Transplant i rrallë dhe teknologji e re mjekësore në Zvicër

Në Spitalin Universitar të Gjenevës, mjekët i shpëtuan jetën një fëmije 12-vjeçar falë një transplanti pionier të pjesshëm të zemrës, përcjell albinfo.ch.

Kirurgët zëvendësuan vetëm dy valvula të dëmtuara, duke ruajtur pjesën tjetër të zemrës së fëmijës. Ky operacion, i pari i këtij lloji në Evropë, tërhoqi vëmendje ndërkombëtare.

Ndërkohë, studiuesit në EPFL në Lozanë kanë krijuar një “pilulë inteligjente” që mund të riparojë inde të dëmtuara në traktin tretës.

Kapsula, e kontrollueshme nga distanca, vendos substanca terapeutike direkt në zonën e prekur – një hap drejt zëvendësimit të ndërhyrjeve kirurgjikale invazive.

https://www.20min.ch/fr/story/vaud-l-eplf-invente-une-pilule-imprimante-qui-soigne-de-l-interieur-103434470

Maqedonia e Veriut në heshtje zgjedhore

Në zgjedhjet e teta lokale që do të mbahen të dielën më 19 tetor 2025, të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 ndodhen në vend, ndërsa 112 mijë janë të regjistruar në listën e veçantë zgjedhore si persona që jetojnë jashtë shtetit, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, në procesin e votimit do të marrin pjesë 2.162 persona të burgosur ose në paraburgim, si dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.

Në diasporë nuk do të ketë votim, por qytetarët që jetojnë ose punojnë përkohësisht jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës nëse kthehen në Maqedoni gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në Qytetin e Shkupit janë regjistruar gjithsej 474.304 votues. Nga komunat, më shumë qytetarë me të drejtë vote ka në:
Kumanovë – 94.041, Tetovë – 87.878, Gostivar – 82.893, Manastir – 77.253, Aerodrom (Shkup) – 68.772, Strugë –62.711, Prilep – 62.053, ndërsa më pak votues janë regjistruar në:
Lozovë – 1.905, Vevçan – 2.092, Novac – 2.429, Konçe – 2.716, Rankovcë – 2.921

Në Maqedoni, nga mesnata (00:00) fillon heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo formë e fushatës zgjedhore. Qytetarët pritet të votojnë për përfaqësuesit e tyre lokalë në komuna dhe qytete. Heshtja zgjedhore zgjat deri në përfundim të procesit të votimit. Institucionet apelojnë për respektim të rregullave dhe një proces të qetë demokratik.


Nga ana tjetër, KSHZ ka bërë të gjitha përgatitjet për materialin zgjedhor, ndërkaq të shtunën – 18 tetor votojnë të pamundurit dhe të burgosurit.

Ministria e Punëve të Brendshme ka siguruar qytetarët se do të vëzhgojë situatën, madje ka paralajmëruar edhe përdorimin e dronëve.

“Në përputhje me vlerësimet e bëra dhe planet e përcaktuara në ditën e zgjedhjeve, nëpunësit policorë do të jenë të pranishëm pranë vendndodhjeve të vendvotimeve, si dhe në pikat kyçe të trafikut, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe zbulimin në kohë të shkeljeve të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Siguria e qytetarëve do të garantohet me mjete standarde materiale – teknike, ekipe mobile dhe punë në pika të caktuara, si dhe do të përdoret teknologji moderne – dronë për kontrollin ajror, me qëllim reagimin më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura në rast incidentesh”, kumtoi MPB-ja.

Kurse në zyrën e Avokatit të Popullit, më 19 tetor, prej orës 7:00 deri ora 19:00, do të funksionojë linja falas e telefonit: 0800-54321, ku qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo shkelje të së drejtës zgjedhore.

Krahas me telefon, qytetarët do të mund të paraqesin shkelje të së drejtës së tyre zgjedhore edhe personalisht në të gjitha zyret e Avokatit të popullit në: Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip, me qëllim që t’u ndihmohet në ralizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre zgjedhore. Po ashtu, qytetarët do të mund për mbrojtjen e të drejtave të tyre të paraqiten edhe në këto numra të telefonit: Tetovë: 044 344-082, Strumicë: 034 329-996, Kërçovë: 045 228-586: Manastir 047 242-310, Shtip: 032 389-701 dhe Kumanovë: 031 431-488.

Zvicër: Alpinisti i zhdukur prej ditësh, gjendet i vdekur

Mësohet se një alpinist 79-vjeçar është gjetur i vdekur të premten pasdite mbi Alp Soll, në masivin malor të Alpstein, pas një operacioni kërkimi në shkallë të gjerë, kanë bërë të ditur autoritetet zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Burri ishte raportuar i zhdukur në mëngjesin e së premtes pranë Policisë Kantonale të Appenzell Innerrhoden, pasi kishte dalë për një shëtitje që të mërkurën dhe nuk ishte kthyer më.

Trupi i pajetë u gjet nga ekipet e shpëtimit malor gjatë kërkimeve intensive në terren të vështirë. Gjetjet fillestare sugjerojnë se shkaku i vdekjes është një aksident, megjithëse autoritetet janë ende duke hetuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

Policia ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka falënderuar të gjitha njësitë e angazhuara në operacionin e kërkimit dhe shpëtimit. /Albinfo.ch

Kosova integrohet në institucionin e parë të BE-së, bëhet pjesë e EESC-së

Mësohet se Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë  institucioni i parë i BE-së i cili ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova pasi para më shumë se një viti kishte pranuar anëtarë nga të gjitha vendet kandidate, përcjell albinfo.ch.

Ky institucion këshillëdhënës në strukturat e Bashkimit Evropian do të ketë në përbërjen e tij edhe përfaqësues nga Kosova, të cilët do të përzgjidhen përmes procedurës që është në vazhdim e sipër. Në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, nga organizatat ekonomike, nga sindikatat dhe partnerët tjerë socialë dhe ekonomikë.

Tashmë EESC ka bërë publike shpalljen për kandidatë nga Kosova të cilët mund të paraqiten deri më datën 24 tetor. Kur të zgjedhën, ata do të marrin pjesë në punimet e këtij Komiteti  në mënyrë të barabartë, sikur të gjithë pjesëmarrësit nga vendet tjera kandidate dhe nga vendet anëtare, pos që nuk do të kenë të drejtë të votojnë. E drejta për të votuar mbetet e rezervuar vetëm për anëtarët nga shtetet anëtare të BE-së.

Kur në këtë Komitet në pranverën e vitit 2024 ishin pranuar të gjitha vendet kandidate por jo edhe Kosova, kryetari i këtij Komiteti Olive Ropke i kishte thënë Kohës se “Kosova nuk mund të përfshihet për arsye formale, sepse nuk e ka formalisht statusin e kandidatit”. Në fakt Kosova akoma mbetet i vetmi shtet evropian i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por nuk është shqyrtuar kërkesa e saj.


Përkundër kësaj, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka gjetur mënyrën për të tejkaluar pengesën formale dhe për ta përfshirë edhe Kosovën në këtë nismë.  

“Kosova nuk ishte përfshirë në fazën pilot të këtij projekti për shkak të statusit. Megjithatë, pas konsultimeve me Komisionin Evropian dhe pjesëmarrësit tjerë të rëndësishëm, u vendos që të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim. Thirrja për shprehjen e interesit nga kandidatët tash është e hapur deri me 24.10.2025 dhe kur procedura e përzgjedhjes të përmbyllet anëtarët kandidat të zgjerimit nga Kosova do të kenë të njëjtin status sikur edhe kandidatët nga vendet tjera të zgjerimit”, kanë thënë nga ky institucion në përgjigjen për Kohën.

Në këtë shpallje mund të paraqiten kandidatë nga organizatat e shoqërisë  civile, sindikatat dhe të gjithë partnerët ekonomikë dhe socialë.

Anëtaret e këtij komiteti që vinë nga vendet kandidate marrin pjesë aktive në punën e Komitetit ekonomik dhe Social Evropian në mënyrë të barabartë me kolegët nga vendet e BE-së por nuk do të kenë të drejtë të votës.

Në këtë Komitet në vitin 2024 ishin pranuar anëtarët nga 9 vende kandidate dhe jashtë kishte  mbetur Kosova, i vetmi vend i përfshirë në procesin e zgjerimit por që formalisht nuk ka status formal kandidati për anëtarësim në BE.

Ky Komitet vitin e kaluar kishte  pranuar anëtarë nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Të gjitha këto kanë formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Presidenti i këtij Komiteti Ropke, të cilit i ka skaduar mandati, kishte thënë se kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të vendeve kandidate edhe para se ato të bëhen vende formale anëtare të Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur pritjet e tij që kolegët nga vendet kandidate të sjellin përvojën e tyre të dobishme në punën e këtij institucioni.

Ikja nga shtëpia

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar strehim në vendet e Bashkimit Evropian gjatë pesë viteve të fundit. Kjo do të thotë më shumë se 12% e popullsisë së përgjithshme është larguar nga vendi, duke dëshmuar përmasat e një fenomeni që e kemi quajtur thjesht migrim.

Vetëm gjatë vitit 2024, 39 mijë kosovarë kanë aplikuar për leje qëndrimi në shtetet evropiane, gjysma e tyre në Gjermani, e cila prej kohësh ka qenë destinacioni më i preferuar i tyre. Në këtë vend sot jetojnë rreth 600 mijë kosovarë, një numër që e kthen diasporën kosovare në Gjermani në një nga më të mëdhatë e Evropës.

Nëse shtojmë faktin se 54% e popullsisë me origjinë nga Kosova jeton jashtë vendit (sipas MPJD), atëherë kuptojmë se Kosova është një shoqëri që përditë po e humb rininë dhe energjinë e saj më të madhe.

Ky realitet flet më shumë se çdo raport politik apo premtim elektoral. Ikja nga shtëpia nuk është një zgjedhje e lehtë, por një vendim i diktuar nga mungesa e mundësive. Të rinjtë largohen për një arsye të thjeshtë: sepse duan jetë dinjitoze, punë të ndershme, arsim cilësor dhe një të ardhme që nuk ua ofron vendi i tyre.

Çdo qytetar që largohet është një humbje e dyfishtë: një punëtor i kualifikuar më pak për tregun e brendshëm dhe një potencial i pakthyer për zhvillimin e Kosovës.

Politikat publike duhet të zhvendosen nga fjalët tek veprat konkrete: krijimi i vendeve të punës, forcimi i arsimit profesional, mbështetja e sipërmarrjes së të rinjve dhe garantimi i një shteti ligjor funksional. Pa këto hapa, Kosova do të vazhdojë ta shohë veten duke u zbrazur ditë pas dite.

Por ikja nuk është fundi i historisë sonë. Sepse diaspora, pavarësisht se u largua, nuk e harroi kurrë prej nga erdhi. Ata që ikën, u bënë ambasadorët më të mirë të Kosovës në botë: promovuan kulturën, ndihmuan familjet e tyre me remitanca, u bënë zëri i vendit në arenën ndërkombëtare dhe kontribuan në rindërtim e zhvillim.

Sot, ata vazhdojnë të jenë një forcë gjallëruese e ekonomisë dhe një urë lidhëse me botën.

Ikja dhe kthimi janë dy fytyrat e një realiteti të njëjtë. Njëra e dhimbshme, tjetra shpresëdhënëse. Dhe mes tyre qëndron sfida jonë më e madhe: të ndërtojmë një Kosovë ku kthimi të mos jetë vetëm për pushime, por për jetën e përditshme.

Në këtë numër të magazinës albinfo.ch fokusohemi tek ikja e trurit nga Kosova, një temë që prek të ardhmen e vendit dhe potencialin e tij njerëzor.

Lexim të këndshëm!

 

 

 

 

 

Një shtëpi e djegur plotësisht në St.Gallen

Bëhet e ditur se një shtëpi familjare në komunën Goldingen, në kantonin e St. Gallen, u përfshi nga flakët të premten në mbrëmje, duke u djegur plotësisht, ka njoftuar Policia Kantonale e St. Gallen, përcjell albinfo.ch.

Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht shtëpia kishte marrë flakë në tërësi dhe u shkatërrua plotësisht nga zjarri.

Referuar autoriteteve, dëmet materiale llogariten në disa qindra mijëra franga zvicerane, ndërkohë nuk ka raportime për persona të lënduar.

Shkaku i zjarrit është ende nën hetim, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe autoritetet përkatëse po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit.

https://www.blick.ch/schweiz/ostschweiz/st-gallen/kantonspolizei-st-gallen-das-wohnhaus-ist-vollstaendig-ausgebrannt-id21334292.html

Mbrëmje festive për 28 Nëntorin në Winterthur nga ansambli “Trojet”

Për nder të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Ansambli “TROJET” organizon një koncert festiv më 29 nëntor 2025, në Hotel Zentrum Töss, Winterthur, transmeton albinfo.ch.

Mbrëmja do të jetë një bashkim i artit, këngës dhe valles shqiptare, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë patriotike nën ngjyrat kuqe e zi.

Valltarët e Ansamblit “TROJET” do të prezantojnë programin më të pasur të vitit, me motive nga të gjitha trevat shqiptare. Në skenë do të ngjiten edhe kori i grave “LYRA” nga Cyrihu, si dhe këngëtarët e njohur Luljeta & Drita Fetahu, Arbnor & Rrezart Kuqi, Marisa Murtezi, Baca Shaq, Melisa Tafilajdhe Eliza Zeqiri.

Në kuadër të kësaj mbrëmjeje, do të hapet edhe ekspozita “Medalionët nuk heshtin” e artistes Valbona Gashi Shala, duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë kulturor.

Programi fillon në ora 18:30,  pasuar nga ekspozita në 18:45 dhe koncerti festiv në 19:30.

Pjesëmarrësit do të kenë gjithashtu mundësinë të shijojnë ushqime tradicionale shqiptare, që sjellin aromën e atdheut në zemër të Zvicrës.

Vlen të theksohet se hyrja është falas. /Albinfo.ch

Policia e Bernës identifikoi 90 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore

Policia e Kantonit të Bernës ka zbuluar një rast të gjerë të trafikimit të qenieve njerëzore, ku janë identifikuar 90 gra të prekura, në një rrjet të dyshuar që përfshinte rekrutim për qëllime shfrytëzimi seksual. përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, një grua 50-vjeçare me origjinë kineze, e cila posedonte një leje qëndrimi të vlefshme në Zvicër, është arrestuar në Bazel në korrik 2023 dhe pritet të dalë përpara gjykatës. Hetimet nisën në mars të po atij viti dhe aktualisht janë në fazën e përgatitjes së aktakuzës.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik, gruaja dyshohet se ka rekrutuar viktimat përmes platformave të komunikimit online në gjuhën kineze, duke u premtuar punë në Zvicër dhe më pas i ka shfrytëzuar për ofrimin e shërbimeve seksuale në shtëpi private, apartamente dhe hotele – kryesisht në kantonet Bernë dhe Basel-Stadt.

Autoritetet theksojnë se viktimat janë identifikuar dhe po marrin ndihmën e nevojshme. Hetimet përfshijnë bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, për të kuptuar shtrirjen e plotë të rrjetit të trafikimit dhe për të identifikuar të gjithë të përfshirët.

Rasti ka shkaktuar shqetësim të madh publik dhe institucional, duke rikthyer në vëmendje rrezikun dhe përhapjen e trafikimit të qenieve njerëzore edhe në vende me standarde të larta ligjore dhe sociale.

Thomas Rothacher mbështet prodhimin zviceran të dronëve

Zëvendës Shefi i Armatimeve në Zvicër, Thomas Rothacher, ka bërë thirrje për zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm kombëtar për prodhimin dhe eksportin e dronëve, duke theksuar nevojën për bashkëpunim mes ushtrisë, industrisë dhe institucioneve kërkimore, përcjell albinfo.ch.

Në një intervistë për gazetën “Neue Zürcher Zeitung”, Rothacher theksoi se teknologjia e dronëve është një kërcënim në rritje që ende nënvlerësohet nga publiku dhe politika. Ai tha se për t’i bërë ballë këtij realiteti të ri, Zvicra duhet të investojë në zhvillimin e dronëve vendorë, të cilët jo vetëm do të shërbejnë për mbrojtje kombëtare, por mund të eksportohen edhe jashtë vendit.

“Ideja është që kompanitë zvicerane të krijojnë dronë që mund të eksportohen. Zvicra ka potencial të jashtëzakonshëm falë universiteteve të saj të klasit botëror dhe një industrie inovative,” – tha Rothacher, i cili drejton gjithashtu Qendrën Teknologjike Armasuisse.

Ai theksoi se një qasje e tillë do të fuqizonte pavarësinë teknologjike të Zvicrës, do të përmirësonte mbrojtjen e saj dhe njëkohësisht do të hapte tregje të reja për industrinë e mbrojtjes dhe teknologjisë.

Zvicra, ndonëse një vend neutral, po e rishikon qasjen e saj ndaj sigurisë në një kontekst global të ndryshuar, ku teknologjitë si dronët kanë fituar rëndësi strategjike në operacionet ushtarake dhe civile. /Albinfo.ch

Zvicra ofron bursa për studentët kosovarë, sesion informues në Prishtinë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka njoftuar se do të organizojë një sesion informues për Programin e Bursave të Ekselencës së Qeverisë Zvicerane (ESKAS), të dedikuar për studentët dhe studiuesit nga Kosova të interesuar për studime në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Sesioni do të mbahet më 23 tetor 2025, në ora 11:00, në auditorin e Bibliotekës Kombëtare të Universitetit të Prishtinës.

Ky sesion synon të ofrojë informacione të detajuara për kriteret e pranimit, procesin e aplikimit dhe përfitimet që ofron kjo bursë prestigjioze. Të ftuar të marrin pjesë janë studentët pasuniversitarë, kandidatët për doktoraturë dhe studiuesit postdoktoralë që synojnë të zhvillojnë karrierën e tyre akademike në Zvicër.

Programi ESKAS, i financuar nga Konfederata Zvicerane, mbështet shkëmbimin akademik ndërkombëtar dhe u ofron bursistëve mbulimin e shpenzimeve të jetesës, sigurimin shëndetësor dhe rimbursimin e fluturimeve.

Afati për aplikim për vitin akademik 2026–2027 është deri më 28 nëntor 2025.

Për më shumë informacione rreth programit, kritereve dhe dokumentacionit të nevojshëm – https://www.sbfi.admin.ch/en/swiss-government-excellence-scholarships?fbclid=IwY2xjawNgIIxleHRuA2FlbQIxMQABHnGo_u0Aa3pprA25cE63uPB5F_vCBZVfMy2AhSCGRxAw10yQmM0SlskbfrlA_aem_PlZY4bD5RBsrlkrscFiyXA

Çifti Bujupi fiton 600 mijë euro në lotarinë britanike: Do ta ndihmoj nënën në Kosovë

Një çift shqiptar që jeton në Britani të Madhe ka fituar plot 600 mijë euro në lotari, duke u bërë kështu një nga fituesit e fundit të mëdhenj të këtij viti, transmeton albinfo.ch.

Valdet Bujupi, i cili prej vitesh jeton e punon në Britani, është shprehur se pjesën e parë të shumës do ta përdorë për të ndihmuar nënën e tij në Kosovë. “Ajo ka sakrifikuar shumë për ne. Tani është koha t’ia kthejmë diçka mbrapsht,” ka thënë ai për BBC.

Krahas ndihmës për familjen, çifti ka zbuluar edhe një tjetër ëndërr që tashmë do të realizohet: një udhëtim i gjatë në Nju-Jork, i cili, siç thonë ata, është planifikuar prej vitesh por është shtyrë për arsye financiare.

Fitorja e çiftit Bujupi është pritur me shumë interes në mediat britanike, si një histori suksesi e një familjeje emigrantësh që e kanë ndërtuar jetën me punë, përkushtim dhe fat./Albinfo.ch

Orkestra Simfonike e TKOBAP-së mahnit në Festivalin “Respighi Bologna 2025”

Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka shënuar një sukses të veçantë me debutimin e saj në Festivalin prestigjioz “Respighi Bologna 2025”, transmeton albinfo.ch.

Në skenën e Teatro Auditorium Manzoni, mbi 70 muzikantë shqiptarë interpretuan nën drejtimin e maestro Sergio Alapont, me violinistin virtuoz Giuseppe Gibboni si solist.

Programi përfshiu vepra nga Rimsky-Korsakov, Paganini, Respighi dhe Stravinsky, duke sjellë një performancë që u shpërblye me duartrokitje të gjata nga publiku italian.

Ky debutim shënon një arritje të rëndësishme për ansamblin shqiptar në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike.

Gjeneva sekuestron dhe shkatërron skuterët elektrikë

Masat e marra nga Gjeneva kundër përdorimit të pakujdesshëm të skuterëve elektrikë kanë çuar në qindra shkelje dhe dhjetëra konfiskime, transmeton albinfo.ch.

Midis fundit të majit dhe fillimit të tetorit, policia kreu më shumë se njëqind kontrolle në zona të ngarkuara si Jardin Anglais dhe Parc des Bastions.

Në total u kontrolluan 190 skuterët elektrikë.

Disa prej tyre shënuan shpejtësi mbi 30 kilometra në orë, shumë mbi limitin prej 20 kilometrash.

Ato automjete u sekuestruan dhe u shkatërruan, dhe pronarët e tyre u gjobitën me disa qindra franga.

Qyteti thotë se zbatimi i ligjit do të vazhdojë për të siguruar rrugë më të sigurta për këmbësorët.

Gjeneva dyfishon përpjekjet për t’i dhënë fund aksesit të nxënësve në shkolla ndërkufitare

Komiteti i Arsimit i Këshillit të Madh të Gjenevës ka dyfishuar vendimin e tij për t’i dhënë fund arsimit shkollor për ato familje që jetojnë jashtë kantonit, transmeton albinfo.ch.

Kjo po prek kryesisht familjet që jetojnë në Francën fqinje – në shumë raste brenda 5 kilometrave nga kufiri.

Qeveria kantonale ka vendosur që, duke filluar nga viti i ardhshëm, asnjë fëmijë që jeton jashtë kantonit nuk do të pranohet në shkolla me një zbatim gradual gjatë tre viteve të ardhshme.

Partia Socialiste paraqiti një mocion që të gjithë nxënësit në sistemin shkollor duhet të jenë në gjendje të përfundojnë studimet e tyre – kjo do të thotë se heqja graduale mund të zgjasë deri në 15 vitet e ardhshme.

Por kjo është refuzuar nga Komiteti i Arsimit.

Cyrih: Shoferët e Uber-it në grevë

Rezervimi i një Uber në Cyrih mund të jetë i vështirë të hënën. Rreth një mijë shoferë planifikojnë të bëjnë grevë, për të protestuar kushtet e tyre të punës dhe të pagave.

Shoferët denoncojnë rënien e tarifave, rritjen e kostove dhe konkurrencën në rritje, veçanërisht që kur platforma rivale Bolt hyri në tregun e Cyrihut me çmime më të lira.

Uber u përgjigj duke ulur tarifat e veta, duke ulur edhe më tej të ardhurat e shoferëve. Sindikatat thonë se lufta e çmimeve po zhvillohet në kurriz të shoferëve. Uber ende nuk ka komentuar, transmeton albinfo.ch.

Lozanë: Menaxherët e autobusëve duhet të jenë në gjendje të drejtojnë autobusë

Nëse doni të jeni menaxher në një kompani, atëherë duhet të dini si ta bëni punën që duhet të menaxhoni.

Kjo është teoria që po zbatohet në Transportin Publik të Lozanës, transmeton albinfo.ch.

Ata që menaxhojnë shoferët e autobusëve dhe trolejbusëve, duhet të dinë si t’i drejtojnë automjetet.

Menaxherët do të duhet të japin provimet për t’u bërë shoferë të kualifikuar, dhe nëse dështojnë, do të humbasin vendet e tyre të punës.

Reforma, e frymëzuar nga masa të ngjashme në TPG të Gjenevës, synon t’i sjellë menaxherët më afër shoferëve.

Sindikatat shqetësohen se disa nga menaxherët më të vjetër mund të dështojnë për arsye shëndetësore, të tilla si presioni i lartë i gjakut ose shikimi i dobët.

Forcohet pasaporta e Kosovës: nga vendi i 108-të në atë të 65-të

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar në një postim të tij në rrjetet sociale se pasaporta e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley.

Sipas tij, Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të që ishte në vitin 2021, në vendin e 65-të. Edhe në krahasim me vitin e kaluar, Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa ka qenë në vendin e 68-të.

“Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se me pasaportën e Republikës së Kosovës, e cila po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht, qytetarët po përfaqësohen dinjitetshëm, po udhëtojnë në më shumë vende pa viza dhe po e fuqizojnë republikën.

Zvicër: Varianti i ri i Covid në rritje

Shumë prej nesh po e kalojnë vjeshtën me dhimbje fyti, kollë dhe lodhje në rritje.

Vendi po lufton me një përzierje infeksionesh nga gripi dhe koronavirusi që po i kushtojnë ekonomisë miliarda në ditë pushimi nga sëmundje, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se një variant i Covid është aktualisht dominues: XFG, ose më mirë i njohur si varianti “Frankenstein” ose “Stratus”.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetësisë, ai tani përbën mbi 80 përqind të ngarkesës virale të zbuluar në ujërat e zeza.

Varianti është një rikombinim i disa llojeve të Omicron, mund të shkaktojë dhimbje fyti veçanërisht të rënda, megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ka shenja se çon në sëmundje më serioze.

Autoritetet po paralajmërojnë se aktiviteti i Covid vazhdon të rritet – dhe vala ende nuk ka arritur kulmin e saj.

KQZ nis numërimin e votave nga jashtë Kosovës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar nga KQZ, është mbi 29,600.

“Nga këto 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Nga të dhënat që kemi nga shërbimi votues, numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Valmir Elezi.

Elezi ka treguar edhe progresin në Qendrat Komunale të Numërimit në komuna të ndryshme të Kosovës.

Sipas KQZ-së, deri të premten në orën 16:00 aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 30 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan, Raillug, Partesh (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte), Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut dhe Podujevë (e premte).

“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e premte, janë verifikuar rezultatet për 2,303 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,308 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,308, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,611”, tha Elezi.

 

Studimi në Lozanë: Hani në intervale të rregullta për të qëndruar të shëndetshëm

Të ngrënit shëndetshëm funksionon vetëm nëse e bëni rregullisht.

Një studim i ri nga EPFL në Lozanë, i botuar në Nature Communications, konfirmon se nuk është vetëm ngrënia e frutave dhe perimeve që ka rëndësi, por edhe ngrënia e tyre në mënyrë të vazhdueshme.

Studiuesit zbuluan se konsumi i parregullt anulon shumë nga përfitimet për shëndetin e zorrëve, transmeton albinfo.ch.

Duke përdorur mostra të jashtëqitjes, ata ishin në gjendje të parashikonin dietën dhe bakteret e zorrëve të një personi me saktësi deri në 85 përqind.

Gjetjet mund të ndihmojnë në parandalimin e çrregullimeve të tretjes.

Shkencëtarët e EPFL tani planifikojnë të studiojnë se si aditivët ushqimorë ndikojnë në mikrobiotën e zorrëve.

‘Kriminelët nuk rrezikojnë shumë në Zvicër’: Deputeti alarmon për rritjen e krimit

Në krahasimet ndërkombëtare, Zvicra është renditur gjithmonë si një nga vendet më të sigurta në botë. Por një deputet ka dhënë alarmin për rritjen e veprave penale duke thënë se “kriminelët nuk rrezikojnë shumë në Zvicër”.

Një Indeks Global i Paqes i kohëve të fundit e rendit Zvicrën në vendin e 5-të në botë për sa i përket sigurisë së saj ose, siç e thotë ai, “mungesës së dhunës ose frikës nga dhuna”.

Ky është një rezultat shumë i mirë, duke marrë parasysh se 163 vende u përfshinë në renditje.

Studime dhe anketa të tjera ndërkombëtare kanë gjetur gjithashtu Zvicrën të jetë ndër vendet më të sigurta në tokë.

Për shembull, Zvicra renditet ndër 10 vendet më të sigurta në botë, sipas këtij indeksi.

Megjithatë, një anëtar i parlamentit dhe një ekspert i sigurisë po kundërshton reputacionin e gjatë të Zvicrës si një vend i sigurt.

Shkallë më e lartë krimi

Në një intervistë të kohëve të fundit që dha për median zvicerane, Jacqueline de Quattro, e cila është deputete nga Partia Liberale-Radikale (PLR) dhe ish-drejtoreshë e sigurisë në Vaud, ka dhënë alarmin për atë që ajo e konsideron si një shkallë krimi në rritje në Zvicër, si dhe një tendencë të përgjithshme drejt më pak sigurie.

“Ne menduam se ishim të sigurt sepse jemi një vend i vogël me një popullsi paqësore,” tha ajo. “Por dy faktorë na kanë destabilizuar: situata gjeopolitike – Zvicra është në qendër të Evropës dhe për këtë arsye është e prekur nga krizat e afërta – si dhe rritja e krimit në territorin tonë.”

Shifrat më të fundit (2024) nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) tregojnë se krimi ishte në rritje në Zvicër.

Atë vit, “policia regjistroi një total prej 563,633 veprash penale sipas Kodit Penal Zviceran (SCC)”, raportoi FSO.

“Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 8 përqind krahasuar me vitin e kaluar,” tha ajo. “Të ndara sipas llojit të krimit, shifrat tregojnë një vazhdimësi të trendit të fortë në rritje të krimit dixhital të parë në vitet e fundit. Kishte gjithashtu 8 përqind më shumë vepra penale kundër pronës sesa në vitin 2023. Dhe veprat penale të rënda të dhunshme u rritën për të tretin vit radhazi (+19%).”

Të dhëna të tjera tregojnë se policia regjistroi 41,429 vjedhje me thyerje në vitin 2023 – 15.9 përqind më shumë se një vit më parë.

Dhe ndërsa 98 vjedhje me thyerje u raportuan në ditë (mesatarisht) në vitin 2022, ky numër u rrit në 114 në vitin 2023.

Numri i vjedhjeve të tjera ishte rritur gjithashtu.

Numri i automjeteve të vjedhura (54,5179), për shembull, ishte 17.5 përqind më i lartë se në vitin 2022.

Dhe vjedhja e sendeve me vlerë nga automjetet ka shpërthyer gjithashtu: 18,192 raportime (një rritje prej 71 përqind) – shifra më e lartë deri më sot.

Nuk ka mjaftueshëm hetues

Për të kundërshtuar këtë trend në rritje, de Quattro ka paraqitur një mocion në parlament, i cili ka një mbështetje të gjerë midis deputetëve të tjerë, duke i bërë thirrje Këshillit Federal që të rrisë gradualisht numrin e oficerëve të policisë federale (Fedpol), shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Ky veprim është i domosdoshëm, tha ajo, sepse “ne kemi nevojë për më shumë hetues për të luftuar krimin e rëndë, duke përfshirë terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, krimin kibernetik, krimin ekonomik, ekstremizmin e dhunshëm dhe trafikimin e drogës në shkallë të gjerë”.

Siç është tani, “për shkak të mungesës së inspektorëve, prokurorët nuk janë në gjendje të përfundojnë hetime të caktuara”, duke i shtyrë ose braktisur ato krejtësisht, tha ajo.

Si rezultat i kësaj situate, “jo vetëm që këta kriminelë mbeten të pandëshkuar dhe krimet e tyre vazhdojnë, por praktikisht është një nxitje për ta që të fillojnë përsëri”, tha de Quattro. “Mesazhi që po u dërgojmë atyre është: krimi paguan”.

Ajo tha se “Kriminelët nuk rrezikojnë shumë në Zvicër. Ky pandëshkueshmëri u shkon në dorë mafieve italiane, turke, baltike, kineze, ruse dhe franceze që lulëzojnë në tokën tonë dhe ndajnë aktivitetet kriminale”.

Përfundimi i saj: “Duhet të reagojmë para se të jetë tepër vonë. Shikoni vendet përreth nesh: ato ishin shumë të kujdesshme dhe përfunduan të mbingarkuara plotësisht. Nuk dua që krimi i organizuar të jetë në gjendje të lajë hesapet e veta në rrugët tona me të shtëna në mes të ditës, siç është rasti atje.”

UBS emëron kreun e parë të inteligjencës artificiale

Banka më e madhe e Zvicrës, UBS, ka emëruar Daniele Magazzeni si drejtues të inteligjencës artificiale (IA).

Ai do të marrë pozicionin e ri më 1 janar 2026, me seli në Londër.

Më parë në JP Morgan si drejtues i analizave për rajonin e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës (EMEA), Magazzeni ishte profesor i asociuar i IA-së në King’s College, sipas një deklarate, transmeton albinfo.ch.

Ai do të jetë përgjegjës për çuarjen përpara të strategjisë së bankës për IA-në, nxitjen e inovacionit dhe miratimin e teknologjive të reja.

Magazzeni do t’i raportojë Mike Dargan, drejtorit të operacioneve dhe teknologjisë së grupit, i cili e citon IA-në si një “prioritet kryesor për UBS”.