Kosovë: Deputetët marrin paga pa punuar

Derisa po pritet vendimi i Kushtetueses, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të marrin paga pa punuar. Pavarësisht mosangazhimit të tyre, në fund të muajit mars buxhetit të Kosovës do t`i kushtojnë rreth 200 mijë euro. Shuma totale e pagave të deputetëve gjatë muajit shkurt ka arritur shifrën e 182.000 eurove, ndërsa janë shtuar zërat që kërkojnë rishikimin e ligjit që rregullon përfitimet e deputetëve, raporton RTK, transmeton albinfo.ch.

120 deputetët e legjislaturës së 10-të u betuan më 11 shkurt, në seancën konstituive, duke u zotuar në përmbushjen e detyrave me nder dhe përkushtim.

Ky akt solemn i hapi rrugën angazhimit të deputetëve për të quar përpara agjendën legjislative, që ishte në pauzë prej më shumë se një viti.

Shuma totale e pagave të deputetëve gjatë muajit shkurt ka arritur shifrën e 182.067,06 eurove. Ndërsa 26 zyrtarë të lartë personalë të deputetëve gjatë muajit shkurt u paguan 14.634,61 euro. Gjatë muajit mars deputetët do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 200 mijë euro, ani pse ata nuk janë angazhuar fare prej datës 9 të këtij muaji, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ndaloi çdo veprim të presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Pra, më 31 mars deputetët e Kuvendit, do të marrin pagën e plotë e shumë prej tyre edhe shtesën për shkak të viteve të përvojës. Buxheti i shtetit, gjithashtu, mbulon pagat e asistentëve personalë të deputetëve, të cilët konsiderohen staf mbështetës politik.

Monitoruesit e punës së Kuvendit e shohin këtë situatë të paprecedentë. Për ta, marrja e pagës së plotë pa asnjë angazhim ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe moralin e përfaqësuesve të qytetarëve.

Ngjarjet e njëpasnjëshme që kanë quar në bllokadë të punës së të zgjedhurve të popullit e dëmtojnë legjitimitetin e qytetarëve dhe besimin në institucione.

Instituti Kosovar për Drejtësi Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro. Vetëm vitin e kaluar, janë shpenzuar mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit për pagat e 120 deputetëve pa ndonjë rezultat konkret nga puna e tyre, pas ngërçit të stërzgjatur në Kuvend.

Alarm global: Lufta në Lindjen e Mesme mund të shkatërrojë ekonomitë nëse zgjat mbi 6 muaj

Patrick Pouyanne, drejtori ekzekutiv i gjigantit francez të naftës Patrick Pouyanne, tha të dielën se nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjat më shumë se gjashtë muaj, efektet mbi ekonomitë në mbarë botën do të jenë të ndjeshme.

“Skenari më i keq është që, nëse kjo situatë vazhdon përtej gjashtë muajsh, të gjitha ekonomitë globale do të përballen me pasoja reale,” theksoi Pouyanne.

Ai shpjegoi se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, si hakmarrje për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, ka kufizuar furnizimin botëror me naftë, duke ngritur shqetësime për inflacionin dhe rritjen më të ngadaltë ekonomike.

“Rreth 20% e naftës së prodhuar globalisht kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice,” tha ai. “Por tani, me këtë bllokim, rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë nuk mund të arrijnë tregun. Nuk mund ta kompensojmë këtë mungesë me burime të tjera.”

Megjithatë, Pouyanne shtoi se një konflikt që do të zgjasë vetëm disa muaj mund të menaxhohet falë rezervave të kompanive. “Nëse kriza zgjat tre ose katër muaj, mund ta përballojmë. Por një gjë mbi gjashtë muaj do të ishte një tronditje e madhe për ekonominë globale,” paralajmëroi ai.

Drejtori ekzekutiv shprehu shpresën se zgjidhja do të vijë sa më shpejt për të shmangur ndikime të mëdha ekonomike.

SHBA paralajmëron amerikanët në mbarë botën për rreziqe të mundshme

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e saj në mbarë botën, duke theksuar veçanërisht rreziqet në Lindjen e Mesme. Sipas njoftimit, amerikanët jashtë vendit duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt.

Paralajmërimi vë në dukje se mbylljet periodike të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimeve, ndërsa objektet diplomatike të SHBA-së, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar. Gjithashtu, grupet që mbështesin Iranin mund të targetojnë interesa të tjera amerikane jashtë vendit ose vende të lidhura me SHBA-të dhe qytetarë amerikanë në të gjithë botën, transmeton albinfo.ch.

Qytetarët amerikanë inkurajohen të regjistrohen në STEP (step.state.gov) për të marrë njoftimet më të fundit të sigurisë dhe të ndjekin kanalin “U.S. Department of State – Security Updates for U.S. Citizens” në WhatsApp ose @TravelGov në X. Kur planifikojnë udhëtimet, ata duhet të lexojnë me kujdes njoftimet e udhëtimit dhe informacionin e detajuar për destinacionin, si dhe çdo njoftim të fundit në travel.state.gov/destination.

Cilat janë standardet në Zvicër për importin e barnave?

Zyra Federale e Doganave dhe Swissmedic ndalojnë importin e barnave nga jashtë kur tejkalohen sasitë e lejuara për përdorim personal – zakonisht një furnizim një mujor. Ligji zviceran lejon importin vetëm “në sasi të vogla dhe për përdorim personal”, dhe çdo blerje që tejkalon këtë kufi konsiderohet e paligjshme.

Çmimet e barnave ndryshojnë mes farmacive për shkak të konkurrencës dhe vëllimit të porosive. Farmacitë zvicerane nuk mund të furnizohen nga Franca, përveçse kur një barnë mungon në vend dhe nuk ka alternativë të ngjashme në treg.

Procedura e ankimit lejon kundërshtimin e vendimit brenda 30 ditësh, por në rast gabimi, kostot e procedurës mund të arrijnë të paktën 400 franga.

Detaje të reja nga Majaci i Podujevës: Vrasje dhe plagosje, vajza ishte në lidhje me viktimën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në fshatin Majac të Podujevës, ku një person humbi jetën, ndërsa një grua tjetër u plagos.

Sipas informacioneve të para të publikuara në mediat e Kosovës, viktima dhe vajza që dyshohet për vrasjen kishin pasur marrëdhënie. Gjatë një konflikti në oborrin e shtëpisë, gruaja e axhës ndërhyri dhe u plagos nga e dyshuara, transmeton albinfo.ch.

E dyshuara për vrasje dhe gruaja e axhës, të plagosura rëndë, u dërguan fillimisht në Spitalin e Podujevës dhe më pas u transferuan për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas shefit të Emergjencës, Arben Beqiri, të dyja janë në gjendje tejet të rëndë shëndetësore.

Hetimet për rastin vazhdojnë dhe informacionet e mëtejshme do të bëhen të ditura pas ndriçimit të plotë të ngjarjes.

Ngjarje tragjike në Majac të Podujevës: Një burrë i vdekur, dy gra të plagosura

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Majac të Podujevës në Kosovë. Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, një burrë ka humbur jetën, ndërsa dy gra kanë mbetur të plagosura brenda një shtëpie.

Policia dyshon se një grua është e përfshirë në këtë rast. Ajo është izoluar dhe kërcënon të bëjë veprime që mund të rrezikojnë jetën e saj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, konfirmoi se një person ka ndërruar jetë. Në vendngjarje ka shkuar prokurorja Bukurie Gjonbalaj për të hetuar rastin.

Bebe Rexha zbulon ‘sekretin’ e mikpritjes shqiptare në emisionin që i bëri të gjithë të qeshin

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ishte e ftuar së fundmi në emisionin amerikan “Delish Snacks”, ku foli për ushqimet që i pëlqen, por edhe për traditat shqiptare të mikpritjes.

Ajo tregoi se shqiptarët njihen për mënyrën e tyre të veçantë të pritjes së mysafirëve. Sipas saj, zakonisht fillohet me çokollata të vogla, më pas shërbehen pije si lëngje apo pije të gazuara, dhe në fund vendosen në tavolinë ushqime të lehta si çipsa dhe kikirikë, duke krijuar një ambient të ngrohtë.

Pjesa më interesante e intervistës ishte kur ajo përmendi një “rregull të pashkruar” të mikpritjes shqiptare. Me humor, Rexha shpjegoi se kur në fund të vizitës shërbehen fruta, kjo shpesh nënkupton se ka ardhur momenti që mysafirët të largohen.

Kjo deklaratë shkaktoi të qeshura në studio dhe u prit shumë mirë nga publiku.

Rriten tarifat e biletave për linjën Kosovë – Austri

Udhëtarët që përdorin linjën e autobusit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë do të përballen me çmime më të larta të biletave.

Sipas njoftimeve nga kompanitë që operojnë në këtë linjë, ndryshimi i çmimeve është bërë për shkak të rritjes së kostove të operimit, sidomos si pasojë e shtrenjtimit të karburanteve dhe zhvillimeve të fundit ekonomike.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 23 marsi 2026 dhe do të zbatohen nga të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime në këtë itinerar ndërkombëtar.

 

Protesta e opozitës në Tiranë: Mbi 1400 forca policore të angazhuar

Mbi 1400 forca policore janë angazhuar sot për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita në orën 18:00.

Policia e Shtetit ka vendosur efektivë policie jo vetëm te Kryeministria, por edhe te Parlamenti dhe institucione të tjera teksa njoftohet se grupe me punonjës policie do të jenë të dislokuar edhe në disa zona të kryeqytetit, raporton a2cnn, transmeton albinfo.ch.

Drejtori i komanduar i Policisë, Sokol Bizhga ka zhvilluar mbledhje me vartësit e tij ku i ka dhënë porositë lidhur me protestën ku detyra kryesore është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe ruajtja e qetësisë duke iu shmangur provokimeve nëse do të ketë nga protestuesit.

Dhjetë specializantët nga Kosova arrijnë në Zvicër për trajnimet e organizuara nga LMShZ

Nën organizimin e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, ka arritur grupi i parë prej 10 specializantëve për të marrë pjesë në një trajnim në klinika të ndryshme në Zvicër.

Trajnimi do të zgjasë një javë.

“Në Aeroportin e Cyrihut, specializantët u pritën nga anëtarët e Kryesisë së LMSHZ-së: Dr. Mentor Bilali, kryetar, Prof. Dr. Alban Y. Neziri, Dr. Gazmend Haliti dhe Dr. Alban Zeqiri. Specializantët e përzgjedhur (nga 192 kandidatë), janë: Dr. Rrita Lila, Dr. Lirije Maqastena, Dr. Gentiana Zeneli, Dr. Erzana Maliqi, Dr. Erëza Makolli, Dr. Korab Lokaj, Dr. Dionis Bajrami, Dr. Arlind Zeqiri, Dr. Arb Rexhaj dhe Dr. Ali Krasniqi. Trajnimi është organizuar në klinikat vijuese:

1. Klinika Universitare e Kardiokirurgjisë në Cyrih Mentor: Prof. Dr. Omer Dzemali

2. Klinika e Kardiologjisë, Spitali Kantonal i Lucernit Mentor: Prof. Dr. Florim Cuculi

3. Klinika e Kirurgjisë Abdominale, Spitali Kantonal Aarau Mentor: Prof. Dr. Përparim Limani

4. Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, Spitali Kantonal i Schaffhausen-it Mentor: Dr. Kujtim Veseli

5. Klinika Universitare e Neurokirurgjisë në Gjenevë Mentor: Dr. Granit Molliqaj

6. Klinika e Urologjisë në Nyon Mentor: Dr. Durrësim Ramadani”, bëhet e ditur në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Papa Leoni: Lufta në Lindjen e Mesme, “skandal për njerëzimin”

Papa Leoni ka deklaruar se vdekjet dhe vuajtjet e shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme janë një “skandal për të gjithë njerëzimin”, teksa ka përsëritur thirrjen e tij për armëpushim të menjëhershëm.

Në fillim të javës së katërt të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, Papa i parë amerikan ka thënë se vazhdon të ndjekë me “shqetësim” situatën në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga lufta dhe dhuna, transmeton albinfo.ch.

“Nuk mund të heshtim përballë vuajtjeve të kaq shumë njerëzve, viktimave të pambrojtura të këtyre konflikteve. Ajo që i lëndon ata, lëndon të gjithë njerëzimin”, ka thënë Leo në lutjen e tij javore Angelus në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Unë e përsëris fuqimisht thirrjen time që ne të këmbëngulim në lutje, në mënyrë që armiqësitë të pushojnë dhe rruga të hapet më në fund për paqe”, ka shtuar ai.

Ngjarjet që karakterizuan Zvicrën këtë javë

Turistët e huaj do të duhet të paguajnë taksë tranziti për të kaluar me makinë nëpër Zvicër, dhe sondazhet e opinionit parashikojnë një rezultat të ngushtë në referendumin anti-imigracion më 14 qershor, janë ndër lajmet që morën më shumë vëmendje këtë javë.

Turistët e huaj do të duhet të paguajnë taksë tranziti për të kaluar me makinë nëpër Zvicër

Qëllimi i kësaj mase, e cila sapo kaloi në Parlament, është të zvogëlojë trafikun e pikut në rrjetin rrugor kombëtar me një tarifë tranziti të varur nga trafiku që shoferët e huaj do të duhet të paguajnë nëse thjesht kalojnë tranzit nëpër Zvicër pa qëndruar këtu.

Megjithatë, shumë fusha mbeten ende të pazgjidhura – për shembull, çfarë përbën “tranzit” dhe çfarë përbën një “qëndrim” do të duhet të përcaktohet qartë, së bashku me mënyrën se si do të funksionojë teknikisht regjistrimi i kalimeve kufitare dhe si do të përcaktohen dhe mblidhen shumat e taksës.

Sondazhet e opinionit parashikojnë një rezultat të ngushtë në referendumin anti-imigracion më 14 qershor

Sondazhi i fundit zbulon se një shumicë shumë e ngushtë votuesish – 47 përqind – janë aktualisht kundër iniciativës së krahut të djathtë që kërkon të kufizojë imigracionin nga Bashkimi Evropian.

Nga ana tjetër, 45 përqind e mbështesin këtë veprim.

Siç qëndron puna, 8 përqind e votuesve që ende nuk kanë vendosur për këtë çështje, në fund të fundit do të vendosin se në cilin drejtim do të shkojë referendumi.

Traktatet e BE-së nuk janë të dëmshme për Zvicrën, thotë eksperti

Edhe pse Partia Popullore Zvicerane (SVP) populiste po jep alarmin për pasojat potencialisht katastrofike që paketa e re e marrëveshjeve midis Bernës dhe Brukselit do të ketë për Zvicrën, ekspertët e mohojnë këtë pretendim.

Përkundrazi, Francesco Maiani, ekspert në Ligjin dhe Politikat e Migracionit të BE-së, i tha The Local se paralajmërimet e SVP-së janë shumë të ekzagjeruara dhe se Zvicra do të ruajë ende sovranitetin e saj, ndërsa përfiton nga traktatet dypalëshe, transmeton albinfo.ch.

Fletëpalosje raciste iu dha banorit të huaj në një tren zviceran

Një shtetas spanjoll që udhëtonte me tren në Zvicër iu dha një fletëpalosje me mesazhin “I huaj, hesht”.

Fletëpalosja përmbante logon e Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB), por kompania është distancuar menjëherë nga kjo fletëpalosje, duke dënuar “të gjitha format e racizmit dhe diskriminimit në termat më të forta të mundshme”.

“Ide të tilla nuk kanë vend në trenat e SBB”, tha zëdhënësi i kompanisë Moritz Weisskopf. “SBB qëndron për një Zvicër të hapur dhe gjithëpërfshirëse ku të gjithë pasagjerët – pavarësisht nga origjina e tyre – duhet të ndihen të sigurt dhe të mirëpritur”.

Përplasja e teleferikut në mal vret pasagjerin e vetëm

Një teleferik u rrëzua në tokë në vendpushimin zviceran të Engelberg, ndërsa erërat e forta përshkuan zonën.

Një banore vendase 61-vjeçare, banorja e vetme e kabinës, u vra kur teleferiku në të cilin ajo ndodhej u rrëzua disa herë pasi ra nga teli përpara se të ndalej papritur në fund të shpatit.

Zbritja minimale e sigurimit shëndetësor prej 300 frangash do të eliminohet, ndërsa një më e lartë do ta zëvendësojë atë.

Këshilli Federal ka ndërmarrë një hap drejt rritjes së zbritjes minimale të sigurimit shëndetësor të vendit me 100 franga – nga 300 në 400 franga.

Kjo masë synon të dekurajojë publikun nga kërkimi i trajtimeve mjekësore jo-urgjente – domethënë, të inkurajojë popullsinë të praktikojë më shumë përmbajtje në përdorimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, duke ulur kështu koston në rritje të sistemit shëndetësor.

Shqipëria ul akcizën për të ulur çmimet e naftës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar sot se çmimi i karburantit ka pësuar rritje si pasojë e krizës globale që ka ndikuar drejtpërdrejt zinxhirin e furnizimit të naftës teksa bëri të ditur se qeveria ka marrë masa konkrete për të mbrojtur konsumatorët dhe për të parandaluar abuzimet në treg.

“Është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se masat e përkohshme për uljen e çmimit të karburantit, si ulja e nivelit të akcizës me rreth 20%, për të lehtësuar barrën mbi përdoruesit e automjeteve teksa njoftoi se të ardhurat e shtetit nga rritja e çmimit, pas uljes së akcizës, do të përdoren kryesisht për mbështetjen e pensionistëve.

“Në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se niveli i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët”, theksoi Rama.

Ai njoftoi se qeveria po përgatit edhe projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik, dhe po planifikon ndërhyrje të reja në tregun e karburanteve për të garantuar ekuilibrin e çmimit dhe transparencën e lëvizjeve të naftës në vend.

Tutje ai shtoi se ndërhyrjet do të luftojnë fenomenin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, duke vendosur rregulla më të rrepta për tregun dhe duke mbrojtur qytetarët dhe përdoruesit e ligjshëm të karburantit.

“Është një proces i nisur përpara se të fillonte kjo krizë e re, që lidhet me humbjen e baraspeshës së botës në rang global, gjë e cila po provokon kriza pas krizash. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, ne po përgatitemi që të fusim në treg një faktor publik, një forcë të re, e cila do të ketë barrën, që së bashku me një sërë masash tjera të bëjë një ndërhyrje domethënëse në vendosjen, jo vetëm të një ekuilibri në aspektin të çmimit në tregun e naftës, por edhe të një niveli krejt të ri për sa i përket transparencës së atij tregu, për sa i përket lëvizjeve të naftës në Republikën e Shqipërisë dhe për sa i përket edhe një fenomeni ende të pashterur në këtë aspekt, që është evazioni dhe kontrabanda e naftës, duke përfituar edhe nga regjimi tranzit dhe duke bërë marifete të cilave u ka ardhur fundi”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se me fakte shumë shpejt do të tregojë që ndërhyrja ka qenë në të mirë të shoqërisë, shkruan ATSh.

“Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund”, theksoi Kryeministri.

Kantoni i Bernës është gati ta quajë feminicidin me emrin e saj të vërtetë

Këshilli ekzekutiv i kantonit të Bernës është i përgatitur të përmendë në mënyrë të qartë feminicidin në statistikat e tij të krimit. Megjithatë, nuk dëshiron të veprojë vetëm, duke preferuar të presë derisa të përcaktohet një përkufizim dhe kritere kombëtare për regjistrimin e këtyre akteve të dhunës.

Mocioni i paraqitur nga parlamentari i Partisë së Gjelbër Manuel C. Widmer i bën thirrje qeverisë të përfshijë feminicidet në statistikat vjetore të krimit për kantonin e Bernës, veçmas dhe si të tilla. Aktualisht, nuk ka asnjë institucion zyrtar që dokumenton sistematikisht këtë lloj krimi në Zvicër.

Autorët e mocionit theksojnë se feminicidi pasqyron dhunën e rrënjosur në strukturat patriarkale të pushtetit në shoqëri. Ata besojnë se dhuna e ushtruar ndaj grave shpesh konsiderohet si një çështje private. “Në Zvicër, termi ‘feminicid’ ende nuk është i ankoruar fort në diskursin politik”.

Në përgjigjen e saj të botuar së fundmi ndaj mocionit, qeveria mbështet në parim krijimin e një kategorie të veçantë në statistikat vjetore të krimit. Por thekson se do të ishte e papërshtatshme të kufizoheshin shifrat vetëm në kantonin e Bernës, transmeton albinfo.ch.

Këshilli ekzekutiv i Bernës e konsideron të nevojshme të bëjë një krahasim në nivel kombëtar dhe të bjerë dakord për një përkufizim të vetëm dhe faktorë uniformë për analizimin e të dhënave, shkruan swissinfo. Prandaj, ai i referohet postulatit “Studimi i fizibilitetit për mbajtjen e statistikave mbi feminicidet” të paraqitur nga parlamenti në Këshillin Federal.

Sipas pikëpamjes së qeverisë kantonale të Bernës, feminicidet mund të përfshihen në statistikat e krimit të secilit kanton në bazë të një përkufizimi dhe kriteresh uniforme.

Universitetet zvicerane paralajmërojnë se plani “10 milionë” mund të dëmtojë kërkimet

Nëse popullsia e Zvicrës arrin 9.5 milionë, Këshilli Federal do të detyrohet të frenojë ndjeshëm imigracionin; me 10 milionë, madje mund të detyrohet të ndërpresë marrëveshjet ndërkombëtare.

Kjo do të përbënte “një ndërhyrje radikale dhe do të dëmtonte rëndë jo vetëm ekonominë zvicerane, por edhe kërkimin”, tha për SonntagsBlick Luciana Vaccaro, presidente e Swissuniversities.

Paralajmërimi i saj bazohet në një opinion ligjor të porositur nga Swissuniversities. Sipas analizës, propozimi i paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), i cili do të shkojë në votim më 14 qershor, mund të shkaktojë të ashtuquajturën klauzolë gijotine, duke vënë në rrezik marrëveshjet dypalëshe të Zvicrës me Bashkimin Evropian.

“Nëse arrijmë pragun prej 10 milionësh dhe na kërkohet të ndërpresim marrëveshjet që lidhen me lëvizjen e lirë të personave, rrezikojmë përsëri të përjashtohemi nga Horizon Europe, Erasmus+, Digital Europe ose Euratom – disa nga programet kryesore kërkimore në botë. Kjo do të ishte shkatërruese”, tha Vaccaro, transmeton albinfo.ch.

Gjysma e profesorëve nga jashtë

Universitetet zvicerane renditen ndër më të mirat në nivel global, kryesisht sepse tërheqin studiues të nivelit të lartë dhe mbajnë partneritete të forta ndërkombëtare, shtoi ajo. “Rreth gjysma e profesorëve të universitetit në Zvicër vijnë nga jashtë dhe dy të tretat e projekteve kryesore kërkimore janë të ankoruara ndërkombëtarisht.”

Sipas Vaccaro-s, përfitimet e kërkimit shtrihen përtej akademisë. Rreth gjysma e themeluesve të startup-eve në Zvicër nuk kanë pasaportë zvicerane dhe një pjesë e konsiderueshme e patentave përfshijnë shtetas të huaj. “Ne përfitojmë jashtëzakonisht shumë nga ky talent”, tha ajo.

Lideri gjerman dhe ai francez i bëjnë thirrje Kurtit për përparim në dialogun me Serbinë

Përmes letrave të urimit pas rizgjedhjes së Albin Kurtit në krye të Qeverisë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz i kanë kërkuar atij angazhim në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ata i kanë shprehur mbështetjen e tyre në këtë proces.

Merz ka shkruar se para Qeverisë qëndrojnë detyra sfiduese, duke shprehur bindjen se ajo do t’i marrë vendimet e duhura për integrimin e nevojshëm euroatlantik të Kosovës, ku në to përfshihen edhe përparimet e mëtejshme në dialogun me Serbinë.

“Me rastin e rizgjedhjes suaj, ju përgëzoj përzemërsisht. Gëzohem që së bashku me ju të vazhdojmë të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore midis vendeve tona. Para jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese. Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës. Në këtë përfshihen edhe përparime të mëtejshme në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ju siguroj se Kosova, në këto detyra, ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm në krahun e saj”, thuhet në letër, transmeton albinfo.ch.

Në anën tjetër Macroni ka shkruar se Franca gjithashtu do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës dhe do t’i mbështesë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e ndërmarra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në letrën e tij.

Keqllogaritja që mund ta destabilizojë Ballkanin

Gara në armatim ekziston prej shekujsh, por pas Luftës së Dytë Botërore mori formë globale dhe sistematike, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Armët bërthamore, raketat balistike dhe avionët luftarakë transformuan mënyrën e konceptimit të fuqisë në vitet që pasuan.

Sot, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, lëvizjet e Serbisë dërgojnë paralajmërime serioze.

Ky vend – partner i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – bleu raketa balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore. Kështu, u bë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketat ajër-tokë CM-400AKG, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“E kemi bërë me sukses integrimin e raketave kineze në avionët rusë MiG-29 të gjeneratës së katërt. Këta janë sot ndër avionët më të mirë në Evropë – ndoshta edhe në botë. Raketat ajër-tokë nënkuptojnë goditjen e objektivave në tokë dhe kanë fuqi shkatërruese”, tha Vuçiq më 12 mars.

Reagimet ishin të shumta nga fqinjët që luftuan kundër Serbisë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

Kroacia – sot anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian – e konsideroi blerjen e raketave kineze si kërcënim për stabilitetin rajonal dhe shenjë të rritjes së garës së armatimit në Ballkan, ndërsa Kosova akuzoi Serbinë për tendenca hegjemoniste ndaj fqinjëve.

Këto dy vende, së bashku me Shqipërinë, nënshkruan në mars të vitit 2025 një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën Vuçiq e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Serbisë – “nuk ekziston asnjë arsye tjetër për bashkimin e tyre, vetëm Serbia”.

“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar”, tha Vuçiq teksa fliste për raketat kineze në Radio-Televizionin e Serbisë.

Ai nuk paraqiti asnjë provë për këto pretendime, të cilat Zagrebi, Prishtina dhe Tirana i hedhin vazhdimisht poshtë. Tha vetëm se forcat e armatosura serbe kanë në dispozicion edhe armë të tjera të sofistikuara, që nuk mund të bëhen publike.

Për njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, këto mesazhe dërgojnë sinjale frike dhe pasigurie në rajon, rrisin perceptimin e kërcënimit dhe shtyjnë vendet fqinje drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Kjo dinamikë, sipas tyre, mund të shndërrohet lehtësisht në një spirale të re armatimi, ku çdo veprim prodhon kundërveprim dhe tensionet vetëm se rriten.

Redion Qirjazi, ekspert i sigurisë në Shqipëri – vend anëtar i NATO-s, thotë se raketat kineze i japin Serbisë mundësi të reja për të projektuar fuqinë dhe ndryshojnë balancën e sigurisë në rajon; ato nuk janë thjesht mbrojtje – siç pretendon blerësi – por zgjasin kapacitetet ushtarake në distanca të largëta.

“Raketat kineze janë shumë precize. Një veçori shqetësuese e tyre është edhe shpejtësia e lartë – rreth Mach 4 deri Mach 5, ose deri në 6 mijë km/orë – që i fut në kategorinë e raketave të vështira për t’u interceptuar”, thotë Qirjazi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në Ballkan, Serbia mban tensione të hapura me Kosovën, ndaj së cilës ka pretendime territoriale, me Kroacinë dhe herë pas here me Malin e Zi. Marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të qeta, ndërsa lidhja me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet një rast i veçantë, që dallon nga pjesa tjetër e këtij shteti.

Blerjet e raketave kineze, sipas Kadri Kastratit, ekspert ushtarak nga Kosova, tregojnë qartë tendencën e Serbisë për t’u pozicionuar si aktori më i armatosur dhe më dominues në Ballkan dhe për ta mbajtur rajonin gjithmonë në teh të destabilizimit.

“Gjithë këtë armatim, Serbia është duke e blerë për të hyrë në garë, para së gjithash me Kroacinë. Pas furnizimit të Kroacisë me avionët Rafale nga Franca, Vuçiq bëri marrëveshje me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për blerjen e avionëve të tillë. Pra, është një garë mes tyre”, thotë Kastrati për Exposenë.

Edhe pse pretendon neutralitet ushtarak, Serbia është ushtria më e shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm në vitin 2024, shpenzoi 2.2 miliardë dollarë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe vendi i dytë në rajon për shpenzime ushtarake, sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen(SIPRI).

Serbia shpenzon dukshëm më shumë edhe se Kroacia, e cila gjithashtu është anëtare e NATO-s. Sipas SIPRI-t, dallimi në shpenzimet e mbrojtjes midis këtyre dy vendeve arrin në qindra miliona euro çdo vit.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia i ndryshoi burimet e saj të armatimit, duke iu drejtuar Kinës për dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3, por nuk ndaloi as blerjet nga Perëndimi, si Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Në deklaratat e tij, Vuçiq i kushton vëmendje të veçantë sidomos forcës ushtarake të Kroacisë. Në vitin 2024, kur Serbia bleu avionë luftarakë shumëfunksionalë, Rafale, nga Franca, ai ironizoi duke thënë se kur Kroacia bën të njëjtën gjë, është “lajm i mirë për rajonin”, ndërsa kur Serbia i blen, bëhet “tragjedi”.

“Ne nuk krijojmë probleme askund, as nuk i planifikojmë, as nuk i synojmë. Ky është një sinjal i madh i besimit mes Francës dhe Serbisë. Ne vetëm duam ta ruajmë vendin tonë”, tha Vuçiq.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia i ndryshoi burimet e saj të armatimit, duke iu drejtuar Kinës për dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3, por nuk ndaloi as blerjet nga Perëndimi, si Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Në deklaratat e tij, Vuçiq i kushton vëmendje të veçantë sidomos forcës ushtarake të Kroacisë. Në vitin 2024, kur Serbia bleu avionë luftarakë shumëfunksionalë, Rafale, nga Franca, ai ironizoi duke thënë se kur Kroacia bën të njëjtën gjë, është “lajm i mirë për rajonin”, ndërsa kur Serbia i blen, bëhet “tragjedi”.

“Ne nuk krijojmë probleme askund, as nuk i planifikojmë, as nuk i synojmë. Ky është një sinjal i madh i besimit mes Francës dhe Serbisë. Ne vetëm duam ta ruajmë vendin tonë”, tha Vuçiq.

Në përgjigje të blerjes së raketave kineze, Bashkimi Evropian – ku Serbia synon të anëtarësohet – tha se vendi duhet të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e integrimit. Ndërkohë, NATO-ja, partnere e Serbisë, nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si e sheh bashkëpunimin e vazhdueshëm të Beogradit me Pekinin.

Në muajin maj, aleanca perëndimore do të mbajë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Serbinë në poligonin Borovac, pranë kufirit me Kosovën.

Në një postim në rrjetet sociale, Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli tha se stërvitja do të zhvillohet me ftesë të Serbisë. Sipas saj, ajo forcon bashkëpunimin praktik dhe mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Për Qirjazin, kjo dëshmon se Serbia ndjek strategjinë e “lojës me disa porta”. Nga njëra anë i hap derën Kinës për të rritur ndikimin në rajon, dhe nga ana tjetër bashkëpunon me Perëndimin për të krijuar një lloj varësie të ndërsjellë.

“Kjo strategji ka qenë karakteristike edhe e ish-Jugosllavisë me Titon, pasi mbante partneritete dhe aleanca me shumë aktorë të ndryshëm strategjikë, në mënyrë që të krijonte një varësi të këtyre superfuqive ndaj këtij vendi”, thotë Qirjazi.

Sipas tij, kjo qasje i jep Serbisë më shumë hapësirë manovrimi dhe i vendos aktorët ndërkombëtarë në një pozitë më të ndërlikuar në rast të konfliktit të mundshëm. Gjokiq pajtohet, por vë në pah edhe një aspekt tjetër:

“Një nga arsyet pse shumë vende sigurojnë armë nga Kina është se ato janë më të lira. Rasti i Serbisë është pak më specifik në aspektin gjeografik, sepse ajo ndodhet në Evropë dhe prej saj ka pritje të tjera”.

“Unë, për shembull, merrem me Afrikën Perëndimore dhe e di se atje ka shumë vende që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me BE-në dhe, në të njëjtën kohë, sigurojnë armatim nga Kina, sepse është më i lirë”, thotë Gjokiq.

Vuçiq nuk zbuloi çmimin e raketave kineze CM-400AKG, të cilat mund të bartin deri në 200 kg material shpërthyes, por i përshkroi si “shumë të shtrenjta”.

Sipas raportit të fundit të SIPRI-t, blerjet e armëve në Evropë janë rritur ndjeshëm, duke e bërë kontinentin rajonin më të madh importues – me një rritje prej 210% midis periudhave 2016-2020 dhe 2021-2025.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë rritur dominimin në eksportet e armëve – me Kosovën një prej klientëve të shumtë të tyre.

Zyrtarët kosovarë të Mbrojtjes theksojnë se blerjet e armëve bëhen ekskluzivisht nga aleatët e NATO-s./REL

Presidenti amerikan i jep Teheranit 48 orë afat për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dhënë 48 orë afat Iranit që “të hapë plotësisht” Ngushticën e Hormuzit, ose në të kundërtën do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit, që do të ishte një përshkallëzim i madh në luftën që tashmë kërcënon të dalë jashtë kontrollit.

“Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSIHTISH, PA KËRCËNIM Ngushticën e Hormuzit brenda 48 ORËSH nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe do të shkatërrojnë plotësisht TERMONCENTRALET E TYRE, DUKE NISUR NGA MË I MADHI”, shkroi ai në Truth Social, transmeton albinfo.ch.

Trump nuk ka dhënë detaje se cilat termocentrale do të jenë në shënjestër të SHBA-së dhe ky paralajmërim vjen një ditë pasi Trump tha se po e shqyrtonte “uljen e intensitetit” të operacioneve ushtarake.

Në përgjigje të ultimatumit të Trumpit, komanda e ushtrisë së Iranit, sipas medias shtetërore iraniane, citohet të ketë thënë se nëse sulmohen karburantet dhe infrastruktura e energjisë, e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-së në rajon do të shënjestrohet.

Virusi dengue zbulohet për herë të parë në Bazel

Virusi tropikal dengue është zbuluar për herë të parë në Zvicër, në mushkonja të kapura në qytetin e Bazelit, një zhvillim që po ndiqet me vëmendje nga autoritetet shëndetësore.

Zbulimi është bërë në mostra të mbledhura gjatë vjeshtës së vitit 2024, duke shënuar herën e parë që ky virus identifikohet në mushkonja në veri të Alpeve, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët besojnë se virusi ka ardhur nga një udhëtar i infektuar dhe më pas është përhapur tek mushkonjat lokale, veçanërisht tek ajo e njohur si “mushkonja tigër aziatike”, e cila është përhapur në rajon vitet e fundit.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se nuk ka asnjë rast të transmetimit te njerëzit në Zvicër, dhe rreziku për popullatën mbetet shumë i ulët për momentin.

Sipas specialistëve, përhapja e virusit kërkon temperatura të larta dhe kushte specifike klimatike, çka e bën transmetimin lokal të vështirë në klimën aktuale të Zvicrës.

Megjithatë, ky zbulim konsiderohet një sinjal paralajmërues për ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe përhapjen e sëmundjeve tropikale në Evropë, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar monitorimin dhe masat për kontrollin e mushkonjave.

Ky rast shënon një zhvillim të ri për shëndetin publik në vend, duke treguar se edhe vendet me klimë më të freskët nuk janë më të izoluara nga viruset tropikale.

Tre shqiptarë humbën jetën në kantier ndërtimi në Vjenë – por kush është përgjegjës?

Çfarë ndodhi saktësisht në kantierin e ndërtimit në Porzellangasse pranë Bauernfeldplatz(Bezirk 9), ku gjashtë apartamente të reja po ndërtohen në çatinë e një pallati klasik vjenez, mbetet kryesisht e paqartë. Dëshmitarët kanë thënë se punëtorët pas punimeve të betonit, ishin ulur së bashku në skela duke pirë duhan në oborrin e ngushtë kur u rrënua skela: skela dhe kallëpet e betonit u rrënuan, pastaj u dëgjuan britma, të përcjellura me një përplasje të fuqishme nëpër skele dhe një e dëgjuar tjetër: bum. Pastaj pasoi heshtje. Heshtje vdekjeprurëse, shkruan në artikullin përmbledhës të ngjarjes, gazeta austriake oe24.at, përcjell albinfo.at.

Facebook – ALKIG – Albanische Kultusgemeinde

Siç është raportuar, shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 14:30. Vetëm pas një ore e gjysmë, shërbimi profesional i shpëtimit raportoi për një punëtor me lëndime të rënda në kokë dhe në shtyllën kurrizore. I lënduari është një shqiptar 45-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili u dërgua menjëherë në spital. Albinfo.at merr vesh se gjendja e të lënduarit është stabile. Gjatë orëve në vijim, përmasat e plota të tragjedisë u bënë të qarta: e gjithë konstrukti i betonit, së bashku me pesë personat mbi të, ishin shembur, duke rënë në një hapësirë të kufizuar nën rrënoja dhe betonin e lagësht që gradualisht u ngurtësua. Zjarrfikësit u përpoqën t’i tërhiqnin viktimat me dorë, duke kërkuar përfundimisht përdorimin e pajisjeve të specializuara. U vendosën dronë dhe shërbimi i ndihmës në rast fatkeqësish dërgoi ekipin e tij të vendndodhjes akustike dhe njësinë e qenve të kërkim-shpëtimit. Por, në fund pas gjitha përpjekjeve të tyre, shpëtimtarët u detyruan të pranonin se, të katër burrat që ishin raportuar të zhdukur ishin të vdekur.

Foro: KEYSTONE

Pesë fëmijë mbetën pa baballarët e tyre

Rasti tragjik në aksidentin e Vjenës ka prekur thellë komunitetin shqiptar ne Austri. Mediat sociale janë vërshuar me ngushëllime për familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ngushëllime kishte edhe nga krerët politike në Kosovë si dhe nga Ambasada e Kosovës në Austri, e cila kjo e fundit ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj këtij rasti. Me një minutë heshtje u nderuan viktimat edhe në mbledhjen e fundit nga qeveria e Kosovës, raporton albinfo.at.

Të tre viktimat nga Kosova kishin vite që jetonin në Vjenë. Te tre ishin te martuar dhe me fëmijë: Pajtim Bajrami(36)nga Klina e Ultë e Skenderajt la pas vetës gruan dhe dy vajza. Ish -veterani i UÇK-së, Asllan Musliu (49) nga Opoja e Prizrenit ka lëne pas gruan dhe një vajzë ndërkohë Istref Zekaj(46) nga fshati Mojstri i Istogut po ashtu ka lënë gruan dhe dy vajza. Edhe viktima i katërt, Elvis Babiq (32) boshnjak nga Novi Pazari ka qenë i martuar dhe me tre fëmijë.

Pas autopsisë, të gjithë viktimat janë dërguar në vendlindje dhe lamtumira e fundit iu është dhënë dje në varrezat e familjarëve të tyre.

FOTO: Keystone
APA/MAX SLOVENCIK

Kush është fajtori i kësaj tragjedie?

Pas gjithë kësaj tragjedie, tashme pyetja esenciale është: Kush është fajtor për katastrofën dhe tragjedinë pasuese, dhe për këtë arsye duhet të përgjigjet për to në gjykatë dhe para të pikëlluarve – të cilët ka të ngjarë të bashkohen në procedurat me kërkesa të justifikuara për kostot – është ende plotësisht e paqartë. Nga njëra anë, është kontraktuesi i projektit i cili me krenari kishte postuar në faqet e tyre në rrjetet sociale vendin e punishtes duke e cilësuar këtë projekt si mjaft të sukseshëm si për kompaninë ashtu edhe një hapësirë shtesë jetesë për banorët.

Në anën tjetër përgjegjëse për këtë tragjedi po fajësohet edhe kompania e cila ishte duke kryer punët në këtë punishte: A u derdh beton shumë dhe shpejt dhe me urdhër të kujt? Apo drejtuesi i vinçit, do te duhej të ishte me i kujdesshëm dhe nga lartë të shihte gjithë situatën, apo ishte thjeshtë një problem teknikë?

Deri me tash sipas gazetave austriake, vetëm kompania kontraktuese e këtij projekti ka lëshuar një deklaratë duke shprehur hidhërimin dhe ngushëllimet e saj të thella për familjet:

“Jemi thellësisht të trishtuar nga incidenti tragjik në një nga kantieret tona të ndërtimit. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për të prekurit dhe familjet e tyre… Nga respekti për viktimat dhe në dritën e hetimit në vazhdim, ju kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk mund të publikojmë detaje të mëtejshme në këtë kohë. Ju kërkojmë që ta trajtoni situatën me respekt…”, shkruhej në një artikulli nga gazeta heute.at.

Ajo që është bërë e ditur deri me tash është një raport fillestar i paraqitur në Zyrën e Prokurorit Publik dhe Inspektorati i Punës është gjithashtu i përfshirë. Më pas, ekspertët do të marrin përsipër dhe te dalin me një konkluzion; Përvoja e derutashme na ka mësuar se për te pasur një raport te detajuar do te duhen jave apo muaj pritje, kështu që kjo tragjedi e tmerrshme do të vazhdojë të na preokupojë edhe për një kohë të gjatë.

Duhet theksuar se shumë qytetar mbrëmë janë mbledhur te vendi i aksidentit ku përpos qe kane bërë homazhe dhe kane ndezur qirinj kane kërkuar nga autoritetet austriake hetim te plotë dhe te shpejte të këtij aksidenti.

Rritet numri i dyqaneve bosh në Gjenevë – alarm për ekonominë lokale

Numri i dyqaneve të zbrazëta në Gjenevë është rritur ndjeshëm, duke reflektuar vështirësitë në rritje të sektorit të shitjes me pakicë dhe ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve.

Sipas të dhënave të fundit, hapësirat e lira tregtare në qytet janë rritur me rreth 39% gjatë një viti, ndërsa aktualisht vlerësohet se rreth 250 dyqane janë të mbyllura ose bosh, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse nuk merren masa konkrete, pasi trendi nuk është i izoluar vetëm në Gjenevë, por po përhapet edhe në qytete të tjera si Lozana dhe Yverdon.

Arsyet kryesore të kësaj rënieje lidhen me rritjen e blerjeve online, fuqinë më të ulët blerëse të qytetarëve dhe kostot e larta të qirave për bizneset fizike.

Sipas raportimeve, niveli i hapësirave tregtare të zbrazëta ka arritur në pikën më të lartë që nga viti 1994, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e dyqaneve tradicionale në qytet. Ky zhvillim shihet si një sinjal paralajmërues për autoritetet lokale dhe bizneset, të cilat pritet të kërkojnë zgjidhje për të rigjallëruar qendrat urbane dhe për të përshtatur modelin e tregtisë me realitetin e ri ekonomik.

Zvicra investon miliarda në mbrojtjen ajrore

Zvicra po planifikon një investim të madh në forcimin e mbrojtjes ajrore, në një kohë kur kërcënimet globale dhe teknologjitë ushtarake po evoluojnë me ritme të shpejta.

Qeveria zvicerane ka propozuar një buxhet prej rreth 3.4 miliardë frangash, i cili do të përqendrohet kryesisht në modernizimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore dhe përballimin e kërcënimeve nga dronët.

Ky investim konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme të sigurisë në vitet e fundit për vendin.

Sipas autoriteteve, rritja e tensioneve ndërkombëtare dhe përdorimi në rritje i dronëve në konfliktet moderne kanë bërë të domosdoshëm përditësimin e kapaciteteve mbrojtëse, transmeton albinfo.ch.

Zvicra synon të forcojë aftësinë për të monitoruar hapësirën ajrore dhe për të reaguar në kohë reale ndaj çdo rreziku.

Programi përfshin përmirësimin e sistemeve ekzistuese të radarëve, blerjen e teknologjive të reja për neutralizimin e dronëve dhe integrimin e sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore. Gjithashtu, pritet të ketë investime në trajnimin e personelit dhe në bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë.

Megjithatë, ky plan ka hapur debate në vend, pasi kritikët argumentojnë se investimet e mëdha ushtarake mund të bien ndesh me traditën e neutralitetit të Zvicrës dhe mund të rrisin shpenzimet publike.

Autoritetet, nga ana tjetër, theksojnë se ky është një hap i domosdoshëm për garantimin e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Ky investim pritet të ketë ndikim afatgjatë në strategjinë e mbrojtjes së Zvicrës, duke e orientuar atë drejt teknologjive moderne dhe sfidave të reja të sigurisë globale.