Sa e përdorin të rinjtë Inteligjencën Artificiale

Një sondazh i realizuar në tetor 2025 me rreth 2,500 të rinj amerikanë të moshës 18–28 vjeç, në bashkëpunim me Gallup, tregon se të rinjtë e përdorin IA më shumë për produktivitet sesa për shoqëri apo këshilla personale.

Rreth 74% e të rinjve kanë përdorur një chatbot me IA të paktën një herë në muajin e fundit. Përdorimet më të shpeshta janë si zëvendësues i Google (65%), për detyrat e punës (52%) dhe për shkrim (46%).

Vetëm një e treta (32%) e përdorin për këshilla personale, 23% “si mik” dhe 10% si “partner romantik”. Kjo bie ndesh me perceptimin se të rinjtë e përdorin IA kryesisht për shoqëri apo terapi, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në fakt, të dhënat nga OpenAI dhe Anthropic tregojnë se bisedat për punë janë shumë më të shpeshta sesa ato për këshilla personale.

Megjithatë, marrëdhënia e Brezit Z me IA është e mbushur me ambivalencë dhe shqetësim.

79% mendojnë se IA i bën njerëzit më dembelë.

62% mendojnë se i bën më pak të zgjuar.

Tre frikëra kryesore dalin në pah:

Zëvendësimi i të mësuarit përmes përpjekjes – frika se njerëzit nuk zhvillojnë më aftësi, sepse “IA bën punën për ta”.

Dobësimi i të menduarit kritik – përdoruesit marrin informacion, por nuk e përpunojnë.

Zëvendësimi i të mësuarit social – më pak ndërveprim me njerëz realë, më shumë izolim.

Studime nga MIT dhe Wharton konfirmojnë se përdorimi i IA ul përpjekjen mendore dhe thellësinë e të menduarit, megjithëse rrit shpejtësinë.

Nga ana tjetër, ka edhe arsye për optimizëm. Disa të rinj raportojnë se IA:

u ofron perspektiva të reja,

ndihmon në ndarjen e problemeve komplekse,

kursen kohë duke marrë përsipër punë rutinë.

Eksperimente tregojnë se, edhe pse IA e bën punën më të lehtë, ajo mund të përmirësojë aftësitë nëse përdoret si model mësimor.

Autorët japin katër rekomandime për punëdhënësit:

të pranojnë ambivalencën ndaj IA,

të mos e ndalojnë përdorimin e saj,

të reduktojnë frikën përmes eksperimentimit,

të theksojnë përdorime që rrisin aftësitë njerëzore, jo që i zëvendësojnë.

IA nuk është thjesht mjet teknologjik, por një faktor që do të formësojë mënyrën si brezi i ri punon, mëson dhe mendon.

Brezi Z e sheh si të dobishme, por njëkohësisht si rrezik për zhvillimin intelektual dhe social.

Agjencia Austriake për Zhvillim mbështet edukimin medial të të rinjve në Kosovë

Falë mbështetjes së Agjencisë Austriake për Zhvillim, të rinjtë në Partesh janë duke përfituar nga programi #PONDER, i cili synon zhvillimin e shkathtësive të të menduarit kritik dhe rritjen e ndërgjegjësimit për edukimin medial. Përmes aktiviteteve dhe trajnimeve të ndryshme, pjesëmarrësit po mësojnë të analizojnë informacionin, të vënë në pikëpyetje burimet dhe të krijojnë qasje më të sigurt në përballjen me përmbajtjet mediale, transmeton Albinfo.ch.

Në një kohë kur rrjetet sociale dhe informacioni online ndikojnë gjithnjë e më shumë në formimin e opinioneve, edukimi medial po konsiderohet një ndër mjetet kryesore për fuqizimin e të rinjve. Programi #PONDER synon të ndihmojë pjesëmarrësit të sfidojnë paragjykimet, të dallojnë informacionin e saktë nga dezinformimi dhe të zhvillojnë mendim të pavarur, duke i përgatitur ata për një përfshirje më aktive dhe të vetëdijshme në shoqëri./Albinfo.ch

 

Kosovë, thirrje për protestë kundër rritjes së çmimit të rrymës

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Protesta pritet të mbahet të premten, duke filluar nga ora 13:00 para ndërtesës së KEDS-it dhe më pas do të vazhdojë drejt Qeverisë së Kosovës.

Aktivistja Qëndresa Hyseni ka bërë të ditur se protesta do të zgjasë rreth dy orë dhe ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kundërshtimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Sipas saj, rritja e çmimit të rrymës prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe ndikon në rritjen e kostos së jetesës.

Hyseni ka theksuar se kundërshtimi qytetar është i domosdoshëm, duke paralajmëruar se një rritje e mundshme prej rreth 20 për qind e faturave të energjisë do të ndikonte negativisht në standardin jetësor të qytetarëve. Ajo ka shtuar se protesta e së premtes shihet si hap i parë i veprimeve qytetare, të cilat, sipas saj, do të vazhdojnë deri në pezullimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës.

Sipas organizatorëve, protesta është iniciativë e shoqërisë civile dhe nuk ka karakter partiak. Ata kanë theksuar se çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë dhe të shprehë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

Organizatorët presin pjesëmarrje të konsiderueshme qytetare, ndërsa protesta pritet të zgjasë nga ora 13:00 deri në orën 15:00.

Presidentja Osmani kundër shtrenjtimit të ri të rrymës, do t’i drejtohet ZRRE-së

Vetëm një vit pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) miratoi rritjen e tarifave të energjisë elektrike me 16 për qind, kompania KESCO ka dorëzuar kërkesë të re për shtrenjtim të rrymës, kësaj here rreth 21 për qind. Kërkesa pritet të shqyrtohet nga ZRRE, ndërsa Presidenca e Kosovës ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë çdo rritje eventuale të çmimit të energjisë, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar se Presidenca do të mbajë të njëjtin qëndrim si në vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik. Ai ka bërë të ditur se komentet zyrtare do të dorëzohen sapo të hapet thirrja publike për konsultime.

Qëndrimi i Presidencës pritet të jetë i ngjashëm me kundërshtimin institucional të shprehur edhe vitin e kaluar, kur ZRRE po shqyrtonte rritjen e tarifave për vitin 2025. Në dokumentin e publikuar më 28 mars 2025, Presidenca kishte argumentuar se rritja e çmimit të energjisë ishte në kundërshtim me kornizën ligjore dhe nuk merrte parasysh situatën ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.

Sipas Presidencës, ZRRE ka obligim ligjor që në radhë të parë të mbrojë konsumatorin, ndërsa rritja e tarifave nuk mund të shihet si zgjidhje e vetme për problemet strukturore të sektorit energjetik. Në reagimet e mëhershme ishte theksuar se një vendim i tillë do të rriste barrën financiare për qytetarët dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e inflacionit, kostos së jetesës dhe uljen e fuqisë blerëse.

Të dhënat e publikuara nga Presidenca tregojnë se rritja kumulative e tarifave të energjisë në Kosovë në katër vitet e fundit ka arritur gati 126 për qind, ndërsa periudhat e rritjeve më të mëdha kanë përkuar me norma të larta inflacioni. Gjithashtu, është theksuar se krahasimi i çmimit të energjisë me vendet e rajonit nuk mund të bëhet pa analizuar të ardhurat mesatare dhe standardin jetësor të qytetarëve.

Presidenca ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e transparencës nga operatorët energjetikë, duke theksuar se raportet financiare për vitin paraprak nuk ishin publikuar, çka e vështirëson vlerësimin real të kostove dhe humbjeve që përdoren si argument për rritjen e tarifave. Sipas saj, një pjesë e rritjes së kostove lidhet edhe me mosrealizimin e prodhimit të planifikuar nga KEK-u, gjë që ka rritur importin e energjisë me çmime më të larta.

Në vend të shtrenjtimit të energjisë, Presidenca ka propozuar masa alternative, si subvencionimi i energjisë për kategoritë më të ndjeshme, kufizimi i humbjeve të lejuara për operatorët, përmirësimi i pagesës së faturave në komunat veriore, reduktimi i përkohshëm i TVSH-së për energjinë elektrike dhe krijimi i skemave të pagesës me këste për qytetarët.

Muriqi shkëlqen në Evropë, futet në top-5 e garës për “Këpucën e Artë”

Gara për çmimin prestigjioz “Këpuca e Artë” europiane po bëhet gjithnjë e më e fortë, me dy nga sulmuesit më të mirë në botë, Harry Kane dhe Kylian Mbappé, që vazhdojnë të ndajnë vendin e parë në renditje. Sulmuesi anglez i Bayern Munich dhe ylli francez i Real Madridit kanë grumbulluar nga 44 pikë secili, falë 22 golave të realizuar në kampionatet respektive, përcjell albinfo.ch.

Pas tyre renditet sulmuesi norvegjez i Manchester Cityt, Erling Haaland, i cili aktualisht ka 40 pikë dhe mbetet një pretendent serioz në garën për podiumin. Ndërkohë, vëmendje të veçantë po tërheq edhe sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili po kalon një sezon shumë të mirë me Mallorcan dhe renditet në mesin e pesë golashënuesve më të mirë në Evropë, me 30 pikë.

Në listën e përditësuar, paraqitje të mirë po vazhdon të ketë edhe kapiteni i Interit, Lautaro Martinez. Sulmuesi argjentinas ka arritur në kuotën e 13 golave dhe 26 pikëve, duke u renditur aktualisht në pozitën e 13-të dhe duke mbajtur ende gjallë shpresat për t’u afruar me kreun e renditjes.

Çmimi “Këpuca e Artë” jepet mbi bazën e numrit të golave të shënuar gjatë sezonit, të shumëzuar me koeficientin e kampionatit përkatës sipas renditjes së UEFA-s. Golat e realizuar në pesë ligat më të forta europiane – Angli, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Francë – vlejnë nga 2 pikë, ndërsa golat në kampionatet e renditura nga vendi i gjashtë deri në të njëzetedytin vlejnë 1.5 pikë. Në ligat e tjera, çdo gol vlerësohet me 1 pikë.

Top-5 aktuale e renditjes për “Këpucën e Artë” europiane:

• Harry Kane (Bayern Munich) – 44 pikë

• Kylian Mbappé (Real Madrid) – 44 pikë

• Erling Haaland (Manchester City) – 40 pikë

• Igor Thiago (Brentford) – 32 pikë

• Vedat Muriqi (Mallorca) – 30 pikë

Ngjarje tragjike në Itali, katër anëtarë të një familjeje shqiptare gjenden të vdekur në banesë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje, që dyshohet të jenë me origjinë shqiptare, kanë humbur jetën si pasojë e helmimit me monoksid karboni. Tragjedia ndodhi në Rughi, një zonë në provincën e Luccës, transmeton albinfo.ch.

Referuar raportimeve nga policia italiane, thuhet se  ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, kur familja u gjet e pajetë brenda banesës, ku dyshohet se rrjedhja e gazit ka shkaktuar helmimin fatal.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa identiteti i viktimave ende nuk është bërë publik.

Alarmi u ngrit nga një i afërm i familjes, i cili, pasi nuk arriti të kontaktonte me ta, njoftoi shërbimet e emergjencës.

Ekipet e shpëtimit, ambulancat dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Sipas raportimeve, përveç katër viktimave, një person tjetër është gjetur në gjendje kritike dhe është dërguar për trajtim mjekësor, transmeton tutje albinfo.ch.

Mediat italiane, përfshirë Tgcom24, raportojnë se familja dyshohet të jetë me origjinë të huaj, me shumë gjasë nga Shqipëria, ndërsa hetimet vazhdojnë për të konfirmuar identitetin dhe shkaqet e sakta të tragjedisë./Albinfo.ch

Mungesë e shurupit Dafalgan për fëmijë për shkak të ndryshimit të ambalazhit

Versioni i rimbursueshëm i shurupit Dafalgan për fëmijë ka munguar në tregun zviceran që nga fundi i vitit 2025. Si pasojë, prindërit janë të detyruar të blejnë versionin me pagesë, të njohur si Dafalgan Dolo, i cili nuk mbulohet nga sigurimi bazë shëndetësor.

Sipas Shoqatës Farmaceutike të kantonit Vaud, mungesa nuk lidhet me problemet e zakonshme të furnizimit, por me një ndryshim në ambalazhin e produktit. Prodhuesi UPSA kishte propozuar një ambalazh të ri me kapak sigurie, i cili u miratua për Dafalgan Dolo, por jo për versionin e rimbursueshëm, për të cilin Swissmedic kërkoi ndryshime shtesë në dizajnin grafik.

Kjo procedurë administrative ka shkaktuar vonesa dhe mungesë të produktit në farmaci. Swissmedic thekson se nuk ishte njoftuar për rrezikun e mungesës, ndërsa UPSA pranon se mungesa e komunikimit ka ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Prodhimi i ambalazhit të ri pritet të përfundojë në fund të shkurtit, ndërsa furnizimet në Zvicër pritet të rifillojnë gjatë muajit mars, me rikthim gradual të shurupit Dafalgan në farmaci gjatë pranverës.

Reshje ekstreme shiu në Spanjë, Portugali dhe Marok: dhjetëra mijëra të evakuuar

Spanja, Portugalia dhe Maroku janë përfshirë nga kushte të jashtëzakonshme moti, me reshje të dendura shiu, stuhi dhe rrezik për përmbytje, duke detyruar autoritetet të mobilizojnë shërbimet e emergjencës dhe të evakuojnë dhjetëra mijëra banorë.

Në Spanjë, mbi 3,000 persona janë evakuuar në jug të vendit si masë parandaluese. Agjencia Kombëtare e Meteorologjisë (Aemet) ka shpallur alarm të kuq, niveli më i lartë, për zonat e Kadizit dhe Rondës, si dhe për vargmalet Grazalema dhe zonën e Ngushticës së Gjibraltarit. Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe vërshimeve të shpejta. Shumica e shkollave janë mbyllur dhe është kërkuar shmangia e udhëtimeve.

Në Portugali, e gjithë vija bregdetare është vendosur nën alarm portokalli për shkak të detit të trazuar dhe reshjeve të forta të shiut, të shoqëruara me erëra të forta dhe reshje bore në disa rajone veriore dhe qendrore. Shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë në rreth 200 incidente, kryesisht për përmbytje urbane dhe pemë të rrëzuara. Vendi po përballet ende me pasojat e stuhive të njëpasnjëshme, përfshirë stuhinë Kristin, e cila javën e kaluar shkaktoi pesë viktima.

Në Marok, mbi 50,000 persona janë evakuuar në veri të vendit që nga e premtja e kaluar, kryesisht si masë parandaluese. Provinca e Larashit, veçanërisht qyteti Ksar El Kébir, është ndër zonat më të prekura nga përmbytjet. Autoritetet kanë njoftuar për reshje të forta shiu, stuhi, reshje bore në lartësi mbi 1,500 metra dhe temperatura të ulëta. Forcat e Armatosura Mbretërore janë angazhuar për të mbështetur operacionet e ndihmës dhe strehimin e të prekurve.

Ekspertët theksojnë se gadishulli Iberik dhe Afrika Veriore po përballen gjithnjë e më shpesh me fenomene ekstreme moti, një prirje e lidhur ngushtë me ndryshimet klimatike.

Zvicër: Mbi 1 milion persona u kapën pa biletë në transportin publik në vitin 2025

Numri i udhëtarëve që përdorin transportin publik pa biletë të vlefshme në Zvicër ka arritur një rekord të ri në vitin 2025. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1.1 milion raste janë regjistruar në sistemin qendror SynServ, ndërsa pothuajse gjysma e tyre janë shkelës të përsëritur.

Gjatë vitit të kaluar, 1,173,295 persona u kapën duke udhëtuar pa biletë të vlefshme ose me biletë pjesërisht të vlefshme në trena, autobusë, tramvaje dhe mjete të tjera të transportit publik. Këtë e ka konfirmuar Alliance SwissPass, raportuar nga mediumi Watson.

Pse është rritur numri i shkeljeve?

Autoritetet theksojnë se kjo rritje duhet parë në kontekst:

Numri i udhëtarëve është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar

Kontrollet janë bërë më të shpeshta nga kompanitë e transportit

Kompania më e madhe, SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane), nuk jep detaje mbi shpeshtësinë e kontrolleve, duke deklaruar se kjo bëhet për të ruajtur “efektin parandalues”.

Kush udhëton më shpesh pa biletë?

Sipas statistikave të Alliance SwissPass:

62.1% e shkelësve janë persona të moshës 26–64 vjeç

Vetëm 4.3% janë mbi moshën 65 vjeç

Në 46% të rasteve, personat ishin tashmë të regjistruar në sistem, pasi ishin kapur të paktën tre herë më parë pa biletë të vlefshme

Rregullat dhe gjobat

Rregullat për udhëtimin pa biletë janë të njëjta në të gjithë Zvicrën dhe rregullohen nga Tarifa 600.

Me biletë pjesërisht të vlefshme:

Shkelja e parë: 70 franga

Shkelja e dytë: 70 + 40 franga

Shkelja e tretë: 70 + 70 franga

Pa biletë të vlefshme:

Shkelja e parë: 90 franga

Shkelja e dytë: 90 + 40 franga

Shkelja e tretë: 90 + 70 franga

Dëme të mëdha financiare

Sipas zëdhënëses së Alliance SwissPass, Michaela Ruoss, shmangia e pagesës së biletave i shkakton sektorit të transportit publik rreth 200 milionë franga zvicerane humbje në vit.

Nga ana tjetër, SBB thekson se këto humbje në fund mbulohen nga udhëtarët që paguajnë rregullisht biletën dhe nga publiku i gjerë.

Jeffrey Epstein kishte interes të blinte vila luksoze në Lucern dhe Zug në Zvicër

Dokumentet e sapo publikuara në lidhje me skandalin e të dënuarit amerikan për abuzim seksual, Jeffrey Epstein (i cili vdiq në moshën 66 vjeç), zbulojnë detaje të panjohura më parë. Sipas tyre, Epstein kishte shfaqur interes për disa prona luksoze në Zvicrën qendrore, përfshirë dy vila në Lucern dhe Zug, raporton gazeta zvicerane Zuger Zeitung, transmeton albinfo.ch.

Në vitin 2010, Epstein mori informacion për pronën “Villa Rose” në Meggen, Lucern, një kompleks prej 10,200 m² buzë Liqenit të Lucernit. Vila përfshinte një shtëpi për anijet, banesa për stafin, park, qasje në liqen, spa, pishinë të brendshme dhe sistem të avancuar mbikëqyrjeje. Ajo i përkiste atëherë tregtarit amerikan të mallrave Marc Rich, i njohur për stilin e tij të shquar dhe i ndarë nga jeta në 2013.

Sipas raportimeve, ekzekutivi i basketbollit amerikan David Stern i kishte ofruar Epstein vilën përmes një emaili, duke shpjeguar se blerja mund të bëhej “shpejt dhe pa agjenci”, pasi ai njihte personalisht Rich. Pyetja e Stern përfundonte me: “Interesuar?” – dhe Epstein duket se kishte shfaqur interes. Megjithatë, disa ditë më vonë, kur ai kërkoi informacion mbi statusin e marrëveshjes, nuk mori asnjë përgjigje. Blerja nuk u realizua kurrë.

Raportohet gjithashtu se Stern i kishte tërhequr vëmendjen Epstein edhe tek një pronë luksoze në kantonin e Zugut, por detajet mbeten të panjohura.

Pas vdekjes së Marc Rich, vila u bleu nga koleksionisti kanadez i artit Robert Landau dhe bashkëshortja e tij Alice në vitin 2014. Landau ka ruajtur shumë nga arredimet origjinale të Rich dhe i ka hapur gazetës Blick dyert e vilës në një vizitë ekskluzive në vitin 2023, duke treguar edhe koleksionin e tij të çmuar të artit. Vila përmban banjo të ndriçuara me ar dhe parket të importuar nga Pallati i Versajës.

Ky informacion vjen ndërkohë që dosjet e Epstein vazhdojnë të zbulojnë lidhje të panjohura të tij me pronarë të pasur, figura politike dhe koleksionistë arti në mbarë botën.

Medikamenti i parë për Alzheimer-in i autorizuar në Zvicër

Autoriteti zviceran i barnave, Swissmedic, ka autorizuar për herë të parë një medikament që mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes Alzheimer. Barnimi, i quajtur Donanemab dhe zhvilluar nga kompania Eli Lilly me emrin tregtar Kisunla, synon pacientët në fazat e hershme të sëmundjes dhe ka për qëllim të vonojë rënien njohëse, transmeton albinfo.ch.

Si funksionon dhe rreziqet:

Donanemab është një antitrup që redukton depozitat e proteinave në tru. Megjithatë, trajtimi ka edhe rreziqe të mundshme, si ënjtje apo gjakderdhje në tru, dhe kërkon monitorim të kujdesshëm.

Swissmedic ka vlerësuar se përfitimet e substancës aktive janë më të mëdha se efektet e mundshme anësore. Në një njoftim të përbashkët për shtyp me Swiss Memory Clinics, organizata Alzheimer Switzerland ka mirëpritur këtë autorizim.

Kostoja dhe mbulimi nga sigurimet shëndetësore:

Akoma nuk është e qartë nëse barnat do të mbulohen nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore në Zvicër.

Ky zhvillim hap një shteg të ri në trajtimin e Alzheimer-it, duke ofruar shpresë për pacientët dhe familjet e tyre.

Shëndeti mendor në Zvicër u godit më pak nga Covid-i se në vendet e tjera, sipas një studimi

Një studim i Universitetit të Bazelit tregon se pandemia e Covid-19 ka pasur një ndikim më të lehtë mbi shëndetin mendor të zviceranëve krahasuar me shumë vende të tjera.

Për studimin, pak më shumë se 4,000 persona që jetojnë në Zvicër plotësuan vullnetarisht një pyetësor gjatë pandemisë. Ata dhanë informacion mbi mirëqenien e tyre, ndërsa 3,400 persona gjithashtu folën për gjendjen e tyre mendore ndërsa lajmet për Covid-19 dominonin dhe ndërprisnin rutinat e tyre të përditshme, transmeton albinfo.ch.

I njëjti pyetësor u përdor edhe në vende të tjera. Në Zvicër, si në pjesën tjetër të botës, pandemia ndikoi në mirëqenien e njerëzve dhe rriti nivelet e stresit. Por, në krahasim ndërkombëtar, barrën psikologjike ishte më pak e rëndë, si dhe rënia e ndjenjës së mirëqenies.

Mirëqenia dhe besimi në sistemin shëndetësor

Sipas Christian Huber, autorit kryesor të studimit, disa faktorë mund të shpjegojnë këtë “përjashtim zviceran”. Para pandemisë, niveli i mirëqenies ishte tashmë më i lartë në Zvicër, ndërsa masat për të kufizuar përhapjen e virusit ishin më pak të rrepta se në shumë vende të tjera.

Siguria se njerëzit kanë akses në kujdes shëndetësor cilësor dhe një sistem social të fortë ndihmoi gjithashtu në lehtësimin e stresit psikologjik të shkaktuar nga pandemia. Edhe shkalla e vdekshmërisë mund të ketë luajtur një rol. Stresi i shkaktuar nga Covid-19 ishte më i lartë në Afrikën e Jugut, Meksikë, Bjellorusi dhe Kazakistan.

Dallime sipas rajoneve

Të dhënat e mbledhura tregojnë dallime mes rajoneve të Zvicrës. Banorët e Ticinos, rajonit të Liqenit të Gjenevës dhe veriperëndimit të vendit vuajtën më shumë gjatë pandemisë se sa ata të Rrafshit Zviceran dhe Zvicrës lindore.

Christian Huber shpjegon se kjo mund të lidhet me faktin që masat kundër pandemisë nuk ishin të njëjta në të gjitha kantonet. Po ashtu, njerëzit në zonat urbane mund të jenë ndikuar më shumë nga kufizimi i kontakteve sociale dhe anulimi i ngjarjeve kulturore krahasuar me ata që jetonin në zona më pak të populluara. Kufizimet përkalimi kufitar gjatë pandemisë mund të kenë ndikuar gjithashtu tek morali.

Megjithëse studimi u bazua në përgjigje vullnetare dhe nuk është përfaqësues për të gjithë popullsinë, rezultatet ofrojnë një pasqyrë të rëndësishme mbi efektet psikologjike të pandemisë në Zvicër, thotë Christian Huber.

Sigurimet private refuzojnë rimbursimin e faturave: Qindra pacientë të prekur në Gjenevë dhe Vaud

Qindra pacientë me sigurim privat ose gjysmë-privat përballen me refuzimin e rimbursimit të faturave mjekësore nga shtatë kompani të sigurimeve shëndetësore: CSS, Helsana, Visana, Sanitas, Concordia, KPT dhe Swica. Përplasja ka të bëjë me kërkesën e siguruesve që mjekët të përdorin një tarifë të re, të aprovuara nga FINMA, ndërsa mjekët preferojnë të mbajnë sistemin aktual të tarifave.

Një rast i veçantë është Caroline Hochmann, e diagnostikuar me kancer gjiri, e cila u detyrua të paguante vetë për operacionin pasi sigurimi mund të mos mbulonte faturën. Avokati i saj, Marc Balavoine, raporton se 464 pacientë kanë dorëzuar ankesa të ngjashme.

Autoritetet kantonale po kërkojnë që siguruesit dhe mjekët të gjejnë një zgjidhje, ndërsa pacientët mbeten në pritje të rimbursimit. Konflikti vjen pasi disa mjekë refuzojnë të adoptojnë tarifat e reja, duke çuar në rimbursim të pjesshëm ose të munguar të faturave nga sigurimet plotësuese.

Tragjedi në Gjermani: Konduktori i trenit humb jetën pas sulmit nga pasagjeri pa biletë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Rheinland-Pfalz, Gjermani, ku një konduktor i trenit ka humbur jetën pasi u sulmua nga një pasagjer që nuk kishte biletë.

Incidenti ndodhi gjatë kontrollit të biletave në një tren rajonal që sapo kishte nisur nga stacioni i Landstuhl. Kur konduktori i kërkoi të paguante ose të zbriste, pasagjeri 26-vjeçar u përfshi në një debat verbal me të dhe më pas e sulmoi fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.

Konduktori u dërgua menjëherë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetojë.

Çka mund të vizitosh në Shqipëri për 7 ditë

Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Evropë, falë bukurive natyrore, trashëgimisë historike dhe çmimeve konkurruese, shkruan faqja turistike “Turisti per caso”.

Një udhëtim 7-ditor mjafton për të zbuluar esencën e vendit, duke përfshirë qytete historike, peizazhe malore dhe plazhe që rivalizojnë destinacionet më të famshme të Mesdheut, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Tirana, porta hyrëse e turizmit shqiptar

Udhëtimi nis në Tiranë, kryeqytetin dinamik të Shqipërisë.

Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia Et’hem Bej dhe zonat kulturore si Blloku ofrojnë një panoramë të qartë të transformimit urban dhe historik të vendit.

Për turistët që kërkojnë natyrë, mali i Dajtit ofron pamje panoramike dhe ajër të pastër vetëm pak minuta nga qendra e qytetit.

Kruja dhe Shkodra, histori dhe identitet kombëtar

Vetëm një orë larg Tiranës ndodhet qyteti simbol i rezistencës shqiptare. Kalaja dhe pazari karakteristik osman mbeten ndër atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj.

Në veri, Shkodra përfaqëson një tjetër shtyllë të rëndësishme kulturore, me kalanë e Rozafës, liqenin e Shkodrës dhe traditën e pasur artistike që e ka bërë këtë qytet një qendër historike të rëndësishme.

Berati dhe Gjirokastra, pasuri botërore e UNESCO-s

Itinerari vijon drejt jugut me ndalesë në Berat, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Lagjet Mangalem dhe Gorica, si dhe kalaja mbi qytet, përbëjnë një nga komplekset urbane më autentike në Ballkan.

Gjirokastra, po ashtu pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, tërheq vizitorë me arkitekturën e saj unike prej guri, rrugicat karakteristike dhe kalanë madhështore që dominon qytetin.

Riviera Shqiptare, perla e Mesdheut

Pika kulmore e udhëtimit mbetet Riviera Shqiptare. Plazhe si Ksamil, Dhërmi dhe Himara ofrojnë ujëra kristal, natyrë të paprekur dhe një atmosferë gjithnjë e më të zhvilluar turistike.

Kjo zonë po promovohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare si një alternativë cilësore ndaj destinacioneve të shtrenjta të Greqisë dhe Italisë.

Durrësi dhe Apollonia, fundi i udhëtimit

Në kthim drejt Tiranës, turistët mund të ndalen në Durrës, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i njohur për amfiteatrin romak dhe bregdetin e gjatë.

Një tjetër ndalesë me vlerë historike është Apollonia, një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të vendit.

Turizmi në rritje dhe potenciali i pashfrytëzuar

Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria ofron një përvojë të plotë brenda një territori të vogël, ku distancat janë të shkurtra dhe larmia e përvojave është e madhe.

Mikpritja tradicionale, kuzhina autentike dhe zhvillimi i infrastrukturës po e bëjnë vendin gjithnjë e më tërheqës për turistët evropianë dhe ndërkombëtarë.

Me një itinerar të balancuar mes kulturës, natyrës dhe relaksit, Shqipëria po afirmohet si një destinacion ideal për pushime intensive, duke u renditur gjithnjë e më lart në hartën turistike të Evropës.

Swisscom mund të duhet të paguajë kompensim për humbjen e shërbimit televiziv

Swisscom po përballet me thirrje për t’u paguar klientëve të saj kompensim pas dështimeve me shërbimin e saj televiziv, transmeton albinfo.ch.

Dhjetëra mijëra njerëz mendohet se janë goditur të hënën dhe pastaj përsëri dje në mëngjes.

Edhe pse në kontratën e Swisscom me shkronja të vogla, thuhet se nuk mund të garantojë shërbim të pandërprerë – por drejtuesja e Fondacionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Sara Stadler, i tha gazetës Bick se pretendimet nuk janë të përjashtuara, por secila do të duhet të trajtohet individualisht.

Studentët e Gjenevës rezervojnë “mjekë me video”

Pothuajse 15% e studentëve në Universitetin e Gjenevës nuk e kanë vizituar mjekun vitin e kaluar për shkak të kostos, sipas Observatorit të Jetës Studentore.

Për të ndihmuar, universiteti ka nisur vizitat me mjekë me video me kosto të ulët.

Që nga nëntori, studentët mund të rezervojnë konsulta online për 30 CHF përmes projektit Télémaque, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se pesëdhjetë e kanë përdorur tashmë shërbimin, kryesisht për mbështetje të shëndetit mendor dhe sëmundje të zakonshme.

Projekti financohet për tre vjet dhe synon ta bëjë kujdesin shëndetësor më të lehtë për t’u aksesuar midis klasave.

Shqipëria, e para për “rënien e rinisë”

Të dhënat e Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15-29 vjeç në Evropë tregojnë një tablo shqetësuese për Shqipërinë, e cila renditet e para për tkurrjen më të lartë demografike të kësaj grup-moshe.

Në janar të vitit 2025 Shqipëria kishte 405,832 të rinj të grup-moshës 15-29 vjeç me tkurrje 18,300 brenda një viti, duke pësuar një rënie prej -4.32%. Shpejtësia e zbrazjes së vendit tonë nga rinia është katër herë më e lartë se ajo e Serbisë, e cila pason me një rënie prej -1.03%.

Ndërsa vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia regjistrojnë tkurrje minimale nën 1%, Shqipëria po përballet me një hemorragji demografike që tejkalon çdo mesatare rajonale.

Kjo diferencë bëhet akoma më i fortë kur krahasohemi me vendet që po shënojnë rritje të konsiderueshme të popullsisë së re. Për shembull, ndërkohë që Shqipëria humbet kapitalin e saj njerëzor, vende si Spanja (+2.76%), Bullgaria (+1.98%) dhe Rumania (+1.97%) po shohin një zgjerim të grup-moshës 15-29 vjeç, çka tregon një riorientim të rinisë drejt tregjeve të punës apo sistemeve të tyre arsimore.

Teksa shtete si Zvicra, Islanda dhe vendet e Bashkimit Evropian po stabilizojnë ose po rrisin numrin e të rinjve të tyre, Shqipëria po thellon më tej rënien, duke treguar se nevoja për politika inkurajuese për të mbajtur rininë në vend është më urgjente se kurrë.

Tkurrja e të rinjve është specifikë alarmante shqiptare, jo ballkanike, që po e lë vendin pa forcë punëtore aktive dhe pa energji inovative, shkruajnë mediat shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Rënia me rreth 18,333 të rinjsh brenda një viti do të thotë se Shqipëria po humbet pothuajse një qytet të tërë të përbërë vetëm nga studentë dhe profesionistë të rinj çdo vit. Ndërkohë që Gjermania dhe Italia, dy destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, po shënojnë rritje të popullsisë së tyre të re (përkatësisht me 0.50% dhe 0.72%), pasi kapitali njerëzor që humbet Shqipëria po shërben si “karburant” për ekonomitë e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërsa vendet e zhvilluara po arrijnë të thithin të rinj dhe të rrisin bazën e tyre demografike, Shqipëria po tkurret me ritme që vështirësojnë çdo plan afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm. Nëse ky trend i vitit 2025 nuk frenohet, presioni mbi sistemin e pensioneve dhe mbi bizneset vendase, që tashmë vuajnë për staf, do të shkojë drejt pikës së kolapsit, duke e bërë Shqipërinë vendin me plakjen më të shpejtë në Evropë.

Prishtina, kryeqyteti më i lirë në Evropë

Prishtina është renditur si kryeqyteti më i lirë në Evropë sipas indeksit të kostos së jetesës, qirave, çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve në restorante.

Grafiku i publikuar nga Radio Evropa e Lirë (REL), duke u mbështetur në të dhënat e Numbeo, tregon se qyteti ynë është dukshëm më i lirë se shumë kryeqytete të tjera evropiane, por njëkohësisht edhe fuqia blerëse e banorëve mbetet ndër më të ulëtat, transmeton albinfo.ch.

Numbeo krahasoi qytetet e ndryshme të Evropës me Nju Jorkun, ku një indeks me vlerë 80 tregon se qyteti është 20% më i lirë se Nju Jorku, ndërsa një indeks me vlerë 120 tregon se qyteti është 20% më i shtrenjtë.

Sipas këtij krahasimi, Prishtina rezulton si qyteti më i lirë i Evropës, duke u pozicionuar në grupin e qyteteve më të përballueshme (Grupi 5).

Megjithatë, relatimi i REL thekson se, megjithë çmimet më të ulëta, fuqia blerëse e qytetarëve të Prishtinës është e ulët. Sipas të dhënave, një banor i Prishtinës ka mundësi të blejë rreth 35% më pak mallra e shërbime se një banor i Nju Jorkut, duke treguar se paga dhe të ardhurat mbeten faktor kyç që kufizon standardin e jetesës.

Në krahasim me kryeqytetet e tjera të Ballkanit, Prishtina i lë pas edhe disa nga qytetet më të përballueshme, por për nga fuqia blerëse mbetet në një pozicion të ngjashëm me vendet e tjera të rajonit. Në renditjen e përgjithshme, pas Prishtinës, më të ulëta në fuqi blerëse janë qytetet si Athina, Shkupi, Beogradi, Lisbona, Kievi, Kishinevi dhe Tirana.

https://www.evropaelire.org/a/kryqyteti-prishtina-me-e-lira-ne-evrope-/33662322.html

Kurti paralajmëron kabinet të ri qeveritar, priten emra të rinj në “Kurti 3”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar “Kurti 3”, duke theksuar se lista e ministrave nuk do të jetë identike me atë që kishte prezantuar më herët në Kuvend. Ai ka bërë të ditur se disa prej emrave të propozuar më parë do të mbesin, por do të ketë edhe kandidatë të rinj, transmeton albinfo.ch.

Deklaratën Kurti e bëri pas përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Ai rikujtoi se më 26 tetor 2025 kishte dështuar të siguronte shumicën parlamentare për formimin e qeverisë, gjatë periudhës së bllokadës në Kuvend.

Në listën e mëparshme të propozuar nga Kurti ishin përfshirë disa emra të rinj, ndërsa jashtë saj kishin mbetur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Për postin e ministrit të Infrastrukturës ishte propozuar kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ndërsa ministria e re për Familje dhe Mirëqenie Sociale ishte paraparë të udhëhiqej nga Andin Hoti. Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit ishte propozuar aktori Fatmir Spahiu, ndërsa Fitore Pacolli ishte nominuar për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Po ashtu, Donika Gërvalla ishte propozuar për të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kishin propozuar edhe rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19. Kryeministri në detyrë ka theksuar nevojën që Kuvendi të formohet sa më shpejt, në mënyrë që të miratohen marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra miliona euro, si dhe buxheti i vendit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, rezultat që i mundëson formimin e qeverisë në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë.

Mbretëria e Bashkuar prezanton eVisa për udhëtarët nga Kosova

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka njoftuar se sistemi i imigracionit britanik po kalon në një format tërësisht dixhital. Sipas njoftimit, nga 25 shkurti 2026, vizitorët që kanë nevojë për vizë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar do të pajisen vetëm me vizë elektronike (eVisa), transmeton albinfo.ch. 

Autoritetet britanike bëjnë të ditur se vizat elektronike do të zëvendësojnë ngjitëset tradicionale në pasaporta. Një eVisa përfaqëson një regjistër dixhital që përmban identitetin dhe statusin e imigracionit të udhëtarit, duke përfshirë edhe kushtet e qëndrimit, siç janë lejet për punë apo studim në Mbretërinë e Bashkuar. /Albinfo.ch 

Kërset grushti në futbollin e të rinjve në Zvicër

Dhuna në futbollin e të rinjve në Zvicër po bëhet një problem gjithnjë e më shqetësues. Fundjavën e kaluar, gjatë një turneu futbolli për të rinj në Pratteln, kantoni Basel-Landschaft, trajnerja e skuadrës fituese nga Berni u sulmua fizikisht nga rreth dhjetë persona të lidhur me FC Concordia Basel. Pas incidentit, ajo u detyrua të merrte trajtim mjekësor, trasmeton albinfo.ch.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës në futbollin amator të të rinjve. Disa nga ngjarjet më shqetësuese janë:

Aargau: Babai i një futbollisti sulmon arbitrin
Në verën e vitit 2025, pas një ndeshjeje të C-Juniorëve mes SC Schöftland dhe FC Villmergen, babai i një lojtari humbi qetësinë dhe i dha arbitrit një shpullë të fortë, pas një debati fillestar. Ngjarja përfundoi me një dënim penal për sulm ndaj arbitrit.

Aargau: Sulm ndaj lojtarëve të FC Mutschellen
Në prill 2025, gjatë gjysmëfinales së Kupës për A-Juniorë mes FC Menzo Reinach dhe FC Mutschellen, vendimi për fituesin u mor vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Pas fitores së FC Mutschellen, lojtarët u sulmuan nga kundërshtarët dhe tifozët, dhe disa prej tyre pësuan lëndime.

Pas këtij incidenti, Federata e Futbollit e Aargaut ndërhyri me masa të ashpra: skuadrat e FC Menzo Reinach në ligën e katërt u përjashtuan nga sezoni në vazhdim, dhe rihyrja e tyre në kategoritë Juniorë A dhe Aktive do të jetë e mundur vetëm pas 30 qershorit 2027. Përveç kësaj, u vendosën gjoba totale prej 8,500 frangash. /Albinfo.ch

Video: Këtu