Mesazhi i Granit Xhakës për Arsenalin gjatë festës së titullit flet shumë

Granit Xhaka i ka dërguar një mesazh urimi ish-klubit të tij, Arsenal, pasi londinezët janë shpallur kampionë të Premier League, transmeton albinfo.ch.

“The Gunners” e siguruan titullin pasi Manchester City u ndal me barazim ndaj Bournemouth në stadiumin Vitality të martën mbrëma, rezultat që i hapi rrugë Arsenalit për kurorëzimin kampion.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori i Sunderland, Granit Xhaka, publikoi në rrjetet sociale një fotografi të tij së bashku me trajnerin Mikel Arteta nga koha kur ishin pjesë e Arsenalit në “Emirates Stadium”.

Xhaka, i cili kaloi shtatë vite në Arsenal, ku fitoi dy herë FA Cup dhe dy herë Community Shield, e vlerësoi suksesin e klubit si rezultat të përkushtimit dhe punës së madhe të trajnerit spanjoll.

Mesazhi i ish-kapitenit u prit pozitivisht nga tifozët, duke treguar se lidhja e tij me Arsenalin mbetet ende e fortë edhe pas largimit nga klubi./Albinfo.ch

KQZ sqaron votuesit e diasporës: Pakot me fletëvotime po dërgohen përmes DHL

Kosovë –Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me një sqarim për votuesit e regjistruar për votim me postë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, transmeton albinfo.ch.

KQZ ka bërë të ditur se ka përgatitur pakot me fletëvotime për secilin votues që gjatë regjistrimit ka zgjedhur këtë formë votimi. Sipas njoftimit, një numër i madh i pakove tashmë janë pranuar nga posta dhe pritet të shpërndahen në adresat përkatëse në ditët në vijim.

Po ashtu, KQZ ka sqaruar se votuesit që po pranojnë SMS ose e-mail nga DHL, do të njoftohen përmes një kodi gjurmimi, me të cilin mund ta përcjellin vendndodhjen e dërgesës.

“Operatori ekonomik u jep mundësi votuesve që ta pranojnë dërgesën në adresën e tyre ose ta tërheqin personalisht në pikën më të afërt të DHL”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, KQZ ka marrë vendim që procesi i votimit me postë të nisë katër ditë më herët, pra më 21 maj, në vend të datës së planifikuar 25 maj.

Ky ndryshim është bërë pasi KQZ është njoftuar nga kontraktori i shërbimeve postare se DHL dhe shërbimet postare në disa vende evropiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026, për shkak të një feste zyrtare, çka do të ndikonte në shpërndarjen dhe pranimin e dërgesave gjatë periudhës 22–26 maj./Albinfo.ch

Kur i thanë “nuk je për këngëtare”, Dua Lipa vendosi të mos dorëzohet

Historia e Dua Lipës është një dëshmi e qartë se talenti, guximi dhe këmbëngulja mund ta ndryshojnë fatin edhe atëherë kur të tjerët të thonë se nuk ia del, transmeton albinfo.ch.

Ajo lindi në Londër në vitin 1995, nga prindër shqiptarë të larguar nga Kosova gjatë luftës. Që në fëmijëri, Dua u rrit mes dy realiteteve: brenda shtëpisë flitej shqip, dëgjohej muzika dhe kultura shqiptare, ndërsa jashtë përpiqej të përshtatej me ritmin e një metropole si Londra. Ishte një jetë mes identiteteve, por edhe një rrugë që gradualisht do ta formësonte si artiste.

Dashuria për muzikën nisi herët. Dua provonte të këndonte në shkollë, por një fjali e thënë nga një mësuese do t’i mbetej gjatë në mendje: “Ti nuk je për të kënduar.” Për shumë të rinj, një vlerësim i tillë do të ishte fundi i ëndrrës. Për të, ishte vetëm fillimi i sfidës.

Në moshën 11-vjeçare, familja u kthye në Kosovë në një vend ende të prekur nga pasojat e luftës. Por në atë realitet të ri, Dua e ndjente se nuk e gjente veten. E kishte të qartë se ëndrra e saj për muzikën nuk mund të merrte formë aty ku ishte. Ajo donte të kthehej aty ku mund të rritej, të mësonte dhe të provonte veten: në Londër.

Dhe në moshën 15-vjeçare, ajo mori vendimin që do ta ndryshonte jetën. U kthye e vetme në Londër, me një guxim që pak adoleshentë do ta kishin. Ditën punonte për të siguruar jetesën – si kamariere dhe modele, ndërsa natën regjistronte këngë dhe publikonte cover-a në internet, duke shpresuar se një ditë dikush do ta dëgjonte. Nuk kishte garanci, nuk kishte rrugë të lehtë, kishte vetëm besim dhe punë.

Dhe një ditë… dikush e dëgjoi.

Në vitin 2017, kënga “New Rules” u shndërrua në një fenomen global dhe arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar. Ishte momenti kur Dua Lipa nuk ishte më thjesht një vajzë që ëndërronte – por një emër që po hynte fuqishëm në skenën botërore, transmeton tutje albinfo.ch.

Por fama nuk erdhi vetëm me duartrokitje. Në vitin 2018, pas performancës në Brit Awards, ajo u përball me një valë talljesh dhe kritikash në rrjetet sociale. Një koment viral u shpërnda kudo, duke u kthyer në simbol të paragjykimeve që shpesh i shoqërojnë artistët në ngritje. Për një moment, Dua u tërhoq, u largua nga rrjetet sociale dhe heshti.

Por ajo nuk u dorëzua.

Kur u rikthye, u rikthye më e fortë, më e përgatitur dhe më e vendosur. Me këngën “Don’t Start Now”, ajo dëshmoi se jo vetëm kishte mbijetuar, por ishte rritur. Kritikat nuk e ndalën – përkundrazi, e forcuan.

Dua Lipa nuk e ndryshoi ëndrrën e saj.

Ajo ndryshoi mënyrën se si bota e shihte.

Dhe sot, emri i saj këndohet në çdo skenë të madhe të botës: Dua Lipa./Albinfo.ch

Basha Troni, regjisori me rrënjë shqiptare që po spikat në Finlandë

Basha Troni është regjisor, skenarist dhe producent filmi, i njohur për stilin e tij të veçantë regjisorial dhe qasjen emocionale në tregimin e historive njerëzore. Ai është një finlandez suedezfolës me rrënjë shqiptare, ndërsa filmat e tij fokusohen në ndjeshmërinë e brendshme dhe lidhjen mes njerëzve, të shoqëruara me intensitet dhe gjallëri në realizim, transmeton albinfo.ch.

Troni ka shkruar dhe ka realizuar disa filma të shkurtër, përfshirë edhe “Death of a Boy” (2021), i cili është vlerësuar për mënyrën autentike të rrëfimit dhe trajtimin e emocioneve.

Aktualisht, ai është duke zhvilluar filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë, dramën romantike “The Letters”, ndërsa njëkohësisht ka edhe një seri në zhvillim në bashkëpunim me Aurora Studios.

Si ndikimet e tij më të mëdha në regji, Basha Troni ka përmendur emrat e njohur të kinemasë botërore, Taylor Hackford dhe Steven Spielberg, duke theksuar se ata kanë ndikuar fuqishëm në formësimin e stilit të tij krijues./Albinfo.ch

 

Uta Ibrahimi rrëfen ngjitjen e dytë në Everest: Mbi 8 mijë metra ndjeva praninë e babait

Alpinistja nga Kosova, Uta Ibrahimi, ka ndarë emocionet e ngjitjes së saj të dytë në majën më të lartë në botë, Mount Everest, duke e cilësuar këtë ekspeditë si një përvojë të thellë dhe krejtësisht të ndryshme nga hera e parë, transmeton albinfo.ch.

Ibrahimi ka treguar se këtë herë në Everest nuk ishte vetëm si alpiniste, por edhe në rolin e guides dhe udhëheqëses, duke mbajtur përgjegjësi të madhe për sigurinë e ekipit në kushte ekstreme dhe rrezik të lartë.

Ajo tha se ngjitja u bë edhe më e veçantë pasi ndodhi në një datë personale të lidhur me familjen, ndërsa gjithë rrugëtimi ishte i mbushur me emocione dhe kujtime të forta.

Në rrëfimin e saj, Ibrahimi theksoi se mbi 8 mijë metra lartësi, mes erërave të forta dhe vështirësive të Everestit, kishte ndjerë praninë shpirtërore të babait të saj, duke e bërë këtë arritje edhe më personale dhe domethënëse./Albinfo.ch

A po deformojnë rrjetet sociale mënyrën si informohemi?

Autoriteti i medias në Holandë ka shprehur shqetësim për ndikimin që rrjetet sociale kanë në mënyrën se si qytetarët marrin dhe kuptojnë lajmet, duke thënë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë formimi i një opinioni të lirë dhe të informuar.

Sipas një raporti të ri, gjithnjë e më shumë qytetarë holandezë, sidomos të rinjtë, po i marrin informacionet nga platforma si TikTok, Instagram dhe X.

Raporti thekson se përmbajtja në këto platforma përcaktohet nga algoritme që zgjedhin çfarë shfaqet në “feed”-et e përdoruesve, shpesh duke favorizuar postime sensacionale ose kontroverse, pasi ato sjellin më shumë ndërveprim, transmeton albinfo.ch.

Autoriteti paralajmëron se kompanitë e rrjeteve sociale kanë interesa financiare për të shpërndarë përmbajtje tërheqëse, edhe kur ajo nuk është gjithmonë e besueshme, ndërsa përdoruesit kanë shumë pak kontroll mbi atë që u shfaqet.

Sipas tyre, ky model mund të dëmtojë cilësinë e informacionit dhe mënyrën se si formohet opinioni publik.

Në Cyrih promovohet libri “1998–1999. Vitet e Kosovës” i Blerim Shala

Të shtunën, më 23 maj 2026, në Cyrih do të mbahet promovimi i librit “1998–1999. Vitet e Kosovës” të publicistit Blerim Shala, një vepër që trajton periudhën vendimtare të luftës dhe rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ngjarja do të zhvillohet nga ora 14:30 në SOHO(Hardstrasse 260, 8005 Zürich). Në promovim do të jetë i pranishëm edhe autori, ndërsa botuesi Enver Robelli do të mbajë fjalën hyrëse dhe do të zhvillojë një bashkëbisedim me autorin Blerim Shala rreth zhvillimeve politike, diplomatike dhe ushtarake të viteve 1998–1999.

Libri sjell një kronikë të ngjarjeve që çuan në çlirimin e Kosovës, duke trajtuar Konferencën e Rambouillet-së, ndërhyrjen e NATO-s, diplomacinë ndërkombëtare, si dhe dramën e dëbimit dhe kthimit të refugjatëve shqiptarë gjatë luftës.

Vepra është ribotuar nga Shtëpia Botuese “Dora d’Istria” me synimin që lexuesit shqiptarë, veçanërisht diaspora, të kenë mundësi të rikthehen te një nga periudhat më përcaktuese të historisë së Kosovës.

Detajet e ngjarjes:

• Libri: “1998–1999. Vitet e Kosovës”

• Autori: Blerim Shala

• Data: 23 maj 2026

• Ora: 14:30

• Vendi: SOHO | Events Location

Adresa: Hardstrasse 260, 8005 Zürich

Për më shumë informacione: https://www.dorabooks.com/product-page/blerim-shal…

 

Zakonet e lëvizjes së zviceranëve ndryshojnë për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve

Përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve, zviceranët po rishikojnë mënyrën se si udhëtojnë, sipas një sondazhi të ri.

Rreth 42.1% e 1,000 personave të anketuar midis fundit të prillit dhe mesit të majit thanë se po përdorin më shpesh transportin publik, ndërsa 35.2% deklaruan se po ecin më shumë në këmbë, sipas një sondazhi të institutit kërkimor Marketagent Schweiz.

Më pak se një e treta (23.6%) thanë se po përdorin më shpesh biçikletën ose skuterin, ndërsa 14.7% po punojnë më shpesh nga shtëpia.

Edhe pse shumica e të anketuarve shprehen të shqetësuar për çmimet e larta të karburanteve dhe thonë se kjo po ndikon në buxhetin e tyre, më shumë se gjysma (56.9%) nuk planifikojnë të blejnë një automjet elektrik për shkak të kësaj situate. Vetëm 4.2% tashmë kanë blerë një të tillë, ndërsa 16.9% po e shqyrtojnë këtë mundësi.

Nëse do të blinin një makinë të re, 32.6% do të zgjidhnin një hibrid, 31% benzinë, ndërsa 26.1% do të zgjidhnin një automjet elektrik. Dizeli po humb terren, me vetëm 7.1% të të anketuarve që e konsiderojnë këtë lloj motori.

Kërkesa për makina elektrike në Zvicër është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, me një rritje prej 48% në kërkimet online, 69% në kërkesat për kontakt dhe 40% në shitje në platformën AutoScout24, sipas operatorit të platformës SMG, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, pjesa e makinave elektrike në flotën e përgjithshme të automjeteve në Zvicër është stabilizuar (21.7% e regjistrimeve të reja, me një rritje prej 1.2 pikë përqindjeje).

Ndërkohë, karikimi i një automjeti elektrik është më i lirë sesa mbushja e një rezervuari benzine, sidomos kur bëhet në shtëpi ose në punë. Një analizë e fundit e Swisscharge tregon se kostoja është rreth 5.23 franga zvicerane për 100 km, krahasuar me 11.08 franga për një makinë me benzinë.

SWISS anulon fluturimet nga Gjeneva drejt Prishtinës, Berlinit dhe Hamburgut

SWISS ka njoftuar se gjatë sezonit të ardhshëm dimëror do të anulojë tre linja që nisen nga Gjeneva: drejt Prishtinës, Berlinit dhe Hamburgut. Vendimi vjen si pasojë e mungesës së pjesëve të këmbimit dhe problemeve me mirëmbajtjen e motorëve të flotës Airbus A220.

Sipas kompanisë, këto vështirësi logjistike kanë ndikuar tashmë në operimet e saj, duke detyruar anulimin e disa fluturimeve edhe gjatë sezonit të pikut të këtij viti. Situata lidhet veçanërisht me sfidat në mirëmbajtjen e motorëve, të cilat kanë kufizuar përdorimin e avionëve në fluturime të shkurtra dhe mesatare, transmeton albinfo.ch.

Më herët, SWISS kishte marrë vendim të mbajë të tokëzuar për deri në 18 muaj nëntë avionë Airbus A220-100, me qëllim përdorimin e motorëve të tyre për avionët më të mëdhenj A220-300, të cilët transportojnë më shumë pasagjerë.

“Për të forcuar më tej stabilitetin operativ dhe besueshmërinë e planifikimit, SWISS po përshtat shërbimet nga Gjeneva,” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Sipas orarit të ri, gjatë sezonit dimëror që zgjat nga 25 tetori 2026 deri më 27 mars 2027, SWISS do të operojë 15 destinacione të shkurtra nga Gjeneva, përveç linjës së gjatë drejt Nju Jorkut.

Problemi me furnizimin e pjesëve dhe mirëmbajtjen e flotës Airbus A220 vazhdon prej muajsh, duke ndikuar në planifikimin e kompanisë dhe në stabilitetin e rrjetit të saj ajror.

Nestlé dhe Danone tërheqin fshehurazi formulat për foshnje të kontaminuara me cereulid

Sipas një hetimi të realizuar nga RTS në bashkëpunim me Radio France dhe RTBF, kompanitë Nestlé dhe Danone kanë tërhequr në mënyrë “diskrete” produkte të formulave për foshnje nga farmacitë dhe supermarketet në disa vende të Evropës, pasi ishte zbuluar prania e cereulidit – një toksinë potencialisht e rrezikshme.

Sipas një raporti parlamentar francez të publikuar të martën, në këtë rast janë evidentuar “mangësi serioze” si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga vetë prodhuesit, tranemeton albinfo.ch.

Tërheqje e heshtur nga tregu

Në bashkëpunim me autoritetet në Gjermani dhe Austri, Nestlé dhe Danone kanë hequr nga qarkullimi produktet e dyshuara pa bërë njoftim publik për konsumatorët.

Sipas autoriteteve të landit Hessen në Gjermani, ku ndodhet selia e Nestlé-së, tërheqja publike e produkteve të Nestlé është bërë më 5 janar 2026, ndërsa disa produkte ishin hequr nga tregu që më 24 dhjetor 2025, si pjesë e një tërheqjeje të heshtur.

Për Danone, tërheqja publike është bërë më 30 janar 2026, ndërsa disa produkte ishin hequr që më 24 janar 2026.

Prani e toksinës në nivele të ndryshme

Autoritetet austriake të sigurisë ushqimore kanë konfirmuar praninë e cereulidit në disa mostra të produkteve të Nestlé-së, me përqendrime 0.7 dhe 0.5 µg/kg pluhur. Këto nivele janë mbi vlerat referuese të përcaktuara nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Megjithatë, autoritetet theksojnë se një tërheqje publike kërkohet vetëm kur produkti vlerësohet si i rrezikshëm për shëndetin.

Si pasojë, për disa javë, foshnja në Gjermani dhe Austri kanë konsumuar këto produkte pa u informuar për rrezikun e mundshëm, ndërsa në disa vende të tjera produktet kanë vazhduar të shiten.

Vonesa në tërheqje publike

Në rastin e formulës Aptamil të Danone, tërheqja publike e një lote është bërë më 29 janar 2026 në Shqipëri, më 31 janar në Luksemburg dhe më 6 shkurt në Mbretërinë e Bashkuar – disa ditë pas tërheqjes së heshtur në Gjermani dhe Austri.

Reagimet dhe padia në Francë

Sipas burimeve të hetimit, drejtoria franceze e mbrojtjes së popullsisë (DDPP) në departamentin Aisne ka referuar rastin në prokurori sipas nenit 40 të Kodit të Procedurës Penale, duke ngritur dyshime për shkelje të detyrimeve ligjore të njoftimit.

Në Francë, prodhuesit e ushqimeve janë të detyruar të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse ekziston dyshim për rrezik ndaj shëndetit publik. Mosrespektimi i këtij detyrimi mund të dënohet me deri në 6 muaj burg dhe gjobë deri në 150,000 euro.

Qëndrimi i kompanisë Nestlé

Nestlé ka deklaruar se prioriteti i saj kryesor është siguria e konsumatorëve dhe se tërheqja publike bëhet vetëm pasi të jenë verifikuar plotësisht faktet dhe produktet e prekura.

Sipas kompanisë, veprimet e parakohshme mund të çonin në tërheqje të pasakta ose jo të plota të produkteve.

Kritika ndaj kontrolleve dhe sistemit të mbikëqyrjes

Raporti parlamentar francez gjithashtu ngre shqetësime mbi efektivitetin e kontrolleve ndaj furnizuesve dhe thekson mungesën e burimeve të mjaftueshme të autoriteteve mbikëqyrëse, të cilat shpesh mbështeten në vetëkontrollin e prodhuesve.

Ligjvënësit francezë kërkojnë që këto mangësi të adresohen urgjentisht për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.

Garë miliardëshe për ekspertët e AI, mes tyre edhe Mira Murati

Gjigantët e teknologjisë dhe startup-et e inteligjencës artificiale po zhvillojnë një garë të ashpër për të tërhequr një grup shumë të kufizuar ekspertësh që konsiderohen kyç për zhvillimin e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI).

OpenAI, Meta, Google, DeepMind, Anthropic, xAI dhe Safe Superintelligence po konkurrojnë për një numër të vogël studiuesish dhe inxhinierësh elitë, të cilët kanë aftësi për të ndërtuar sisteme të avancuara të AI në shkallë globale.

Sipas raportimeve, kjo garë ka çuar në paketa kompensimi shumë të larta, përfshirë paga, bonuse dhe aksione që në disa raste arrijnë në shifra nëntëshifrore, si dhe fushata rekrutimi të drejtuara drejtpërdrejt nga drejtues të kompanive të mëdha teknologjike, shkruan euronews transmeton albinfo.ch.

Në këtë treg shumë konkurrues janë veçuar disa nga figurat më të njohura të industrisë:

Ilya Sutskever, ish-kryeshkencëtar i OpenAI dhe bashkëthemelues i Safe Superintelligence, i cili shihet si një nga figurat më me ndikim në kërkimin e AI.

Mira Murati, ish-drejtuese teknologjike e OpenAI dhe themeluese e Thinking Machines Lab, e cila ka tërhequr menjëherë ekip të ish-studiuesve të OpenAI.

Alexandr Wang, themelues i Scale AI, i cili tashmë ka marrë rol drejtues në strukturat e AI të Meta-s.

Demis Hassabis, drejtues i Google DeepMind dhe fitues i Çmimit Nobel në Kimi për punën në AI dhe biologji kompjuterike.

Andrej Karpathy, ish-OpenAI dhe Tesla, i njohur për ndikimin e tij në zhvillimin e sistemeve autonome dhe komunitetin e zhvilluesve.

Ekspertët vlerësojnë se konkurrenca për talent në AI po bëhet një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të industrisë, ku “kapitali njerëzor” po konsiderohet më i rëndësishëm se infrastruktura apo teknologjia vetë.

Në këtë garë globale, vetëm një numër shumë i vogël profesionistësh po përcakton drejtimin e së ardhmes së inteligjencës artificiale.

Rënie e obezitetit tek fëmijët në Zvicër, shenja pozitive pas 20 vitesh monitorimi

Epidemia e “obezitetit” tek fëmijët dhe adoleshentët në Zvicër duket se ka kaluar pikun e saj, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Fondacioni Zviceran për Promovimin e Shëndetit.

Në fillim të monitorimit para rreth 20 vitesh, rreth një në pesë nxënës ishte mbipeshë ose obez. Sot kjo shifër ka rënë ndjeshëm dhe për vitin 2024/25 pritet të arrijë rreth 15.5%.

Sipas raportit të publikuar të martën, i cili shënon 20-vjetorin e këtij monitorimi, në qytetet Basel, Bern dhe Zurich vitin e kaluar rreth një në gjashtë nxënës është konsideruar mbipeshë – niveli më i ulët i regjistruar që nga fillimi i matjeve, transmeton albinfo.ch.

“Mbipesha tek nxënësit në Basel, Bern dhe Zurich ka qenë në rënie për 20 vite,” thuhet në raportin e Fondacionit.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore theksojnë se problemi mbetet ende shqetësues: një në gjashtë nxënës është ende mbipeshë, ndërsa rreth një në 25 vuan nga obeziteti.

Të dhënat dhe tendencat

Që nga viti shkollor 2005/06, fondacioni ka analizuar të dhënat për indeksin e masës trupore të fëmijëve dhe adoleshentëve në arsimin e detyrueshëm, në bashkëpunim me shërbimet shëndetësore shkollore në Basel, Bern dhe Zurich.

Sipas të dhënave, në 20 vitet e fundit niveli i mbipeshës ka rënë nga rreth 20% në rreth 15.5% në vitin 2024/25.

Rënia është më e theksuar në arsimin e mesëm të ulët, me rreth pesë pikë përqindjeje më pak, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë është regjistruar një rënie më e vogël prej rreth tre pikë përqindjeje.

Në këtë grupmoshë, në vitet 2010 u vërejt një rritje e lehtë e mbipeshës, por vitet e fundit trendi është kthyer në rënie.

Faktori social mbetet vendimtar

Sipas Fondacionit për Promovimin e Shëndetit në Zvicër, faktorët socio-demografikë luajnë rol të rëndësishëm në rrezikun e mbipeshës.

Fëmijët nga lagje më të privilegjuara preken më rrallë nga mbipesha, ndërsa dallimet gjinore janë minimale. Ndërkohë, ndikimi i kombësisë është bërë më pak i rëndësishëm në vitet e fundit.

Për vitin shkollor 2024/25, analiza është bazuar në të dhënat e 15,178 nxënësve në Basel, Bern dhe Cyrih.

Edhe pse trendi është pozitiv dhe tregon një rënie të qëndrueshme të mbipeshës tek të rinjtë, ekspertët theksojnë se problemi mbetet ende i pranishëm dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga sistemi shëndetësor dhe shoqëria.

Neuchâtel refuzon kurset për përgatitjen e prindërve të ardhshëm

Parlamenti i kantonit Neuchâtel ka hedhur poshtë një propozim që synonte futjen e kurseve për përgatitjen e prindërve të ardhshëm. Motioni i paraqitur nga grupet Socialiste dhe GreenPOP u refuzua të martën me 48 vota kundër, 44 pro dhe 6 abstenime nga deputetët e GreenPOP, të cilat rezultuan vendimtare.

Qëllimi i nismës ishte rritja e ndërgjegjësimit te prindërit e ardhshëm për sfidat e rritjes së një fëmije, veçanërisht në lidhje me barazinë prindërore dhe parandalimin e dhunës. Propozimi parashikonte gjithashtu forcimin e përfshirjes së prindit të dytë në kujdesin perinatal, si dhe parandalimin dhe zbulimin e hershëm të depresionit pas lindjes.

“Kurset prenatale fokusohen kryesisht te lindja dhe ushqyerja me gji, ndërsa babai shpesh mbetet në plan të dytë. Megjithatë, shumë burra hasin vështirësi në rolin e tyre të ri familjar dhe rreth 10% e tyre përjetojnë gjithashtu depresion pas lindjes,” deklaroi Misha Müller (PS), nismëtari i propozimit.

Këshilli i Shtetit nuk ishte kundër idesë, duke theksuar se kjo çështje bën pjesë në strategjinë kantonale për politikën familjare. “Prindërimi është diçka që e bëjmë pa trajnim paraprak… kurset për përgatitjen e prindërve nuk do të ishin as absurde dhe as të tepërta,” u shpreh këshilltarja shtetërore Florence Nater, përgjegjëse për kohezionin social.

Megjithatë, Partia Popullore Zvicerane (UDC), grupi PLR-Le Centre dhe Partia Liberal-Ekologjike (PVL) e kundërshtuan propozimin, duke argumentuar se shteti nuk duhet të ndërhyjë në sferën private. Sipas tyre, ekziston rreziku që prindërit të fajësohen ose që vështirësitë normale pas lindjes të patologjizohen. Po ashtu, u shprehën shqetësime për kostot e mundshme të këtyre kurseve.

Ndërkohë, FDP propozoi një amendament që zëvendësonte termin “babai” me “prindi i dytë”, i cili u miratua.

Zyrtare: Zvicra në Botëror me Xhakën e Jasharin

Përzgjedhësi i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën me 26 lojtarët që do të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut për Kupën e Botës 2026, e cila zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Pas një procesi dyditor përzgjedhjeje, trajneri zviceran ka vendosur për emrat që do të përfaqësojnë Zvicrën në turneun më të madh të futbollit botëror, transmeton albinfo.ch.

Në mesin e futbollistëve të ftuar janë edhe Zeki Amdouni dhe Breel Embolo, pavarësisht se të dy kanë kaluar një sezon jo të lehtë me klubet e tyre. Ndërkohë, pjesë e listës është edhe talenti Johan Manzambi, emër që ishte përfolur prej ditësh në mediat zvicerane.

Në mesin e futbollistëve të përfshirë në listë janë edhe Granit Xhaka dhe Ardon Jashari, të cilët gjithashtu pritet të kenë rol të rëndësishëm në skuadër gjatë turneut.

Federata Zvicerane dhe trajneri Murat Yakin pritet që gjatë ditëve në vijim të publikojnë edhe detaje shtesë rreth përgatitjeve të ekipit para nisjes për në Amerikën e Veriut.

Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Zvicra synon një paraqitje sa më të suksesshme në këtë edicion.

Votimi me postë për zgjedhjet e 7 qershorit nis më 21 maj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që votimi me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të fillojë më 21 maj 2026, katër ditë më herët sesa ishte planifikuar fillimisht.

Vendimi u mor në mbledhjen e 52-të të KQZ-së, e kryesuar nga Kreshnik Radoniqi, përmes procedurës qarkulluese, transmeton albinfo.ch.

Sipas KQZ-së, ndryshimi i afatit është bërë pas njoftimit nga kompania postare DHL dhe disa shërbime postare europiane, të cilat nuk do të punojnë më 25 maj për shkak të një feste zyrtare.

KQZ ka bërë të ditur se gjatë periudhës 22–26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave në disa vende europiane, prandaj procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime do të nisë më herët për të shmangur vonesat.

Sipas vendimit, të gjithë votuesit e regjistruar për votim me postë do t’i pranojnë pakot me fletëvotime duke filluar nga 21 maji.

Sa kursime kanë qytetarët e Kosovës në banka

Depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në bankat komerciale në Kosovë kanë vazhduar të mbeten në nivele të larta edhe gjatë vitit 2026, duke kaluar shifrën prej 6.75 miliardë euro, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka Qendrore, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit të BQK-së për rezervën e obliguar dhe likuiditetin bankar, në prill të vitit 2026 depozitat totale në bankat komerciale kanë arritur në 6 miliardë e 753 milionë euro, duke shënuar rritje të lehtë prej rreth 0.15 për qind krahasuar me muajin mars.

Në mars 2026, depozitat ishin në nivelin 6.74 miliardë euro, ndërsa në shkurt 2026 kishin arritur në 6.79 miliardë euro, që përbën nivelin më të lartë të regjistruar në muajt e parë të vitit. Në krahasim me një vit më parë, vërehet rritje e ndjeshme e kursimeve në sistemin bankar. Në janar 2025, depozitat totale ishin rreth 5.79 miliardë euro, ndërsa në dhjetor 2025 kishin arritur në 6.48 miliardë euro.

Raporti thekson gjithashtu se bankat komerciale kanë vazhduar të mbajnë nivele të konsiderueshme të rezervave financiare. Në prill 2026, totali i rezervave të aseteve të bankave, që përfshin balancat në BQK dhe paranë e gatshme, arriti në rreth 840.3 milionë euro.

Nga kjo shumë, 681.4 milionë euro ishin të depozituara në Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa 158.9 milionë euro përbënin para të gatshme në banka.

Të dhënat tregojnë se rezervat e bankave kanë qenë mbi minimumin e kërkuar ligjor. Në prill 2026, bankat kishin rreth 164.9 milionë euro më shumë se niveli minimal i rezervës së obliguar, duke reflektuar stabilitet të likuiditetit bankar.

Rezerva e obliguar përfaqëson shumën minimale që bankat duhet ta mbajnë si garanci financiare për të siguruar stabilitetin e sistemit bankar dhe për të përmbushur kërkesat e klientëve.

Sipas BQK-së, sistemi bankar në Kosovë vazhdon të mbetet likuid, ndërsa depozitat mbeten në nivele të larta pavarësisht luhatjeve të vogla mujore.

Asetet e BQK-së në fund të prillit 2026 arritën vlerën prej 1.90 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 38.02 milionë euro krahasuar me muajin mars. Nga gjithsej asetet, investimet në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit më 30 prill 2026 arritën rreth 1.38 miliardë euro.

Krahasuar me muajin paraprak, këto investime janë rritur për 19.12 milionë euro, ku depozitat janë rritur për 13.64 milionë euro, ndërsa letrat me vlerë për 5.48 milionë euro.

Depozitat në BQK deri më 30 prill 2026 ishin 1.59 miliardë euro, me rritje prej 37.05 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake.

Kapitali i Bankës Qendrore të Kosovës ishte 137.69 milionë euro. Asetet e rezervës ndërkombëtare në fund të prillit 2026 arritën në 1.48 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 42.13 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Zvicra voton në qershor për taksa, paga dhe banesa

Përveç referendumit kombëtar “No to 10 million”, qytetarët në disa kantone të Zvicrës do të votojnë më 14 qershor edhe për çështje lokale që prekin taksat, pagat minimale, qiratë dhe oraret e dyqaneve.

Në kantonin e Bazelitt, votuesit do të vendosin nëse taksat duhet të zbriten automatikisht nga paga mujore, në vend të sistemit aktual ku pagesat bëhen një herë në vit. Propozimi do të detyronte kompanitë me mbi 50 punonjës të transferonin një pjesë të pagës direkt tek autoritetet tatimore, megjithëse punonjësit do të kishin të drejtë të dilnin nga sistemi. Debati është bërë politikisht i ndjeshëm, pasi prek çështje si përgjegjësia individuale dhe roli i shtetit, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Në Gjenevë, qytetarët do të votojnë për zgjerimin e orareve të hapjes së dyqaneve. Amendamenti i propozuar do të lejonte hapjen e dyqaneve deri në orën 17:00 më 31 dhjetor dhe në dy të diela gjatë vitit. Puna të dielave do të ishte vullnetare dhe do të paguhej me 100% shtesë ose me pushim kompensues.

Në kantonin Vaud, tema kryesore është paga minimale. Një iniciativë kërkon që në kushtetutën kantonale të garantohet një pagë minimale prej 23 frangash në orë, e lidhur automatikisht me koston e jetesës. Një kundërpropozim i parlamentit kantonal ofron të njëjtën shumë minimale, por me fleksibilitet më të madh për marrëveshjet kolektive të punës.

Ndërkohë në Cyrih do të votohen disa iniciativa të rëndësishme për banesat dhe taksat. Një propozim kërkon rritjen automatike të zbritjeve tatimore për sigurimet shëndetësore sipas rritjes reale të primeve.

Po ashtu, qytetarët e Cyrihut do të vendosin për tri iniciativa të lidhura me krizën e banesave:

ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme dhe jofitimprurëse

rregulla më të forta kundër dëbimeve pas renovimeve

dhe krijimin e më shumë apartamenteve për pronësi private në projektet e subvencionuara nga shteti.

Referendumet kantonale konsiderohen shumë të rëndësishme në sistemin zviceran të demokracisë direkte, pasi kantonet kanë kompetenca të mëdha në fusha si taksat, strehimi dhe tregu i punës.

Gjithnjë e më shumë persona po refuzohen në kufijtë e Evropës

Numri i personave që po refuzohen në kufijtë e Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ky trend pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, raporton The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2025 rreth 132,600 shtetas jo-BE u refuzuan në kufijtë e jashtëm të BE-së, një rritje prej 7% krahasuar me vitin 2024.

Refuzimet më të shumta u regjistruan në:

Poloni

Francë

Kroaci

dhe Spanjë.

Ndër personat e refuzuar kishte edhe shtetas nga India, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Në Zvicër, qytetarët amerikanë ishin grupi i tretë më i madh i personave të refuzuar në kufi gjatë vitit 2025.

Sipas ekspertit të migracionit Carmine Conte nga Migration Policy Group në Bruksel, të dhënat tregojnë një “zbatim më të ashpër të kontrollit kufitar në Evropë” dhe një qasje gjithnjë e më të fortë kundër migracionit të parregullt. Ai paralajmëroi se “ky trend ka gjasa të vazhdojë”, në përputhje me objektivin e BE-së për të reduktuar migracionin ilegal dhe për të rritur deportimet.

Një rol të madh po luan edhe sistemi i ri digjital i hyrje-daljeve të BE-së, i njohur si Entry/Exit System (EES), i cili regjistron elektronikisht hyrjet dhe daljet në zonën Schengen. Vetëm në muajt e parë të funksionimit, sistemi ka kontribuar në mijëra refuzime hyrjeje.

Ndërkohë, numri i personave të identifikuar si qëndrim ilegal në BE ka rënë me mbi 21%, por numri i urdhrave për largim nga territori evropian është rritur.

Kosovari do të dëbohet nga Gjermania, pas garës rrugore me fatalitet

Një burrë 28-vjeçar kosovar i cili shkaktoi vdekjen e një gruaje 43-vjeçare gjatë një gare të paligjshme rrugore në Moers në vitin 2019 lejohet të deportohet në Kosovë. Gjykata e Lartë Administrative për Shtetin e Rhein-Westfalisë Veriore në Münster njoftoi këtë të martën, transmeton albinfo.ch.

Qyteti i Duisburgut e kishte marrë vendimin për të dëbuar kosovarin sot 28 vjeçar, kishte refuzuar t’i zgjaste lejen e qëndrimit dhe e kishte kërcënuar me dëbim, shkruan dpa.de. Gjykata Administrative e Düsseldorf-it e kishte rrëzuar padinë e tij në mars 2026 dhe gjithashtu kishte hedhur poshtë një kërkesë urgjente të bërë ng mbrojtja e tij.

Gjykata arsyetoi se personi në fjalë vazhdon të paraqesë rrezik për të kryer vepra të mëtejshme penale. Për më tepër, urdhri për zbatim të menjëhershëm u konsiderua i ligjshëm për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të recidivizmit dhe kostove të burgimit.

I dënuri e apeloi këtë vendim paraprak në Gjykatën e Lartë Administrative.

Megjithatë, Senati i 18-të e hodhi poshtë ankesën si të papranueshme, përcjell albinfo.ch. Aplikanti e kundërshtoi vendimin vetëm në lidhje me rrezikun e përsëritjes, por jo arsyetimin e pavarur të gjykatës administrative në lidhje me kostot e burgimit.

Vendimi është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.

Çfarë ndryshon në Zvicër gjatë qershorit 2026

Muaji qershor do të sjellë një sërë ndryshimesh dhe ngjarjesh të rëndësishme në Zvicër, duke përfshirë referendume kombëtare, masa sigurie në kufi, zgjerim të transportit hekurudhor dhe vendime lokale për taksat e pagat, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Nga 1 qershori hyn në fuqi në kantonin e Cyrihut “Mobility Initiative”, e miratuar nga 57% e votuesve. Masa i jep autoriteteve kantonale më shumë kontroll mbi kufijtë e shpejtësisë në rrugët kryesore dhe autostrada, ndërsa kufizimi 30 km/h do të aplikohet vetëm në raste të veçanta.

Nga 1 deri më 19 qershor zhvillohet sesioni veror i parlamentit federal, ku deputetët do të diskutojnë tema si:

bashkimi familjar për martesat me “proxy”

shërbimi ushtarak për shtetasit dualë franko-zviceranë

dhe masat për lehtësimin e borxheve të familjeve.

Më 14 qershor zviceranët do të votojnë për dy çështje kombëtare:

iniciativën “No to 10 million”, që synon kufizimin e popullsisë në 10 milionë banorë

dhe ndryshime në ligjin për shërbimin civil, që do ta bënin më të vështirë kalimin nga ushtria në shërbimin civil.

Po atë ditë do të mbahen edhe disa referendume kantonale. Në Gjenevë do të votohet për zgjerimin e orareve të hapjes së dyqaneve të dielave, në Vaud për pagën minimale prej 23 frangash në orë, ndërsa në Cyrih për çështje që lidhen me qiratë dhe zbritjet tatimore për sigurimet shëndetësore.

Më 14 qershor do të zhvillohet edhe greva feministe vjetore, ku mijëra gra pritet të dalin në protesta në të gjithë Zvicrën për çështje si pagat, kushtet e punës dhe kujdesi për fëmijët.

Nga 15 deri më 17 qershor, samiti i G7 në Evian të Francës do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në Gjenevë. Autoritetet zvicerane do të vendosin kontrolle më të ashpra kufitare dhe do të mbyllin rreth 30 pika të vogla kufitare mes Francës dhe Zvicrës. Vonesa të mëdha në trafik priten sidomos në pikat kryesore kufitare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm vjen më 18 qershor, kur operatori European Sleeper do të nisë linjën e re të trenit të natës që lidh Bernën me Brukselin, Amsterdamin dhe Milanon. Treni do të qarkullojë tri herë në javë në secilin drejtim.

Më 21 qershor nis zyrtarisht vera astronomike në hemisferën veriore, ndërsa më 30 qershor skadon afati për deklaratat tatimore me shtyrje në disa kantone, përfshirë Ticinon, Vaud-in dhe Zugin.

Zvicra planifikon zgjerim të madh të linjave ndërkombëtare të trenave

Kompania hekurudhore zvicerane Swiss Federal Railways (SBB) po planifikon zgjerim të madh të lidhjeve ndërkombëtare me tren, për shkak të rritjes së vazhdueshme të kërkesës për udhëtime hekurudhore në Evropë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Një nga projektet më ambicioze mbetet linja direkte mes Zvicrës dhe Londrës, e cila ka bërë së fundmi një tjetër hap përpara pas memorandumit të bashkëpunimit mes SBB, SNCF Voyageurs dhe Eurostar. Megjithatë, realizimi i saj pritet vetëm në vitet 2030.

SBB po planifikon gjithashtu zgjerimin e disa linjave ekzistuese shumë të përdorura:

linja Cyrih–Munih, ku numri i pasagjerëve u rrit me 27% gjatë vitit 2025

lidhjet Bazel–Frankfurt, Këln, Berlin dhe Hamburg

më shumë trena drejt Parisit

si dhe zgjerim të lidhjeve drejt Venecias dhe qyteteve të tjera italiane.

Nga dhjetori 2026 pritet të shtohet një tren i dytë ditor EuroCity mes Cyrihut dhe Venecias. Ndërkohë, lidhja direkte drejt Bolonjës do të zgjatet deri në Firence, ndërsa treni sezonal drejt Gjenovës do të vazhdojë deri në La Spezia.

Në drejtim të Francës, SBB dhe TGV Lyria presin rritje të fortë të udhëtarëve drejt Parisit, sidomos nga Gjeneva dhe Lozana. Kompania parashikon që deri në vitin 2035 mbi 10 mijë persona në ditë mund të udhëtojnë mes Zvicrës dhe kryeqytetit francez.

Planet përfshijnë edhe investime të mëdha brenda Zvicrës, si:

zgjerimi i stacionit Cornavin në Gjenevë

zgjerimi i stacionit SBB në Bazel

tuneli Zimmerberg II

dhe zgjerimi i linjave mes Bernës, Cyrihut dhe Lozanës.

Paralelisht, Bashkimi Evropian po shqyrton krijimin e një sistemi unik evropian për blerjen e biletave ndërkombëtare, që do ta bënte më të lehtë rezervimin e udhëtimeve hekurudhore ndërkufitare edhe për pasagjerët nga Zvicra.

Hoffenheim-i mund të përfitojë 100 milionë euro nga futbollistët e Kosovës

Hoffenheim-i ishte afër Ligës së Kampionëve, por në fund siguroi pjesëmarrjen për Ligën e Evropës.

Në skuadrën gjermane luajnë tre futbollistët e Kosovës, Fisnik Asllani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu.

Sipas faqes Sofascore, skuadra gjermane mund të përfitojë 100 milionë euro nëse i shet, pasi aq është vlera e tyre.

Sidoqoftë, Asllani është më i kërkuari, derisa Hajdari dhe Avdullahu pritet të vazhdojnë në Gjermani.

Fisniku ka vlerë 31 milionë euro, Albiani 20 dhe Leoni 27 milionë euro.