Greqia rrit sërish pagën minimale, nga 1 prilli shkon në 920 euro

Greqia ka vendosur të rrisë sërish pagën minimale mujore bruto, e cila nga 1 prilli do të arrijë në 920 euro, nga 880 euro sa është aktualisht.

Rritja prej rreth 4.5% është e gjashta në katër vitet e fundit dhe synon të përmirësojë standardin e jetesës për qytetarët, të goditur nga kriza e gjatë ekonomike dhe rritja e çmimeve të energjisë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka ndërmarrë një sërë masash, përfshirë uljen e taksave dhe kontributeve sociale, si dhe rritje të vazhdueshme të pagës minimale që nga viti 2022.

Sipas autoriteteve, kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt te qindra mijëra punëtorë dhe të reflektohet edhe në përfitime të tjera si ndihmat sociale dhe pagesat e ndryshme të lidhura me pagën minimale.

Megjithatë, pavarësisht rritjes, fuqia blerëse në vend mbetet nën mesataren evropiane dhe vazhdon të ndikohet nga inflacioni dhe kostot e larta të jetesës.

Qeveria synon që paga minimale të arrijë në rreth 950 euro deri në vitin 2027.

Foda dhe Muriqi shprehen të gatshëm për finalen me Turqinë

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda dhe kapiteni Vedat Muriqi, të hënën në një konferencë për media, kanë folur para ndeshjes me Turqinë.

Kosova dhe Turqia do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në finalen e madhe të play-off-it për Kupën e Botës 2026.

Foda e pranon se Turqia është ekip i fortë në aspektin individual, por sipas tij, gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind. “Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”, ka thënë Foda.

Ai e lë të hapur mundësinë që nesër të startojë nga fillimi i lojës Edon Zhegrova. “Kam besim të madh tek të gjithë lojtarët, po ashtu edhe te Edon Zhegrova. Secila lojë ka rëndësinë e vetës dhe duhet të vendosi se kë të inkuadrojë. Te Sllovakia kanë luajtur me topa të gjatë, andaj na është nevojitur një lojtar me trup-gjatë. Ndoshta nesër Edoni do të luajë nga fillimi”, ka theksuar Foda.

Ndërkaq, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, ka thënë se është krenar që mban shiritin e kapitenit në këtë ndeshje të rëndësishme për Kosovën. “Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses”, ka thënë Muriqi.

Ai është i vetëdijshëm për kualitetin që posedon Turqia, por Muriqi mendon se Kosova duhet të zhvillojë lojë ekipore për të ardhur deri tek fitorja. “Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më të mirë se Turqia”, ka thënë Muriqi.

“Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi t’u fol për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola”.

“Pas pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj nëse në fitore e pastaj të festojmë në shesh”, ka pohuar Muriqi.

Hekurudhat kombëtare zvicerane dhe franceze po forcojnë lidhjet midis dy vendeve

SBB dhe SNCF Voyageurs kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të zhvilluar më tej – përmes TGV Lyria – tregun hekurudhor midis Francës dhe Zvicrës,

Për të përmbushur kërkesën në rritje për udhëtime ndërkombëtare, të dy kompanitë kombëtare hekurudhore “do të eksplorojnë më tej mundësitë për zhvillimin e lidhjeve evropiane nga Zvicra”, tha SBB në një njoftim për shtyp, transmeton albinfo.ch.

“Zgjerimet dhe krijimi i shërbimeve të reja hekurudhore direkte në distanca të gjata nga Zvicra në Francë dhe më gjerë do të shqyrtohen”, shtoi ajo.

Milionerët vazhdojnë të vijnë në Zvicër

Vendi është ende ndër destinacionet më tërheqëse në botë për të huajt super të pasur.

Në vitin 2025, afërsisht 3,000 multimilionerë u vendosën në vend, sipas të dhënave nga firma konsulente Henley & Partners, transmeton albinfo.ch.

Kjo korrespondon me një mesatare prej 250 në muaj.

Mbërritja e fundit e tillë, miliarderi italian Lapo Elkann, tha se arsyeja për këtë fluks të vazhdueshëm të pasurisë është se “Po jetojmë në kohë të ndërlikuara, të shënuara nga pasiguria. Zvicra mishëron sigurinë, cilësinë e jetës dhe ndodhet në zemër të Evropës.”

Zvicër: E djathta ekstreme dëshiron të ndalojë shamitë në shkolla

Një mocion parlamentar i paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) bën thirrje për ndalimin e hixhabit – një shami që mbahet nga shumë gra dhe vajza myslimane – në shkollat ​​publike, me sanksione për mosrespektim që variojnë nga gjobat deri te mohimi i lejeve të qëndrimit për prindërit emigrantë.

Debati po fiton vrull në Zvicrën gjermanishtfolëse dhe po merr njëfarë mbështetjeje nga Liberal-Radikalët (FDP) dhe Partia e Qendrës gjithashtu, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, Këshilli Federal e hedh poshtë ndalimin, duke argumentuar se një veprim i tillë do të ishte përçarës shoqëror dhe do ta bënte më të vështirë integrimin e të huajve.

Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës

Në zgjedhjet e mbajtura dje, qytetarët e Kantonit të Bernës kanë zgjedhur Parlamentin kantonal me 160 anëtarë. Ata u zgjodhën në nëntë zona zgjedhore.

Njëra nga fytyrat e reja, të zgjedhura dje në këtë parlament është edhe e reja me rrënjë nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Shasime Osmani, ng Partia Socialdemokrate. Pasi t`i kesh hedhur një sy listës prej 160 parlamentarëve të zgjedhur sheh se ajo është e vetmja shqiptare dhe njëra ndër fare pak të tjerë, me prejardhje të huaj që kanë arritur të zgjidhen.

Dy partitë kryesore, Partia Popullore Zvicerane (SVP) dhe Partia Socialdemokrate (SP) kanë rritur numrin e parlamentarëve të tyre, ndërsa partitë e qendrës humbën terren.

Gjyshi i Shasime Osmanit kishte ardhur në Zvicër në vitin 1979 nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut si “gastarbajter”. Ai, bën pjesë në mesin e shumë të tjerëve që qëndruan këtu dhe ndërtuan një jetë për veten dhe familjet e tyre. Babai i Shasimes pastaj ju bashkua atij në vitin 1993. Ndërsa vetë Shasimja ishte vetëm 1 vjeçe  kur me nënën e saj, ju bashkuan babait, në vitin 1999.

Shasimja ka përfunduar kualifikimin për biznes dhe gjithashtu ka marrë një diplomë profesionale. Më tutje ajo ka përfunduar diplomën e shkollës për të rritur sepse donte të studionte në universitet.

“Unë dua të jem zëri i atyre që mund të mos dëgjohen gjithmonë dhe kanë frikë se mos i nxjerrin jashtë sapo të flasin”, kishte thënë Osmani në fushatën për zgjedhje. Tani ajo ka arritur të bëhet zëri i tyre ose i gjithsej 9641 qytetarëve të Kantonit të Bernës që i kanë dhënë votën.

Linjat ajrore zvicerane rrisin çmimet e biletave përpara sezonit të pikut të udhëtimit veror

Lufta në Lindjen e Mesme po rrit çmimet e karburantit, duke prekur jo vetëm shoferët që duhet të paguajnë më shumë në pompë, por edhe industrinë e aviacionit.

Meqenëse vajguri tani është më i shtrenjtë, SWISS dhe Edelweiss, si shumë linja ajrore të tjera, ia kalojnë këto kosto më të larta konsumatorëve, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Të dyja kompanitë konfirmuan se kanë rritur mbishpagesat në biletat e avionit si rezultat i rritjes së çmimeve të karburantit të avionëve.

“Për shkak të situatës aktuale të paqëndrueshme dhe ndikimit të saj në çmimet e naftës, ‘Mbushja Ndërkombëtare’ është përshtatur në përputhje me rrethanat,” tha një zëdhënës i SWISS për mediat.

‘Mbushja Ndërkombëtare’ është një tarifë shtesë e shtuar nga linjat ajrore për të mbuluar kostot operative në rritje – siç është karburanti.

Shuma e saktë e kësaj rritjeje varet nga itinerari specifik.

Edhe linjat ajrore të tjera

Nëse mendoni se mund të kurseni para duke fluturuar nga aeroportet e Zvicrës me kompani të tjera përveç SWISS ose Edelweiss – nuk do ta bëni.

Jo vetëm që linjat ajrore të tjera brenda grupit Lufthansa – të cilit i përkasin si SWISS ashtu edhe Edelweiss – po rrisin çmimet e tyre, por edhe shumë kompani të tjera po e bëjnë këtë.

Sipas IATA-s, shoqatës kryesore të linjave ajrore në botë, “një rritje e çmimeve të biletave të avionit është e pashmangshme duke pasur parasysh rritjen e kostos së hidrokarbureve për shkak të luftës në Lindjen e Mesme”.

Për shembull, Air France dhe KLM planifikojnë të rrisin çmimet e biletave të gjata me 50 euro (46 franga) për udhëtim vajtje-ardhje.

Dhe United, e cila fluturon pa ndalesa nga Cyrihu dhe Gjeneva në qytetet amerikane, mund të rrisë çmimet e biletave të avionit me 20 përqind.

Sa i përket EasyJet, CEO i saj Kenton Jarvis tha se udhëtarët duhet të presin çmime më të larta të biletave drejt fundit të verës, kur rezervat ekzistuese të karburantit mbarojnë.

FSK në Gaza? Vendimi i takon Kuvendit

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

 

Miratohet paga e 13-të në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për miratimin e dhënies së pagës së 13 – të për punonjësit që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se përveç atyre që kanë punuar 12 muajt e kaluar në sektorin publik, do të ndahet pagë e pjesshme edhe për ata që nuk kanë përmbushur plotësisht 12 muaj punë në sektorin publik.

“Kanë qenë disa raste kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Është rasti i të gjithë atyre personave që kanë dymbëdhjetë muaj të plotë në sektorin publik dhe marrin pagën e 13-të të plotë. Ajo është e barabartë në vlerën e koeficientit e shumëzuar me njësinë e koeficientëve që kanë pozitat përkatëse për personin që është në listën e pagave në muajin mars. Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë. Edhe në këto raste do të merret mesatarja e pagës së marrë në këta 12 muajt e fundit. Njëkohësisht, jemi kujdesur për gratë lehona që janë ose kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12-mujore; muajt e kaluar të pushimit të lehonisë t’u njihen sikurse muaj që kanë punuar me orar të plotë”, theksoi Murati, raportoi KP.

Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit. Dhënia e pagës së 13-të për sektorin publik është përfshirë në Buxhetin për vitin 2026.

Aty thuhet se për të ndarë pagën e 13-të, duhet të merret vendim nga Qeveria, pasi të sigurohet se përgjatë vitit fiskal respektohet rregulla fiskale për mostejkalim të tavanit të deficitit prej 2 për qind të bruto produktit vendor.

Vendimet tjera

Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se qëllimi i ligjit është i dyfishtë.

“Së pari të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke e bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe së dyti të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor”, ka theksuar Gërvalla.

Ajo ka deklaruar se ky ligj jep një mesazh të qartë. “Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, shtoi ajo.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektoratin qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, si dhe Projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektoratin qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, si dhe Projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm.

Qeveria ka miratuar edhe Draftraportin e Vlerësimit të Përputhshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2025. Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25”, Segmenti QMI-Lipjan.

Bonusi për Kosovën

Fitorja e Kosovës ndaj Sllovakisë të enjten e kaluar është shpërblyer nga Qeveria.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 500 mijë eurove për “Dardanët”. Kryeministri Albin Kurti, ka uruar që Kosova të fitojë edhe finalen e plejofit më Turqinë, që luhet në “Fadil Vokrri” të martën.

Në rast të kualifikimit ai ka thënë se do të ndajnë edhe 1 milionë euro të tjera.

“Kualifikimi në Kupën e Botës do ta kuptimsonte shënimin e 10-vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Një fitore nesër po ashtu do të përbënte një arsye për t’u mbledhur sërish ne këtu. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës do të ndajmë edhe një milion euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll. Në rast kualifikimi, po zotohemi sot se ne rast se shkojmë tutje dhe kualifikohemi, do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja për sukseset që do të pasojnë në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Kurti.

Kurti pati premtuar shpërblim qysh në nëntor nëse Kosova do ta fitonte ndeshjen me Sllovakinë.

Në finale e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet të martën, Kosova do të ballafaqohet me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sa shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë e në vendet e BE-së

Emigrantët që kanë ikur nga Shqipëria, tashmë po bëhen qytetarët të vendeve të BE-së me të drejta të plota.

Në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të Eurostat.

Marrja e shtetësisë është procesi përmes të cilit një person bëhet ligjërisht qytetar i një shteti, duke fituar të drejta dhe detyrime ndaj tij, që më pas mundëson dhe marrjen e pasaportës së vendit përkatës, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në krahasim me 2023-n, shtetësitë e dhëna për shtetasit shqiptarë nga një vend i BE-së janë rritur me 8.1%. në tre vitet e fundit, BE ka dhënë mesatarisht 44-45 mijë shtetësi në vit për shqiptarët, ritmet më të larta që nga 2018-a, duke treguar për një valë të re emigracioni në vend.

Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë në një nga vendet e BE-së, ndërsa vetëm dekadën e fundit janë dhënë 522 mijë shtetësi. (shiko grafikun: Shtetësitë e dhëna për shtetasit shqiptarë nga BE). Niveli më i lartë ishte në 2016 dhe 2016, me rreth 60-67 mijë në vit.

Shifra prej 522 mijë shqiptarësh që kanë marrë një shtetësi të BE-së në dekadën e fundit përkon pak a shumë dhe me tkurrjen e popullsisë në vend që në periudhën gjatë dy censeve 2011-2023 u ul me rreth 420 mijë persona, e ndikuar në pjesën më të madhe nga emigracioni, por dhe nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë, si rrjedhojë e lindjeve më të pakta.

Kryeson Italia, Greqia më dorështrënguar

Italia është shteti kryesor që u mundëson shqiptarëve që të marrin një pasaportë italiane. Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat e para, ky shtet ka dhënë 375 mijë shtetësi për shqiptarët.

Greqia, ndonëse ka një numër të ngjashëm emigrantësh me Italinë, të paktën rreth 500 mijë secili, a është më dorështrënguar për shtetësitë, duke dhënë 264 mijë të tilla, që nga viti 2007.

Edhe Gjermania po e lëshon dorën

Në Gjermani, për të marrë pasaportë duhet fillimisht të marrësh shtetësinë, zakonisht pas rreth 5 vitesh qëndrimi, me gjuhë gjermane (B1), të ardhura të mjaftueshme, pa probleme ligjore dhe me njohuri bazë për vendin. Edhe pse rregullat janë lehtësuar (nga 8 në rreth 5 vite), ajo mbetet më strikte se shumë vende të tjera të BE-së me kërkesa të qarta për gjuhën, të ardhurat dhe integrimin.

Ky shtet ka qenë i preferuar në valën e fundit të emigracionit dhe duket se shumë shqiptarë po i plotësojnë kushtet, teksa në vitin 2024 Gjermania lëshoi numrin më të lartë të shtetësive të dhënave ndonjëherë për shqiptarët, me 310 të tilla. Për krahasim, që nga 2002-shi deri në 2023-n, pra në 21 vjet, ky shtet kishte dhënë vetëm rreth 8100 shtetësi.

Në vend të katërt është Belgjika, që ka dhënë gjithsej rreth 8.7 mijë shtetësi për shqiptarët nga viti 2022, e ndjekur nga Franca (6480), Suedia (4,219), Irlanda (1,197), Spanja (1,157), Holanda (1,137).

Kriza me banesat në Evropë

Miliona njerëz në të gjithë Evropën nuk mund të përballojnë më banesa të sigurta dhe të qëndrueshme. Kriza e strehimit është tashmë në qendër të vëmendjes. Ajo po ndryshon jetët, po shtyn pas etapa të rëndësishme të jetës dhe po ushtron presion mbi buxhetet publike. Barra bie më rëndë mbi ata që kanë më pak burime, raporton Euronews, transmeton albinfo.ch.

Kush po e mban barrën?

Personat midis 18 dhe 34 vjeç po përballen më shumë me vështirësi. Mbi një e katërta e tyre shpenzojnë më shumë se 40 për qind të të ardhurave të disponueshme për strehim, një nivel që ekonomistët e konsiderojnë mbingarkesë të madhe. Pothuajse një në katër jeton në kushte të mbipopulluara dhe përjeton stres në një shkallë dy deri në tre herë më të lartë se personat mbi 65 vjeç.

Të rinjtë po vonojnë pavarësinë, krijimin e familjes dhe stabilitetin financiar. Edhe shëndeti mendor po ndikohet negativisht.

Komisioneri Europian për Strehimin, Dan Jørgensen, thekson pasojat e mëdha për individët dhe demokracinë evropiane. “Një çati mbi kokë të jep një bazë në jetë dhe nëse nuk e ke, shumë gjëra të tjera nuk janë të mundshme. Është një problem për individët që preken nga kriza, por edhe për shoqëritë tona. Dëmton ekonomitë tona. Nuk është mirë për tregun e punës, nuk është mirë për lëvizshmërinë, nuk është mirë për arsimin e njerëzve tanë”, tha ai në një intervistë.

Ai paralajmëron gjithashtu se mosveprimi ka një kosto politike: “Nëse ne, si politikëbërës, nuk e marrim këtë seriozisht, ekziston rreziku që popullizmi të rritet edhe më shumë në Evropë. Populistët do ta shfrytëzojnë një krizë sociale si kjo”.

Në Greqi, 30 për qind e familjeve të reja shpenzojnë më shumë se 40 për qind të të ardhurave për strehim, norma më e lartë në BE. Danimarka dhe Luksemburgu raportojnë gjithashtu nivele të larta. Edhe të rinjtë me të ardhura mesatare janë të prekur, pasi normat e pronësisë së banesave për grupmoshën 45–54 vjeç kanë rënë ndjeshëm në të gjithë Evropën.

Pagat kundrejt qirave: një hendek në zgjerim

Të dhënat tregojnë një trend shqetësues. Kostot e strehimit janë rritur shumë më shpejt se pagat në Evropë, veçanërisht pas pandemisë. Eurodeputeti Borja Giménez Larraz shpjegon përmasat e problemit. “Gjatë 15 viteve të fundit, çmimet e banesave janë rritur me 60 për qind dhe qiratë me 30 për qind. Na duhen 10 milionë banesa për të përmbushur kërkesën aktuale. Dhe ajo që po vërejmë është se numri i lejeve të ndërtimit ka rënë me 20 për qind”, tha ai.

Qiramarrësit privatë e ndjejnë më shumë këtë hendek. Rreth 20 për qind e tyre shpenzojnë një pjesë të tepërt të të ardhurave për strehim, ndërsa vetëm 5 për qind e atyre që kanë kredi hipotekare përballen me këtë problem. Për familjet me të ardhura të ulëta, rreth një në tre shpenzon mbi 40 për qind të të ardhurave për strehim, duke lënë shumë pak për nevoja të tjera. Aktualisht, BE ka mungesë prej rreth 2.25 milionë banesash dhe ndërtimet e reja nuk po e mbulojnë këtë hendek.

Larraz thekson se një pjesë e problemit lidhet me shpërndarjen e gabuar të banesave ekzistuese. Punonjësit e domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë (mjekë, policë, mësues, zjarrfikës, punonjës transporti, etj.) po mbeten pas. “Sot ka shumë policë, zjarrfikës dhe mësues që nuk mund të përballojnë qiranë në vendin ku punojnë. Ndoshta duhet të gjejmë zgjidhje edhe për këta njerëz”, tha ai.

Kur familjet shpenzojnë kaq shumë për strehim, u mbetet më pak për shpenzime të tjera. Njerëzit janë më pak të prirur të lëvizin për punë më të mira dhe ekonomia ngadalësohet. Çdo vit, hendeku midis atyre që zotërojnë prona dhe atyre që jetojnë me qira zgjerohet.

Jo të gjithë preken njësoj

Kriza godet më fort grupet më të cenueshme. Shtetasit jo të BE-së kanë më shumë se dyfishin e gjasave për të shpenzuar një pjesë të tepërt të të ardhurave për strehim dhe mbi një e treta jeton në kushte të mbipopulluara. Minoritetet etnike dhe personat me aftësi të kufizuara kanë më shumë gjasa të jetojnë në kushte të dobëta. Prindërit e vetëm përballen gjithashtu me disa nga kostot më të larta të strehimit në BE. Eurodeputetja Irene Tinagli argumenton se kriza nuk është rastësi, por rezultat i dekadave të trajtimit të strehimit si aset financiar dhe jo si nevojë sociale.

“Nëse qëllimi është të garantohet akses në strehim të denjë dhe të përballueshëm për të gjithë, atëherë ky qëllim ka dështuar. Ne kemi ndalur së menduari dhe vepruari për strehimin përmes politikave publike”, tha ajo. Familjet me të ardhura mesatare përballen gjithnjë e më shumë me dilemën e “brezit të qirasë”. Ato fitojnë shumë për të përfituar nga strehimi social, por nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpie. Buxhetet publike përthithin kostot në rritje përmes subvencioneve të strehimit, të cilat përfitojnë kryesisht pronarët privatë. Kështu, taksapaguesit mbajnë barrë shtesë pa përmirësim strukturor të përballueshmërisë.

Çfarë po bëhet?

Qeveritë në Evropë po përpiqen të reagojnë, por progresi është i pabarabartë. Plani i BE-së për Strehim të Përballueshëm për vitin 2025 tregon një hendek investimesh prej 275 miliardë eurosh çdo vit. Plani kërkon më shumë financim publik dhe privat, ndryshime në rregullat e planifikimit dhe mjete më të mira për autoritetet vendore për të menaxhuar qiratë afatshkurtra.

Komisioneri Jørgensen kërkon që vendet të trajtojnë problemin e banesave bosh dhe spekulative. Ai përmend Danimarkën si një model të mundshëm, ku banesat duhet të jenë të banuara. Sfida kryesore tani është zbatimi i këtyre ideve. Me një buxhet të ri të BE-së në horizont, qeveritë kombëtare duhet të sigurojnë që planet nga Brukseli të përkthehen realisht në më shumë banesa.

Gjermania prezanton skemë të re pensionale, Bundestagu miraton reformën

Parlamenti gjerman (Bundestagu) ka votuar për një reformë të rëndësishme të sistemit të pensioneve, duke synuar zëvendësimin e modelit aktual “Riester” me një skemë të re kursimi të mbështetur nga shteti.

Sipas reformës së re, qytetarët do të përfitojnë subvencione direkte nga shteti për kursimet e tyre pensionale.

Modeli i ri parashikon që shteti të mbulojë një pjesë të kontributeve, duke i bërë kursimet më të lehta dhe më tërheqëse për qytetarët, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Kontributet deri në një nivel të caktuar do të subvencionohen me përqindje të ndryshme, ndërsa mbështetje më e madhe do t’u jepet familjeve me fëmijë dhe personave me të ardhura më të ulëta.

Një element i rëndësishëm i reformës është krijimi i një produkti standard pensioni, i cili do të jetë më i thjeshtë, transparent dhe më i kuptueshëm për qytetarët. Po ashtu, parashikohet edhe investimi përmes fondeve të mbështetura nga shteti.

Qeveria gjermane synon që përmes kësaj reforme të inkurajojë më shumë njerëz të investojnë në pensione private, për të siguruar një standard jetese më të qëndrueshëm në pleqëri.

Megjithatë, reforma ka shkaktuar edhe debate politike, pasi kritikët paralajmërojnë se ajo mund të ndikojë në vlerën reale të pensioneve dhe të rrisë barrën për brezat e rinj në të ardhmen.

1.2 milion persona fituan shtetësinë e BE-së në 2024, Gjermania dhe Spanja në krye të listës

Në vitin 2024, rreth 1.2 milion njerëz fituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian ku jetojnë, duke shënuar një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023, njoftoi Eurostat.

Krahasuar me vitin 2014, numri i shtetësive të fituara është rritur me 54.5%, nga 762,100 në 1.2 milion. Gjermania kryeson me numrin më të madh të qytetarëve të rinj – 288,700, e ndjekur nga Spanja me 252,500 dhe Italia me 217,400.

Nga personat që morën shtetësi, 88% vinin nga vende jashtë BE-së, ndërsa 10.6% ishin qytetarë të tjerë të BE-së. Vende si Siria (110,000), Maroku (97,100) dhe Shqipëria (48,000) janë burimet kryesore të natyralizimeve.

Sa i përket shkallës së natyralizimit, Suedia udhëheq me 7.5% të shtetasve të huaj që fituan shtetësinë, e ndjekur nga Italia me 4.1%, Spanja dhe Holanda me 3.9%. Në anën tjetër, Lituania ka normën më të ulët me vetëm 0.1%, ndërsa Bullgaria dhe Estonia regjistrojnë 0.3%.

Hakerët rekrutohen për të zhvilluar luftë kibernetike në emër të Iranit

Lufta në Iran po zhvillohet gjithashtu në internet. Hakerë të lidhur me regjimin iranian po ofrojnë shpërblime për ata që ndihmojnë në vjedhjen e të dhënave të ndjeshme nga kundërshtarët e tyre, raporton RTS. Sipas një komunikimi të kapur nga Shtetet e Bashkuara, këta hakerë gjithashtu kërcënojnë me vrasje të synuara, me ndihmën e një karteli të fuqishëm meksikan. FBI po përpiqet të bllokojë rrjetet e tyre të komunikimit, deri tani pa sukses.

Për Departamentin Amerikan të Drejtësisë, lidhjet e tyre me shërbimet inteligjente iraniane janë të pamohueshme. Më 11 mars, grupi i hakerëve Handala Hack, aktiv në internet dhe dark web për të paktën tre vjet, mori përgjegjësinë për fshirjen e 12,000 terabyte të dhënash të kompanisë amerikane të teknologjisë mjekësore Stryker, e cila furnizon disa spitale në Zvicër.

Një javë më vonë, FBI mbylli platformat që shërbenin si shfaqje online për grupin. Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë u mburr se kishte ndërprerë operacionet psikologjike të një grupi që vepronte në emër të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit (MOIS).

Sulmi ndaj drejtorit të FBI-së

Disa ditë më pas, Handala Hack publikoi faqet e tjera online dhe shpërndau foto personale të Kash Patel, drejtorit të FBI, të marra pas hakerimit të emailit të tij privat. FBI konfirmoi sulmin: “FBI është i vetëdijshëm për aktivitetin e dëmshëm që synon email-et personale të Drejtorit Patel dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbutur rreziqet.” Sipas FBI-së, asnjë informacion qeveritar nuk u vodh.

Ekspertët e kontaktuar nga RTS theksojnë se Irani po kërkon të demonstrojë fuqinë e tij në hapësirën kibernetike përmes sulmeve spektakolare. “Lufta kibernetike është shumë asimetrike. Mbrojtja kërkon përsosmëri të vazhdueshme, ndërsa sulmet kërkojnë vetëm një sukses për të treguar praninë dhe fuqinë,” shpjegon Gérôme Billois, ekspert i sigurisë kibernetike.

Rekrutohen hakerë mercenarë

RTS ka arritur të hyjë në kanalet e komunikimit të Handala Hack, ku grupi ofron mbështetje teknike dhe shpërblime financiare për hakerët e interesuar, pa specifikuar shumat. Hakerët janë të rrezikshëm dhe pretendojnë se mund të rrisin fuqinë e sulmeve të tyre. Së fundmi, ata publikuan të dhëna që pretendonin se vinin nga rrjetet elektrike dhe ujësjellësit në Izrael, duke paralajmëruar se mund t’i synonin nëse konflikti do të eskalonte.

Zvicra e prekura në mënyrë indirekte

Më 11 mars, Handala Hack mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Stryker, gjigantit amerikan të teknologjisë mjekësore, duke shkatërruar 12,000 terabyte të dhënash. Stryker konfirmon sulmin, por jo shkallën e dëmit. Kompania po rikthen sistemet e saj, dhe asnjë produkt nuk është prekur. Shumë spitale zvicerane, përfshirë Rrjetin Spitalor të Neuchâtel, janë klientë të Stryker.

Stefano Bufano, drejtues i blerjeve dhe logjistikës në Stryker, shprehet: “Sulmi ka detyruar kompaninë të funksionojë në një mënyrë të kufizuar. Porosi të klientëve u përpunuan manualisht dhe periudha e rikuperimit mund të shkaktojë vonesa në shpërndarje.”

Një luftë perceptimi

Ekspertët paralajmërojnë se këto sulme nuk janë vetëm teknike, por edhe strategjike, për të krijuar frikë dhe ndikim politik. Pierre Pahlavi, profesor dhe anëtar i familjes së Shahut të Iranit, thotë: “Është krejt e besueshme që iranianët mund të rekrutojnë grupe kriminale për të shtuar presionin. Kjo është një luftë perceptimi, dhe iranianët janë shumë të aftë në këtë fushë.”

Futbollistja nga Kosova fiton Kupën e Zvicrës

Futbollistja nga Kosova, Lumbardha Misini ka fituar Kupën e Zvicrës te femrat me skuadrën e Servette FC Chenois Feminin.

Në finale, Servette fitoi ndaj Young Boys me rezultat minimal 1:0, shkruan albinfo.ch.

Lumbardha bëhet lojtarja e parë nga Kosova që fiton Kupën e Zvicrës në futbollin e femrave. Ajo hyri në lojë në minutën e 80-të.

Gjithashtu Servette FC Chenois Feminin është lidere në renditje të kampionatit të Zvicrës për futbollin e femrave.

(KEYSTONE/Salvatore Di Nolfi)

Zvicër: Kërkohet rritja e taksave për alkoolin dhe duhanin

Qeveria federale e Zvicrës po përballet me një sfidë të madhe financiare: nga njëra anë duhet të kursejë, ndërsa nga ana tjetër planifikon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen. Për të mbushur buxhetin shtetëror, politikania e Partisë Liberale të Gjelbër (GLP), Corina Gredig, propozon rritjen e taksave për pijet alkoolike të forta dhe produktet e duhanit.

Pse kërkohet rritja e taksave?

Sipas Gredig, rritja e këtyre taksave do të ndihmonte në lehtësimin e buxhetit federal dhe njëkohësisht do të kishte efekt pozitiv në shëndetin publik, duke ulur konsumin e duhanit dhe alkoolit.

Qeveria federale synon të kursejë deri në 9 miliardë franga deri në vitin 2029 për të shmangur një deficit strukturor. Në të njëjtën kohë, planifikohet që deri në vitet 2030 të sigurohen edhe 30 miliardë franga shtesë për ushtrinë dhe sigurinë, transmeton albinfo.ch.

Propozimi: taksa më të larta për duhanin dhe alkoolin

Gredig thekson se është më e drejtë të rriten taksat për duhanin dhe pijet me përmbajtje të lartë alkooli sesa të rriten taksat mbi pagat e larta.

Ajo argumenton se:

Taksa mbi pijet e forta nuk është rritur prej më shumë se 25 vitesh.

Ndërkohë, shumë taksa të tjera janë rritur.

Një rritje e moderuar do të ishte e arsyeshme dhe e lehtë për t’u zbatuar.

Sa i përket duhanit, ajo shton se rritja e taksave do të kishte edhe efekt parandalues për shëndetin publik.

Sa mund të rriten çmimet?

Sipas një raporti federal:

Një rritje prej 10% e taksës së duhanit mund të rrisë çmimin e një pakete cigare nga 9.20 në 12.20 franga (rritje prej 3 frangash).

Konsumi i duhanit pritet të bjerë me rreth 13%.

Të ardhurat shtesë për shtetin mund të arrijnë në rreth 500 milionë franga.

Kritikat ndaj propozimit

Jo të gjithë janë dakord me këtë ide.

Deputeti i Partisë së Qendrës, Andreas Meier, e cilëson këtë masë si “një pikë në oqean” përballë sfidave financiare më të mëdha. Sipas tij:

Konsumi i alkoolit në Zvicër është në rënie.

Nuk ka nevojë për masa shtesë që mund të dëmtojnë prodhuesit vendas.

Ndërkohë, bashkëkryetari i FDP-së, Benjamin Mühlemann, kritikon qasjen e rritjes së taksave:

Sipas tij, problemi nuk është mungesa e të ardhurave, por shpenzimet e larta.

Ai kërkon që qeveria të fokusohet në kontrollin dhe uljen e shpenzimeve, në vend që të kërkojë burime të reja të ardhurash.

Edhe përfaqësues të industrisë së duhanit e kanë quajtur propozimin “populist”, duke paralajmëruar gjithashtu rritje të tregut të zi dhe importit ilegal.

Debati mbetet i hapur

Propozimi ka hapur një debat të gjerë në Zvicër: a duhet të rriten taksat për produkte që konsiderohen të dëmshme për shëndetin, apo duhet të kërkohen zgjidhje të tjera për stabilizimin e financave publike?

Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë

Këtë të diel, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me OJQ-në ABSM, organizoi prezantimin e projektit “The Guestkeepers”, një iniciativë për promovimin e turizmit kulturor të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Gjatë ngjarjes, Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti prezantuan vizionin dhe objektivat e projektit, i cili synon të transformojë mikpritjen tradicionale shqiptare në një standard profesional, transmeton albinfo.ch.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të mërgatës kosovare në Zvicër, duke forcuar lidhjet kulturore dhe duke promovuar Kosovën si një destinacion turistik.

Kurti viziton Kombëtaren para finales së play-off-it për Botërorin 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi kampin e Kombëtares së Kosovës për të përgëzuar ekipin pas arritjes në finalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i dhënë mbështetje para sfidës ndaj Turqisë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, falënderoi kryeministrin, ministrin e Sportit, Blerim Gashiani, dhe zëvendësministren Daulina Osmani për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.

Gjatë fjalës së tij, Kurti i uroi Dardanët për fitoren historike në Bratisllavë dhe vlerësoi rrugëtimin e tyre deri në finale si plotësisht të merituar. Ai theksoi se miliona shikues në mbarë botën ndjekin këtë ngjarje dhe se Kombëtarja ofron mundësinë për të vendosur Kosovën dhe talentin e saj në arenën më të madhe.

“Përmes juve si ekip, kemi mundësinë ta vendosim Kosovën dhe historinë e saj të qëndresës e talentit në sytë e mbarë njerëzimit. Kjo mbështetje masive është forca juaj dhe merreni me vete në fushë. Besimin për fitore e keni ndërtuar ju si ekip, me trajnerin dhe gjithë stafin udhëheqës dhe mbështetës,” tha Kurti.

Orkestra nga Kosova ‘Amadeus’ shkëlqen në Spanjë, fiton çmimin kryesor ‘Grand Prix’

Orkestra e fëmijëve dhe të rinjve nga Kosova “Amadeus” ka shkëlqyer në një festival ndërkombëtar në Spanjë, duke fituar çmimin kryesor “Grand Prix” në edicionin e festivalit prestigjioz “Spring Symphonies”.

Nën drejtimin e drejtoreshës Hana Petrovci dhe dirigjentit Vehbi Shosholli, orkestrës iu dha mundësia të përfaqësojë Kosovën përballë dhjetëra orkestrave nga mbarë bota, duke treguar nivelin e lartë të talentit muzikor kosovar.

 

Mbi 25 mijë udhëtime të anuluara në Turqi, udhëtarët bllokohen

Turqia po përballet këtë fundjavë me një seri anulimesh fluturimesh, duke shkaktuar vështirësi për qindra pasagjerë në disa nga aeroportet më të rëndësishme të vendit.

Rreth 25 fluturime janë anuluar, duke përfshirë destinacione brenda Turqisë si Stambolli (Aeroporti Sabiha Gokcen), Antalia dhe Trabzon, si dhe disa fluturime ndërkombëtare, përfshirë drejt Bahreinit.

Shkaku i anulimeve lidhet me ndërprerje operative dhe kushte të motit, sipas raporteve nga linjat ajrore.

Pegasus Airlines ka anuluar disa nisje gjatë ditës së diel drejt Sabiha Gokcen, me orare që shtrihen nga paraditja deri në mbrëmje.
Autoritetet e aeroportit dhe linjat ajrore u bëjnë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara nisjes drejt aeroportit dhe të kërkojnë rimbursime ose riorientime në rast anulimi.

Kjo situatë pasqyron tensionin e vazhdueshëm në trafikun ajror turk, ku linjat ajrore përballen me sfida operative që shkaktojnë vonesa dhe anulime në itineraret e brendshme dhe ato të kufizuara ndërkombëtare.

Pas kritikave për ekspozitën, Shkëlzen Gashi kërkon falje ndaj qytetarëve dhe familjarëve të viktimave

Pas reagimeve dhe kritikave lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në Prishtinë, Shkëlzen Gashi dhe organizatorët kanë publikuar një reagim zyrtar.

Në reagim, ata kërkojnë falje të gjithë familjarëve të viktimave dhe të gjithë të prekurve nga lufta për shqetësimin e shkaktuar. Qëllimi i ekspozitës, sipas reagimit, ka qenë të nderojë viktimat dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Organizatorët theksojnë se ekspozita nuk ka pasur synim të lëndojë apo ofendojë askënd dhe bëjnë thirrje për respekt, shmangien e sulmeve personale dhe linçimeve, si dhe për diskutim të hapur dhe të matur mbi çështje kaq të ndjeshme.

Prishtinë: Rruga shembet si në filma, dyshohet për rrjedhje uji nën tokë

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Prishtinë, ku një pjesë e rrugës “Don Shtjefën Kurti” është shembur papritur, duke krijuar skena që ngjajnë me ato të filmave.

Autoritetet bëjnë të ditur se shkaku ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se një rrjedhje uji nën sipërfaqe mund të ketë çuar në dëmtimin e rrugës. Ekipet emergjente dhe të ujësjellësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur rreziqe të tjera.

Si masë sigurie, është ndërprerë energjia elektrike dhe pritet të ndalet edhe furnizimi me ujë në zonë, ndërsa po punohet për sanimin e dëmeve.

Ndërkohë, pronari i ndërtesës afër vendit ku ndodhi shembja është dërguar për intervistim në polici, pasi pritet të iniciohet rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Inspektorati ndërtimor pritet të nisë hetimet dhe masat konkrete në terren.