Bebe Rexha dhe Faithless arrijnë në majën e listës globale të muzikës dance

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, në bashkëpunim me grupin Faithless, ka zënë vendin e parë në WARM Global Dance Radio Chart me këngën “New Religion”, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të World Airplay Radio Monitor, kënga ka regjistruar mbi 900 transmetime në më shumë se 200 radio në mbarë botën gjatë javës së 8–14 majit, duke u ngjitur kështu në krye të renditjes për javën e 23 majit.

“New Religion”, e publikuar në fillim të marsit, ka shënuar sukses edhe në Billboard, duke arritur më herët vendin e parë në Dance/Mix Show Airplay, si dhe duke u renditur në top-listat Pop Airplay dhe Rhythmic Airplay në SHBA.

Kënga përmban elemente të hitit klasik të Faithless “Insomnia”, duke sjellë një kombinim të tingujve nostalgjikë me stilin modern elektronik që e ka bërë të suksesshme në tregun global.

Me këtë sukses, projekti shënon një tjetër arritje të rëndësishme si për Bebe Rexhën ashtu edhe për Faithless në skenën ndërkombëtare të muzikës dance./Albinfo.ch

Pianisti francez Ingmar Lazar mahnit publikun në Chopin Piano Fest Prishtina

Publiku i Prishtinës përjetoi një mbrëmje të veçantë artistike në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina, ku pianisti francez Ingmar Lazar solli një performancë të jashtëzakonshme para adhuruesve të muzikës klasike, transmeton albinfo.ch.

Artisti francez interpretoi vepra të njohura të Chopin, Liszt dhe Mendelssohn, duke i dhuruar publikut një udhëtim të veçantë muzikor dhe emocione të forta artistike.

Ky koncert konfirmoi edhe një herë rëndësinë e Chopin Piano Fest Prishtina si një nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës kulturore në Kosovë.

Ngjarja u realizua me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Institutit Francez të Kosovës.

Me këtë rast, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, mori një mirënjohje nga organizatoret e festivalit, Besa Luzha dhe Lejla Pula, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit./Albinfo.ch

Pse Zvicra është kampione e jetëgjatësisë në Evropë?

Zvicra vazhdon të mbajë vendin e parë në Evropë për jetëgjatësinë mesatare, me qytetarët që jetojnë mesatarisht 84.2 vjet, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024. Pas saj renditen Spanja me 84 vjet dhe Suedia me 83.8 vjet, transmeton albinfo.ch.

Sipas statistikave, Zvicra ka qenë në vendin e parë ose të dytë për jetëgjatësi gjatë 25 viteve të fundit, ndërsa kantoni i Ticinos kryeson brenda vendit me një mesatare prej 85.2 vjetësh.

Ekspertët lidhin këtë rezultat me disa faktorë kryesorë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe shëndetin e popullsisë.

Ndër arsyet kryesore përmenden:

  • Standardi shumë i lartë i jetesës dhe stabiliteti ekonomik.
  • Të ardhurat e larta për kokë banori.
  • Sistemi shëndetësor cilësor dhe modern.
  • Ajri i pastër dhe mjedisi i mbrojtur
  • Ushqimi cilësor dhe kontrolli i lartë ushqimor.
  • Aktiviteti fizik dhe kultura sportive, sidomos ecja dhe sportet alpine.
  • Niveli i ulët i ndotjes në shumicën e qyteteve.
  • Siguria dhe niveli i ulët i kriminalitetit, që ndikojnë në mirëqenien psikologjike.
  • Infrastruktura e zhvilluar dhe transporti efikas.
  • Menaxhimi i mirë i stresit dhe balanca mes punës dhe jetës private.
  • Qasja e shpejtë në shërbime mjekësore dhe kontrolle preventive.
  • Cilësia e ujit të pijshëm dhe higjiena publike.

Në Zvicër, gratë jetojnë mesatarisht 85.9 vjet, ndërsa burrat 82.4 vjet, duke reflektuar një nga nivelet më të larta të mirëqenies dhe kujdesit shëndetësor në botë.

Ky rezultat e konfirmon Zvicrën jo vetëm si një nga vendet më të zhvilluara ekonomikisht, por edhe si një nga shtetet me cilësinë më të lartë të jetesës në Evropë dhe më gjerë./Albinfo.ch

Nis votimi me postë për diasporën, KQZ publikon udhëzimet për qytetarët jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga sot, 21 maj, ka nisur zyrtarisht periudha e votimit përmes postës për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit. Ky proces do të zgjasë deri më 6 qershor 2026, shkruan albinfo.ch.

Sipas KQZ-së, gjatë kësaj periudhe pritet të shpërndahen rreth 105 mijë pako me fletëvotime për votuesit e diasporës.

Përmes një njoftimi publik, institucioni ka sqaruar procedurat që duhet të ndjekin qytetarët pas pranimit të pakos në adresën e tyre të banimit.

Pas marrjes së pakos, votuesit duhet të plotësojnë fletëvotimin dhe ta vendosin atë në zarfin e fshehtësisë. Më pas, zarfi i fshehtësisë së bashku me dëftesën e regjistrimit duhet të futen në zarfin kthyes.

KQZ ka theksuar se qytetarët duhet të shënojnë saktë adresën e kutisë postare përkatëse dhe ta dërgojnë zarfin përmes postës, duke siguruar që ai të arrijë në destinacion jo më larg se data 6 qershor 2026. /Albinfo.ch

Australia nga afër, mes pafundësisë, heshtjes dhe rendit

Australia nuk të ngjan me asnjë vend tjetër. Është një kontinent që të krijon ndjesinë sikur ke hyrë në një botë paralele, ku gjithçka është më e madhe, më e largët dhe më e heshtur. Një tokë e pafundme ku qytetet moderne humbin mes oqeanit, pyjeve dhe hapësirave që duken sikur nuk mbarojnë kurrë.

Në këtë aventurë motoristike përmes Queensland dhe New South Wales, duke kaluar nga Brisbane drejt Hervey Bay, Byron Bay, Coffs Harbour, Tamworth, Glen Innes e deri në kthimin sërish në Brisbane, Australia na është shfaqur si një përzierje e rrallë mes natyrës së egër, qytetërimit modern dhe një kulture të ndërtuar mbi disiplinën.

Rrugët australiane janë pothuajse perfekte. Të gjera, të pastra dhe të mirëmbajtura me një përpikmëri që të impresionon. Herë kalojnë mes pyjeve tropikale të Maleny, Montville apo Mapleton, herë zbresin drejt brigjeve të pafundme të Paqësorit, e më pas humbin në brendësi të kontinentit, aty ku mbetet vetëm heshtja, fermat dhe horizonti.

Në pjesën bregdetare gjithçka është e gjelbër. Qytetet dhe lagjet duken sikur janë ndërtuar mes natyrës. Pisha të larta, palma, parqe dhe vegjetacion i dendur shoqërojnë pothuajse çdo rrugë.

Gold Coast, që nga larg imagjinohet si një qytet i vogël turistik, por u shfaq si një metropol modern me rrokaqiej dhe jetë që lëviz pa pushim buzë oqeanit.

Megjithate, Australia ndryshon fytyrë sapo largohesh nga bregdeti. Gjithçka bëhet më e thatë, më e ashpër dhe më e zbrazët.

Në ato hapësira gjigande sheh vetëm ferma të mëdha, qindra lopë që kullosin dhe rrugë që vazhdojnë pafund drejt një horizonti të zbehtë.

Distancat janë aq të mëdha sa për një europian duken pothuajse joreale.

Megjithatë ajo që të lë më shumë përshtypje nuk është madhësia, por rendi.

Australia funksionon me një disiplinë të heshtur. Njerëzit janë të qetë, të sjellshëm dhe korrektë. Rregullat respektohen me një seriozitet absolut. Policia është rigoroze dhe komunikacioni kontrollohet, edhe me ndihmën e kamerave, me përpikmëri.

Në disa momente krijohet ndjesia e një shteti me kontroll të plotë institucional, ku çdo gjë ka kufirin dhe rregullin e vet.

Edhe raporti me duhanin e tregon qartë këtë kulturë. Gjatë gjithë qëndrimit pothuajse nuk pashë njerëz me cigare në gojë.

Ndalimet nuk vlejnë vetëm për ambientet e mbyllura, por edhe për shumë hapësira publike të hapura. Është një realitet tjetër nga ai europian, e veçmas per ne shqiptarët.


Edhe arkitektura flet ndryshe. Në Europë rëndesa dhe prestigji maten shpesh me betonin dhe gurin. Në Australi shtëpitë janë të thjeshta, të ulëta dhe kryesisht prej druri, me çati llamarine që përhapen pafund nëpër lagje. Por pas kësaj thjeshtësie fshihet një standard jetese i lartë dhe një organizim që funksionon pothuajse pa zhurmë.

Një pjesë e veçantë e këtij udhëtimi mbeten njerëzit. Miqtë tanë australianë, Illidio dhe Joe, me origjinë portugeze, na kujtuan shumë mikpritjen shqiptare. Të ngrohtë, të kujdesshëm dhe familjarë, ata u kujdesën për çdo detaj të aventurës sonë. Në shtëpinë e Illidios, mes një darke të përgatitur nga Adelada me peshk dhe mish viçi, Australia për një moment humbi largësinë e saj dhe u njeva si në shtëpi.

Por ky kontinent nuk të lejon të harrosh se natyra këtu mbetet ende sovrane. Gjatë rrugëve kemi parë pafund kafshë të egra të goditura nga makinat, kengurë, wombat dhe specie të tjera që dalin papritur nga errësira. Edhe pas më shumë se dy dekadash motociklizëm në Europë, rrallë kam parë një përballje kaq të drejtpërdrejtë mes rrugës dhe natyrës së egër.

Një moment mbeti veçanërisht i ngulitur në kujtesë: një kengur i vogël i preu rrugën, mikut tim Leos në sekondën e fundit pranë Uranganit. Ishte një çast sa i rrezikshëm aq edhe magjepsës. Një kujtesë e fortë se në Australi, pavarësisht qyteteve moderne dhe rregullit perfekt, natyra vazhdon të jetë zotëruesja e vërtetë e këtij kontinenti.

Pas ditëve të gjata në motor dhe qindra kilometrave rrugë, udhëtimi ynë vazhdoi drejt Sydneyt. Qyteti të jep menjëherë ndjesinë e një metropoli global, plot jetë, energji dhe lëvizje. Mes ndërtesave moderne, portit të famshëm dhe Operas ikonike, Sydney duket sikur bashkon Europën, Amerikën dhe Azinë në një qytet të vetëm.

Muzetë, rrugët plot njerëz, restorantet nga çdo kulturë e botës dhe dyqanet që qëndrojnë të hapura deri vonë krijojnë atmosferën e një qyteti që nuk ndalet kurrë. Pas heshtjes së rrugëve të gjata australiane, Sydney të rikthen sërish në ritmin e vrullshëm urban.

Pas dhjetë ditësh në Australi, aventura jonë vazhdon drejt Singaporit dhe më pas Bangkokut. Nga rrugët e pafundme australiane do të kalojmë në metropolet më të ngarkuara dhe më të gjalla të Azisë. Edhe atje nuk do të mungojnë motorët. Me motorë të vegjël do të eksplorojmë rrugët, lagjet dhe disa nga vendet më të frekuentuara të Singaporit dhe Bangkokut, për të parë një tjetër botë, krejt ndryshe nga qetësia dhe pafundësia australiane.

Australia mbetet një vend kontrastesh të mëdha: modern dhe i egër njëkohësisht, i disiplinuar por i qetë, i zbrazët dhe megjithatë plot jetë. Një kontinent ku rrugët duken sikur nuk mbarojnë kurrë dhe ku njeriu, pavarësisht teknologjisë dhe organizimit, mbetet vetëm një udhëtar i vogël mes pafundësisë.

BEKIM DALIPI

13-vjeçarja shqiptaro-kanadeze mahnit Veronën me performancë solo

Vetëm 13 vjeçe, ajo u ngjit në skenë gjatë një eventi të prezantuar nga Amadeus, një prej figurave më të njohura të televizionit italian, duke lënë përshtypje të fortë me interpretimin e saj plot emocion dhe elegancë.

Ky moment konsiderohet një arritje e rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik, duke pasur parasysh moshën e re dhe nivelin e lartë të skenës ku ajo performoi.

Rrugëtimi i Isabel Eve po zhvillohet mes Veronës dhe Berlinit, ku ajo po ndërton gradualisht një karrierë në skenat evropiane, duke sjellë suksese të njëpasnjëshme.

Me talentin dhe përkushtimin e saj, ajo po cilësohet si një nga talentet më premtuese të brezit të ri në skenën artistike ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Visar Morina firmos me Cinetic pas triumfit në Sundance me “Shame and Money”

Regjisori kosovar Visar Morina ka nënshkruar marrëveshje për përfaqësim me kompaninë amerikane Cinetic Media, pas suksesit të tij në Sundance Film Festival 2026, transmeton albinfo.ch.

Filmi i tij “Shame and Money” fitoi çmimin e jurisë në kategorinë World Cinema Dramatic Competition, duke u vlerësuar si një nga projektet më të spikatura të edicionit. Po ashtu, filmi tashmë është kualifikuar edhe për Oscar në kategorinë “Best International Feature Film”, pas ndryshimeve të reja në rregullat e Akademisë.

Ngjarja e filmit zhvillohet në Kosovën rurale dhe ndjek jetën e një çifti fermerësh që përballen me një kthesë të papritur që i detyron të largohen nga shtëpia dhe të përballen me realitetin e vështirë urban. Produksioni është pritur me vlerësime të larta nga kritika, duke arritur edhe 100% në Rotten Tomatoes.

Morina, i cili u shpërngul në Gjermani në moshën 15-vjeçare, është i njohur për filmat që trajtojnë emigrimin, identitetin dhe konfliktet sociale. Veprat e tij të mëparshme përfshijnë “Babai”, fitues i çmimit për regjinë më të mirë në Karlovy Vary, si dhe “Exile”, i shfaqur në Sundance dhe Berlinale.

Me këtë marrëveshje, Morina i bashkohet një liste të regjisorëve të njohur ndërkombëtarë të përfaqësuar nga Cinetic Media./Albinfo.ch

Dyshohet për evazion fiskal – arrestohet shefi i kompanisë ajrore GP Aviation

Themeluesi i kompanisë ajrore GP Aviation, e njohur për fluturimet ndërmjet Kosovës dhe vendeve evropiane, është arrestuar nën dyshimet për mashtrim tatimor në Gjermani, raportojnë mediat zvicerane.

Sipas “Aero Telegraph”, shefi me rrënjë zvicerano-italiane u ndalua më 15 prill në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjermane në janar të këtij viti.

Prokuroria gjermane e akuzon shefin e GP Aviation se nuk ka paguar si duhet taksat e trafikut ajror, duke shkaktuar një dëm prej të paktën 9 milionë eurosh  (8,2 milionë franga), shkruan albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane që i sjellin nga Bullgaria, i dyshuari ka pranuar ekstradimin dhe tashmë është transferuar në Gjermani. Dokumente të cituara nga portali bullgar “Dir” tregojnë se ai dyshohet për rreth 50 shkelje ligjore gjatë periudhës 2021–2025.

Kompania me seli në Sofje prezantohet si kompani ajrore me menaxhim zviceran, pasi një pjesë e funksioneve kryesore të saj zhvillohen në Cyrih. GP Aviation operon kryesisht linja që lidhin Kosovën me Gjermaninë, Zvicrën dhe vende të tjera evropiane, duke u fokusuar te diaspora shqiptare.

Flota e kompanisë përfshin tre avionë Boeing 737-400 dhe disa avionë të marrë me qira operative.

Sipas “Aero Telegraph”, në Gjermani kompanitë ajrore janë vetë përgjegjëse për deklarimin dhe pagesën e taksave të trafikut ajror. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se si dyshohet të jetë realizuar shmangia e këtyre detyrimeve.

Ndaj të arrestuarit vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë.

 

 

Albani, Albana dhe Arta – tre të rinj shqiptarë me sukses akademik në SHBA

Një histori suksesi që nis nga Gostivari dhe përfundon në universitetet elitare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shërben si shembull frymëzues i përkushtimit ndaj dijes dhe sakrificës familjare. Rrugëtimi i Albanit, Albanës dhe Artës dëshmon se investimi më i madh që një familje mund të bëjë është arsimi, transmeton albinfo.ch.

Formimi i tyre akademik nisi në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Gostivar, ndërsa më pas u zhvillua në shkollën “Woodrow Wilson” në Tetovë, ku morën mbështetje të rëndësishme nga stafi arsimor. Arta vazhdoi studimet në “Nova International School” në Shkup, duke përfunduar me sukses programin ndërkombëtar International Baccalaureate (IB).

Ndërkohë, Albani dhe Albana vazhduan arsimin në Gjermani, në kolegjin elitar “Stiftung Louisenlund”, ku përfunduan gjithashtu programin IB dhe u përgatitën për sfida akademike ndërkombëtare.

Ky formim i avancuar u hapi dyert universiteteve të njohura në SHBA, ku të tre u pranuan në universitete të renditura në mesin e më të mirave në vend. Albani dhe Albana diplomuan në University of Minnesota Twin Cities, ndërsa Arta në University of Arizona.

Sot, ata kanë ndërtuar profile të suksesshme profesionale në fusha të ndryshme: Albani në shkenca financiare dhe kompjuterike, me master në Robotic Finance në Lugano; Albana në Interior Design Architecture; ndërsa Arta në Business Administration me minor në Public Relations.

Pas këtij rrugëtimi qëndron edhe sakrifica e nënës së tyre, e cila hoqi dorë nga karriera për t’iu përkushtuar plotësisht edukimit të fëmijëve – një vendim që familja e konsideron si investimin më të rëndësishëm të jetës.

Kjo histori mbetet një shembull frymëzues se me vizion, disiplinë dhe mbështetje familjare, suksesi akademik në nivel ndërkombëtar është i arritshëm edhe nga një qytet si Gostivari./Albinfo.ch

Euro bie sërish në nivel rekord kundrejt frangut zviceran

Euro ka pësuar sërish rënie kundrejt frangut zviceran, duke arritur një tjetër nivel rekord në tregun valutor, shkruan albinfo.ch.

Sipas kursit të fundit të këmbimit, 1 euro po këmbehet me rreth 0.9146 franga zvicerane (CHF), çka tregon forcimin e vazhdueshëm të monedhës zvicerane ndaj euros.

Ndërkohë, kursi i këmbimit kundrejt dollarit amerikan është rreth 1 euro = 1.1621 dollarë amerikanë (USD).

Frangu zviceran konsiderohet prej kohësh si një nga monedhat më të sigurta dhe më stabile në botë, sidomos në periudha pasigurie ekonomike dhe tensioni në tregjet ndërkombëtare. Forcimi i tij shpesh lidhet me besimin e investitorëve në ekonominë dhe sistemin financiar të Zvicrës.

Ekspertët financiarë vlerësojnë se lëvizjet e fundit në kursin e këmbimit mund të ndikojnë në eksportet, turizmin dhe kostot e jetesës, veçanërisht për qytetarët evropianë që jetojnë apo punojnë në Zvicër./Albinfo.ch

Gjermani: Arrestohet një  çift nën dyshimin për spiunazh për Kinën

Policia gjermane ka arrestuar një çift të martuar në Mynih nën dyshimin se kanë spiunuar për llogari të Kinës dhe kanë kërkuar informacione mbi teknologji të avancuara me përdorim ushtarak, ka njoftuar prokuroria federale.

Të dy të arrestuarit, shtetas gjermanë të identifikuar pjesërisht si Xuejun C. dhe Hua S., dyshohet se kanë vepruar në emër të një agjencie kineze të inteligjencës. Autoritetet kanë kontrolluar banesat dhe vendet e tyre të punës.

Sipas hetuesve, çifti kishte krijuar kontakte me akademikë në universitete dhe institucione kërkimore gjermane, veçanërisht në fushat e inxhinierisë ajrore, shkencave kompjuterike dhe inteligjencës artificiale. Ata dyshohet se janë paraqitur si përkthyes ose punonjës të një kompanie automobilistike për të ndërtuar këto kontakte.

Prokuroria pretendon se disa shkencëtarë janë dërguar në Kinë me pretekstin e ligjëratave të paguara, por më pas kanë folur para punonjësve të industrisë ushtarake shtetërore, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, autoritetet po zhvillojnë masa hetimore edhe ndaj 10 personave të tjerë në disa qytete të Gjermanisë, të cilët konsiderohen dëshmitarë dhe jo të dyshuar.
Rasti vjen në një periudhë kur në Gjermani janë raportuar disa çështje të tjera spiunazhi të lidhura me Kinën, ndërsa zyrtarë gjermanë kanë paralajmëruar për rritje të aktivitetit të inteligjencës kineze në Evropë.

Hotelet zvicerane nën presion nga çmimet më të ulëta në platformat online

Hotelet në Zvicër po përballen me presion në rritje për shkak të çmimeve më të ulëta që shfaqen në platformat e rezervimeve online.

Sipas një studimi të publikuar të martën nga organizata Hotelleriesuisse, dhomat e hoteleve po listohen në faqe si Booking.com dhe Expedia me çmime më të ulëta se ato që ofrohen drejtpërdrejt nga vetë hotelet, shpesh pa miratimin e tyre.

Në vitin 2025, rreth gjysma e 171 hoteleve të anketuara thanë se ishin prekur nga ky fenomen, nga 40% që ishte një vit më parë. Në 83% të rasteve, hotelet nuk e kishin miratuar uljen e çmimeve.

“Zbritjet e çmimeve mund t’i detyrojnë hotelet të ulin edhe vetë tarifat e tyre direkte për të mbetur konkurruese, duke krijuar një spirale në rënie,” deklaroi drejtori i Hotelleriesuisse, Christian Hürlimann.

Sipas tij, hotelet rrezikojnë gjithashtu të humbasin gradualisht kontrollin mbi çmimet dhe shpërndarjen e tyre. Edhe pse rezervimet direkte ende përbëjnë pjesën më të madhe të tregut (59%), agjencitë online të udhëtimit (OTA) vazhdojnë të kenë ndikim të madh, duke qenë për shumë biznese partnerët kryesorë të shpërndarjes digjitale.

Tregu është gjithashtu shumë i përqendruar. Vetëm Booking.com përbën mbi 70% të rezervimeve online, ndërsa Expedia rreth 15%, transmeton albinfo.ch.

Megjithëse klauzolat e barazisë së çmimeve janë ndaluar, platformat OTA vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë indirekte përmes renditjes, dukshmërisë dhe programeve të zbritjeve. Rreth 29% e hoteleve raportojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta në vendosjen e çmimeve.

Përveç kësaj, përdorimi në rritje i modelit “multi-sourcing” – ku dhomat rishiten përmes palëve të treta – po prek më shumë se gjysmën e hoteleve, duke e bërë edhe më të vështirë kontrollin e çmimeve.

Ari në rënie të re: çfarë po ndodh me tregjet botërore?

Çmimi i arit ka regjistruar një tjetër ulje në bursat ndërkombëtare. Aktualisht, një gram ar tregtohet rreth 124 euro, ndërsa një ons (31.1 gramë) shkon në rreth 3,863 euro.

Sipas ekspertëve, kjo luhatje vjen si pasojë e pasigurive ekonomike globale, inflacionit dhe tensioneve gjeopolitike. Në periudha të tilla, ari vazhdon të shihet nga investitorët si një “strehë e sigurt” për kapitalin.

Megjithatë, çmimi i arit ndryshon vazhdimisht gjatë ditës, i ndikuar nga lëvizjet e dollarit amerikan dhe nga dinamika e ofertës dhe kërkesës në tregjet globale.

Haxhiu: “Dua” nderon Kosovën në Cannes, vlerësohet zëri autorial i filmit me çmimin SACD

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lajmit se filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli ka fituar çmimin prestigjioz SACD në kuadër të Semaine de la Critique të Festivalit të Cannes-it.

Haxhiu e ka vlerësuar këtë çmim si të rëndësishëm për autorësinë kinematografike, duke theksuar se ai shpërblen zërin autorial dhe origjinalitetin krijues të filmit, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka uruar regjisoren Blerta Basholli, aktoren Pinea Matoshi dhe gjithë ekipin e filmit, duke e cilësuar këtë sukses si një hap të rëndësishëm për prezantimin e Kosovës në kinematografinë ndërkombëtare.

Swiss Lotto: Analiza 20-vjeçare tregon numrat më shpesh të tërhequr

Një analizë e të dhënave të Swiss Lotto për rreth 20 vite tregon se disa numra janë tërhequr më shpesh se të tjerët, ndonëse çdo kombinim ka të njëjtën probabilitet në short.

Sipas statistikave, numri 36 është tërhequr 312 herë që nga viti 2007, duke u renditur si numri më i shpeshtë në lotari. Pas tij vijnë numrat 5 (306 herë) dhe 40 (305 herë).

Në anën tjetër, numri 27 është tërhequr vetëm 246 herë, duke qenë më pak i shpeshti në këtë periudhë. Po ashtu, numrat 35 dhe 37 janë tërhequr nga 290 herë secili.

Analiza tregon gjithashtu një tendencë të lojtarëve për të zgjedhur numra nga 1 deri në 31, shpesh të lidhur me data lindjesh apo përvjetorësh. Kjo ndikon në shpërndarjen e kombinimeve të luajtura, por jo në probabilitetin real të shortit, i cili mbetet i rastësishëm.

Ekspertët theksojnë se, pavarësisht statistikave historike, çdo numër në Swiss Lotto ka shanse të barabarta për t’u tërhequr në çdo short.

Filmi “Dua” i Blerta Bashollit fiton çmimin “SACD” në Kanë

Filmi “Dua” i regjisores kosovare Blerta Basholli është vlerësuar me çmimin “SACD” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Ky çmim ndahet në kuadër të seksionit paralel “Semaine de la Critique” nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgë.

Çmimi “SACD” zakonisht jepet për skenarin më të mirë ose për vepra me stil origjinal dhe ndikues. Basholli, e cila është edhe skenariste e filmit, e ka realizuar skenarin në bashkëpunim me Nicole Borgeat, transmeton albinfo.ch.

Filmi trajton realitetin e Kosovës së viteve ’90, ndërsa në kast përfshihen aktorët Arben Bajraktaraj, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Saviq.

Rregulla të reja për patentën në Zvicër nga viti 2027

Nga 1 janari 2027, në Zvicër ndryshon sistemi i marrjes së patentës së shoferit. Kursi i vetëdijes për trafikun (VKU) do të duhet të kryhet para provimit teorik, ndërsa përmbajtja e tij do të zgjerohet me tema të reja si sistemet moderne të ndihmës në vozitje dhe siguria rrugore.

Sipas Zyrës Federale të Rrugëve (ASTRA), edhe provimi teorik do të përfshijë pyetje nga VKU, duke trajtuar çështje si rreziku në trafik, shpërqendrimi dhe efikasiteti energjetik. Autoritetet theksojnë se provimi nuk pritet të bëhet më i vështirë, pasi materiali do të mësohet paraprakisht.

Reforma synon modernizimin e trajnimit të shoferëve, pasi VKU nuk është përditësuar për gati 30 vjet. Instruktorët e vozitjes e mirëpresin ndryshimin, por disa kërkojnë edhe rritje të mëtejshme të kërkesave për përmirësimin e sigurisë rrugore, transmeton albinfo.ch.

Debat i fortë në Bernë: 1/3 e të pastrehëve në strehimore pa dokumente

Në kantonin e Bernës në Zvicër është hapur debat pas publikimit të një raporti që tregon se në strehimoren emergjente për të rinj “Pluto”, rreth një e treta e qëndrimeve janë kryer nga persona pa leje të vlefshme qëndrimi ose me status të panjohur.

Sipas rregullave kantonale, strehimoret e financuara nga shteti nuk duhet të pranojnë persona pa dokumente, përveç rasteve kur ndodhen në situata që rrezikojnë jetën. Megjithatë, të dhënat tregojnë se 15.9% e përdoruesve nuk kishin status të rregullt, ndërsa për 15.9% të tjerë statusi nuk ishte i regjistruar.

Autoritetet dhe drejtuesit e strehimores argumentojnë se të pastrehët janë në gjendje emergjente dhe se rregulli lejon fleksibilitet në raste të veçanta. Qyteti i Bernës e mbështet këtë interpretim.

Kritikët, përfshirë përfaqësues politikë lokalë, e kundërshtojnë këtë qasje, duke thënë se nuk mund të justifikohet si “rrezik për jetën” fjetja jashtë, veçanërisht gjatë verës. Ndërkohë, kantoni ka njoftuar se do të rishikojë të dhënat dhe zbatimin e rregullores.

Debati ka nxitur reagime të shumta në Zvicër, ndërsa një peticion kundër shtrëngimit të rregullave ka mbledhur mijëra nënshkrime.

30 mjekë vënë në dyshim gjendjen mendore të Trump

30 mjekë amerikanë kanë shprehur shqetësim për gjendjen mendore të Donald Trump, duke vënë në dyshim aftësinë e tij për të ushtruar detyrën e presidentit.

Sipas një artikulli të publikuar në British Medical Journal, këta mjekë – përfshirë neurologë, psikiatër dhe psikologë – pretendojnë se Trump shfaq shenja të rënies së aftësive njohëse dhe sjellje impulsive. Ata e përshkruajnë situatën si potencialisht të rrezikshme dhe madje kërkojnë largimin e tij nga posti.

Mjekët përmendin si shembuj fjalime të paqarta, ndryshime të papritura të temave gjatë diskutimeve, lodhje të dukshme dhe momente konfuzioni në paraqitjet publike. Gjithashtu, janë vërejtur raste kur ai duket i pavëmendshëm në takime ose humbet përqendrimin.

Në disa raste, janë përmendur edhe deklarata të tij të forta dhe impulsive në politikën e jashtme, si dhe interpretime për sjellje të pazakontë dhe lëvizje fizike që kanë ngritur dyshime tek kritikët.

Mjekët gjithashtu kanë komentuar disa nga veprimet e tij në rrjete sociale, përfshirë postime të diskutueshme të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat janë interpretuar si shenjë e vetë-perceptimit të ekzagjeruar.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk është etike të vendoset diagnozë nga distanca pa ekzaminim të drejtpërdrejtë. Sipas rregullave të psikiatrisë, kjo konsiderohet joprofesionale. Ata shtojnë se, pavarësisht kësaj, situata kërkon vlerësim mjekësor të plotë.

Në fund, raportohet se Trump pritet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor, ndërsa debati mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe mendore po vazhdon të jetë temë politike dhe publike.

Zvicra ndër vendet më të dobëta në Evropë në luftën kundër duhanit

Zvicra është renditur pothuajse në fund të listës evropiane për përpjekjet kundër pirjes së duhanit, duke zënë vendin e 36-të nga gjithsej 37 shtete të vlerësuara. Këtë e bëri të ditur të mërkurën Shoqata Zvicerane për Parandalimin e Duhanit.

Sipas raportit më të fundit evropian, Zvicra renditet pranë vendeve të Evropës Lindore, Italisë dhe shteteve të Ballkanit. Vetëm Bosnja dhe Hercegovina ka performancë më të dobët. Në krye të listës gjenden Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda.

Nga shtetet fqinje të Zvicrës, Franca renditet në vendin e katërt, ndërsa Austria në vendin e 22-të dhe Gjermania në të 25-in.

Raporti evidenton mangësi të mëdha në ndalimin e reklamave të duhanit, mbrojtjen nga ndikimi i industrisë së duhanit, rregullimin e produkteve të reja me nikotinë dhe masat parandaluese. Gjithashtu, Zvicra mbetet i vetmi shtet i vlerësuar që ende nuk ka ratifikuar Konventën Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit.

Sipas raportit, pavarësisht disa ndryshimeve të fundit ligjore, Zvicra vazhdon të miratojë “ligje me boshllëqe të konsiderueshme” dhe me përjashtime në favor të industrisë së duhanit.

Shoqata Zvicerane për Parandalimin e Duhanit e cilësoi këtë renditje si një “alarm serioz politik”, duke kërkuar masa të forta, përfshirë ndalimin e plotë të reklamimit të duhanit, rregullim më të ashpër të produkteve të reja me nikotinë, rritje të ndjeshme të çmimeve të duhanit, forcim masiv të masave parandaluese dhe ratifikimin e menjëhershëm të konventës së OBSH-së.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar vazhdimisht Zvicrën për veprimet e pamjaftueshme në luftën kundër duhanit, veçanërisht te të rinjtë. Sipas të dhënave, rreth një e treta e të rinjve zviceranë nga mosha 15 deri në 25 vjeç konsumojnë duhan.

Zvicra planifikon reformën “AHV 2030” pa rritje të moshës së pensionimit

Qeveria zvicerane ka prezantuar reformën “AHV 2030”, e cila synon stabilizimin financiar të sistemit të pensioneve për periudhën 2030–2040, pa rritur për momentin moshën zyrtare të pensionimit.

Reforma parashikon përmirësimin e kontributeve në sigurimet shoqërore dhe nxitjen e qytetarëve për të qëndruar më gjatë aktivë në tregun e punës. Këshilli Federal ka hapur tashmë konsultimet me partitë politike dhe grupet e interesit për paketën e re të masave.

Sipas propozimit, pragu i të ardhurave mbi të cilin paguhen kontributet për sigurimin e pleqërisë dhe të mbijetuarve (AHV/AVS) për personat që vazhdojnë të punojnë pas moshës 65-vjeçare do të rritet nga 16,800 në 21,800 franga zvicerane.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e kufirit maksimal të moshës për kontributet në AHV, aktualisht 70 vjeç. Deri më tani, personat që punonin pas kësaj moshe nuk përfitonin më shtesa në pension.

Ministrja zvicerane e Sigurimeve Shoqërore, Elisabeth Baume-Schneider, deklaroi se suksesi i reformës varet edhe nga angazhimi i punëdhënësve.

“Ata nuk duhet të largojnë nga puna personat pranë pensionimit dhe duhet të punësojnë punëtorë më të moshuar kur ata plotësojnë kriteret”, theksoi ajo.

Pensionim më pak i hershëm

Edhe pse rritja e moshës së pensionimit nuk është aktualisht në tavolinë, autoritetet synojnë ta bëjnë sistemin më fleksibël në të ardhmen. Qeveria zvicerane propozon që në reformat e ardhshme të merren parasysh faktorë si vështirësia e profesionit, niveli i arsimit dhe natyra e punës.

Ndërkohë, për shtyllën e dytë pensionale, mosha minimale e pensionimit të hershëm pritet të rritet gradualisht nga 58 në 63 vjeç. Përjashtime do të lejohen në raste ristrukturimi ose marrëveshjesh kolektive, por mosha minimale nuk do të mund të jetë nën 60 vjeç.

Kontribute shtesë dhe mundësi për rritje të TVSH-së

Reforma synon gjithashtu një sistem më të drejtë të mbledhjes së kontributeve për të shmangur boshllëqet që mund të ndikojnë negativisht në pensionet e ardhshme.

Sipas propozimit:

Norma e kontributit për të vetëpunësuarit me të ardhura të larta do të rritet nga 8.1% në 8.7%, duke u barazuar me atë të punonjësve të rregullt.

Kompensimet ditore për sëmundje ose aksidente nuk do të përjashtohen më nga kontributet për pension.

Qeveria zvicerane vlerëson se këto masa mund të sjellin rreth 600 milionë franga shtesë në fondin e pensioneve deri në vitin 2040.

Financimi i reformës do të varet edhe nga mënyra se si do të mbulohet pagesa e pensionit të 13-të. Nëse Parlamenti zgjedh financim afatgjatë, nuk do të nevojiten masa shtesë. Në të kundërt, Këshilli Federal propozon rritjen e TVSH-së me 0.7 pikë përqindjeje.

Konsultimet publike për reformën do të zgjasin deri më 11 shtator.

Kantonet e Zvicrës qendrore kundër kthimit të statusit S në leje qëndrimi të përhershme

Disa kantone të Zvicrës qendrore janë shprehur kundër idesë për ta kthyer statusin e mbrojtjes S për refugjatët ukrainas në një leje të zakonshme qëndrimi, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve kantonale, një ndryshim i tillë do të sillte pasoja të mëdha për sistemin social, tregun e banesave dhe financat publike.

Statusi S u aktivizua nga Zvicra në vitin 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe u jep refugjatëve të drejtë qëndrimi dhe pune pa kaluar procedurat klasike të azilit. Megjithatë, ai konsiderohet status i përkohshëm dhe nuk krijon automatikisht të drejtë për qëndrim afatgjatë.

Konferenca e drejtorëve kantonalë të çështjeve sociale në Zvicrën qendrore argumenton se kthimi i statusit S në leje të rregullt qëndrimi do ta bënte shumë më të vështirë rikthimin e refugjatëve në Ukrainë pas përfundimit të luftës.

Kantonet paralajmërojnë gjithashtu se infrastruktura lokale tashmë është nën presion për shkak të mungesës së banesave dhe rritjes së kostove sociale.

Nga ana tjetër, organizata humanitare dhe disa parti politike argumentojnë se shumë ukrainas tashmë janë integruar në Zvicër, kanë punë dhe fëmijët e tyre ndjekin shkollat zvicerane, ndaj nevojitet më shumë siguri juridike për të ardhmen e tyre.

Aktualisht në Zvicër jetojnë dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas me status S, ndërsa debati për të ardhmen e tyre është bërë gjithnjë e më i ndjeshëm politikisht.