Pamje tronditëse, shpërndahet video e zjarrit në resortin Crans-Montana

Një video shqetësuese nga brendësia e barit “Le Constellation” në resortin e njohur të skijimit Crans-Montana, në Zvicër, po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, duke dokumentuar momentet e para të shpërthimit të zjarrit tragjik në natën e Vitit të Ri, përcjell albinfo.ch.

Pamjet tregojnë se fillimisht shumë prej të pranishmëve nuk e kuptuan seriozitetin e situatës. Ndërsa flakët nisën të përhapeshin, disa vizitorë vazhdonin të kërcenin dhe madje të filmonin, të pavetëdijshëm për rrezikun. Vetëm kur zjarri arriti në tavan dhe ambienti u mbush me tym të dendur, shpërtheu paniku – por për shumë prej tyre ishte tashmë tepër vonë.

Në video të tjera, të publikuara në rrjete sociale, shihen disa të rinj që përpiqen në mënyrë dëshpëruese të shuajnë flakët duke përdorur fanella, teksa zjarri përhapej nga kulmi i lokalit.

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën rreth 40 persona, ndërsa mbi 100 të tjerë janë lënduar, shumica prej tyre rëndë. Viktima e parë e identifikuar është Emanuele Galeppini, shtetas italian. Sipas autoriteteve, mes viktimave ka edhe turistë të huaj.

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit, në një nga baret më të frekuentuara të resortit, i cili renditet rregullisht ndër dhjetë vendpushimet më të mira të skijimit në Evropë. Crans-Montana ndodhet rreth 40 kilometra në veriperëndim të Zermatt-it.

Mëngjesi pas tragjedisë u karakterizua nga tronditja dhe trishtimi. E përditshmja zvicerane Blick ka cituar një mjek që ndërhyri në vendngjarje, i cili paralajmëroi se numri i viktimave ishte jashtëzakonisht i lartë, kryesisht për shkak të mungesës së daljeve emergjente. Sipas tij, e vetmja dalje nga bodrumi i barit ishte një shkallë e ngushtë dhe e pjerrët, e cila gjatë panikut u shndërrua në një kurth vdekjeprurës. /Albinfo.ch 

VIDEO

https://www.dailymail.co.uk/news/article-15428353/Moment-waitress-carried-colleague-holds-sparkler-air-deadly-blaze-rips-Swiss-nightclub-killing-47-footage-shows-young-hero-trying-flames-begin-spread.html

Kjo është nota për Granit Xhakën në përballjen me Manchester Cityn

Sunderland ndali një pikë të madhe në përballje me Manchester Cityn, duke luajtur baras (0:0) në ndeshjen e javës së 19-të të Premier League, përcjell albinfo.ch. 

Kapiten i Sunderlandit, Granit Xhaka, si zakonisht u paraqit nga minuta e parë, u angazhua maksimalisht dhe u vlerësua me notën 7.4 nga faqja e specializuar për statistika “Sofascore”.

Futbollisti i Sunderlandit, Enzo Le Fee, është më i vlerësuari nga të gjithë të tjerët. 

Enzo Le Fee u vlerësua me notën 8.4 dhe është lojtar i ndeshjes. Erling Haaland i Manchester City u vlerësua me notën 6.2.

Manchester City zë vendin e dytë me 41 pikë e Sunderlandi të shtatin me 29 sosh.

Enzo Le Fée

Nisin homazhet në Kuvend për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci

Kanë filluar homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nexhat Daci, të cilat po mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Homazhet po zhvillohen në praninë e familjarëve, përfaqësuesve institucionalë, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve, të cilët po bëjnë nderimet për të ndjerin.

Sipas agjendës zyrtare të ceremonive mortore, aktivitetet do të vazhdojnë gjatë ditës me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore është paraparë të mbahet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat në Dragodan.

Vështirësi në identifikimin e viktimave në tragjedinë e Crans-Montana

Hetuesit zviceranë nisën të premten detyrën e dhimbshme të identifikimit të trupave pas zjarrit që përfshiu barin e mbushur me njerëz “Le Constellation”, duke lënë të vdekur rreth 40 persona dhe mbi 100 të lënduar, shumë prej të cilëve rëndë, gjatë festës së Vitit të Ri në resortin luksoz të skive në Crans-Montana, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët thanë se shkalla e djegieve është e tillë, sa që identifikimi i të gjitha viktimave mund të zgjasë disa ditë. Prindërit e të rinjve të zhdukur kanë bërë thirrje për informacion mbi të dashurit e tyre, ndërsa ambasadat e huaja po përpiqen të përcaktojnë nëse shtetasit e tyre janë mes viktimave.

“Kryefjala e parë është të identifikohen trupat,” tha kryebashkiaku i Crans-Montana, Nicolas Feraud, në një konferencë për shtyp. Mathias Reynard, kreu i qeverisë së kantonit Valais, shtoi se ekspertët po përdorin mostra dentare dhe ADN për këtë proces. “Ky informacion është kaq i ndjeshëm sa nuk mund të njoftojmë familjet pa siguri 100%,” tha Reynard.

Italia dhe Franca kanë konfirmuar se disa shtetas të tyre janë të zhdukur. Ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, do të vizitojë Crans-Montana të premten. Australia gjithashtu raportoi një shtetas të lënduar.

Numri i viktimave raportohet të jetë rreth 40 nga autoritetet zvicerane, ndërsa Italia raporton 47, bazuar në informacion nga zyrtarët lokalë. Nga 112 të plagosurit, vetëm pesë nuk janë identifikuar ende. Gjashtë italianë janë të zhdukur dhe 13 po marrin trajtim spitalor.

Shkaku i zjarrit ende nën hetim

Autoritetet thonë se zjarri duket të ketë qenë aksidental dhe jo sulm. Disa të mbijetuar dhe pamje nga mediat sociale sugjerojnë se tavani i bodrumit mund të ketë marrë flakë nga qirinj vezullues të afërt.

Banorët e Crans-Montana, një destinacion i njohur për ski dhe golf, u tronditën nga ngjarja. Qindra qytetarë u mblodhën në vendngjarje për të bërë homazhe, ndërsa Zvicra urdhëroi uljen e flamurit në gjysmë shtizë për pesë ditë.

“Mendon se je i sigurt këtu, por kjo mund të ndodhë kudo. Ata ishin njerëz si ne,” tha Piermarco Pani, 18 vjeç, një banor që njihte viktimat. Qindra lule dhe qirinj u vendosën në një altar të improvizuar pranë barit.

Të rinjtë që shpëtuan përshkruan përhapjen e shpejtë të flakëve. Kean Sarbach, 17 vjeç, tha se katër persona i thanë se flakët përhapen shumë shpejt. Elisa Sousa, 17 vjeç, theksoi se do të ishte aty, por fatmirësisht qëndroi në një takim familjar. “Zoti e di ku do të isha tani,” tha ajo.

Siç ka shkruar Albinfo.ch edhe më herët, Ambasada e Kosovës në Bernë ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka informata për shtetas kosovarë të përfshirë mes viktimave apo të lënduarve, duke shtuar se qëndron në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zvicerane./Albinfo.ch

Kurti: Daci do të mbetet emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka ngushëlluar familjen e ish-kryeparlamentarit, Nexhat Daci i cili vdiq në moshën 81-vjeçare, përcjell albinfo.ch.

Ai në Facebook shkruan se Daci do të mbetet emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.

Pikëlluese të njoftohemi që në këtë ditë të parë të vitit 2026, ka vdekur Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.

“Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, i zgjedhur dy herë kryetar, mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006. Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

“Ngushëllime familjes Daci, kolegëve të tij profesorë dhe akademikë, si dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nexhat Daci do të mbetet një emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”, shkruan ai.

Majlinda Kelmendi refuzon ofertë të majme nga Emiratet Arabe

Ekipi i trajnerëve të Kosovës në xhudo është rritur jo vetëm në numër, por edhe në cilësi, falë përfshirjes së kampioneve olimpike Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova. Tashmë, dy sportistet e njohura po marrin përgjegjësi të mëdha, duke përcjellë përvojën e tyre te gjeneratat e reja të xhudistëve, përcjell albinfo.ch.

Majlinda ka nisur karrierën si trajnere në verën e vitit 2021, pak muaj pas përfundimit të karrierës si xhudiste. Përvoja e saj është vlerësuar shumë nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe nga sportistët, ndërsa ajo ka marrë oferta për të punuar edhe jashtë vendit, përfshirë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me rroga që shkojnë deri në 10–15 mijë euro. Megjithatë, Majlinda ka vendosur të qëndrojë në Kosovë, duke u përkushtuar te trajnerimi i fëmijëve dhe ruajtja e lidhjes me familjen dhe komunitetin.

“Është punë krejt tjetër të jesh trajnere. Tani kam më shumë përgjegjësi dhe ndonjëherë duhet të motivoj fëmijët më shumë se ata vetë, por kjo është pjesë e sfidës. Jam shumë e lumtur që kam mundësi të punoj me Toni dhe ekipin,” ka thënë Majlinda.

Si xhudiste, ajo ka bërë histori për Kosovën, duke fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, dy tituj botërorë dhe katër tituj evropianë, ndërsa kontributi i saj ka ndihmuar Kosovën të njihet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Majlinda thekson se, edhe pse të rinjtë nuk kanë gjithmonë përkushtimin e saj ose të shokëve të tjerë kampionë, sistemi i punës dhe stërvitjet e drejtuesve si Toni Kuka sigurojnë që Kosova të vazhdojë të prodhojë xhudistë cilësorë.

“Rezultatet nuk vijnë menjëherë, por me punë të vazhdueshme dhe disiplinë, fëmijët e talentuar do të arrijnë majat,” shton legjenda e xhudos, duke theksuar rëndësinë e durimit dhe përkushtimit në sport.

Institucionet zvicerane vendosin flamujt në gjysmë shtize pas tragjedisë në Crans-Montana

Institucionet zvicerane në nivel vendi dhe të kantoneve kanë vendosur flamujt në gjysmë shtize pas tragjedisë në Crans-Montana pas tragjedisë së rëndë që ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri në barin “Le Constellation”, brenda resortit luksoz të skive Crans-Montana. Flamujt, në shenjë zie do të mbeten në gjysmë shtize deri më 6 janar.

Deri tani, autoritetet kanë raportuar 47 viktima dhe 115 të plagosur, ndërsa shumë prej të prekurve janë shtetas të huaj, përfshirë italianë, disa prej të cilëve ende rezultojnë të zhdukur. Shumica e të lënduarve janë të rinj, të moshave 16–26 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Si reagim ndaj tragjedisë, aktivitetet festive në resort janë anuluar dhe komuniteti lokal po nderon viktimat me lule dhe mesazhe ngushëllimi.

Reagimi i Presidentit zviceran

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, e cilësoi ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda në historinë e vendit. Ai vizitoi Crans-Montana-n së bashku me përfaqësues të lartë të kantonit Valais, duke shprehur solidaritetin e qeverisë me familjet e viktimave dhe personave të zhdukur. Parmelin premtoi se Zvicra do të bëjë gjithçka për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të parandaluar përsëritjen e saj.

Ai vuri në dukje se një pjesë e madhe e viktimave janë të rinj dhe falënderoi vendet fqinje, përfshirë Italinë, Francën dhe Gjermaninë, për mbështetjen e ofruar. Gjithashtu, Parmelin vlerësoi përkushtimin e ekipeve të shpëtimit, të cilat rrezikuan jetën për të ndihmuar të plagosurit.

Ndihma ndërkombëtare dhe trajtimi i të lënduarve

Autoritetet zvicerane po fokusohen kryesisht te identifikimi i viktimave, një proces që pritet të zgjasë për shkak të përfshirjes së shumë shtetasve të huaj. Në operacionet e shpëtimit janë angazhuar dhjetëra ambulanca, helikopterë dhe mbi 150 shpëtimtarë, ndërsa të lënduarit u dërguan në spitale të ndryshme të vendit.

Italia ka konfirmuar se 12–15 shtetas italianë janë të shtruar në spitale zvicerane, disa në gjendje të rëndë, ndërsa 16 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Një pjesë e të plagosurve do të transferohen për trajtim në Itali.

Hetimet paraprake tregojnë se zjarri u përhap shumë shpejt përmes fenomenit të quajtur “flashover”, duke përfshirë të gjithë ambientin, ndërsa autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një akti të qëllimshëm.

Kuvendi i Kosovës organizon homazhe dhe Akademi Përkujtimore për Nexhat Dacin

Të premten, më 2 janar 2026, do të mbahet ceremonia mortore për ish-kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nexhat Daci, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit të Kosovës, homazhet do të zhvillohen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Më pas, nga ora 12:00 deri në 12:45, do të mbahet Akademia Përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Varrimi me nderime shtetërore do të bëhet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Qytetit në Arbëri, në Prishtinë.

Ngjarja tragjike në Zvicër, Maqedonia e Veriut në gatishmëri për ndihmë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se pas tragjedisë në një bar në qendrën zvicerane të skijimit Crans-Montana, ku humbën jetën rreth 40 persona dhe mbi 100 të tjerë u lënduan, autoritetet maqedonase janë në gatishmëri për të ofruar ndihmë, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pas konsultimeve me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu, zhvilloi një bisedë telefonike me ambasadorin e Zvicrës në vend, Christoph Sommer. Gjatë bisedës, Mucunski shprehu ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe për popullin zviceran, duke uruar shërim të shpejtë dhe të suksesshëm për të lënduarit.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bëri të ditur se po shqyrtohen mundësitë për t’i ofruar ndihmë të nevojshme Zvicrës. Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë është në koordinim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim të RMV-së, ndërsa përmes Qendrës Koordinuese të BE-së për Reagim ndaj Emergjencave (EU ERCC) është vendosur një kanal komunikimi me autoritetet shëndetësore zvicerane.

“Ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë,” deklaroi Aliu, duke nënvizuar gatishmërinë e institucioneve maqedonase për të ofruar mbështetje të përshtatshme.

Po ashtu, Ambasada e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se monitoron zhvillimet dhe është në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët maqedonas që mund të jenë të prekur nga ngjarja tragjike.

Granit Xhaka, një lider në fushë, Sunderland frenon Manchester City në Premier League

Nuk ka fitues në sfidën mes Sunderlandit të Granit Xhakës dhe Manchester City. Në ‘Stadium of Light’, kjo sfidë përfundoi me barazimin 0-0 me skuadrën e Pep Guardiolës, që e pati të pamundur të mposhte skuadrën vendase që arriti të frenojë Citizens, përcjell albinfo.ch.

Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje u mbyll me rezultatin 0-0 me të dyja skuadrat që i patën shanset e tyre për shënim por pa mundur t’i shfrytëzojnë ato. Rasti më flagrant i 45 minutave të para u regjistrua që në minutën e 5 kur Bernardo Silva shënoi për Manchester City por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Kështu që skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin pa gola.

Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim për

Manchester City, teksa  në fushën e lojës u rikthye Rodri që mori vendin e Nico Gonzales. Ishte Sunderland që u shfaq më i rrezikshëmn në momentet e para të kësaj pjese, por Donnarumma në dy raste bëri ndërhyrje mjaft të mira duke mbajtur të paprekur portën e tij.

Në krahun tjetër Gvardiol iu afrua golit për Manchester City, por që u ndal nga portieri i Sunderland. Kroati pati një tjetër shans të shkëlqyer, por pa sukses pasi topi rroku shtyllën edhe ose dukej se gardiani i Sunderland dukej sikur e kishte situatën në kontroll. në minutat në vijim u pa një dominim në fushë i Manchester City, ndërsa Sunderland kërkonte më shumë kundërsulmet. gjithsesi në fund kjo ndeshje nuk pati as gola e as fitues me skuadrat që morën nga 1 pikë secila, me Manchester City që sheh që Arsenal t’i shkëputet në 4 pikë, ndërsa Sunderland shkon në 29 pikë.

Ngjarja tragjike në Crans-Montana, nuk raportohet për shqiptarë të prekur

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ka njoftuar se, deri më tani, nuk ka informata që shtetas kosovarë të jenë në mesin e viktimave apo të lënduarve në ngjarjen tragjike të ndodhur në Crans-Montana, transmeton albinfo.ch.

Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada ka bërë të ditur se ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zvicerane dhe po përcjell nga afër zhvillimet lidhur me këtë rast.

Sipas informatave të konfirmuara nga policia federale zvicerane, si pasojë e ngjarjes kanë humbur jetën rreth 40 persona, ndërsa 115 të tjerë janë lënduar. Në mesin e viktimave dhe të lënduarve ka edhe shtetas të nacionaliteteve të tjera, përveç atyre zvicerane.

Ambasada thekson se procesi i identifikimit të viktimave kërkon kohë dhe se, në rast të ndonjë informacioni të ri, publiku do të njoftohet me kohë.

Autoritetet zvicerane po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Rritet fluksi në dalje të kufijve të Kosovës, pritje deri në 80 minuta në Merdarë

Diaspora ka nisur të kthehet drejt vendeve të Perëndimit, aty ku jeton dhe vepron, shkruan albinfo.ch.

Si pasojë, është shtuar fluksi i automjeteve në dalje të kufijve të Kosovës. Në pikëkalimin kufitar të Merdarës, qytetarët po përballen me pritje që variojnë nga 60 deri në 80 minuta.

Ndërkohë, në pikëkalimet tjera kufitare të vendit, situata paraqitet më e qetë, me pritje të shkurtra që nuk i kalojnë pesë minuta.

Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve që, për aq sa është e mundur, të planifikojnë udhëtimet e tyre dhe të shfrytëzojnë pikëkalimet alternative për të shmangur pritjet e gjata./Albinfo.ch 

Sot varroset me nderime shtetërore ish-kryeparlamentari Nexhat Daci

Sot, më 2 janar, në Varrezat e Dragodanit do të varroset ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, përcjell albinfo.ch.

Ceremonitë mortore do të zhvillohen sipas një agjende zyrtare të bërë publike nga familja Daci.

Homazhet për të ndjerin do të mbahen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Më pas, nga ora 12:00 deri në 12:45, në Sallën Plenare të Kuvendit do të organizohet Akademia Përkujtimore.

Varrimi me nderime shtetërore do të mbahet nga ora 13:40 deri në 14:20 në Varrezat e Dragodanit.

“Familja Daci falënderon të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie.

E pamja do të mbahet nga data 03 deri më 05 janar, në Hotel Sirius, nga ora 10:00 – 17:00.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, shkruhet në njoftimin familjar.

Nis numërimi i votave nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur sot, më 2 janar, nga ora 10:00, procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës, traansmeton albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka sqaruar se numërimi po realizohet për fletëvotimet e tërhequra deri më tani nga dy kutitë postare jashtë Kosovës, konkretisht nga Berlini dhe Berna.

Sipas Elezit, nga votimi përmes postës janë regjistruar rreth 58 mijë shtetas, ndërkohë që procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare ende nuk ka përfunduar. Ai theksoi se tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026, çka do të mundësojë pasqyrimin e plotë të pjesëmarrjes në këtë formë votimi.

Deri më tani, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së. Nga ky numër, pas procesit të verifikimit, janë aprovuar 27 mijë e 600 pako, ndërsa mbi 950 janë refuzuar.

Sipas KQZ-së, arsyeja më e shpeshtë e refuzimit të pakove me fletëvotime ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon përkatëse.

Ndërkohë, sa i përket votimit fizik jashtë Kosovës, Elezi ka bërë të ditur se nga 19,187 shtetas të regjistruar për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, kanë ushtruar të drejtën e votës 16,165 prej tyre, apo 84.24 për qind.

Procesi i numërimit të votave nga diaspora pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa KQZ ka theksuar se i gjithë procesi po zhvillohet në përputhje me procedurat dhe standardet e parapara ligjore.

Dinamika e tragjedisë në Crans-Montana që la shumë të vdekur nga zjarri shkatërrues në një lokal në bodrum

Platforma mediale Albinfo.ch ka raportuar që nga mëngjesi i 1 janarit për rastin tragjikë në Crans-Montana që la shumë të vdekur nga zjarri shkatërrues në një lokal në bodrum që kishte vetëm një dalje.

Zjarri që u përhap me shpejtësi marramendëse brenda një lokali nate në Crans-Montana u kthye në një tragjedi të rëndë në orët e para të Vitit të Ri 2026. Bilanci është tragjik sipas autoriteteve zvicerane, tashmë numri ka shkuar në 47 persona që humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë mbetën të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, që po luftojnë me jetën thonë organet shëndetësore.

Sipas autoriteteve zvicerane, zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të 1 janarit 2026, në barin “Le Constellation”, një ambient në bodrum ku po festonin të paktën 200 të rinj. Brenda pak minutash, lokali u përfshi nga flakët, pa lënë pothuajse asnjë mundësi shpëtimi.

Çfarë dihet deri tani

Këshilltari i Shtetit, Stéphane Ganzer, duke folur për televizionin publik zviceran, deklaroi se zjarri është përhapur shumë shpejt, duke shkaktuar shpërthime të njëpasnjëshme që e kthyen sallën e barit në një “kurth vdekjeje”.

Hetimet janë në fazë intensive. Prokurorja e Përgjithshme e kantonit, Beatrice Pilloud, në konferencën e parë për shtyp, përjashtoi kategorikisht hipotezën e një atentati, duke theksuar se bëhet fjalë për një aksident tragjik. Shkaqet e sakta, megjithatë, mbeten ende për t’u përcaktuar.

Hipotezat për shkakun e zjarrit

Një nga pistat e para të hetimit lidhet me përdorimin e mjeteve piroteknike ose qirinjve shkëlqyesbrenda lokalit. Ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, përmendi mundësinë e fishekzjarrëve të ndezur brenda ambientit, por autoritetet hetuese nuk kanë konfirmuar ende këtë version.

Disa dëshmi flasin për qirinj shkëlqyes të vendosur mbi shishet e shampanjës, të ndezur nga kamarierët gjatë festimeve. Dy të rinj francezë, të intervistuar nga BFMTV, thanë se njëri prej këtyre qirinjve ishte afruar shumë pranë tavanit prej druri, i cili mori flakë pothuajse menjëherë. “Brenda pak sekondash gjithçka ishte në zjarr,” thanë ata.

Një tjetër dëshmitar konfirmoi praninë e yjeve shkëlqyes dhe rrëfeu se shkëndijat ndezën elemente të tavanit, duke bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi në të gjithë ambientin.

Dalja e vetme dhe ambienti i ngushtë

Një element kyç në rritjen e numrit të viktimave duket të ketë qenë mungesa e rrugëve të sigurta të evakuimit. Lokali ndodhej në bodrum dhe, sipas disa dëshmive, kishte vetëm një dalje të ngushtë.

“Të gjithë po shtyheshin. Dera ishte shumë e vogël për kaq shumë njerëz. Disa thyen dritaret për të shpëtuar,” thanë dy vajza për televizionin francez. Zjarrfikëset, sipas tyre, mbërritën brenda pak minutash, por situata kishte dalë tashmë jashtë kontrollit.

Gjatë konferencës për shtyp, prokurorja Pilloud konfirmoi se shkalla e daljes ishte e ngushtë, pa dhënë ende vlerësime mbi përputhshmërinë e lokalit me standardet e sigurisë.

Dëshmitë tronditëse

Zv/kryetarja e Asconas, Michela Ris, e cituar nga mediat zvicerane, përshkroi skena tmerri:

“Disa djem dhe vajza dolën nga lokali të gjakosur, disa pa rroba. Ishte një masakër e vërtetë.”

Një dëshmitar tjetër, Jeoffroy D’Amecourt, i tha RadioTelevisione Svizzera se kishte dëgjuar një shpërthim shumë të fortë, por mohoi që të ishte fishekzjarr: “Zhurma ishte krejt tjetër.”

Fenomeni ‘flashover’ – çfarë ndodhi brenda lokalit

Autoritetet konfirmuan se brenda lokalit ndodhi një fenomen i njohur si “flashover”, një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme ku zjarri kalon brenda sekondash nga një vatër e kufizuar në një zjarr të përgjithshëm.

Në këto raste, nxehtësia grumbullohet nën tavan, gazrat e djegies përhapen dhe temperatura rritet deri në disa qindra gradë, duke shkaktuar ndezjen e menjëhershme të materialeve të djegshme. Në një ambient të mbyllur dhe të mbipopulluar, mbijetesa bëhet pothuajse e pamundur.

Hetimet vazhdojnë

Autoritetet po analizojnë materialet e përdorura në rikonstruksionin e fundit të lokalit, funksionimin e sistemeve kundër zjarrit dhe respektimin e normave të sigurisë. Çdo hipotezë mbetet e hapur, ndërsa Zvicra është tronditur nga një prej tragjedive më të rënda të viteve të fundit.

Si po ndikon Inteligjenca Artificiale në kërkimin shkencor

Shkencëtarët po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale (AI) për të përshpejtuar proceset e kërkimit shkencor, nga shkrimi i artikujve e analizimi i të dhënave deri te zhvillimi i ideve të reja. Një studim i fundit tregon se AI po transformon mënyrën se si realizohet dhe publikohet kërkimi shkencor, duke pasur ndikim në pothuajse të gjitha fushat e shkencës.

Sipas ekspertëve të Universitetit Cornell në SHBA, mjetet e bazuara në AI, si ChatGPT, po ndihmojnë studiuesit të shkruajnë më shpejt dhe të publikojnë më shumë punime. Kjo është veçanërisht e dobishme për ata që nuk kanë anglishten si gjuhë amtare, pasi AI ndihmon në përpilimin e teksteve më të sakta dhe më të rrjedhshme. Si rezultat, numri i artikujve të publikuar është rritur ndjeshëm.

Megjithatë, studimi nënvizon disa sfida. Shumë artikuj të ndihmuar nga AI duken të përpunuar dhe të strukturuar mirë, por përmbajtja shkencore mund të mos jetë gjithmonë e thellë. Artikujt e krijuar me ndihmën e AI shpesh nuk arrijnë të plotësojnë standardet e revistave shkencore prestigjioze, krahasuar me punimet e shkruara plotësisht nga njerëzit.

Kjo tregon se, megjithëse AI mund të përmirësojë qartësinë, organizimin dhe stilin e një teksti, ajo nuk zëvendëson origjinalitetin dhe cilësinë shkencore të një studimi të vërtetë.

Nga ana tjetër, AI sjell avantazhe të rëndësishme, duke ndihmuar studiuesit të identifikojnë burime të reja dhe të larmishme, si dhe të kursejnë kohë gjatë kërkimit dhe shkrimit.

Në përfundim, përdorimi i AI në shkencë po rritet me shpejtësi dhe po ndryshon mënyrën se si shkencëtarët punojnë dhe publikojnë. Megjithëse ofron shumë përfitime, ekspertët theksojnë se përdorimi i saj duhet të monitorohet me kujdes, për të siguruar që avancimi i shkencës të mos dëmtohet nga mungesa e cilësisë ose besueshmërisë.

Maqedoni: Sistemi inteligjent i kamerave sjell rezultate të jashtëzakonshme në trafik

Gjatë fazës testuese të zbatimit të sistemit “Safe City” është shënuar një rënie e ndjeshme e aksidenteve në trafik në Shkup. Sipas të dhënave zyrtare, numri i aksidenteve është ulur me rreth 20 për qind, ndërsa numri i personave të lënduar ka rënë me 37 për qind, krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se sistemi tashmë po jep rezultate konkrete, duke vënë në pah se në dhjetor të vitit 2024 nga aksidentet në trafik humbën jetën pesë persona, ndërsa në dhjetor të vitit 2025 nuk është regjistruar asnjë viktimë. Ai shtoi se edhe në nivel vjetor ka rënie të numrit të viktimave, nga 142 në vitin 2024 në 131 në vitin 2025, çka sipas tij dëshmon ndikimin pozitiv të këtij sistemi edhe në qytete të tjera dhe në autostrada ku janë instaluar pajisje të ngjashme, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, u bë thirrje që deputetët të marrin parasysh këto statistika dhe të mbështesin miratimin e ligjit për kundërvajtje, i cili është kusht për funksionalizimin e plotë të sistemit “Safe City”. Autoritetet shprehen optimiste se ligji do të votohet nga të gjithë deputetët, në mënyrë që sistemi të hyjë në fuqi të plotë nga 1 shkurti.

Aktualisht, sistemi është ende në fazë testimi dhe qytetarët e Shkupit po marrin mesazhe paralajmëruese për shkeljet e konstatuara nga kamerat inteligjente. Megjithatë, zbatimi i plotë vazhdon të varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore për kundërvajtjet në trafik dhe Kodin Penal.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi: Ambasada po monitoron situatën pas shpërthimit në Crans-Montana

Mbi 40 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në një bar në resortin e njohur të skijimit në Crans-Montana, Zvicër.

Duke pasur parasysh se një numër i madh i diasporës kosovare jeton dhe vepron në Zvicër, Klankosova kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Bernë për të konfirmuar nëse ka viktima apo të lënduar nga bashkëatdhetarët tanë.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, deklaroi se ambasada po monitoron situatën me kujdes dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zvicerane.

“Në orën 17 kemi biseduar herën e fundit me linjën emergjente të policisë federale në lidhje me tragjedinë në Crans-Montana. Deri më tash nuk është bërë identifikimi i nacionalitetit të viktimave. Janë duke punuar në këtë drejtim. Edhe kur të bëhet identifikimi, së pari do të informohen familjet përkatëse, pastaj do të procedohet me informimin e publikut”, tha ambasadori.

Ai shtoi se çdo informacion i ri do të publikohet në faqen zyrtare të Facebook-ut të Ambasadës së Kosovës në Bernë.

Prishtina, 22-ta në botë për ndotjen e ajrit një natë pas Vitit të Ri

Sipas të dhënave të IQ Air, një ditë pas ndërrimit të motmoteve, Prishtina renditet e 22-ta në botë për ndotjen e ajrit. Vlera e grimcave PM në ajër ishte 98, një nivel që nuk konsiderohet i rrezikshëm për qytetarët.

Nga rajoni, Shkupi është më keq, duke u renditur i 6-ti në listën e kryeqyteteve me ndotje më të lartë.

Paralajmërimi i shkencëtarëve: Viti 2026 mund të thyejë rekordet e ngrohjes globale

Parashikimet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se viti 2026 pritet të jetë një nga vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë në Tokë.

Vlerësimi, i publikuar nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar, bazohet në studime të kohëve të fundit që tregojnë një rritje të vazhdueshme të temperaturave mesatare globale, me vlera që mund të tejkalojnë rekordet e mëparshme. Ky trend nënvizon urgjencën për të kufizuar ngrohjen globale dhe për të zvogëluar ndikimet serioze të ndryshimeve klimatike.

Rritja e temperaturave lidhet direkt me aktivitetet njerëzore dhe emetimet e gazrave serrë, sipas Kombeve të Bashkuara (OKB):

“Gazrat kryesorë serrë që shkaktojnë ndryshimet klimatike janë dioksidi i karbonit dhe metani. Ato vijnë, për shembull, nga përdorimi i benzinës për makinat ose djegia e qymyrit për ngrohjen e ndërtesave.”

Parashikimet për vitin 2026 vendosin sfida të reja për shtetet në përmbushjen e angazhimeve të tyre ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, si Marrëveshja e Parisit, e cila synon të parandalojë rritjen e temperaturës mbi kufijtë kritikë.

Sipërfaqja e pyjeve të djegura në BE arrin nivel rekord

Gjatë vitit 2025, sipërfaqja e pyjeve që u dogj në vendet e Bashkimit Evropian arriti rreth 1.034.000 hektarë, duke shënuar humbjen më të madhe që është regjistruar ndonjëherë.

Ndërsa pjesë të ndryshme të botës përballen me temperatura ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike, zjarret në pyje, kryesisht të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, po shkaktojnë dëme të mëdha.

Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje tregojnë se gjatë vitit 2025 vendet e BE-së u përballën me një numër rekord zjarresh, ndërkohë që nxehtësia e jashtëzakonshme favorizoi përhapjen e tyre.

Me rritjen e frekuencës dhe intensitetit të zjarreve sezonale, viti 2025 u bë më katastrofiku në historinë e regjistrimeve të Bashkimit Evropian sa i përket sipërfaqes së djegur dhe numrit të zjarreve. Sipërfaqja totale e humbur nga flakët arriti në 1.033.966 hektarë, ekuivalente me rreth 10.340 km², më shumë se sa madhësia e ishullit të Qipros dhe afërsisht sa e Libanit.

Humbje rekord në një javë

Në vitin 2024, BE regjistroi 8.343 zjarre pyjore dhe një humbje prej 383.317 hektarësh. Ndërsa vitin e kaluar pati gjithashtu rekorde zjarresh, humbjet e vitit 2025 janë trefish më të mëdha. Veçanërisht, gjatë javës që përfshinte 12 gushtin, zjarret në Spanjë dhe Portugali dogjën 334.478 hektarë, një humbje e barabartë me atë të një viti të tërë në periudhat e mëparshme.

Spanja dhe Portugalia kryesojnë listën e dëmeve

Spanja ishte vendi me humbjet më të mëdha nga zjarret në vitin 2025, me 393.079 hektarë të djegur. Portugalia i ndoqi nga afër me 278.387 hektarë. Më pas vijnë Rumania (129.443 ha), Italia (84.348 ha), Greqia (47.819 ha), Franca (36.895 ha) dhe Bullgaria (32.752 ha). Kur shtohen të gjitha vendet e tjera, sipërfaqja totale e djegur në BE arrin 1.034.000 hektarë.

Sipërfaqja e djegur sipas vendeve në vitin 2025 (hektarë):

Austria: 431

Belgjika: 668

Bullgaria: 32.752

Kroacia: 3.380

Qiproja Greke: 13.527

Danimarka: 255

Finlanda: 407

Franca: 36.895

Gjermania: 5.475

Greqia: 47.819

Hungaria: 666

Irlanda: 4.355

Italia: 84.348

Letonia: 30

Holanda: 170

Polonia: 295

Portugalia: 278.387

Rumania: 129.443

Sllovakia: 362

Sllovenia: 143

Spanja: 393.079

Suedia: 1.079

Totali: 1.033.966 hektarë

Dëmtime të rënda nga zjarri në Crans-Montana: Viktimat kanë djegie që mbulojnë 60% të trupit

Disa nga të plagosurit në zjarrin e Crans-Montana kanë pësuar djegie të rënda që prekin rreth 60% të sipërfaqes trupore, njofton Dr. Wassim Raffoul, mjek i përgjithshëm në Spitalin e Morges dhe ish-drejtor i kirurgjisë plastike në Qendrën Romande të Djegieve.

Në një intervistë për programin radiofonik Forum, Dr. Raffoul shpjegon se këto janë dëmtime jashtëzakonisht serioze që kërkojnë kohë të gjatë trajtimi dhe mund të komplikohen nga faktorë të tjerë, si thithja e tymrave toksikë ose plagët e shkaktuara nga shtypja e trupit, transmeton albinfo.ch.

“Përveç flakëve dhe temperaturës, prezenca e tymrave shumë toksikë nga djegia e materialeve plastike e komplikon më tej trajtimin,” shpjegon ai. Një tjetër faktor që përkeqëson situatën është shtypja e trupit: “mund të ketë dëmtime, fraktura, gjakderdhje që shtohen mbi gjithçka tjetër.”

Aksidenti ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit, dhe të gjithë të plagosurit u morën në trajtim deri në orën 05:00, sipas autoriteteve. “Është e jashtëzakonshme që brenda disa orësh të gjithë këta pacientë u triaguan,” shtoi Dr. Raffoul.

Sipas mjekëve të Spitalit Universitar të Cyrihut, prioritet është ruajtja e funksioneve jetësore si frymëmarrja, qarkullimi dhe vetëdija e pacientëve. “Të plagosurit nga djegiet kanë nevojë të madhe për lëngje dhe u japin menjëherë intravenoze sapo është e mundur,” thotë Marcel Schlatter, zëdhënës i spitalit.

Plagët pastrohen dhe sterilizohen, sepse djegiet kanë rrezik të lartë infektimi. Aplikohet dezinfektant, pomadë dhe fashë speciale, ndërsa pacientët vendosen në dhoma izolimi.

Në Spitalin Universitar të Lausanne (CHUV) janë pranuar “rreth 13 të rritur dhe 8 të mitur me djegie që mbulojnë më shumë se 60% të trupit,” shpjegon Dr. Raffoul. Për krahasim, djegiet konsiderohen serioze kur mbulojnë 10-20% të sipërfaqes trupore, dhe trajtimi i tyre kërkon kohë të gjatë.

Pacientët zakonisht marrin transplant të lëkurës, ose nga lëkura e tyre, ose artificiale, dhe qëndrojnë në spital për javë ose muaj. “Ndërrimi i fashës kërkon anestezi të përgjithshme dhe një ekip të tërë mjekësor,” thotë Marcel Schlatter.

Zvicra ka qendra për kujdes intensiv të pacientëve me djegie të rënda në Cyrih dhe Lausanne, duke siguruar trajtim të specializuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.