivizuar në Gjenevë që nga dita e djeshme. Përballë rënies së ndjeshme të temperaturave dhe rikthimit të erës nga veriu, Qyteti i Gjenevës ka vendosur ta zgjasë këtë plan, i cili u aktivizua të dielën, deri më 12 janar. Masat përfshijnë hapjen e hapësirave shtesë për strehim emergjent dhe dyfishimin e patrullave të natës në terren.

Me temperatura që zbresin deri në -6 gradë Celsius, i ftohti ndihet fort në rrugët e Gjenevës.

“Në këto temperatura ekziston rreziku i hipotermisë: trupi i njeriut nuk është i projektuar për të qëndruar jashtë për disa orë,” shpjegon Sami Ben Salah, punonjës social i Qytetit të Gjenevës, të hënën gjatë edicionit informativ të orës 12:45.

Në rrugët e qytetit, Sami Ben Salah dhe një nga kolegët e tij u ofrojnë personave të pastrehë që takojnë një vend të ngrohtë për të kaluar natën. Ata gjithashtu i inkurajojnë të telefonojnë në një linjë të dedikuar emergjente, pasi që nga 29 dhjetori janë hapur 80 vende shtesë për strehim.

“Njerëzit janë të lumtur që mund të strehohen, veçanërisht kur temperaturat bëhen vërtet ekstreme,” thekson Claudio Gramenzi, komandant i Mbrojtjes Civile të qytetit.

Berlini përballet me ndërprerje masive të energjisë për dy ditë pas një zjarri

Një zjarr i fuqishëm në Berlinin jugperëndimor shkaktoi një ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike të shtunën, duke lënë të pa furnizuar me rrymë rreth 45,000 familje dhe 2,200 biznese në katër rrethe të qytetit, njoftoi operatori i rrjetit Stromnetz Berlin, sipas raportimeve të CNBC.

Ngjarja u shkaktua nga një zjarri në një urë kabllore mbi Kanalin Telov pranë termocentralit Lichterfelde, duke dëmtuar disa kabllo.

Stromnetz Berlin bëri të ditur se energjia u është rikthyer tashmë rreth 10,000 familjeve dhe 300 bizneseve në Lichterfelde, por rreth 35,000 familje dhe 1,900 kompani vazhdojnë të jenë pa rrymë. Kompania parashikon që furnizimi të rikthehet për të gjithë klientët deri të enjten pasdite, për shkak të temperaturave nën zero dhe reshjeve të borës që po komplikojnë punën.

Autoritetet lokale fajësuan për incidentin grupin ekstremist të krahut të majtë, Vulcan, i cili mori përgjegjësinë për sulmin përmes një letre. Në të, grupi pretendon se veprimi ishte kundër industrisë së karburanteve fosile, ndërsa motive të tjera përmenden edhe kriza klimatike dhe zhvillimi i infrastrukturës së inteligjencës artificiale.

“Ky nuk është thjesht ekstremizëm i krahut të majtë, por terrorizëm i qartë i krahut të majtë,” deklaroi Ministre e Brendshme, Iris Spranger.

Kjo ndërprerje e energjisë ndodh vetëm katër muaj pas një zjarri të dyshimtë që kishte prekur rreth 50,000 familje në Berlinin juglindor. Grupi Vulcan kishte marrë më parë përgjegjësinë për një sulm ndaj rrjetit elektrik në fabrikën e Teslës pranë Berlinit në vitin 2024, duke ndërprerë përkohësisht prodhimin.